HISTORIA

KUSH ËSHTË MEHDI FRASHËRI

FAMILJET E MEDHA FRASHERI

Historia e panjohur e politikanit e diplomatit të famshëm që për 15 vjet përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve. Si jetoi ai me familjen në Romë deri në moshën 91 vjeçare.

Dëshmoj unë, nipi i Mehdi Frashërit ish-Kryeministrit të Shqipërisë

Rrëfimi i 64-vjeçarit Tefik Çelo: “Në ditët e para të nëntorit të vitit 1944, kur partizanët e Enver Hoxhës po përgatiteshin të sulmonin Tiranën, gjyshi im, Mehdi Frashëri, i cili në atë kohë ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, mori gruan, Nejren, së bashku me tre fëmijët, Vehbiun, Medihan e Ragipin, dhe u largua për në Itali. Këtu në Shqipëri i mbeti vetën vajza e madhe, Shehriari, e cila është nëna ime, që vdiq në 1999”

Nga Dashnor Kaloçi

Gjatë viteve 1943-1944 që gjyshi im Mehdi Bej Frashëri ishte antar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ai banonte në një shtëpi së bashku me familjen e Koço Dilos tek Rruga e Dibrës të cilën ua kishin marrë me qera familjes Petrela, sepse shtëpinë e tij e cila sot është rezidenca e Ambasadës Ruse, Mehdi Beu ua kishte lëshuar një përfaqësie gjermane, me qeranë e së cilës ai përballonte jetesën e familjes.

Në ditët e para të nëntorit të vitit 1944 kur partizanët e Enver Hoxhës po përgatiteshin të sulmonin Tiranën, gjyshi Mehdi Bej Frashëri mori gruan Nejre (Biçaku) dhe bashkë me tre fëmijët Vehbiun, Medihanë e Ragipin u nisën në drejtim të Shkodrës dhe larguan nga Shqipëria për në Itali. Në atë kohë këtu në Shqipëri, Mehdi Beut i ngeli vetëm vajza e tij e madhe Shehriari që është nëna ime”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Gazetën” është 64 vjeçari Tefik Çelo, djali i vajzës së Mehdi Bej Frashërit, i cili rrëfen duke bërë publike gjithë historinë e familjes prej nga ai rrjedh dhe gjyshit të tij i cili është konsideruar si së një prej personaliteteve më të famëshme të politikës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Po kush është Mehdi Bej Frashëri dhe cila është origjina e familjes së tij? Ku u shkollua ai dhe përse Porta e Lartë në Stamboll e emëroi si Guvernator të Palestinës dhe nënkomisar të saj në Misir të Egjiptit? Kur u kthye në Shqipëri dhe si e filloi karrierën e tij politike Mehdi Frashëri duke u zgjedhur Prefekt, Deputet, Ministër, Kryetar i Këshillit të lartë të Shtetit, Kryeministër dhe antar i Këshillit të Lartë të Regjencës? Si u largua ai nga Shqipëria në nëntorin e vitit 1944 dhe si jetoi në Romë së bashku me familjen e tij? Cilat ishin mardhëniet shoqërore të Mehdi Bej Frashërit dhe familjes së tij me familjen e Mbretit Zog dhe të tjerave familje të njohura shqiptare që ishin në emigracion e korespodenca që ai mbajti me ta? Cila është veprimtaria studimore e Mehdi bej Frashërit me 600 artikujt publicistikë dhe librat e botuar? Si e përballoi jetesën familja e Mehdi Beut gjatë viteve që qëndroi në emigracion në Romë dhe përse ai dhe tre fëmijët e tij sa ishin gjallë nuk pranuan që të merrnin nënshetësinë italiane? Si i kaloi ai vitet e pleqërisë deri sa vdiq në moshën 91 vjeçare në vitin 1963 dhe kush ishin personalitetet e diasporës shqiptare dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Romë që morën pjesë në varrimin e tij? Lidhur me këto e të tjera fakte e ngjarje nga jeta e Mehdi bej Frashërit dhe e familjes së ti, bëhen të ditura nga nipi i tij 64 vjeçari Tefik Çelo dhe dokumentat e shumta që ai ka mundur të ruajë gjatë viteve të gjata të internimit.

Kush ishte Mehdi Frashëri

Mehdi Frashëri u lind në fshatin Frashër të Përmetit më 28 shkurt të vitit 1872. Familja Frashëri nga e cila rridhte dhe Mehdiu ishte familje fisnike bejlerësh dhe një nga më të dëgjuara në Jugun e Shqipërisë. Të parët e asaj familje kanë qenë të njohur si feudalë të mëdhenj dhe pronat e tyre shtriheshin deri në malin e Tomorrit. Pas disa konflikteve të karakterit politik që ajo familje pati me Portën e Lartë në Stamboll, ata u internuan familjarisht në Turqi. Në atë kohë që ndodhi internimi i familjes nga fshati Frashër për Turqi, Mehdiu ishte nxënës në shkollën e mesme të qytetit të Manastirit (Bitola) të cilën ai e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1894. Pas mbarimit të kësaj shkolle Mehdiu fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur mësimet në Universitetin e Stambollit për Shkencat Politike dhe Ekonomike ku u diplomua shkëlqyeshëm në vitin 1898. Duke u nisur nga rezultatet e larta që ai arriti në atë degë të Universitetit, qeveria turke e ftoi të punonte në administratën e saj dhe ai u emërua si N / Prefekt i Thrakisë e më pas i Maqedonisë e Sanxhakut të cilat asokohe ishin nën sundimin otoman. Në funksionin e N / Prefektit të këtyre krahinave Mehdi Frashëri qëndroi deri në vitin 1911 kur u emërua Guvernator i Jeruzalemit dhe i gjithë Palestinës. Pas një viti ai u transferua përsëri me detyrën e Nënkomisarit të Turqisë në Misir të Egjyptit. Në shtatorin e atij viti ashtu si shumë patriotë shqiptarë që asokohe punonin në administratën e lartë osmane, edhe Mehdi Frashëri u kthye në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij në shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia dhe shpalljen e Pavarsisë. Në vitin 1912 ai u caktua Përfaqësues i Qeverisë shqiptare pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit për Shqipërinë. Disa vjet më vonë në 1919 ai u caktua në postin e Ministrit të Brendshëm dhe më pas si delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. e pas Kongresit të Lushnjes. Në funksionin e Ministrit të Brendshëm Mehdi Frashëri dha një kontribut të madh në organizimin e mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 1921 ku ai u zgjodh deputet, të cilat nga qarqet e huaja diplomatike u konsideruan zgjedhje të lira e demokratike. Në atë kohë ai bashkëpunoi ngushtë me degët ekonomike të vendit dhe me inisiativën e tij personale bëri të mundur ndryshimin e monedhës shqiptare nga “Leka i madh” në “Lek”. Në atë periudhë që ishin duke u hedhur themelet e para të shtetit të ri shqiptar, Mehdi Frashëri kryesoi të gjitha komisionet parlamentare për hartimin e ligjeve (kodeve) ekonomike dhe ishte i pari që paraqiti nevojën e reformës agrare e themelimin e një Banke në Shqipëri. Nga viti 1923 e deri në vitin 1939 me disa ndërprerje të shkurtëra, Mehdi Frashëri ishte në funksionin e deputetit të Parlamentit shqiptar dhe përfaqësuesit të Shqipërisë pranë Lidhjes së Kombeve (sot OKB) në Gjenevë të Zvicrrës. Në vitin 1929 ai u zgjodh në postin e Kryetarit të Këshillit të Shtetit dhe disa vjet më vonë në 1935, Mbreti Zog e thirri dhe e emëroi në postin e Kryeministrit të Shqipërisë. Caktimi i tij në atë detyrë u bë nga ana e Mbretit Zog me qëllim që të kalonte situata e vështirë në të cilën ndodhej vendi. Ardhja e Mehdi Frashërit në krye të qeverisë shqiptare, asokohe u përshëndet nëpërmjet shtypit nga shumë intelektualë të njohur si Padër Gjergj Fishta etj të cilët e konsideruan atë si një qeveri me frymë thellësisht liberale dhe e kohës. Më 6 prill të vitit 1939 kur Italia filloi agresionin fashist ndaj Shqipërisë, Mehdi Bej Frashëri i cili në atë kohë ishte deputet i Parlamentit Shqiptar, u takua me Mbretin Zog që e kishte mikun më të ngushtë dhe i kërkoi atij që të fillonte rezistenca e armatosur ndaj italinëve duke i thënë që Shqipëria nuk duhej të ndiqte shembullin e Tunizisë e cila nuk shtiu asnjë pushkë kur u pushtua nga Italia. Pas takimit me Mbretin Zog, Mehdi Bej Frashëri shkoi dhe mori një takim me Ministrin Fuqiplotë të Italisë në Tiranë duke i kërkuar atij që të ndërhynte pranë Qeverisë së tij që Musolini të tërhiqte ultimatumin që i kishte dhënë Qeverisë shqiptare. Mbasi nuk e bindi dot atë, Mehdi Beu ndërmori dhe disa takime të tjera me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë duke u kërkuar atyre që të ndërhynin pranë Qeverive përkatëse me qëllim që të dënohej agresioni fashist që Italia po ndërrmerte ndaj një vendi të vogël e sovran siç ishte Shqipëria. Në mëngjezin e 7 prillit 1939 kur u dha lajmi se anijet luftarake italiane mbrritën në Portin e Durrësit, Mehdi bej Frashëri shkoi në Radio-Tirana dhe që andej me anë të një fjalimi iu drejtua gjithë popullit shqiptar duke i bërë thirrje që të ngrihej me armë kundra pushtimit fashist. Gjatë atij fjalimi i cili u ndoq me interes të madh nëpërmjet nga mijra qytetarë, Mehdi Beu duke folur në emër të popullit shqiptar e quajti Musolinin dhe trupat e tij “Atila oksidental, modern dhe i motorizuar”. Pas atij fjalimi patriotik dhe tepër prekës Mehdi Beu nuk u largua nga Shqipëria ndonëse i kishte të gjitha mundësitë, por preferoi dhe u fut në Legatën turke në Tiranë duke u kërkuar atyre strehim politik. Më pas autoritetet italiane që u vendosën në Shqipëri, duke e konsideruar Mehdi Beun si një antifashist e person politik me mjaft rrezikshëmri dhe kundërshtar potencial të tyre, e internuan atë në Itali duke e mbyllur në kampet e përqëndrimit ku ai qëndroi deri në vitin 1943. Në 1943 kur kapitulloi Italia dhe në Shqipëri hynë trupat gjermane, disa personalitete të politikës shqiptare të asaj kohe si Rexhep Krasniqi, Xhafer Deva, Bedri Pejani etj, gjatë bisedimeve që patën me përfaqësuesin fuqiplotë të Hitlerit në Ballkan (Nojenbauer) i kërkuan atij që të ndërhynte pranë Qeverisë së tij që Mehdi Frashëri i cili ndodhej i internuar në Itali, të sillej në Tiranë për të kryesuar Këshillin e Lartë të Regjencës, pasi ai konsiderohej si një nga politikanët më të aftë që kishte Shqipëria në atë kohë. Autoritetet gjermane u bindën për këtë dhe e sollën Mehdi Frashërin në Tiranë dhe ai së bashku me Lef Nosin, Padër Anton Harapin dhe Fuat Dibrën të cilët konsideroheshin si personat polikë me të kaluar të pastër, kryesuan Këshillin e Lartë të Regjencës i cili u zgjodh pas mbajtjes së një Kuvendi Kushtetues ku për herë të parë morën pjesë me mandat të rregullt dhe përfaqësuesit e Kosovës. Në funksionin e antarit të Këshillit të Lartë të Regjencës, Mehdi Frashëri qëndroi deri në fillimin e nëntorit të vitit 1944. Gjatë asaj periudhe si dhe më përpara në viteve e Monarkisë, Mehdi Frashëri ka banuar në Tiranë në një shtëpi tek Rruga e Dibrës të cilën ua kishte marrë me qera familjes Petrela, sepse shtëpinë e tij (vila ku sot ndodhet rezidenca e Ambasadës Ruse) ai e kishte lëshuar me qera për të përballuar jetesën e familjes. Në fillimin e nëntorit 1944 kur forcat partizane të Enver Hoxhës po përgatiteshin të sulmonin Tiranën, Mehdi Frashëri së bashku me gruan e tij Nejre (Biçaku) dhe tre fëmijët Vehbiun, Medihan dhe Ragipin u largua nga Shqipëria dhe nëpërmjet Shkodrës kaluan dhe u vendos në Itali e cila në atë kohë kontrollohej nga Forcat Aleate. Në Itali Mehdi Beu me familjen e tij përfituan statusin e azilantit politikë dhe kur mbërritën në Romë u vendosën në një apartament (afër stacionit të trenit) në Piaca “Rexhina Margarita”. Në atë periudhë Mehdi Bej Frashëri ishte në një moshë të thyer (75 vjeç) dhe nuk preferoi të vazhdonte më politikën, por iu përkushtua vetëm veprimtarisë studimore duke hartuar një Histori të Shqipërisë e cila i mbeti në dorshkrim pasi nuk arriti që ta botonte dot. Gjatë gjithë karrierës së tij politike Mehdi Frashëri arriti të botonte rreth 600 artikuj publicistikë e studimorë në gazeta e revista të ndryshme si dhe disa libra si “Koka e Prerë e Ali Pashë Tepelenës”, “Tirana Kryeqytet i Shqipërisë” etj. Mehdi Bej Frashëri vdiq në shtëpinë e tij në Romë në 25 maj të vitit 1963 kur ishte 91 vjeç dhe në varrimin e tij ku fjëlën e rastit e mbajti Dhimitër Berati, morën pjesë shumë personalitete politike të diasporës shqiptare në Europë e Amerikë, si dhe disa përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Itali.

Nipi i ish-Kryeministrit rrëfen gjithë të kaluarën e gjyshit dhe familjes së tij. Nga universitetet e Europës në administratën e shtetërore dhe largimin nga Shqipëria në 1944.

“Mehdi Beu i shpëtoi komunistët në shtëpinë e Koço Dilos”

Dëshmia e nipit, 64 vjeçarit Tefik Çelo: “Ndonëse gjyshi im Mehdi Frashëri ishte në funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës, ai nuk i urrente aspak komunistët, përkundrazi, i ndihmonte, edhe pse ata i përgatitën atentatin për ta vrarë. Shtëpinë e tij aty në Rrugën e Dibrës, Koço Dilo e kishte kthyer në bazë të fuqishme të komunistëve dhe kur gjermanët shkuan për ta bastisur, Mehdi Beu doli dhe i shpëtoi të gjithë komunistët që u larguan duke i shpëtuar arrestimit”

Pjesa e dytë

Dashnor Kaloçi

Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e së dielës i cili botohet në ciklin e shkrimeve mbi Familjet e Mëdha të Shqipërisë, u njohëm me historinë e jetës së ish-Kryeministrit Mehdi Bej Frashërit që nga origjina e familjes, diplomimi në Shkencat Politike -Ekonomike të Universitetit të Stambollit, funksionet në adminstratën e lartë otomane ku shërbyeu si Prefekt i Thrakisë, Sanxhakut e Maqedonisë, Guvernator i Palestinës, nënkomisar i Turqisë në Misir të Egjiptit etj. Po kështu aty u njohëm dhe me karrierën e tij të gjatë politike në Shqipëri që nga viti 1912 kur u caktua si Përfaqësues i shtetit shqiptar në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit për Shqipërinë si dhe në funksionet e Ministrit të Brendshëm, të Kryetarit të Kontrollit të Shtetit, Kryeministrit dhe antar i Këshillit të Lartë të Regjencës, funksion me të cilin mbylli karrierën e gjatë politike.

Familja e Mehdi Bej Frashërit

Cila ishte familja e Mehdi Bej Frashërit dhe ku banonin ata? Përse familja Frashëri nga trungu i së cilës rridhte Mehdiu mbeti në Turqi dhe a kishte ai të afërm të tjerë të fisit të tij që jetonin në Shqipëri? Sa fëmijë kishte Mehdi Bej Frashëri, ku ishin shkolluar ata dhe cili ishte aktiviteti i tyre shoqëror e politik në kohën e Monarkisë e në periudhën e pushtimit fashist të Shqipërisë? Cilët ishin miqtë e afërt të Mehdi Beut, si i ndihmoi ai komunistët dhe si mundi t’ju shpëtonte atentatit që i kurdisën ata? Si u largua ai nga Shqipëria dhe cilët ishin njerzit që e përcollën deri në kufirin me Malin e Zi. Lidhur me këto dëshmon nipi i tij (djali i vajzës Shehriarit) 64 vjeçari Tefik Çelo i vetmi trashëgimtar i mbetur gjallë nga pasardhësit e Mehdi Bej Frashërit, i cili kujton: “Ndonëse gjyshi im Mehdi Frashëri kishte lindur në fshatin Frashër të Përmetit (në 1872) ai nuk ka pasur në Shqipëri asnjë njeri tjetër të familjes apo nga farefisi, sepse familja e tij u shpërngul për në Turqi aty nga vitet e fundit të shekullit të IX dhe të gjithë pjestarët e saj mbetën atje me përjashtim të Mehdiut i cili u kthye në 1911 së bashku me shumë patriotë të tjerë shqiptarë që erdhën në kuadrin e Shpalljes së Pavarsisë. Familja e gjyshit tim nuk kishte asnjë lidhje farefisnore me familjen e vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit e Samiut, ose më saktë duhet të kenë pasur një lidhje gjaku shumë të largët. Gjyshi Mehdiu që kur shërbente në administratën e lartë otomone, aty nga viti 1903 u martua me Nejre Biçakun e cila (kishte lindur në 25 maj të vitit 1886) ishte një vajzë e re dhe rridhte po nga një derë fisnike bejlerësh të Elbasanit, (familja e Aqif Pashë Elbasanit) dhe Ahmet Zogun e kishte kushëri të parë (djalë daje). Nga kjo martesë, Mehdiut e Nejres iu lindën katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza. I pari i fëmijëve ishte Vehbiu (1906) e dyta nëna ime Sheriari (1907) e treta Medihaja (1911) i dhe i katërti Ragipi (1913). Ashtu siç ishte dhe tradita e familjes, gjyshi Mehdi Beu u kujdes që t’i shkollonte të gjithë fëmijët e tij në shkollat dhe universitetet e Europës. Kështu djali i madh Vehbiu u diplomua në Gjermani në një shkollë Tregtare, kurse Ragipi u shkollua në Itali duke u diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Romë, si dhe në Akademinë Ushtarake në Torino. Po kështu edhe Medihaja ishte diplomuar në një Universitet të Gjermanisë, kurse nëna ime Shehriari nuk i kishte kryer studimet e larta, por kishte mbaruar shkollën amerikane të Dakos në Kamëz”, dëshmon Tefik Çelo mbi përbërjen e familjes së nënës së tij, që ishte vajza e parë e mehdi Bej Frashërit.

Pozita shoqërore politike e familjes

Po cila ishte pozita shoqërore dhe politike e familjes së Mehdi Frashërit që nga koha e Monarkisë e më pas gjatë periudhës së pushtimit fashist? Lidhur me këtë Tefik Çelo dëshmon: “Që nga viti 1911 kur gjyshi Mehdi Beu së bashku me gjyshen Nejre dhe tre fëmijët që u kishin lindur atje erdhën nga Turqia në Shqipëri, ata u vendosën në Tiranë duke banuar në shtëpi të ndryshme si qeraxhinj. Nga fundi i viteve 1920 Mehdi Beu filloi të ndërtonte shtëpinë e tij e cila sot është rezidenca e Ambasadës Ruse dhe ndodhet në afërsi të Radiotelevizionit Shqiptar. Për ndërtimin e asaj shtëpie Mehdi Beu shfrytëzoi tokën që iu dha nga shteti (me vendim qeverie) ashtu si shumë funksionarë të tjerë të lartë deputetë e politikanë të cilët i blenë ato troje për të ndërtuar banesat e tyre. Për ndërtimin e asaj shtëpie përveç kursimeve nga të ardhurat që kishte si deputet, Ministër e Kryetar i Këshillit të Lartë të Shtetit, ai u ndihmua edhe nga familja e tij që ishte në Turqi, ashtu dhe nga ajo e gjyshes, (Biçaku) që po ashtu ishte familje e pasur. Gjatë viteve që Mehdi Beu qëndroi në Gjeneve të Zvicrrës si përfaqësues i shtetit shqiptar pranë Lidhjes së Kombeve, ai e linte me qera atë shtëpi me qëllim që të përballonte jetesën e familjes dhe fëmijëve të cilët shkolloheshin me pagesë në universitetet e Europës. Nga katër fëmijët e Mehdi Beut, vetëm nëna ime Shehriari u martua me Remzi Çelon, babanë tim me origjinë nga Leskoviku i cili në atë kohë punonte si sekretar i Legatës shqiptare në Selanik, kurse tre të tjerët Vehbiu, Medihaja dhe Ragipi kanë qenë beqarë e nuk u martuan asnjëherë. Daja i madh Vehbiu pas shkollimit në Gjermani, u kthye në Tiranë dhe gjatë viteve të Monarkisë është marrë pothuaj vazhdimisht me tregti, dhe të ardhurat që nxirrte ishin baza kryesore që mbahej familja. Po kështu edhe Ragipi mbasi qëndroi për afro dhjetë vjet në Itali ku mbaroi dy fakultete, erdhi në Tiranë dhe pasi punoi për disa kohë në administratën shtetërore e më pas u largua që andej dhe doli si avokat. Në vitet e fundit të Monarkisë dhe gjatë periudhës së pushtimit, Ragipi punonte si ortak së bashku me avokatin Haki Karapici. Kurse halla Medihaja ka qëndruar gjithmonë në shtëpi duke u marrë me punët e shtëpisë. Gjatë periudhës së pushtimit 1939-1944, di që daja i madh Vehbiu ka punuar disa kohë në postin e zv / Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë”, dëshmon Tefik Çelo rreth pozitës shoqërore të familjes së gjyshit të tij Mehdi Bej Frashërit gjatë kohës së Monarkisë.

Mehdiu, ndihmonte komunistët

Lidhur me periudhën e pushtimit fashist të Shqipërisë kur Mehdi bej Frashëri ishte një ndër politikanët më të lartë të shtetit shqiptar, nipi i tij Tefik Çelo dëshon Ndonëse gjyshi im Mehdi Bej Frashëri gjatë viteve të pushtimit fashist kishte pranuar postin e antarit të Këshillit të Lartë të Regjencës, ai nuk kishte asnjë lloj urrejtje për komunistët, përkundrazi në shumë raste ai i ka ndihmuar ata. Mehdi Beu ka pasur bindje antifashiste dhe që me ardhjen e Italisë ai u internua prej tyre. Gjatë viteve 1943-44 familja e gjyshit banonte tek Rruga e Dibrës së bashku me familjen e avokatit të njohur Koço Dilo, në një shtëpi që ua kishin marrë me qera familjes Petrela. Familja e Koço Dilos me të cilën ne kishim një miqësi shumë të ngushtë, ishte e lidhur e gjitha me lëvizjen antifashiste dhe e kishin kthyer atë shtëpi në bazë të sigurtë të komunistëve ku ishin strehuar dhe streoheshin eksponentë kryesorë të PKSH, shokë të Koços si Qemal Stafa, Vasil Shanto, Nako Spiro etj pasi dhe Telemaku, Melpomeni e Ksanthipi ishin komunistë apo të lidhur ngushtë me ta. Siç më ka treguar nëna ime, (gjë të cilën e mbajnë mënd dhe familja Dilo) një natë dimri të vitit 1944 daja i vogël Ragipi dëgjoi zhurmë në dritaren e banjës dhe kur shkoi menjëherë aty ndezi dritën e pa se aty në banjë ishte futur motra e Koços, Ksanthipi. Ragipi e pyeti atë se pse kishte hyrë aty dhe ajo iu përgjigj se shtëpia ishte e rrethuar nga gjermanët të cilët kishin arrdhur për kontroll dhe donin të arrestonin Telemakun dhe komunistët e tjerë që ishin strehuar aty. Ndërsa Ksanthipi ishte duke i shpjeguar dajës se aty kishte hyrë për të kërkuar ndihmën e Mehdi Beut që të dilte dhe të fliste me gjermanët e t’i merrte në mbrojtje ata, gjyshja Nejre e cila kujtoi se mos komunistët kishin ardhur për t’i bërë atentat Mehdiut, iu drejtua Ksanthipit duke i thënë: “Nga kjo dritare që ju keni hyrë për t’ë vrarë këtë plak patriot, ne do t’u shpëtojmë juve jetën. Dhe ashtu ndodhi me të vërtetë, Mehdi Beu u zgjua dhe doli të fliste me gjermanët duke iu thënë atyre se jo vetëm në atë shtpëpi, por në të gjithë lagjen nuk kishte këmbë komunisti. Pas fjalëve të Mehdi Beut gjermanët u larguan menjëherë duke e besuar atë dhe duke menduar se kishin informacion të gabuar mbi vendndodhjen e bazës së komunistëve. Ndërsa Mehdi Beu ishte duke u fjalosur me gjermanët, Telemaku dhe disa komunistë të tjerë që ishin strehuar aty dolën nga ajo dritare dhe u larguan në thellësi të shtëpive të lagjes duke i shpëtuar arrestimit të sigurtë. Gjatë pranverës së vitit 1944 katër komunistë të njësitit gueril të Tiranës hartuan një plan për t’i bërë atentat Mehdi Beut, por ai plan dështoi pasi njëra nga vajzat e familjes Petrela që kishte dijeni për atë atentat, e tregoi në shtëpinë e saj dhe i jati menjëherë e njoftoi Mehdi Beun i cili mori masa duke lajmëruar komandantin e truprojave të tij Sali Vatën nga Mati. Që nga ajo ditë Sali Vata i shtoi rojet si në shtëpi ashtu dhe në zyrë dhe kur e çonte Mehdi Beun nga shtëpia në zyrë dhe anasjelltas, ai rrinte vetë në makinë me të kurse dy motoçikleta e shoqëronin para veturës. Siç më ka treguar nëna, gjyshi ato roje nuk i mbajti më shumë se dy-tre ditë dhe i dha urdhër Sali Vatës që t’i hiqte duke i thënë: “Kush të dojë le të vi e të më vrasë”. Më pas për arsye sigurie ai u zhvendos me gjithë familjen nga banesa e Petrelasve dhe erdhi aty ku sot janë zyrat e Shoqatës së të Përndjekurve Politik, me qëllim që të ishte afër zyrave të Këshillit të Lartë të Regjencës të cilat ndodheshin disa metra më larg aty ku sot është Biblioteka e vjetër”, kujton Tefik Çelo atë periudhë kur Mehdi bej Frashëri ishte në funksionin e antarit të Këshillit të Lartë të Regjencës dhe shpëtoi nga atentati që i kishin kurdisur komunistët të cilët ai i ndihmonte vazhdimisht

Si u largua nga Shqipëria

Po kush ishin miqtë më të ngushtë të Mehdi Frashërit dhe si u largua Mehdi Bej Frashëri nga Shqipëria? Lidhur me këtë nipi i tij, 64 vjeçari Tefik Çelo kujton: “Ndonëse në vitin 1944 unë nuk kam qenë më shumë se shtatë vjeç, e mbaj mënd shumë mirë gjyshin tim Mehdi Beun dhe shpesh herë i vetëm nga shtëpia i shkoja në zyrë pasi Lef Nosi që punonte bashkë me të si antar i Regjencës më donte shumë dhe më falte ndonjë gjë. Një ditë tek ato zyra të Regjencës më gjeti dhe Mithat Bej Frashëri i cili pasi i pyeti rojet: “Çdo ky fëmijë këtu”, më mori për dore dhe më çoi tek një shkollë që ishte aty afër ku ai shkonte dhe takohej shpesh me mësuesit e saj. Mbaj mënd që Mehdi Beu kishte miq të ngushtë Padër Anton Harapin dhe Lef Nosin të cilët pothuaj çdo natë vinin për darkë kur banonim tek shtëpia e Petrelasve në rrugën e Dibrës dhe diskutonin për orë të tëra me gjyshin e kishte raste që flinin dhe aty tek ne. Po kështu në atë shtëpi vinin dhe shumë njerëz të tjerë si nga rrethi familjar i babait tim, ashtu dhe të panjohur që kishin halle dhe probleme me qeverinë. Mehdi Beu nuk i khente asnjëherë mbrapsht, por e ndërpriste punën e tij në studio dhe i priste gjithmonë, në çfardolloj ore që vinin natën apo ditën. Aty nga fillimi i nëntorit të vitit 1944 kur partizanët e Enver Hoxhës po përgatiteshin të sulmonin Tiranën, periudhë në të cilën ne më shumë rrinim në bodrumin e shtëpisë nga frika e bombardimeve, Mehdi Beu vendosi që të largonte jashtë Shqipërisë Medihanë, dhe dy prindërit e mi Remziun e Shehriarin bashkë me mua. Për këtë gjë ai preu dhe biletat e avionit, por kur e mori vesh babai im këtë gjë, nuk pranoi të largohej nga Shqipëria dhe pas kësaj me biletat tona përveç Medihasë u nisën dhe Ragipi e Vehbiu. Pak ditë pas largimit të tyre aty rreth ditëve të para të nëntorit 1944 edhe Mehdi Beu bashkë me gjyshen Nejren u larguan nga Shqipëria nëpërmjet Shkodrës dhe dolën në Itali. Nga Tirana për në drejtim të Shkodrës e deri në kufirin me Malin e Zi, gjyshi Mehdi bej Frashëri u largua i shoqëruar nga një kompani me ushtarë e cila ishte caktuar apostafat për mbrojtjen e tij dhe siç më ka treguar shoferi personal i tij Osman Baraku, të cilin gjyshi e kishte një nga njerzit më besnik, gjatë atij udhëtimi ata ranë disa herë në pritat e partizanëve. Osmani e përcolli me makinë Mehdi Beun deri në kufi dhe pastaj u kthye përsëri në Tiranë së bashku me komandantin e truprojeve Sali Vatën dhe shoferin tjetër që quhej Qazim.

DOSSIER/ Nipi i ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Mehdi Frashërit, rrëfen të gjithë aventurën e tij dhe të familjes në kampet e internimit, nga 1946 kur i përzunë nga Tirana e deri në 1991.

“Si jetuam të internuar në Gradishtë deri në 1991”

Dëshmia e 64 vjeçarit Tefik Çelo: “Në nëntorin e vitit 1944 kur gjyshi Mehdi Bej Frashëri me gjithë familjen iku në Itali, regjimi komunist ia konfiskoi vilën e tij aty ku sot është rezidenca e Ambasadës Ruse dhe qindra libra që u gjetën në dhomën e tij u dërguan në Bibliotekën Kombëtare. Pas kësaj edhe ne na nxorrën nga shtëpia e na përzuna nga Tirana dhe vilën tonë ia dhanë një Koloneli të Ushtrisë”

Dashnor Kaloçi

Në pjesën e dytë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm i cili prezantohet në kuadrin e ciklit mbi Familjet e Mëdha të Shqipërisë, nëpërmjet rrëfimit të Tefik Çelos, nipit të Mehdi Bej Frashërit u njohëm me historinë e ish-Kryeministrit të Shqipërisë dhe familjes së tij që nga vitet 1911 kur ai u kthye nga Turqia e filloi karrierën e tij politike duke mbajtur funksionet e Ministrit, deputetit, Kryeministrit, e deri në vitin 1944 kur ai u emërua në postin e antarit të Këshillit të Lartë të Regjencës. Po ashtu aty u njohëm edhe me ndihmesën që Mehdi Bej Frashëri u dha komunistëve duke i shpëtuar ata dhe bazën e tyre që ishte tek shtëpia e Koço Dilos në Rrugën e Dibrës kur gjermanët shkuan për kontroll ngaqë kishin informata të sakta se aty streoheshin eksponentët kryesorë të Partisë Komuniste, të cilët kishin vendosur për t’i bërë atentat Mehdi Beut.

Po çfarë ndodhi me Shehriarin, vajzën e madhe të Mehdi Bej Frashërit e cila pas ikjes së babait dhe familjes së saj për në Itali mbeti e vetme në Tiranë? Çfarë qëndrimi mbajtën ndaj saj komunistët që erdhën në pushtet dhe cili qe fati i hanëme Shehriarit dhe i familjes gjatë viteve të regjimit komunist? Lidhur me këtë djali i saj Tefik Çelo dëshmon: “Në nëntorin e vitit 1944 pas largimit nga Shqipëria të gjyshit Mehdi Bej Frashërit, gjyshes Nejre dhe tre fëmijëve të tyre Vehbiut, Medihasë dhe Ragipit, në Shqipëri mbeti vetëm vajza e madhe e tyre Sheriari, që është nëna ime. Në atë kohë që ikën ata, babai im Remzi Çelo së bashku me nënën vendosën që të largoheshim nga shtëpia e Petrelasve në Rrugën e Dibrës ku kishim banuar me qera së bashku me familjen e gjyshit Mehdi Beut, dhe u vendosëm në një vilë të vogël aty ku sot është Qyteti i Studentit. Atë vilë që u bë pronë e përbashkët e dy prindërve të mij, ne e blemë me kursimet e babait i cili kishte punuar për shumë kohë si Sekretar në Legatën shqiptare të Selanikut, si dhe me disa të holla që i kishte trashëguar nëna ime nga i jati i saj Mehdi Bej Frashëri. Pas ikjes së gjyshit me gjithë familje, nëna u interesua për fatin e asaj pasurie të pakët që ata kishin lënë në shtëpinë e tyre, por nuk mundi që të merrte dot asgjë, për arsye se komunistët që erdhën në pushtet vendosën shtetëzimin e shtëpive të të arratisurve politikë dhe si rezultat i saj u shtetëzua dhe vila e Mehdi Beut, ku sot ndodhet rezidenca e Ambasadës Ruse. Interesimi i nënës sime Shehriarit, nuk kishte të bënte me ato pak plaçka që kishin ngelur aty, por sipas porosisë që i kishte lënë gjyshi, ajo donte të merrte vetëm bibliotekën ku ndodheshin qindra tituj librash të cilët Mehdi Beu i kishte ruajtur që nga koha e Turqisë. Por edhe Biblioteka u shtetëzua dhe për fat të mirë të gjithë librat e saj përfunduan në Bibliotëkën Kombëtare ku ndodhen dhe sot”, kujton Tefik Çelo atë periudhë të vitit 1944-45 kur nëna e tij Shehriari mbeti e vetme në Shqipëri pas largimit të familjes së saj për në Itali dhe biblioteka e pasur me qindra libra që kishte lënë ish-Kryeministri i Shqipërisë, përfundoi në fondin e Bibliotekës Kombëtare.

Si na përzunë nga Tirana

Por ç’ ndodhi më pas me familjen e vajzës së Mehdi bej Frashërit? Lidhur me këtë Tefik Çelo dëshmon: “Regjimi komunist që erdhi në fuqi në nëntorin e vitit 1944, nuk e ngacmoi fare familjen tonë dhe deri nga viti 1946 ne qëndruam në vilën e vogël te Qyteti i Studentit pa pasur ndonjë problem të karakterit politik. Vetëm në vitin 1946 na njoftuan se Bashkia e Tiranës kishte marrë një vendim që në shtëpinë tonë do të vinte të banonte një ushtarak i lartë shumë i njohur që kishte qenë një nga herojtë e luftës dhe familja jonë do të shkonte të banonte në shtëpinë e tij që ishte diku në Lagjen Brrakë. Pas këtij vendimi ne nuk kishim se çfarë të bënim dhe babai shkoi ta shikonte atë shtëpi, por ato ditë ajo shtëpi u shemb nga që ishte shumë e vjetër dhe ne nuk hymë dot për të banuar aty. Megjithkëtë urdhri i Bashkisë së Tiranës u zbatua dhe ne ne nxorrën nga shtëpia ku u fut për të banuar familja e oficerit të lartë. Pas kësaj për familjen tonë nuk u muar ndonjë vendim se ku do të banonim, por na thanë që të shkonim ku të donim, në Përmet apo në ndonjë qytet tjetër, veçse nga Tirana duhet të largoheshim. Vendimi i Bashkisë së Tiranës për të na nxjerr ne nga shtëpia që e kishim pronë tonën, padyshim që ishte si rrjedhojë e asaj që nëna ime ishte vajza e Mehdi Bej Frashërit të cilin regjimi komunist e kishte shpallur si armik të popullit, ndonëse në të gjitha listat ku jepeshin emrat e atyre që quheshin Kriminelë të arratisur dhe që nuk lejoheshin të ktheheshin në Shqipëri, emri i tij nuk figuronte asnjëherë. Edhe pse emri i gjyshit Mehdi Bej Frashërit nuk figuronte në listat e atyre që regjimi komunist i quante Kriminelë të Luftë dhe që u ndalohej kthimi në Shqipëri, në vitin 1945 u arrestuan dhe u dënuan me 5 vjet burg shoferi i tij Qazimi dhe me 25 vjet Sali Vata, Komandanti i Rojeve. Të ndodhur përpara kësaj situate, aty nga fundi i vitit 1946 familja jonë së bashku me shumë familje të tjera të cilat quheshin të deklasuara si Dostët, Vrionët etj, u larguam nga Tirana dhe u vendosëm diku në periferi të Durrësit ku banuam për katër vjet me rradhë. Pas katër vjetësh qëndrimi në Durrës, duke përfituar nga një ulje apo më mirë të them një zbutje e dallgës së luftës së klasave, aty nga viti 1950 familja jonë dhe shumë familje të tjera me të cilët kishim shkuar nga Tirana në Durrës, u kthyem përsëri në Tiranë. Pas kthimit në Tiranë duke qenë se nuk kishim asnjë shtëpi se ku të banonim, na mori në shtëpinë e tij aty në Rrugën e Kavajës, Osman Baraku, ish-shoferi dhe njeriu më besnik i Mehdi Beut i cili në nëntorin e 1944 e kishte përcjellë gjyshin me gjithë familje deri në kufirin shtetëror me Malin e Zi. Ato vite të para të pasluftës nëna vazhdoi të komunikonte me letra me gjyshin Mehdi bej Frashërin dhe me dy vëllezërit e saj Vehbiun e Ragipin e motrën e Medihanë. Letrat që na vinin nga Italia gjithmonë mbanin firmën e dajave apo tezes Medihasë sepse gjyshi Mehdi Beu asnjëherë nuk shkruante vetë. Në atë kohë regjimi komunist na lejonte që të merrnim dhe ndonjë pako të vogël me rroba apo me ushqime që na i dërgonin ata nga Italia, por më pas kjo gjë u ndalua rreptësisht dhe jo vetëm pako që nuk na i lejuan më, por na e ndaluan dhe komunikimin me letra”, kujton Tefik Çelo periudhën e viteve të para të pasluftës kur familjes së tij pasi i shtetëzuan vilën e cila ndodhej aty ku sot është Qyteti i Studentit, e përzunë nga Tirana për në Durrës së bashku me shumë familje të tjera të atyre që regjimi komunist i quante klasa të përmbysura dhe nuk i lejonte që të merrnin letra nga njerzit e familjes që ishin arratisur nga Shqipëria.

Internimi në fshatrat e Lushnjes

Në atë shtëpi aty tek Rruga e Kavajës ne qëndruam deri në vitin 1953 kur pas një acarimi të situatës politike që erdhi pas vdekjes së Stalinit, na nxuarrën që andej dhe sipas një vendimi zyrtar të Komisionit të Internim-Dëbimeve na dëbuan nga Tirana duke na internuar në fshatrat e Fierit dhe të Vlorës. Në ato kohë familja jonë u nda në dy pjesë, sepse babanë Remziun e internuan në fshatin Kuç të Kurveleshit së bashku me 80 persona të tjerë nga familjet më të dëgjuara të Shqipërisë, kurse nënën Shehrirain, së bashku me motrën time Mimikën i çuan në Shtyllas. Në atë kohë vetëm unë munda të qëndroj në Tiranë, pasi më mbajti në shtëpinë e tij ish-shoferi i gjyshit Osman Baraku dhe vazhdoja shkollën në Politeknikumin “7 Nëntori” (sot Harry Fultz) së bashku me fëmijët e tij. Pas disa vjetëve qëndrimi në kampet e internimit në Kuç të Kurveleshit, Shtyllas të Fierit dhe Savër të Lushnjes, babai Remziu me nënën dhe motrën, në vitin 1957 u bashkuan në fshatin Gradishtë të Lushnjes ku ishte një nga kampet më të mëdhej të internimit në të cilin ndodheshin shumë nga familjet më të dëgjuara të Shqipërisë si Dostët, Mirakajt, Gjonmarkajt, Demat, e shumë të tjerë. Nga familja ime vetëm unë munda që të shpëtoj pa shkuar që në fillim në ato kampe internimi, sepse pasi mbarova Politeknikumin në Tiranë, bëra një kurs për teknik të aparaturave mjeksore dhe duke fshehur biografinë e rregullova që të shkoja në spitalin e qytetit të Korçës si specialist i mirmbajtjes së aparateve të atij spitali. Gjatë asaj periudhe që punova në spitalin e Korçës ku për mua kujdesej Dr. Polena sikur të më kishte djalin e tij, unë bëja kujdes që të mos zbulohesha dhe nuk i tregoja asnjeriu që e kisha familjen në internim në Gradishtë të Lushnjes. Kur ikja nga Korça për në Gradishtë për të takuar njerzit e familjes, gjithmonë shkoja natën dhe pa u zbardhur dita ikja që andej që të mos më shikonte njeri. Pas disa kohësh që punova në atë spital, filluan dyshimet ndaj meje pas një letre që më erdhi nga nëna e cila mbante vulën e fshatit Gradishtë. Disa ditë pas kësaj teksa kisha shkuar pranë familjes aty në barakat e Gradishtës, natën erdhi për kontroll operativi i Sigurimit dhe më gjeti brenda. Ai pasi i bëri presion nënës që nuk kishte treguar se e kishte djalin e madh, lajmëroi në Degën e Brendshme të Lushnjes për atë që kishte zbuluar. Pas kësaj erdhi letra në Korçë (ku më zbuluan që e kisha familjen në internim) ku u muar vendim dhe më dërguan edhe mua pranë familjes në Gradishtë. Në kampin e Gradishtës ne dhe të gjithë familjet e tjera që ishin të internuara aty, banonim në disa baraka të vjetëra gjysëm të rrënuara dhe të mbuluara vende-vende me katrama. Në ato baraka ku ne jetonim bashkarisht me shumë familje të tjera, kishte, ish-ballistë, legalistë, komunistë të dënuar, gjermanë, kosovarë, prostituta jugosllave e të tjerë me të cilët punonim në punët më të rënda të bujqësisë në kanalet e moçalishtet e fushave të pafundme të Myzeqesë. Përveç asaj jetese në kushtet e mizerjes, ajo që na e bënte akoma e më të padurueshme jetën tonë aty, ishte apeli që bëhej tre herë në ditë ku ne duhet të paraqiteshim para punonjësve të Degës së Brendëshme ku shpesh vinte dhe vetë Kryetari i Degës Nuçi Tira, i cili e kishte porosi të veçantë nga Tirana që “të kujdesej” më shumë për ne të internuarit që ishim “armiq të pushtetit popullor”, kujton Tefik Çelo periudhën e internimit të familjes së tij në kampet e internimit të Vlorës, Fierit e Lushnjes për të vetmin shkak se nëna e tij Sheriari ishte vajza e Mehdi Bej Frashërit, ish-Kryeministrit të Shqipërisë dhe antarit të Këshillit të Lartë të Regjencës gjatë pushtimit gjerman, të cilin regjimi komunist në fuqi e kishte shpallur armik të popullit.

Burgosja e Tefikut

Por çfarë ngjau më pas me familjen e Tefik Çelos, pinjollit të vetëm të familjes së Mehdi Bej Frashërit që kishte mbetur në Shqipëri? Lidhur me këtë: Tefiku kujton: “Gjatë viteve të para të internimit unë u dënova me një vit e gjysëm burg, pasi u zura dhe qëllova një Operativ të Sigurimit i cili na ishte bërë tepër i padurueshëm. Pasi e qëllova atë më arrestuan e më dërguan në Degën e Brendshme të Lushnjes ku vetë Kryetari Nuçi Tira mori një dru të madh dhe filloi të më binte ku të mundëte.Nga të bërtiturat e mia dolën në ballkone të gjitha familjet e oficerëve që banonin aty pranë dhe një grua i foli Nuçit duke i thënë: “Mjaft e qëllove atë djalë se po turpëron jo vetëm veten tënde, por dhe të gjithë ne familjet e oficerëve”. Pas fjalëve të asaj gruaje, Nuçi nuk më qëlloi më dhe kur më dënuan me një vit e gjysëm burg për rrahjen e Operativit, ai nuk më dërgoi në Burg, por më mbajti aty në Degën e Brendshme ku punoja me prapavijën. Në atë kohë që u dënova unë, familjen ma hoqën nga barakat e Gradishtës dhe ma dërguan thellë në kënetë ku jetesa ishte në kufijtë ekstrem të mizerjes”, kujton Tefik Çelo ato vite kur ai u dënua me burg për rrahjen e Operativit të Sigurimit aty në internim ku familja e tij qëndroi nga viti 1953 deri në vitin 1991 kur u shemb regjimi komunist.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *