POLITIKA KOMBËTARE

Reagon deputeti Anton Quni: Pamjet e sotme kompremetojnë shtetin e Kosovës

Me një prononcim për gazetën Bota Sot, deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Anton Quni, tha se Kuvendi është institucioni i debatit, i dialogut, i kuvendimit, e jo i gazit dhe i mjeteve të tjera të dhunshme dhe të palejueshme. Prandaj Kuvendi duhet të shfrytëzohet për të biseduar, për të kuvenduar dhe për të gjetur zgjidhje.

“Dialogu në Kuvend është mundësi si për pozitën, si për opozitën, sepse në fund të fundit, të gjithë kemi përgjegjësi para qytetarëve, për stabilitetin dhe konsolidimin e shtetit” – theksoi Quni.

Më tej, Quni tha ky shtet është i të gjithë qytetarëve pavarësisht nga bindjet politike, partiake, etnike, fetare, sociale, ekonomike, kulturore etj. Pamjet që po shfaqen edhe në mediet botërore nuk janë ato që duhet të prodhohen në asnjë institucion dhe në asnjë cep të Kosovvës, sepse janë pamje që komprometojnë shtetin dhe proceset e brendshme dhe ndërkombëtare të Kosovës.

Duhet të kemi parasysh se sivjet Kosova duhet të implementojë MSA-në, duhet të plotësojë kushtet për liberalizim vizash, duhet të miratojmë strategjinë dhe ligjin për “Trepçën”, duhet të përmbyllet procesi i transformimin e FSK-në në FA etj. Dhe të gjitha këto, sipas Qunit, dhe shumë procese e çështje të tjera të rëndësishme janë mbi interesat politiko-partiake, mbi luftën për pushtet, dhe janë të rëndësishme për vendin dhe për qytetarët e tij. “Prandaj, askush nuk mund të dëmtojë këto procese pavarësisht a janë në pozitë apo në opozitë. Edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, me të cilët kemi realizuar bashkarisht çlirimin e Kosovës, rindërtimin e saj, ndërtimin e institucioneve, krijuam shtetin e pavarur dhe kemi mbërritur deri këtu, po kërkojnë nga ne që të tregohemi të përgjegjshëm, të respektojmë funksionimin e institucioneve, dhe të realizojmë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë institucionale” – deklaroi Quni.

Kosova nuk e ka luksin që të dëmtojë proceset e shtetndërtimit dhe partneritetin me partnerët tanë, prandaj duhet të vazhdojmë me përgjegjmëri të konsolidojmë shtetin dhe të forcojmë partneritetin me partnerët tanë ndërkombëtarë – përfundon Quni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *