OPINIONE

PAQJA DO TË SJELLË NJË KOMB TË BASHKUAR SHQIPTAR

Shkruan: Rexhep SHAHU

-Dëshmitë e para për shtypin në Shqipëri për masakrën serbe në Prekaz, 1998-

PHILIP SMUCKER
GAZETAR I WASHINGTON POST

PAQJA DO TË SJELLË NJË KOMB TË BASHKUAR SHQIPTAR

Pasi kisha ndënjur gati nje ditë me të dhe i isha përgjigjur për gjithshka dija dhe mendoja për Kosovën, për kufirin, për shqiptarët, për konfliktin shekullor shqiptaro – sllav, pas simpatisë që më ngjalli në biseda të lira, informacionit që sillte nga Kosova dhe thjeshtësisë që demonstronte, mendoj, pa sforco, i propozova të ndërronim rolet. Pra ta merrja në një bisedë në Radio Kukësi, ta intervistoja. Pasi pyeti se çfarë radioje është, sa degjohet, ku e shtrin valën, etj etj., dhe pasi i thashë ( e mashtrova) se Radio Kukësi nuk dëgjohet në Kosovë, ( se ai nuk donte të dëgjohej intervista e tij në Kosovë pasi do të kthehej nga Kukësi prapë për në Kosovë dhe druhej se mos i delnin probleme me serbët, siç edhe i patën dalë … ), Philip Smucker erdhi në zyrën time në radio me përkthyes Florim Ademin.

KAM PARË ME SYTË E MI GRA DHE FËMIJË TË VRARË NË KOSOVË

– Philip Smucker eshte gazetar amerikan që punon për Washington Post dhe organe të tjera. Sapo është kthyer nga Kosova. Nga Drenica. Nga Prekazi. Ka parë me sytë e tij se çfarë ka ndodhur atje. Dhe ka pranuar të flasë për radio Kukësin. Faleminderit.
– Kam qenë dhe kam parë se çfarë ka ndodhur në Likoshanë, Çirez, Prekaz dhe gjithashtu në zona të tjera të Drenicës. Kam qëndruar atje një muaj. Është hera e parë që vij në Kukës. Kur kam qënë në Drenicë, ishtë shumë e veshtirë për të punuar, por ishte e mundur që t’u shmangeshim pikave të kontrollit të policisë. Dhe isha në gjendje gjithashtu që të shikoja strategjinë e sulmit që ka përdorur policia serbe ndaj popullit të Drenicës. Për të luftuar ata shqiptarë që serbët i quajnë terroristë të Kosovës. Pashë dhe forca që ishin në disproporcion, dhe ishin shumë më të forta se popullata e Drenicës, të cilat përdoreshin për të luftuar elementë të ndryshëm. Gjithashtu nga deshmitë e qarta të njerëzve në Drenicë, është thënë dhe kemi parë që policia nuk përdor vetëm armë të rënda kundër tyre, por gjithashtu përdor forcën dhe i keqtrajton njerëzit atje.
– A keni parë me sytë e tuaj terroristë shqiptarë që i quan Serbia ?
– Ne nuk kemi parë ndonjë gjë që tregon qartë ndonjë levizje guerilje. Ka njerëz shqiptarë të armatosur, të cilët përpiqen me mundesitë e tyre për të mbrojtur shtepitë e tyre. Ata janë sulmuar nga policia serbe, siç sulmon d.m.th çdo polici tjetër dhe siç është komentuar në Uashington, Paris, Londër. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një ushtri të madhe guerilje. Por nga taktika dhe nga mënyra që po përdor Serbia tani ndaj popullit të Kosovës, ata shumë shpejt do ta organizojnë vetën e tyre në një ushtri tamam guerijle.
– Edhe në qoftë se ekzistojnë këto forca të armatosura guerijle, ata nuk kanë dalë në skenë për t’u ndeshur.
– Është një grup i vogël shqiptarësh që janë të lokalizuar në Açarevë dhe Vojnik. Por nuk e dimë nëse janë detyruar nga rrethimi i forcave policore serbe që të grumbullohën të gjithë bashkë në një zonë të vogël. Ose disa nga ata që kanë ardhë nga jashtë vendit që kanë qenë emigrantë në shtete të ndryshme dhe kanë ardhë për tu bashkuar me pjesën tjetër të njerëzve.
– Me sa ke parë më sytë e tu a kemi të bëjmë atje me forca terroriste shqiptarë?
– Kjo nuk është fjala e përshtatshme për t’i quajtur, pasi ata nuk mund të quhen guerilas terroristë. Por terroristë, janë vetë serbët, pra forcat policore serbe. Ato mund t’i quajmë terroriste.
– A keni parë më sytë tuaj që janë vrarë gra dhe femije? Sipas shtypit dhe mediave ka shifra të ndryshme. Disa thonë janë vrarë 25 gra dhe fëmijë, disa thonë më shumë…
– Nuk ka dyshim për këtë që janë vrarë gra dhe femije. Unë i kam parë edhe me sytë e mi gra dhe femijë të vrarë. Ndoshta ky grup, këto gra dhe femijë që janë vrarë nuk janë ekzekutuar siç ndodhi në grupin e atyrë burrave në Likoshan. Por këto janë vrarë si rezultat i forces që është në disproporcion me forcat policore serbe.
– A mund të na përshkruash njerëzit e vrarë në masakrat që keni parë?
– Mundësitë për hetime, për të marrë informacione kanë qenë shumë të kufizuara. Por për dy ditë në Likoshan ishte shumë e lehtë për të parë njerëz që ishin vrarë, pellgje gjaku dhe dhembe që ju kishin rënë brenda atyre pëllgjeve të gjakut, që ishin krijuar nga rrahjet që ju kishin bërë. Dhe kjo është edhe njëlloj si trajtimi ose ekzekutimi që kanë bërë serbët në Kroaci ose në Bosnjë. Prandaj bota tani po shikon me shumë vemendje shumë nga afër sjelljet dhe menyrat që po përdor policia serbe në Kosovë.
– Ju keni vezhguar edhe luftën që ka bërë Serbia në Bosnje. Pra jeni deshmitar i egersisë serbe. A mund të krahasohet Bosnja me Kosovën?
– Është një mosrespektim si në Bosnjjë ashtu edhe në Kosovë i të drejtave të njeriut. Nuk janë rrespektuar në asnjë nga këto vende të drejtat e njeriut. Por tani ne po flasim për një numër shumë të vogël në Kosovë dhe është shumë e rëndësishme që të kemi një proces paqeje tani. Në qoftëse proçesi i paqes nuk vazhdon tani, më vonë, do të jetë tepër vonë.
– Si i parashihni ju, si gazetar, zhvillimet e ardhëshme?
– Për momentin unë jam shumë pesimist, duke u nisur nga gjerat që kam parë atje. Duhet të përfshihen të gjitha institucionet ndërkombetare që të vendosin paqen në Kosovë dhe të punojnë të gjithë që të vendoset paqja.
– Sipas jush pse nuk u bënë në një mendje vendet e Grupit të Kontaktit por dolën me tre qendrime ?
– Grupi i Kontaktit vuan nga e njëjta sëmundje, që ka vuajtur komuniteti ndërkombëtar kur u bë lufta në Bosnje.Të gjithë duhet të bashkohen. Rusia duhet ta pranoje atë që po ndodh në Kosovë. Dhe n.q. s rusët do të shqetësohen seriozisht, mendoj se diçka do të fillojë të ndryshojë përsa i përket procesit të paqes. Por të jemi të qartë se deri në këto çaste, SHBA – të, Franca dhe Gjermania, tani për tani nuk po flasin për pavarësi për Kosovën. Ato flasin për demokracinë, lirinë e shprehjes, dhe dhënien fund presionit dhe shtypjes policore sërbe. Në dukje, diçka e vogël, por në të vërtetë nuk është aq e vogël, pasi është gjëja më e rëndësishme për momentin në Kosovë.
– Kur jeni dërguar me shërbim në Kosovë, a keni patur ndonjë njohje rreth Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi ?
– Kam qendruar në Ballkan dy vjet, dhe merrem më këtë zonë për tre vjet. Vitin e kaluar kam udhëtuar nepër Kosovë vazhdimisht. Situatën e shikojmë duke shkuar sa më keq. Dhe nuk është një shqetesim i duhur për Kosovën.
– Pra ato që e kanë në dorë, ato që vendosin, nuk shqetësohen sa duhet për Kosovën?
– Unë mendoj se SHBA – të janë akoma të zëna me problemet e paqes në Bosnjë. Kështu që ato nuk krijuan, ose më saktë nuk treguan tamam vemendje për Kosovën.
– Ekziston mendimi tek shqiptarët në përgjthsi, se po vjen një moment, që çeshtjën shqiptare ta marrin vetë në duar, të bëhën faktor i dorës së parë. Kjo nënkupton ngritjen në këmbë të gjithë kombit, si e parashikoni ju një gjë të tillë, si e gjykoni ?
– E kuptoj që shqiptarët duhet të jenë shumë të shqetësuar për momentin. Por unë mendoj që tani është koha për të parë, për të vëzhguar dhe për ti detyruar shtetet perendimore që të ndërhyjnë. Pasi po të luftohet me Serbinë tani, është njëlloj si të shkojë cjapi te kasapi.
– Shpresa e shqiptarëve tek Europa është e vakët, pasi , para 85 vjetëve ajo e coptoi Shqipërinë siç është sot copa – copa. Në këtë fund shekulli po binden për ditë, se nuk do të kënë prosperitet, nuk do të mund të pasurohën asnjeherë, nuk do të mund të kenë asnjëherë dinjitet, nuk do të mund të llogaritën kurrë, nëqoftëse do të jetojnë kështu të ndarë, po bindën se nuk jetohet përgjysmë.
– E shikoj përspektivën tuaj. Shikoj se është një mundësi për ta shtyrë Europën dhe SHBA – të, pasi ato e dinë tashmë se çfarë ndodhi në Bosnjë dhe në Kroaci. Kjo është nga që dhe ju nuk jeni aq shumë të armatosur. Mënyra paqësore është rruga më e mirë për të krijuar një komb të bashkuar shqiptar.
– Si gjykoni ju nëse vjen puna për përballje ushtarake mes shqiptarëve e serbëve. Ketu flas për përfshirjën në luftë edhe të Shqipërisë.
– Unë them se në fillim duhet të shikojmë rreth situatës në Prishtinë. Dhe nuk besoj në një përballje siç thoni ju. Serbët kanë armë të rënda, janë të armatosur mirë. Nuk besoj se ato mund të sulmojnë në Prishtinë pasi është një zonë e madhe. Por ama, nëqoftëse ato do ta bëjnë një gjë të tillë, atehere ajo do të kthehet në një Sarajevë të dytë. E vetmja shpesë që kanë shqiptarët është që të ndërhyje Natoja për të ndaluar luftën. Ose, përndryshe, pritet që të humbin jetën treqind mijë vetë.
– Sa herë që përmendim Naton, ne shqiptarët nënkuptojmë Amerikën.
– Sigurisht që Natoja nuk përbëhet vetëm nga Amerika. Ka edhe shtete të tjera që bëjnë pjesë aty. Por është një gjë. Çdo vendim që do të ndërmarrë Nato – ja duhet që Uashingtoni të jëtë dakort me të. Nëqoftëse lufta do të rritet, do të zmadhohet në Kosovë, besoj që Nato – ja do të ndërhyjë dhe do të ndalojë agresionin serb. Por unë nuk e di as nuk mund ta them se sa të vdekur shqiptarë do të duhen për këtë.
– Thashë edhe më përpara se shqiptarët po binden se duhet të sakrifikojnë, duhet të paguajnë çdo çmim që ta bëjnë Shqipërinë – Shqipëri.
– Unë besoj se shqiptarët duhet të presin pak. Pasi tani për tani, nuk është klima e përshtatshme. Dhe amerikanët e shtetet e tjera, nuk janë për ndërrim kufijsh për momentin.
– A e keni takuar ndonjeherë z. Rugova?
– Po e kam takuar z. Rugova. Është njeri shumë interesant, një njeri i kuptueshem dhe shumë i edukuar. Gjithashtu njoh dhe deputetin e tij, Alush Gashin. Unë mendoj se njerëzit janë shumë të interesuar për paqen. Besoj se serbët do e lejojnë procesin e paqes të shkojë përpara. Besoj se Rugova bën mirë që kërkon pavarësi, pasi nga ana politike është mirë që gjithmonë të kërkojë pavarësinë. Por unë e shoh atë si një njeri të gatshem për kompormis, në qoftë se dikush i ofron një rrethanë të mirë, ose nëse e shikon të arsyshme.
– Familjen Jashari që u masakrua në Prekaz, a e keni parë vetë, apo keni dëgjuar për të?
– I kam parë trupat e vrarë në Prekaz. Ishte e qartë, duke parë mirë, që ishin gra dhe femijë të vrarë. Nuk e di nëse z. Adem Jashari ishte një anëtar i UÇK-së.
– Çfarë dini ju për UÇK – në ?
– Tani është e qartë se UÇK-ja ka organizata në Europë, por edhe në Amerike. Ndoshta organizata të vogla. Por jam i sigurt që ato planifikojnë të dërgojnë trupa në Kosovë, nëqoftëse situata atje do të këqësohet nga trupat serbe.
– Përsonalisht me cilën palë do të ishit në këtë moment, për aq njohje sa keni?
– Nuk besoj që mund t’i përgjigjem kësaj pyetje, pasi në Amerikë, kur një gazetar trajnohet, ai trajnohet në mënyrë që gjërat, të gjitha gjërat, t’i shikojë si asnjajës, si një njeri i jashtëm.
– Unë nuk po të pyes si gazetar, por po të pyes si një qytetar të botës së lirë që ia di vlerën lirisë.
– Nuk ka rëndësi nëse je serb, je shqiptar, je grek, amerikan ose i përket një kombsie tjetër, por është fakt dhe është e qartë, nëse shikon gra dhe femijë të masakruar, atëhere do të kesh simpati për atë palë që masakrohet. Amerikanet janë më fat, pasi njerëzit që vine në Amerikë e humbin kombesinë e tyre dhe bëhën amerikanë. Dhe ne nuk vuajmë nga kjo semundje europjane për të zgjedhur shokun ndermjet kombeve. Por pas luftës së ftohtë Amerika filloi me një politikë të jashtme duke mbeshtetur ata shtete, ata kombe që u janë mohuar të drejtat e njeriut, dhe që luftojnë për të drejtat e tyrë. Një shembull i qartë për këtë janë shqiptarët e Kosovës. Ata janë njerëz që duhet t’ju respektojmë të drejtat e tyrë, pra t’ju respektojmë të drejtat e njeriut.
– Po në këtë kuader, sipas jush, e drejta e vetvendosjes pse mos të respektohet ?
– Kjo është një pyetje për Madeleine Albright. Po është e qartë së amerikanet, francezët, gjermanët, dhe shtetet e tjera të medha nuk duan që të vendosin kufij të rinj në Ballkan, pasi do të kishtë shumë telashe. Ndoshta e kanë gabim, por është ajo që mendojnë tani për tani.
– Përsonalisht, a ju keni besuar zgjedhjeve në Kosovë?
– Unë kam qënë i pranishem atje dhe u habita vetë së ç’mbeshtetje të fuqishme kishtë zoti Rugova në Kosovë.
– Në qoftë se Rugova do të bëje thirrje që populli të ngrihet në luftë, a bësoni ju se populli do të ngrihet me thirrjen e Rugovës.
– Nuk besoj së Z. Rugova do të bëje ndonjë thirrje për luftë.
– Sikur ta bëjë ?
– Ai mund të bëjë një thirrje të tillë që shqiptarët e Kosovës të mbrojnë shtepitë e tyrë. Dhe sigurisht mendoj që të gjithë ato do të ishin të kënaqur të mbronin shtepitë e tyrë.
– Ju falenderoj shumë për këtë bisedë. Janë të parat dëshmi, rreth asaj që ka ndodhur e po ndodh në Drenicë e Kosovë, për shtypin dhe mediat në Shqipëri, të dhëna nga një gazetar amerikan. Faleminderit.
– Ju faleminderit ju që me dhatë mundesinë të flas. Mendoj gjithashtu, që njerëzit në Shqiperi duhet të jenë të informuar për gjithçka që po ndodh. Që të ndalohet një luftë e madhe.
23.04.1998
Mbas dite e zbardha këtë intervistë dhe ia nisa me faks gazetës “Albania”. Të nesërmen gazeta e botoi me titull kryesor. Kryeredaktori i gazetës “Albania”, Lutfi Dervishi dhe gazetari i njohur Mero Baze, që atëhere punonte në këtë gazetë, më përgëzuan. Unë sot gjej rastin ti falenderoj të dy për vlerësimin e tyre ndaj meje dhe gazetën “Albania” për hapsirat që më ka krijuar në vazhdimsi gjatë viteve 1998 – 1999. Te nesermen e transmetoi kete interviste Izet Duraku ne Radio Tirana.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *