OPINIONE

Liri, Pavarësi, Demokraci

Arbër Gashi

(Ri-)shpallja e pavarësisë së mbikëqyrur nga ndërkombëtarët në vitin 2008, ishte rezultat i luftës politike, diplomatike dhe ushtarake të kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës nga thundra pushtuese e okupatorit serb. Akti i (Ri-)shpalljes së pavarësisë ngjalli emocione të papërshkruara te populli ynë; emocione këto që u kurorëzuan me festën e madhe të organizuar anekënd vendit.

Megjithatë, kjo (Ri)shpallje e negociuar me ndërkombëtarët, nuk e solli po atë pavarësi për të cilën kanë luftuar shqiptarët. E vërteta është se shqiptarët e Kosovës nuk kanë luftuar asnjëherë për një shtet multietnik, sepse Kosova nuk ka qenë asnjëherë një vend i tillë. Në Kosovë kanë jetuar historikisht me shumicë dhe vazhdojnë të jetojnë akoma, 92% shqiptarë. Prandaj, do të kishte qenë shumë e natyrshme që shqiptarëve t’ju njihej e drejta e dekolonizimit të Kosovës. Për rrjedhojë, problemet me të cilat po ballafaqohet shoqëria jonë, do të ishin shumë më të pakta. Në fillet e luftës diplomatike për pavarësinë e Kosovës, deputetët e legjislaturës së atëherëshme të Kuvendit të Kosovës miratuan aktet përcjellëse juridike, siç janë Deklarata e Pavarësisë e 2 Korrikut të vitit 1990 dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar më vonë në Kaçanik, më 7 Shtator 1990. Populli i Kosovës i mirëpriti këto akte të Kuvendit të Kosovës dhe e rikonfirmoi mbështetjen popullore për këto akte juridike në referendumin e shtatorit të vitit 1991 dhe në zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992. Këto zgjedhje dhe institucionet e dalura prej tyre u kontestuan vetëm nga Serbia dhe nga përfaqësuesit e ilegales marksiste-leniniste, të cilët, më vonë, me ndihmën e pakursyer të qeveritarëve komunist nga Republika e Shqipërisë do të luajnë një rol vendimtar në sabotimin e organizimit të luftës së armatosur institucionale për çlirimin e Kosovës.

Për fatin e mirë të Kosovës, në vitet 1998-1999, aleatët e kombit shqiptar si: SHBA-të, Gjermania, Anglia dhe Vatikani e parandaluan ripërsëritjen e plotë të skenarit të vitit 1944 – 1948. Kosova pësoi shumë gjatë viteve të 90-ta të shekullit XX, por, ajo i shpëtoi ripërsëritjes së atij tmerri që e përjetoi në vitet 1943 – 1948, kohë kur komunistët serb, të ndihmuar nga Enver Hoxha, Fadil Hoxha, Ali Shukriu, Elhami Nimani etj., e likuiduan tërësisht intelegjencën kombëtare shqiptare dhe e masakruan gati 20% të popullsisë së gjithmbarshme në trojet e ripushtuara nga ish-Jugosllavia.

Për qytetarët e Kosovës, pavarësia e mbikëqyrur simbolizon rezultatin e kompromisit të puçistëve marksist-leninist, të cilët, përgjatë viteve 1996-1999, i shërbyen ekskluzivisht etjes për pushtet. Marksist-leninistët e Kosovës, duke e luftuar me të gjitha mjetet Deklaratën e Pavarësisë (2 Korrik 1990) dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës (7 Shtator 1990), anashkaluan tërësisht interesin dhe vullnetin kombëtar.

Prandaj, si e tillë, pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës, nuk është ajo pavarësi për të cilën është angazhuar institucionalisht dhe ka derdhur gjakun rrëke populli shqiptar i Kosovës. Kosova, i pëlqeu ose jo t’ua themi atyre që e kanë bërë kompromisin “multietnik” për interesa të sundimit marksist-leninst të Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare, nuk do t’a ndalojë asnjëherë përpjekjen legjitime për realizimin e idealit të lartë kombëtar, Shqipërinë etnike dhe demokratike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *