VLORA DHE KOSOVA

Shkruan: Reshat KRIPA

Gjakovë, 9 gusht 2014

Dua të filloj këtë kumtesë me një pjesë të letrës që atdhetari, dhe personaliteti i shquar vlonjat, Ago Shero Agaj, e shkroi disa muaj para se të mbyllte sytë:

“O sot, o kurrë, populli shqiptar duhet të bëjë përpjekje për shpëtimin e Kosovës. Kjo bindje i ka rrënjët te babai i kombit, Ismail Qemali, i cili, në mbledhjen e madhe me parinë e Vlorës, mori një telegram, dhe pasi e lexoi, filloi të qante. Ismail Aga Mezini, mik i tij, i tronditur i tha: “Mblidhe veten, na thuaj se ç’pësuan djemtë?” Ismail Qemali u përgjegj: “Jo, djemtë nuk pësuan gjë, po e pësoi atdheu ynë. Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë.”

Ishte dhimbja e thellë që Plaku i Vlorës ndjente për ndarjen e atdheut. Sot, në gjashtëvjetorin e realizimit të ëndrrës shekullore të bijve më të mirë të këtij kombi, shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, dua të them disa fjalë për dy nga bijtë më të shquar të qytetit tonë që kanë kontribuar në arritjen e kësaj dite, që ne përkujtojmë sot. Kanë qenë të shumtë ata burra që morën rrugën e Kosovës për të kontribuar në shkëputjen e saj nga thundra serbe. Por unë sot, për mungesë kohe, do të flas vetëm për dy prej tyre: Ago Agajn dhe Kudret Kokoshin.

Ago Agaj ishte një nacionalist i kulluar, që në rini të tij ëndërronte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ëndërr për të cilën luftoi gjithë jetën. Këtë ia përforcoi edhe më shumë qëndrimi në Kosovë me cilësinë e Prefektit të Mitrovicës. Duke përfituar nga ky rast ai e shfrytëzoi për të vizituar dhe njohur hollësisht këtë vend që e quante “Djepi i Shqiptarizmës”. Atje ai njohu Prizrenin e Lidhjes Shqiptare, Gjakovën e Abdulla Pashë Drenit që zgjodhi vdekjen përpara humbjes së nderit, Plavën dhe Gucinë historike të Ali Pashë Gucisë, Cernalevën dhe Kaçanikun ku shkelqeu heroizmi legjendar i Isa Boletinit dhe Idriz Seferit, mençurine e devotshmërinë deri në vdekje të Hasan Prishtinës, Rugovën e viganëve kokë mbështjelle, si i quajti ai, Drenicën heroike të Azem Galicës. Njohu monumente të lashta të kulturës dhe historisë të atyre trevave, si tyrben e famshme të Ghazi Mestan Pashajt që përpara betejës iu lut Zotit që më parë t’i jepte fitoren dhe pastaj vdekjen si dhe Fushë-Kosovën ku Milloshi legjendar goditi për vdekje Sulltan Muratin e parë. Kështu ai u bë “Kosovari nga Vlora” . U rrit me dashurinë për Kosovën, u burrërua duke punuar për të, dha shpirtin me brengën se a do të vinte dita që ky vend të bashkohej me atdheun nanë? Atij i dhimbte zemra për gjakun e derdhur, për lotët, djersën e atyre që shpëtuan nga vdekja. Ai ishte i mendimit se një Shqipërie të bashkuar nuk do mund t’i kanosej asnjë rrezik pushtimi nga të huajt, se gjokset e pesë ose gjashtë milion shqipëtarëve do të dijnë t’i bëjnë ballë kujtdo. Por ai ishte në pritje të një burri, të një Skënderbeu të ri që do ta kryente këtë bashkim.

Ago Agaj shkruante:
“Ai që do të kurorëzojë këtë bashkim do të realizojë themelet e hedhura në Vlorë më 1912 dhe 1920. Ai do të jetë Burri më i madh i historisë shqipëtare.”

Më 17 prill 1941, Mbretëria e Jugosllavisë u pushtua dhe u coptua. Atëherë Xhafer Deva bëri përpjekje të organizonte administratën e Mitrovicës, e cila ruante statusin e “Autonomisë” nën juridiksionin gjerman, me nëpunës kryesisht shqiptarë. Për këtë kërkoi ndihmë nga Tirana. Ndër të parët që erdhën ishte Ago Agaj që u emëruar Prefekt i Mitrovicës. Ai filloi menjëherë shqiptarizimin e administratës. Kryetar gjyqi caktoi Shefqet Shkupin, prokuror Kudret Kokoshin, Komandant xhandërmarie Bajazit Boletinin, djalin e Isa Boletinit e të tjerë. Kishte vetëm disa ditë që kishte mbërritur në Mitrovicë, kur u bë dëshmitar i gjykimit të tre shqiptarëve që akuzoheshin se gjoja kishin vrarë disa ushtarë gjermanë. Duke dëgjuar gjyqin vuri re se përkthyesi nuk përkthente mirë, duke i çoroditur gjykatësit. Atëherë foli gjermanisht:
“Zotnia nuk po përkthen mirë!”

Gjyqtarët e dëgjuan dhe e pyetën se kush ishte. Ai u tregoi dhe shpjegoi gjithçka. Iu lutën që të përkthente ai. Me oratorinë e tij bëri të mundur lirimin e tre shqiptarëve. Në qershor të vitit 1944 u mbajt mbledhja e dytë e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Mbledhja e parë ishte mbajtur më 16 shtator 1943. Ago Agaj ishte delegat i saj. Në këtë mbledhje u zgjodh Komiteti Qendror i Lidhjes së Dytë të Prizrenit me këtë përbërje:Bedri Pejani, kryetar (i dënuar nga gjyqi partizan), Musa Shehzade, nënkryetar (i pushkatuar), Nexhip Basha, Sylejman Akshia, Esat Berisha (i pushkatuar), Mahmut Basha, Rexhë Meta, Ekrem Jegeni, doktor Agolli, Asllan Boletini dhe Isa Çavolli antarë. Qëllimi i formimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ishin përpjekjet e nacionalistëve kosovarë dhe shqiptarëve të atdheut mëmë, për të penguar tradhtinë e komunistëve që bënin pazare për t’ia rikthyer përsëri Kosovën martire padronëve të tyre, serbomëdhenjve.

Ago Agaj i ka kushtuar Kosovës dy nga librat e tij: “Milloshi, heroi i Kosovës” dhe “Xhafer Deva – jeta dhe veprimtaria”. Ndërsa në të parën vë në pah kombësinë shqiptare të heroit që vrau sulltan Muratin, në të dytën, siç kuptohet edhe nga titulli, bënë një analizë të hollësishme të atdhetarit dhe antikomunistit të shquar kosovar dhe gjithë Shqipërisë. Ja si shkruan Mexhit Yvejsi për të:
”Isha duke lexuar në bibliotekën e teqesë kur erdhi Baba Rexhebi e më tha me përzemërsi: “Mexhid, të lutem, lëre librin pakëz, eja me mua”. Më muarr për dore dhe zbritëm në kuzhinën e teqesë, ku Ago Agaj ishte duke pirë kafe me Dervish Arshiun e Baba Bajramin, dhe më tha: “Ja, ky është z.Aga Agaj, kosovar nga Vlora”! Të gjithë qeshëm…Atëherë iu drejtue z.Ago duke i thanë: “Ky djalë është Mexhid Yvejsi, nga Gjakova, vendlindja e Baba Bajramit…” Në fillim nuk e kuptova, as që kisha idenë se si mund të quhet një vlonjat kosovar…!Por, brenda ditës, në muhabet e sipër, mësova aq shumë prej tij, sa nuk e përmbledhë anjë enciklopedi…!Në mbrëmje, z.Aga Agaj më dha dorëshkrimin e librit :“Miloshi Heroi i Kosovës” duke më thënë: “Lexojeni e pastaj bisedojmë!” E lexova brenda natës, nuk fjeta tërë natën! Një libër i vogël, por me vlerë të madhe…Të nesërmen ia dorëzova, duke i thënë: “Marsh’Allah! Të ’lumshin duert”! Atëherë, z.Ago më thotë: “Lum qofsh! A keni mundësi me më ndihmue rreth librit, para se ta botoj? Më duhen disa fotografi nga vendi i ngjarjes, ku u zhvillue Beteja e Kosovës”..? “Kjo punë u krye”, – iu përgjigja! U gëzue shumë e më përqafoi fortë! Brenda muajit më erdhën nga Amserdami mbi tridhjetë fotografi në një zarfë, që i kishte fotografue një shokë i imi , atëherë student i drejtësisë në Universitetin e Prishtinës,

Ndërsa më poshtë Mexhit Yvejsi Vazhdon:
Ndërrojmë temën e bisedës. Ago Agaj ka dëshirë t’i rikthehet Kosovës. Si zor të ketë tjetër dëshmitar të gjallë që mund të përshkruajë gjendjen e kësaj treve nën pushtimin gjerman, apo luftërat e Shaban Polluzhës kundër çetnikëve të Drazha Mihajlloviçit. Bashkëbiseduesi ynë ka marrë pjesë vetë në luftë dhe i ka parë me sy tmerret e saj. Ka qenë në krye të administratës së Mitrovicës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Xhafer Devës Desha me këtë rast që edhe juve t’ju rrëfej për trimëritë e kosovarëve kundër serbëve, sidomos të Shaban Polluzhës e të Mehmet Gradicës. Burra të mirë e trima kanë qenë. Kemi luftuar bashkë. Kur unë isha prefekt i Mitrovicës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe gjermanët erdhën në Kosovë, këta patriotë më erdhën në ndihmë, se Mitrovica nuk mund ta bënte vetë luftën. Ja, edhe këtu i ke në libër, – tha Agaj duke më zgjatur librin “Xhafer Deva – Jeta dhe veprimtaria”. Gjithë veprimtarinë e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, ai e ka përshkruar me një stil të ngrohtë në disa faqe libri. “Në vjetin 1924, në mbarim të udhëtimit t’im të parë rreth e rrotull, mal më mal e grykë më grykë të Shqipërisë, dolla dhe në majë të malit të Bishtrikut prej ku me dylbi kundrova me mall Kosovën”, fillon shkrimi i tij dhe vazhdon: “Dashurinë për këtë vend m’a kishte mbjellë në shpirt kur isha pothuaj hala fëmijë, Kolë Margjini që m’u bë si vëllaj i math në Vjenë dhe më vonë do të bëhej profesor – martir i shqipëtarizmës në Prizren, viktimë e sllavokomunizmës. Ai dhe Dervish Hima më tregonin dhe trimëritë e luanit të Dardanisë, Isa Boletinit, që ahere ish bërë legjendë e gjallë në tërë Evropën”. Kështu i lindi dashuria Ago Agajt për Kosovën. Kur ajo u bashkua me Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë, pjesa më veriore e saj, prefektura e Mitrovicës, kishte mbetur si provincë autonome nën Serbinë. Kjo provincë përfshinte dhe tri nënprefektura: Vushtrrinë, Podujevën dhe Pazarin e Ri me popullsi shumicë shqiptare. Shkaku që ajo ishte shkëputur nga Kosova qenë minierat e pasura të Trepçës, për të cilat Gjermania, sidomos gjatë luftës, kishte nevojë të madhe dhe nuk mund t’i linte në dorën e Italisë që sundonte Shqipërinë bashkë me Kosovën, pas bashkimit të tyre. Autoritetet gjermane, të nxitura energjikisht nga Xhafer Deva, i kishin akorduar kësaj province shqiptare që drejtohej nga Ferhat Draga, Rexhep Mitrovica e Bedri Pejani, një autonomi, e cila ekzistonte në kartë, por nuk ishte vënë asnjëherë në zbatim për shumë arsye. Një nga shkaqet ishte mungesa e elementit shqiptar të përgatitur për administratë. Ago Agaj me një grup specialistësh vullnetarë nga Shqipëria si, veterinerë, doktorë, mësues, nëpunësa finance etj., vendosën të shkonin atje për të ndihmuar në organizimin e prefekturës.

Më 24 dhjetor 1994 në Clearëater të shtetit Florida në Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pushoi së rrahuri zemra e Ago Agajt. U zhvillua një ceremoni funebre madhështore. U mblodhën shqipëtarët nga të gjitha anët e Amerikës, ashtu si ishin mbledhur më 1949 kur përcillnin në banesën e fundit Mit-hat Frashërin, ashtu si kishin ardhur sa herë pushonte së rrahuri zemra e ndonjërit prej atyre që jetën ia kishin kushtuar kombit, por që kombi i kishte harruar në dhe të huaj. Më lejoni që, për të përfunduar me këtë figurë të shquar, të lexoj pak fjalë nga letra që citova në fillim, shkruar disa muaj para se të ndërronte jetë:

“Jam në shtratin e vdekjes. Flas nga përvoja njëqindvjeçare e jetës time. Kam pasur dhe kam bindjen se fati i kombit shqiptar do të vendoset në Kosovë. Nëse Kosova do të shpëtojë nga kthetrat e kuçedrës serbe, atëherë do të kemi një komb tetëmilionësh dhe askush nga fqinjët keqdashës nuk mund të arrijë atë që dëshëron. Në rast se Kosova, mos e dhëntë zoti, mbetet nën pushtimin serb, paraqet rrezik edhe për Shqipërinë. Pra unë, kur përpiqem për Kosovën, përpiqem për kombin, për Shqipërinë, për Vlorën!” 

Një figurë tjetër e madhe e qytetit që ka kontribuar në rrugën e gjatë të pavarësisë së Kosovës është edhe ajo juristit, poetit dhe përkthyesit brilant Kudret Kokoshi. Ai i përkiste një familje të njohur qytetare vlonjate, me tradita dhe kontribut të shkëlqyer në tastierën e historisë kombëtare shqiptare., duke arritur majën më të lartë me përfaqësuesin më në zë të saj, firmëtarin e aktit të pavarësisë më 1912, njërin nga udhëheqësit e Luftës së Vlorës më 1920, nacionalistin e shquar, mbyllur sytë i dënuar nga komunistët, në burgun e Vlorës më 1946, Qazim Kokoshin. Kalvari i familjes Kokoshi do të vazhdonte dhe më gjatë. Dy të pushkatuar nga diktatura, Abdyli dhe Metua. Një i rënë në luftën me okupatorët italianë, Astriti. Shtatë të dënuar politikë Kudreti, Engjëlli, Burimi, Fatoshi, Hasani, Seiti dhe Dinushi, të gjithë me mbi dhjetë vjet burg Si shumë shqiptarë nacionalistë të tjerë, Kudret Kokoshi mendonte se një Shqipëri e coptuar dhe e ndarë, pa Kosovën dhe Çamërinë, nuk do të ishte në gjendje t’i bënte ballë synimeve shoviniste të fqinjve grabitqarë që prisnin rastin më të vogël për të gllabëruar këtë komb, i cili nuk e kish ulur kokën as në çastet më të vështira të historisë. Kështu pranoi pa hezitim propozimin e “Apostullit të shqiptarizmës”, Mitat Frashërit, për të shkuar në Kosovë, sipas kërkesës së Prefektit të Mitrovicës, Ago Agaj. Emërohet Kryeprokuror i Shtetit. Para vetes i dalin shumë detyra të vështira. Duhej organizuar sistemi i drejtësisë me kuadro shqiptare, që deri në atë kohë mungonin krejt. U end nga qyteti në qytet për të realizuar këtë qëllim. Rezultatet filluan të shfaqen shpejt. Drejtësia kosovare filloi të hyjë në një etapë të re. Fryma shqiptare mbizotëronte kudo. Ndihmoi pa u lodhur shqiptarët e asaj krahine në zgjidhjen e problemeve gjyqësore. Bëri të mundur shfuqizimin e disa vendimeve të padrejta dhënë në dëm të tyre. Organizoi takime midis shqiptarëve të Kosovës dhe atyre që kishin ardhur me punë nga Shqipëria, ku diskutoi për të ardhshmen e kësaj krahine dhe të gjithë Shqipërisë. Më 28 nëntor 1942 ishte në ballë të demostratës së madhe antifashiste të zhvilluar në Prizren, ku plagoset nga milicia italiane. Ishte ndërhyrja e një oficeri kosovar të xhandërmarisë shqiptare që e shpëtoi nga vdekja, duke e hequr nga kthetrat e milicisë që, megjithse i plagosur, vazhdonin ta qëllonin me kondakët e pushkëve të tyre. Pa ndjenja dhe me plagë në kokë, ky kosovar atdhetar e mori dhe e shoqëroi deri në spitalin e Tiranës ku edhe u operua. Gushti i vitit 1943 e gjeti në Mukje, si pjesëmarrës i konferencës historike, që me vendimet e saj tentoi të hidhte themelet e demokracisë shqiptare, por që komunistët i kthyen në vendime të tradhtisë së madhe. Zëri i atdheut e ftoi përsëri Kudretin. Në mars 1944 shkoi në Kosovë, ku vazhdon veprimtarinë e tij intensive. Ishte i palodhur kur fjala ishte për atdheun dhe ai me fjalën atdhe nënkuptonte edhe Kosovën. Pas pak kohe arrestohet nga gestapoja dhe u internua në kampet e shfarrosjes në Prishtinë dhe në kufirin Austro-Hungarez.U lirua pas dëbimit të gjermanëve nga forcat aleate në fund të dhjetorit 1944. I lodhur, i dobët i zhveshur, i sëmurë dhe me shumë mundime arrin në qytetin e Gracit, ku fal njohjes së gjuhës latine, mundi të fitonte besimin e drejtoreshës së spitalit, e cila e shtroi dhe e kuroi. Bashkë me të ndodhej dhe biri i industrialistit të shquar frances, pronarit të uzinës së makinave “Renault”, me të cilin kishte lidhur miqësi të madhe. Ai e ftoi që të shkonin të dy në Francë, por Kudreti nuk pranoi. Atë vazhdonte ta thërriste zëri i atdheut. Ndaj mori rrugën e kthimit. Rrugës u spiunua nga agjentët e UDB-së. E arrestuan dhe të lidhur ia dorëzuan Shefqet Peçit në kufirin shqiptar. Kështu filloi Kalvari i gjatë i burgut komunist që do të vazhdonte për 20 vjet, por që s’do ta mposhte kurrë karakterin e tij burrëror.

Kudret Kokoshi vdiq më 26 maj të vitit 1991, kur sapo kishte filluar të linde demokracia e re, por iku me po atë besim që kishte në rininë e tij kur shkruante:

“Unë po vdes, oh. le të vdes, Vetëm shqipja le të rrojë!”

Personalisht u njoha me të shumë vonë, pasi doli nga burgu. Por personalitetin e tij e kisha njohur qysh kur isha fëmijë, kur im atë, mik i familjes së tyre, e quante “më të diturin e Kokoshajve”, kur ime motër, mësuese letërsie, më lexonte fshehurazi vargjet e tij. Por më tepër e njoha në ato vite burgu, kur duke u endur nga njëri kamp në tjetrin, megjithëse nuk pata fatin ta takoja asnjëherë personalisht, emrin e tij e gjeja gjithmonë përpara. Për të më fliste Isuf Hysenbegasi dhe Xhevdet Kapështica, Patër Mëshkalla dhe Gjon Shllaku, Avdurrahman Kreshpa dhe Tahir Hoxha, Engjëll Kokoshi, dhe Meçan Hoxha Vargjet e tij i kishin mësuar përmendësh pothuajse të gjithë moshatarët e mi. Ato na jepnin forcë dhe shpresë për të ardhmen.

Nuk do ta harroj kurrë atë natë shtatori të vitit 1955 në kampin-burg të Bulqizës. Me nismën e mikut të tij, doktor Isuf Hysenbegasit, organizuam fshehurazi një pasdite përkujtimore kushtuar tridhjetepesë vjetorit të luftës së Vlorës. Në atë pasdite nuk pati fjalime dhe kumtesa. Nuk pati kokteje dhe darka. Në vend të koktejit ishte çaji i ftohtë pa sheqer, dhe në vend të kumtesave ishin vargjet e poetit. U deklamuan “Toto Bolena”, “Epopeja”, “Luftëtarit të Kombit”, “Vegimi epik”, “Vlorës”, “Këngën më të bukur këndoj”, “Spartaku”, “Neroni”, “Nënës” dhe “Gruas shqiptare”. Mua më caktuan të recitoja poezinë “Një ditë vjeshte”:

Unë pashë një ditë vjeshte, një flamur bër çika-çika
Një flamur me shkab’ të zezë, që qe prer me njëmijë thika.
Një flamur me bojë gjaku, që valonte pa pushuar
I përcjell nga disa burra, që të gjith duke kënduar.
E përcillnin njëmijë trima, me shkopinj e krrabë në dorë,
Kryet lidhur, gjokset thyer… un i pashë një ditë në Vlorë
Ata luftëtar legjende, ata lajmëtar lirie,
Që i dhanë fluturim shqiponjës, pas pesë shekuj robërie!
Oh, thanë zemrat, oh, sa bukur përmbi Vlorë shkaba valon!
Unë pashë një ditë vjeshte, epopen e kombit tonë!

Natyrisht, atë natë përfunduam të gjithë në qeli.
Kështu ai u rrit në imagjinatën time rinore si një Ante që merrte forcë nga toka qe e kishte lindur, si një Promete që sfidonte diktaturën, si një Danko që shkulte zemrën e tij për t’i ndriçuar rrugën popullit të vetë.
Lidhur me sa thashë më lart, prisja vlerësimin e këtyre figurave të nacionalizmit nga autoritetet përkatëse shqiptare. Për këtë Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, qysh në vitin 2012 i drejtoi Presidentit të Republikës, propozimin për dekorimin e tyre me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, por kërkesa ra në vesh të shurdhër. Një kërkesë të tillë përsëriti edhe ish Ministri i Kulturës së Shqipërisë, ish i dënuari politik, poeti i mirënjohur Visar Zhiti në vitin 2013, por, përsëri, veshët ishin të shurdhër. Në të kundërt, çuditërisht, me këtë titull u nderuan ata që Kosovën martire ua dorëzuan pushtuesve serb. Si shembull sjell këtu dekorimin me titullin “Nderi i Kombit”, të njerit nga përgjegjësit e masakrës së Tivarit, “hallvaxhiut”, komandantit te njësiteve guerile që urdhëronte vrasjen e nacionalistët të shquar vlonjatë gjatë periudhës së luftës, ish gjeneralit komunist, Rahman Perllaku. Përse? Po mundën le të përgjigjen.

Më 17 shkurt 2008 pata fatin të isha në Kosovë, për të kremtuar së bashku me vëllezërit tanë ditën e shenjtë të pavarësisë. Kudo shihja fytyra të ngazëllyera nga lumturia. Shihja burra të moshuar që qanin. Qanin nga gëzimi, por qanin edhe nga dhimbja për mijra të rënët gjatë rrugës së gjatë të pavarësisë. Një parullë e madhe e vendosur në çdo skaj të Prishtinës shkruante:
“Bacë, u kry!”
Kosova kujtonte bijtë e saj të rënë në luftën për liri dhe pavarësi. Bashkë me ta edhe unë kujtoja bijtë e Shqipërisë etnike të rënë në luftën e gjatë për liri dhe pavarësi. Në ato ditë të paharruara m’u duk vetja sikur isha në Vlorën time të vitit 1912, përkrah Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, përkrah Mit-hat Frashërit dhe Rexhep Mitrovicës si dhe gjithë atyre burrave të shquar që bënë të mundur krijimin e shtetit shqiptar.
Ju faleminderit!

*Kumtesë e mbajtur në sesionin XII shkencor, organizuar nga shoqata “Trojet e Arbërit”, me temë: “Ripushtimi jugosllav i Kosovës e i viseve të tjera (1944) dhe qëndresa shqiptare”, në Gjakovë më 09.08.2014.

2 Komente

  1. I dashur e i nderuar mik e kolegu im (i viteve 90), Reshat Kripa ! Tana herët kam ndjekur me vëmendje e interes fjalët dhe shkrimet e tua, se janë fjalët dhe shkrimet e një burri të urtë e fisnik, po dhe të një intelektuali e atdhetari të vërtetë. Kumtesa jote, në fjalë, që sjell në vëmendje të kombit jetën dhe veprën e të madhit shqiptar AGO AGAJ, por dhe e të tjerëve, që bënë jo pak për Mitrovicën, Kosovën dhe krejt kombin, si Xhaferr Deva, Kudret Kokoshi etj, është një shërbim tjetër i vyer yti për drejtinformimin dhe formimin e shqiptarëve dhe çështjen kombëtare në tërësi. Sidomos kjo në vigjilje të Ditës së Flamurit, dmth të Ditës së Pavarësisë Kombëtare. Të përgëzoj nga zemra, duke të uruar jetë të gjatë, shumë të gjatë, si dhe Gëzuar 28 Nëntorin, ditën e shenjtë të Pavarësisë Kombëtare! Gjithnjë juaji, Petrit Belliu, Bruksel, 27 11. 2016.

  2. Ish kolerja komuniste qe zhuriti enderrat e patrioteve shqipetar per nje Shqiperi te bashkuar. Nuk i mjaftuan armiqet shekullor ,por u desh dhe pjesa bastarde e rraces shqipetare ,komunistat, per te minuar levizjen patriotike per bashkimin shqipetar .Mbledhja e Mukjes u be kurorezimi i ides se madhe per bashkim kombetar.Inteligjenca, rinia shqipetare ju pergjigj kesaj thirje ne ate qe u quajte lufta Nacional Clirimtare por qe u pervehtesua nga komunistet dhe qe u shndrrua ne lufte antikombetare ne lufte vllavrasese ne sherbim te armikut tone shekullor serb.Nismes se Ministrit te Arsimit Ernest Koliqi per dergimin e 200 mesuesve dhe intelektualeve te tjer vullnetar per hapjen e shkollave shqipe dhe administraten shqipetare ne Kosove e ne Maqedoni ju pergjigj inteligjenca nder ta ish dhe Ago Agaj ish student ne Vjene, ish pjesmarres ne Luften e Vlores, pjesmarres aktiv ne te gjitha fushat e jetes politike shqipetare ne Kosove si Prefekt i Mitrovices dhe se fundi Minister i Ekonomis deri ne prag te “Clirimit”. Krahas Luftes se Vlores shpirti patriotik i Kosovareve ja rriti shume me teper ndjenjen patriotike dhe u be nje Kosovar i flaket. Gjithe jeten ne mergim ne bashkpunim me bashkombasit te tjere nuk pushuan aktivitetin e tyre patriotik duke u dale zot interesave kombetare. Organizuan ne mergim konferenca,protesta ,etj ne mbrojtje te interesave mbar kombetare gjate gjithe jetes. Dhe ne moshen 90 vjecare ne shtrat kur vinte dikush pyetja e pare :C’te reja ka nga Kosova.Nuk desh ta tret dheu pa marr haberin se Kosova u be e pamvarur. Kudretin e pata njohur nepermjet kunatit tim ne nje vizit familjare ,historia e jetes dhe aktivitetit te tije e pasur me perkushtim e sakrifica ndaj atdheut jo vetem nuk u vleresua por u ndeshkua se ish intelektual e patriot ,se Enveri do te conte ne vend do ta burgoste do te kryente porosin e Titos ;Lufte kunder inteligjences e pronareve. Qeveria komuniste ne vend ti nderonte per vepreat e tyre i burgosi i sakatoi keta njeres te kultures e dijes. Krahas aktivitetit patriotik Kudret Kokoshi ish dhe nje poet shume i talentuar. Vjersha e Kudretit kushtuar “Nenes”eshte nje perle e poezis se tije dhe letersis shqipe. Te vjen keq qe gjithe keto vjet ne “demokraci” nuk po u jepet vendi qe meritojne ne historin kombetare nepermjet vepres se tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *