OPINIONE

Cilat janë të vërtetat e çarjes së bllokut opozitar?!

Shkruan: Florim Zeqa

Edhe pse blloku opozitar VAN, është vazhimësi e bllokut të zgjeruar paszgjedhor VLAN, shkaqet dhe arsyet e çarjes i ka të kundërta. Përderisa për çarjen e bllokut paszgjedhor VLAN dhe lidhjen e kurorës qeverisëve PDK-LDK, një eksponent i lartë i PDK-së në vazhdimësi kishte paralajmëruar se kjo do të ndodhë (kur askush nuk e besonte një gjë të tillë),..në çarjen e bllokut opozitar VAN ka diçka të pashpjegueshme, do të thoja të mistershme.
Ndryshimi i kursit të veprimeve të njërit prej antarëve të bllokut brenda natës, përveqse kurioz, mbetët edhe shqetësues për qytetarin e rendomt në Kosovë.

Kështu, “çarja” e bllokut (opozitar) në fazën e ngurtësimit si materie fizike, hapë shumë dilema dhe paqartësi, krijon huti dhe mosbesim në opinion për të ardhmen  politike në Kosovë.

Pavarësisht deklarimeve të akterëve të bllokut paszgjedhor, se në asnjë rrethanë nuk do të bëhen pjesë e qeverisë aktuale,…ndihma për qeverinë aktuale antikushtetuese mund të jetë më e madhe edhe pa qenë fare pjesë e saj.

Këtë që e themë, lexuesit dua t’ia bëjë të qartë me një shembull sa të thjesht po aq edhe praktik, po citoj; “LDK-ja e Isa Mustafës nga 2010-ta, më shumë e ka ndihmuar qeverinë Thaçi 2 si opozitë se sa që është aktualisht në pushtet,…i vazhdoj mandatin qeverisjes së Hashim Thaçit përmes marrveshjes politike me rastin e zgjedhjes së presidentes nga zarfi, ia ka aprovuar marrveshjen famkeqe të Brukselit të 19 Prillit 2013, e cila e prodhoj Zajednicën, ligjin për amnistimin e kriminelëve serb të luftës dhe akomodimin e tyre në FSK dhe PK, ligjin për demarkacionin, ligjin për mbrojtjen e trashëgimisë (kishave dhe manastireve serbe), e shumë e shumë ligjeve tjera diskriminuese të aprovuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Kjo përvojë e hidhur, na lenë të dyshojmë në opozitarizmin e brisht politik në Kosovë.

Regjimet dhe pushtetet diktatoriale nuk largohen me lutje të mëngjesit, as me dëshirat e mbrëmjes për një të nesërme më të mirë.
Mënyra e vetme e largimit të regjimeve diktatoriale arrihet përmes një mobilizim të përgjithshëm të popullatës, me padëgjueshmëri qytetare, me protesta të pandërprera mbarpopullore e assesi me protesta periodike, me debate shterrpe televizive, e aq më pak përmes prononcimeve në rrjetet sociale (virtuale),…ku secili shprehë pakënaqësitë apo dëshirat, nganjëherë edhe në mënyrë të shfrenuar,….duke dëmtuar dhe rrënuar në mënyrën më të shëmtuar edhe kauzat më fisnike dhe sublime të një populli të gjunjëzuar para krimit dhe korrupsionit politik në vend.

Liderët dhe partitë aktuale politike janë konsumuar tej mase para popullit tyre, duke mos ofruar asnjë strategji të zhvillimit ekonomik të vendit, pa treguar mënyra konkrete të luftimit të  korrupcionit,…të përmirësimit të sistemit të drejtësisë, shëndetësisë, arsimit, kulturës,…etj.
Secili nga liderët partiak kanë retorika të njëjta sa u përket segmenteve të caktuara negative, duke na u paraqitur “engjuj” në stilin e fjalës së urtë popullore: “Faji është jetim”,…pa qenë në gjendje asnjëri lider partiak në vend të caktoj afate kohore për luftimin e korrupsionit apo përmirësimin e mirëqenjes qytetare.

Humbja e besimit të qytetarëve në klasën aktuale politike, shtron nevojen e lindjes së një Alternative të Re politike, për shkëputjen totale nga kjo klasë e shëmtuar kusarësh politik,…të cilët si gjithnjë i ndanë dhe i bashkon pushteti, interesi personal dhe klanor, e asnjëherë interesi i shtetit!
Në këta rreshtat e fundit, e gjejmë edhe përgjigjen hipotetike të parashtruar në titullin e shkrimit.

Ndihmat e mërgimtarëve ndaj atdheut, nuk kanë munguar asnjëherë, para, gjatë dhe pas luftës,….mirëpo etja e pakufishme për pushtet, për pasurim nga privilegjet e pushtetit, i disa njerëzve të papërgjegjshëm, duke harruar ku ishim dje, ku jemi sot, dhe ku do vemi nesër,….kjo ka ndikuar në humbjen e besimit të mërgimtarëve ndaj institucioneve të shtetit të tyre dhe brenda vet mërgimtarëve,…keqpërdorimet e mjeteve të tyre para dhe gjatë periudhës së luftës kanë çuar edhe në uljen e ndihmave solidare të mërgatës sonë.

Pa zbardhjen e fondeve të luftës (fondit të 3% dhe fondit “Vendlindja thërret”), pa ndëshkimin e keqpërdoruesve të këtyre fondeve, vështirë se do të kthehet besimi në mesin e mërgimtarëve,…përderisa të jenë në pushtet së bashku akterët e fondeve të sipërpërmendura, as që mund të bëhet fjalë për zbardhje të atyre fondeve.

Zhgënjimi më i madh mërgimtarëve u vjen nga paradoksi, kur i shohin së bashku bartësit e këtyre dy fondeve të dyshimta, jo duke akuzuar njëri-tjetrin si më parë, por duke bashkëqeverisur (zhvatur buxhetin e shtetit) prap në kurriz të populli te varfër.

Zbardhja sa më parë e këtyre fondeve, është kusht i vetëm e i domosdoshëm për kthimin e besimit ndër mërgimtar, dhe për mundësinë e riorganizimit të mërgatës në baza të shëndosha, në funksion të ndihmës për shtetndërtimin e Kosovës.

Nëse vazhdohet gjatë me këtë qeverisje dhe me këtë “luftë” për pushtet, kush e di nesër a do të na mbetët pak shtet për të mbijetuar si qënje kombëtare, e lëre më për të arritur ndryshime apo çuarjen në vend të drejtësisë !

Ndryshimin mund ta bejnë vetëm ata që janë të gatshëm, që edhe një herë në mënyrë vullnetare të vihen në sherbim të popullit e atdheut, për ta shpëtuar Kosovën nga zbrazja e ç’kombtarizimi, nga krimi dhe korrupsioni të shkaktuara nga keq-qeverisja e kastës aktuale politike.

Vullneti i qytetarëve të Kosovës për kthesë pozitive jo vetëm që ekziston,…thërret si kushtrim në ndërgjegjën e atdhetarëve. Mjafton vetëm iniciativa e shëndoshë e bazaur në vlera kombëtare, në atdhedashuri e moral të pastër njerëzor, për ta ndryshuar mentalitetin kancerogjen të keq-qeverisjes në  Kosovë.

Secili mund të jepim diçka nga vetja jonë për Republikën e Kosovës, shtetin e së ardhmës për fëmijet tonë. Secili me takatin e zanatin e vet, mund ta bejmë ndryshimin e nevojshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj, për kthimin e identitetit dhe shpirtit humanitar të shqiptarëve të trashëguar ndër shekuj.
Intelektualët e rinjë mund të instalojnë një formë të re të demokracisë euro-përëndimore, e cila në qënder e ka qytetarin e jo liderin, që politikën ta vëjë në shërbim të qytetarëve  e jo të liderëve e grupeve të caktuara të interesit siq po ndodhë aktualisht në vendin tonë.
Kosovës i duhen lider të së ardhmës, që demokracinë e zhvillojnë nga poshtë-lartë. Qytetarët duhet të dijnë nga ju vijnë e nga ju shkojnë paratë e tyre, ku çdo lëvizje financiare bëhet transparente para qytetarëve.

Me ndyshimet e ardhshme kushtetuese, Kosovës duhet t’i  kthehet Referendumi Popullor, si shprehja më e lartë e demokracisë dhe lirisë së një vendi të pavarur dhe sovran.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *