POLITIKA KOMBËTARE

Edi Rama, hyrje “triumfale” në Shkodër

Shkruan Romeo Gurakuqi

Brenda 8 ditëve të muajit mars 2016, Kryeministri i vendit, zoti Edi Rama, i shoqeruar me dhjetra e dhjetra forca policore, që monitoronin çdo kryqëzim të qytetit, ka kryer dy hyrje “triumfale”, në qytetin e Shkodrës. Ai shkon në Shkodër, në qytetin me Bashkinë më të shtrirë gjeografikisht të Republikës së Shqipërisë, nga Rana e Hedhun në Bregun e Adriatikut, deri në Majen e Harapit në kufirin shtetëror, konfigurim bashkiak ky ndërtuar enkas kështu, për të grupuar këtë pjesë vitale të Shqipërisë tradicionale, për t’ia kornizuar përfaqësinë dhe për ta mbajtur nën kontroll një segment tradicionalisht opozitar ndaj Partisë që më 1981 për pak na mori në qafë një artist, ndërkohë që vriste pa pushim në kufirin shkodran dhe kampet e përqendrimit.

Erdhi në Shkodër, ndërkohë që qeveria që ai drejton përmes agjencive dhe varësive të klientelës mazhoritare, ka derdhur respektivisht në këtë zonë, sipas të dhënave zyrtare të botuara nga Kryetarja e Bashkisë, zonja Voltana Ademi, respektivisht: 1. Fondet për Zhvillimin e rajoneve 2014-2015: Shkodra 1%, ndërkohë Vlora 18%, Fieri 11 %, Korça 9%, Durrësi 10%, Tirana 12 % etj. Fondi i financimi për Shkodrën nga Komiteti i zhvillimit të rajoneve- mars 2016 vetëm 3 % ndërohë Fieri është 19%, Elbasani 16%, Korça 7%, Tirana 23 %, Berati 13 % etj.

Erdhi dhe i vuri te gjithe ne rresht në Pallatin e Sportit, ndërkohë që i rrethuar nga bodigardë të vëmendshëm, të kthyer me shpinë nga ai, Kryeministri hodhi një numër pa fund batutash pa krypë për qytetin e humorit dhe artistëve të mëdhenj dhe të pa kompromis me çdo regjim. Për hir të vertetës, prisja të mbante fjalimin e dytë të mirë në Shkodër, si vijim analitik dhe llogaridhënës i fjalimit të premtes së parafundit të qershorit 2013, por serish nuk pata fatin të degjoj asgjë të tillë. Në fakt, kur sheh shifrat e lëvruara për Shkodrën, lehtësisht kupton që ai ska asgjë të thojë, ai ska bërë pothuajse asgjë. Ai nuk di që një pjesë e Shkodrës dhe e Malësisë është e pa aksesueshme për gjashtë muaj të vitit; Ai nuk din se për të rigjallëruar jetën në këto anë janë jetike ndërtimi i një rruge që lidh Komanin me Fierzën dhe qe në disa qoshka të saj hyhet në luginat malore ku jeta alpine po shkon fatëkqesisht drejt zeros dhe varfëria është kthyer në mesjetë; ai nuk din se më parë do të duhet riasfaltuar rruga Shkodër Koman, duhet zgjeruar rruga Shkodër Velipojë dhe duhet ndërtuar rruga nga Shengjini në Pulaj; Ai nuk e din që rruga nga Prekal në Kir, Mali Shoshit, Ndreaj Bregu i Lumit, Thethe, është i domosdoshme, jo vetëm për banorët e këtyre anëve, por për gjithë Shqipërinë turistike; Ai nuk e din se për të rritur mirëqenien e njerëzve të ketyre anëve, janë të nevojshmë rigjallërimet i investimeve, të cilat nuk mund të vijnë pa vendosur në mënyrë të vertetë rendin në thellësi dhe gjerësi, pa krijuar lehtësira fiskale, pa vendosur kontrollin e territorit dhe pa shkëputur lidhjet e padukshme të kësaj mazhorance me faktorët pengues të stabilitetit ligjor, social dhe ekonomik; ai nuk e din që Universiteti i Shkodrës nuk do të mbijetojë si qendër e arsimit dhe shkencës në qoftë se qeveria nuk ndërton një program të efektshëm riprogramimi, nuk e merr në kontroll të plotë të përkohëshem procesin e riciklimit të stafeve dhe nuk prokuron sjelljen e profesorëve nga jashtë dhe nuk i hap rrugën djelmve e vajzave të Shqipërisë që janë shkolluar në universitetet e vendeve të OECD; Ai duhet të kuptojë se qeverisja e tij ka sjellë një tkurrje të cilësisë së burimeve të vlefshme humane në këto anë, ka “trembur” shkodranët e rinj të rikthyer para 5 viteve, me idealizëm për t’i shërbyer vendit të tyre dhe për të rikompnesuar mungesën 20 vjeçare të prindërve në atdhe; Ai nuk e din se xhepat e varfërisë në atë vend po atrofizojnë jetën normale, po gërryejne ngadale në heshtje ligjin, të drejtën e qetësinë e qytetarëve; ai nuk kupton se me një pjesë të masave fiskale të tejkaluara nga logjika financiare, ai ka rënduar gjendjen e biznesit të vogël; ai nuk ka një plan orientimi për vendet e interesuar tradicionalisht për investime në Shkodër;

E megjithatë, Ai erdhi i qetë sepse e din se askush nuk do i thotë asgjë; maksimumi do i kërkojnë përvujtënisht, të bëje zgjedhje në Partinë e tij. E kush ka dashte me ditë ndonjëherë në Shkodër se si funksionon PPSH? Ajo është futur një herë në gropen e shuarjes së gelqeres së Taraboshit, për t’u përpirë së bashku me atë, dhe çdo ringritje e së majtës në atë zonë, mund të vijë vetëm e ndërtuar ndryshe, si demokraci e mirëfilltë sociale, e hapur ndaj ndryshimeve, jo persekutore dhe jo si kontinuitet familjar, fisnor dhe i ngurtësuar më 2 prill 1991 i PPSH. Mirëpo, pavarësisht se shenja të tilla në Shkodër janë dhëne nga një brez i ri i formuar me kulturën e një shoqërie të hapur, që nuk pranon më marrëzitë politikë të së djathtës së ngurtësuar, për të dytën herë atij askush nuk i tha asgjë, askush nuk arriti t’i mbaje dy ose tre fjali njerëzish me shkollë ne ate seli, askush nuk i paraqiti një tabelë të dhënash krahasuese; askush nuk i ekspozoi nje teze per zhvillim regjional, askush nuk e pyeti se si ka punue per kthimin e te shkolluarve nga jashte. Askush nuk i përmendi mekanizmin e ndërlidhjeve vertikale komunikative, permes të cilit zgjidhen punët qendrore në Shkodër; Askush nuk guxoi i tha që në zgjedhjet e ardhshme, duam largimin e plotë dhe të pastër të njërëzve të fortë nga procesi zgjedhor dhe synojmë një konkurencë të ndershme me poziten politike krhainore. Askush nuk i shpjegoi se kjo sjellje e kristalizueme dhe e përforcueme në undergound, është përkundër nevojave të krijimit të një demokracie moderne, e cila si rregull del përtej lidhjeve familjare dhe miqësore, përtej lidhjeve të padukshme dhe komandave paramilitare që mbysin lirinë.

Ai mund të kujtojë se po tallet me “delet” që është mësuar të komandojë në Partinë e tij, por do i duhet të kuptojë, se ai vend të klasifikon, të analizon në germën e parë, në mimikën e parë të shformuar, të sfidon, sapo orvatesh të dalësh nga salla e mbyllur, edhe me heshtje, sapo nxjerr nga goja një fjalë të pamatur “barinjsh” të pastërvitur. Kjo sepse Shkodra nuk është ajo që mendon ai; Shkodra mund t’i duket sot një qytet i boshatisur fizikisht nga rezistenca e fjalës, por ajo është një dukuri kryeisht brenda kufizës së organizatës së tij dhe e organizatave politike të kornizuara dhe kontrolluar. Shkodra jashtë partive është sot më e fortë se kurrë shpirtërisht, e bindur se udhën e saj nuk mund t’ia orientojë, ai që sdin të ndryshojë nga pararëndja, por ai që din të ece në udhën e Eterve të medhenj të mendimit politik, social, kulturor të kombit, që për fat janë me shumicë nga ai vend. Një brez i ri djelshm dhe vajzsh të reja të emigracionit shkodran e malësorë, janë të gatshëm të vijnë e t’i shërbejne me kualitet vendlindjes, që i therret sot për ndihmë dhe ringritje. Është diaspora shkodrane e cila sot sfidon orten e urrejtjes, të percmimit, të izolimit, të talljes me të ardhmen e një vendi, një populli dhe një kulture unitare avanguarde. Ajo sot ka fjalën e vet në mbështjeje të përforcimit të dinjitetit, përfaqësisë së kualifikueme dhe progresit në liri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *