POLITIKA KOMBËTARE

Shoku i Ramës, Pitella di dy gjëra: Çmimin e gomones për refugjatët dhe që Blushi e ka gabim

Kryetari i grupit parlamentar socialist dhe demokrat në Parlamentin Europian, Gianni Pittella, më shumë sesa për krizën e refugjatëve ka folur për krizën e Ramës në Partinë Socialiste. Sa i përket refugjatëve, ai u tregua i kujdesshëm të shfajësonte Edi Ramën dhe paqartësinë e kryeministrit që thotë se “as s’do i hapim e as s’do i mbyllim kufijtë “ duke deklaruar se “Unë nuk kam qenë kurrë kritik ndaj Edi Ramës”. Më tej, z.Pitella duket se ka informacion edhe për çmimin një gomone që sipas tij shkon në 9000 euro. Shqetësimi evropian, i parashtruar edhe nga z.Pitella, për aktivizimin e rrjeteve të trafikut të qenieve humane është mëse i drejtë dhe tepër i bazuar veçanërisht kur vendi qeveriset nga një kryeministër që trafikantët i bën deputetë. Si rrjedhim, Edi Rama i njeh mirë ata që trafikojnë dhe “koncesionarët” e gomoneve për refugjatët. Refuzimi i qeverisë për zbatimin e dekriminalizimit prek ndër të tjera edhe këtë çështje globale që ka mbërritur në dyert e Europës. Kësisoj, kur krimi ka një mbështetje qeveritare që i siguron mandatin e deputetit, shtrohet pyetja nëse trafikimi i qenieve njerëzore do të ketë edhe garanci qeveritare?

Për krizën e Ramës, z.Pitella doli hapur krah kryetarit ilegal të PS-së duke thënë indirekt se Blushi e ka gabim. Për të nënvizuar mbështetjen e tij për Ramën, z.Pitella do të marrë pjesë në Kogresin e nesërm, që do të jetë një pazar ku do të privatizohet PS-ja nga një grusht oligarkët. Nga ndërhyrja e z.Pitella në debatin që ka zënë PS-në, pritshmëria ishte për respektimin e statutit dhe standardeve demokratike brenda partisë. Po ashtu, me rrezikimin e jetës që iu bë deputetit socialist, Ben Blushi në Elbasan, pritej edhe njëlloj mbështetje për këtë deputet që kërkon që PS-ja të jetë ashtu si simotrat e saj evropiane, kreu i të cilave në Parlamentin Europian është vetë z.Pitella. Çka po ndodh në PS, meriton një denoncim evropian, dhe jo mbështetje prej KOMINTERN-i, pasi kjo parti po jo vetëm po çon veten në origjinën e saj si Parti Komuniste, por po e gremis Shqipërinë në një depresion ekonomik dhe social. (Gazeta55)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *