POLITIKA KOMBËTARE

THUAJ TRE HERË, JO!

LETËR E HAPUR

Drejtuar Deputetëve të Parlamentit të Kosovës

Në prag të 8-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, vendi ynë dhe shoqërija jonë po përballen me sfida të shumta, për të cilat, si shkaktare kryesore përgjegjësinë e bartë politika vendore. Qeveria, ministrat e veçantë, të gjitha partitë parlamentare dhe të gjithë deputetët e legjislacionit aktual janë të thirrur të reflektojnë seriozisht mbi veprimet e tyre në ditët dhe javët e ardhshme, të marrin në konsideratë kërkesat, lutjet dhe nevojat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Të nderuar deputet të PDK-së, LDK-së, AAK-së, LVV-së dhe Nismës për Kosovën,

mbi supet e Deputetit të Parlamentit bie barra e përgjegjësisë historike për të mirën dhe për të keqen që mund t’i ngjajë Kosovës. Ju jeni ata të cilët e keni për detyrë të uleni dhe të bisedoni, duke i flakur sa më larg interesat e ngushta për pushtetmbajtje dhe pushtetmarrje me çdo kusht. Kosova si shtet, sot ka nevojë urgjente për një qeveri të përkohshme, e cila do të merrte përgjegjësinë për një periudhë gjashtë-nëntë mujore dhe e cila do të bënte të mundshme organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare. Nuk dua sërish t’i numëroj një nga një shkaqet që sollën deri te dështimi total i qeverisë dhe legjislacionit aktual, sepse këtë e kam bërë tashmë me muaj të tërë në shtypin e përditshëm të Kosovës, në rrjetet sociale dhe në takimet kokë më kokë me disa prej kolegëve Tuaj. Kur them se Kosova ka nevojë për një qeveri të përkohshme, e përjashtoj në çdo rrethanë interesin specifik të subjektit të cilin e përfaqësoni secili prej jush në Parlamentin e Kosovës, sepse problemet e tashme nuk i zgjedhin më as numrat e deputetëve, as emrat e partive, e as emrat e liderëve të tyre.

Është obligimi dhe mundësia juaj t’ju ofroni qytetarëve të Kosovës:

  • një zgjidhje që nuk i cenon të drejtat e tyre demokratike, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial të vendit.
  • një zgjidhje që e përjashton zgjedhjen e mundshme të Hashim Thaçit në postin e Presidentit të Kosovës.
  • një zgjidhje që përjashton dhunën dhe sankcionon praktikuesit e saj brenda dhe jashtë institucioneve.
  • një zgjidhje që mundëson krijimin e një qeverie të përkohshme.

Është obligimi dhe detyra juaj t’i thoni Jo:

  • interesit personal dhe partiak.
  • shkatërrimit të shtetit, krimit të organizuar, korrupsionit dhe dëmtimit të interesave politike dhe ekonomike të qytetarëve të Kosovës.
  • të gjithë atyre që cenojnë interesin tonë nacional, për hirë të pushtetmarrjes ose pushtetmbajtjes me çdo kusht.

Të nderuar deputet, ju lutem merrni në konsideratë faktin se të pakënaqurit sot janë mazhorancë e madhe në Kosovë. Mos harroni se abuzimi me lirinë është veti e atyre shoqërive të cilat kanë vuajtur një robëri të thellë. Për rrjedhojë, situata e sotme në vendin tonë nuk është diçka e panatyrshme dhe e paprovuar ndonjëherë te shoqëritë tjera. Mjafton të thelloheni në mendim, për të mos i dedikuar sërish fatin shoqërisë sonë, të mësojë akoma prej vuajtjes dhe pësimit. Mungesa e strategjisë për të mbrojtur interesat e shtetit dhe të qytetarëve, ju ka sjellur në pozitën ku mendimin tuaj e krijon injoranca, kjo mbretëreshë e kulturës dhe sjelljes aktuale politike. Mendoj se është momenti i fundit të ndaheni nga injoranca dhe të kultivoni dialogun përmbajtësor, sepse përvoja pas rënjes dhe degradimit mund t’ju hyjë në punë të mësoni dhe të vetëdijësoheni për gjendjen në të cilën e keni sjellur shoqërinë tonë, por pasojat dhe targën e këtij pësimi të panevojshëm do t’a paguajë shumë shtrenjtë shoqëria shqiptare dhe shteti i Kosovës.

Arber Gashi, 12 Shkurt 2016

One thought on “THUAJ TRE HERË, JO!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *