POLITIKA NDËRKOMBËTARE

Këshilli Hebreo-Amerikan: Mirënjohje Shqipërisë për strehimin që i ofroi hebrenjve gjatë Holokaustit

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti Delegacionin e Këshillit Hebreo-Amerikan të kryesuar nga Drejtuesi Ekzekutiv David Harris, që po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Zoti Harris dhe anëtarët e tjerë të KHA-së falënderuan Presidentin Nishani për mikpritjen e ngrohtë dhe u shprehën se misioni i kësaj vizite në 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë si me Shtetin e Izraelit, ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është thellimi dhe zgjerimi i mëtejshëm dhe i gjithanshëm i tyre. Drejtuesit dhe anëtarët e Këshillit Hebreo-Amerikan, duke vlerësuar veçanërisht strehimin dhe shpëtimin mbresëlënës që Shqipëria i ofroi hebrenjve gjatë Holokaustit, theksuan se ky shembull pozitiv historik i shqiptarëve duhet të promovohet edhe më tej anembanë botës, sepse duke pasur parasysh sfidat dhe rreziqet e terrorizmit, të ekstremizmit e të antisemitizmit, ai mbetet shumë aktual dhe frymëzues edhe në ditët e sotme. Presidenti Nishani e çmoi këtë vizitë si shprehje e miqësisë së konsoliduar dhe partneritetit mes vendit tonë dhe aleatit më të madh strategjik të shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke nënvizuar se historia e mikpritjes dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri ka gjetur një jehonë të gjerë. “Kjo bazë e shkëlqyer historike ka forcuar më shumë marrëdhëniet shumëdimensionale mes popujve tanë, por edhe mes Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithashtu.” – vuri në dukje Presidenti Nishani. Duke shprehur vlerësimin për nivelin e shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve, Kryetari i Shtetit shqiptar vërejti se ka ende hapësira të pashfrytëzuara bashkëpunimi në të gjitha fushat sidomos në ato ekonomike, kulturore, etj. si dhe për të rritur imazhin e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Izrael e kudo në botë. Presidenti Nishani ndau me bashkëbiseduesit pikëpamjen e përbashkët se mbështetja aktive e Këshillit Hebreo-Amerikan padyshim do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *