Mirakaj: Shqiperia europiane, siç e ëndërruan ish-të persekutuarit, do të bëhet realitet

Shkruan: Beqir SINA

Reportazh nga trojet Shqiptare : Intervistë me zotin Simon Mirakaj – drejtor i përgjithshëm i institutit te integrimit të ish të përndjekurve politikë

TIRANE : Në udhëtimin tim të gjatë dhe të bukur “Reportazh nga trojet Shqiptare” , ndalesa e rradhës ishte këto ditë në qendër të kryeqytetit të Shqiptarëve, Tiranës, në ndërtesën e Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë dhe për të takuar Drejtorin e saj, zotin Simon Mirakaj.

Bashkëvuajtës me mua dhe famijen time, njeri shumë i thjeshtë i dashur, i respektuar, pinjolli i njërës prej familjeve të mëdha të Pukës, bajrakut të atyre anëve. Anëtar i njerës prej familjeve më të persekutuara në Shqipëri, familje patriote, fisnike. Me intelektualë të shquar, që gjatë regjimit komunist kaluan nëpër kalvarin e stërmundimshëm të peripecive të persekutimit barabar së bashku me familjet më të mira nga e gjithë Shqipëria, Kosova, dhe viset shqiptare.

Kanë kaluar më shumë se dy dekada pas rënies së diktaturës komuniste dhe integrimi i kësaj shtrese, defaktorizimi i saj dhe çështja e dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë vazhdon të zvarritet. Qeveria e mëparshme shqiptare pati ndryshuar disa herë procedurat e ndërlikuara të këtij procesi, ndërsa qeveria e re thuhet se ka e futur këtë shtresë në programin e saj. zoti Mirakaj tregon se çfarë është bërë deri tani dhe se çfarë presin ish të përndjkurit nga kjo qeveri që ka ardhur në pushtet pas zgjedhjeve të 23 qershorit .

Mirakaj flet gjithashtu edhe për gjendjen brenda IIPP, si dhe vendin që duhet të këtë kjo shtresë në shoqërinë e sotme. Për të folur mbi ecurinë e kësaj shtrese por edhe mbi gjendjen e saj e të shoqërisë shqiptare folëm në zyrë e tij, gjatë një interviste.

Cila është vërtet gjendja sot në Institutin e Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë?
Mirakaj : Në Institutin tonë çdo gjë vazhdon normalisht. Konkretisht po merremi me regjistrimin e studentëve në fakultete sipas kërkesave të tyre në degë të ndryshme në part/time. Njëkohësisht dhe japim konsulencë në lidhje me ligjin e dëmshpërblimit. Ju bëj me dije se çdo dosje e dalë nga Ministria e Dr ejtësisë ka edhe meritën e administratës së I.I.P.P.

Me ardhjen e qeverisë së majtë – nga një grup ish të përdjekurish – sikur janë ngritur tonet që kërkojnë largimin tuaj nga kreu i IIPP-së Si i jeni pergjigjur ju kërkesës së tyre?
Mirakaj: Po, një grup ish të përndjekurish kanë kërkuar largimin tim nga drejtimi i I.I.P.P. Kjo është demokracia. Çdo individ apo grup njerëzish kanë të drejtën e tyre, për të dhënë mendimin e tyre, por është qeveria ajo që emëron dhe çemëron. Unë do mirëpres çdo vendim të dalë nga qeveria. Ju bëj me dije se drejtimi i këtij institucioni ka një specifike të veçantë. Drejtuesi i këtij institucioni propozohet nga shoqatat dhe aprovohohet nga Ministri i Drejtësisë si strukturë nga kemi vartësi.

Ata ju akuzojnë se ju keni mbështetur dhe keni qenë shumë afër me Partinë Demokratike, A ju duket kjo një përplasje mes ish të përdjekurve me bindje djathtas me ata që janë me bindje të majta? Sepse, nuk po thonë se keni punuar dobët por se keni pasur tendeca më shumë nga e djathta.
Mirakaj: Kurse për mendimin tim në çdo këndëshikim që ta shohësh shkarkimin tim nga vetë ne ish të përndjekurit është primitivizëm të paragjykosh çdo njeri së çfarë partie mbështet për një qëllim të përbashkët. Këto janë forma të mentalitetit të kaluar “O me ne o kundra nesh”!

E theksoj edhe një herë nëpërmjet kësaj interviste se: E kam mbështetur dhe do ta mbështes Partinë Demokratike sepse është partia që ka qeverisur për trembëdhjetë vjet dhe është e vetmja qeverisje ku kanë përfituar ish të përndjekurit politikë: shtëpi, të drejta studimi e punësimi, kanë privatizuar objekte dhe se fundi kanë përfituar dhe nga ligji i dëmshpërblimit. Por, e theksoj gjithashtu se nuk mund të them se është bërë gjithçka por gjithmonë ka pasur përpjekje. Njëkohësisht mbështetja ka ardhur se ka qenë kjo parti që ne krijimin e saj thërriste, lironi të burgosurit dhe të internuarit politikë.

Faktikisht kë krah brenda ish- të përdjekurëve politikë keni përfaqësuar deri tani?
Mirakaj: Unë kam përfaqësuar dhe përfaqësoj ato familje që u burgosën, ekzekutuan, u internuan që në vitin 1945 politikisht dhe u konsideruar si kundërshtar të përbetuar të regjimit. Unë përfaqësoj ato familje që morën pjesë në kryengritjen e Malsisë së Madhe, të Kryengritjes së Postribës, të gjithë ata që ishin kudërshtar të përbetuar të komunizmit, ata që aspiruan e sakrifikuan për Liri dhe Demokraci. Dhe jam më se i bindur dhe i ndërgjegjëshëm dhe besoj se i kam përfaqësuar me dinjitet e përkushtim.

Pakënaqësitë duket se “dolën në sipërfaqe” mbas grevës së urisë vitin e kaluar në Tiranë. Pra, në greven e urisë së ish të burgosurvëve politikë, cili ka qenë qendrimi i IIPP-së?
Mirakaj : Duke hedhur një sy të kaluarës tonë të hidhur ku pothuajse çdo ditë ishim në grevë urie, nuk e kam parë grevën si mjeti i zgjidhjeve të problemeve. Si të vetmen rrugë për zgjidhjen e problemeve shoh bisedimet në tryeza të përbashketa.

Kam shkuar tek grevistët, i kam takuar, u kam thënë që në kërkesat ekonomike unë ju mbështes, duke marrë parasysh që nuk ka çmim që mund të na kthejë jetët e humbura nëpër kampe e burgje. Gjithmonë kërkesat tona ekonomike i kam quajtur të drejta dhe të zgjidhëshme.
Në momentin që ata dolën me kërkesa politike për rrëzimin e qeverisë unë u distancova. Qeveritë ikin dhe vijnë vetëm nëpërmjet votës të lirë.

Qeveria Rama ka më shumë se një muaj që ka nisur punën e saj, a keni pasur kontakte për të hyrë në negociata për zgjidhjen e problemeve të mbetura deri tani të pazgjidhura?
Mirakaj: Takim direkt nuk kemi pasur me qeverinë, por kemi komunikuar nëpërmjet shkresave. Besoj se shumë shpejt do të kemi takime me qeveritarët,

23 vjet mbas rënjes së komunizmit transiscioni duket i tejzagjtur – ende nuk ka përfunduar ri-shikimi i historisë – në Tiranë po flitet për një përkujtim “dinjitoz” të trashëgimnisë të ish diktatorit komunist Enver Hoxha, me shkas si thuhet këtu me ardhjen në pushtet të bijëve të ish–nomenklaturës. A mendoni se vërtet Shqipëria komuniste është e ndarë nga e kaluara e saj e errët?
Mirakaj: Shqipëria ka qenë vendi me diktaturën më të egër në Evropën lindore. Megjithëse në Evropën komuniste kishin filluar lëvizjet e organizuara kundër diktaturës, në shqipërinë komuniste u var poeti Avzi Nela në vitin 1988. Prandaj mendoj se tranzicioni do vazhdojë , dhe, fanatikët e diktatorit sigurisht bëjnë të gjitha përpjekjet për të ringjallur figurën e errët të tij.

Mirëpo, mbas zgjedhjeve të 23 qershorit, këtu në Tiranë, por edhe në gjithë Shqipërinë, thuhet se ka një gjallëri të madhe të së majtës. “Po bëhën përpjekeje “titanike” për të ri-ngjallur të shkuarën komuniste në Shqipëri! Si e shikoni ju të persekutuarit këtë fenomen?
Mirakaj: E majta më 23 qershor i fitoi zgjedhjet dhe sigurisht që brenda saj ka dhe fanatikë të diktatorit, nostalgjikë dhe ish pushtetarë të nomenklaturës. Por të mos harrojmë se Shqipëria është në NATO dhe i përket Evropës së lirë dhe demokratike, një vend që aspiron për t’u bërë shumë shpejt pjesë e familjes europiane. Unë mendoj se kthim prapa nuk ka më sido që të mendojnë ose ëndërrojnë një “turr” me fanatikë dhe nostaligjikë të monizimit.

Sa vlen për shtresën tonë madje do të thoja brezin e shqiptarëve që nuk e arriti diktaturën dhe nuk u njoh me krimet e diktatorit, kur ai ende nuk është dënuar, qoftë edhe moralisht, për ato krime? Por disa media çdo ditë po e mitizojnë këtu në Tiranë.
Mirakaj : Brezat që nuk e njohën diktatorin dhe krimet do t’i njohin ato nëpërmjet letërsisë së burgut dhe kampeve të internimit, shkrimtarëve dhe gazetarëve opinionistë, që kaluan sagën si dhe nëpërmjet dëshmive origjinale të të mbijetuarve të diktaturës. Ata çdo ditë do ta mësojnë të vërtetën. Por mendoj se si në të gjithë Europën julindore edhe në Shqipëri është domosdoshmëri që letërsia e burgut të studiohet nëpër shkollat tona sot. Pra, të futet në programet shkollore ashtu si ka qenë ajo periudhë.

Vetë kryeministri i vendit, Rama, në librin “Kurban” nuk i ka kushtuar as edhe një faqe vuajtjeve tuaja gjatë regjimit të diktaturës në vendin tonë. Madje ai ka edhe vende ku mundohet të denigrojë figurën e Mbretit Zog, ashtu si veproi Enver Hoxha me propagandën e tij per 50 vjet. Po qe se e keni lexuar këtë libër: “Cili do të ishte mesazhi që do të përcillte tek shtresa e juaj libri “Kurban” – meqenëse është një libër 100 përqind politik?

Mirakaj : Kësaj pytje nuk i përgjigjem dot mbasi nuk e kam lexuar fare librin Kurban të Edi Ramës.

Një çështje që ka mbetur pa u zgjidhur edhe me Partinë Demokratike ka qenë ligji i Lustracionit – Pse Shqipëria ende nuk e ka miratuar një ligj të tillë dhe pse Shqipëria ende nuk i ka dënuar krimet e komunizmit dhe mbetet e vetmi vend në ish kampin komunist, që nuk e ka bërë një gjë të tillë ?
Mirakaj : Ligji i Lustracionit është një pengëse e madhe. Mendoj se nuk mund të jesh pjesë e Europës së lirë pa miratuar ligjin e Lustracionit. Për mosaprovimin e këtijë ligji mban përgjegjësi edhe ish qeveria.
Duhet thënë se në 2008 u bë një projekt ligj për Lustracionin, pastrimin e administratës nga njërëz që bashkëpunuan me segmetet më të rrezikëshme të regjimit, i cili iu paraqit Gjykatës Kushtetuse për gjykim – por konflikti i interesit brenda trupit gjykues solli dështimin e tij. Përpjekje të mëvonëshme nuk pati dhe nuk dihet se çdo të bëhet…!

Si e shikoni ju që sot në pushtet është e majta, dhe ish-të përndjekurit janë të përfshirë si thonë ata në programin e PS dhe a e gjen veten kjo shtresë brenda këtij programi? Duke, qenë se asnjë i përndjekur ose i preseketuar nuk gjendet në këtë qeveri, A mund ta quani ju këtë nihilizëm apo hipokrizi elektorale?
Mirakaj: Në tryezën parazgjedhore morën pjesë dhe disa ish të përndjekur politikë në programin e qeverisë së majtë. ku bëhet fjalë për zgjidhjen e disa problemeve në favor të ish të përndjekurve. Unë për vete nuk mora pjesë por do të thoja se: Nëse është nihilizëm apo hipokrizi koha do ta provojë dhe është ende heret për të dhënë një mendim rreth kësaj teme.

Çfarë keni pritur ju nga qeveria Berisha në 8 vjet pushtet, çfarë ajo realizoi dhe për cfarë jeni të zhgënjyer?
Mirakaj: Nga qeveria Berisha kemi pritur aprovimin e Ligjit të Lustracionit, ngritjen e një Obelisku në kujtim të atyre që u martirizuan për liri e demokraci, kthimin e burgut të Spaçit, të Qafë Barit dhe kampin e Tepelenës në Muze.
Qeveria e ish Kryeministrit Berisha, duhet pranuar se ka relizuar deri diku përfaqësimin politik në qeveri, por nuk na u kërkua ndonjë kandidaturë për deputet nga shtresa e ish të përndjekurve politikë.

Aktualisht në Shqipëri, veprojnë disa shoqata të ish-burgosurve politikë dhe ish të persekutuarve politikë dhe njeri prej tyre jeni edhe ju si drejtori i Institutit të ish-të Perndjekurve Politikë dhe kryetar i shoqatës antikomuniste të ish përndjekurve politike. Sa ka qenë koooperimi i juaj dhe sa e efekteshme ka qenë puna e juaj për realizimin e të drejtave tuaja?
Mirakaj: Sigurisht që krijimi i disa shoqatave nuk ka influencuar për mirë sepse secila prej tyre do të thoja ka bërë të veten kuptohet brenda asaj që ka mundur, por nuk ka munguar dhe ai bashkëpunimi që pyesni ju për gjëra të mëdha si për Ligjin e dëmshpërblimit, atë të Lustracionit, integrimit tonë, dhe pse ka ndodhur defaktorizimi i ish të burgosurve politik dhe ish të presekeutuarve deri tani në 23 vejet dhe të tjera gjëra.

Si po vijon procesi i dëmshpërblimeve të përndjekurve politik, pas 23 qershorit?
Mirakaj: Dëmshpërblimi vazhdon e deri tani kanë marrë kestin e parë dhe të dytë të gjithë të burgosurit që janë gjallë, gjithmonë sipas vendimeve të qeverisë së mëparëshme. Ndërsa, kesti i dytë vazhdon për trashigimtarët. Në muajin qershor doli një listë me 1000 të ekzekutuar pa gjygje, dhe pritet që të marrin kestin e parë. Kanë filluar dhe me dëmshpërblimin për internimet e periudhës 1945/54. Dhe, pritet nga Kuvendi, aprovimi i Ligjit për njohjen e vertetimeve të lëshuara nga komisioni tre palësh, në mungesë të dekumentacionit në Ministrinë e Brendshme për Internimet e kësaj periudhe.

Atëhere së fundi, kur do të kemi një Shqipëri ashtu si e keni ëndërruar? Ju ish të përdjekurit politikë sakrifikuat, luftuat, dhe u flijuat për një Shqipëri më dinjitoze, një Shqipëri me të vërtetë demokratike, Europiane, një vend anëtar i Bashkimit Europian, të barabartë me kombet e tjerë. Sot disa ish vende komuniste janë shumë më përpra nesh…
Mirakaj : Shqiperia Europiane e lirë dhe demokratike, që ka qenë ëndrra e brezave të terë të atyre që vdiqën dhe dhanë jetën për një Shqipëri të till, u pushkatuan pa gjyqe dhe u burgosën, interrnuan dhe u presekutuan kam shpresë se shumë shpejt do të bëhet realitet. Mbasi vetë populli shqiptar është një popull vital, një popull perendimor, populli dhe kombi më pro-amerikan në botë, që i ka dhënë dhe po i jep Europës dhe botës personalitete të shquara për të cilët ndihemi krenarë dhe do ta çojnë Shqipërinë dhe çështjen shqiptare më përpara.
Kosova sot është e lirë dhe e pavarur, çështja shqiptare ka avancuar dhe Shqipëria është në NATO dhe aspiron të bëhet një ditë pjesë e familjes Europiane.

Intervista është realizuar në vitin 2013

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *