POLITIKA KOMBËTARE

Hajredin Kuçi akuzohet për ndërhyrje në punën e gjyqësorit

EULEX konsideron se deklarata e ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi në lidhje me dënimin e Sami Lushtakut mund të perceptohet si frikësim dhe ndërhyrje politike.

Ky mision nëpërmjet një komunikate për media sqaron se pas kësaj deklarata është shtyrë mbledhja e Bordit të Përbashkët për Sundim të Ligjit e cila mbahet me pjesëmarrje të EULEX-it, të BE-së, gjyqësorit dhe ministrit të Drejtësisë.

Në një emision televiziv ministri Kuçi ka thënë se dënimi i kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku nga Gjykata Themelore e Prishtinës është absurd.

Lushtaku është dënuar nga shkalla e parë me 12 vjet burg për krime lufte. Rasti i Lushtakut dhe të akuzuarve tjerë në “Grupin e Drenicës” do të trajtohet në Gjykatën e Apelit pas ankesës së mbrojtjes.

Në vijim komunikata e plotë e EULEX-it dërguar mediave:

Sot, EULEX-i, PSBE-ja, dhe zyrtarë të lartë të gjyqësorit të Kosovës, duke përfshirë Ministrin e Drejtësisë, kanë pasur në plan që të mbajnë mbledhjen e Bordit të Përbashkët për Sundimin e Ligjit (BPSL) për të rishikuar progresin dhe forcuar qasjen e përbashkët për sundimin e ligjit në Kosovë. Mbrëmë, në një intervistë televizive, Ministri i Drejtësisë ka dhënë mendimin e tij lidhur me meritat e një rasti penal të profilit të lartë në Gjykatën e Apelit dhe e ka vënë në pyetje vendimin të cilin e kanë marrë gjyqtarët në Gjykatën Themelore në Prishtinë. EULEX-i thekson se deklaratat e tilla mund të perceptohen si frikësim dhe ndërhyrje politike. Autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë që gjyqësori të gëzojë mbështetjen e duhur për të gjykuar në një mjedis të paanshëm. Pas kësaj deklarate të Ministrit të Drejtësisë, takimi i sotëm i BPSL-së shtyhet për një datë tjetër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *