OPINIONE

FYTYRA E VËRTETË E INSTITUCIONALISTËVE TË SOTËM TË KOSOVËS

Shkruan, Arbër Gashi – Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Koordinator të Ballit për Shqipërinë etnike

Jo rrallë, shigjetat thumbuese në skenën politike të Kosovës janë thyer rreth institucionalizmit dhe institucionalistëve. Institucionalizmi i kuptuar si vlerë e jetës shoqërore, si forcë e kontrollit social, si rezonim shtetëror dhe institucionalistët të përceptuar si shërbyes në këto institucione, Kosovës së viteve të 70-ta të shekullit të kaluar i ofruan një mundësi të re të politikbërjes dhe kundërshtimit ndaj pushtuesit serb.

KOSOVA NË VITET 1974 – 1979

Kushtetuta e vitit 1974 i garantonte Kosovës një subjektivitet të kushtëzuar. Në njërën anë, ajo ishte element konstituiv i federatës jugosllave dhe në anën tjetër krahinë autonome në kuadër të Republikës së Serbisë. Shqiptarët, të cilët deri atëherë kishin rezistuar në forma të ndryshme legale e ilegale kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës dhe viseve tjera, për herë të parë pas vitit 1945 fituan një mundësi të tregojnë kualitetin e tyre në rrafshin e politikës dhe diplomacisë. S’do mend, institucionet e Kosovës së atëhershme nuk ishin institucione kombëtare shqiptare. Ato ishin institucione të shtetit pushtues dhe si të tilla, pavarësisht mundësive zhvillimore që ofronin për shoqërinë shqiptare të asaj kohe, ato nuk e kishin synim legalizimin e barazisë kombëtare të shqiptarëve në kuadër të federatës jugosllave.

Zhvillimi i hovshëm i Kosovës në vitet 1974 – 1979 erdhi si rezultat i një pune tejet profesionale në fushën e arsimit. Gjenerata e re e asaj kohe i kishte vënë vetes synim dhe kërkonte zhdukjen e analfabetizmit te shqiptarët. Kualiteti i mësimdhënjes në shkencat natyrore njohu një përparim mbresëlënës dhe ishte për nga cilësia i përafërt me sistemin e arsimit të demokracive perëndimore, megjithë mungesën e laboratorëve profesional në shkollat e Kosovës. Në shkencat shoqërore vazhdonte të mbizotëronte trajtimi ideologjik i dukurive sociale, të kaluarës historike dhe perspektivës zhvillimore të shoqërisë. Botimet e librave me përmbajtje sociale, ekonomike dhe historike merrnin miratimin e domosdoshëm të institucioneve përkatëse të cenzurës komuniste. Tekstet që nuk e kalonin cenzurën dhe autori ose autorët e tekstit, trajtoheshin sipas ligjeve në fuqi. Për t’i ikur dënimeve drakonike dhe cilësimit si kundërrevolucionar, autori ose autorët ishin të detyruar të prodhonin tekste që nuk i përmbushnin në tërësi kriteret shkencore. Cenzurës komuniste të kohës iu nënshtruan të gjitha punimet me karakter historik, ekonomik dhe social, përfshirë aty edhe punimet shkencore të akademikut të ndjerë, Ali Hadri, i cilësuar si një prej historianëve më produktiv të Kosovës dhe emrin e të cilit e mbajnë shumë shoqata historianësh në Kosovën e sotme.

Institucionet e Kosovës së viteve 1974 – 1979 i mundësuan shqiptarëve të pushtuar nga ish-Jugosllavia një zhvillim të hovshëm në fushën e arsimit dhe ndikuan dukshëm në krijimin e një plejade punëtorësh shoqëror, ekonomik e arsimor, të cilët, më vonë do të bëheshin bartësit e luftës kombëtare për liri dhe pavarësi. Megjithë pengesat e mëdha me të cilat ballafaqohej përparimi kombëtar i shqiptarëve, përmes atyre mundësive të kufizuara që ofronin institucionet e kontrolluara arsimore të Kosovës së pushtuar, shqiptarët arritën të përfitojnë maksimalisht dhe të krijojnë një kulturë të re të bashkpunimit politik, shkencor dhe arsimor brenda institucioneve të sistemit.

Vdekja e diktatorit komunist Tito në vitin 1980 dhe zhvillimet tjera politike në skenën ndërkombëtare, paralajmëronin dështimin total ekonomik dhe rënjen e madhe të lindjes komuniste.

DEMONSTRATAT E VITIT 1981 DHE AGRESIONI SERBOMADH NDAJ INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS

Shpërthimi i demonstratës studentore në vitin 1981 shënon momentin e kthesës vendimtare dhe fillimin e një periudhe të luftës e ballafaqimit institucional në kuadër të federatës jugosllave me çështjen shqiptare. Të cilësuara nga sistemi si vepër kundërrevolucionare e irredentizmit dhe nacionalizmit shqiptar, demonstratat e vitit 1981 i hapën derën e madhe sulmit institucional të federatës jugosllave ndaj subjektivitetit të veçantë kushtetues të Kosovës. Në Kosovë, kolonistët serb e malazez sëbashku me Kishën Ortodokse të Serbisë filluan mobilizimin antishqiptar. Diferencimi ideologjik brenda institucioneve paralajmëronte deinstitucionalizimin e vullnetit politik të shqiptarëve dhe pastrimin etnik të Kosovës. Grupet e rezistencës ilegale nuk e posedonin forcën e kundërvënjes dhe mbrojtjes së shqiptarëve. Përpos propagandës së theksuar komuniste, ato dështuan tërësisht në misionin e tyre për realizimin e barazisë kombëtare dhe shpalljen e Republikës së Kosovës.

Periudha e viteve 1981 – 1989 mund të cilësohet edhe si periudhë e mungesës së strategjisë kombëtare për t’u mbrojtur nga agresioni serbomadh, duke shpërfaqur kudo në skenën politike ndërkombëtare shenja dalluese të vetëvrasjes së mbushur me injorancë ideologjike komuniste. Mbështetja propagandistike e PPSH-së për grupet ilegale të marksist-leninistëve në Kosovë dhe mërgim, nuk ishte rastësi. Të indoktrinuar si mos më keq me ideologjinë komuniste, anëtarët e grupeve marksiste-leniniste nuk e morën asnjëherë në konsideratë mendimin kritik, argumentin shkencor dhe veprimin profesional e institucional për çështjen shqiptare. Në Kosovë dhe viset tjera, puna e organizatave ilegale kufizohej në shpërndarjen e trakteve me përmbajtje komuniste. Vala e burgosjeve sa vinte e shtohej. Nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë, të burgosurit shqiptar trajtoheshin si armiq të shtetit jugosllav, por, pavarësisht këtij trajtimi, atyre ju lejohej leximi, indoktrinimi ideologjik dhe shpërndarja e veprave të Enver Hoxhës. Të ndaluara rreptësisht për lexim dhe shpërndarje në burgjet jugosllave ishin veprat e Ernest Koliqit, At Gjergj Fishtës, Mit’hat Frashërit, Mustafa Krujës, Martin Camajt etj. Hiq asgjë, asnjë vepër tjetër politike nuk e trondiste më shumë Serbinë dhe Jugosllavinë, se përmendja e emrit të Xhafer Devës. Emri i Xhafer Devës ishte tronditja e thellë shpirtërore që i bashkonte komunistët serb e shqiptar, dhe përderisa serbët i kaplonin djersët e ftohta të vdekjes siberiane kur dëgjonin emrin e tij, komunistët shqiptar kujdeseshin për t’ju dhënë garancinë e duhur se nuk do të lejonin në asnjë rrethanë daljen në skenë të një lëvizjeje ekuivalente me Lidhjen e Dytë Shqiptare të Prizrenit. Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë, PPSH-në e konsideronte Frakcion+ të ideologjisë së përbashkët komuniste. Ajo nuk kishte asnjë dyshim në premtimet e komunistëve, sepse ishin të vetëdijshëm se Enver Hoxha do t’i përmbahej marrëveshjeve të dikurshme me jugosllavët, pavarësisht propagandës boshe dhe mbështetjes për grupet marksiste-leniniste, e cila në të shumtën e rasteve, më shumë dëmtonte synimin dhe iritonte qarqet ndërkombëtare, se sa që ishte një shërbim i dobishëm për çështjen e pazgjidhur shqiptare.

Nuk e dimë se a është rastësi apo heshtje e qëllimshme fakti që, Shoqata e të Burgosurve Politik të Kosovës dhe sidomos Adem Demaçi si përfaqësuesi i sajë më eminent, asnjëherë nuk e kanë kërkuar zyrtarisht heqjen e dekoratave të shtetit komunist shqiptar dedikuar Aleksandër Rankoviqit, Svetozar Vukmanoviqit, Milladin Popoviqit dhe kriminelëve të tjerë komunist serbomalazez, të cilët luftuan krah për krah me pjesmarrësit shqipfolës të Orgjisë komuniste të Bujanit për të realizuar ripushtimin serb të Kosovës në vitet 1944 – 1945, dhe kështu, përmes terrorit e gjenocidit ta mundësojnë bashkimin e Shqipërisë komuniste me Jugosllavinë e Titos! Dyshoj shumë dhe nuk e besoj dot, por as nuk shpresoj që Shoqata e të Burgosurve Politik të Kosovës do të distancohet ndonjëherë nga vepra kriminale e sistemit komunist të Enver Hoxhës dhe dekoratat e tij që stolisin muret e pushtuesve serbomëdhenj të Beogradit.

Dihet tashmë dhe e nuk është fare kontestuese dëshmia për emisarët e PPSH-së, të cilët i ranë botës kryq e tërthor për të përmbushur detyrat që caktonte Byroja Politike e PPSH-së. Shpërndarja e veprave të Enver Hoxhës, instrumentalizimi i çështjes shqiptare për nevoja të pushtetmbajtjes komuniste dhe futja e hutisë përmes përçarjes ideologjike ishin detyrat që duhej zbatuar. Në këtë veprimtari të vëllazërisë ideologjike dhe besnikërisë komuniste u shquan shumë shqiptarë që sot drejtojnë politikën e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë.

SUPRIMIMI I AUTONOMISË SË KOSOVËS DHE REAKCIONI I SHQIPTARËVE

Në vitin 1986 Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë opinionit jugosllav dhe atij ndërkombëtar ia prezantoi Memorandumin për Serbinë e Madhe, dokument të cilin e kishin përpiluar dhe miratuar: Dobrica Qosiq, Dushan Kanazir, Ljubomir Tadiq (babai i ish-presidentit serb Boris Tadiq, me të cilin Hashim Thaçi bëri marrëveshjen e fshehtë për krijimin e Asociacionit Serbia e Madhe) dhe akademikët tjerë serb. Memorandumi për Serbinë e Madhe shkaktoi tronditje të thellë në tërë territorin e federatës jugosllave. Dilemat për ekzistencën apo shthuarjen e federatës komuniste morën fund. Tanimë, shpërbërja e federatës jugosllave ishte vetëm çështje kohe dhe qarqet e mirëinformuara nuk dyshonin fare në rezultatin final.

Suprimimit të autonomisë së Kosovës i parapriu një fushatë e egër antishqiptare e shoqëruar me diferencim, dhunë të papërmbajtur policore, vrasje, burgosje dhe dënime drakonike. “Me ndryshimet kushtetuese Kosova nuk humbë asgjë!”, ishte fjalia që e përsërisnin me zë të lartë komunistët e Kosovës, ndër ta, edhe kryeministri aktual i Kosovës, Isa Mustafa… Megjithatë, Kosova, jo vetëm se e humbi autonominë, por ajo u ballafqua me një terrorizëm të institucionalizuar shtetëror kundër popullsisë së pafajshme civile. Terrorin shtetëror serbomadh ndaj popullsisë shqiptare e nxiste Kisha Ortodokse e Serbisë dhe kolonët serbomalazez të Kosovës. Ndaj Kishës Ortodokse të Serbisë dhe kolonëve serb, asnjëherë nuk është ngritur aktakuzë zyrtare për nxitje dhe mbështetje të gjenocidit!

PLURALIZMI POLITIK DHE RËNJA E MURIT TË BERLINIT

Fillimet e pluralizmit politik Kosovën e gjetën në një përpjekje titanike dhe aspak të koordinuar kundër masave të dhunshme të pushtuesit serbomadh. Siç e cekëm më lart, me suprimimin e autonomisë politike Kosova e humbi edhe shpresën e fundit për të adresuar një politikë përfaqësuese të interesave shqiptare. Interesat e Kosovës në federatën jugosllave i përfaqësonin “shqiptarët e ndershëm” për Serbinë. Elhami Nimani, Rrahman Morina, Riza Sapunxhiu, Sejdo Bajramoviqi dhe emra të tjerë të Lidhjes Komuniste ishin kuadrot që kishin marrë përsipër barrën e serbizimit paqësor të Kosovës. Grupet ilegale, sidomos ato që e trumbetonin dhe konsideronin vehten pararojë të kauzës për Republikën e Kosovës, nuk ofruan strategji veprimi praktik dhe ngurruan të dalin hapur, duke i harruar premtimet e trumbetuara vazhdimisht për marrjen e përgjegjësinë politike dhe përfaqësimin e interesave shqiptare. Delegatët e Kuvendit të Kosovës, e sidomos ata prej të cilëve pritej rezistenca u ballafaquan me një terror të paparë psikologjik. Në rrethana të jashtëzakonshme politike, në një kohë kur dezintegrimit të subjektivitetit juridik të Kosovës po i afrohej fundi i tmerrshëm dhe në një ambient të mbushur me dhunë ekstreme policore e ushtarake, në skenën politike të Kosovës doli Kryetari i posazgjedhur i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

KTHESA HISTORIKE

Angazhimi politik i Kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ngjalli shpresën e tërë popullit shqiptar në ish-Jugosllavi për një përfaqësim dhe adresim dinjitoz të çështjes shqiptare. Rreth Dr. Rugovës u mblodhën pothuajse të gjithë letrarët e Kosovës dhe në dhjetor të vitit 1989, ata zyrtarizuan themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Akti i themelimit të LDK-së shënon kthesën e madhe historike në politikbërjen profesionale e kombëtare të shqiptarëve. Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë u shkatërrua si kulla prej letre. Populli shqiptar i Kosovës po i bashkohej masovikisht subjektit të ri politik. Grupet ilegale marksiste-leniniste e humbën tërësisht ndikimin politik. Ato po ballafaqoheshin me një situatë të re, të panjohur më parë dhe të papritur për to. Shpresat e shqiptarëve ishin lidhur tashmë me LDK-në dhe liderin e saj, letrarin Dr. Ibrahim Rugova.

Rugova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës inicuan formulimin dhe miratimin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 dhe Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit 1990. Mbi bazën e këtyre dokumenteve shtetformuese, filloi formimi i institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës, i cili në vitin 1999 rezultoi me ndërhyrjen e trupave të NATO-s dhe dëbimin e pushtuesit serbosllav nga një pjesë e Kosovës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *