OPINIONE

Zbrazja në heshtje e Kosovës, mallkim për shtetin!

Shkruan: Florim Zeqa

Largimi në mënyrë masive i të rinjve dhe familjeve shqiptare nga Kosova i ditëve të fundit e rrezikon të ardhmen e vendit nesër.

Është tepër e dhimbshme kur dëgjon që familje të tëra, të lodhura nga skamja e denigrimi social, nga humbja e të gjitha shpresave për një të nesërme më të mirë në shtetin e lirë…, më lot në sy, me dhembje në shpirt e mbyllin pragun e shtëpisë së tyre, për t’u nisur drejt një shprese të re në vende të panjohura. Është shumë e dhimbshme kur fëmijëve u ndërpritet fëmijëria në vendin e tyre; kur nxënësit ndahen nga shokët e klasës, nga mësuesi që ua mësoi alfabetin e gjuhës shqipe, nga familja e farefisi i gjerë, ndoshta për të mos u parë më kurrë më mes vete në këtë jetë! Shuarja e shpresave, e ëndrrave, për të krijuar lumturi të përbashkët familjare në shtetin amë, në vendlindjen e tij është gjëja më e dhembshme që mund të përjetojë njeriu në jetën e tij.

Zbehja e shpresave të qytetarëve

Para tetë vjetëve, kremtimet e gjata të pavarësisë ngjallën shpresa dhe gjallëri në jetën e qytetarëve kosovarë. Të gjithë prisnin zhvillimin ekonomik të vendit, prisnin investime vendore dhe ndërkombëtare që do të gjeneronin hapjen e vendeve të reja të punës, ngritjen e mirëqenies qytetare,…të gjithë prisnin qeverisje të mirë dhe transparente. Mirëpo, me kalimin e ditëve, muajve dhe viteve filloi të zbehej dhe zhbëhej shpresa e qytetarëve për jetë në shtetin e tyre të pavarur. Mbase zgjedhjet e fundit parlamentare ishin rasti i fundit për kthimin e shpresave të qytetarëve. Atëherë kur të gjithë ishin në pritje të ndëshkimit të keqqeverisjes shtatëvjeçare, të atyre që katandisen shtetin dhe thyen shpresat e shqiptarëve, ndodhi e kundërta,…shpërblimi qeveritarëve të korruptuar u erdhi nga subjekti më i madh opozitar, nga subjekti me traditë më të gjatë politike dhe demokratike… Ikja e të rinjve nga Kosova nuk ka të ndalur, pothuajse çdo ditë nga stacioni i autobusëve në Prishtinë dhe nga qendrat e tjera të Kosovës, numër i madh i kosovarëve (shqiptarëve) mbushin autobusët e linjës Prishtinë- Beograd për të vazhduar për Hungari, me destinacion drejt vendeve të perëndimit. Flitet për dhjetëra mijëra shqiptar të Kosovës, që gjatë këtyre dy vjetëve të fundit u “konvertuan” në shtetas të Serbisë, për t’u pajisur me një pasaportë serbe,…mundësi kjo e ikjes më lehtë nga Kosova drejt vendeve europerëndimore. Emigrimi është bërë plagë e pashërueshme e popullit tonë, arsyet e ikjes së një numri të madh të qytetarëve janë kushtet e vështira socioekonomike,…situata e rënduar politike dhe e paperspektivë, ka çuar në humbjen e shpresave për jetë dhe ardhmërinë vendin e tyre. Prapavija po ashtu është politike, objektiv i kahershëm i fqinjëve tonë veriorë (serbëve) për zbrazjen e Kosovës nga popullata shqiptare po bëhet realitet në Kosovën e “pavarur”,….këtu nuk përjashtohen as marrëveshjet e fshehta të Serbisë me disa nga shtetet europerëndimore! Përderisa politikanët tonë të mjerë më tepër janë shndërruar në spektatorë se vendimmarrës në shtetin e tyre,…si gjithnjë përfitues të këtyre situatave janë kontrabanduesit e njerëzve në bashkëpunim me qeveritarët andej dhe këndej kufirit !

Zbrazja në heshtje e Kosovës nuk ka të ndalur

Largimi në mënyrë masive i të rinjve dhe familjeve shqiptare nga Kosova i ditëve të fundit e rrezikon të ardhmen e vendit nesër. Mallkimi dhe rënkimi i të ikurve me shpirt të thyer nga vendlindjet e tyre ndjellë kob për shtetin e Kosovës. Njerëzit nuk po ikin nga dëshira, por nga pamundësia për të jetuar dinjitetshëm në atdheun e tyre,…pushtetarët ua mbyllen të gjitha dyert, ua shuan të gjitha shpresat për jetë në vendlindjen e tyre. Ikja nga vendlindja është zgjidhja e fundit, është rrugë e rëndë dhe e mundimshme, por për fatin e keq të shumicës shqiptare, një grup njerëzish të papërgjegjshëm ua kanë uzurpuar çdo pore të jetës në Kosovë. A ka dëshpërim më të madh, kur babai i një dëshmori, që e kishte të vetmin djalë, i shkon tek varri dhe i thotë: “Lamtumirë o bir, unë po ta kthej shpinën dhe po e lë vendin për të cilin dhe jetën ti o drita e vetme e jetës sime…”. Jo vetëm e dhimbshme kjo, është mallkimi më i madh për pushtetarët, për qeveritarët që u është bërë gjaku ujë,…të cilëve përveç egos së pafundme për pasurim dhe uzurpim të shtetit, nuk shohin gjë tjetër para vetës. Atyre pushtetarëve që u kanë mbet vetëm edhe pak ndjenja njerëzore në shpirtin e tyre, duhet t’i thërrasin ndërgjegjes e të i thonë STOP kësaj gjendje mjeruese në vend, në të kundërtën përveç mallkimit të bashkëkombësve të vet, një ditë do t’i zërë edhe mallkimi i Zotit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *