OPINIONE

Shpulla…

Shkruan: Edison Ypi

-Meqënëse po thonë se të persekutuarit s’kanë goditur kurrë as me një shpullë të vetme ndonjë persekutor, unë që u betova se nuk do kthehem kurrë, erdha t’ja rras me shpullë njërit prej tyre, spiunit tim. E kërkova por nuk e gjeta, kishte vdekur.
Kështu e nisi bisedën miku që iku me lot në sy në ’90-ën.
-Më vjen po aq mirë, i thashë, që spiuni yt paska vdekur, sa edhe keq që vdiq pa i hequr ti një shpullë që të shprazje dufin. Duket si hakmarrje e të vdekurit ndaj të gjallit. Sikur spiuni yt paska vdekur për të mos ta mundësuar ty të hakmerreshe ndaj tij duke i dhënë një shpullë surratit. Unë nuk jam i qartë si do isha sjellë në këto rrethana me spiunin tim.
-Edhe ti paske pasur spiun ?
-S’ka shqiptar të mos ketë patur spiun.
-Shpullën që s’ja rrasa dot spiunit, vendosa t’ja ngjesh gjykatësit por dolën disa ngatërresa. Me gjyqin e një nipit tim po merret një shok i ngushtë i ish gjykatësit t’im. Që do të thotë se po t’i fusja shpullën gjykatësit do merrja më qafë nipin. Lashë gjykatësin nisa të kërkoj prokurorin t’ja rras atij shpullën. Me prokurorin ishin hakmarrë të tjerë para meje. Kishte rënë viktimë e luftës brenda llojit kur unë isha ende në burg. Pas prokurorit vendosa të kërkoj hetuesin. Hetuesi më doli autoritet i lartë i një universiteti privat. Por në atë universitet studiojnë një mbesë dhe një nip të cilët do gjenin belanë nëse shpullën do ja rrasja hetuesit. U largova nga hetuesi për të gjetur njërin nga dëshmitarët. Atë, i cili, pa më njohur fare, në gjyq tha për mua gjithato gënjeshtra. E takova dëshmitarin rrenacak. Sa më pa nisi të më kërkojë falje në një mënyrë aq të pështirë sa s’ta rrëfej dot. U jargavit dhe u zhgërrye aq ndyrë para meje sa mu duk se po tja rrasja një shpullë dora do më ndotej aq tepër sa pas shpullës nuk do mund ta laja dot kurrë, as nuk do mund ta mbaja dot më, por do ta prisja me sëpatë me dorën tjetër. Dhe e lashë atë plehër e nisa të kërkoj një tjetër dëshmitar rrenacak. E gjeta rrenacakun tjetër, mirpo pak minuta pasi e takova, doli se një djali i tij ishte dashuruar, më pas fejuar dhe në pritje për tu martuar me një kushërirën time. Edhe mund tja kisha futur një shpullë atij ndyrësire. Por halli se pas shpullës mund të bëja lëmsh jetën e kushurirës. Ndërkohë që po mendoja se kush tjetër e meritonte shpullën, mora vesh diçka llahtarisëse; Një dhëndërr i familjes t’ime paskësh qënë spiun. Nuk besoj se na ka dëmtuar direkt. Ama gjithçka që kishim llafosur kishte përfunduar në veshët e syshkabës, Sigurimit. U tmerrova aq tepër sa nisa ta shoh me dyshim krejt farefisin. Nuk më rezultoi që ndonjë apo disa prej tyre kishin qënë spiunë, por të tërë bashkë m’i mbuloi përgjithmonë mjegulla e dyshimit. Megjithatë nuk u ndala në rrugën për gjetjen me çdo kusht të njeriut që meritonte shpullën. Ku s’më vajti mendja. Kam pasur dy shokë të cilëve u thosha gjithçka.Të dy u zhdukën në mënyrë misterioze njëri në Amerikë tjetri në Itali sapo u muar vesh që diktaturës po i kërrcisnin trarët. Nuk mund të them kanë qënë a s’kanë qënë spiunë. Di të them vetëm se ikja e tyre e beftë mbetet e dyshimtë. Në këto e sipër mora vesh ca lemerira të tjera; Njerëzit e spiunit t’im të vdekur, atij që nga njëra anë bënte muhabet me mua, m’anë tjetër shkonte i zbrazte të gjitha, ishin të lidhur prej vitesh me interesa biznesi me ca njerëzit e m’i që jetojnë në një qytet tjetër. Gjykatësi ishte mpleksur në ndërtimin e një pallati trualli i të cilit është i një mikut tim. I zhytur në këto ngatërresa, thash t’ja rrasur shpullën turinjve ndonjë kushuriri nga ata që ma braktisën familjen kur më burgosën. Mendova t’ja rras shpullën më të ndyrit, atij që braktisjen nuk e bëri si të gjithë, nga frika, por me ndërgjegje të plotë duke dhënë spjegime të pështira për luftën e klasave dhe vigjilencën proletare. Pas gjithë këtyre viteve njerëzit e m’i dhe njerëzit e tij kishin zbutur goxha me njëri-tjetrin, kishin nisur të këmbenin vizita, fëmijët e tij dhe nipat e m’i ishin bërë njësh, kërcitja e shpullës t’ime mbi surratin e kushuririt shejtanbudalla, në këto rrethana s’do kishte kuptim. Zbulimi se diktatura jonë, si e imja dhe e spiunit t’im, e jotja dhe e spiunit tënd, dhe e të gjithë të tjerëve dhe spiunave të tyre, paska qënë aq e fëlliqur dhe aq e mpleksur, sa po më dëshpëron tej mase. Mpleksjet shqiptareske me spiuna dhe viktima paskan qënë ndyrësia e kësaj bote. Të lutem më ndihmon të mos kthehem pa ja rrasur dikujt një shpullë.
-Jam gati të ndihmoj, vetëm pare mos më kërko.
-A të ta rras ty shpullën ?
-Dyshon te unë ? Qënke çmendur.
-Me ç’po shoh e dëgjoj s’ka asnjë çudi që të dyshoj, jo vetëm unë tek ty, por edhe ti tek mua, edhe ti tek vetja jote, edhe unë tek vehtja ime. Meqënse ti s’po më ndihmon, unë po ndihmoj veten.
U ngrit në këmbë. Me sa fuqi kishte j’a rrasi vetes një shpullë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *