HISTORIA

Dokumente dhe fakte: Shqipëria ndërmjet aspiratave dhe mundësive

Çështja e Kosovës ishte një prej çështjeve më problemore në tavolinat e diplomacive të mëdha qё nga Luftat ballkanike dhe ndarja e saj nga Shqipëria kur edhe u krijua një debalanc i madh ndërmjet shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre hegjemon dhe grabitqar. Ndërsa, krizat e mëdha, Lufta e Parë Botërore, e sidomos ajo e dyta e aktualizuan rishtazi këtë çështje, duke vënë si sfidë për diplomacinë perëndimore çështjen shqiptare në Përgjithësi si dhe atë të Kosovës në veçanti.

Shkruan: Prof. Dr. Haqif Mulliqi

Nga fundi i vitit 1942 dhe me fillim në vitin 1943, Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe (FO) nisi që me seriozitet ta shqyrtonte edhe çështjen e Ballkanit, e ne këtë kuadër edhe atë shqiptare. Në këtë periudhë, FO-ja, përpos se po merrej me shqyrtimin e materialeve të arkivosura dhe atyre që po arrinin nga terrenet nga misionarët që i kishte shpërndarë nëpër tërë Ballkanin, materiale këto që po ekzaminoheshin nga ekspertët më të shquar britanik, ajo ngjeshure shqyrtonte dhe analizonte edhe materiale nga proveniencat e ndryshme, për çështje të ndryshme, të hapura, ndër të cilat, mbase, çështja shqiptare ishte më delikatja. Kështu, në këtë periudhë, kjo ministri, në mënyrë intensive, është marrë edhe me studimin e vizioneve, koncepteve dhe pikëpamjeve të shqiptarëve lidhur me heshtjet e të shkuarës por edhe të të ardhmes së Shqipërisë, dhe Kosovës, gjë që mund të konsiderohet edhe si një përpjekje mbase që qeveria e këtij vendi të madh dhe me influenca ndërkombëtare ta kristalizojë një qëndrim të qartë ky vend dhe diplomacia e saj lidhur me çështjen e cila vazhdon të jetë nga më të ndjeshmet edhe sot e kësaj dite.

Ekspertët britanik mendonin se në luftën e dytë botërore kufijtë etnik u njësuan me kufijtë politik

Çështja e Kosovës ishte një prej çështjeve më problemore në tavolinat e diplomacive të mëdha qё nga Luftat ballkanike dhe ndarja e saj nga Shqipëria kur edhe u krijua një debalanc i madh ndërmjet shqiptarëve dhe fqinjëve të të tyre hegjemon dhe grabitqar. Ndërsa, krizat e mëdha, Lufta e Parë Botërore, e sidomos ajo e dyta e aktualizuan rishtazi këtë çështje, duke vënë si sfidë për diplomacinë perëndimorë çështjen shqiptare në Përgjithësi si dhe atë të Kosovës në veçanti. Në veçanti të angazhuar rreth kësaj çështjeje ishin diplomatët britanik, duke përfshirë këtu qeverinë e Vinston Çerçil si dhe kabinetin e Mbretit Xhorxh të V-të.

Lidhur me çështjen e Shqipërisë, problem të veçantë paraqiste fakti se Shqipëria ishte aneksuar nga Italia dhe e kishte humbur pavarësinë në këtë mënyrë. Amerikanët e mbështetnin pavarësinë e Shqipërisë, Moskën e shqetësonin veprime të grupeve partizane në Ballkan, të cilat, në fillim të organizmit kundër pushtuesve kishin bërë veprime të cilat nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik ishin cilësuar si të papranueshme dhe tejet nacionale, kështu që, së andejmi, arriti një direktivë për të gjitha partitë komuniste në jug të Evropës, që t’i shtypin ndjenjat nacionaliste, veçanërisht brenda radhëve të tyre.

Sipas britanikëve, kjo kishte ndikim të madh edhe tek komunistët partizan në Shqipëri dhe, në Pezë, në shtator të vitit 1942, u hapën udhë qё të bëhen ndërlidhje të ngjeshura të marrëdhënieve ndërmjet partive komuniste të Shqipërisë, Greqisë dhe të Jugosllavisë si sinjal dërguar Moskës se gjërat në Shqipëri po ndryshonin dhe se mund të pritej një fazë e re e rezistencës nazi-fashiste. Ndërsa, pas Pezës, si refleksion i tërë kësaj, edhe me direktiva të Tiranës, gjatë vitit 1943 u formua një organizatë komuniste e cila i jepte llogari Titos, qëllimi i së cilës duket se ishte t’i shtypte ndjenjat anti serbe te shqiptarët e këtushëm të cilët përbënin shumicën absolute në regjion. Në janar të vitit 1944 në Buaj (Veri i Shqipërisë së sotme – Malësi e Gjakovës) u mbajt një kongres në të cilin morën pjesë 52 delegatë, duke përfshirë këtu edhe serbët dhe malazezët si dhe dy deputetë të ish-parlamentit jugosllav ku, u morën disa vendime të cilat ua mundësonin qytetarëve të Kosovës qё, pas mbarimit të luftës, të vendosnin vet se në bashkësi të cilit shtet do të dëshironin të jetonin në të ardhmen. Ishte ky një vendim i cili egërsoi liderët e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, në veçanti ata të Serbisë.

Para kësaj, meqë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik ia (ri) njohën pavarësinë e Shqipërisë të suprimuar nga Italia fashiste, para dhe pas njohjes së pavarësisë së vendit, Foreign Office, me qëllim të orientimit të qëndrimeve të veta do të kërkojë ndihmë nga edhe nga grupe të ndryshme të ekspertëve të çështjeve ballkanike, nëpër universitet e mëdha të Britanisë së Madhe që në mënyrë të veçantë të trajtonin çështjen shqiptare në Ballkan me të gjitha anët e problemit. Ndaj dhe, pas kësaj u sajuan harta të ndryshme dhe elaborate mbi çështjet qё ndërlidhen me mundësitë e ekzistimit dhe të zhvillimit të Shqipërisë, sidomos pas rrethanave të pandehura qё mund të ndodhnin pas përfundimit të luftës në Ballkan, por edhe më gjerë në Evropë.

Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe (FO)

Më poshtë në këtë punim do të sjellim disa aspekte nga një dokument kompleks dhe shumëfaqësh të cilin për nevojat e diplomacisë britanike i kanë bërë në atë kohë ekspertë të Universitetit të Oksfordit, konkretisht të Kolegjit për Politika Ndërkombëtare të Baliolit.

Sipas gjetjeve në këtë hulumtim, vërtetë serioz, shohim se, ekspertët britanik parashihnin se, pas përfundimit të luftës dhe armiqësive në Ballkan, Shqipëria do të dalë si shtet i pavarur dhe sovran, porse nuk përjashtoheshin probleme të mëdha të cilat ndërlidheshin drejtpërsëdrejti me specifikat qё kishte regjioni si dhe trashëgimitë e mosmarrëveshjeve dhe armiqësive nga e kaluara. Shi për këtë, propozimet më të shpeshta të ekspertëve kishin të bënin me atë se, Shqipërisë i duhej një lloj mbikëqyrjeje ndërkombëtare të cilën ata e cilësonin si udhëheqje dhe kontroll nga “Këshilltarë të huaj”. Po ashtu, sipas këtyre analizave nuk përjashtohej mundësia qё Shqipëria të futej në ndonjë bashkësi të shteteve Ballkanike, apo dhe mund të refuzohej aderimi në këtë bashkësi e cila ishte paraparë me marrëveshjen Greko-Jugosllave të 15 janarit të vitit 1942. Shqipëria, e cila, duke hyrë në union me Mbretërinë italiane e kishte humbur pavarësinë, sipas ekspertëve në fjale, pas lufte do të duhej ta filloje sendërtimin e saj nën mandatin e një apo dy superfuqive të pa interesuara për këtë vend. Për këtë gjë u propozuan Britania e Madhe ose SHBA-te, ose që të dyja këto së bashku.

Analizat tjera, jo vetëm të ekspertëve të këtij universiteti, por edhe të ekspertëve të qeverisë si dhe të atyre të pavarur sajonin teza, por edhe vizatonin harta të ndryshme të Shqipërisë, por të gjitha këto ngriheshin në nivel spekulimesh meqë nuk jepeshin mendime lidhur me atë se çfarë do të jete definitive para Konferencës së Paqes e cila, siç dihej, do të pasonte fill pas luftës. Por, një prej konstatimeve më të përafërta dhe më të përsëritura nga të gjithë ekspertët kishte të bënte me atë se, ishte fare e sigurt se, në të ardhmen, asnjë federatë apo konfederatë ballkanike nuk do të kishte gjasë për sukses pa përfshirjen e Shqipërisë në të, duke pasur parasysh, në radhe të parë, rëndësinë vitale të Shqipërisë për mbrojtjen e Ballkanit nga agresioni eventual që mund t’i behej dhe së ky vend. Sipas eksperteve të Oksfordit, në fund të fundit, Shqipëria është “porta kryesore“ për hyrje në gadishullin Ballkanik. Por edhe faktin se shqiptarët ishin numerikisht një popull i domethënshëm në shumicën e shteteve të Evropës jug-lindore.

Në „pretendimet territoriale të fqinjëve“ në mënyrë të gjere dhe objektive, ekspertët e këtij universiteti prezantojnë qëndrimet e shteteve përreth Shqipërisë. Sa u përket qëndrimeve jugosllave dhe greke, sipas këtyre ekspertëve, del se këto dy shtete angazhohen që Shqipëria të kthehet në suazat e kufijve të vitit 1939, madje duke mos fshehur pretendimet e tyre territoriale edhe për pjese nga territoret brenda këtyre kufijve.

Këta ekspertë e vinin në shënjestër një fakt të qëndrueshëm se, më 1939, italianët e kishin përfituar simpatinë e një numri të shqiptarëve, sidomos të atyre qё kishin mbetur jashtë Shqipërisë së Londrës duke e kthyer pjesën më të madhe të territorit shqiptar që në dy konferencat e mëparshme (atë të Londrës dhe të Versajit) kishte mbetur jashtë, veçanërisht nën Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe të Sllovenëve. Ajo qё e shihnin si të mundshme këtë ekspertë ishte se, Beogradi, pavarësisht nga rendi dhe sistemi politik qё do të instalojë, megjithatë, ishte shumë e besueshme se, pas lufte do ta kërkojë jo vetëm kthimin e Kosovës dhe pjesës tjetër shqiptare, por si shtesë të kësaj edhe Shkodrën si dhe Luginë e Drinit. Ndërsa, në lidhje me Greqinë, thuhej se pretendimet territoriale të saj ndaj Shqipërisë ishin më të zëshëm së ato të jugosllavëve. Këta ekspert e bënë gjithashtu të njohur se edhe në shtetin fqinjë, në jug të Shqipërisë, ekziston një numër i konsiderueshëm i banorëve me prejardhje shqiptare.

Greqia dhe Serbia angazhime kundër çfarëdo lloji të ekzistimit të Shqipërisë

Krijimi i një Shqipërie të fortë dhe të pavarur, nga këto dy shtete fqinje, shihej si rrezik i drejtpërdrejtë për to. Një Shqipëri e dobët, konsideronin udhëheqësit e këtyre shteteve, do ta tërhiqte vëmendjen e shteteve e ndonjë fuqie të madhe, apo më shumë syresh të cilat mund të paraqiten edhe si mbrojtëse të interesave të saj. Këto, përpos aspiratave territoriale ndaj Shqipërisë, ishin arsye të tjera, të forta, që i cytnin Greqinë dhe Jugosllavinë të angazhoheshin kundër çfarëdo forme të ekzistimit të këtij vendi. Nga ana tjetër, Italia përshkruhej si shtet politika e të cilit në mënyrë të veçante ishte çdo herë e orientuar nga Shqipëria. Gjithashtu, bëhej me dije për rrezikun nga komunizmi rus i cili me permanentë orvatej të gjeje ndonjë dalje strategjike në Adriatik. Por, mbi të gjitha, në këto elaborate të eksperteve britanike theksohej së „dëshira e shqiptareve është integruese, pra për një shtet etnik, përkundër dallimeve dezintegruese që janë prezente në mesin e tyre“, me ç’rast apostrofohej veçanërisht religjioni si faktor dezintegruese.

Nga fundi i vitit 1943 në Shqipëri arrijnë tre oficerë të BLO-se (Oficerë Britanik të Ndërlidhjes). Këta ishin majori Billi Meklin, kapiteni Dejvid Samjlli dhe togeri Gari Daf. gjatë të njëjtit vit dhe gjatë vitit 1944, numri i oficerëve të ndërlidhjes shtohej në vazhdimësi. Madje, njëri ndër këta oficerë, i cili në Shqipëri do të arrijë më vonë, Regjinald Hibert, në ditarin e tij të cilin më vonë e shfrytëzoi për botimin e librit të tij „Fitorja e hidhur“, në të cilin lidhur me çështjen e Kosovës mes të tjerash shkruan: „Askush nga pala britanike në atë kohë nuk duket të ketë qenë i ndjeshëm për natyrën me thepa të çështjes së Kosovës, madje as ta ketë vështruar si një çështje që duhej marrë parasysh. Në fakt, gjatë luftës ajo do të provohej së do të ishte një çështje themelore, ndërsa ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, një pengesë e madhe për të rezistencën e efektshme kundër gjermaneve, dhe një truall diplomatik i paqëndrueshëm për të gjithë të jashtmit që u përpoqën të luajnë një lojë atje. Në vitet e para të luftës u nënvleftësua nacionalizmi shqiptar dhe domethënia e tij në raport me Jugosllavinë“. I njëjti, në lidhje me ndjenjat dhe disponimin e shqiptarëve, e në veçanti në lidhje me komunistët, shkruan: “… Brenda Shqipërisë, madje edhe PK-së, të cilën shumica e shqiptarëve jo komunistëve e shihnin si dorë të fshehure të sllavëve, e cila edhe është krijuar me ndihmën e Jugosllavisë, ushqenin shpresën së parimi i vetëvendosjes do të respektohej nga partitë komuniste të Ballkanit dhe se atëherë Kosova do të bashkohet përgjithnjë me Shqipërinë, dhe së të gjithë shqiptarët me në fund do të bashkohen… PKSH e pa veten të detyruar që me 1943 dhe 1944 të pranoje që parimi i vetëvendosjes nuk do të zbatohej në Kosove dhe në zonën e Dibrës“.

Siç raportonin oficerët britanike, në fillim të gushtit (1 dhe 2 gusht të vitit 1943) në Mukje u mbajt një mbledhje shumë me rëndësi dhe, siç flasin edhe dokumentet. Në këtë mbledhje krerët shqiptarë kanë të rënë dakord që të formohej një komitet për shpëtimin e Shqipërisë në të cilin Nacional Çlirimtarja dhe Balli Kombëtar do të përfaqësoheshin së bashku. Përfaqësuesit e Nacional Çlirimtares u pajtuan gati plotësisht me propozimin e Ballit Kombëtar së duhet bërë një luftë për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë etnike, por evidentohej së Nacional Çlirimtarja kishte një propozim që, natyrisht pas përfundimit të luftës, të organizohej plebishiti për Kosovën. Por, sikur u pa më vonë, për një vendim të tillë NÇ-ja u qortua rreptë nga ana e komunistëve jugosllavë dhe së shpejti Komiteti qendror i PKSH-së hodhi poshtë këtë vendim që doli nga ajo e cila më vonë njihej me emrin Marrëveshja e Mukjes, e madje u urdhërua që të ndërpritet çdo bashkëpunim me Ballin Kombëtar. Oficerët britanikë 8 gushtin e konsideronin si datë të fillimit të luftës qytetare të Shqipërisë, pra luftës ndërmjet shqiptarëve komuniste dhe atyre nacionalistë, apo, siç e shprehnin ata edhe ndryshe, ndërmjet jugut dhe veriut. Oficerët në fjale përpos ndërlidhjes që bënin ndërmjet forcave të cilat luftonin kundër okupatorit dhe shtabit aleat, gjegjësisht Ministria e Luftës e Britanisë së Madhe, filluan të interesoheshin edhe për kufijtë brenda të cilëve gjendej Shqipëria. Këta, pra oficerët britanik, zakonisht, ankoheshin për mungesë të hartave dhe të statistikës lidhur me të dhënat që kishin të bënin me banorët të „territoreve të aneksuara“- siç i quanin ata, këto toka shqiptare. Në bazë të të dhënave që u ishin ofruar, ata kishin hartuar ca harta që do t’u hynin në shërbim gjatë punë së tyre. Sipas atyre hartave, numri i banorëve në ato territore sillej diku prej 500. 000 deri në 1.000.000 banorë. Porse, gjithsesi, e kishin parasysh se edhe me këtë rast një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve kishte ngelur edhe jashtë kufijve që ishin formuar gjatë luftës. Me këtë oficerët kishin parasysh territorin e Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Bujanocit, territore këto që i mbante nën okupim Bullgaria.

Por, ajo qё mbase është e rëndësishme të theksohet me këtë rast është se, ekspertët britanik, në analizat e tyre, në fund të vitit 1943 mendonin se lufta, në fakt ia kishte dalë qё të barazonte kufijtë nacional me ata politik dhe se, çështja e përbashkimit të territoreve shqiptare në një territor unik, nuk do të duhej të ishte ndonjë çështje të cilën nuk do të duhej konsideruar në të ardhmen qeveria e këtij vendi të madh dhe domethënës në diplomacinë evropiane.

Lidhur me këtë, janë interesante edhe qëndrimet dhe mendimet e intelektualëve shqiptar në lidhje me çështjet në fjalë. Një pjesë të të cilave do ta sjellim si më poshtë.

“Shqipëria e gatshme”, nga Masar Sopoti

Në një dokument të Ministrisë së Jashtme (FO) të Britanisë së Madhe, të cilin e kemi gjetur në dosjen Ekstrakte nga Kosova e që ka të bëjë me Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë luftës së dytë Botërore dhe aspiratat e tyre historike, politike dhe kombëtare është edhe një analizë dhe reflektim i njërit prej publicistëve më të shquar shqiptar të asaj kohe, Masar Sopoti që mban datën 4 prill të vitit 1944 (viti i tretë).

Sipas këtij dokumenti në pjesën e analizës së bërë nga Masar SOPOTI, në pikën A. e që mbanë titullin SHQIPËRIA – E GATSHME, ndër të tjerat hedh dritë mbi periudhën kur, tashmë, lufta po përfundonte dhe serbët po bënin planet për interferime të thella në Kosovë duke organizuar madje sulme, të papritura për momentin dhe gjithsesi të panxitura nga ana e shqiptarëve, me çfarë dëshmohej se Serbia po bënte përpjekje të reja të reja që me mish e shpirt, siç thuhet, ta rikthejë Jugosllavinë e vjetër si dhe të zgjerojë kufijtë e saj. “Edhe Tito edhe Mihajlloviqi (Drazha)”, shkruan në letrën e tij Masar Sopoti, “ edhe pse në pozita të kundërta, konfliktuale, kanë të njëjtin qëllim krijimin e një perandorie të re PANSLLAVE me kufijtë e zgjeruar”.

Sipas Sopotit, në këtë periudhë, sllavët, nën maskën e komunizmit, të federatës, të demokracisë dhe të lirisë, po përpiqeshin që të “mashtrojnë racat tjera ballkanike më keq se më parë”. Pasi që, sipas tij, hapi i parë karshi kosovarëve ku ka dështuar, serbët nuk hezituan që ta sulmonin Kosovën dhe shqiptarët, mirëpo, kosovarët ishin shumë të shkathtë dhe të shpejtë në kundërveprimin e tyre, ndaj dhe në mënyrë të furishme, sipas këtij analisti, edhe e zmbrapsen çdo sulm të serbëve. “Kosova ka vuajtur shumë nën shtypjen serbe”, thotë Sopoti në këtë analizë, “dhe tash më nuk mund të mashtrohet, dhe këtë gjë duhet ta kenë plotësisht të qartë kundërshtarët tanë”, shkruan ai, për të shtuar edhe atë se: tashmë ishte koha kur Kosova kishte vendosur që të mos lejonte që persekutimi i të kaluarës të përsëritej, ndaj dhe, bënte thirrje që, “të gjithë kosovarët, pa marrë parasysh moshën apo gjininë, janë të mobilizuar dhe të armatosur, nën udhëheqjen e Lidhjes së Dytë të Prizrenit”. Gjithashtu në këtë dokument të vlerësuar me rëndësi edhe nga këshilltarët politik të Mbretit të Anglisë si dhe udhëheqësve të Ministrisë së Luftës dhe asaj të jashtme, thuhet ndër të tjerat se ajo që po bënin në atë kohë shqiptarët e Kosovës ishte pikërisht ajo që i nevojitej Shqipërisë – i gjithë populli i bashkuar nën një flamur, atij me shqiponjë të zezë, dhe që është i gatshëm të mbrojë të drejtat e tija etnike. “Obligimi është i të gjithëve dhe është vullnet për fitore”, shkruan tutje njëri prej publicistëve më të shquar shqiptarë të asaj periudhe, Masar Sopoti. “Popullit shqiptar gjatë tridhjetë vjetëve të shkuara i janë premtuar shumë gjëra nga fuqitë e ndryshme. Si të papërvojë”, shton Sopoti, “ata në fillim besuan, por më pas e kuptuan se ishin të mashtruar, ngaqë, asnjë premtim nuk u mbajt”. Sipas publicistit të njohur, tashmë kishte ardhur një kohë tjetër kur shqiptarët ishin mësuar që të mos mashtroheshin më nga premtimet e ëmbla. “Autsajderat”, thotë ai, “mashtrohen nga premtimet e ëmbla. Të huajt mund të premtojnë gjithçka për të mirën e interesave të tyre të tyre – pavarësi, liri, etj., etj., por, ne jemi djegur njëherë”, shkruan ky artikullshkrues, “dhe më kurrë nuk do t’i dëgjojmë ato premtime pa marrë parasysh se sa joshëse do jenë ato. Ndaj dhe le ta dijë bota se premtimet ne saja nuk do të kalojnë të paqortuara, siç ndodhte më parë”, thotë Sopoti në analizën e tij për të shtuar edhe atë se shqiptarët tashmë ishin të përcaktuar fuqishëm që të mbështeteshin në forcën dhe mjetet e veta për ta mbrojtur atë që ishte e tyre dhe e askujt tjetër.

Mbi Lidhjen e Dytë Shqiptare të Prizrenit

Një pjesë tjetër e kësaj dosjeje, pra të EKSTRAKTEVE NGA KOSOVA është ajo që merret më shtruar edhe më një ngjarje të fillimvitit të dyzetekatërtës, pra me Mbledhjen e Përgjithshme të LIDHJES SË DYTË TË PRIZRENIT e cila u organizuar më 17 janar të këtij viti të ngjarjeve dhe të kthesave të mëdha historike në gjithë botën.

Pas një përshkrimi interesant që i bëhet kësaj ngjarjeje, që është vazhdimësi e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1987, e që ruan po atë aspiratë, thuhet në këtë pjesë të dosjes, në vazhdim do të sjellim një si raport mjaft të qartë dhe të ngjeshur mbi rrjedhat e këtij kuvendimi të fillimvitit të ’44-tës.

Kështu, në fillim të këtij dokumenti, raportuesi i Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe bënë të njohur faktin se këtë kuvend e hapi me një fjalim të gjatë dhe të ngjeshur dhe plot emocion MUSA SHEHU, kryetari i Komitetit Qendror të Lidhjes, ndërsa fjalimin inaugurues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit e mbajti Kolë Margjini.

Raportuesi thotë se në vazhdim, për gjithë çfarë ka bërë Komiteti Qendror i Lidhjes që nga 15 janari i vitit 1943 e deri në ditën e mbajtjes së këtij kuvendi, para delegatëve të pranishëm raportoi SULEJMAN ALIU përndryshe Sekretar i Komitetit Qendror të lidhjes.

Më pas, me vazhdimin e punës së këtij kuvendi, sipas këtij dokumenti, i cili i referohej burimit të vetë pjesëmarrës në punimet e tija, thuhet se, njëra prej figurave të shquara dhe më me ndikim ndër shqiptarët në këtë periudhë, BEDRI PEJANI “BABUSHI”, në mënyrë unanime, u zgjodh kryetar ndërsa BEDRI GJINAJ sekretar.

Këtu raportuesi sjell këtu edhe një pjesë të fjalimit të një personaliteti shumë të shquar të nacionalizmes shqiptare, TAHIR ZAJMI, një pjesë të cilit fjalim po e sjellim në vazhdim:

TAHIR ZAJMI: Zotëri kryetar dhe delegatë, sikur e dimë të gjithë, para katër muajsh u themelua Lidhje e Dytë e Prizrenit. Njëra prej detyrave më të rëndësishme të saj, do të thotë, deklarata e popullit të Kosovës dhe të Dibrës, për të jetuar me vëllezërit tjerë, ka filluar të realizohet; në anën tjetër, në aspektin ushtarak ende duhet realizuar shumë gjëra. Në këtë mbledhje ne duhet të diskutojmë dhe të shqyrtojmë çështje të rëndësishme, sikurse janë statuti dhe programi i aktiviteteve të Komitetit Qendror. Unë propozoj që në diskutim të marrin pjesë edhe dëgjuesit, gjegjësisht të pranishmit, sepse mendimi tyre mund të jetë i vlershëm, falë gjykimit të shëndoshë dhe përvojës në çështje të tilla.”

 

Sipas sajuesit të këtij dokumenti, mbledhja e 17 janarit të vitit 1944 e Lidhjes së Dytë të Prizrenit u ndërpre në orën 12 e 15 minuta, për të vazhduar të nesërmen, do të thotë më 18 janar në ndërtesën e shkollës “Bajram Curri” në këtë qytet. Në vazhdim të këtij kuvendimi, pas thirrjes së emrave të delegatëve pjesëmarrës në mbledhje, u lexua statuti i organizatës si dhe u zgjodh një nënkomitet i cili kishte për detyrë që ta modifikonte këtë statut në bazë të kushteve dhe rrethznave të kohës dhe të njëjtin ta prezantojë në mbledhjen e pasdites me qëllim të aprovimit të tij. Ky nënkomitet po përbehej nga: Bedri Pejani, Rexhë Meta, Sylejman Riza, Esad Berisha, Sokol Dobroshi, Tahir Zajmi, Nexhip Basha, Kolë Margjini dhe Adem Sabriu.

Kështu, pas drekës, thotë i njëjti dokument, statuti u shqyrtua deri në detaje dhe u aprovua me anë të paragrafit, ndërsa mbledhja vazhdoi të nesërmen në mëngjes. Në mbledhjen e 19 janarit, profesori i shquar Bedri Pejani, tashmë kryetari Komitetit do ta nxjerr propozimin që Komitetit Qendror duhej shtuar edhe një anëtar që të përmbushej numri statutor prej dymbëdhjetëve. Dhe, sipas Pejanit, anëtari i dymbëdhjetë, domosdoshmërisht do të duhej të ishte nga Hoti, Ulqini, Triepshi dhe Gruda, propozim i cili nuk u diskutua por që u pranua menjëherë nga delegatë e kuvendit madje në mënyrë unanime.

Gjithashtu më 19 janar u zgjodh edhe një nënkomitet i cili kishte një detyrë që ta bënte aprovimin e këtyre anëtarëve, që në mbledhjen e ardhshme. Në përbërje të këtij komiteti u zgjodhën: Bedri Pejani, Musa Shehu, Nexhip Basha, Kolë Margjini, Musa Boletini, Hasan Agë Zvezda si dhe Tahir Zajmi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *