POLITIKA KOMBËTARE

Të arrestuarve nga “rasti Kumanova” u mohohen të drejtat e njeriut

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nëpërmjet një komunikate për media njofton se familjarët e të mbijetuarve shqiptarë që u arrestuan dhe tash janë duke u gjykuar për “Rastin Kumanova”, disa herë i janë drejtuar duke e informuar për dhunën e vazhdueshme fizike dhe psikike që po e bëjnë autoritetet maqedonase ndaj të paraburgosurve.

KMDLNJ, po ashtu ka reaguar edhe për shkeljet që po i bëjnë ndaj familjarëve duke ua mohuar të drejtën për pjesëmarrje në gjykim apo duke e kufizuar numrin e anëtarëve të familjarëve në një gjykim të deklaruar si të hapur për publikun.

“Ndaj të arrestuarve për “rastin Kumanova”, në vazhdimësi ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut, të privuar nga liritë të cilat garantohen dhe mbrohen me të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, e të cilat janë pranuar dhe ratifikuar nga shteti maqedon. Të arrestuarve që tani janë duke u gjykuar, po u mohohet një gjykim i drejtë, i paanshëm dhe i pandikueshëm politikisht. Në “Rastin Kumanova” po shkelet në mënyrë flagrante Konventa e Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor për persona të privuar nga liria që është vërtetuar nga Avokati i Popullit i Maqedonisë  burime të pavarura jo qeveritare, avokatët mbrojtës, familjarët dhe dëshmitë e të akuzuarve para Gjykatës, ku ata po gjykohen, thuhet në komunikatë.

KMDLNj ka reaguar disa herë kundër këtij trajtimi dhe ka qenë e gatshme të monitorojë tërë procesin që nga arrestimi e deri te përfundimi i gjykimit, duke plotësuar të gjitha kërkesat e palës maqedonase, mirëpo, kjo kërkesë është refuzuar pa asnjë arsyetim. KMDLNj ka bashkëpunuar me ambasadën e Kosovës në Maqedoni për monitorimin e gjendjes së të arrestuarve shqiptarë të “rastit Kumanova”, megjithatë, edhe mundësitë e ambasadës, përkundër përpjekjeve dhe vullnetit të treguar, kanë qenë të kufizuara.

KMDLNj i është drejtuar udhëheqësve të institucioneve më të larta të Kosovës me kërkesë që ata të interesohen për shtetasit e arrestuar të Kosovës dhe familjarët e të arrestuarve, të cilët kanë qenë pa përkrahje të nevojshme.

KMDLNj është jashtëzakonisht e shqetësuar për shkakun se familjarët e të vrarëve të “rastit Kumanova”, nuk e kanë dëshminë për rezultatet e autopsisë, e cila ka kohë që ka përfunduar dhe është bërë në Institutin e Mjekësisë Ligjore e të Forenzikës në Prishtinë.

E drejta për informim, është e drejtë elementare e njeriut dhe moslëshimi i dëshmive për rezultatet e autopsisë, është shkelje flagrante, e palejueshme, dhe mbi të gjitha e dënueshme e përgjegjësve të institucionit kosovar që e ka bërë autopsinë. Institucionet që e kanë bërë autopsinë në Kosovë, nuk është dashur t’i pranojnë fare të vrarët dhe të ekzekutuarit shqiptarë për “rastin Kumanova”, pa rezultatet e autopsisë së palës maqedonase dhe, pas pranimit të këtyre rezultateve, në rast të dyshimit, është dashur të bëhet autopsia nga ekspertët kosovarë. Sido që të jetë, nuk mjafton arsyetimi i palës kosovare, as për familjarët, as për opinionin publik, e as për KMDLNj –në, se rezultatet e autopsisë i janë dorëzuar Prokurorisë së Shtetit, duka ua mohuar familjarëve të viktimave informacionin për shkaqet dhe mënyrën e vrasjes së familjarëve të tyre, aq më parë që ka dyshime të bazuara se disa të vrarë janë ekzekutuar pasi janë zënë rob, apo pasi janë dorëzuar me ndërmjetësimin e OSBE –së.

Është koha e fundit që Instituti për Mjekësi Ligjore dhe Forenzikë t’ua dorëzojë raportet e autopsisë familjarëve që kanë anëtarë të vrarë në “rastin Kumanova”, në të kundërtën, pëveç përgjegjësisë morale do të përballen edhe me përgjegjësi ligjore. Gjithashtu, KMDLNj e ripërsëritë kërkesën që të kërkohet një ekspertizë e pavarur ndërkombëtare, e cila do ta bënte një superekspertizë, ngase ka dyshime në raportet e autopsisë së palës maqedonase, ndërsa raportet e palës kosovare nuk janë fare të ditura. Ky hezitim, lë për të dyshuar se ka kundërshtime dhe mospajtime profesionale midis dy raporteve të autopsisë.

KMDLNj nuk ka mandat veprimi jashtë territorit të Kosovës, andaj, në mungesë të lejes nga autoritetet maqedonase, si burim informimi përdorë mundësitë siç janë: informatat e familjarëve, informatat nga avokatët mbrojtës, informatat nga organizatat për të drejtat e njeriut nga Maqedonia, nga Avokati i Popullit, nga burimet e brendshme anonime dhe nga mediat.

KMDLNj kërkon prani dhe interesim më të madh të shtetit të Kosovës në këtë gjykim, në kuadër të asaj që e ka të lejuar sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe monitorim nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që kanë mandat për këtë dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *