HISTORIA

Fadil Hoxha: Bira e miut – 300 grosh!

Shkruan: Gani Mehmetaj

Grupe të rinjsh ishin arrestuar para disa vjetësh për këngën ”Fadil Hoxha – faqezi, nuk e la të bashkohet Kosovën me Shqipëri”. Edhe ndaj kërcënimit të tij për vrimën e miut, mori përgjigjen: “çka po thotë ai qen larosh, bira e miut treqind grosh!”

Kështu ishte gjendja në pranverë të vitit 1981, pak javë pas shpërthimit të demonstratave dhe ndërhyrjes së policisë. Miti për Titon u thye. Jugosllavisë nuk mund t’i thuhej më vendi i vëllazërim-bashkimit e bashkëjetesës, sikurse e propagandonin politikanët e mediat. Edhe trushpëlarët që s’bënin tjetër pos që flisnin si në delir për Titon e për Jugosllavinë, sepse grupe me tru të shpëlara nga propaganda jugosllave gëlonin, nisën të belbëzojnë jo se ndryshuan mendim, por pse papagallia e tyre ua cingëriste nervat shumicës. Mercenarët e frikacakët nuk pushonin, mirëpo ajo qe kastë tjetër, e pandryshueshme e cinike. Ata e shisnin lëkurën për pak para, ata e shisnin bashkëkombësin për karrierë, shpërblim a mundësi që ata të shpëtonin.

Me një fjalim kundër demonstrueseve shqiptarë, u shqua Fadil Hoxha, zyrtar i lartë, përfaqësues i Kosovës në federatën jugosllave, ish-partizan, i cili pas luftës i kaloi të gjitha stuhitë, duke arritur të bëhej kryetar i Kryesisë së Jugosllavisë. Ai për televizion e gazeta shkumëzonte kundër shqiptarëve, sepse ia paskan prishur qetësinë. Nisi të numëronte të mirat që na i paska sjellë Jugosllavia, kurse ne, sipas tij, nuk qenkemi mirënjohës, vazhdoi të vinte në pah “ kamjen tonë e varfërinë e atyre” (e kishte fjalën për Shqipërinë e Enver Hoxhës) për të arritur kulmin me shpërthimin e kërcënimit si të fliste një zyrtar serb. “Bira e miut – treqind grosh!” U kërcënua hapur, duke i paralajmëruar ata që dolën në demonstrata dhe ata që i mbështetën se do të futen në vrimën e miut.

Ishte diçka primitive për brezin tonë, jo pse kishim ndonjë iluzion për të e sojin e tij, sepse prindërit na kishin treguar kush ishte ai, madje grupe të rinjsh ishin arrestuar para disa vjetësh për këngën ”Fadil Hoxha – faqezi, nuk e la të bashkohet Kosovën me Shqipëri”. Edhe ndaj kërcënimit të tij për vrimën e miut, mori përgjigjen: “çka po thotë ai qen larosh, bira e miut treqind grosh!”

Fadil Hoxha kishte një biografi me krime të frikshme: vrau elitën intelektuale e aristokracinë e Gjakovës fillimisht, pastaj mori pjesë në zhdukjen e kundërshtarëve të Serbisë që ishin kryesisht intelektualë e njerëz të zotët në pjesët e tjera të Dukagjinit e të Drenicës. Zhduku Kryezinjtë e Gjakovës së pari, sepse ata kërkonin aleancë me Britaninë e Madhe e SHBA-në e jo me Jugosllavinë e Bashkimin Sovjetik. E pushkatoi grupin e luftëtarëve të rezistencës në krye me Gani Kryeziun, pavarësisht paralajmërimit të majorit anglez Simcox se do ta ndiqte për krime lufte. Në kohën e pushtimit fashist të Shqipërisë, F. Hoxha me një grup “Balilash” u pritën nga diktatori Musolini në Romë. Më vonë ndërroi ideologji, u bë komunist dhe u lidh me Serbinë: me Spasoje Gjakoviqin, Dushan Mugoshën etj.

Miladin Popoviqin ia mori Enver Hoxha.

Me fjalimin kundër demonstruesve, F. H. sikur i ra oreoli që ia ndërtuan një klan komunistësh servilë mbi baza lokale patriotike. Ishte kjo një shtresë gazetarësh, intelektualësh që i kishin borxh karrierën e banesat. Në këtë mënyrë u përpoqën edhe M. Bakallit t’ia ndërtonin mitin e politikanit modern, duke e prezantuar më të arsimuar se të tjerët, sepse njerëzve u erdhi në majë të hundës belbëzimi i zyrtarëve me të kaluar partizane dhe pa arsimim.

Kjo ishte pasqyra e rrethanave politike në Kosovën e atyre ditëve. Ky ishte Fadil Hoxha, partizan, që nuk ndryshoi as pas dyzet vjetësh.

Nga libri: Ëndrra e madhe, fletë të shkëputura ditari 1981-2006 me portretin e Rugovës në dritëhijen e ngjarjeve dramatike

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *