HISTORIA

SKËNDERBEU KRYENDËRTUES I SHTETIT SHQIPTAR

Shkruan, Prof. Dr. Jahja Drançolli

Një biografi e shkurtër në shenjë të Përkujtimit të 548-vjetorit të vdekjës së Gjergj Kastrioti- Skënderbeut.

Për veprën dhe jetën e tij edhe sot ruhen mijëra dokument zyrtare, vëllime historike e letrare-artistike të shkruara në më se 20 gjuhë; u realizuan gjithashtu edhe vepra nga artet figurative, muzika, teatri, filmi, etj. Të pakta janë figurat mesjetare që kanë gjetur një pasqyrim kaq të gjërë e jetëgjërë në letërsinë botërore, siç ka gjetur Skënderbeu. Pothuaj i tërë opusi historiko-letrar e artistik kushtuar atij, ushqehet para se gjithash nga veprat e humanistëve arbërorë. Iluministi frëng, Voltaire, shkruante: “Sikur perandorët bizantinë të ishin si Skënderbeu, perandoria e Bizantit, do të kishte qëndruar në këmb” (1756). Po ashtu, janë realizuar qindëra vepra nga artet, si, portreti nga G. Bellini (1466); nga muzika, libreta e operës nga kompozitori Vivaldi (1718); 173 vargje të poetit H. Longfellow (SHBA, 1863), etj.
Pas rënies së Krujës nën osmanët (1415), Gjon Kastrioti qe detyruar t’i dërgonte bijtë e tij peng në oborrin e sulltanit. Atje, Gjergji ishte konvertuar në musliman dhe mori emrin Skënder, si dhe u edukua në shkollën osmane. Pas Betejës së Nishit (nëntor 1443), kur osmanët kishin pësuar, Skënderbeu, kishte braktisur forcat osmane, për tu drejtuar në Krujë, dhe atje më 28 nëntor 1443 u ngritë përsëri flamuri i Kastriotëve, që më pastaj do të ruante simbolikën historike në luftëra të popullit shqiptar për liri.
Ishte meritë e Skënderbeut, që mori përsipër për të themeluar Lidhjen e princave arbërorë në Lezhë më 2 mars 1444. Kuvendi i Lezhës u mbajt mbi bazën e traditave më të hershme arbërore dhe mori një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat përcaktuan edhe natyrën juridiko-shtetërore. Me gjithë diversitetet, princërit pjesëmarrës në Kuvend u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman. Barleci theksonte se Kuvendi, “vendosi para së gjithash, se duhet hyrë në një aleancë dhe në njëfarë besëlidhje të përhershme me princërit dhe sundimtarët fqinjë […]”. U vendos gjithashtu për formimin e një ushtrie federale; Besëlidhja e themeluar, është konsideruar si një lloj federate me një kryetarë të vetëm, që ishte Skënderbeu i quajtur, “i pari ndër të barabartit”. Krahas politikës së brendshme, rëndësi të madhe Skënderbeu i ka kushtuar edhe politikës së jashtme. Në skënën europiane Skënderbeu kishte hyrë kur ajo ishte e përçarë, sikurse edhe Arbëria. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Skënderbeun do të zëvendësonin një sërë diplomatësh, siç ishte, Pal Engjëlli, Gjergj Pelini i Novobërdës, Gjin Gazulli, të cilët kishin specializuar për çështje të marrëdhënieve të Skënderbeut me Raguzën, Shtetin e Papës dhe Mbretërinë e Hungarisë, që gjatë viteve 1443-1444, si dhe 1448-1456, Skënderbeu e kishte bërë shok Janosh Huniadin për të luftuar në Fushë Kosovë (1448).
Rezultatet e para do të shprehen me rekrutimin e luftëtarëve; Skënderbeu ishte i zoti t’u vinte për ballë fuqive të sulltanit me një ushtri prej 15000-20000 vetash, ushtri kjo që përmbysi shumë sulme osmane përgjatë viteve 1443-1468. Ka mbetur e pashlyeshme në dokumente relevante të kohës, disfata e Muratit II, të cilin e shoqëruan rreth 100.000 ushtarë, për t’i rrethuar fortifikatën e Krujës (1450). Përveç dokumenteve zyrtare fitoret e Skënderbeut janë vlerësuar lartë edhe nga kalorësi anglez, John Newport, një pjesëmarrës i luftërave të Skënderbeut.
Për t’i përmbushur detyrimet e Traktatit të Gaetës, Skënderbeu transferohet për të luftuar në Itali me 2.500 trupa. Në Barletta dhe Trani, ai arriti të mposhtë rivalin kryesor në Itali. Më 1462, Skënderbeu u kthye në Arbëri.
Pas mbrojtjes heroike të Krujës (1466/7), ku sulltani kishte angazhuar më se 150.000 ushtarë, Mehmeti II iu kishte drejtuar viseve tjera të lira arbërore për qëllime të shkatërrimit sistematik të vendit. Nuk u kursye askush. Vetëm në një rajon të ngushtë në vitin 1467, u vranë rreth 10.000 pleq, gra e fëmijë. Për ta përballuar gjendjen, Skënderbeu u kërkoi ndihmë në Romë, ku popullata kishte vërshuar qytetin për ta parë Heroin. Sipas një vendimi të Senatit të Venedikut (1467), bëhet e njohur: “Nëse pushtohet bregdeti i Arbërisë, Ruajna o Zot!, armikut nuk i mbetet gjë tjetër veçse të hidhet kur të dojë në Itali”. Skënderbeu, vdiq në Lezhë më 17 janar 1468 i sëmurë nga ethet violente, dhe u varros po aty.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *