KULTURA

Ernest Koliqi

Shkruar nga Visar Zhiti

T’rrëzuemin due tá çoj nga balta;
due m’u ngjit’ mbi maje t’nalta
me shtegtar’qi kerkojn’ Dritën…

Ernest Koliqi

“Vepra koliqjane i tejkalon vdekjet e saj, atë të sajën, që do të ishte e natyrshme për jetë njerëzish dhe veprash, por dhe atë që ia dhanë, vdekjen si dënim, prandaj, sipas sentences latine, mund të themi se ajo tashmë i është vënë udhës së ringjalljes e jo vetëm të vetvetes. Duke e parë të (ri)botuar, mbase duket jo aq e shumtë, por rëndësia e saj është e jashtzakonshme dhe cilësia po ashtu. Ajo është me kuptimin e plotë e vetëzgjedhur, për të mos bërë firo, por përkundrazi, të rritet si vlerë. Koliqi është shkrimtar i klasit të parë, që bashkë me Mitrush Kutelin, janë themelues në letërsinë shqipe, të tregimit modern. Ja si e përcakton shkrimtari tjetër i shquar, Martin Camaj: “Koliqi letrar shquhet si krijues i novelës në letërsinë shqiptare dhe themelues i prozës moderne.”

Maji është muaji kur ka lindur dhe Ernest Koliqi, pikërisht data 20 e vitit të tretë të shekullit të kaluar, teksa Shqipëria përgatitej të dilte nga robëria otomane, rrënueshmërisht e gjatë.

Njeri me dije të gjera, vizionar, mbartës i traditës mbi shpinë, i parakes, mbrujtës i risive, modernes, stilist i zoti, qëmtues i fjalës, aq sa duket sikur i mblidhte si bimët e rralla mjeksore maleve të Veriut, krijues imazhesh dhe portretesh, njohës i konflikteve, i filozofisë së tyre, i brengave dhe i gazit, ashtu si dhe i rrugëve njerëzore si të ishin rrugë të qytetit të tij, Shkodrës, me kambana dhe minare, me ëndrra e traditë e pengesa, por dhe me piano e piktura e serenata nate, me miqësitë e dramat, që e bëri emblemë të veprës së vet, i derdhi prarime si një lloj ari, që ndërkohë ishte dhe e artit të tij dhe, megjithëse u përpoqën më vonë për ta errësuar, vazhdimisht përndritej edhe më shumë…

Ernest Koliqi ngado që shkonte, i kthehej Shkodrës, si qytetar i saj dhe si vokacion i veprës, duke e ribërë kështu si Itakën e vet. Është mik me më të kulturuarit, bashkëpunëtor, duke qenë vetë një i tillë, organizohet nëpër shoqata, shkon në Kroaci, kthehet sëbashku me librin e tij me novela “Hija e maleve”, risi e paparë deri atëhere, punon si mësues në Vlorë, prapë në Shkodër, boton librin e dytë me tregime “Tregtar flamujsh” ndër më të mirët në Ballkan, ndikon dhe te Migjeni e më pas shkon në universitetin e Padovas, laureohet për letërsi, mbron Diplomën me tezën “Epika popullore shqiptare”, gjë që entuziazmon albanalogët më të shquar të kohës, boton libra të tjerë, poezi, përkthen më të mëdhenjtë, etj, etj.

Në fillimet e Luftës së Dytë Botëre ai emërohet dhe Superior i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Romës dhe po atë vit, më 1939, caktohet ministër i arsimit, kur Shqipëria është e pushtuar nga fashistët italianë. Koliqi bëhet kështu kolaboracionist…

ÇËSHTJA E KOLABORACIONIZMIT

Pikërisht kolaboracionizmi do të bëhet shkaku i dënimit të shkrimtarit Ernest Koliqi nga fitimtarët pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Dënohet ai si person dhe vepra e tij, të dyja me vdekje. Koliqi në mungesë, sepse mbarimi i luftës e gjeti në Italitë, ndërsa vepra e tij ishte e pranishme fuqishëm në letërsinë shqipe. Shteti Italian nuk e ktheu Ernest Koliqin për ta vrarë bashkatdhetarët e tij, përkundrazi, kurse vepra e Koliqit, u ndalua, u hoq nga të gjitha bibliotekat, nga të gjitha tekset, u fut në fondin e zi, u grumbullua, u nis me roje në fabrika letrash për t’u rickluar në letër të bardhë e karton dhe së fundmi dënohej dhe lexuesi i tij i fshehtë. Nuk duhej të flitej më për të, duhej të harroj patjetër, duhej zhbërë.

Kolaboracionizmi me fashizmin është çështja më e rëndë dhe më e errëta që rroposi Ernest Koliqin dhe vega ku kapen dhe sot dhe i japin të drejtë vetes për ta sulmuar shkrimtarin, për ta mënjanuar e për të mos e lënë të çmohet ashtu siç duhet.

Kanë të drejtë, mund të thotë kushdo e mund të sjellë përvoja dhe shëmbuj nga vende dhe kultura të tjera ku janë dënuar edhe shkrimtarë që kanë bashkëpunuar me pushtuesin si nobelisti danez Knut Hamsun apo poeti amerikan Ezra Paund, madje ketë të fundit e mbyllën dhe në një kafaz në Piza për ta parë gjindja, për fjalimet e tij në radio në mbështetje të Musolinit. Natyrisht që të dy kanë zënë vendin e merituar në letërsinë e vendeve të tyre dhe asaj botërore, falë dhe apelit që kanë bërë kolegët e tyre kudo.

Në vendin tonë nuk ka ndodhur kështu dhe s’kishte se si. Por unë dua të shtroj pyetjet: A ka qenë Ernest Koliqi kolaboracionist me pushtuesin në dëm të vendit të tij? Ai e thirri pushtuesin apo e zuri pushtimi? Kujt i shërbeu, të huajit apo popullit të tij dhe kombit? Po që ka që nuk janë lidhur me pushtuesin, madje dhe e kanë luftuar dhe mund ta kenë dëmtuar atdheun shumë e shumë më tepër?

“Çështja Koliqi” duhet parë me seriozitet dhe përgjegjësi në mënyrë që të zërë drejtësisht vendin e vet në kujtesën kolektive, në histori dhe kulturë dhe në ndërgjegjen kombëtare.

Na rezulton se Koliqi nuk ka punuar në dëm të Shqipërisë? Jo dhe jo, përkundrazi. Pushtuesin nuk e solli ai, as nuk i hapi udhë me apele e himnizime, por ama nën pushtim ai punoi, edhe me pushtuesin duke shfrytëzuar ato kushte që i dha historia për kulturën kombëtare, për përparimin e saj në dobi të kombit.

Ndalim tek emërimi i tij si ministër i arsimit në kohën e pushtimit fashist. Studiues dhe biografë dëshmojnë se Koliqi pyeti Poetin Kombëtar Gjergj Fishtën që a ta pranonte këtë post. Fishta është vërtetuar me fakte nga studiues që nuk ishte fashist, mosprovues i fashizmit, refuzues i dekoratave të tyre politike, por akademik në Akademinë italiane adhurues i asaj kulture, prandaj dhe propaganda e mëpastajme do ta sulmonte ashpër, pa mëshirë dhe pa të drejtë. Gjergj Fishta i tha Ernest Koliqit që më mirë të bëhej ai ministër, se mund të bente diçka të dobishme për vendin se sa ndonjë tjetër, që mund të ishte vegël e verbër. Edhe diçka tjetër, studiuesit tani na kanë treguar se kryeministri Mustafa Kruja – Merlika në kabinetin e tij përzgjidhet patriotë me prirje antifashiste. Janë çështje e detyra të studiuesit për t’u qartësuar pëfrundimisht.

Është fakt se me nismën e Ministrit të Arsimit Ernest Koliqi u përhap institucionalisht dhe në Kosovë arsimi shqiptar, duke u çuar atje prej tij 200 mësues nga më të përgatiturit, nga “normalistët” e famshëm, ndërkohë ai hap atje dhe të parën shkollë të mesme, pikërisht më 1941, kur këtej, si një hakmarrje e gjëmë, 200 të tjerë, jo mësues, por komunistë, me ndihmën jugosllave, sapo kishin krijuar një parti, e cila do të vendoste diktaturën më të rëndë duke e braktisur Kosovën.

Pyes përsëri se kush kanë qenë kolaboracinistë më të dëmshëm për vendin, ata që s’kishin ç’t’i bënin të huajit që vinte si pushtues apo ata që dolën në krye të vendit e punonin për të huajin në dëm të vendit, për të ruajtur postet e tyre të larta? Po shkrimtarët që himnizuan diktaturën, diktatorin, sistemin, miqësitë dhe aleancat politike me të huajt, që shpesh nuk kanë qenë në interesin kombëtar.

Mbarimi i Luftës e gjen Ernest Koliqin të ikur po në Romë me punët e albanologjisë, duke iu mbyllur rrugët e kthimit në atdhe përgjithmonë. Italia nuk e ktheu Koliqin që kërkohej në atdhe si fashist, kur fashistët vetë po dënoheshin pas përmbysjes së tyre dhe në Itali. Madje gjyqet po dënonin për krime dhe shqiptarë të ikur, që e kishin luftuar fashizmin në male.

Azilantit politik Ernest Koliqi i jepen mundësirat e shpalosjes së mëtejshme, madje duke e nderuar dhe dekoruar. Ai nuk do të rreshtë së punuari, bashkëpunon me të arratisurit politikë, p.sh, me poetin Martin Camaj, me intelektualët arbëreshë, harton antologjira të poezisë mbarëkombëtare, përkthen nga italishtja në shqip dhe anasjelltas, themelon katedra e revista, ndër më të vyerat “Shejzat” e tij, bashkon diasporën, ringjall botën arbëreshe, ndjek me vëmendje jetën politike dhe kulturore në atdhe, shkruan dhe do të ndikojë fshehtas edhe në letërsinë shqipe.

Ndërsa këtej ishte vendosur Realizmi Socialist dhe po dilnin romanet moderne që nisën me “Qyteti i fundit” i Petro Markos, çuditërisht roman i dashurisë dhe i urrejtjes, prandja dhe do të ndalohej. Por po në atë vit në Romë, më 1960, Koliqi porsa kishte botuar romanin e tij “Shija e bukës së mbrume”, ku rrëfen jetën e të mërguarit, por që si e gjithë letërsia e të ikurve, nuk do të lejohej të hynte në atdhe. Më pas do të ecej për tek romani botëror “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë.

Por do të ishte Koliqi që do të jepte mesazhin më largpamës në të gjithë letërsinë e Lindjes, parashikimin e rënies së perandorisë komuniste me dramën e habitëshme “Rrajët lëvizin”, e cila ende nuk është ngjitur në ndonjë skenë të teatrove tona, as të Shkodrës dhe harrohet shpesh dhe tani.

Në dhjetor të vitit 1975, Ernest Koliqi vdes pa pritur në Romë, duke ndërprerë shumë punë, por duke lënë një opus të një rëndësie të lartë. Në ceremoninë mortore marrin pjesë kolegë shqiptarë, arbëreshë e italianë, miq nga SHBA-të, nga Turqia, Suedia, Gjermania Perëndimore, Franca, Belgjika, etj. Ndërkaq dhe vepra të tij janë të përkthyera dhe në gjermanisht, italisht, anglisht, arabisht, greqisht, etj. Prehet në Varret e Mëdha monumentale në Romë, pranë prindërve të tij, të shoqes, ku pak më tej është dhe varri i poetit anglez Persi Bishi Shelli. Mbi mermer vazhdimisht gjenden lule të freskëta…

Vepra e Ernest Koliqit ishte caktuar të zhdukej ashtu si dhe vetë autori që qe shenjuar të vritej për shkaqe të tjera jashtletrare, megjithëse mund të besohet se përveç ideologjisë sunduese këtij aktit iu bashkëngjit dhe ambicia ndjellakobëse e shkrimtarëve të fitimtarëve, e atyre të socrealizmit, të cilat kanë ndikuar dhe ndikojnë ende në mënjanimin e tij të padrejtë.

Altari i një shkrimtari është gjuha e tij. Gjuha e Koliqit, në dialektin shkodran, është një jetë e madhe fjalësh, semantikë plot shpirt, dritë dhe hove, prajshmëri e urti, etj, etj, që sa herë ta lexojmë, krahas mrekullimit, përftojmë dhe dëshpërimin për standartin dhunues të gjuhës në diktaturë.

Solli aq dritë e iu dha aq terr. Koliqi arriti të japë drithërimat e ndjesitë e holla të njeriut, me delikatesë e elegancë e me stil të përkryer, lirik i pashoq. Po aq mirë sa ç’rrëfen një ngjarje, rrëfen dhe një ndjenjë, një imazh, bën një portret, vëzhgues i jetës brenda shtëpisë dhe jashtë saj, nuk i shmanget dramës, sidomos asaj së brendshmes, ku bien hijet e së shkuarës dhe rrezet e së ardhmes, shkodran, shqiptar, ballkanik, europian i vërtetë. Sikur gdhend me filigramë e argjend.

Gjithsesi edhe pse harrimi si dënim dhe keqkuptimet me Koliqin duket sikur vazhdojnë, është kuptuar borxhi që i kanë atij kolegët dhe lexuesit, historia e letërsisë shqipe, kultura jonë në përgjithësi e çështja kombëtare, se prej tij vetëm është marrë, pa iu kthyer tërësisht ajo që meriton, hijesorja e shkrimtarit themeltar.

Vepra e Koliqit më ka tërhequr herët. Në fillim fshehtas si një rrezik. Pastaj si një mister dhe tani si një mrekulli.

Në shkrimet e mia gjejnë rast dhe dalin detaje për të, që do të doja t’i kujtoja për të thënë se ai është shkrimtari që futet tek të gjithë.

Ernest Koliqi dhe moshatari i tij Zhorzh Oruell:

Pak fletë, e shkruar shqip, e një shkrimtari shqiptar të ikur nga Shkodra, drama që parashikoi rënien e perandorisë komuniste…

E tij është drama e çuditshme, e shkruar në Romë, “Rrajët lëvizin”, e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sa e brishte, po aq edhe epos, klasike dhe moderne, profetike sa asnjë vepër tjetër në të gjithë perandorinë komuniste. Ernest Koliqi ishte i pari dhe i vetmi shkrimtar që parashikoi rënien e asaj perandorie me një vepër letrare.

Ngjarja e dramës zhvillohet në Shkodrën e tij, në vitet ’70, kur diktatura ishte ende në kulmin e saj, në mesnatën e rëndë. Autori, si një orakull, parashikon vdekjen e vet dhe të diktaturës… rënien e kambanave të Shqipërisë së përjetshme, pra ringjalljen. Parashikimi ka një saktësi tronditëse, jo vetëm për veten, por se vërtet në vitet ’70 diktaturat komuniste nisën të tatëpjetën.

Shkrimtari anglez Zhorzh Oruelli, moshatar me Koliqin, shkroi romanin e zymtë “Tetëdhjetekatra”, si vitin alarmant të triumfit të komunizmit në vendin e tij (nënkupto botën), kurse Koliqi si një AntiOruell, ose Oruell pozitiv, me dramën e vet, vegoi të kundërtën. Kuptohet, diktatura e goditi dhe e përfoli, e fyeu si shumëçka me mendjeshkurtësinë e saj.

Kjo vepër e vogël i bën nder të madh letërsisë shqipe, inteligjencës në përgjithësi, sidomos asaj të Evropës Lindore. Shqiptarët që vuajtën më shumë, dhanë kumtin lajmëtar më shpresëdhënës.

(nga sprova “Panteoni i nëndheshëm ose Letërsia e dënuar”)

Vëllezërit Koliqi.

Ai që do të bëhej kardinali i parë shqiptar:

Një si mace e bardhë kacavjerrej në dritare dhe luante me perden pa zhurmë. Loja e dritës. Dinia më tregoi si kishte mësuar t’i binte fizarmonikës me Dom Mikel Koliqin. Pse vjen ai prifti tek ti? – e pyeste operativi. Më mëson “Marshin turk” të Moxartit. Pse s’të pëlqejnë marshet tona ty? – më thanë në gjyq. Fizarmonika u shit për bukën e gojës. Nëna s’duroi dot burgun tim dhe plasi nga marazi, vdiq. Motra ra në pus, e mori poshtë litari i kovës.

Dom Mikeli i lëvizte gishtat sikur të kishte pranë një piano të padukshme. Megjithëse i moshuar, dilte në të ftohtë, mes dimrit, dëgjonte nga altoparlanti pranë qendrës së emulacionit te lëmi i fshatit muzikë, të dielave Radio-Tirana jepte Rondo-kapriçiozo të Sen Sans-it. Të kujtohet zëpërhapësi në shtyllën e burgut?… Kur e arrestuan Dom Mikelin, i thanë dhe për kufjet që mbante në vesh, bëje sikur dëgjoje muzikë, por t’i kishte dërguar nga Italia me barnat Ernest Koliqi, ishin aparat transmetues… armik… lidhje me jashtë e tërci-vërci… Vonë pastaj, kur ra diktatura e Dom Mikeli doli nga burgu, Papa e bëri kardinal. I pari kardinal shqiptar. Vinte nga Ferri…

(nga burgologjia “Ferri i çarë”)

Tjetri në Sanremo:

…Po ta them, që të ndjellim fat sa më të bukur për ty. Dëgjo. Dikur, shumë vite më parë, kishte punuar dhe një shqiptar tjetër në Sanremo, shpërndante lule me kamion. Ishte i arratisur politik, bashkë me të vëllanë, shkrimtar i ndaluar tek ju, por i njohur, Ernest quhej, mbiemrin se si e kishte…

Koliqi, ia priti Martini.

Po, bravo! Vëllai i Ernest Koliqit, pra, ishte shpërndarës lulesh. Niset nga Sanremoja me kamion për t’i çuar, s’di se ku. Ndal te një vend i bukur, me shtëpitë në kodër dhe do që të takojë një vajzë të bukur, që ai e pëlqen, duhen, do t’i japë lulen e saj siç e ka bërë zakon. Ndërsa ngjitej kalldrëmit përpjetë, dëgjon kambana. Merr vesh se ajo ka vdekur papritur dhe këmabanat po bien për të. Dhe ai sjell kamionin aty dhe zbraz të gjitha lulet mbi të vdekurën. E mbuloi. Dhe e la atë punë e nuk u martua kurrë. Mos u trishto. Ta thashë, se është histori e bukur. Ty tani të pret tjetër gjë, të shkarkosh lulet në dasmën tënde…

(nga romani “Në kohën e britmës”)

Ernest Koliqi në sytë e nxënësit të tij, Elio Miracco,

Shef i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe

në Universitetin “La Sapienza” në Romë:

Koliqi kishte një raport të ngushtë me studentët, dinte të dallonte momentin e profesorit akademik gjatë leksioneve e momentin i këshilltarit si një baba. Pas studimeve lidhte edhe miqësi me studentët e këtu do të përmend një studente të Koliqit, Emilia Blaiotta, që vite më vonë si drejtoreshë e shkollës në Frasnitë, e ka nderuar duke i dhënë shkollës emrin e tij. Kjo ngjarje sqaron marrëdhëniet e Koliqit me studentët që e respektonin si profesor por edhe si njeri.

Kujtoj ende leksionet të cilat më kanë udhëhequr drejt njohjes së letersisë shqiptare e nëpërmjet të cilave ne studentët jemi dashuruar me Shqipërinë e përfytyruar në letërsi. Koliqi, ulur pranë tryezës së madhe e rrethuar nga studentët, pinte duhan e recitonte poezi të poetëve shqiptarë; asnjëherë s’kemi dëgjuar poezitë e veta, por i lexonim në Shêjzat ose në veprat e tij. Na ka çuar në Rilindje me De Radën, Frashërin e Fishtën pastaj në letërsinë e pavarsisë. Kishte një ligjërim magjepsës që tërhiqte vëmendjen e të shpinte në malet e Shqipërisë, në Shkodër, në veri e në jug me autorët e veprat. Kujtoj, ndër të tjera, prezantimin e Migjenit me drejtpeshimin e kritikut letrar e vetëdijen e poetit që nuk përziente politikën në gjykime, kështu kurrë politika nuk ka ndërhyrë në problematikën letrare. Koliqi na paraqiti Migjenin të cilit nga ajo kohë ende i kujtoj vargjet e poezisë Të lindet një njeri.

Më kujtonte poetët bohemë italianë ose “Scapigliati”(1860-1890) që shprehnin antikonformizëm duke iu afruar RIMBAUD-it e admiruar Baudelaire-in. Ndërsa poetika moderne e Koliqit dallonte traditat negative e traditat pozitive, duke çmuar këto të fundit si rrënjët e vlerave të popullit. Për jetën e Koliqit ishim në dijeni se ishte në mërgim për probleme politike, por asnjëherë nuk na ka rrëfyer kalvarin e jetës ose të familjes në Shqipëri. Pasi mbarova studimet kam pasur tjetër raport, shkencor e privat. Më ka ngarkuar të mbledh tekstet gojore në katundet arbëreshe në provincën e Katancaros.

Por ishte tjetër kohë, në gazeta, në libra lexoja mbi Koliqin dhe jetën në Shqipëri. Ishte koha kur regjimi komunist fillonte të ftonte arbëreshë në Shqipëri e dalëngadalë shumë miq arbëreshë i kthyen krahët vetëm për një ftesë në vendin komunist.

Kronologji e jetës dhe veprës së Ernest Koliqit:

1903: Lind në Shkodër më 20 Maj.
1918: Shkon në Itali për studimeu. Themelon në Bergamo të përjavshmën studentore “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”), ku boton dhe vjershat e tij të para në italisht.
1921: Kthehet në Shqipëri, forcon miqësinë me Luigj Luigj Gurakuqin. Fiton konkursin e Ministrisë së Arsimit për një himn kombëtar me juri: At Gjergj Fishta, Fan Noli, Mit’hat Frashëri e Luigj Gurakuqi.
1923: Bëhet anëtar në Shoqërinë “Bashkimi” të Avni Rrustemit. Largohet nga Atdheu dhe boton poemthin “Kushtrimi i Skandërbeut”.
1929: Në Zarë të Dalmacisë, Kroaci, boton vëllimin e novelave “Hija e maleve”.
1930 – 1933: Arsimtar në Vlorë e Shkodër.
1932: Boton vëllimin I të përkthimeve me titull “Poetët e Mëdhenjë, t’Italisë” (Dante, Petrarka, Aristoteli e Taso).
1933: Boton librin e vjershave “Gjurmat e stinëve”.
1934: Bashkëpunon me të përkoshmen “Illyria”.
1935: Boton librin e dytë me novela “Tregtarë flamujsh”
1935: Boton vëllimin e II të antologjisë “Poetët e Mëdhenjë, t’Italisë”
1937: Përfundon studimet Universitare dhe doktoron në Padova me temën: “Etika popullore shqiptare”.
1939: Emërohet Ministër i Arsimit. Mbështet botimin e dy vëllimeve të rëndësishme “Shkrimtarët shqiptarë” e “Visaret e Kombit”. Emërohet titullar i Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Romës.
1940: Organizon në Tiranë kongresin e studimeve shqiptare me pjesmarrjen e studiuesve më të njohur nga vendi dhe bota.

1941 – 1942: Dërgon në Kosovë 200 mësues për hapjen e shkollave të para në gjuhën shqipe (deri në Novi Pazar, ish qytet shqiptar)
1947: Boton në fletorën “L’Albaniae Libre”.
1957: Me dekret të kryetarit të Italisë Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe e Universitetit të Romës nderohet duke u bërë Institut i Studimeve shqiptare për meritë të drejtuesit të saj Koliqit. Boton në Firencë në dy gjuhë, shqip dhe italisht, vëllimin “Poezia popullore shqiptare”. Themelon revistën kulturore, letrare e shkencoret “Shejzat”.
1959: Boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” italisht, teksa nxit arbëreshët të ruanë gjuhën dhe identitetin kombëtar të tyre.
1960: Boton romanin “Shija e bukës mrame”, me temë mërgimin.

1961: Përkthen në italisht poemthin e Ali Asllanit “Dasma shqiptare”.
1962: Përkthen në italisht këngën e 26-të të “Lahutës të Malcis” të Gjergj Fishtës.
1963: Boton “Pasqyrat e Narçizit” dhe “Antologji e lirikës shqipe” në italisht, ku përfshihen dhe poetë nga Kosova për herë të parë.

1965: Boton monografinë për Shqipërinë “ALBANIA”.
1970: Boton dramën “Rrajët lëvizin” dhe poemthin “Simfonia e shqipeve”
1971: Përkthen italisht nga “Lahuta e Malcis” episodin e Marash Ucit (kangët 12 – 13 – 14 – 15).
1972: Boton një përmbledhje shkrimesh e kumtesash “Saggi di Letteratura Albanese”.
1973: Vazhdon në italisht “Lahuta e Malcis”, episodin “Oso Kuka” (kangët 2–3–4–5).
1975: Vdes papritmas në Romë më 15 Janar dhe varroset më 18 Janar po në Romë.

Nga krijimtaria e Ernest Koliqit

Shkodra në mëngjese

Kendojnë bashkë në mengjese pesë kumbonare,
kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh në liqe synin e qetë.

Perhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë
të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,
e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija
udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,
tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:

skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë
në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë.

Lamtumirë

Lam tumir’! Kaloi prandvera,

muer me vete kangë e fletë;

u tha kopshti e gjethlat era

përtej prrojeve i ka tretë.

M’kan’ mbulue kujdese tjera

qyshse nisa t’njof, o jetë;

s’m’joshin ma agime e ylbera:

tash Mysterin due me pvetë.

Due m’ia tretun lott t’mjeruemit,

n’shgjeta due me i gjuejt’ t’praksuemit

n’shkam të Febos tue zan’pritën.

T’rrëzuemin due tá çoj nga balta;

due m’u ngjit’ mbi maje t’nalta

me shtegtar’qi kerkojn’ Dritën…

Kroni i katundit

Shtegu qi çon te kroni asht shetija e katundarvet. Buzë mbramje me buljere në krah, dalin gra e vajza për me mbushun uj në krue. Ndeshen udhës shoqe me shoqe e shëndrrojnë dy fjalë.
Dita asht e mundshme ndër katunde e ato biseda mbramjeje disi janë nji pushim e nji argtim. E ndërsa dielli prendon e hana del, kroni i mbushë buljerat nji nga nji tue kendue. Secilës vajzë e secilës grue i kendon nga nji kange te veçante, përse kroni te tana i njef. Vajzat i njef të vogla e i pau dalkadalë tue u rritë; gratë i njef nuse e i pau dalkadalë tue u plakë. Pasqyra e qetë e ujit mban kujtimin e të gjitha fytyrave. Kroni ne heshti te lehtë, i kendon gjithkuj kangen e mallëngjyeshme të kohës së kalueme. Por pak kush din ta marrë vesht… E shumta kalojnë habitshëm. Shuejnë etjen, mbushin buljerat e nuk e ndigjojnë. Kjo, ndoshta, asht ma mirë për to, sepse kanga e kronit shëndrrohet në vaj, tue jehue në thellsit e shpirtit. Atëherë ma mirë mos me ndigjue.

RRAJËT LËVIZIN
(fragment nga drama)

Ngjarje me një dukë

…Ëhat are the roots that clutch, ëhat branches groë

Out of this stony rubbish? Son of man,

You cannot say, or guess, for you knoë only

A heap of broken images, ëhere the sun beats…

T. S. Eliot

Vetjet
Shuku, mësim-dhanës (28 vjetsh)
Ndreka, ish-tregtar (66 vjetsh)
Iza (24 vjetshe)
Roza, e shoqja e Shukut (25 vjetshe)
Ganxhja, e shoqja e Ndrekës (26 vjetshe)
Lina, e motra e Rozës, nzanëse (17 vjetshe)

Në Shkodër, me 197…

(Nji odë buke, e gjanë, në nji shtëpi të vjetër zotnijsh. Mure prej shum kohe së palyeme. Nji tryezë e thjeshtë katranëshe në mjedis rrethue me ndejse të zhgatrrueme të ndryshme njana prej tjetrës. Në fund të dhomës dy dritore të mëdhaja qi biejnë kah rruga. Në perden e mbajtë, në skaj kah fundi, një derë qi qet n’odë të zjarrmit, madej një kanapeh mbulue me pelhurë të zgjedhur, tshti e repun dh’e zverdhkatë në ngjyrë. N’anën e djathtë nji derë qi qet në shenashin. Edhe pse s’mungon dlirsija, ambjeti ep nji përshtypje së lanumi mbas dore. Shifet menjiherë se dikur ajo banesë shkelqente me orendi të begatëshme e dallohej për mbajtje të kujdesshëme. Asht mëngjesi i një dite së dielle vjeshte).

LINA (tue hy nga dera e shenashinit, veshë me petka shetije, përshëndetë Rozën qi del me dy broka plot me uj nga dera e odës së zjarrmit) Nadja e mirë!

ROZA Sa heret kenke çue! Mirë se vjen!

LINA Mesha në Shkollë të Murgeshavet thohet në shtatë. Mbaroi e këtheva këtu. Erdha me pa si keni ndjehë e me të marrë me dalë në Fushë të Qelës.

ROZA Ka kohë. Nuk do të jet sahati ma tepër se tetë e gjysë. Shetija fillon mbas Meshës s’orës njimbëdhetë të Fretnevet. Po i çoj ujin m’u la Shukut e po vij. Si asht nana?

LINA Mirë. I kanë pushue dhimbat n’ijë. Shuku si po asht?

ROZA Me shëndet mirë, por, si gjithmonë, i habitun mbas trilleve të veta. Lexon, merr shënime e çohet e shetitë nëpër odë. duhet me ia përsritë disa heresh fjalën para se t’a marrin vesht: kaq përqëndrohet në mendime…

LINA Pregatitë ndoj vepër të re, sigurisht.

ROZA Shka me kenë! Humbë kohën kot. Kur s’mujt me nxjerrë gja në dritë sa ishin…. ata, sot duhet t’a kuptojë se puna e shkrimeve të tija ka marrë fund. Mue më ban me plasë. Në vend me ia vu menden si e si me e përmirsue kët gjendjen t’onë dhe m’u vu për fije si shokët, qi pra s’e lanë kurrkund zotsin e tij, bieret mbas andrrave. Jam në hall të madh. Linë!

LINA Shuki asht i zoti. Heret a vonë ka me i a dalë m’u rradhitë ndër shkrimtarë në shej e me kenë i çmuem si meriton.

ROZA Prit gomar sa të dalë tërfoja! S’kam besim në zotsin e tij. Ka mbetë mbrapa shokve. Mandej… (me za t’ulët) kujton ti se e lanë… këta të sotshmit me çue krye si shkrimtar? Rrehet kot. Por…. më len t’i a çoj ujin m’u la. Mos u mërzit. Qe, erdha! (Del kah shenashini).

GANXHIJA (hyn nga e djathta) Nadja e mirë Linë. S’ashtë nevoja me të pyetë si je pse po shof se ke ndjehe si molla në gem. Kaq herët, sot?

LINA Jam kenë në Mesh te Murgeshat.

GANXHIJA Ty të ndihmoftë. Edhe unë aty kjeçë në meshë, por ishem në fund të kishës e s’të kam pa. Ke pasë fat, moj bi, m’u rritë në hir të Zo’it e me marrë mësime të mbara ndër Murgesha. Mjrisht ka gjind qi, qyshë se kanë le, nuk e kanë pa kishën me sy dhe nuk njofin ngushullimin e madh t’uratës….

LINA Si ime-motër, për shembull, as? Mos i ven faj, Ganxhe. Ka thithë mendimet e… atyne. Nuk asht zemër – keqe, por koha e përparëshme ka lanë gjurmë të forta në të.

GANXHIJA Ajo qi nuk më pëlqen, lum Lina, asht se jote-motër nuk i mban për vete mendimet qi ka, por mundohet me i a rrasë në tru edhe tjervet. Qe, tuk asht zotni Shuku: ai nuk i a thotë të bindun se asht e mirë e e drejtë. E, pra, kisha me thanë se atij i përket ma tepër me u dalë zot mendimeve t’atyre….

LINA Unë nuk jam fort e rrahun në këto çashtje. Por… me shka kuptoj unë, Ganxhe locja, Shuku ka mendime krejt të veta qi janë bukur larg prej parimeve t’atyne pa kenë, merret vesh, kurrkund afër me t’onat; me këto të sotmet, due me thënë…

NDREKA (tue hy nga e djathta_ Mirë se të gje, zojshë.

LINA Mos më thirrni zojushë, zotni Ndrekë. Unë…

NDREKA Don ndoshta me të thirrë shoqe? Fjalët shok e shoqe i urrej edhe i kam qitë, sa për vete, jashtë përdorimit.

LINA Më thirrni Linë.

GANXHIJA (të shojt) Edhe ti ke nisë m’u ba i mërzitshëm. Lene rahat vajzën qi kurr s’t’a ka këthye fjalën.

NDREKA Ke arsye. Lina s’asht si…

GANXHIJA Leni fjalët boshe, po të tham. Po shkoj me ju pjekë nji kafe. E kam xhezën në zjarrm. (Del kah oda e zjarmit).

NDREKA (tue u ulë ndejun në kanapeh) O Zot i lum, kjosh levdue qi premtove me më falë nji pleqni të rahatshëme! E din, Linë, sa vuejshem kur ishin ata. Sidomos të diellavet. Nuk u dallote e diellja prej ditve tjera. Qe, ndëgjo. Po biejnë kumbonët e Kiëshës së Madhe. Aman, mos prito, çolma dritoren. Due me ndëgjue kumbonët. (Lina hapë xhamat e dritares). A ka lezet ma të madh? Me gëzue lirisht të diellen; me shkue në Meshë të madhe, ashtu si përpara. Ti je e re dhe s’merrshe gja vesh kur ishin ata. Por ne na e kanë terratisë jetën. Kishim lakmi ata qi dishin. A merr vesht? I njehshim të lum ata qi përsiellshim ndër Rmaj… me i shti në dhe!

LINA Unë s’mabaj mend mirë’ po, vërte, të ramit e kumbonvet ishte asokohe i ndaluem?

NDREKA Rrebtësisht.

GANXHIJA (tue hy me do filxhana në nji tabake) Urdhëroni, pra.

NDREKA Të lumët dora, grue. Prej erës kuptohet se na ke pjekë nji kafe tarrnake.

LINA (Ganxhes) Njimend pak e kush din me pjekë kafe si ti.

NDREKA Duket gja e kollajtë, përkundrazi don shum marifet. Ah. s’ka ma gja të kandëshme se me pi kafe tue ndëgjue kumbonët qi bijnë e tue mendua se “ata” nuk na rrijnë ma përsipër me na marrë frymën. Lirija, lirija, s’ka të paguem në kët botë.

ROZA (tue hy ka ndëgjue fjalët e Ndrekës) Liri kallpe… Vetam mendelehti nuk kujtohet se priftnija i a futë shpirtin njerzis në nji burg gënjeshtrash lara lara. Nuk asht liri ajo qi pa u kujtue të ban me ndjekë vijën e caktueme prej priftënvet dhe prej qeverritarve të cilët tjetër mendim s’kanë veç me shfrytëzue vogjëlin e shkretë.

LINA Pash fen, pse nuk shikon punën t’ande!

NDREKA Lene të turfullojë…. Fjalët e saja nuk m’a prishin lezetin e kësaj së dielle plot kumbonë. Kumbomnët s’i bajnë dam kujt. Kjo pëlqente krizmën e batareve qi vinte prej Zallit të Kirirt kur u pushkatojshin njuerëzit ma të ndershëm të vendit tonë. Tashti angthi u zhdavarit… Ah. kjo muzikë e kumbonve t’a zgjanon shpirtin.

ROZA E besoj: tash qi këthyem prap në Mesjetë…

NDREKA Këthyem në jetë te mbarë e të lume!

GANXHIJA Po ti, more, pse e gërget? Lene në punë të saj. Ajo asht rritë me ato mendime.

LINa (qi ka qitë kryet kah rruga prej dritores së hapun) Gra, eni e shifni. Në krye të rrugacës asht ndalë nji zojë e huej… Se ç’petk qi ka!…. s’ka si bahet ma i bukur… e i rri mbrekulli në shtat…. Qe, ka ndalë diken e dishka po e pyetë tue ba shej me dorë kah kjo rrugacë….

(Roza e Ganxhja shpejtojnë me dalë në dritore).

GANXHIJA Kush do të jet, vall? Po hyn në rrugacë t’onë. Po afrohet këtej…

ROZA E veshun vërte në mënyrë të përsosun…. Sa t’encun të zhdërvjellët… Shifet se nuk e topitë halli i jetës si ne të shkretave.

LINA Zojë e randë duket me kenë….

ROZA Po ndalet para derës s’oborrit t’onë…

GANXHIJA Jeee… Po kjo shka lypë te na?

(bjen trakllojca e derës s’oborrit: i ndëgjohet krizma nepërmjet derës së shenashinit)

ROZA Tham se e kanë drejtue gabim…

GANXHIJA (tue dalë me shkue e me çelë derën e oborrit) Në kjoftë e huej si do të merrem vesht unë me te?

NDREKA (pa u tundë prej kanapehit, tue mbështjellë një cingare në kuti të duhanit) Më thirr mue. Unë italishten e dij….

ROZA (si në tallje) E po foli rusisht, jam këtu unë!

NDREKA S’ka me kenë nevoja as për ty as për mue. Ka gabue derë, po kjo se kërkon ndokend. Këtu te na s’ka kush punë me të huej… Shko, Linë, të paça, e shif kush asht ajo grue e si po i shkon puna Ganxhes me te…. (Lina del kah e djthta).

NDREKA Shum të huej kanë fillue me ardhë. I ka dalë nami vendit t’onë e, tash si udhëtohet pa pengime, shum kend ngucë kureshti m’e shetitë fun e maje.

ROZA Në kët shtëpi gjysë të rrenueme s’ka kush shka me pa…

NDREKA Eeeh…. Dukur kjo shtëpi ka kenë nji ndër ma të mirat e Shkodrës…

ROZA E sot asht çerdhe mijsh. Të mjerët na qi jemi të dënuem me jetue këtu mbrendë.

NDREKA (tue mos u vu vesh fjalëve të saja, vazhdon si të flike me vete) Shtëpija e Sinadinvet, zotnij zemërbardhë.

ROZA Pasanikë qi jetuen të kërtylun me miradina në shpinë të popullit t’unshëm. Mandej nji prej tyne a më bahet a ishte i dam me gisht si njeri me idena antipopullore?

NDREKA Thue për Pjerin Sinadinin, shkrimtar?

ROZA (tue hy turravrap pa frymë) E dini se kush asht? E zoja e shtëpis!

NDREKA (tue broftë në kambë) Kush? Kush, thae?

LINA E zoja e kësaj shtëpije, pra! Ka ardhë prej Italije. Po shetitë oborrin me Ganxhen.

NDREKA A ka se si? E ka marrë mirë vesh Ganxhja?

LINA Po, po ajo flet shqip si na. Asht bijë Sinadinësh; a u thoshin kështu rponarëvet të kësaj shtëpje?

NDREKA Ashtu. Po pse ka ardhë?

LINA S’dij. Unë porsa u paraqita me te e ngava këtu me ju kallzue.

ROZA (me za idhnak Ndrekës) shif: unë të kam pague qiran për nji vjet e, t’a dijsh mirë:para Shën gjergjit nuk los prej klëndej edhe me ardhë të gjithë Sinadinët e dekun e të gjallë…

LINA Para se me thanë ashtu, preit me marrë vesh si po merr zhvillim puna.

NDREKa (Linës) A të tha Ganxhja me më ba za mue?

LINA Jo; por, ,ësi i a pash gjasën, ajo tash po njitet këtu nalt.

NDREKA Si t’u duk?

LINA S’ka si bahet ma e njerzishme. Si cërcerrim bylbyli e ka zanin. Nji buzqeshje e ambël i a ndritë fytyrën kur flet.

NDREKA Kjo nuk u donte!

ROZA Shka nuk u donte?

NDREKA Ardhja e kësaj – deh?

LINA Po kush asht kjo, zotni Ndrekë? Bash e zoja e shtëpis?

NDREKA Kjo – a? Mbas hamendjes asht e bija e Pjerin Sinadinit.

ROZA T’atij shkrimtarit me mendime prapanike?!

NDREKA (tue mos i vu vesh Rozës flet me Linën) Pjerin Sinadini – unë e kam njoftë – ka kenë njeri me idena të vjefshme, nisjatuer i palodhëshëm veprimesh të mbara, shkruente ndër fletore, qitte libra, ka pasë nji rreth të gjanë miqësh qi e dojshin me shpirt, por edhe shum anmiq qi e mënjijshin….

ROZA Njerzit e këqij janë të mënim….

NDREKA Ai s’i ka ba keq kuj. Disave, prej atyne qi e mënishin, u kish ba nderna e çfarë ndernash….

LINA Po kjo zoja kush asht?

NDREKA Sigurisht e bija, qi ka trashigue pasunin e tij.

LINA Po vjen! Qe, i ndëgjohet zani. Janë në shenashin me Ganxhen.

ROZA Unë s’due t’a shof.

LINA Ti rri, he mos pritsh. Të shofim shka thotë e shka ka ardhë ma ba….

IZA (tue hy e përsjellun prej Ganxhes, me njerzi të spikatun) Mirë se u gjej!

NDREKA Mirë se të bjen Zoti! Unë jam Ndrekë Beitoja, kujdestar i kësaj shtëpije….

IZA Më falni qi po u trazoj, zotni Beltoja. Deshta me pa, mbasi më qiti rasa me ardhë në Shkodër, shtëpin e prindve të mij.

NDREKA Jeni e bija e zotni Pjerinit, atëherë?

IZA Po.

NDREKA E kam njoftë babën e juej.

IZA (me sy qi i ndrisin papritmas prej gëzimit) Vërtetë?

NDREKA Po kush nuk e njifte? Asht përpjekë shum për kët qytetin t’onë.

IZA Shkodrën e ka dashtë me shpirt. Ka dekë me zemër të plasun prej mallit të saj. Më flitte gjithmonë për Shkodër, për Shqipni, për kët shtëpi…. (Shikon rreth e rrotull me nji hije mallëngjimi në fytyrë) Kjo asht oda e bukës…. Aty në skaj dikur ishte nji poltronë ku rrinte gjyshi…. Këndej duhet të jet oda e zjarrmit. A kam lejën t’a shof?

NDREKA Kjo asht shtëpija e juej, zojë… Urdhnoni: po ju përsjellim (bashkë me Ganxhen shoqnon Izën dalë kah e mbajta).

LINA Sa grue e hijshme dh’e njerzishme.

ROZA Kështu e kanë të pamit këto reshpereshat, por përmbrenda janë pleh.

SHUKU (tue hy prej së djathtës) Kush asht ajo zojusha qi erdh me Ganxhen n’odë t’onë e shikoi me përmallim të dukëshëm trapazanin e musandrën? Kishte në shikim nji shprehje të çuditëshme! si me kenë tue pa andërr….

ROZA Ti, ti, je gjithmonë i humbun ndër andrra, more tatalosh. E kjo bukurushë ka ardhë me të zgjue…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *