OPINIONE

PAK ÇASTE NË UNIVERSIN E SHËRBESTARIT TË SHQIPËRISË ETNIKE MIT’HAT FRASHËRI

Shkruan: Ilir Hysa, PhD

Në Nju Jork u përkujtua 136 vjetori i lindjes së patriotit, diplomatit, njeriut të letrave, apostullit të Kosovës martire, avokatit të zellshëm të Çamërisë, shqiptarit të madh dhe frymës së fundit të Frashërllinjve Mit’hat Abdyl Frashëri. Shqiptarë me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tubuan paraditen e së Shtunës, 19 Mars 2016 në Ferncliff Cemetery në Nju Jork, atje në varrezat ku ende nuk kanë mundur të prehen eshtrat e këtij njeriu të madh të botës shqiptare. Ashtu si çdo mërgimtar larg vendlindjes, i përmalluar në eterin e përjetshëm për mëmëdheun që i mungon për mëse shtatë dekada, apostulli stoik dhe shërbestari i devotshëm i Shqipërisë Etnike ende “pret” përmbushjen e amanetit të tij për tu prehur në atdhe. Në këtë përvjetor të lindjes së tij sërisht u mblodhëm dhe sërisht ishim pak por, aq sa ishim, hymë për pak çaste në universin e shërbestarit tonë dhe u ndjemë mirë që edhe toka jonë ka nxjerrë intelektualë patriotë të kalibrit të Mit’hat Frashërit.

Kontributet e Mit’hat Frashërit në shërbim të Shqipërisë janë shumëdimensionale. Në rrafshin patriotik, nuk ka pothuajse asnjë ngjarje madhore të historisë së Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit të 20-të në të cilën nuk ka dhënë kontributin e tij Mit’hat Frashëri. Duke filluar me Kongresin e Manastirit, ku ai u zgjodh kryetar, dhe deri tek përpjekjet për të çliruar Shqipërinë nga komunizmi pas mbarimit të luftës së dytë botërore, ngjarjet më tё mёdha historike të Shqipërisë njohin kontributin e patriotit zemërzjarrtë, djalit tё Frashёrit tё Pёrmetit, birit tё Abdylit dhe nipit tё Naimit e Samiut, Mit’hat Frashёrit. Mbi të gjitha, sjellja dhe aktiviteti i tij kishin të bënin me edukatën e shëndoshë patriotike që ai kishte marrë në familje. Të birit të Abdyl Frashërit, patriotizmi dhe dashuria për Shqipërinë i rridhte ndër deje. Ja si e përcakton Mit’hati edukimin familjar që kishte marrë: “Nga im atë, Abdyli, u brumosa me idenë se për mua Atdheu mori formën e një Perëndie, dhe kulti i Tij vendin e një besimi fetar.”

Mit’hati ishte nipi i Naim dhe Sami Frashërit, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në formimin e tij pas vdekjes së të atit kur Mit’hati ishte ende fare i ri. Për këtë arsye, Mit’hati e ndjeu thellë humbjen e ungjit të tij të madh, poetit kombëtar Naim Frashërit. Ai gjithashtu kuptonte se humbja e Naimit ishte më shumë se sa humbja e një ungji. Shqipëria kishte humbur një intelektual të klasit të parë. Ja çfarë thotë Mit’hati në eulogjinë për Naimin në Tetor të vitit 1900:

“O njerës. Mirrni pjesë nga ky vend që po mbulohet para syvet: Naimi shkoj për jetë! Shkoj për ne, po vate te Perëndija. Neve na mësoj të bëhemi të mirë, të duhemi, të punojmë, të duam Shqipërinë. Mirrni pjesë nga ky njeri përpara varrit të të cilit po rrimë me sytë të lotuar! Mbani mënt fjalëtë që na thosh, këshillatë që na jepte’. Kijeni për shëmbllë se ish i mirë, i virtutshëm, vetijëmirë, shpirtrmirë, i ëmbël! Tek ai çdo njeri gjente një ndihmës, një këshillonjës, një baba.

O shqipëtarë, në doni të nderoni kujtimin e këtij njeriu të math që po e qan sot e tërë Shqipërija, mbani mënt fjalët e tij: Jini të mirë, vetijpastrë, doni mëmëdhenë dhe gjuhënë tuaj!

U mbarua dhe shërbim’i fundit q’i bëmë këtij shqipëtari, të cilit i kemi detyrime të mëdha e të paharura sa të rrojë Shqipërija dhe gjuha shqipe.”

Mit’hati e kuptoi që në moshë fare të re peshën e madhe të kohës në të cilën jetoi. Kjo e bëri atë të jetë aktiv,duke qenë njëri nga firmëtarët e pavarësisë dhe ministër në qeverinë e Ismail Qemalit. Pas hapjes së Normales së Elbasanit, zgjedhja Ministër i Botores në Qeverinë e Ismail Qemalit, detyra e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë, botimi i revistës “Diturija”, botimi i “Kalendari Kombiar”, dhe biografia kushtuar Naim Frashërit, si dhe shkrimet e tjera si tek revista Albania e Faik Konicës dhe themelimi i librarisë “Lumo Skëndo”.

Testamenti i Mit’hat Frashёrit pёr ti lënё shtetit shqiptar pasurinë e tij, të tundshme dhe të patundshme me qëllim krijimin e një instituti albanologjik në Tiranё, i cili do të merrej me studime në fushën e historisë së Shqipërisë, ёshtё dёshmia mё e qartё e njё zemre e cila rrihte pareshtur pёr atdhe. Ajo ёshtё dёshmi e njё zemre qё jo vetёm mori pjesё me zell dhe pёrkushtim nё ҫdo ngjarje madhore tё atёhershme tё Shqipёrisё, por edhe dёshmi e njё zemre qё shqetёsohej pёr fatin e mёmёdheut pas ndarjes sё tij nga jeta.

Mit’hat Frashëri ishte largpamës dhe si njohës shumë i mirë i gjeopolitikës globale to kohës e paralajmëroi Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919 për rrezikun që paraqisnin fqinjët për sigurinë e Shqipërisë. Ai argumentonte në pamfletin “Kërkesat e Shqiptarëve”, i cili ishte njëri nga dokumentat që iu shpërndanë pjesmarrësve në konferencë nga pala shqiptare, se çeshtja e agresionit fqinj ishte vetëm çeshtje kohe, nëse konferenca nuk merrte në mbrojtje Shqipërinë. I njëjti material u botua në anglisht në Maj të vitit 1919 edhe në revistën THE ADRIATIC REVIEW me editorë Fan S. Noli dhe Constantin Anastasi Chekrezi që botohej në Boston, Masaçusets të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ja si shkruante Mit’hat Frashëri asokohe:

“Ka rëndësi të madhe për kombin shqiptar të gëzojë një pavarësi të plotë. Ne e vëmë theksin në termin të plotë, sepse qëllimet e një Fuqie fqinje (Italisë)nuk janë më sekret për askënd. Por një protektorat italian, ndërhyrja italiane në punët e Shqipërisë, do të ishte e barazvlefshme me një robëri me kohëzgjatje të shkurtër dhe një zhdukje fatale të racës shqiptare, e cila do të përmbytej nga vala e emigrantëve italianë, të cilët nga mbipopullimi i Italisë janë të detyruar ti dërgojnë çdo vit në Amerikë dhe pothuajse çdo vend tjetër të botës. Ndërhyrja italiane në Shqipëri do të thoshte skllavëri ekonomike të vendit dhe ngulfatjen e tij përfundimtare në krahët e fuqishëm “mbrojtës”, dhe marshim drejt kolonizimit. Me një fjalë, kjo do të thotë zhdukjen e shqiptarëve në mënyrë që të bëjë vend për pushtuesin i cili nuk përfaqëson asgjë më pak sesa dominimin e Ballkanit dhe ndoshta pushtimin e këtij rajoni deri në lumin e Danubit dhe Detin e Zi.”

Sikurse e parashikoi Mit’hat Frashëri, Shqipëria u bë prehë e agresionit italian pak më vonë. Njëra nga detyrat më të rëndësishme që ka mbajtur Mit’hat Frashëri në shtetin shqiptar ka qenë ajo e ambasadorit në Athinë në vitet 1923-1926. Për të marrë këtë detyrë ai ishte tërhequr nga Uashingtoni, ku kishte shërbyer më parë. Roli i Mit’hat Frashërit në mbrojtjen e popullsisë çame nga spastrimi grek ka qenë i pazëvendësueshëm.Dokumenta të zbuluara kohët e fundit në Ministrinë Britanike të Punëve të Jashtme tregojnë se ka patur tension ato vite ndëmjet Ambasadorit Frashëri dhe qeverisë shqiptare në Tiranë. Pas protestave të Mit’hat Frashërit për padrejtësitë ndaj çamëve pranë qeverisë greke, marrdhëniet mes dy qeverive janë tendosur shumë, madje mësohet se Ahmet Zogu ka ndërhyrë privatisht pranë qeverisë greke, gjë që ka çuar në largimin e tij nga Athina. Pas largimit nga Athina, Mit’hat Frashëri u shkëput nga politika për tu marrë me kultivimin e dijeve në fushën e albanologjisë e më gjerë. Për këtë ai hapi bibliotekën Luma Skëndo, e cila u bë vatër dijesh për intelektualët e kohës.

Ndryshe nga portretizimi që i bënë komunistët, përveç atributeve të admirueshme intelektuale, Mit’hat Frashëri ishte edhe njeri i madh i paqes dhe harmonisë. Ai ishte për një Shqipëri të lirë e demokratike, vizion të cilin e kishte shpalosur tek Dekalogu – programi me dhjetë pika – i Ballit Kombëtar që u shpalos në vitin 1942. Ishte pikërisht mendja brilante e Mit’hat Frashërit arsyeja pse Dekalogu ishte jo vetëm një program i avancuar për kohën kur u shkuajt por edhe një platformë e denjë demokratike për ditët e sotme. Në fakt, thelbi i Dekalogut gjendet lehtas sot i reflektuar në parimet themelore të programeve politike në vendet e demokracive perëndimore.

Mit’hat Frashëri u anatemua sistematikisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Regjimi shkoi aq larg sa ndërmori edhe veprime absurde, të cilat synonin të venitnin kontributet e një patrioti në shërbim të Shqipërisë. Për shembull, emri i Mit’hat Frashërit, sikurse edhe emrat e disa patriotëve të tjerë, u hoq nga Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke falsifikuar dokumentin e nënshkruar nga 40 firmëtarët në vitin 1912.

Si pasojë e falsifikimeve të vazhdueshme dhe propagandës së shfrenuar, regjimi helmoi mendjet, zemrat dhe arsyen e shumë shqiptarëve për disa gjenerata. Madje, mbeturina të shpifjeve bolshevike mjerisht flenë në mendjet e shumë individëve dhe besohen si të vërteta edhe sot, por realiteti qëndron ndryshe.

Mit’hati Frashëri ishte kundër vëllavrasjes dhe prandaj vendosi të shkojë në Mukje në Gushtin e vitit 1943 ku shqiptarët e të gjitha përkatësive politike u mblodhën të diskutonin krijimin e një ftonti të përbashkët ndaj pushtuesve. Por pavarësisht dëshirës për bashkim, Mit’hat Frashëri nuk ishte gati të bënte pazare me tokat shqiptare, siç bënë komunistët në dëm të Kosovës për të ruajtuar marrdhëniet miqësore me komunistët jugosllavë. I njohur për instinktet e tij diplomatike, Mit’hat Frashëri i parashikoi pasojat e nënshtrimit të komunistëve shqiptarë ndaj komunistëve jugosllavë dhe i bëri të qarta synimet e paskuftës të Ballit Kombëtar. Ja si u shpreh ai në Mukje:

“Zotërinj, nuk jam as për Shqipërinë e madhe dhe as për Shqipërinë e vogël. Jam për Shqipërinë Etnike në të cilën sot banojnë tërësisht shqiptarë apo shumicë shqiptarësh e që kanë shprehur vullnetin të bashkohen në një komb të vetëm, të ndarë padrejtësisht, në një atdhe e shtet kombëtar.”

Mit’hat Frashёri nuk e ndali asnjëherë luftën për të ndriçuar mendjet e shqiptarëve me dritën e së vërtetës. Ai mbeti një shërbestar i betuar i Shqipërisë deri në fund të jetës së tij. Misionin e tij fisnik ai e vazhdoi edhe pasi Shqipëria ra nën kthetrat sllavo-bolshevike të Enver Hoxhës. Jo më kot ai e kishte cilësuar komunizmin si një sëmundje e keqe:

“Komunizma është një sëmundje e tmerruar, si tërbimi i qenëve dhe i ujqërve, është një kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin, por dhe më tepër akoma, zemrën dhe shpirtin e njeriut.”

Luftën e pandalur e provon fjala e tij e Gushtit 1949, nga radioja e shёrbimit British Broadcasting Corporation (BBC) ku Mit’hat Frashëri dëshironte të informonte bashkëkombasit për krijimin e Komitetit Shqipnija e Lirё. Ai konstaton aty se si rruga pa krye ku e kish futur Shqipёrinё komunizmi, po rriste dita-ditёs ndёrgjegjёsimin dhe revoltёn popullore.

Nё pёrmbyllje, është e pamundur të përmblidhet jeta e një vigani me një shkrim si ky por ia vlen që diçka e thёnё më parë të përsëritet. Duke nderuar Mit’hat Frashёrin ne nderojmё veten. Më shumë sesa Mit’hat Frashërit, nderimi ndaj tij na bën nder ne, njerëzve që kemi humbur rrugën e arsyes, idealit kombëtar, harmonisë e dashurisë njerëzore. Por mbi të gjitha, ata qё shkrijnё jetёn pёr atdheun meritojnё nderim dhe duhet të mbeten heronj nё memorjen kolektive tё shoqёrisё. Ky do të ishte mësimi më i mirë për brezat. Ndaj në këtë përvjetor të Mit’hat Frashërit, shqiptarët e mirë duhet që njëzëri të thonë:

Faleminderit përjetësisht shërbestari ynë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *