PERÇARESIT E KOSOVES

Shkruan: REXHEP SHAHU

Këto që janë kundër FARK-ut, kundër oficerave profesionistë të Kosovës, këto që duan të përvetësojnë luftën, a mundet të tregojnë dhe ta bindin Kosovën se ku kanë luftuar, si, a kanë ikë ndonjëherë, sa kohë qëndruan në Shqipëri, Kukës, Has Tropojë, Tiranë, plazh Durrës, ku dhe kur trimëruan, kë mbrojtën, kujt i shpëtuan jetën, cilit, cilëve, cilin katund mbrojtën, me çfarë çmimi, a ikën para civilëve apo mbrapa civilëve, në cilën bjeshkë veruan, në cilin dimër fjetën mbi dëborë se këto farë trimash paskan fjetë edhe gjumë mbi dëborë (!!), cilat varre mbrojtën (se varret nuk ikën dhe thirrën mos ikni o djem, o burra, mos ikni por na mbroni…). Ta bindin Kosovën a ishin vërtetë çlirimtarë apo ishin refugjatë çlirimtarë dhe u bënë komandantë lufte në Shqipëri, që hynin e dilnin nganjëherë në Kosovë, natyrisht me rrezik e jo për eskursion, por që të shumtën e kohës komanduan e ushtruan e luftuan në Durrës, Tiranë, Kukës, has, Tropojë e ndonjë muaj edhe në shtete të perendimit, gazetarë lufte mes refugjatëve, a ishin UÇK Kosove që nuk e braktisën kurrë atë, apo UÇK Shqipërie që ditën shkonin deri afër kufirit në Pogaj, Cahan, Vlahën, dhe natën e kalonin në Kukës, Has apo Tropojë, e Tiranë a Durrës dhe që shkonin herë pas here me pa familjen në shtetet e perëndimit.

Përveç të rënëve, atyre që me gjak e vaditën vërtetë lirinë e Kosovës, përveç invalidëve të luftës që askush nuk kujdeset për to e sa meritojnë ato dhe përballen me shpërfillje vrastare nga gjasmë komandantët e luftës, askush tjetër nuk duhet të guxojë të bëjë diferencim mes luftëtarëve. E këta nuk bëjnë diferencim se nuk hynë në luftë për biznes as për poste e pushtet as në atë kohë e as pas lufte.

Po më duket se ata që kanë ndënjtë në dimia apo në minifunde, që nuk kanë meritat e merituara në luftë por të blera pas lufte si kostumet e UÇK, po mbjellin ngatërresa të mëdha dhe po shpërfillin ushtarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë qenë institucionalë, kanë respektuar institucionet të cilat kanë ekzistuar, se Kosova nuk ka qenë e njerzve endacakë që mbulonin hallatet me lapa gjethi, por ka qenë shtet me institucione paralele vërtetë por të njohura e të pranuara nga populli i Kosovës por jo nga të huajt.

Ata që mendojnë se me ta nis historia, le të shkojnë e të pshurrin mbi varret e të parëve të tyre njëherë e pastaj le të hanë miza.

Unë kam parë me sytë e mi qindra e qindra ushtarë të FARK-ut duke hyrë në luftë në Kosovë për të luftuar për Kosovën dhe jo për t’ia marrë pushtetin dikujt e për t’ia dhënë dikujt tjetër. Siç kam parë me sytë e mi dhe kam shoqëruar qindra e qindra të tjerë ushtarë të UÇK që nuk kishin asnjë lloj inati apo mërie me profesionistët (Inate e mëri kishin vetëm ca tipa enveristë, marksistë – leniniste që nuk dinin as dinë çfarë është marksizmi, njerëz të ngushtë politikisht por shumë fisnikë e patriotë të zjarrtë shqiptarë por që u dukej sikur po u merrnin hisen në Kosovë ushtarët e FARK-ut). Unë kam intervistuar shumë e shumë në mikrofonin e Radio Kukësit që nga qershori 1998 në Tropojë. I kam parë duke hyrë në luftë jo kur ishte vendosë të hynte NATO-ja, se pasi nisi luftën NATO-ja, në Kosovë u bë luftë për pushtet pastaj, se e dinin dhe nuhatnin pushtetarët e rinj se Serbinë do ta largonte NATO-ja nga Kosova.

Unë kam njohur njerëz të rëndësishëm të Kosovës, misionarë të huaj shumë të rëndësishëm në ndihmë të Kosovës, kam njohur kordinatorë të rëndësishëm që nuk i diferenconin luftëtarët sa ishin duke hyrë në Kosovë të luftonin për liri.

Dhe kam shumë dëshmi për ato që e kishin seriozisht luftën dhe që kishin ardhë të hynin në luftë seriozisht. Siç kam edhe shumë dëshmi për ata që delnin shetitje deri në kufi, ose hynin ndonjëherë deri në thellësi të Kosovës për pak ditë si për inspektim dhe të shumtën e kohës pastaj shëtisnin nëpër Shqipëri a në perëndim ose dhe në darkë me mua nëpër Kukës.

3 Komente

  1. MBESOJ SE UDHEHEQSIT E KOSOVES NUK DO JEN NMGATERUAR ME HAJDUTET E MANAMAS, MBESOJ SE TACHI ESHTE TAMAM KOSOVAR PER KOSOVEN DHE JO PER XHEP..

  2. Mire, ata nuk paskan luftuar?!, -luftuat gje ju me Gashin?! Lufta e ushtris partizane te Kosoves ishte nje lufte partizane, se nuk mund te perballohej dot hapur me lufte frontale makina luftarake serbe qe kish mijra tanke dhe artileri. Pse kerkoni ta minimizoni luften e UCK-es?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *