OPINIONE

Viktor Martini: Ali Mena dhe si regjimi komunist dënonte edhe kufomat e të vdekurve

Intervistoi: Dritan Kolgjini

Intervistë me të burgosurin politik të regjimit komunist në Shqipëri, Viktor Martini

Zotëri Martini, ju keni qenë i burgosur politik, në disa kampe, gjatë kohës së komunizmit, dhe jeni njohur me shumë personalitete të historisë apo pinjoj të familjeve të shquara të Shqipërisë, siç keni treguar në disa nga intervistat që keni dhënë. Pikërisht, për një bashkëvuajtësin tuaj, Ali Hakik Mena, kërkojmë të thoni diçka që ju kujtoni nga periudha që keni qenë në të njëjtin burg, në Tiranë?

Si fillim e ndiej të nevojshme me shpjegu, se si më burgosën apo si më banë të burgosun politik. Sapo kisha mbushë 16 vjeç… E si mund të quhet një 16-vjeçar, i pjekun politikisht! Nëpërmjet nji akuze false, më arrestuen për tentativë arratisjeje, dhe më dënuen me 7 vjet burg. Por kjo fatkeqësi më krijoi mundësinë të bashkohem me atë pjesë krenare të kombit, prej të cilëve mora mësimet e para intelektuale e morale. Njeni nga këta mësues asht fisniku i pashoq, intelektuali e i papërkuluni Ali Mena. Kanë kalu 60 vite, por falenderoj Zotin që më ka ruejtun memorien të freskët. Jo vetëm për mos me i harru këta heronj, por dhe për t’ia ba të njohun pjesës ma të randësishme, rinisë shqiptare, të cilët nuk kanë pasë rastin të ndigjojnë historitë e antikomunistëve. Dhe sigurisht, edhe për t’ia përplasë në fytyrë sot politikanëve të këtyne 24 katër viteve, të cilët jo pa qëllim kërkojnë që t’i mbulojnë me pluhunin e harresës. Por jo! Era ngado që të fryjë, fletët e historisë nuk mund t’i tresë apo shlyejë. Historianët e Enverit kanë paraqitë nji histori simbas shijeve të diktatorit, në mënyrën ma hipokrite. E kështu vazhdojnë edhe sot. Por kam bindjen dhe shpresën e madhe te Zoti se nji brez tjetër po vjen, të cilët nuk janë të pandjeshëm apo të painteresuem ndaj historisë së vërtetë. Prandej besoj se nuk kanë me pranu që historia e këtyne heronjve të qendrojë e varrosun atje me ato njerëz që punuen me vetëmohim, për komb, fe e atdhe e, mbi të gjitha, sakrifikuen tue i vu krahnorin furtunës së kuqe, që dinjiteti i shqiptarëve të qëndrojë pa ra poshtë, e me u shkelë me kambë, ashtu sikur ndodhi për gjatë 46 viteve e besa deri diku edhe sot.

Ju lutemi, a mund të na bëni një përshkrim të përgjithshëm të profilit njerëzor, politik e intelektual të Ali Menës?

Ah!… Ali Mena! Sa e vështirë asht të plotësosh figurën e nji njeriu me të gjitha virtytet e trashëgueme nga fisi i tij e që Zoti ia kishte falë me bujari. Virtyte të cilat nëpër vuejtjet e torturat që kishte kalu me fisin e tij, ia doli t’i mbante të pashterruna e të pacenueme përballë katilave, që mbollën veç dhunë, gjak e uri. Mbasi u dënova, kalova në burgun e Shkodrës, nga aty më dërguen në kampin e Rinasit. Dhe, për shkak se isha me njanën kambë të këputun, më transferuen si të paaftë për punë, në burgun e Tiranës. Në këtë kohë isha vetë i katërti vlla në burg, kurse baba na kishte vdekë në burgun e Burrelit. M’u dukte vetja në mesin e turmës si nji trumcak i trembun e i trishtuem nga stuhija e tmerrshme. Kujtoj kohën kur mbasi zuna vend në rreshtin e gjatë të dyshekëve, të burgosunit filluen të vijnë me radhë, ma shumë të shtymë nga kurioziteti, se kush jam, nga vij etj. Të nesërmen, nji burrë i gjatë e i hollë, më pyeti – a mund të ulem? Si jo! – i thashë.

-Nga të kemi? Unë quhem Ali Mena, – u prezantue vetë i pari.

Kurse unë quhem Viktor Martini, – iu gjegja. – Jam prej Shkodre e vij nga kampi i Rinasit.

-Mos ke të bash gja me Pac Martinin? – më pyeti.

Asht vëllai im!

-Sa vjeç je? -16 vjeç! – iu përgjigja.

Sytë e tij u mbushën me lot, por me lot të përmbajtun. Thue se bebet e syve të tij ishin si dy gaca zjermit.

Me kalimin e ditëve mësova se Aliu u jepte mësim të burgosunve në gjuhën anglisht, të cilën e zotnonte gati si vetë anglezët. Mbrenda dhomës, nga debatet që hapeshin për tema intelektuale nga ma të ndryshmet, Aliu me nji gjakftohtësi të dallueshme, dominonte nga mënyra se si e shtronte dhe mbronte argumentin. Pra ishte i gjithanshëm si intelektual.

Nji ditë Aliu më tha, “nëse ke dëshirë, mund të vish me marrë mësim në anglisht!” Si jo, – i thashë, – do t’ju isha mirënjohës.

Kështu, pra, fillova me marrë mësimet fillestare. Mbas mësimit, dalngadalë fillova ta pyesja se nga ishte, dhe pse kishte ra në burg. Kur unë e pyeta për herë të parë, ai vuni buzën në gaz e, tue dashtë me më sqarue, tha shkurt: – “Asht histori e gjatë! Asht ma mirë mos ta ndigjosh!” Kjo më bani ma kurioz dhe si me marifet, unë nuk hiqja dorë nga dëshira ime, meqë më dukej njeri i veçantë nga sjellja, niveli i dijes, kultura etj…

Ju rrëfyet se Aliu ju ka dhënë mësime për gjuhën angleze në kushtet e burgut. Çfarë kujtoni nga ajo kohë kur, me pranga në duar, kërkonit të hapnit edhe një dritare të dijes, duke shpërfillur kushtet infernale ku gjendeshit?

Asht e vërtetë se megjithëse ishim mbrenda skëterrës, mundoheshim të merrnim dritën e ditunisë nga të shkolluemit, sepse dija të lehtëson edhe vuejtjen! E kam thanë disa herë se në burg njerëzit, midis halleve që kishin, mundoheshin të përfitonin kulturën, që na mungonte. Dhe këta intelektualë i kryenin me devocion këto sakrifica, që ma vonë na vlejtën shumë. Ndër këto burra shquhesh dhe i ndiemi Ali. Prandaj nuk ishte çudi që me çfarë kishte kalu, mos me i ra ndërmend me ba atë punë aq humane. Kujtimi i fundit fizik që kam për të ndiemin asht kur u transferova nga Tirana për në burgun e Shkodrës. Aliu erdhi, më përshëndeti tue më thanë: “Udhë të mbarë! Ti je nji i ri shumë kurajoz e inteligjent. Nji ditë ne presim shume nga ti.” Ishte hera e fundit që e pashë.

Çfarë dini apo çfarë të dhënash keni nga historia e dënimit të shumëfishtë (fillimisht dënim me vdekje, që pastaj ia kthyen në 101 vjet, e në fund e caktuan 25 vjet) të bashkëvuajtësit tuaj Ali Mena, si dhe nga historia e tij e rezistencës me armë ndaj regjimit komunist?

Sikur ju thashë dhe ma sipër, isha kurioz të mësoja diçka nga jeta e tij. Dhe ai dalngadalë, në raste të ndryshme, më tregoi se familjarisht ishin zogistë, e që, si besnikë të tij deri në vdekje, kishin marrë malet për me luftu komunizmin me armë në dorë. Ai më tregonte jetën e rezistencës në male në kushte tepër të vështira nëpër shpella, në borë e shi, me bukën thatë, që ua jepnin farefisi e miqtë e vjetër, tue rreziku edhe jetët e tyne. Tregonte rrethimet, çamjet e rrethimeve e disa herë në këto rrethime na thoshte se si i kishte humbë njerëzit ma të afërt, shokë, miq e dashamirë. Nuk më kujtohet me saktësi, po në mos gabohem, 5 a 6 vetë, vetëm nga familja e tij, ranë në luftë me armë në dorë, veçse për atdhe e për liri. Për këta heronj respekti duhet të jetë në maksimum!

Ka të dhëna se vdekja e Aliut është një krim shtetëror, ose ndryshe një ekzekutim pa gjyq. A mund të na thoni diçka më tepër rreth këtij momenti? Dihet se mbas operacionit në stomak, ai ka qenë në gjendje të mirë fizike. Përveç kësaj, familja e Aliut ka bërë takim një ditë para se të vdesë apo ta vrasin, dhe dëshmojnë se ai ka qenë shëndoshë e mirë… Ndërkohë mbas 5 ditëve nga ndërhyrja kirurgjikale, trupi i tij ka nisur të japë shenja helmimi. Më saktë dyshohet se vrasja e tij është kurdisur nga Sigurimi i Shtetit, duke e paraqitur si vdekje natyrale. Çfarë dini ju për këtë rast?

Nuk mund të them se i ndiemi Ali gëzonte nji shëndet të plotë mbas gjithë atyne vuejtjesh e torturash, që ai na tregonte. Por jam i sigurt se njerëzit me karakter të fortë si Aliu, i përballojnë edhe sëmundjet. Unë kam ikë herët nga burgu i Tiranës dhe kam përfundu në burgun e Burrelit në moshën 18 vjeçare. Nuk kam dijeni a e vranë apo vdiq natyrshëm! Por kam disa raste të tjera, si atë të Tuk Jakovës, që ishte në burgun e Tiranës ku e kapi apendiciti dhe e çuen për operacion ku edhe vdiq. Kësi rastesh ka pasë shumë nëpër burgjet e kampet e Shqipnisë komuniste. Ky mundet me qenë nji nga rastet, dhe shumë e pranueshme si mundësi. Por e vërteta mbetet mister ende, për sa kohë nuk kemi nji dëshmitar apo dokument. Për fat, as dëshmitarët nuk duen me folë, dhe as dokumentet s’i kemi, sepse këta i kanë zhdukë qëllimisht.

Në lidhje me vdekjen e Aliut, kemi dëgjuar nga bashkëkohës të ndryshëm se janë bërë vizita te njëri-tjetri nga të burgosurit në disa burgje të Shqipërisë, ose siç i thonë ndryshe, “kanë çelur mort” brenda në burg. Një fakt tjetër që të bën përshtypje është numri prej rreth 2000 telegramesh ngushëllimi, drejtuar familjes nga shokët, miqtë dhe dashamirët e tij. A kujtoni diçka rreth jehonës apo efektit në gjirin e të burgosurve, të lajmit për vdekjen apo vrasjen e Ali Menës?

Në përgjithësi kur dikush vdiste në burg, kufomën menjiherë e merrnin dhe e varrosnin në vende ku vetëm ato katila e dinin, me qëllim që të mos gjendej kurrë. Në mungesë të njeriut të afërt mbrenda burgut, në kësi rastesh, ne i respektonim në heshtje të vdekunit, pa lëvizë nga dysheku, që përfaqësonte “shtëpinë” tonë. Por vdekja e tij dhe e tjerëve gjithnji kanë pasë jehonë, e janë trajtu me respekt të sinqertë njerëzor, tue e ndie thellë si humbje të njerëzve të shpisë, vdekjen e këtyre burrave.

A keni ndonjë informacion rreth varrosjes së Aliut apo a keni dëgjuar rreth përpjekjeve e peripecive të të vëllait Isa Mena, i cili bëri të gjitha tentativat e mundshme për ta gjetur, duke shkuar edhe në Ministri të Brendshme, në Prokurori të Përgjithshme, por megjithatë, në mënyrë absurde, nuk u lejua të shihte kufomën apo varrin, çka lë vend për dyshim, siç e thamë se mund të zbulohej krimi i kryer?

Me thanë të vërtetën nuk kam shumë të dhana, sepse e thashë edhe ma sipër, mbrenda burgjeve, ne nuk dinim se çfarë ndodh me kufomën, e cila përfundonte nëpër vorreza pa emën. E kjo ishte nji praktikë që zbatohej me fanatizëm nga shërbëtorët e regjimit, i cili dënonte praktikisht edhe kufomat e të vdekunve, përveç të gjallëve.

Çfarë emri mund t’i vini faktit që edhe mbas vdekjes apo ekzekutimit të Aliut, familja e tij u ndalua rreptësisht prej Ministrisë së Brendshme të marrë pjesë në varrim?!

Përveçse dëshirës me marrë pjesë në varrim, të gjithë kanë trokitun në derën e gabueme, sepse as edhe nji i burgosun nuk e ka gëzu atë “privilegj”.

Përveç ekzekutimeve, burgut, grabitjes së pasurisë etj., një nga format e ushtruara gjerësisht nga regjimit komunist, ka qenë internimi. Pra, në lidhje me internimet ndëshkimore të familjeve, ku syrgjynoseshin pleq, gra e fëmijë, dhe në këtë kuadër, për familjen e Menajve, çfarë mund të thoni, çfarë kujtoni apo keni dijeni?

Diktatura, as dhe për nji sekondë, nuk asht ngopë me vuejtjet e gjakun e kësaj shtrese. E dimë të gjithë se fiset e Menajve, Mirakajve, familja e Gjonmarkajve e shumë e shumë familje të tjera fisnike, kanë përjetu mohimin e lirisë nëpër internime, ku nji pjesë e madhe e tyne, aty u martuen, lindën e vdiqën. Por dhe ato që mbijetuen deri në ditët e sotme, nuk po marrin ate çka meritojnë, sepse fati e të drejtat e tyne ndodhen në duert e atyne që e urrejnë këtë klasë e që mundohen në formën ma çnjerëzore ta shfrytëzojnë politikisht. Kjo më duket shumë e padenjë prej politikës pseudo-demokratike të këtyne dy dekadave të fundit.

Në intervistat që keni dhënë më parë, keni rrëfyer se praktikisht të gjithë burrat e shtëpisë suaj, madje edhe gratë, kanë qenë të burgosur. Pak a shumë të njëjtën histori familjare ka pasur edhe Aliu, ku burrat ishin në burgje ndërsa plakat, e fëmijët nëpër internime. A pajtoheni me mendimin se kjo ka qenë një strategji e mirëfilltë gjenocidi, dmth., zhdukja e meshkujve nga shtëpitë antikomuniste?

Edhe shkelja ma e vogël, kur ajo cenon lirinë, mund ta quejmë gjenocid, e jo ma të mos quhen gjenocid përpjekjet e diktatorëve për të na varrosun si klasë deri në zhdukje fizike totalisht.

Historia e rezistencës antikomuniste, pas ‘44-ës, është në pjesën e saj më të madhe e fshehur dhe e panjohur për opinionin e gjerë. Në këtë kontekst, çfarë mund të na thoni rreth rezistencës së njohur të burrave të fisit të Bajraktarit të Lurës, Menajve, prej të cilëve 9 u vranë me armë në dorë kundër komunizmit?

Jo, jo… nuk është e panjohur… historia e familjes së Menajve, ashtu sikur edhe e familjeve të tjera të kësaj kategorie, qarkullon si ato legjendat, që kurrë nuk harrohen. Por e keqja asht se disa historianë mundohen t’i fshehin ngjarjet, tue u mundu t’i mbulojnë me gënjeshtrat e tyne të paturpshme. Por turpi ka me i mbulu, sepse e vërteta nji ditë do të shndrisë, sepse, siç thotë ajo shprehja popullore “nuk zihet dielli me shoshë”.

Në gjykimin tuaj, këto sakrifica sublime me jetë në altarin kombëtar, – kemi parasysh zhdukjen e Ali Menës, vëllait të tij Isa Menës që do të vritej dy vjet më vonë në kufi, dhe 7 vëllezërve e kushrinjve të tij, që u vranë gjatë rezistencës antikomuniste deri në 1948, – sa vlejtën në atë kohë apo më vonë që njerëzit të ndërgjegjësoheshin për të keqen me emrin komunizëm?! E së dyti, në lidhje me këta martirë të lirisë, a jemi koshientë ne si shoqëri shqiptare, në lidhje me sakrificat e tyre që shkuan deri në vetësakrifikim?

Sakrificat e fisit të Menajve nuk ka forcë që t’i shlyejë tue i qitun në harresë. Por me shoqninë shqiptare ndryshon paksa puna. Nji pjesë e madhe e saj u shndërru në “njeriun tonë të ri”. Të ndërgjegjësosh nji shoqni, e cila u drejtu pa përgjegjësi kombëtare, asht gjaja ma e vështirë sod. Kjo detyrë na përket neve ta marrim përsipër. Me durim, të bindun se do ia mbërrijmë. Nuk asht as e lehtë, as e shpejtë, por jo e parealizueshme. Nëse nuk do rrimë duerkryq, këta heroj do të mundim me i vendosë nëpër piedestalet ma të nalta ku meritojnë të jenë. E vetëm atëherë ne mund të ndihemi krenarë. Dhe vetëm kështu këta heroj do të pushojnë në paqe, të çliruem nga përbindshat diktatorialë. Këto vonesa kurrsesi nuk janë për shkakun tonë, por për turpin e politikës shqiptare, prej 24 vjetësh… dhe të mos harrojmë se këtë padrejtësi ndaj të vërtetës dhe historisë, kalemxhinjtë e diktaturës e mbajnë për nder e krenari.

Megjithëse keni qenë i ri, ju e keni përshkruar Aliun si një “zogist”, dhe ky është një fakt i njohur, pasi shtëpia e Bajraktarit të Lurës ka qenë historikisht e lidhur me Zogollin. A mund të na thoni, si kanë qenë të organizuar “zogistët” në kushtet e burgut?

Burrat e fisit Mena janë të njoftun si zogistë, besnikë të Mbretit, të palëkundun si nacionalistë. Aliu në burg mbante përreth të gjithë zogistët, duke iu mbajtë gjallë shpresën se nji ditë do të vinte liria dhe rrëzimi i tiranisë. Ma tepër nuk mund të bante kurrkush.

Ka një ide të përgjithshme se komunizmi ka përqendruar pa pushim gjithë egërsinë e vet mbi ato familje apo persona, që njiheshin si nacionalistë, dhe në këtë shtresë, “zogistët” mbajnë peshën kryesore. Duke e lidhur edhe me gjenocidin ndaj Menajve, një familje e vjetër historike e nacionaliste, – sa ju duket se qëndron ky pohim? Dmth., a bënte realisht “diferencime” edhe në persekutim regjimi, ose a i “përzgjidhte” viktimat e veta?!

Sigurisht që barrën ma të randë në diktaturë e kanë mbajtë nacionalistët shqiptarë, sepse këta ishin rreziku i diktatorëve. Nacionalizmi shqiptar ishte i përbamë nga Zogistët, Blloku indipendent e nga Balli Kombëtar. Të tria këto grupe kanë pasë platforma të ndryshme, por që kishin të përbashkët, idenë e nji Shqipnie të madhe, etnike. Pa përjashtim tek të gjithë anëtarët e këtyne partive ra kamzhiku i diktaturës, por në mënyrën ma çnjerëzore ra tek drejtuesit, organizatorët, të cilët vinin nga familje me za e me emën. Si psh te fisi i Gjonmarkjve, apo Mirakajve dhe kështu edhe fisit të Menajve, pa përmendë këtu ato të jugut, që pësuen ditët ma të zeza, aspak ma të vogla se këto të atyne që përmenda ma nalt.

Për 46 vjet komunizëm, në Shqipëri është ushtruar dhunë shtetërore, kundër asaj shtrese që etiketoheshin si “të prekur politikë”. Pikërisht këta njerëz kanë qenë karta morale në fillim të ndryshimeve në vitin 1990. Sa mund të rezistonte njeriu ndaj trysnisë politike të regjimit, dhe sa është e ndërgjegjshme shoqëria shqiptare sot për këto sakrifica?

…Bile si shtesë “armiqtë e popullit shqiptar…”. Por janë pikërisht këto shtresa që në janarin e vitit 1990 lëshuen kushtrimin se diktatura duhet të marrë fund. Njeni nga ata që u ngritën fuqishëm isha dhe unë, me 13 janar 1990, në Shkodër. Dhe bash në këtë datë më arrestuen, më torturuen e më izoluen në spitalin psikiatrik të Elbasanit, tue më mbajtë dy muej rresht me gjylpana në gjendje kome.

A jeni në dijeni që për Ali Menën nuk është shkruar praktikisht asgjë deri më sot, dhe ndoshta kjo intervistë e juaja mund të zgjojë vëmendjen e autoriteteve vendore në Shqipëri, të përkujtojnë me një gjest vlerësues, duke i dhënë emrin e tij një rruge, apo një shkolle etj., si shenjë ndërgjegjësimi ndaj atij kontributi e sakrificash sublime për lirinë e dinjitetin njerëzor të vendit të vet?

Pretendimi juej asht tepër i arsyeshëm për Ali Menën e për gjithë këtë kategori që meriton të përjetësohet. Por nga ana tjetër më habit arsyetimi juej dhe i shumë të tjerëve në fakt… Ju po kërkoni të respektohen këta heronj, pikërisht nga pasardhësit e komunistëve!… Ju mendoni se ata e kanë problem zhvlerësimin tonë?! A nuk e shikoni se këto 24 vite kanë ba lojën ma çnjerëzore me dekorata, tue na tallun keqas?! Aliu do t’u ndiente tepër i fyem sikur t’u nderonte nga ish-kameleonët e trashëgimtarët e politikës të sotme. Aliut me shokë do i vijë koha që një ditë të vlerësohet ashtu sikur e meritojnë, nga trashëgimtarët dhe brezi i ri antikomunist. Prandaj durim e mos u nxitoni. Me këtë rast ju falenderoj si media për mundësinë që më dhatë për me dëshmu e me respektu ato heroj, të denjë me i quejtë bij të lavdishëm të kombit shqiptar. Unë ndihem tepër i kënaqun që po kryej nji amanet që me la Visarjon Xhuvani, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, kur në oborrin e burgut të Burrelit me tha: “Në emën të Zotit, të ngarkoj të jesh dëshmitar i vuejtjeve të tona, kur nji ditë ne s’kemi për të qenë.” Isha 18 vjeçar e unë do vazhdoj të jem dëshmitari i vuejtjeve të njerëzve të ndershëm që sakrifikuen për lirinë e dinjitetin e popullit shqiptar.

Tirana Observer

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *