Nga e majta në të djathtë (1943, Tiranë): Mulla Ilaz Spahija - Broja, Ilaz Agushi, Ferat Bej Draga dhe Bedri Pejani
HISTORIA

Atentati ndaj Shqipërisë etnike – Iljaz Agushi – Në emër të popullit

Ministër i Punëve Botore dhe zëvendëskryeministër i Shqipërisë etnike në vitet 1941-1943. Përpjekjet për çlirimin kombëtar të Kosovës dhe për bashkimin me Shqipërinë, deri tek vrasja me atentat nga komunistët në Tiranë.

Pasditen e 27 tetorit 1943, teksa Tirana i përjetonte lajmet e luftës nën atentatet e befta komuniste dhe mosmarrëveshjet e brendshme mes shqiptarëve, Iljaz Agushi, Ministër i Punëve Botore dhe numri dy i qeverisë së udhëhequr nga Eqrem Bej Libohova, pushonte në shtëpinë e tij buzë Lanës, zonë e cila sot njihet me emrin Pallatet Agimi. Nga viti 1941, pasi kish qenë deputet i Parlamentit të Mbretërisë Jugosllave e më pas Prefekt i Prishtinës, ai qe vendosur përkohësisht në kryeqytetin shqiptar, ku prej dy vitesh ishte pjesë e çdo kabineti qeveritar të Shqipnisë etnike. Si i tillë, prej kohësh, Iljaz Agushi ishte piketuar nga grupet sllavokomuniste që kishin nisur të fitonin famë e mbështetje me atentatet e organizuara kundër drejtuesve të lartë të Komandës së Mbretnisë Shqiptare, por edhe ndaj kabinetit të Libohovës, i cili konsiderohej si bashkëpunëtor i gjermanëve. Ato ditë, miq e shokë e kishin porositur zëvendëskryeministrin të tregohej i kujdesshëm, të pajtonte dikë që ta ruante, përndryshe mund ta pësonte.

Nuk ishte trembur as herën e fundit, kur dikush i kish trokitur në derë dhe më pas kur ai i kishte kërkuar të identifikohej, dy të panjohurit ia kishin mbathur nga sytë këmbët. Atë pasdite tetori, 73 vjet më parë, dikush do të trokiste sërish në derën e Iljaz Agushit kur ende pa e hapur mirë do të dëgjonte fjalët:

“Në emër të popullit, je i dënuar me vdekje”.

Pas tyre, zhurma e tre krismave dhe hapat e dy njerëzve që largoheshin me vrap nga vendi i ngjarjes. Vrasja e zëvendëskryeministrit ishte një tjetër provë e ashpërsimit të përplasjeve mes komunistëve dhe atyre që tek gjermanët kishin siguruar njohjen dhe mbështetjen për Shqipninë etnike, duke i siguruar jetën edhe të gjithë hebrenjëve të ardhur në trojet shqiptare. Pas mbarimit të luftës, pikërisht pse kishte qenë pjesë e qeverisë së Libohovës, e më parë i qeverisë së Mustafa Krujës dhe Maliq bej Bushatit, prishtinasi Iljaz Agushi, ashtu si edhe shumë figura të tjera të njohura dhe intelektuale të kabineteve në vitet ’41-44, u etiketua nga regjimi komunist si bashkëpunëtor i nazistëve, duke ia hedhur poshtë të gjithë veprën patriotike që ai kreu në Kosovë në vitet ’20-’30, e më pas në Tiranë, për bashkimin e trojeve shqiptare.

Në historiografinë zyrtare shqiptare të Tiranës, ai u denoncua shpesh si “ministër kuisling”, “armik i popullit”, i likuiduar nga njësiti partizan gueril i Tiranës. Pas bashkimit të Kosovës me Shqipërinë në vitin 1941, Iljaz Agushi u integrua mirë në jetën politike shqiptare, por do të mbahej mend për thirrjen që i bëri popullit shqiptar, më 26 korrik 1943, një ditë pas kapitullimit të Italisë dhe dorëheqjes së Benito Musolinit, duke i ftuar shqiptarët të rrinin “të qetë, secili në krye të detyrës edhe të punës së vet”, ngase “Qeveria ka marrë masat e nevojshme për sigurimin e rendit dhe të qetësisë botore”. Ai arriti ta dorëzojë në rregull dhe pa probleme pushtetin tek autoritetet e reja në vend.

Por, të gjitha përpjekjet e patriotike të Iljaz Agushit për mbrojtjen kombëtare të Kosovës dhe bashkimin e krijuar me Shqipërinë, asokohe dhe gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist do të cilësoheshin si punë në shërbim të qeverisë së Mustafa Krujës, e mandej do të etiketohej si tradhtar i popullit shqiptar, deri kur në maj të vitit 1942 do të quhej pjesëtar i “Kolonës së Pestë”.

Mirëpo, jeta dhe vepra e prishtinasit që u bë zëvendëskryeministër në të vetmen periudhë kur Shqipëria dhe Kosova ishin bashkë si një shtet i vetëm, në historinë e pas vitit 1913, do të shtrembërohej padrejtësisht pas vdekjes, e deri vonë do të mbeste në listën e tradhëtarëve që hartoi regjimi komunist pas mbarimit të luftës. Vetëm pas viteve ’90, emri i Iljaz Agushit do të merrte një tjetër dimension për rolin që ai ka patur në vitet ’30-’40 për çështjen shqiptare, ndërsa në Kosovë është nderuar më herët, e cilësohet si nga burrat e shtetit që i kanë kontribuar mbrojtjes së vendit.

Nga fundi i shek. XIX-të, familja Agushi konsiderohej si Derë e katërt e Prishtinës pas pinjollëve të Gjinollajve, Derës së Muftilerëve dhe Derës së Sulejman pashë Prishtinës. I lindur në një mjedis qytetar në Prishtinë, Iljazi kreu mësimet fillore dhe më pas ndoqi Kolegjin e Diturive Filozofike në Stamboll. Aty u punësua në Postën e Stambollit, nga ku nisi aktivitetet e para politike me lidhjen midis Komitetit Shqiptar të Stambollit dhe Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me seli në Shkodër.

Me t’u kthyer në atdhe, deri nga fillimi i viteve ’30 punoi si rentier, e më pas drejtor administriv i Vakëfit të Bashkësisë Islame të Prishtinës. Në mesin e viteve ’30, ishte anëtar i Këshillit Drejtues të Organizatës së Myslimanëve për viset shqiptare jashtë Shqipërisë londineze (Tirana zyrtare) dhe Drejtor i Vakëfit të kësaj Bashkësie, e cila kishte në administrim viset shqiptare etnike dhe historike jashtë kufirit të Shqipërisë zyrtare. Por, në politikë ai do të aktivizohej realisht vetëm pas vdekjes së të atit, në vitin 1938, i cili prej disa vitesh kish qenë deputet në Parlamentin e Jugosllavisë. Iljazi iu kushtua idesë kombëtare për çlirimin e Kosovës dhe ribashkimit të Shqipërisë Etnike sapo u zgjodh si përfaqësues në Parlamentin jugosllav për viset e Ferizajt.

Në prill të vitit 1941 do të bëhej shumë shpejt protagonist në Prishtinë, kur italianët vunë në krye të Komunën së Prishtinës një kryetar dhe nëpunës serbë. Duke mos u pajtuar me këtë, në krye të 30 mijë vetave, ai kërkoi largimin e tyre, përndryshe do të ndërhynte popullsia e revoltuar; një kërkesë e cila u plotësua pa kundërshtime. Kjo rriti figurën e tij në sytë e prishtinasve dhe po atë ai u zgjodh Prefekt i Prefekturës së Prishtinës, e cila synoi administrimin pjesës lindore të Kosovës së sotme, përfshirë edhe Drenicën. Gjatë kësaj periudhe, Iljaz Agushi iu përkushtua ngritjes së komunave në të gjithë vendin, me synimin për të bashkuar popullin, si dhe ndihmoi në forcimin e pushtetit shqiptar në qytete të ndryshme.

Për të mbërritur në pikën më kulminante të karrierës së vet politike, kur pas gjithë këtyre përpjekjeve për bashkimin e viseve shqiptare jashtë Shqipërisë zyrtare, ai do të bëhej anëtar i Kabinetit Qeveritar i Mbretërisë Shqiptare, në 3 dhjetor 1941. Në këtë qeveri që drejtohej nga Mustafa Kruja, e që më pas do të etiketohej si qeveri kuislinge, Iljaz Agushit iu ngarkua posti i Ministrit të Punëve Botore, meqë kishte përvojë të gjatë në administrimin e ekonomisë së Vakëfit të Prishtinës e të Shkupit. Kjo ishte një nga portofolet më të rëndësishme të qeverisë, të cilin do ta mbajë edhe në tri kabinetet qeveritare shqiptare, deri me kapitullimin e Italisë.

Më pas, në qeveritë e Maliq bej Bushatit dhe të Ekrem bej Libohovës, nga janari deri në mesin e shtatorit 1943, krahas postit të Ministrit të Punëve Botore, ai mbajti edhe postin e Zëvendëskryeministrit të Shqipërisë. “Periudha kur Iljaz Agushi i ushtroi detyrat shtetërore të përmendura më sipër, është koha kur pjesa më e madhe e tokave shqiptare, për të parën herë, përjetoi të mirat e shtetit kombëtar në mundësi: në fushë të ndërtimit, të shëndetësisë, të arsimit, të informimit, të bonifikimit të tokave, të komunikacionit tokësor, të telekomunikacionit, të zhvillimit ekonomik, të planifikimit hapësinor kombëtare shtetëror, etj. Në këtë kohë ai shton aktivitetin politik, duke shfrytëzuar maksimalisht postin e Ministrit të Punëve Botore dhe zëvendëskryeministrit për organizimin dhe fuqizimin e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, në përpjekje konkrete për ribashkimin e plotë administrativ shtetëror të Shqipërisë etnike. Fjalimet e tij në mitingjet popullore të shkurt-marsit 1942, në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Pejë e Prizren, janë të karakterit të theksuar atdhetar. Më 27 qershor 1942, Iljazi shoqëroi kryeministrin Mustafa Kruja në vizitën e tij të parë në Prishtinë, i cili u bë kryeministër i parë shqiptar që shkelte tokën shqiptare të Kosovës.

Por, këto përpjekje patriotike të Iljaz Agushit do të binin në sy të Partisë Komuniste Jugosllave, e cila menjëherë i quajti ato në shërbim “të qeverisë kuislinge të Mustafa Krujës”, ndërsa nisi një propagandë kundër zëvendëskryeministrit duke e etiketuar si tradhtar të popullit shqiptar. Në dhjetëra raporte të PKJ-së, ai portretohej si personalitet me mentalitet të vjetër, bejler-feudal dhe ‘islam proturk’. Ishte kjo koha kur emri i tij u rendit në listën e atyre që duhej të eleminoheshin nga skena politike. Kur në verën e vitit 1943 u pa qartë se kapitullimi i Italisë fashiste ishte çështje ditësh, Iljazi iu kushtua krijimit të Frontit të Përbashkët Nacionalçlirimtar Shqiptar të të gjitha drejtimeve politike e luftarake shqiptare për mbrojtjen e Shqipnisë etnike. Për këtë arsye ai i ofroi përkrahjen politike edhe Lëvizjes Nacionalçlirimtare Shqiptare të drejtuar nga Enver Hoxha, “me kusht që ajo të zhvillohej politikisht dhe ushtarakisht unike për mbarë hapësirën e Shqipërisë Etnike, me një qendër politike dhe me një komandë ushtarake për tërë Shqipërinë Etnike. Kërkonte nga komunistët shqiptarë që çështja shqiptare e pazgjidhur të ndërkombëtarizohej si çështje gjithëshqiptare dhe jo si çështje krahinore parciale”. Iljazi mori pjesë edhe në Marrëveshjen e Mukjes, të 1-2 gushtit 1943, të cilën e mbështeti dhe menjëherë pas saj formoi “Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë”.

Pas kapitullimit të Italisë, në një dokument të nënshkruar më 11 shtator 1943, Iljaz Agushi shkruante se: “Mbasi u konstatue njoftimi se ushtritë gjermane vijnë në tokën shqiptare si mike vetëm për nevojë të luftës; Mbasi u konstatue se Reich-u i Madh Gjerman e shikon me simpati nji Shqipni independente me kufijë që i caktojnë gjuha e gjaku dhe asht e vendue me e mbrojtë, Këshilli Ministruer njizanit Vendosi:

1) Shpallet pamvarësija e plotë Shqiptare,

2) Qeverija merrë të gjitha pushtetet sovrane deri sa të zgjidhet Asambleja e re,

3) Krijohen Ministrija e P. të Jashtme dhe Ministrija e Mbrojtjes kombëtare,

4) Riorganizimi i fuqive t’armatosuna shqiptare do të fillojë me njiherë,

5) Rregulli botuer do të mbahet me çdo kusht”.

Kabineti Libohova-Agushi, më 14 shtator 1943, ia dorëzoi qeverisjen e Shqipërisë etnike Këshillit Ekzekutiv të Përkohshëm, në përbërje: Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Lef Nosi, Mehdi Frashëri, Patër Anton Harapi dhe Fuad Dibra.

Po atë ditë, në Prizren u mblodh Këshilli Nismëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, i cili mes të tjerash vendosi kërkesën për “bashkimin e përhershëm dhe të pazgjidhshëm të të gjithë krahinave të banueme qysh prej mija vjetsh prej popullsinash shqiptare”; si dhe “mbledhjen e të gjitha dokumenteve historike, politike dhe diplomatike që forcojnë qënien shqiptare të tokave të lirueme, ashtu dhe ngjarjet dhe vuajtjet e pafund të banorëve të ktyne viseve në kohën e sundimit jugosllav si dokument në rasën e një paqeje të arthme”.

Njëkohësisht, aktiviteti i hapur dhe në rritje politik i Iljaz Agushit do të vinte në lëvizje komunistët jugosllavë, të cilët në bashkëpunim me ata shqiptarë, vendosën të kryenin eleminimin fizik të tij.

Strategjia për vrasjen e Iljaz Agushit u përpunua në Ferizaj, pikërisht në banesën e ushtarakut Pjetër Cica, ish-komandant i Ushtrisë së Mbretnisë Shqiptare, i lidhur ngushtësisht me Organizatën e PKJ-së për Rrethin e Ferizajt, si edhe me komandantin partizan të Kosmetit, Fadil Hoxhën. Janë të njohur emrat e shumicës së komunistëve prishtinas, gjakovarë, shkodranë e tiranas, të cilët e përgatitën atentatin, por edhe emrat e tre atentatorëve, nga katër sa ishin gjithsej.

Në Raportin e Prokurorisë së Shtetit Shqiptar – për Ministrinë e Drejtësisë, më 30 tetor 1943, thuhet: “Kemi nderin t’u njoftojmë se më datën 27 tetor 1943, në orën 18, dy njerëz të panjoftun kanë hyrë në banesën e ish-Ministrit të Punëve Botore Iljaz Agushi, lindun në Prishtinë dhe banues në Tiranë, dhe e kanë vrarë vdekun tue i dhanë gjashtë plagë, gjithashtu kanë tentue dhe kontra Federalit të Prishtinës, z. Ismail Hysit, por pa dam. Zavendës Prokuror’ i Shtetit, Kemail”.

2 thoughts on “Atentati ndaj Shqipërisë etnike – Iljaz Agushi – Në emër të popullit”

  1. Ilaz Agushi , ka qenë një nga njerëzit me autoritet më të larte në Shqipëri. Eshtë me interes të madhë nëse bëhen publike emrat e dorëvrasëve. Jo , për të nxitur urrejtje por për të ndikuar te gjeneratat se nuk mbetet as një rast i tillë pa u zbuluar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *