OPINIONE

Me celular

Shkruan: Edison Ypi

Me celular jo vetëm bën muhabet, jep e merr mesazhe, shetit dhe shet e blen në Internet, bën selfie, paguan fatura.
Këto po se po, por me celular mund të bësh dhe plot gjëra të tjera.
Me celular, për shembull, aktivizon një pako tritoli për të hedhur në erë një makinë ose një shtyllë.
Me celular gjen brimën e çelësit në errësirë.

Me celular shet votën.

Me celular, duke u fshehur pas pseudonimit, shan dhe shpif nëpër blogje njerëz me identitet të shpallur me emër e mbiemër.
Me celular shkruan statuse idioteske në fejsbuk përmes të cilave mund ta shpallësh veten të majtë, të djathtë, patriot, dhe gjithçka, pa luajtur vendit, pa bërë asgjë.
Me celular bën shkrime gazete me 1 mijë fjalë dhe 2 mijë gabime.

Nuk janë pak gjith këto punë që mund të kryhen me celular. Por nuk janë as të mjaftueshme për një vegël që sipas gjasave, deri sa botës t’vijë fundi mund dhe duhet të bëhet dhe të mbetet e vetmja vegël në duart e njeriut.

Për këtë qëllim të lartë po punon pa u lodhur teknologjia.

Me celular të presësh thonjtë, të krruash dhëmbët, të pastrosh veshët, është që tani e mundur, celularë që bëjnë këto punë janë tashmë në shitje.

Janë gati dhe së shpejti do hidhen në treg, përveçse celularë të fortë që do zëvendësojnë punën e çekiçit dhe sqeparit, edhe celularë të butë dhe të përkulshëm të prodhuar posaçërisht për tu përdorur si shami qurrash.

Pas pak nuk do jetë e nevojshme me mbajt thikë në xhep. Thika me buton dhe sustë të inkorporuara në celular do ta bëjë celularin armë të ftohtë që garanton vdekje të sigurtë.

Po punohet gjithashtu që me celular të mund të rruhesh. Për t’ja arritur këtij qëllimi, celularit do t’i shtohet një brisk rroje. Derisa të zgjidhet problemi i prerjes aksidentale të fytit që mund të ndodhë si pasojë e aktivizimit të njëkohshëm të mikrofonit për të folur dhe briskut për tu rruar, ky celular tashpërtash do dali në Beta Version, vetëm për ata pa qime, pra vetëm për qoset.

Copë djathi, salçiçe, filxhan kafeje, thekse buke, celulari zor se do bëhet ndonjëherë, atë harroje.
Megjithatë s’ka vend për dekurajim.

Në varësi të faktit sa smart është celulari dhe sa budalla është përdoruesi dhe viceversa, celulari mund të bëhet fare mirë sharrë, kaçavidë, si dhe lugë e trefishtë; për të trazuar sheqerin, për të ngrënë, për të mbathur këpucët.

Aplikimi në celular i një kartpecete dhe një letre higjenike, është çështje thjesht teknike që s’përbën problem.
Si të bëhesh me celular i këndshëm, dashur, i adhuruar, si ta bësh që jo ti por celulari të derdhi lot, dhe sidomos si të ngjizësh kalamaj me celular, tanipërtani s’ka gjasa.
Megjithatë është më se e qartë se në pak kohë do bëhet e mundur që, pas atij që e përdor, celulari në duart e humanoidëve do mbetet e vetmja vegël pa të cilën nuk do marrin dot frymë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *