OPINIONE

Kosova, shtet me fusnotë*

Shkruan, Florim Zeqa

Pushtetarët qeverisjen e vendit e kanë kuptuar si privilegj e jo si përgjegjësi. Po të mos ishte kështu nuk do të luanin me kaq komoditet me interesat e vendit dhe me pasurinë e qytetarëve të Kosovës.

Privilegjet e pushtetarëve fillojnë nga kafeja në Kuvend, drekat e darkat, mëditjet e larta, makinat luksoze e deri të ekskursionet e gjata në shtetet europerëndimore, të gjitha këto të paguara nga paratë e taksapaguesve të varfër të Kosovës.
Dështimet në qeverisjen e vendit përgjatë tetë vjetëve të fundit janë të shumta dhe të shumëllojshme, megjithatë dështimi më fatal për shtetin e Kosovës ndodhi në bisedimet e Brukselit, duke pranuar gjithçka që ofroi Serbia,…pa i vënë as kushtin e vetëm palës kundërshtare në dialog!

Fillimisht Kosova në bisedimet e Brukselit hyri me fusnotë*, me ç’rast “de jure” dhe “de facto” e pranoi Serbinë si hisedare të tërësisë territoriale të shtetit tonë,…duke anashkaluar vullnetin e shumicës shqiptare, duke shkelur mbi idealet dhe gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të lirisë sonë, që u flijuan për një shtet ndryshe nga ky i sotmi.
Mbetja e veriut të vendit me sovranitet të dyfishtë është më tepër tradhti kombëtare, ngase veriu i vendit është interes mbi të gjitha interesat, andaj askush nuk e ka të drejtën e as privilegjin të vendosë për fatin e pjesës më vitale të vendit tonë.

Arsyetime të pakripë të qeveritarëve

Për gjëra kaq madhore mund të vendosin vetëm qytetarët, ata janë sovrani i këtij vendi e jo qeveritarët kushdo qofshin ata; të djathtë apo të majtë, të njërit apo të tjetrit ekstrem politik. Problemet që janë të lidhura me sovranitetin e vendit i takojnë tërë popullit e jo një qeverie.

Praktikat e mëhershme na kanë mësuar për fleksibilitetin e qëndrimeve të qeveritarëve aktualë, që ndryshojnë nga çasti në çast,…ndryshe thonë e ndryshe veprojnë.

Çdo nismë ndërkombëtare për realizimin e planeve serbe mbi Kosovë, fillimisht është kundërshtuar nga qeveritarët tonë,…por menjëherë pas ndërhyrjes së “miqve” ndërkombëtarë, të njëjtën e kanë pranuar në emër të ruajtjes së “stabilitetit”, të fqinjësisë së mirë, në emër të miqësisë më të huaj,…duke u thirrur në normalizimin e marrëdhënieve më shtetin serb, në emër të stabilitetit të rajonit, si kusht i nevojshëm që Kosova të anëtarësohet në BE, në OKB, e organizma të tjerë ndërkombëtarë!
Arsyetime këto të pakripë të qeveritarëve, që nuk përkojnë aspak me realitetin,… deklarime të cilat për më tepër janë të motivuara nga presioni i qarqeve të caktuara ndërkombëtare, që për liderët e korruptuar e të shantazhuar kosovar janë gjithnjë punë e kryer!

Opsionin e shtrirjes së sovranitetit në veri, qeveritarët sikur e kanë harruar, ashtu siç e kanë harruar të kaluarën e tyre të të qenit çlirimtarë të vendit…

Tanimë opsioni i shtrirjes së sovranitetit në veri është zëvendësuar me dialog politik më palën serbe, që s’është gjë tjetër veçse legjitimim i ndarjes së asaj pjese nga harta gjeopolitike e Kosovës.
Në vend që Serbia të kushtëzohet me njohjen e Kosovës shtet, me shpërbërjen e vërtetë të strukturave të saj në veri, me ndriçimin e fatit të të pagjeturve, me kërkim-falje dhe pagimin e dëmeve të luftës, me kthimin e librave kadastralë,… e më shumëçka tjetër që e obligon Serbinë si shkaktare e shumë plagëve e vuajtjeve të popullit shqiptar të Kosovë tani e njëqind vjet më parë.

Pushtetarët kosovarë nga bisedimet e Brukselit ua krijuan iluzionin qytetarëve të vendit për liberalizim të vizave, anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në BE, në OKB,…por së fundi nuk e arritën as anëtarësimin në UNESCO!
Pushtetarët kosovar nuk arritën të krijojnë asnjë lloj reciprociteti me shtetin serb. Mallrat e dyshimta serbe hyjnë të papenguara dhe të padoganuara në Kosovë, duke e ngulfatur kështu tregun dhe prodhimtarinë vendore, duke filluar nga mielli, vaji ushqimor, sheqeri,…kur të njëjtat produkte vendore në të kaluarën jo shumë të largët, jo vetëm që mbulonin tregun kosovar, por eksportoheshin edhe në republikat e tjera të ish- federatës jugosllave.

Shtet pa ushtri

Po ashtu, edhe në rrafshin e brendshëm politik, Qeveria aktuale e vendit është e varur dhe e ndikuar nga Beogradi përmes pakicës serbe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Si pasojë e kësaj varësie e kemi edhe mostransformimin e FSK-së në ushtri, respektivisht në FAK siç po e dëshirojnë ta quajnë pushtetarët aktualë.

Vetë ikja nga terminologjia FARK, që përkon me një ushtri të shtetit sovran, është treguesi më i mirë i rrëshqitjes drastike të politikës kosovare nga shtetësia dhe sovraniteti i vendit.
Shtet të pavarur nuk ka dhe as që mund të ketë pa sovranitet të plotë, me integritet territorial të cunguar dhe pa ushtri-elemente bazike këto që i jepnin kuptim pavarësisë së shtetit dhe lirisë së popullit.

Edhe përkundër trumbetimit të vazhdueshëm të pushtetarëve aktualë, që e kanë në dorë sovranitetin, integritetin territorial dhe ushtrinë e “gatshme”, realiteti po ua thotë të kundërtën. As FA*K-u nesër pa akronimin e Republikës, nuk do t’i ketë kompetencat e një ushtrie të kompletuar, dhe as që do të jetë e gatshme për mbrojtjen e sovranitetit të shtetit.
Sado që kemi institucione, në shtetin e Kosovës nuk funksionon ligji e as kanuni. Të huajt (ndërkombëtarët) janë bërë zot shtëpie në vendin tonë. Drejtuesit e institucioneve tona shtetërore shërbejnë vetëm si dekor,…janë vetëm figura (shahu) politike në duart e mekanizmave ndërkombëtarë.

Rolin e presidentit të shtetit e mban përfaqësuesi i BE-së, përderisa rolin e kryeministrit, si gjithnjë, e mban ambasadori amerikan me vartësit e tij evropianë.
Ne jemi bërë pikë e pesë siç thotë populli, të ndarë në shumë parti e grupacione politike, duke vrapuar si të çmendur pas pushtetit në shtetin me fusnotë*, duke mos respektuar asnjë kriter apo vlerë njerëzore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *