OPINIONE

A E DUAM ME SINQERITET BASHKIMIN KOMBËTAR, APO…

Shkruan, Arbër Gashi, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Koordinator të Ballit për Shqipërinë etnike

Po shkruhet shumë pak dhe po flitet edhe më pak për bashkimin kombëtar të shqiptarëve! Vallë, pse?! Kush janë ata dhe ato që sot po kërkojnë direkt ose indirekt nga shqiptarët të pranojnë logjikën e Arsyes së munguar dhe prangosjen e Mendimit racional? Kënd, dhe për ç’farë arsye po e pengon diskursi funkcional e demokratik për çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve? Përse politika zyrtare e shqiptarëve po i anatemon, po i përndjekë në çdo hap dhe po i le anash qëllimisht të gjitha forcat mendore që bashkimin kombëtar e kanë synim të veprimtarisë dhe ekzistencës politike? Pse vallë shumica dërmuese e shqiptarëve, se lere më përfaqësuesit që ata i zgjedhin me pompozitet, nuk janë aspak të gatshëm të mbështesin me ndonjë metelik të vetëm forcat politike që angazhohen për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, për Shqipërinë etnike dhe demokratike!? Po bashkësitë fetare të shqiptarëve, dhe këtu gishti tregues më shkon sidomos te bashkësia islame dhe kisha e uzurpuar ortodokse… Pse vallë këto dy bashkësi fetare po e sabotojnë në çdo hap përpjekjen dhe nuk angazhohen aspak për bashkimin kombëtar të shqiptarëve!? Të tilla siç janë sot, kujt i shërbejnë? Po, ke të drejtë lexues i nderuar, klerin katolik i kam lënë qëllimisht anash, sepse atyre politika jonë ua ka prerë kokat për hirë të ideologjisë komuniste qysh në vitin 1945! Thënë troç, as Adem Demaçi, i cili mbahet si simboli më unifikues i të gjithë komunistëve të devotshëm në “Ballkaninë e Dimitrovit”, nuk e përkujtoi asnjëherë të vetme mësuesin e tij të shqipes, Ernest Koliqin!!! E kur jemi te baca Adem, ai e di më mirë se të gjithë politikanët tjerë se në politikën kombëtare shqiptare, nuk është mirë me dekë për së gjalli…

Pa asnjë mëdyshje, secili prej nesh, pavarësisht përgatitjen profesionale dhe teologjike, në pyetjet e mësipërme i ka të gatshme përgjigjet dhe arsyetimet për vehten e tij! Por, se a janë këto përgjigje që ne i japim vehtes sonë të dobishme për shoqërinë shqiptare në tërësi, kjo është një çështje që e kristalizon diskursi publik, i zhvilluar si vlerë e kultivuar shoqërore, pa presionin politik dhe teologjik, pa përndjekjen policore dhe pa emocionin që nuk i shërben askujt.

Në realitet, ç’farë është bashkimi kombëtar për ty, lexues i dashur? Me kend do të bashkohesh? – shtrohet pyetja, sepse, në kohën që po jetojmë, secili ka të drejtë ta shprehë dhe jap mendimin e vet, të rrëfejë bindjen që ka krijuar, ndoshta edhe shumë të veçantë e të pavarur nga shoqëria dhe nga ata me të cilët duam të bashkohemi ose të ndahemi edhe më shumë! Megjithatë, pse të heshtim? Pse të mos flasim dhe diskutojmë për interesin tonë kombëtar? Kush po të ndalon o shqiptarë, të jesh ai që je, dhe të bëhesh ai që do!? Sa predikime javore i dëgjojmë për nevojën e bashkimit të shqiptarëve? Po për kufijtë ndarës mes tyre? E ke sqaruar vehten tënde për faktin domethënës, se kufijtë ndarës mes shqiptarëve nuk e posedojnë asnjë vlerë të vetme!? Po Prifti e Hoxha, ç’farë të thonë ata për ndarjen e padrejtë fetare dhe kombëtare të shqiptarëve? Të kanë këshilluar predikuesit fetar ndonjëherë, që ti o financues shqiptar i veprimtarisë së tyre, t’a duash dhe kultivosh më shumë Vëllazërinë e Gjakut, se vëllazërinë e ideologjisë komuniste dhe vëllazërinë fiktive të besimit fetar? Po partia ku aderon, ç’farë djallëzie të mëson ajo? Mos je rastësisht një nga ata “shqiptarët”, që çdo “kosovar” e identifikon me fashizmin, apo ndoshta e kundërta e kësaj, mos je rastësisht ndonjë kosovar i “vuajtur” për atdhe, e këta “komunistat e Shypnisë” nuk po t’marrin vesh?! Po këto dyzinat e veteranëve të luftës? Për kënd dhe në cilën skutë luftuan ata? Cili ishte betimi i tyre? A u betuan vallë për pensionin e veteranit të shtetit me fusnotë t’Shkinisë, apo për bashkimin e kombit shqiptar? Pse u desh të krijojmë tri-katër ushtri dhe t’i shuajmë tërësisht, sa qel’ e mbyllë sytë? A nuk ju mjaftoi vallë shqiptarëve një Ushtri Çlirimtare Kombëtare, ashtu siç e kishim dizajnuar në fillim?

Jam i vetëdijshëm se përgjigjet tuaja në pyetjet e mësipërme nuk janë as të lehta e as të “ftohta”, sepse, varësisht nga bindja që kemi krijuar, nga kultura e trashëguar familjare, nga shoqëria që na rrethon dhe nga indoktrinimi mediatik të cilit i është ekspozuar secili prej nesh, ato medoemos shkaktojnë emocion! Prandaj, fol, shkruaj, demonstro dhe puno për të mirën e kombit tënd, o shqiptarë! Mos u ndal, sepse ky hap i padëshirueshëm do t’i shërbente vetëm atyre që e kanë vënë në shënjestër ekzistencën tënde si qenje politike dhe kombëtare. Fol me zë, mos hesht, sepse heshtja nuk të nderon! Bashkimi kombëtar nuk është proces përjashtues dhe assesi nuk guxon të perceptohet si një e drejtë ekskluzive e “elitave” parapolitike, disa kryetarëve t’çmendur pas postit politik, interesave teologjike, e as e drejtë e hajdutëve profesional, apo shfryrjes së epsheve personale!

Bashkimi kombëtar është një e drejtë që na takon dhe këtë nuk mundet t’a mohojë askush! Është detyra jonë të krijojmë hapësirë të mjaftueshme mediale dhe të japim kontributin tonë të përbashkët për bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Këtë duhet t’a bëjmë jo për inat të të tjerëve, por për shkak të interesit tonë kombëtar dhe për hirë të stabilitetit afatgjatë ekonomik e politik në siujdhesën pellazgo-ilire.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *