ANTENA

Mirmbrëma shoku kurvi, fillojmë lajmet.

Shkruan: Edison YPI

Në këtë grusht fjalësh me një presje në mes dhe një pikë në fund përmblidhej i gjithë televizioni shqiptar deri nga mesi i viteve ’70.

Më pas, për rrethana që s’vareshin nga kurvi, vëmendja ndaj televizionit u shtua.
Nja dy a tre vjet, kurvi la të lira dy kanale italiane. Dy a tre vite të tjera vetëm lajmet e tyre. Pastaj e nxiu fare. Gjithçka që mund të shihje në televizionin që kurvi vetë e bënte dhe vetë e shihte ishin, një traktor që çante arat, një mjelëse që tejkalonte planin, një ushtar që mbronte atdheun.

Pas nxirjes së Rai-t dhe zhurmimit të një kanali jugosllav, meqënse edhe në atë burg si në çdo burg mes të burgosurve dhe gardianëve ka gjithmonë disa vuajtje të përbashkëta, ethja për të parë televizionet e huaja u bë gjithpërfshirëse.

Përpjekjet e para për të parë fshehtaz televizionet e huaja u bënë brenda shtëpisë.
Një rrjetë teli apo një tepsi me vrima varuar në tavan ose fiksuara diku në një pozicion ku televizori “kapte”, patën një farë suksesi për të parë me vështirësi ndonjë film me nam, por nuk ishin zgjidhje. Rrjeta e telit dhe tepsia me brima nxjerrë në ballkon mbuluar me ndonjë rreckë hedhur mbi të për të mos u parë nga rruga, as kjo nuk dha rezultat.

Kaluan disa vite derisa u muar vesh se valët televizive perëndimiore refuzonin të hynin në shtëpitë e shqiptarëve të joshura me tela dhe tepsia.

Durimi sosi, plasën barcaletat.

Si të gjitha barcaletat antikonformiste edhe barcaletat televizive vinin në Tiranë pasi ngjizeshin në Shkodër dhe ambalazhoheshin në Laç.

Shkodranët i thoshin njëritjetrit; N’tan Shqipnin jan t’nalum me u pa televizionet e huja. N’shpin teme asht i nalum me u pa televizioni shqiptar.

Nga Shkodra erdhi haberi se frigoriferit bosh, ose më këpucë brenda për t’i mbajtur të freskëta, po t’i shtoje disa llampa, shndrrohej në televizor që kapte të gjitha kanalet e botës. Si dhe po të vendosje mbi televizor një Dhi’ të vogël bronxi nga ato që prodhonte “Artistikja Migjeni”, televizori bëhej “me i dhi m’te’ dhe problemi ishte i zgjidhur, mund të shihje edhe televizionin e Bangladeshit.

Kur eksperimentet me frigoriferin me llampa dhe pa llampa, televizorin me dhi ose pa dhi mbi të, dhe të tjera tentativa nuk dhanë asnjë rezultat, shterrën dhe barcaletat.
U muar vesh se për të parë televizion duhej antenë e vënë mbi terracë.
Energjitë kreative të shpenzuara për ndërtimin e veprave të 5 vjeçarëve dhe bunkerëve, ishin hiçasgjë ndaj punës kolosale kreative për ndërtimin dhe fshehjen e antenës televizive.
Modelet e para të antenave u morën nga libra dhe revista ruse për radioamatorë të viteve 50 dhe 60.
Nga magazinat e ndërmarrjeve zhdukeshin për muaj të tërë tubat e bakrit dhe aluminit.

Vështirësia e parë ishte përmasore. Televizioni i kurvit kërkonte antenë të madhe me tuba të gjatë. Televizionet e huaja kërkonin antenë më të vogël me tuba të shkurtër. Fshehja e diçkaje më të vogël krahas fshehjes së diçkaje më të madhe, fillimisht u duk e kollajtë, dhe shkaktoi një hutim ngazëllyes. Por doli që ishte perceptim i gabur. Megjithatë u zgjidh shpejt. Elementët e shkurtër të antenës së vogël u zgjatën artificialisht me tuba plastike. Pensionistët që vigjëlonin nga oborri i pallatit dhe përtonin të ngjiteshin në terracë, nuk mund të vinin re hollësira të tilla në distancë.

Problem tjetër ishte lartësia e antenës. Sa më lart, aq më mirë. Një djalosh tek Rruga e Durrësit që quhej Kirov, theu të gjitha rekordet, e ngriti antenën më lart se të gjithë, mbi 10 metra mbi terracë. E drejtoi si duhet nga perëndimi, e shtrëngoi me disa bulona, bulonat pasi i sharroi i shurroi që të ndryshkeshin dhe të mos liroheshin dot nga asnjë spiun dhe asnjë pensionist. Ishullarët mahniteshin nga emri rus i djaloshit trim dhe fakti që babain e kishte hiç më pak se oficer, çka provonte katërcipërisht se antikonformizmi ishte fenomen shumë më i thellë se klasor, shoqëror, e aq më pak politik.

Dikush tha se aftësia e antenës për të thithur valët shtohej dukshëm nëse brenda elementëve derdhej zhivë. Një tu marrë vesh ky zbulim, brenda pak ditëve u zhdukën nga farmacitë termometrat të cilave u merrej zhiva. Gjetja e zhivës, derdhja e saj brenda tubave pa asnjë efekt, pra zbulimi se aftësitë kuruese të zhivës ishin ngatërruar me sjelljen e zhivës ndaj valëve elektromagnetike, shkaktoi zhgënjim. Dikush tjetër tha se s’kishte vend për asnjë zhgënjim. Për thithjen e valëve televizive zhiva është më se e sigurtë. Veçse jo zhiva e zakonëshme e termometrave. Duhej zhivë e kuqe, zhivë nëndetësesh, zhivë Pasha Limani. I kuq flamuri, i kuq gjaku, e kuqe ideologjia, e kuqe rruga e partisë, të kuq librat e kurvit, të kuqe citatet e maos, i kuq horizonti, e kuqe lindja, i kuq “Këndi i Kuq”, e kuqe coha e podiumeve, e kuqe edhe zhiva e antenave, ah jo, kjo ishte e tepërt, ishullarët provuan dëshpërim të thellë, u bindën e zhivën e kuqe e përhap sigurimi i kuq, dhe zhivat me ngjyra i harruan.

Sofokli Karpuzi prodhoi fshehtas në “Uzinën Traktori” stampa të posaçme për të prerë elementë antene prej llamarine alumini si bisht dallandysheje. Shpikja e Sofos, që pati përhapje në gjithë Shqipërinë, i vështirësoi teknikat për fshehjen e antenës, ama përmirësoi goxha cilësinë e figurës.

Tuç Zyma ëndërronte një repetitor të fshehur në një kaçubë në majë të Dajtit. Repetitori i Tuçit do t’i merrte valët direkt nga italia. Por Tuçi nuk e zgjidhi dot problemin e ushqimit të repetitorit me energji. Me bateri nuk ishte e mundur se bateritë duheshin ndërruar, e Tuçi nuk mund të shkonte një herë në muaj në Majë të Dajtit nga frika se e arrestonin në emër të popullit duke i thënë se je nisur për tu arratisur nga Martaneshi. Meqënse ushqimin e repetitorit nuk e zgjidhi dot as me energji diellore, projekti i Tuçit mbeti batall.

Thuhej se televizori në Laprakë s’kap, në Kino Studio edhe kap edhe s’kap, në Sauk kap. U bënë harta me vendet ku televizori kapte dhe s’kapte. Nisur nga këto kapje dhe s’kapje, një numur banorësh të Tiranës të etur për të parë televizionet e huaja, ndërruan shtëpitë për të vajtur në vendet ku kapte, por u penduan shpejt. Për tu justifikuar thanë se kapja dhe skapja ishin stinore. Pastaj thanë se si kapja dhe s’kapja vareshin nga kushtet metereologjike, jo të këtushmet, të vendit nga vinin valët, dhe ranë në një dëshpërim të thellë prej të cilit nuk kanë dalë ende sot.
Diku pranë Medresesë, në terracën e pallatit ku banonte Humbersina Maçi një ishullar i çartallosur instaloi një antenë brenda një kutie mbyllur me beze të kuqe mbi të cilën spiunat e lagjes kishin shkruar “Rroftë kurvi”.

Lexuesi nuk e ka të vështirë ta marri me ment se kush e ndërtoi antenën më të sofistikuar. Atë që ulej ditën e ngihej natën dhe rrotullohej nga brenda shtëpisë si periskop nëndetsesje, derisa koha e lezetlliqeve të frikëshme me pak filma që shiheshin nga fillimi në fund ja zuri vendin koha tjetër me pafund filma që nuk shihen fare ndërkohë që pangapak antena e përvuajtur diktatoriale u përpi nga parabola pluraliste dhe u varros nga saçi demokratik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *