POLITIKA KOMBËTARE

PROTESTA MË E MIRË, T’I JAPIM ALTERNATIVË POLITIKE KOSOVËS

Shkruan, Arber Gashi

FESTA E MUNGUAR

17 Shkurti i këtij viti nuk do të jetë ditë feste, sepse kështu ka vendosur opozita parlamentare e bashkuar rreth LVV-së, e cila, për interesa të pushtetmarrjes me çdo kusht, ka vendosur që në ditën e Shpalljes së Pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, të protestoj dhe të kërkoj rrëzimin e qeverisë, kërkesë që përputhet me preferencën personale të shumicës së shqiptarëve të Kosovës.

Kundruar realisht, disa prej kërkesave të opozitës parlamentare janë vërtetë kauza për të cilat ia vlenë të protestohet, por, se a është e mençur të protestohet pikërisht në Ditën e Shpalljes së Pavarësisë, dhe a është e preferueshme, që qytetarët e Kosovës t’i bashkohen kësaj proteste, kjo është një çështje që kërkon analizë më të thellë, të pangarkuar nga emocionet, të dobishme për gjetjen e zgjidhjes dhe realiste në implementim.

A EKZISTOJNË KAUZAT E DREJTA TË OPOZITËS?

Gjykata Speciale si Shpatë Demokleu

Vitin e kaluar, përplasjet pozitë-opozitë rreth formimit të Gjykatës Speciale, Parlamentin e Kosovës e shëndërruan në një arenë tragjikomike, ku rolin kryesor e luante interesi partiak dhe në asnjë rrethanë të vetme, interesi nacional, apo ai qytetar! Pse? Sepse, pozita dhe opozita parlamentare, të dyja së bashku, janë përgjegjëse për ngecjen e pafalshme dhe dështimin e shtetit të Kosovës, në procesin e formimit të Gjykatës vendore për Krime të Luftës. Duke qenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë, debati në seancat parlamentare për formimin e Gjykatës Speciale i ngjante më shumë një arene të boshatisur nga vizioni kombëtar, rreth së cilës thyheshin pandërprerë, shigjetat e interesave për pushtet. Në votimin e parë, Gjykata Speciale nuk e mori miratimin e Parlamentit të Kosovës, sepse interesat e përbashkëta të pozitës dhe opozitës e mundësuan një debat promovues dhe një refuzim teatral. Miratimi në votimin e dytë pasoi pas një proteste të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare, ambasadorët e së cilës e dërguan mesazhin përmbajtësor, së bashku me kërcënimin serioz për mundësinë e riaktualizimit të Rezolutës 1244 dhe formimit të Gjykatës Speciale nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Presioni ndërkombëtar ishte forca që e detyroi strukturën drejtuese të PDK-së të dorëzohet dhe të jap votën e saj për themelimin e Gjykatës Speciale. Prandaj, nëse i referohemi fakteve, atëherë vijmë lehtë te përfundimi se Gjykata Speciale qëndron si shpatë Demokleu mbi kokën e një numri të konsiderueshëm të deputetëve të Parlamentit të Kosovës.

Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi

Që në fillim duhet thënë se demarkacioni nuk është një dukuri e përditshme. Zakonisht, demarkacioni është një proces i pashmangshëm që e pason lindjen e shteteve të reja. Nga ky këndvështrim, Kosova si shtet nuk është rast sui-generis, siç është cilësuar shpallja e pavarësisë së saj! Prandaj, edhe çasja jonë kombëtare ndaj kësaj detyre nuk do të duhej të kishte qenë e tillë, ç’farë rezultoi të jetë me nënshkrimin e Hashim Thaçit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi në Bruksel! Mungesa e qëllimshme e transparencës profesionale dhe trajtimi jo i drejtë që i është bërë vërejtjeve të ekspertëve vendorë në këtë proces, është një atribut i mjaftueshëm për të inicuar ndryshimin e domosdoshëm në qeveri, i cili do të rezultonte me dorëheqjen e parevokueshme të ministrit Thaçi. Përveq gabimeve të pafalshme të qeverisë, procesin e Demarkacionit me Malin e Zi e përcollën edhe një mori gabimesh strategjike të opozitës parlamentare. Shkaqet e këtyre gabimeve strategjike të opozitës parlamentare i gjejmë të kamufluara në interesat e përbashkëta ekonomike dhe politike. Ekonomike, sepse një pjesë e mirë e bizneseve vendore janë të lidhura me historinë e së kaluarës së përbashkët të qeveritarëve aktual dhe opozitarëve të ndarë tashmë nga bashkqeverisja. Qytetarët nuk e kanë harruar faktin se ndarja e trofeut mes komandantëve, ka qenë sporti më i preferuar pas përfundimit të luftës! Politike, sepse e kaluara dhe ndoshta edhe ardhmëria e përbashkët në qelitë e ftohta të Gjykatës Speciale, i përafron interesat e deputetëve të pozitës dhe opozitës.

Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me “shumicë” serbe

Zanafilla e Marrëveshjes për Asciacionin e Komunave serbe është e ndërlidhur ngusht me interesin për kapjen e pushtetit apsolut nga PDK-ja e Hashim Thaçit. Duke e refuzuar për interesa politike trajtimin e Kosovës si shtet kombëtar të shqiptarëve në njërën anë, dhe duke i dhënë përparësi interesave ekonomike dhe politike të PDK-së në shtetin “multietnik” të Kosovës, në anën tjetër; udhëheqja e PDK-së i shfrytëzoi bisedimet e Vjenës për të miratuar konçesione të dhimbshme. Janë po këto konçesionet e dhimbshme në kurriz të Kosovës dhe interesit nacional shqiptar, ato që sot po i shkaktojnë dhimbje të tmerrshme çdo qytetari. Një pjesë e mirë e opozitarëve të sotëm mbajnë përgjegjësi personale për rezultatin dëshpërues të bisedimeve të Vjenës. Në Vjenë, përmes marrëveshjes për shpalljen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës u dënua politika e Millosheviqit, ndërsa u rehabilitua politika gjenocidale e shtetit të Serbisë, Akademisë Serbe të Shkencave dhe Kishës uzurpatore Serbe ndaj kombit shqiptar në tërësi. Duke mos e trajtuar thelbin e problemit, çështjen e pazgjidhur shqiptare dhe dekolonizimin e domosdoshëm të Kosovës, delegacioni i shqiptarëve në Vjenë arriti një rezultat që do t’a vlerësoj me kompetencën e duhur distanca kohore dhe shkenca e historisë.

Në procesin e sigurimit të njohjeve ndërkombëtare për shtetin “multietnik” të Kosovës, kundërshtimi dhe faktorizimi i shtetit serb fitoi legjitimitet ndërkombëtar kryesisht për shkak të trajtimit joadekuat të çështjes shqiptare në bisedimet e Vjenës. Duke e trajtuar çështjen Kosovë – Serbi si çështjen e ndarjes së dhunshme të Republikës Federale Gjermane dhe Republikës Demokratike Gjermane, çështjes shqiptare i është dhënë një grusht i fortë, gati vdekjeprurës. Sot është bërë modë të lexojmë shkrimet e shumëpërfolura e të kontestuara të disa analistëve për kombin kosovar dhe kombin shqiptar. Ende nuk e dimë se si do t’i quajnë këta autorë shqiptarët autokton në IRJM. “Emrin” e tyre po e negocion Greqia, sllavishtëfolësit e IRJM-së dhe bashkësia ndërkombëtare. Tash për tash, shqiptarëve në IRJM u ka mbetur përgjegjësia si barrë për çdo të keqe që ndodhë aty ku sundojnë të tjerët, përderisa shpresa nuk i ka lëshuar ende se Kosova dhe Shqiperia do të zgjohen një ditë nga gjumi i rëndë dhe do ju ndihmojnë të sigurojnë të drejtën e tyre shtetëformuese.

Marrëveshja e vitit 2013, e cila erdhi si rezultat i konçesionit të qeverisë së Hashim Thaçit ndaj gjashtëpikëshit të famshëm të sekretarit Ban, hapi rrugën e Serbisë drejt BE-së dhe trasoi rrugën e Kosovës drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me “shumicë” serbe. Opozita aktuale, me përjashtim të LVV-së, e mbështeti Marrëveshjen e vitit 2013.

Roli i LDK-së dhe kryeministrit Isa Mustafa në Marrëveshjet e Brukselit

Në fushatën elektorale të vitit 2014, drejtuesit e LDK-së të prirë nga Isa Mustafa i dhanë premtime elektoratit vendor për zbardhjen e fatit të ish-kuadrove të likuiduara të LDK-së, premtime për luftimin e pakompromis të korrupsionit dhe një garancion publik kundër një koalicioni të mundshëm me PDK-në. Rezultati i zgjedhjeve e nxori PDK-në fituese të zgjedhjeve, por edhe si humbëse të madhe, sepse ajo nuk ishte në gjendje të krijojë një koalicion të qëndrueshëm pa mbështetjen e njërës prej partive të bashkuara në koalicionin VLAN, të cilat njëzëri e refuzuan për gjashtë muaj të plotë dialogun për formimin e qeverisë së re. Ishte trysnia e madhe ndërkombëtare ajo që e “zbuti” qëndrimin e Isa Mustafës dhe e detyroi të prishë marrëveshjen me partitë tjera opozitare dhe t’i bashkohet në qeverisjen e re, PDK-së së Hashim Thaçit. Anëtarësia e gjerë e LDK-së e refuzoi qysh në fillim dhe vazhdon të shprehet hapur kundër partneritetit dhe koalicionit me PDK-në. Megjithë protestat e shumta të anëtarësisë dhe degëve të saj jashtë vendit, kryesia e LDK-së vazhdon t’i qëndrojë besnike marrëveshjes me PDK-në, sipas së cilës, zgjedhja e Hashim Thaçit në postin e presidentit të Republikës na del të jetë çështje e kryer! Gabimin më të madh të Isa Mustafës dhe të kryesisë së LDK-së e konsideroj shpërfilljen e të gjithë atyre që e kanë parashikuar saktësisht rrjedhën aktuale të ngjarjeve! Jo një herë, por me qindra herë është shkruar dhe folur për një përshkallëzim të mundshëm të situatës, nëse koalicioni LDK-PDK anashkalon vullnetin e qytetarëve dhe vendosë të ushtrojë diktaturën e numrave “përfaqësues”.

Opozita parlamentare po e instrumentalizon pakënaqësinë e qytetarëve për interesa të pushtetmarrjes me çdo kusht

E udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje!, opozita parlamentare e Kosovës është cilësuar nga bashkësia ndërkombëtare si servis publik i anarkisë dhe dhunës politike kundër secilit institucion të Republikës së Kosovës. Akcioneve dhe protestave opozitare ju ka munguar vetëm betimi publik te udhëheqja ideologjike e “Atit tonë të shejtë, Josif Visarjonoviq Stalin”. Dhuna e ushtruar me shfrenim të papërmbajtur kundër policisë së Kosovës, është tregues i qartë i dështimit të partive opozitare për të ofruar një alternativë të pranueshme dhe të pëlqyeshme për qytetarët. Akuzat e bazuara politike ndaj koalicionit qeverisës, të cilat i kam mbështetur publikisht, nuk janë domosdoshmërisht edhe programe, projekte ose alternativa politike! Prandaj, nuk mund t’a quaj program ose projekt as demagogjinë e Albin Kurtit për bashkim kombëtar…Pse? Sepse, po t’a dëshironin vërtetë “socialdemostalinistët” e LVV-së bashkimin kombëtar, ata do t’i kishin formuar degët e partisë së tyre edhe në IRJM, Shqipëri, Mal të Zi, Luginë e Camëri. Bashkimi kombëtar nuk është vetëm fjalë goje, të cilën duhet t’a përdorim sa herë na nevojitet përfitimi i poenave politik. Përkundrazi, bashkimin kombëtar duhet t’a dëshmojmë me vepra të përditshme, duke e trajtuar secilin shqiptar, kudo që ai ndodhet, të barabartë para legjislacionit shtetëror, por edhe para Statutit dhe Programit të Partisë. Bashkimi kombëtar është vepër konkrete, e prekshme, e dëshmuar, e faktuar dhe jo fjalim i mitingashëve të dehur për idealin e “revolucionit me çaj’ rusi”. Republika jonë ka nevojë për një alternativë të mirëfilltë politike, të bazuar te vlerat e luftës dhe përpjekjes kombëtare për bashkim dhe integrim euroatlantik. Qytetarët janë ngopur me demagogji dhe nuk ju bëjnë aspak përshtypje planet për shpalljen e Republikës së tretë të kooperativave socialiste.

Demokracia direkte – si opcion qytetar kundër diktatit të numrave përfaqësues dhe demagogjisë partiake

Mungesa e plotë e transparencës në procesin e demarkacionit me Malin e Zi dhe në procesin e bisedimeve për themelimin e Asociacionit të komunave me “shumicë” serbe, e vuri në pikëpyetje të madhe funkcionimin e sistemit të demokracisë përfaqësuese. Abuzimit me votën qytetare mund t’ia gjejmë barin shërues vetëm përmes ndryshimit të sistemit dhe aplikimit të demokracisë direkte. Demokracia përfaqësuese, kështu si e njohim sot, e ka humbur çdo vlerë dhe asaj nuk i besojnë më as qytetarët më optimist të Kosovës! Pa dyshim, e vetmja alternativë që e institucionalizon vullnetin politik të qytetarëve dhe e forcon pozicionin e sovranit popull karshi diktatit të numrave përfaqësues dhe demagogëve partiak, është demokracia direkte. E deshën politikanët ose jo, e pëlqyen demagogët ose jo, qytetarët duhet t’a kërkojnë me ngulm dhe të mos heqin dorë në asnjë rrethanë nga të drejtat dhe obligimet e tyre. Sovrani janë ata, qytetarët e Kosovës.  Prandaj, le të jetë 17 Shkurti i vitit 2016, dita e reflektimit pozitiv dhe ndërgjegjësimit tonë qytetar.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *