POLITIKA KOMBËTARE

Bushati shkëmben çështjen çame me atë të refugjatëve

Shkoi për lesh e doli i qethur. Ministri i Jashtëm s’foli as për çështjen çame e as përparoi në marrëveshjen për ujërat, por iu nënshtrua akuzave greke për ksenofobi dhe mori përsipër, pa kurrfarë konsultimi me opinionin publik, pritjen e mijëra refugjatëve sirianë në kampet e këndejkufirit, në Korçë e Gjirokastër!

Pyetja e Ditës: A do distancohet PDIU-ja, nga një qeveri që mashtron 10 herë në ditë për çështjen çame? 

Ditmir Bushati shkoi në Greqi me misionin e shpëtimtarit të marrëdhënieve dypalëshe, por u kthye si një student që mori leksione nga homologët grekë se shqiptarët po tregohen ksenofobë e s’po respektojnë as minoritetin e as refugjatët sirianë. Dosja e famshme që u reklamua nga mediat proqeveritare se përbënte zgjidhjen ideale që s’ishte gjetur më herët, për shkak të qeverive të Tiranës, u shkri si kripa në ujë. Bushati s’shqiptoi dot asgjë nga ato që kishte deklamuar në Tiranë gjatë konferencës për shtyp, përkundrazi u desh të përgjigjet për një çështje që s’ekziston, si ajo e shkeljes së të drejtave të minoritarëve grekë. Ai dëgjoi në heshtje leksione se si grekët na kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës, bile kapërdiu edhe kujtesën e homologut të tij Kotsias, i cili tha se për këtë sjellje “ekzemplare” greke, dëshmitare ishte edhe bashkëshortja e Bushatit, gjatë viteve kur ishte arsimuar në Selanik.

Paketimi i dështimit nën shprehjen “çështje që i takojnë Luftës së Dytë Botërore” s’mund të jetë përgjigje për pritshmëritë e publikut shqiptar. Në Tiranë presin rezultate jo veç për heqjen formale të Ligjit të Luftës (edhe për të, s’u mor kurrfarë angazhimi nga pala greke), por së pari për avancimin e çështjes çame si dhe çështjeve të pronave të shtetasve shqiptarë në Greqi. Ditmir Bushati sërish s’guxoi ta shqiptojë fjalën “çështje çame” edhe pse për këtë gjë kishte marrë angazhim solemn në Tiranë dhe u ishte përgjigjur pozitivisht edhe apeleve të drejtuesve të PDIU-së. Dështimi u shoqërua me hilen e porosive tek mediat dashamirëse ndaj tij, të cilat u përkujdesën të thoshin se “burimet tona thonë se atje brenda është përmendur edhe çështja çame”. Më tallëse se kaq s’ka si bëhet.

Rezultati i vetëm që u korr nga “ekskursioni” i Ditmirit në Athinë ishte premtimi si një nxënës ngelës, se këndej e tutje do të pranojmë çfarëdolloj vale refugjatësh që Greqia do na orientojë drejt kufijve tanë, ndërkohë që për të tjerat, ka mjaftuar “listimi” i problemeve, a thua se një listë e tillë s’figuronte më herët. Mospërmendja e çështjes çame dhe bashkëshoqërimi i dështimit me përpjekjen për të manipuluar opinionin publik në Tiranë meriton një përgjigje emblematike. Jo veç nga PDIU e cila e ka thirrur vetë veten në mexhlis, por edhe nga të gjithë faktorët e tjerë politikë që ndjejnë se amatorizmi në politikën e jashtme, po kthehet në një bumerang që po rrënon ekonominë kombëtare dhe po rrezikon të cenojë edhe stabilitetin social.

3 thoughts on “Bushati shkëmben çështjen çame me atë të refugjatëve”

  1. Po mirë deri këtu.A e dini se pritet edhe firma greke për hapjen e bisedimeve për antarësim në B,E.Hapja e çështjes çame tani nga diplomacia jonë ka pasoja të mëdha.Të tërë e duam zgjidhjen e çështjes .çame,por Shqipëria është ende duar lidhur

  2. Ne shqipetaret shqiperi kosov maqedoni kemi problem mungesen e politikaneve trima te cilet do te kene guximin tu thon gjerat troq grekut serbit e maqedonit.keta ishin jane dhe do te jene armik i yni gjithmon pa mar parasysh se qfar sisteme do te jene ne kete bote.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *