POLITIKA KOMBËTARE

ME QEVERITARËT PA VIZION, SHTETI DREJT VDEKJES “KLINIKE”!

Shkruan: Florim ZEQA

Shtetit tonë nuk i mjaftuan 17 vjet nga paslufta dhe mbi tetë vjet nga njohja ndërkombëtare për të ndërtuar institucione kredibile, zhvillim ekonomik, mirëqenie qytetare dhe stabilitet politik.

Në rrethana normale, çdo vendi të dalë nga një luftë çlirimtare do t’i mjaftonin më pak se pesë vite për t’u konsoliduar në të gjithë mekanizmat shtetërorë, do t’i mjaftonin më pak se dhjetë vite për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet ekonomik.

Mirëpo, shtetit tonë nuk i mjaftuan 17 vjet nga paslufta dhe mbi tetë vite nga njohja ndërkombëtare për të ndërtuar institucione kredibile, zhvillim ekonomik, mirëqenie qytetare dhe stabilitet politik.

Mungesa e vizionit qeverisës me vendin, papërgjegjësia e liderëve shtetërorë dhe partiakë ndaj institucioneve shtetërore, si dhe mungesa e një strategjie të qartë kombëtare, ka çuar në degradimin e vazhdueshëm të shtetit të Kosovës, që për pasojë ka humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit të vet.

Mungesën e vizionit qeverisës të klasës aktuale politike e vërtetojnë edhe rokadat e fundit apo siç po i quajnë “reformatim” i Qeverisë, i cili kryekëput bëhet për interesa të politikave ditore, në dëm të së ardhmes shtetndërtuese për realizimin e interesave të një grupi të vogël njerëzish të veshur me “petkun” e pushtetit!

Uzurpimi i shtetit në përgjithësi dhe institucioneve të pavarura shtetërore në veçanti nga një klasë e papërgjegjshme politike ka bërë që shteti i Kosovës për dikë të bëhet nënë e për dikë tjetër njerkë

Çmimin e paguajnë qytetarët

Të fortët e politikës e diktojnë ligjin dhe drejtësinë në vend, për të mbetur gjithnjë të paprekshëm nga drejtësia, edhe përkundër shkeljeve dhe abuzimeve serike me institucionet shtetërore, deri në shkeljen e aktit më të lartë juridik në vend-Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për ironi të faktit, shkelësit e Kushtetutës në vend të ndëshkimit, shpërblehen me poste në institucionet më të larta të shtetit.

Ironia më e madhe mbetet fakti, se të gjithë ata që marrin guximin t’i kritikojnë dukuritë abuzive të qeveritarëve,….nga pushtetarët dhe mbështetësit e tyre trajtohen jo si oponentë politikë, por si armiq dhe rrënues të rendit kushtetues në vend,…të gjithë ata që protestojnë kundër veprimeve antikushtetuese të liderëve shtetërorë i trajtojnë si huligan dhe rrënues të shtetit!

Targën e shkatërrimit të shtetit e bartin ata që e kanë pushtetin në dorë e jo të nëpërkëmburit e tyre, ndërsa si gjithnjë çmimin e paguajnë qytetarët e vendit, shtresat më të rrezikuara të popullatës, të varfrit dhe pensionistët me të ardhurat më të ulëta jo vetëm në rajon,…ndoshta në tërë globin ekzistojnë vetëm dhjetëra shtete me gjendje katastrofale siç është Kosova.

Një klasë e re politike mund ta çojë përpara shtetin

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në kontinentin evropian, që nuk gëzojnë sigurime shëndetësore, përderisa në shtetet europerëndimore edhe kafshët shtëpiake janë të siguruara, të mos flasim për pronat, pasuritë e patundshme dhe jeta e qytetarëve.

Në anën tjetër, qeveritarët milionerë të Kosovës, pa fije turpi krekosen për “suksese” në qeverisjen e vendit, për “zhvillim” ekonomik inekzistent dhe (de)stabilitet politik.

Qeveritarët e ardhur në pushtet përmes krizave artificiale dhe bllokadave politike, tani e sa muaj qeverisin nën rrethana të jashtëzakonshme, pa funksionim të parlamentit, si institucioni më i rëndësishëm juridiko-politik dhe ligjvënës në vend.

S’ka si të quhet ndryshe pos “SUI GENERIS” i llojit të vet, kur një shtet udhëhiqet nga shkelësit e Kushtetutës së vendit, ndarësit dhe përçarësit fatalë të elektoratit të partive të tyre politike,…ku të njëjtët në vazhdimësi injorojnë me përbuzjen më të madhe vullnetin e qytetarëve të vendit.

Mungesa e vizionit politik e liderëve shtetërorë në njërën anë, krimi i organizuar dhe korrupsioni në anën tjetër janë bërë pengesa serioze të ecjes së shtetit dhe mirëqenies qytetare.

Vetëm një klasë e re politike, me vizion të qartë, me ide të shëndosha dhe projekte konkrete zhvillimore mund ta çojë përpara shtetin, në të kundërtën, me këtë klasë politike të papërgjegjshme dhe servile ndaj ndërkombëtarëve mund t’i kalojmë edhe 17 vite të tjera me kriza dhe skandale politike të llojit të njëjtë, në agoni, në mjerim social, pa shpresë për ardhmëri,…drejt vdekjes “klinike” të shtetit, me qytetarë të heshtur që u ngjajnë të sëmurëve në gjendje “kome”…!

Vetëm lëvizja progresive e qytetarëve është shpëtim për vendin. Qytetarët aktivë në jetën shoqërore janë burim shprese dhe ardhmërie për vendin e tyre,…përderisa pasiviteti qytetar e shndërron shtetin në një moçal, ku as bretkosat nuk mbijetojnë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *