Ta bëjmë Shqipërinë “Call Center”

Shkruan: Fiona Kopali

Mund të kesh një diplomë masteri e të punosh në call centre. Mund të dish pesë gjuhë të huaja, të kesh parë botë me sy, ta dish përmendësh Kadarenë dhe Fishtën, e prapë, të punosh në call center. J’u them me bindje se masteri nuk ka asnjë vlerë po ta krahasosh me një call center.

Le ta shajnë sa të duan, call center nuk është vendi që mbledh nga ata që hanë fara me shokët te cepi i lagjes, shajnë ata tipa që rrinë tërë ditën në Facebook duke pëlqyer foton e çunit të hallës që punoka në Frankfurt apo në Nju Xhersi, e që po bëka qejf me një gotë birrë në dorë në restorant. Në call center punojnë studentë energjikë, me vullnet, të shkathët në komunikim, që janë të arsimuar e me shkolla të larta, që njohin dhe flasin rrjedhshëm gjuhë të huaja, dhe janë pjesa më e mbarë e këtij brezi kaq të kritikuar e të paragjykuar.

Disa që punojnë në call center nuk guxojnë ende ta thonë, sepse nuk i le turpi nga çuni i hallës, që me çdo gjasë punon vetë o në pastrim o në piceri. Nuk them se këto janë punë të përbuzura, aq më pak në Gjermani e në Amerikë, por ky populli ynë nuk e ka për mbarë ta thotë, sepse na pëlqen të jemi të gjithë shefa. Po le ta pyesë çunin e hallës dhe ai ka për t’i treguar se ç’ka hequr për të gjetur një punë në pastrim ose piceri.

Si punohet në call centre? Mund të të pranojnë me kohë të pjesshme, katër gjer në gjashtë orë në ditë, sipas kohës e nevojës tënde. Nuk ka shumë rëndësi. Ajo që duhet jetë shembull për çdo punëdhënës tjetër privat në Shqipëri është se aty paguhesh për aq orë e minuta sa punon. Nuk ka nevojë t’i servilosesh pronarit dhe nuk jeton me ankthin se atij mund t’i jetë tekur të të mos paguajë këtë muaj, siç bëjnë drejtorët e gazetave e televizioneve.

Ti je serioz kur vjen të kërkosh punë në call centre. Por edhe punëdhënësi është serioz dhe nuk merr cilindo. Për t’u pranuar, duhet të kalosh intervistën në gjuhë të huaj, pastaj trajnimin disaditor. Dhe besomëni, askush nuk të trajnon si këtu, sepse dëshirës tënde për punë ata i përgjigjen me seriozitet, sepse kërkojnë të dalësh i pajisur me gjithë dijen e nevojshme për të kryer si duhet punën. Vjen pastaj provimi ku testohen të gjithë, më pas faza e dëgjimit të më të mirëve, për t’u treguar të tjerëve modelin se si punohet dhe, më në fund, faza e praktikës, kur secili flet në kufje me klientin e mundshëm, Xhuzepen nga një fshat i Milanos që nuk lexon dot faturën e dritave, ose Elenën nga Xhenova, që do të dijë pse ka paguar aq shumë muajin e fundit. Vetëm pas kësaj vendoset se kush do të merret në punë. Çuditërisht, këtu fitojnë ata që e meritojnë, vetëm ata. Dhe janë pikërisht ata që, me kalimin e kohës, ngrihen në detyrë. Miku dhe leku nuk hyjnë në punë për të fituar karrigen e operatorit. Sistemi në call centre nuk funksionon me lek të ndyrë, por me punë të pastër.

Mirë se erdhët në meritokraci, më në fund. Ku tjetër të do të gjeni një punë më meritore se sa këtu, ku nuk ke nevojë të shesësh shpirtin e trupin, të zvarritesh, të bëhesh hipokrit dhe të sillesh si hileqar?

Më e mira e të gjithave është se këtu do të formoni disa zakone të reja, që do t’ju bëhen shprehi për tërë jetën. Ato përmblidhen te respekti për punën. Orari është shumë i rëndësishëm, çdo minutë ka vlerë, prandaj askush nuk rri kot në call centre, nuk ka muhabete mes kolegësh, zyrës nuk i vihet kyçi për të pirë tri-katër kafe në ditë, nuk bën like në Facebook, dhe nuk jep e merr mesazhe me gocën që njohe mbrëmë te Folia. Nuk them se nuk të lënë të vishesh sipas takatit dhe, natyrisht, sipas fakultetit ku studion. Sepse dihet, studentët e juridikut, njihen për veshjet serioze e zyrtare me këmishët, xhaketat, pantallonat e cohës, fundet e ngushta dhe këpucët elegante. Dihet gjithashtu që studentët e ekonomisë dhe të shkencave i sheh gjithnjë më sportivë, me xhinse e çanta shpine, kurse ata të arteve, i njeh nga fjongot që mbajnë në kokë dhe rrobat eksentrike. E kam fjalën, se në call centre mund të vishesh si të duash, por puna është punë. Dhe këtu, as veshja si e juridiksave nuk të bën serioz, por as ngjyrat e atyre të artit nuk të bëjnë joserioz. Është respekti për punën që të bën të tillë. Në call centre ti e fiton atë, ta imponon rregulli, pagesa, orari, korrektesa, merita, angazhimi i përditshëm. Këtu mëson, më në fund, ç’është hierarkia e ndarë qartë, që tinzarët i bën demode dhe jargavitësit i shtyn me përbuzje.

Duke e ditur të gjithë se, në fund të ditës, duhet të arrijnë objektivin që u është dhënë, këtu secili punon për veten, e njëkohësisht, edhe për skuadrën, dhe rezultati të del çdo minutë para syve në tabelë, dhe të gjithë e kuptojnë në çast se kush ka ecur mirë e kush keq. Më thoni pak: a gjeni tjetërkund transparencë si kjo në Shqipëri? Cila punë tjetër është kaq e pastër tek ne?
Një ditë, rastisa të dëgjoj bisedën midis një pedagogu dhe studentes së tij. Ai habitej dhe, madje, i vinte keq, që gjatë pushimeve verore shihte studentët e tij të punonin në call centre, e jo në fushën e degës ku studiojnë. Ia ktheu ajo: a e dini se studentët nuk kanë as laptop për të bërë detyrat që u jepni? Thjesht, nuk e përballojnë dot jetën!

E dimë mirë se shumica punojnë në call centre nga halli, sepse për studentin është luks të punojë gjatë verës në profesionin e vet. E dimë, gjithashtu, se shkollat e larta në Shqipëri prodhojnë shumëfish më tepër studentë se sa nevojat e tregut të punës; i dimë të gjithë shkaqet, që janë grykësia e privatëve për të hapur universitete të padenja dhe mungesa e planifikimit nga ana e shtetit. Zgjidhja që ofron dukuria call centre, vërtet, është e përkohshme, por ajo vjen si një surprizë e bukur. Të jep punë, të mban në punë dhe të bën ta duash punën. Ta duash, sepse nuk është punë si gjithë të tjerat, por është një mund i shpërblyer drejt, ashtu siç duhet të jetë në kapitalizëm, është punë e ndershme, që e mban studentin me shpresë sa herë i thotë klientit“Pronto, buonasera!” Rinia shqiptare, gjer para dhjetë vjetësh, nuk kishte shumë mundësi për të gjetur punë, por dikush mendoi të sillte tek ne call centre, si një mënyrë për të punësuar, më së shumti, të rinj e studentë, dhe u bë një dekadë që rinia e tranzicionit ka një shpresë: ajo po arrin të fitojë paratë e veta, studentët po bëhen të pavarur, mbajnë edhe familjet me rrogë call center-i. Mund të ankohemi se veç kjo punë është, po sikur të mos ishte as kjo? Shyqyr që është!

Do të ishte bukur ta bënim Shqipërinë një call center të madh, ku brezi i ri të edukohej me punën që fitohet, me frytin e saj të papërlyer, që nuk ngjall turp. Ta bënim si kjo qendër që mban shpresën gjallë. Ta bënim Shqipërinë si gjithë Europa.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *