HISTORIA

Tahir Zajmi, një ndër themeluesit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit

Tahir Zajmi (1897-1971) ishte sekretar i Bajram Currit, dhe një ndër themeluesit dhe drejtuesit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Lindi në Gjakovë, i biri i Shaban Zajmit. Mësimet fillore i mori në vendlindje e më tej në Shkup. Ideja e pavarësisë e shtyu t’i bashkohej çetave të Bajram Currit. Më 1918 shtrëngohet me lanë Gjakovën, Një kohë qëndruan në Kukës dhe në Krumë e m’andej në Shkodër. Veproi pranë Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” të irredentistëve Hoxha Kadri Prishtina, Salih Gjuka, etj. Më 1924 Luigj Gurakuqi e merr pranë ministrisë së Financave.

Në vitin 1941 kthehet në Kosovë dhe angazhohet për jetësimin e Shqipërisë Etnike. Ishte njëri ndër drejtuesit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Nga fundi i vitit 1944 sikurse edhe shumë atdhetarë tjerë detyrohet të marrë rrugën e mërgimit politik. Kalon në Austri, Itali dhe vendoset në Izmir të Turqisë ku disa vite punoi në ndërtim. Disa vjet ma vonë kaloi në Belgjikë ku pati kushte ma të mira dhe mundësi për kontakte me bashkëveprimtarët në kët vend dhe në vendet e tjera perëndimore. Vdiq më 1971.

Është autor i veprës “Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës”, Bruksel, 1964 dhe “Tallazet e jetës dhe lotët e zemrës”, Bruksel, 1970.

Gjakova qe vendlindja e tij, por rininë e kaloi në Krumë e Kukës si shumë kosovarë që patën ikë nga trojet. Mosha fare e re nuk e pengoi të lidhej shumë ngushtë me Bajram Currin, t’i vihej i tani në shërbim të tij, sa të kryente edhe detyrën e sekretarit privat. Megjithëse trazinat e kohës nuk e lejuen të kishte arsim të plotë, falë vullnetit dhe pasionit, arriti të pasunohej intelektualisht, sepse zotëronte mirë turqishten, arabishten, italishten e frëngjishten.

Strumbullar i veprimtarisë së tij politiko-shoqnore qe kurdoherë çështja e Kosovës. Konseguent dhe i vendosun qe prezent në çdo nismë që i shërbente qëllimit të lartë. Përkrahu pa rezerva Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës; morri pjesë dhe qe një veprimtar i shquar i tij në Shkodër në vitin 1918 dhe u zgjodh anëtar i tij.

Ndërkaq, së bashku me shokët nuk ndejti indiferent ndaj trazinave politike e intrigave të hueja që destabilizonin shtetin e brishtë shqiptar. Mori pjesë në luftimet kundër esadistëve dhe me 1920, shoqnoi luftëtarët kosovarë që nën udhëheqjen e Bajram Currit, morën pjesë në Luftën e Koplikut.

Platforma politike e djemve të shoqatës politike “Bashkimi”, vendosmënia dhe guximi i tyne përputheshin me idealin dhe temperamentin e tij, prandaj militoi me përkushtim në këtë shoqatë, udhëhoqi degën e saj për Hasin e Lumen dhe u impenjue energjikisht në përkrahje të kandidaturës së Avni Rustemit si asamblist i asaj krahine. Në ceremoninë e varrimit të Avniut morri pjesë si anëtar i delegacionit të prefekturës së Kosovës; jo vetëm që e shoqëroi arkivolin e heroit nga Tirana deri në Vlonë, por si përfaqësues i Kosovës u zgjodh anëtar i Komitet Revolucionar, që me në krye Fan Nolin, do të udhëhiqte kryengritjen e Qershorit.

Me rrëzimin e qeverisë së Nolit, ai nuk iu nda Bajram Currit dhe qe pjesëtar i asaj çete trimash që do ta shoqnonte Plakun e Maleve nëpër bjeshkët e Tropojës, në luftë me acarin e atij dimri të egër të 1925-s. Të papërshkrueme qenë peripecitë e sakrificat e 40 burrave që për javë të tana nuk iu ndanë Bacës. Edhe kur, për arsye madhore, tue iu bindë vullnetit të Prijësit, grupi shoqnues u reduktue në 10 vetë, ndër ato ma besnikët, të vendosun të flijoheshin deri në fund, bante pjesë edhe Tahir Zajmi. Siç e përshkruen në kujtimet e veta, në Epopenë Shpellës së Dragobisë nuk qe i pranishëm. Shkak u fataliteti në një nga marshimet e detyrueshme, pa pushue ditë e natë, ndër shtigje të panjohuna dhe të pashkeluna nga bishat, në luftë me terrenin, errësinen, deborën e suferinën e bjeshkëve, urinë lodhjen, joshjen e gjumit vdekjeprurës, një pjesë e grupit bashkë me Tahirin ranë në një greminë, tue humbë përfundimisht lidhjen me pjesën tjetër që mbeti me heroin. Zemërplasun që u ndanë kështu me idhullin e tyre, ai dhe shoku i tij, si formë shpagimi, do t’ia dalin që kufomën e trimit të mos ua linin xhandarëve të Kadri Mehmetit. Familjarët e Tahirit kujtojnë se si kufoma u përcuell deri në Qarr të Krumës, ku dhe u varros. Andej nga viti 1942, Tahir Zajmi pat organizue një ceremoni rivarrimi dinjitoz, të Plakut të Maleve, tue ba që eshtnat e tij të pushonin në nji varr të hapun në qendrën e Krumës.

I denuem me vdekje në litar nga regjimi i Zogut, Tahir Zajmi qendroi i arratisur për 4 vjet. Tue u ndihmue prej miqve dhe farefisit, herë këtej e herë andej kufinit, nën ndjekjen e pandërpreme të palës shqiptare (Cana Beg Kryeziut) dhe palës serbe.

Ngaqë kambët iu patën ngri nga të ftohtit, në pranverën e atij viti, u kap në befasi, por i pat shpëtue dënimit me varje, sepse në sajë të guximit dhe të shpirtit të inisiativës, arriti të arratisej nga burgu i Krumës për me vazhdue ilegalitetin deri me shpalljen e amnistisë së vitit 1929.

Periudha 1929 e mbrapa qe e qetë, sepse iu kushtue aktivitetit ekonomik. Okupacionit fashist të 7 prillit, u përgatit t’i kundërvihej tue grumbullue 300-400 forca vullnetare në Kolsh të Kukësit: i tërhoqi forcat nga pozicionet, kur u kuptue që pushtimi i vendit ishte fakt i kryer, tue evitue kështu një gjakderdhje të pavend. Bashkimi i Kosovës me shtetin amë në vitin 1941 i gëzoi zemrat e zhurituna të kosovarëve andej e këtej kufinit, por ky qe gëzim i shkurte, sepse okuptari i ri filloi të tregojë dhambët kur shqiptarët filluan të shfaqin shenjat e rezistencës. Në verën e vitit 1943 pushtuesi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për të pengue shpërthimin e kryengritjes së përgjithshme. Gjatë këtyne ditëve, kuestura italiane deshi ta arrestojë, por ai shpëtoi rastësisht.

Me kapitullimin e Italisë u krijue një situatë e re: popullsia shqiptare mbeti e zbulueme përballë sulmeve të egra, si nga ana e çetnikëve të Mihajlloviçit, si nga ana e partizanëve të Titos, të cilët ishin edhe ma të rrezikshëm, sepse përdornin parullat demagogjike “bashkim-vëllazërim”.

Në këto çaste kritike, për të parandalue anarshinë, vëllavrasjen dhe për të mbrojtë trevat shqiptare, një grup nacionalistësh e intelektualësh të Kosovës përkrahu nismën e Xhafer Devës dhe të Asllan Boletinit për krijimin e një organizate kombëtare, e cila do të merrte përsipër po atë rol që kishte luejte Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878. Me 11 shtator të viti 1943, në Prizren u mbajt Mbledhja e parë, e cila zgjodhi Këshillin Organizativ të përbamë prej 8 vetash, që kryesohej nga Musa Shehzade e ku bante pjesë dhe Tahir Zajmi. Këshilli do të merrej me organizimin e Kuvendit Themelues, i cili u mbajt mbas një jave dhe ku morrën pjesë 45 përfaqësues të Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare, që ma parë kishin qenë nën pushtimin e Jugosllavisë. Nga mbledhja doli Komiteti Qendror, i përbamë prej 7 vetësh, i cili do të ishte autoriteti suprem që do të drejtonte Lidhjen, këtë organizatë politiko-ushtarake për krijimin e Shqipnisë Etnike e mbrojtjen e integritetit të saj tokësor. Me detyrën e anëtarit të KQ, Tahir Zajmi propozoi që Kuvendi të shpallte bashkimin e të gjitha trevave të përtej kufijve të vitit 1943 me shtetin amë, tue përfshi dhe ato nën Bullgarinë e Malin e Zi. Tahir Zajmi vazhdoi të bante pjesë në KQ të ri prej 14 vetësh që u zgjodh nga Kuvendi i Dytë i Lidhjes, mbajtun në janarin e vitit 1944 dhe ku drejtimi iu besue Bedri Pejanit, i cili zavendësoi Rexhep Mitrovicën. Kuvendi i Tretë i Lidhjes u mbajt në qershorin e vitit 1944 dhe zgjodhi Komitetin e ri Qendror me në krye Xhafer Devën, ndërsa Tahir Zajmi u vu në drejtim të seksionit të përgjithshëm. Udhëheqja e Lidhjes vazhdoi të drejtonte formacionet e armatosuna në mbrojtje të trevave shqiptare nga sulmet e partizanëve të Titos apo të çetnikëve deri në nandorin e vitit 1944, por e ndërpreu funksionin e vet atëherë kur në Kosovë ndërhynë forcat partizane shqiptare tue evitue kështu luftën vëllavrasëse.

Përpjekjet e këtyne viteve ai do t’i pasqyrojë në veprën e tij të mavonshme, “Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës” (Bruksel, 1964). Në vazhdën e përkushtimit të tij atdhetar, Tahir Zajmi drejtoi të përkohshmen “Lidhja e Prizrenit” që u botua në Prizren nga marsi 1944, deri në vjeshtën e atij viti.

Rrjedha e ngjarjeve e detyroi që të fillonte jetën e emigruemit politik, mbasi përndryshe plumbi sllavo-komunist nuk do ta kursente, si nuk kurseu bashkëluftëtarët e tij, Musa Shehun, profesor Kol Margjinaj, Asllan Boletinin, Bedri Pejanin, kolonel Fuat Dibren, Aqif Bluten, avokat Esad Berishen, e të tjerë udhëheqës e kuadro të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Preokupimi kryesor i tij në mërgim, mbeti çeshtja kombëtare, prandaj dënoi me forcë tendencat përçarëse që shfaqeshin në masën e emigrantëve politikë, tue ba thirrje që të gjindej gjuha e pajtimit.

Jeta në vende të hueja, jeta në lëvizje të përhershme, e lodhi fizikisht, sigurisht edhe shpirtnisht, jo vetëm për situatën në Kosovë e Shqipni, por edhe pse e dinte që familja e tij, përballonte kalvarin komunist. Mbas ravgimeve në Austri, Gjermani, Itali, Egjypt, Arabi, Siri, Turqi, stabilizohet më në fund në Belgjikë, ku fitoi një qetësi relative, sepse gjeti një mjedis ma të ngrohtë, i rrethuem nga shumë bashkëatdhetarë e intelektualë shqiptarë. Në një nga kujtimet e tij, ai do të flasë me shumë respekt e mirënjohje për bujarinë e këtij vendi “….të bukur, të qytetnuem, humanitar, me traditë lirie e hospitaliteti” që u ba një atdhe i dytë për refugjatët përtej perdes së hekurt. Ai bahet edhe zëdhanës i ndjenjave të të gjithë shqiptarëve, për përkrahjen që intelektualët belgë i banë çështjes kombëtare shqiptare që në fillimet e këtij shekulli.

Gjendja shpirtnore që u krijue, krahas sigurisë së një gjendje normale, ja bani të mundun të përgatiste për botim, mbas veprës interesante mbi Lidhjen e Dytë të Prizrenit, dhe veprën e dytë “Tallazet e jetës e lotët e zemrës”. Pat një bashkëpunim të vazhdueshëm me shtypin e diasporës, krysisht me të mirënjohunen “Shejzat” të Ernest Koliqit. Asht domethanës fakti që shkrimi kushtue nacionalsitit Islam Spahia, shkrimi i fundit, pau dritën e botimit pas vdekjes së Tahir Zajmit dhe redaksia e “Shejzave” (vitit 1972, nr.1-4) e përcolli me një përshkrim plot konsideratë, të cilin do ta riprodhojmë më vonë.

Pas 27 vjetësh mërgimi mbylli sytë në Bruksel, në moshën 74 vjeçare, i përcjellun në banesën e fundit nga një numër i madh bashkëatdhetarësh në mërgim.

Edhe shtypi shqiptar i diasporës i bani jehonë vdekjes së tij, veçanërisht revistat, bashkëpunëtor i të cilave qe për së gjalli. Gjatë viteve që rrodhën, varri i tij u ba vend pelegrinazhi për shumë bashkëatdhetarë e personalitete të diasporës tue ja blatue homazhet që meritonte, pasi ishte një atdhetar i përkushtuem i çështjes mbarëkombëtare, idhtar e militant i demokracisë që në rininë e tij dhe një kundërshtar i vendosun i demagogjisë komuniste.

Revista “Zëri” e Kosovës që në një varg numrash të saj gjatë vitit 1991, përkujtoi jetën dhe veprën e Tahir Zajmit.

Gjithashtu opinioni mbarëshqiptar ka mirëpritë Dekretin e Presidentit të Republikës se Shqiperise, z.Sali Berisha, për të dekorue Tahir Zajmin me “Veprimtari Patriotike të Klasit të Parë”, me motivacionin “Udhëheqës Organizator i Penës e Pushkës, kontribuoi për Çështjen e Kosovës”.

Po ashtu me rastin 7-vjetorit të Pavaresisë së Kosovës, Presidentja zj.Atifete Jahjaga me dt.17 shkurt 2015 ka dekorue Tahir Zajmin me “Urdhërin e Lirisë”.

Sot për nder të tij një rrugë e qytetit të Prishtinës dhe një tjetër ne Prizren mbajnë emrin rruga “Tahir Zajmi”.

Publicistika e Tahir Zajmit[redakto | redakto tekstin burimor]
Tue u mbështetë në disa të dhana të vetë autorit, shkrimi i parë i takon vitit 1927 dhe mbart titullin “Vrasja e pikëllueshme e atdhetarit kosovar, Nazmi Gafurri”, me shënimin “Ndër malet e Kosovës …. në gjendje arratijet”. Deputeti N. Gafurri, deputet i Prishtinës në Skupçinen jugosllave, ra viktimë e një atentati politik sepse i pat drejtue nji proteste të ashpër Lidhjes së Kombeve mbi dhunën që ushtrohej ndaj shqiptarëve. Në vitin 1931, “Gazeta Shqiptare – Gazzetta del Mezzogiorno”, Bari, boton nën pseudonimin “Gurra e Bardhë, shkrimin tjetër “Vrasje tragjike e atdhetarit Simon Leka prej Gjakove nga gjendarmëria jugosllave” për të vetmin faj se kishte ngritë zanin për të mbrojtë të drejtat e shqiptarëve.

Prirja e tij drejt publicistikës do të konfirmohej me drejtimin e së përjavshmes “Lidhja e Prizrenit”, organ i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë Prizrenit. Sa numra janë shtypë në Prizren nuk e dimë. Nga ekzemplarët e pakët që konsultuam rezulton se gazeta pat konture të qarta politike me një platformë të përcaktueme mirë. Ajo ishte zadhanëse e Komitetit të Lidhjes, u bante jehonë çashtjeve që preokuponin drejtuesit e organizatës së masipërme: evidentimit të kërkesave të Kosovës për të legjetimue aspiratat e saj për liri e pavarësi, demaskimit të politikës antishqiptare të qarqeve shoviniste, qoftë edhe në planin retrospektiv. Për këtë u krijue edhe rubrika “Tragjedia e Kosovës” ku lexuesit, me anë shifrash e faktesh konkrete, dokumentonin raprezaljet e krimet e pushtuesve serbë mbi popullatën e pafajshme. Në çdo numër, ku pasqyroheshin edhe përpjekjet me armë që baheshin për mbrojtjen e trevave kosovare, figurojnë shkrimet e Tahir Zajmit, me nënshkrim të plotë ose me pseudonimin e vjetër “Gurra e Bardhë”. Karakteristikë e këtyre shkrimeve dhe e gazetës në përgjithësi është serioziteti dhe vetëpërmbajtja. Problemet trajtohen pa eufori e me gjakftohtësi, larg histerisë politike e zhargoneve banale e fyese, ndonëse tensioni politik rritej nga dita në ditë e klima acarohej së tepërmi. Burim për argumente janë ngjarjet e ditës e faktet konkrete. Në ato shtylla sillen raste makabre e krime monstruoze të formacioneve shoviniste, por të befason toleranca e skajshme dhe apeli i sinqertë për të krijue frymën e mirëkuptimit e të fqinjësisë së mirë. Në transparencë dënohen edhe rastet e arbitraritetit të bashkëatdhetarëve të papërmbajtur.

Kështu përvoja e fitueme në shtyllat e kësaj gazete jetëshkurtë i vlejti Tahir Zajmit për të mprehë pendën dhe për t’i dhanë trajtë e konkretësi vokacionit të tij të hershëm. Jeta e trazueme dhe brenga e mërgimit do ta afrojnë me shtypin e diasporës tue ba që ai të kristalizojë individualitetin e stilit të tij prej publicisti. Ai s’deshi t’ia dinte për largësitë hapsinore kur qe fjala për të shkrue.

Gjeografia e shkrimeve të tij të botueme përfshin qytete të mëdha kontinentesh të ndryshme që nga Bari, Parisi, Roma e Brukseli deri ne Nju Jork. Po kaq të ndryshme qenë të përkohshmet ku bashkëpunoi: “Shenjzat” e E.Koliqit me mbi një të tretën e shkrimeve, “Shqiptari i Lirë” i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, “Lidhja e Prizrenit” e emigracionit, “Koha Jonë” e Lec Shllakut, “Zani i Arsyes” i Romës, pa harrue edhe organe minore si “Valbona” e Mentor Qukut, “Bibliotekën e Mërgimit” – Izmir, “mundi Ynë” i Brukselit. Asht ky material i botuem që do t‘i japë landën kryesore për përmbledhjen e vitit 1970 “Tallazet e jetës e lotët e zemrës”. Për të respektue kronologjinë e botimeve po ndalemi tek vepra e parë.

“Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës”[redakto | redakto tekstin burimor]
Një personalitet si Tajar Zavalani në veprën e tij “Histori e Shqipërisë” ban këtë vlerësim: “Në librin e tij të vogël por shumë të çmueshëm zoti Tahir Zajmi përshkruen ndeshjet e gjakshme që trimat e Kosovës patën me shkjaun që kishte ba mend me i shfarue”.

Në vitin 1991 vepra u ribotue si nënfletë e revistës “Zëri” të Kosovës në rubrikën “Historia Kombëtare e Anatemuar”. Përmban 12 kapituj, por vetëm dy prej tyre i kushtohen Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Tue e përfshi edhe hymjen e mbylljen, asht problemi kosovar me kompleksitetin e vet që kapitujt e tjerë. Janë tre kapituj (IV-V-VI), ku hidhet dritë mbi zhgënjimin e kosovarëve të mashtruem nga demagogjia e djallzueme që patën servirë komunistat jugosllavë gjatë luftës, si dhe reagimi i tyre i menjëhershëm me anën e rezistencës së armatosun. Njëherit analizohet edhe roli kobzi që patën luejtë brigadat tona partizane tue krahasue edhe qëndrimet e ndryshme mbi çëshjten e Kosovës.

Në dy kapituj që vazhdojnë (VII-VIII) shqyrtohen të dhëna nga burime të ndryshme si mbi ekonominë e Kosovës e potencialin e saj, ashtu mbi gjendjen demografike. Tre kapitujt e parafundit (IX-X-XI) paraqesin shqetësimin e autorit, e njëheri edhe shpresat, për të ardhmen e Kosovës, tue e vue theksim mbi karakterin e egër antishqiptar e thellësisht pseudoshkencor të pretendimeve shovene serbomëdha. Kapitulli i fundit (XII) përmban një krijim poetik të autorit, kushtue luftëtarëve të rinj kosovarë, me titullin “Hymni i Kosovës”. Përmes refrenit “A Kosovën ta çlirojmë / A ta lajmë tokën me gjak” lëshohet kushtrimi për mbrojtjen e tokave stërgjyshore, tue përcjellë jo vetëm hovet e një zemre që digjet për vatanin, por edhe shpresat e tij në realizimin e idealit të lartë patriotik.

Mbas kësaj ekspozeje paraprake të përmbajtjes në formën e përmbledhjes, i vjen radha një analize ma të hollësishme të ideve që përshkojnë vetë kapitujt.

Kapitulli i hymjes ban vlerësime mbi reperkursionet e Lidhjes së Parë të Prizrenit në lëvizjen tonë kombëtare, e cila solli si rezultat krijimin e shtetit shqiptar, një fitore e cungueme si rrjedhojë e kombinimeve të ulta të diplomacisë që gjymtoi trevat tona. Një vend të mirë zë formimi i Komitetit të Kosovës e rolit të tij pozitiv, jo vetëm në lëvizjen irredentiste, por edhe në forcimin e shtetit të ri shqiptar, tue fillue që nga lufta kundër esadistëve e tue vazhdue me Kongresin e Lushnjes dhe Luftën e Koplikut.

Në kapitujt II-III do t’i vlejnë autorit me spjegue rrethanat historiko-politike që vunë si imperativ të kohës krijimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Ndonëse kishin kalue dy dekada dhe ngjarjet paraqiten në planin retrospektiv, nuk cënohet autenticiteti i tyne, sepse autori për vete funksionet që gëzoi dispononte fakte e dokumente të shumta, ndonëse një pjesë i qe sekuestrue nga partizanët italianë. Krahas detajeve mbi zhvilliin e punimeve dhe jehonën e madhe në trevën kosovare, jepet statusi i organizatës dhe veprimtaria politike.

Autori nuk mbetet me një pasqyrim të thatë të ngjarjeve në frontet e luftimeve, qoftë me çetnikët nacionalistë, qoftë me brigadat partizane, Ai qe eksponent e zadhanës i lëvizjes kosovare, por ai asht edhe publicist. Ai do t’i evidentojë faktet e shifrat, por nuk mund të qendrojë indiferent kur do të shpalosë tabllo të gjalla e impresionuese që pasqyronin shkallën e vendosmërisë e të vetmohimit të kësaj popullate. Ai s’mund të fshehë entuziazmin e ligjshëm kur përmenden fitore të tilla të bujshme shpartallimi i tre divizioneve armike të motorizueme ose mposhtja e një fuqije prej 24,000 partizanësh e që u pasue nga plagosja e vetë Titos. Momente të tilla të tjerë si për shembull ai i adoleshenteve 14-15 vjeçare që me shishe e benzinë hidheshin mbi tanket armike, detyruen në shtatorin e 1944-ës edhe BBC-në t’i bante jehonë luftës heroike të shqiptarëve që “…. po mbronin kufijtë kundër forcave serbe e bullgare, shumë herë superiore në njerëz e armatime”.

Njëheri ai s’mund të fshehë as humbjet e shokëve, sikur nuk fsheh dhimbjen, një dhimbje krenare, sepse faqet e heroizmit që u shkruan qenë tronditëse, por edhe të papërsëritshme, siç qe ajo e treqind të rinjve vuçiternas të batalionit “Hasan Prishtina”, që tue mbetë të vramë të gjithë, ngritën nji përmendore të re, atë të “Termopileve të Kosovës”. Historia u tregua mizore me ne si edhe me Kosovën heroike, që ndonëse provoi humbjen e 40-50 mijë bijve ma trima, ajken e burrave patriotë e të intelektualëve të saj, nuk mundi ta ndalte pushtimin sllavo-komunist, pushtim që u pasue nga një genocid i papamë. Asht ky genocid që e hedhë në dëshpërim të vërtetë autorin e jo vdekja e atyne që ranë në fushë e betejës, në përleshje me shovinistët serbo-malazezë e maqedonas.

Ndonëse dokumentacioni nuk asht i plotë, ai asht rrënqethës, sepse përmban lista të pafund dëshmorësh dhe pushkatuemish dhe ne do të bindemi mbi sakrificat mbinjerëzore të vllazënve tanë të atyne viseve. Listat janë aq të hollësishme, sa që krahas emrave, viktimave u shënohet edhe mosha, qyteti e fshati, disa herë edhe profesioni dhe data e vasjes. Dhimbja dhe helmi i autorit ndaj këtyne jetëve të pafajshme që u shuen pa gjyq nga skuadrat e pushkatimit, shtohet edhe ma shumë kur mendohet se ç’rol të pabesë luejtën në këtë mes brigadat tona që iu hapen rrugën pushtuesve të rinj.

Formon një kapitull më vehte (kap.IV) analiza e fenomenit të zhgënjimit që provoi ajo pjesë e popullsisë, e cila qe mashtrue nga propaganda komuniste e mbarsun me sllogane hipokrite e premtime ledhatuese. Janë faqe të tana të këtij kapitulli kushtue reagimit të menjihershëm të popullatës që rivendikonte të drejtat legjitime e ma vonë në kryengritje të armatosun. Situata kërkonte sakrifica të tjera dhe epopesë kosovare iu shtuen faqe të reja heroizmi popullor që u shkruen me gjak në Ferizaj, Gjilan, Preshevë etj., tue njoftë një kulm të ri me Drenicën kreshnike. Do të arrijnë përmasat e legjendës vetmohimi i komandantëve të tillë si Aqif Bluta, Shaban Polluzha, Xhem Gostivari dhe Haki Tarja, trimit që vrau Miladinin.

Në faktet që sillen në kapitullin V bindemi mbi shërbimin antikombëtar e antihuman që brigadat e partizanëve shqiptarë i sollën politikës shoviniste të komunistëve sllavë.

Asht shumë sinjifikativ fati i prijësit të shquem kosovar, Mulla Idriz Gjilani, që mbas takimit me Shefqet Peçin, hodhi armën për të pësue ma vonë një zhdukje të pabesë e mizore. Konkluzioni asht shumë elokuent: Kosovari i vendosun me luftue deri në vdekje, ballëpërballë me armikun sllav, e lëshoi armën, sepse e dekurajoi diversioni hileqar i bashkatdhetarëve.

Nëse në kapitujt e maparshëm mbizotnoi shtjellimi i një materiali faktik të ngjeshun, me një forcë të madhe denoncuese, në kapitullin e gjashtë ai ngritet mbi ngjarjet dhe me sensin e publicistit të mirëfilltë nxjerr konkluzione të argumentueme, mbas ballafaqimit të tezave të kundërta. Skeptikëve e disfatistëve që kontestonin Lidhjen e Dytë të Prizrenit ai iu kundërven legjitimitetin e synimeve të saj, synime të karakterit krejtësisht vetëmbrojtës. U derdh gjak dhe sakrificat qenë shumë të mëdha, por pa këtë tribut, asnjë popull nuk fiton lirinë. Ndonëse liritë politike nuk u fituan, u rritën mundësitë e zhvillimit arsimor e kulturor, pat arritje që u vlerësuan edhe nga personalitete si Ernest Koliqi, konsiderata që sillen edhe në faqet e këtij kapitulli.

Dashunia për tokën amë i sugjeron autorit që në një kapitull të veçantë, kapitulli VII, të evidentojë pasunitë natyrore të Kosovës, rezervat e saj ekonomike dhe ç’perspektiva do t’i siguroheshin Shqipnisë po të realizohej bashkimi i trevave.

Tue e analizue përmes kapitullit VIII shifrat zyrtare e jozyrtare, ai vërteton vitalitetin e shqiptarëve dhe s’mund të fshehë ngazëllimin e vet, sidomos kur ky fakt konstatohet, qoftë edhe përmes shifrave tendencioze e të manipulueme, në kushtet e genocidit e të emigrimit të detyruem. Përfundime: Në këtë vepër, në radhë të parë, konstatohet një dashuni e thellë për Kosovën e Kombin, e ndjekun nga një përkushtim total mendor e shpirtnor, qoftë në përpunimin e platformës politike, qoftë në veprimtarinë praktike për organizimin e drejtimin e strukturave që luftonin për çështjen kardinale të popullit tonë, çështjen kombëtare.

Përshtypje e dytë e menjëhershme asht bindja e plotë e autorit se, pavarësisht nga humbjet e rastit, çeshtja kosovare do të gjente zgjidhje në të ardhmen. Asht në nderin e tij që ky mesazh shprese përcillet larg çdo euforie historike, larg slloganesh politike të nacionalistëve fanatikë. Vetëm tue u mbështetë në argumentet shkencore që ofronin historianë, etnografë e dijetarë të huaj, ai provon absurditetin e pretendimeve serbe në antitezë me kërkesat e drejta të popullit autokton të Kosovës, bazue në norma historike, juridike e morale. Janë këto ide që përshkojnë kapitujt e fundit: “E ardhshmja e Kosovës”, “Shovinizëm i pasherueshëm”, “Frymë shqiptare e pansllavizmit” (mbi librin e Gjilas-it për Stalinin). Jo vetëm kaq: të befason fryma tolerante e humane që shoqnon këto ide, ide që u bajnë jehonë dëshirave të sinqerta të intelektualëve kosovarë që të krijohej një frymë mirëkuptimi me rininë e klasën punëtore të Serbisë tue i vue fre politikës shkombëtarizuese e antishqiptare të oligarkisë së Beogradit. Ndonëse ishim në vitet 60-të të shekullit tonë, pra afër pesë dekadash, ai ka një vizion të qartë mbi objektivat e diplomacisë botërore dhe perspektivat e politikës ndërkombëtare. Ernat e integrimit që po fryenin në Europë i shihte me besim. Frymëmarrja e re bashkëkohore për paqe e bashkëpunim i ringjallte shpresat se do të braktiseshin komplekset nacional-shoviniste dhe politikën e konfrontimeve do ta zëvendësonte fryma e arsyes dhe e së drejtës. Ndonëse qe kasnec i atyne trevave martire, që genocidi serb i shekullit XX u solli 200 mijë viktima e qindramijë emigrantë, pa harrue viktimat e regjimit të Millosheviçit para e gjatë Luftës së Kosovës, një vegim i tillë mbi Europën e ardhshme i sugjeronte këtë apel sa njerëzor dhe aktual: “Ka ardhë koha që Beogradi të braktisë politikën shoviniste-imperialiste dhe kështu popujt tanë … si dy popuj fqinj me vuejtje e interesa të përbashkëta, t’i mbyllin grindjet shekullore, për të hapë një fazë të re dhe për të krijue një atmosferë pajtimi e vllaznimi, siç po bajnë popujt e mëdhenj të Europës” (fq.118).

“Tallazet e jetës e lotët e zemrës”[redakto | redakto tekstin burimor]
Kjo përmbledhje asht një ndihmë për çdo lexues e studjues që të njihet me shkrimet e autorit, shpërnda në organet e ndryshme e në një hark të gjatë kohor. Ndër 28 shkrime vetëm pesë botohen për herë të parë si dhe tre janë ekstrakte nga librat e tjerë. Të tërheq vëmendjen fakti që shkrimet janë renditë pa ndonjë kriter tematik apo kronologjik. Tue u mbështetë te parathania modeste ku autori ban prezent goditjet e mëdha të jetës si dhe burimet e tij minimale ekonomike, mund të supozohet se dëshira me shfrytëzue ndonji okazion të çastit për botim, ia ka imponue këtë zgjidhje.

Për lehtësi studimi këto 25 shkrime, simbas përmbajtjes së përafërt përmbajnë këtë tematikë: 1. Problemi kombëtar e tragjedia e Kosovës; 2. Përkujtimi i trimave që ranë fli; 3. Shqiptarë të shquem në dhe të huaj; 4. Përshtypje e kujtime.

Siç vërehet tema e Atdheut asht mbizotnuese. Asht domethanës fakti që libri hapet me një fotografi të Fishtës dhe ndonjë referencë të gjatë që i bahet një fjalimi të poetit kombëtar mbi kufijt e Ilirisë së Vjetër. Kuptohet që autorit verbi fishtian i asht dukë argumenti ma bindës. Problemi qendror – ai i Kosovës – trajtohet jo vetëm në planin historik me shtrirje të gjanë, por edhe në një plan ma të ngushtë e ma të ditës, në historikun e lëvizjes irredentiste. Si material plotësues sillet edhe ekstrakti “Kosova e tradhtueme”, nxjerrë nga “Historia e Shqipnisë” e T.Zavalanit. Përmes shkrimit “Kontributi i kosovarëve për shtetin e ri shqiptar” bahet një vlerësim i përgjithshëm mbi rolin e Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Hoxhë Kadrisë, Bedri Pejanit e shumë patriotëve e intelektualëve të Kosovës në zhvillimet politiko-shoqnore mbrenda Shqipnisë.

Patriotizmi i autorit ka frymëmarrje të gjanë, në zemrën e tij ka vend për tanë trojet shqiptare e jo vetëm për Kosovën. Me shumë ndjenjë e me shumë mall përshkruen magjinë e bukurisë së rrallë të Valbonës, këtij margaritari aq të hijshëm të natyrës sonë fanatastike. Kjo atdhedashuri dhe krenaria kombëtare e nxitën të përkthente në shqip zanin “Shqipnia” nga enciklopedia turke. E mrekullojnë virtytet e larta të shqiptarit dhe traditat e rralla. Kujtoi me admirim At Gjeçovin, te i cili pat buejtë me shokë vuejtjesh tue “gjetë mikpritjen që e dallon fisin shqiptar”.

Një shkrim të tillë ia kushton një shqiptari të mërguem që ndonëse i shpëtoi jetën në mes të shkretëtinës një turisti anglez, nuk pranoi të tregonte emnin, sepse nuk donte shpërblim. Për qytetet e Shqipnisë amë, zgjidhen atribute e epitete plot konsiderata: Vlona kreshnike, Shkodra e Teutës, Gjinokastra e Çerçizit dhe Korça e Themistokli Germenjit.

Si një vëlla i vërtetë bahet shendeverë kur kujton qendresën heroike të Shkodrës e të Malësisë në Luftën e Koplikut. Mobilizimi i admirueshëm i zonjave shkodrane në ndihmë të luftëtarëve asht për te një fenomen i ri në jetën kombëtare. Në episodin e delegatit indian që befasoi Lidhjen e Kombeve, tue dëshmue mbi tolerancën fetare në Shqipni dhe tue e drejtue gishtin tregues nga Fan Noli – ndonëse prift kristian, përfaqësues i një vendi me shumicë muslimane – autori jo vetëm evidenton një të vertetë të madhe, por apelon që kjo harmoni të ruhet.

Ai asht patriot i ndjeshëm dhe nëse u dha rrugë ndjenjave të ambla për rastet e bukura, nuk di të stimulojë kur faktet e hidhuna flasin vetë dhe kështu shfaq edhe keqardhje e zhgënjim. Asht fjala për ata njerëz të shquem e talente të afirmuem, që ndonëse me origjinë të mirëfilltë shqiptare, i shkrijnë energjitë e tyre intelektuale e krijuese për kombe të hueja, ndoshta pa i dalë zot as origjinës. Kjo temë trajtohet ndër tre artikuj kushtue brezit ma të ri të personaliteteve shumë të njoftuna në Turqi, pikërisht poetit të lirisë, Namik Qemal, vjershtorëve të Rilindjes turke, Jahja Kemalit e Mehmet Akif Ersey-t, si dhe kangëtares Mahtab Spahia, talent shqiptar në muzikën arabe. Këto shkrime mbyllen me mllef të sinqertë, nuk kursehet as ironia as sarkazma. Tue perifrazue Vaso Pashen, përfundohet në apostrofen plot dhimbje: “E mjera Shqipni !”.

Për bijtë dinjitozë të kosovës që ranë fli për idealin kombëtar, autori manifeston një gamë të tanë ndjenjash të nalta. Mbi të lëshohet një dritë e fortë dhe s’dimë ku mbaron respekti dhe ku fillon adhurimi.

Vrasja e pabesë e Nazmi Gafurrit dhe e Simon Lekës e pat lëndue shumë në shpirt dhe ai s’vonoi dhe e shprazi vnerin që me sprovat e para të shkrimeve. Plaga qe e freskët dhe mënyra e reagimit qe e rrëmbyeshme e me tone të larta. Përkundrazi, shfaqet shumë i përmbajtun kur kujton vrasjen dhe varrimin e Avni Rrustemit, në një shkrim të pabotuem. Me siguri janë ngjarjet që i takojnë se kaluemes: koha ka ba punën e vet, tjetër përvojë jete ka, tjetër përvojë krijuese. Ndonëse plumbi tradhëtar i pat rrëmbye ish-kryetarin e shoqatës, ai riprodhon pa dozë subjektivizmi e me nuhatje profesionisti, kronikën e ceremonisë së varrimit dhe përshkruen me mjeshtëri tabllon e pikëllimit mbarëpopullor, tue mos harrue edhe detaje të tilla impresionusese si shkallën e mallëngjimit të Fishtës, kur ai u detyrue të mbahej nga ndihmës, ndërsa hypën mbi tryezë ku po mbante fjalimin e tij prekës me përmasa të skajshme.

Në përmbledhjen e masipërme faqet ma të shumta dhe shkrimi ma i gjatë u kushtohen Bajram Currit dhe tragjedisë së Dragobisë. Ky fakt asht plotësisht i justifikueshëm tue u ditë se ç’përfaqësoi Plaku i Maleve në jetën e autorit: Ai për të kishte përmasat e një idhulli. Nuk befasohemi kur mbrenda atyne faqeve ne ndeshemi me një lum atributesh, në akord me intensitetin e ndjenjave të autorit. Janë pengu i nderimit që heroit ia blaton dishepulli, bashkëluftëtari, atdhetari i devotshëm dhe le t’i rreshtojmë: “Plaku i Maleve, Plaku Legjendar, Plaku i Kosovës, Plaku Zamadh, Prijsi, Prijsi i Madh, Trimi Revolucionar, Kryetrimi, Heroi i Maleve, Fatosi i Maleve, Kryetari i Madh i Fisit, Kreshniku, I dlirti mbi të dlirtët.

Në sintoni të plotë me këto ngjyrime tingëllojnë edhe pasazhet ku jepet portreti fiziko-moral – fill pasi janë riprodhur vargjet e elegjisë së Nolit: “Hijerandë me një shtat vigan që bante për vedi zemrat e njerëzve që me takimin e parë, Bajram Curri ishte krijesa ma e bukur dhe personaliteti fizik ma i përsosun që mund të përfaqësojë rracen illyriane”. “I squet dhe i shkathët, i urtë dhe gojëambël, trim dhe luftëtar i patrembshëm, ndershëm dhe modest sa me u dhanë arsye e me u lëshue rrugë edhe kundërshtarëve ma të humbun …. ai qe simboli ma i lartë i patriotizmit kosovar dhe i burrnisë shqiptare”.

Ky karakterizim s’ka nevojë për koment. Publicisti kalon në apologji, mendimi shkrihet me ndjenjën, objektivja e subjektiven dhe te heroi ka vetëm virtyte e asnjë cen. Bajram Currit i janë kushtue tre shkrime nga autori, botue ne vite të ndryshme. I pari, ma i gjati, ma i ploti e njëheri ma i realizuemi qe ribotue edhe në revistën autoritare “Hylli i Dritës” (mars, 1944).

Përmbledhja mbyllet me mbasthanien dhe një përmbledhje të tragjedisë së Kosovës ku autori pohon se “libri në përmbajtjen e tij ka ma tepër nji karakter irredentist se sa nji vleftë letraro-shkencore”. Vlerësimi që i ban veprës së vet, përveç modestisë, karakteristikë e personalitetit të Tahir Zajmit, mendoj të ketë edhe një arsye tjetër: nevoja që të justifikonte para lexuesit që mund të bezdiset, sepse si autor edhe në mbyllje, iu rikthye sërishmi problemit të Kosovës, sinonim i jetës për të. Me këtë rast le të rikujtojmë vlerësimin që i bani redaksia e “Shejzave”.

I ndjemi Tahir Zajmi si mik i dashtun i yni e bashkëpunëtor i “Shejzave” edhe një herë po bujarson këto shtylla me emnin e vet të paharrueshëm. Prej botës së andejme, ku gjettë prehje mbas jetës plot travajë, prapë po ban për me tingëllue zanin për naltësimin e vlerave kombëtare.

Aq sa muejti u rropat gjatë stinës se vet njerëzore me vue në dukje figura veteranësh dhe episode patriotizmi. Gjithnji e ndiqte dëshira me u paraqitë të rijve shembullin e burrave, që të frymëzuem nga tradita fisnike, e shpëtuen emnin e kombit prej territ të harresës me të cilën armiqte e kishin destinue me humbë”.

Disa konsiderata:[redakto | redakto tekstin burimor]
Kjo përmbledhje paraqet fizionominë e Tahir Zajmit si një publicist serioz që udhëhiqet nga parime fisnike mbi kombin, lirinë, plot humanizëm, me koncepte dinjitoze mbi shtypin, armik i megallomanisë, përçues i së vërtetës. Preferoi temën politike dhe atë historike në funksion të ideve patriotike. Asht e qartë përpjekja e tij për të arritë mjeshtërinë e të shkruemit, prirja për të hijeshue stilin, figuracioni s’asht i shpeshtë, por ai asht spontan e jo i kërkuem, s’asht stoli, por unjisohet me mendimin e ndjenjën. Kur momentet që përshkruen janë kobtare dhe tronditëse, ai s’asht ma publicisti gjakftohtë i logjikës së fakteve dhe fjalës së akullt cerebrale. Mbizotnojnë ndjenjat dhe ai hapë shteg të lirë, sepse në radhë të parë asht idealist dhe militues. Ja disa pasazhe të zgjedhuna: “…. marsi i vitit 1925 qe tragjik; në ditët e tij të zeza e të pikëllueshme u rrëzuen përdhe dy nga ma të fortat shtylla të godinës kombëtare – Bajram Curri e Luigj Gurakuqi”. “Të marrmen fund tragjedia, kumti i zi përhapet si rrufeja …. Dhe Shqipnia e shqiptarët qesin futen e zezë”. “…. zanat e maleve e vashat shqiptare filluen gjamën e përmotshme: “E shiftë Zana o Zot, dorën e mallkueme të atij gjaksori që vrau zemrat e shpresen e vendit !”.

Momente të tilla prekëse plot pathos të sinqertë janë të pranishme sa herë përshkruhen pabesi, por me gjithë shpirtin e lënduem, ai nuk rrëshqet në dëshpërim të zi. Humbjet ia përtrijnë forcat dhe ai kalon në revoltë e kushtrim, siç dëshmon ma poshtë: “…. të marrin vesht korbat e zez të Shumadijes se aty ku derdhet gjaku i shqiptarëve të pafajshëm kanë me mbijë me qindra lule të reja për ta përhapë erën e kandshme të lirisë …. Nji ditë do të vijë që gjaku i dëshmorëve do të kërkojë gjyq para Fronit Hyjnuer dhe e drejta e stërnipave illyrianë kundër dhunës e forcës brutale të sllavizmit të egër do të triumfojë ….”.

Kjo forcë e madhe morale; ky optimizëm që u shpreh që para viteve ’30, e ka mbajtë gjallë autorin gjatë gjithë odisesë së tij, kështu që do të shfaqet sërishmi edhe shumë vite ma vonë te artikulli “Lëngata e mjerimit” (revista “Koha Jone”, prill, 1970) …t’a kemi të patundun uzdajën në fatet dhe në avenirin e Atdheut, qi sikurse u ka ba ballë shtërgatave të moteve gjatë shekujve dhe invazioneve të hueja, ka me kalue edhe ket krizë të randë që solli lufta e dytë botnore dhe murtaja komuniste qe patjetër ka m’u shembë e m’u zhdukë nga faqja e kësaj toke. Me ket urim dhe ket shpresë në zemër të qendrojmë si burrat, si të parët t’onë të moçëm …”.

Tue sjellë si dëshmi vetë fjalët e mësipërme të Tahir Zajmit, plotësohet ma së miri imazhi i tij si luftëtar e publicist me bindje të thella e besim të plotë në idealet e tij të shenjta, të cilave me pushkë e me pendë ua kushtoi të gjithë jetën.

Ato rreze shprese për ditë ma të bardha, pikërisht në vitet ’70, kur perspektivat për përmbysjen e Murit të Berlinit e pasojat e saj në kushtet e ekuilibrit të vendosun në mes të Perëndimit e Lindjes, ishin imagjinare dhe të kujtonin mirazhet në shkretëtinë, mund të buronin vetëm prej një shpirti fisnik si i Tahir Zajmit.

Na që jo vetëm jetuem mbas vitit 1990 përmbysjen që aspironte ky bir i denjë i trevës dardane dhe militant i devotshëm i çashtjes mbarëkombëtare, por edhe që po përjetojmë ditë shpresëdhanëse për Kosovën, na duhet të rivlerësojmë kontributin e tij dhe trashëgiminë e vyer të tij ta bajmë pjesë integrante të historisë e kulturës shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *