Sala të bën Selam

Shkruan: Edison Ypi

Pavarsisht si e ke emrin, Hysen apo Hasan, Skuth apo Morr, Turiqen apo Turimut, po ta kesh hak, buldozeri Salë njësoj të rrafshon, njësoj të bën Selam.

Në të bërët Selam Sala është gjenial. Por nuk është vetën Sala që të bën Selam. Po u hodhe ickla të gjithë burrat e shtetit të bëjnë atë që të bën Sala, Selam.

Sala Selamllëkun nuk e ka qëllim, e ka mjet.

Leshkos mund t’i duket se Sala nuk e ka bërë Selam, por, ta zemë, Alekum, pra diçka të shenjtë, dhe vazhdon e ngrifet, por Sala nuk e ka bërë asgjë më të keqe dhe asgjë më të mirë, asgjë më tepër dhe asgjë më pak se Selam.

Nuk janë budallenj apo frikacakë ata që Salën e adhurojnë por Salës nuk i afrohen më tepër se duhet. E kanë nga droja se mes selamllarëve të shumtë Sala mund t’i bëjë Selam aksidentalish duke i shndrruar në Haxhinj fatkeqë që kanë qënë në Mekë për pelegrinazh por kanë ngecur në kthim në mes të shkretëtirës, janë sëmurur udhës mes rërave të moskuptimit dhe budallallëkut ku u bëjnë hyzmet ca beduinë të lodhur brenda ca çadrave të rreckosura me rrotull ca deve kockëdala.

Po të bëri Sala Selam, harroje se mund të bëhesh gjë tjetër, Selam je, Selam do ngordhësh. Sepse Sala Selamllëkun e arkitekton në atë mënyrë që edhe vetë Salës po t’i kthehet mendja, nga tragjizmi dhe qesharakizmi i selamalekumit nuk të shpëton dot.

Rastet kur Sala të bën Selam janë nga më të larmishmet

Ke ndejtur një kohë të gjatë pranë Salës, të është rritur mendja, ka shpeshtuar icklat. Ky është rasti kur Sala, ngaqë i je dashur si vegël, Selam të ka bërë që në çastin e parë që të ka njohur. Veglat e vogla janë të rëndësishme për Salën e madh.

Sala të ka bërë nëpunës të lartë, deputet, ministër. Mirpo je i paaftë, i ngathët, pa rendiment, pa bilanc. Pasi të duron për një farë kohe, një ditë të bukur Sala të bën Selam. Nuk ta thotë. Të lë ta kuptosh. Po e kuptove, mirë, vuan pak. Po s’e kuptove, shumë keq, vuan deri sa të vdesësh. Por edhe po e kuptove edhe po s’e kuptove, nga selamllëku i Salës nuk shpëton dot kurrën e kurrës.

Sala nuk është prift që të të pagëzojë, nun që të presi flokët porsa ke lindur, magjistar që të mallkojë. Sala është Sala. Kjo është arësyeja që kur Sala të bën Selam nuk duhet ta marrësh si nofkë, por si diçka më të thellë. Diçka që nuk e kupton dot menjëherë por të lë gjithë kohën duke dyshuar nëse të vrau apo të plagosi, të rrahu apo të bëri masazh.

Sala nuk ka nge të japi spjegime nëse të ka bërë a s’të ka bërë Selam. Duhet ta kuptosh vetë.

Pasi edukatori gjenial Salë të bën Selam, nuk do të thotë se të ka bërë Harram. Përkundrazi, të bërët Selam është një e mirë e madhe që të vish në vete sa më shpejt, të zësh ment, të mos përsërisësh gabimet kur të bësh ndonjë punë tjetër, se me Salën nuk puth më kurrën e kurrës.

Po t’i kesh rënë më qafë kot, Sala të gjen dhe të bën Selam edhe në brim të satome po të jesh futur.

Bërtit e ulurit sa të duash pasi ta kuptosh se Sala të ka bërë Selam. Salës nuk do t’i vijë zëri. Është bërë shurdh. Ke mbetur vetëm në mes të udhës, është natë, kalimtarët flenë, makinat janë prishur, qerret kanë ngecur, trenat kanë ikur, aeroplanët janë rrëxuar, vaporrat janë mbytur, furgonat i ka bllokuar Bashkia, biçikletave u janë çpuar gomat, bëji derman vetes, mbathja nga të mundesh.

Pasi Sala të ka bërë Selam, pra pasi Sala të ka shtypur si morr, të ka larguar si një mizë që e bezdis, bashkë me Salën edhe të gjithë të tjerët Selam do të bëjnë. Dhe Selam pas Selami, harrim pas harrimi, pendim pas pendimi, dyshim pas dyshimi, Selam i Salës do mbetesh derisa të ngordhësh.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *