KAPIDAN LLESH GJON MARKU
HISTORIA

KAPIDAN LLESH GJON MARKU MBROJTËS I TRASHËGIMISË SHEKULLORE TË NDERIT BESËS E BURRNISË

Shkruan Nue OROSHI

Mos të na shajn kto Male tjera
Se Mirdita kjo e mjera
Se Mirdita kjo e shkreta
Strukë ndër ferra e ndër kepa
Me pushkë ndorë i ka shkue jeta
E kanë njoftë Sulltana e Mbreta
Me Gjon Markun për sa të jet jeta.
(Këng popullore Mirditase)

Shpeshherë tradita jonë popullore ka folur dhe treguar në menyrë reale për ngjarjet që kanë ndodhur brënda kombit tonë. Kjo traditë popullore e trashëguar brez pas brezi ka lënë gjurmë të pashlyshme në orjentimin e drejt kombëtar. Dhe pikërisht këto vargje të këngës popullore Mirditase,“Mos të na shajnë kto male tjera/Se Mirdita kjo e mjera/Se Mirdita kjo e Shkreta/Strukë ndër ferra e ndër kepa/Me pushkë n’dorë i ka shkue jeta/E kanë njoftë sulltana e mbreta/Me Gjon Markun për sa të jet jeta/, tregon shumë qartë se, sa ishte rrënjosur thellë në palcën dhe gjenin kombëtar tradita shekullore, traditë e cila ishte udhëhequr nga Dera zëmadhe e Kapidanëve të Mirditës,që nga Pal Dukagjini e deri në ditët e sotme. Vazhdues i kësaj tradite shekullore për ta mbrojtur nderin e nëpërkëmbur kombëtar është dhe djali i tretë i Kapidan Gjon Marka Gjonit, Kapidan Llesh Gjon Marku. Kapidan Llesh Gjon Marku ra heroikisht në moshën 28 vjeçare, por edhepse i ri ai për një vit e tre muaj pas rënjës heroike të Kapidan Mark Gjon Markut, e udhëheqi luftën për Shqipërinë Etnike, të bashkuar dhe Demokratike.

JETSHKRIM I SHKURTËR I KAPIDAN LLESH GJON MARKUT

Kapidan Llesh Gjon Marku djali i tretë i Kapidan Gjon Marka Gjonit, ka lindur në vitin 1919 në Grykë të Oroshit. Shkollën fillore (pesë klasë) i ka kryer në Konviktin Mirdita. Prej andej ka vazhduar shkollimin në gjimnazin e shtetit deri në perfundimin e klasës së pestë në Gjimnaz. Në vitin 1937, bashkë me vellain kapidan Ndue Gjon Markun është derguar në Vjenë në shkollën e njohur Teresianum, ku ka kryer maturën.Në vitin 1940 dergohet në Itali në Univerzitetin e Firencës, dhe aty regjistrohet në fakultetin e drejtësisë. Prej vitit 1943 jetoi pranë vëllait Kapidan Mark Gjon Markut në Tiranë, tue përforcue eksperiencën sociale e politike. Në Shkodër ka krijue një rreth të gjërë, me rininë e qytetit, ku ishte i mirëpritur e i respektushëm. Cilsitë e tija shoqnore kishin vu në dukje karakterin e tij, sjelljet bujare, e respektin reciprok me gjithëkend. I urtë por energjik, i matun në shprehje por i arsyeshëm, i kujdesshëm në veshje sa me u dallue prej të gjithëve. Në Mirditë, n’Orosh e për verë Nenshejt, (Mali Shejtit), atlet se ishte tue bredhë nëpër livadhet e atyshme si një shpend mali. Tërhiqte vërejtjen e të gjithëve për shkathtësi fizike, dhe të gjithë e dojshin, e afrojshin e u kënaqëshin në prezencën e tij. Gojtarë i mirë, i qeshun dhe i ambël në shprehje, e tregues ngjarjesh , kishte terhjekë simpatinë e të gjithëvet. Lleshi ka qenë prototipi i vërtetë i Mirditorit. Gjithmonë pranë vëllait Kapidan Mark Gjon Markut, në Tiranë tue takue e tue njofte personalitete politike, aqë sa me krijue personalitetin e vetë, e me qenë gadi me diskutue çdo problem, e me përforcue eksperiencën sociale e politike. I ngjeshun me rregullat tradicionale të derës së tij. Qyshë në fillim të vjetit 1943 ishte vu në dukje si antikomunist, dhe priste kohën me hi në aksion kundra tyne. Në nanduer të vitit 1944, kurë kapidan dr Mark Gjon Marku muer malet, e atje me krijue qendresen kombëtare, Lleshi u bashkue bashkë me të, vendosi me përballue çdo vështirësi të malit, e me vendosmëri mos me ra gjallë, me pushkë në dorë komunistavet gjakatarë e antikombëtarë me Enver Hoxhën në krye.Me luftartë e Lirisë, bashkëjetonte në harmoni absolute, dhe e nxiste me qindrue, njëherit kërkonte me ju largue mërzinë, që i kapte për familjet e internume, ndër fusha internimi, zona kënetash malorike, ku jua thithshin gjakun ushujzatë e zeza. Bashkë me to edhe familja e tij (e Kapidan Gjon Marka Gjonit). Fjaltë e tij të zjarrta, shprehjet kuptimplote, arsyetimi i tij logjik bazue në fakte konkrete, të sundimit komunist shkaktojshin një mjerim të madhë në zemrat e luftëtarëvet, por njëherit i entuziazmoheshin, i fuqizojshin e i trimnojshin me qëndrue burra mbi burra, edhepse ju folte një bashkluftëtar i shquem, një person vuejtjesh e mjerimi, një fisnik i derës së Gjomarkut dhe i Mirditës.

Koha kalonte me vrull stintë e motmotit, perendojshin njëra mbas tjetrës si drita n’agim e në perëndim. Nata e dita u ndrrojshinë me një shpejtësi të rrufeshme, pa u lanë kohë luftëtarve të lirisë për pushim. Një jetë me të vërtetë mizore. Gjatë sundimit gjakatar të rexhimit komunist me Enver Hoxhën në krye,Mirdita ka qenë bërë shesh persekutimesh, e mjerimi katastrofal, aqë sa më tepër se 300 familje kanë qenë shpërngulë e dërgue në burgje e fusha përqëndrimi në jugë të Shqipërisë, në kampin famëkeq të Tepelenës, ku kanë dekë pleqë e plaka, deri fëmijtë në gji të nanës. Për të tregue një trishtim të tillë , populli i Mirditës, ashtë shprehë kështu: mos të vuftë i ligu përfundi se s’len gja pa ba.Në Mirditë kundër luftëtarëve të lirisë, 10.000 komunista besnikë të rexhimit, ishinë në qarkullim ditë e natë me kapë gjallë së paku një luftëtar lirie, por sja kanë dalë, sepse:Besa e dhanun mos me u dorëzue gjallë me pushkë në dorë, e ka dhanë frytin e vet:me lumnue me një plumbë në ballë,por: mos me u koritë. Të stervitun me jetën e malit, të strukun ndër ferra e kepa, e tue kalue nëpër shtigje të verbëta, luftartë e Lirisë, endeshinë kahmos nëpër Mirditë. E me të gjitha ato kontrollime ata u pritëshin e u përcjellshin me përzemërsi prej popullit.

Kjo fuqi morale, kjo bujari tradicionale, këto virtyte shekullore, bazue në Besë,Nderë e Burrni, kanë pertrijë me hove të mrekullushme historinë e Mirditës, nëpër të cilën do të ecin me kreni kombëtare gjeneracionet e reja-pasardhësit e tyne.Me vrasjen e Kapidan Mark Gjomarkut me 14 Qershuer 1946 në moshën 33 vjeçare, luftëtarët e lirisë iu ngjeshen Kapidan Llesh Gjon Markut, i cili tue u pershkrue nëpër vështirësitë mbi- njerzore, të malit. Orvatej me mbajtë lidhjet, e ata me i nxitë me qëndrue. Fjalët e tija të zjarrta , shprehjet e flakta, vendosmëria me qëndrue, shpirti i sakrificës, me përballue çdo sulm të komunistave anmiqë të tërbuem t’popullit e të kombit, kishin ndezë zemrat e popullit i cili në te kishte vjerrë shpresën e lirisë.Mjerisht, derisa ishte në mbrojtje të shtëpisë së Gerës, befasisht rrethohet me 9 gusht të vitit 1947, në Munegj plasë pushka. Për gjashtë orë lufton me ashpërsi, por aty mbet. Ishte në moshën 28 vjeçare. Me te u vranë djali i shpisë së Gerës qe e kishte në mbrojtje, dhe Tunë Nikolli prej Oroshi. Ky lajm i zi trishtoj zemratë e gjithkujtë. Një re e zezë u nda në qiellin e kulluet të Mirditës, e populli vajtoj Kapidanin e rij, por nuk u ligshtue. Mirdita Kalaja e qendrës kombëtare, llogor i fortë mbi shkambijë të malit ku ishinë ngujue luftëtarët e lirisë, me në krye me Kapidanatë e tyne, Mark Gjomarku, me vëllain Llesh Gjon Markun, fuqizonte shpirtin e sakrificës të popullit, me përballue me nderë çdo furi të bishës s’eger pansllaviste. Me i tregue botës mbarë vlerat e pashueshme morale e tradicionale, e trimninë, faktë historikë me u shkrijë, por: mos me u koritë, siç e deshmon vrasja e djalit të shpisë Gerës, që dha jetën në llogor me Kapidanin e vetë. Ky fakt i mrekullushem historik dëshmonë lumninë, kreninë e popullit të Mirditës, e jo vepra bastardhe e pjella e huptë e atyne që me aq furi bishës së egër, lëshohen turr kundër 14 nacionalistëve të dekun, në Qafë te Valmeritë, me u dhanë plumbin e fundit në ballë. Por Mirdita e para votra shqiptare, themel kullashë të ngulunë mbi cura, që thehet por sperkulet, fushë pjellore virtyteshë të pastra, krenare e me ballë haptë do të ecë ndër motmote para historisë, në gjurmtë e kapidanave, Mark Gjomarku e Llesh Gjomarku, që u shkrinë në lulën e moshës së tyne me popullin e për popullin e Mirditës.

Ndërsa atdhetari dhe studiuesi Eugen Shehu në një shkrim me titull “LIDHJA KOMBËTARE E MALEVE” DUHET RITHIRRUR SËRISH rënjen heroike të Kapidan Llesh Gjon Markut dhe qëndresën e tij do ta përshkruaj si vijon: -Vdekja trimërore e princit të Mirditës Kapidan Mark Gjon Markut, u përcoll me dhimbje jo vetëm në radhët e guerrilëve nacionalistë,por në krejt trevat veriore shqiptare. Ndonëse trupin e tij komunistët e zhdukën të irituar, sërish populli i Mirditës sipas zakoneve të vendit, u vesh në zi.Ndërkaq, kryesia e “Lidhjes Kombëtare të Maleve” vendos në udhëheqje të saj vëllanë e princit të Mirditës, Llesh Gjonmarkajn. Nga ana e tij, Lleshi u përpoq që në fillim të mbante të ngritur idenë e kryengritjes së përgjithshme antikomuniste portashmë kjo lëvizje guerile antikomuniste kish humbur ideatorin e vet të madh, Markun.Ndërkohë që kryengritja po afrohej, në rrethe të Mirditës dhe Shkodrës u bënë terrore të papara ndaj popullsisë së pafajshme. Në xhepin e brendshëm të jelekut, të një nacionalisti të vrarë,organet e sigurimit komunist, gjetën një qarkore të firmosur nga Llesh Gjonmarkaj,me ç’rast zbulohej edhe plani i kryengritjes së përgjithshme. Menjëherë nga Tirana kanë shkuar në Mirditë dy brigada të tjera me nacionalçlirimtarë duke u derdhur të unshëm ndaj gjakut të popullit të atjeshëm, kinse po strehonte Llesh Gjonmarkajn. Dokumente të shumta vërtetojnë se kapja e Llesh Gjonmarkajt, ka qenë një ëndërr e brigadave gjakatare komuniste dhe shtabeve vrastare të Tiranës sllavobollshevike, ngase për te interesoheshin deri në Beograd. Klika e Titos, nuk do të harronte se si rreshtat e nacionalsitëve trima të Gjonmarkajve, iu vunë tytat e armëve Miladinit e Dushanëve. Llesh Gjonamarkaj, dimrin e egër 1946-1947 e kaloi në shkrepat e Mirditës dhe të Lurës, ku me gjithë reprezaljet, komunistët nuk kishin mundur të futeshin dot. Në qershorin e vitit 1947, për arsye se donte të organizonte guerrilët e “Lidhjes Kombëtare të Maleve” ai zbret deri në Laç, 40 kilometra larg Tiranës. Por këtu terreni për veprim ka qenë tejet i vështirë. Të ashtuquajturat brigada të mbrojtjes së popullit, kishin në përbërjen e shtabeve të tyre pos mjeteve lëvizëse moderne të kohës, edhe këshilltarë jugosllav. Baza e Kapidan Llesh Gjonmarkajt këtu zbulohet dhe vetëm pas një trimërie të të zotit të shtëpisë, prijësi nacionalist mund të largohet, në përpjekje me armë. Pas kësaj, në ndjekje të Llesh Gjonmarkajt, vëhet një batalion i tërë ushtarësh dhe oficerësh të nacionalçlirimtarëve. Në natën e 9 gushtit të vitit 1947,këto forca,në bashkëpunim me një antar këshilli nacionalçlirimtar të Geziqit, në Mirditë, e rrethojnë Llesh Gjonmarkajn vet i tretë. Të tmerruar se mos u ikte batalioni i ndjekjes kërkoi të kapin të gjallë prijësin e “Lidhjes së Maleve”. Thirrjes tradhëtare për t’u dorëzuar, Lleshi iu përgjigj me këngën e pushkës atdhetare.Mbas disa ore luftimi të paparë, jep shpirt në fushën e nderit edhe trimi, atdhetari dhe antikomunisti nacionalist, i familjes së Gjonmarkajve. Një tjetër humbje e madhe do ta kaplonte rezistencën antikomuniste shqiptare. Ajo po kalonte momentet e veta më të vështira perfundon studiuesi Eugen Shehu.

NË VEND TË PËRFUNDIMIT

Kapidan Llesh Gjon Marku me një përkushtim të madh ra në altarin e lirisë, për mbrojtjen e Shqipëris Etnike. Ai është njëri ndër pishtarët e lirisë i cili shqiptarët i shihte të orjentuar drejt perendimit, Shqipërinë e shihte një zonjë të bukur e të rëndë, ndërsa vendilndjen, Mirditen, si qendër e Shqipërisë Etnike, pasiqë për 500 vjet kjo krahinë ishte e veçuar se, në çdo kohë dhe në çdo shekull i rroki armët e lirisë për t’i dalë zot tokës e dheut, të rinjëve e pleqëve, femijëve e grave, për të mos rënë në duar të sundimtarëve aziatikë e karpatian e më vonë edhe kundër djajve të kuqë që kishin filluar t’i masakronin vëllezërit e gjuhës dhe të gjakut, me të vetmin qëllim, se janë kundër yllit komunist dhe se janë njerëz të zotitit dhe nuk duanë të kenë punë me djallin. Është koha e fundit që këta atdhetarë të Shqipërisë Etnike , nga të gjitha viset etnike shqiptare, tju ipet epiteti i merituar, Hero i Kombit. Ndersa Mirdita kreshnike, vend i nderit e besës dhe burrnisë duhet të këndellet dhe t’i vendosë në vendin e merituar heronjët e kombit, Kapidan dr. Mark Gjon Marku dhe kapidan Llesh Gjon Marku si dhe shumë luftëtarë tjerë që u flijuanë për Mirditën e Shqipërinë. U flijuanë për Shqiptarinë më të vetmin qëllim, që Shqipëria të orjentohet drejt vlerave dhe kulturave perëndimore dhe jo atyre lindore e aziatike, siç punuan një pjesë shqipfolësve komunistë, ku fatkeqësisht pjella tyre e keqe e djallit po mundohet t’i rehabilitoj djajtë e kuqë. Ndërsa djemtë e Shqipërisë Etnike t’i lenë sërishë në harresë. Por kohëratë kanë ndryshuar dhe tashë po vije koha e djemëve të kombit, po vije koha e Kapidan dr Mark Gjon Markut e Kapidan Llesh Gjon Markut, të cilët ishin mbrojtës të trashëgimisë shekullore të nderit, besës e burrnisë, duke i begatuar këto vlera të mirëfillta kombëtare, me ecuritë e vlerave moderne perëndimore, vlera të cilat i kishin studiuar gjatë studimeve nëpër univerzitet e shteteve perëndimore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *