OPINIONE

18 Vjetori i sulmit mizor mbi familjen Jashari

Shkruan, Dr. Rexhep Gjergji

Sot është 18 vjetori i ditës së dytë të sulmit mizor të forcave serbe mbi familjen emblemë Jashari në Prekaz dhe qendresës heroike të Jasharëve në një luftë krejt të pabarabartë. Pas një riorganizimi urgjent të Kryesisë së LDK unë me z. Basri Musmurati dhe z. Lulëzim Makollin u nisëm për në Vushtrri që të shihnim situatën e rëndë humanitare që paraqitej për shkak të çvendosjes së popullatës civile nga disa fshtara tjera të Drenicës të cilat ishin rrezikuar nga sulmi serb mbi Prekaz. Enver Malokut, shefit të QIKU-ut, i thash, se do të bëjmë përpjekje të shkojmë sa më afër zonës së luftës, në mënyrë që të shohim nga afër se çka po ndodhë në Prekaz. Këtë ja thash vetëm Enverit. Deri atëherë nuk kishim dëshmitar të asaj tragjedie që po ndodhte. Këtë që i thash Enverit e biseduam rrugës më Basriun dhe ai u dakordua që të tentojmë të shkojmë sa më afër zonës së luftës.

Dega e LDK në Vushtrri ishte organizuar si është më së miri dhe me sukses po përballonte situatën e rëndë humanitare të krijuar. Takimin e kryem shpejt dhe nga Ibush Jonuzi kërkova të na shoqëroj pakëz jashtë zyres. Ibushin e pyetëm dhe ai na informoj se si mund te shkojmë përmes maleve të Çiçavicës në Prekazin e epërm. Rrugës nuk ndëshëm forca policore e ushtarake. Por hasëm fshatra të boshatisura nga fëmijët, gratë dhe pleqët. Hasnim grupe burrash që qëndronin para dyerëve të tyre të oborrit dhe bisedonin të brengosur për gjendjen e krijuar.

Kishte ofruar muzgu. Koha ishte pranverë e hershme dhe makina nuk qante tutje rrugëve me baltë. Aty biseduam me ca fshatar dhe kërkuam që njëri nga ta të na shoqëroj për në Prekaz se ne nuk e njihnin rrugën. Ecëm bashkë me shoqëruesin nëpër një teren të vështirë e me baltë. Diku ndeshëm në një njeri me traktor që kishte larguar familjen nga zona e rrezikut dhe e lutëm që të na ofrojë deri ku është mundur. Djaloshi pa ngurrim na bëri shërbimin e kërkuar dhe pastaj diku u ndal. Tha që më tutje është rrezik lëvizja me traktor se mund të dëgjohet oshtima e traktorit dhe rreziku nga një sulm me granatë ishte i madh. Pjesën e fundit të rrugës, një përpjetëze e madhe, e bëm në këmbë dhe tashmë ishim shumë të lodhur. Në malin mbi Prekaz hasëm një grup të madh njërzish që qëndronin në dy-tri grupe. Nga kodra ku ishim, Prekazi i Poshtëm shihej si në shuplakë të dorës. Terri kishte rënë. Sulmet mbi lagjen Jashari vazhdonin dhe detonimet e rënda të armëve dridhnin tokën. Pas çdo gjemimi ngritej s’pari një flakë e kaltërt e më pas një flakë e verdhë. Sulmet ishin të ashpëra. Gjendja ishte një tmerr i vërtetë. Askush nuk dinte për pasojat që mund të kishin ndodhë në lagjen Jasharaj. Njerëzit aty sipër fshatit ishin kryesisht të paarmatosur ose me ndonjë pushkë të vjetër. Aty pamë vetëm njërin nga ta të uniformuar me një pushkë automatike. Unë e pyeta se kush jeni ju? Ndërsa ai u përgjigj se ishte ushtar i UÇK. E sugjerova që ti shpërndaj njerëzit në grupe të vogla pas lisave të mëdhenjë të pyllit, sepse një granatë mund të vriste shumicën nga ta për një herë. Për fat, ushtari tregoj mirëkuptim. Me Basriun u munduam që ti këshillojmë aq sa dishim ne. Ushtari dhe disa të tjerë na treguan se në lagjet tjera të Prekazit gjendja paraqitet e qetë, por se të gjitha janë nën rrethim të hekurt. Thanë që vetëm në lagjen e lushtakëve , Sami Lushtaku ka një pushkomitrolezë dhe është i gatshëm të qëndroj. Bile ata prisnin që sa të bie terri i plotë do t’i shkonin në ndihmë. Mua më dukej ishte një iluzion. Dhe ashtu doli të ishte.

Pastaj ne u kthyem në Prishtinë për të dhënë informatën e parë nga ajo që kishim pa me sy. Në zyret e LDK na priste një zyrtatr i lartë ushtarak i zyrës amerikane për të dëgjuar nga dora e parë se si paraqitej gjendja në Drenicë. Gjatë bisedës me të, mua më kërkuan nga Zëri i Amerikës për një bisedë në lidhje me situatën. Tregova se si paraqitej gjendja dhe deklarova se në Drenicë po ndodhë Srebrenica. Kërkova ndërhyrje ndërkombëtare. Ndërkohë ishte publikuar një komunikatë në emër të UÇK ku thuhej se njësitet e UÇK po luftojnë dhëmbë për dhëmbë me forcat serbe dhe se ato, pra forcat e UÇK, forcave serbe po u shkaktojnë dëme në njerz dhe teknikë. Unë vlerësova se një komunikatë e tilë ishte e papërgjegjëshme dhe i krijonte alibi Serbisë për vazhdonte me sulmet, dhe, prandaj e kritikova atë deklaratë si papërgjegjshme, të dëmshme e të pamoralshme. Aq më tepër që vinte nga jashtë.

Për çudi, vonë në mbrëmjë, kur kisha shkuar në shtëpi, më erdhi kërcnimi me likuidim për gjoja mohimin e luftës titanike që po bënte UÇK me forcat serbe. Në të vërtetë aty nuk kishte kurrfarë ushtrie e UÇK. Aty një familje e vetmuar po bënte një luftë mbinjerzore më një forcë të jashtëzakonshme ushtarake dhe policore. Urimi i parë qe mora për ditëlindjen që kisha atë ditë ishte kërcnimi me likuidim. Kjo ishte dhe për sakrificën e vogël që bëra unë atë ditë me Basriun dhe Lulëzimin. Kjo ishtë vizita ime e parë në Prekaz më 06/03/1998 gjatë e epopesë së Jasharëve.

Për dy vizitat tjera më 08/03/1998 dhe 10/03/1998 do të shkruaj një herë tjetër.
P.s Fotoja shoqëruese është realizuar nga konferenca për shtyp e mbajtur pas kthimit nga Prekazi, ditën e varrimit të familjes Jashari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *