Prof. Dr. Jahja Drançolli
HISTORIA

PRETENDIMET E “AGRESORËVE” TË SOTËM TË HISTORISË

Shkruan: Prof. Dr. Jahja Drançolli

Ne nuk mund të arsyetohemi gjithnjë duke iu referuar pashmangshmërisë historike se vetëm ne jemi pasardhës të pellazgëve. Ky konstatim ka rëndësi sot vetëm nga pikëpamja e katarzës. Unë nuk e di se çfarë do të jetë një malazez i ndryshëm nga një shqiptar i po të njejtës lagje ose fshati. Është fjala për popullutën e njejtë, dhe dallimi është aty se, njeri ka zgjedhur një, dhe tjeri gjuhën e dytë, ndërsa në shtëpi flasin gjysmë shqip, gjysmë gjuhë malazeze. Modele pothuajse të ngjashme mund të ilustrohen edhe nga e kaluara e Greqisë, Maqedonisë, Bosnës e ndonjë vendi tjetër të Ballkanit.

Pse njerëzit një pjesë të vëmendjes dhe kohës janë duke sakrifikuar për gjëra që kanë ndodhur dhe kanë kaluar, të cilat nuk kanë ndonjë, ose kanë vetëm kontakte indirekte me realitetin e tyre, me botën konkrete rreth tyre. Mos ta mashtrojmë veten duke besuar në një karakteristikë me të cilën zotëronin ngjarjet ose njerëzit, që e bën atë më “historike”. Mënyra e të menduarit me të cilën disa njerëz dhe disa gjëra ishin “historike”, meqë janë cilësuar për “të mëdha”, vjen nga një botë ku pothuajse çdo gjë është e ndarë në “i madhi” dhe “i vogli”, respektivisht njerëz “të mëdhenj” që bëjnë historinë dhe “të vegjël”, të cilët i formon historia; kur kulturat ndaheshin në ato të larta dhe primitive; kur ato dallojnë në mesin e popujve “historik” dhe “johistorik”. Ajo kohë pakrahasueshëm ka përmirësuar njohjen e hollësishme të historisë, por ka mbetur e verbër për depërtim ca më të rëndësishëm: të kuptuarit se historia nuk do ndalet, se asnjë periudhë historike nuk paraqet plotësimin e mbarë zhvillimit të periudhave të mëparshme, që asnjë brez nuk është i zoti, që me ide dhe modele të veta të ofron kuptim universal.

Sot as fëmijëve nuk ka nevojë për të shpjeguar se nuk janë vetëm kombët mëdha “historike”, se njerëz të mëdhenj ka pasur gjithmonë edhe jashtë oborrove mbretërore dhe qarqeve të ngushta të politikanëve dhe udhëheqësve ushtarakë; se ka pasur ngjarje historike pafundësisht; se luftërat, grushteti, intrigat e pallatit nuk janë ngjarje më interesante të së kaluarës. Nese duhet gjykuar nga ajo se çfarë ka tërhequr më tepër vëmendjen e njerëzve, që mbahet në mend dhe është përjetësuar në libra, por jo vetëm në libra, sepse në shoqërinë kontemporane, ne jemi duke u përballuar me format e tjera të prezantimit dhe komunikimit, atëherë qarku i asaj që quhet “historike” në përgjithësi nuk do të jetë i kufizuar.

Së këtejmi, ne sot duke lexuar shkrime historike shkencore, mund të konstatojmë se “asgjë humane nuk është e huaj për historianët”. Jo vetëm epokat, rajonet gjeografike, zonat e krijimtarisë, si dhe të gjitha shtresat sociale do të bëhen heronj të shkrimeve historike, por edhe shumë grupe margjinale dhe fenomene kalimtare. Pas një kohe të gjatë, përveç aktorëve në objektivin e historianëve kanë hyrë edhe të varfërit, rrugaqet, homoseksualet, etj. Nuk studjohet më vetëm historia e së drejtës, por edhe padrejtësia, jo vetëm historia e diturisë, por edhe keqkuptimet dhe paragjykimet. Njerëzit, ngjarjet, fenomenet, bëhën “historike” në sajë të interesimit që u kushton shoqëria, dhe asesi në sajë të dekreteve shtetërore ose të politikës së lartë. Përzgjedhja e dukurive, që trajtohen sot në histori (si shkencë dhe dituri e organizuar) shprehet si një dialog në mes të kaluarës së përfunduar dhe të sotmës vazhdimisht të ndryshueshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *