Dyshim

Shkruan: Edison YPI

Më këmbë pranë banakut po trazoj sheqerin e kafes me bishtin e lugës. Trazimi me bishtin e hollë e ftoh kafen më pak se trazimi me pallën e trashë. Mënyra perfeksioniste hidrotermike e trazimit që nuk korespondon me asnjë nga përvojat e tyre, ka tërhequr vëmendjen e kafepirësve të cilët kanë mbajtur frymën, nuk po u besojnë syve, nga ky spektakël nuk duan të humbin asnjë sekuencë. Duke më parë ngultas si vrasës, i janë futur shqyrtimit të imët të kësaj çudie, gjetjes së kuptimit të thellë, shqyrtimit të natyrës së këtij krimi, simbolikës së fshehur të xhestit të një të lojturi i cili kafen që e pi më këmbë e trazon me bisht.

Çfarë tu them dyshuesave.
Tu them se prirja për t’u marrë me tjetrin, në këtë rast me mua, me kafen, sheqerin, filxhanin, lugën, bishtin, pallën t’ime, është e turpshme.

Tu them të mos lodhen kot të më njohin nga mënyra si e trazoj kafen, se efektet e pirjes së kafes janë gjëra të ngatërruara që kanë lidhje me gjakun, neuronet, hormonet, ndërrimin e stinëve, lojrat e shqisave, nazet e organeve, sekretet e të cilave janë të ndryra thellë nëpër zgavrat e trurit t’im që përdor bishtin dhe jo të atyre që përdorin pallën.

A tu them se secili prej tyre është një realitet banal sa i pakëndshëm dhe i paevitueshëm, diçka jo serioze që ekziston por nuk vlen, që e ke por s’ke ç’e do, e megjithatë të gjithë bashkë dyshuesit përbëjnë diçka serioze, se mes tjerash ata votojnë, por çfarë rrjedh nga ky seriozitet është diçka e frikëshme që dihet si fillon por s’dihet si mbaron.

Vazhdojnë të më ndjekin me sy, mua, kafen time, sheqerin tim, gjestin tim, bishtin tim. Me gojën hapur nga habia s’mund të dërdëllisin. Me gotat mbi tavolinë s’mund të pinë. Me duart e varura s’mund të godasin. Me mendjen e mpirë nga dyshimi s’mund të mendojnë. A të përfitoj nga kjo pamundësi reagimi për tu uluritur gjenialëve të dyshimit se;
Planeti po kthehet në një kosh plehrash.
Ngrohja globale pas pak do përmbyti kontinentet.
Bota po mbushet me analfabeta funksionues.
Ekuilibri i çrregullimeve psiqike që garanton mbijetesën e qytetërimit është në rrezik.
Nuk do t’u them asgjë. Kafja u ftoh. S’do ta pi. Ma bënë harram me gjithë këtë dyshim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *