POLITIKA KOMBËTARE

TË NGRIHEMI TË GJITHË, T’I THEMI JOOO, NË ASNJË MËNYRË, NDARJES SË KOSOVËS!

Shkruan, Prof. Dr. Nazim Qehaja

JO, Amerikës, JO Bashkimit Evropian, JO Bashkësisë Ndërkombëtare, JO argatëve të tyre. JO, sepse nuk është më koha e copëtimit të trojeve shqiptare, sot është koha e bashkimit të tyre, synim ky i cili nuk ka çmim, pa marrë parasysh fuqinë e kundërshtarëve, rreziqet dhe sakrificat. Nuk ka fuqi më të madhe dhe armë më të fortë se dashuria për atdheun dhe nevoja për të qenë i lirë!

Lexues të nderuar, vëllezër e motra! Vendi është në rrezik! Kjo sepse, fatkeqësisht, përveç grupit të pushtetarëve të korruptuar, të inkriminuar dhe të shitur, tanimë nënshkrues të Republikës Serbe në Kosovë, nuk është i vogël dhe numri i “Intelektualëve”, zakonisht individë të blerë për ndonjë pozitë partiake, profesionale apo klanore dhe për interesa të tjera primitive, të cilët janë ngritur në këmbë, duke u prononcuar publikisht për ndarjen e vendit, meqë, sipas tyre, kështu dashka Amerika dhe të tjerët, gjithherë duke u arsyetuar turpshëm se gjoja, nëse ne e kundërshtojmë , qoftë edhe në këtë pikë, Amerikën, rrezikojmë ta humbim përkrahjen e saj dhe për pasojë edhe lirinë, arsyetim ky vërtet i trishtueshëm!

Dhe pikërisht duke dëgjuar të tilla prononcime, mes intelektualëve të tillë, sot, dua ashpër të protestoj kundër kësaj kategorie, sipas meje, fund e krye armiqësore dhe njëkohësisht, të prezantoj dhe konfirmoj publikisht mendimin tim , se lufta për liri dhe pavarësi nuk zgjedhë mjete, pa marrë parasysh vendin dhe gjuhën që flet armiku.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *