HISTORIA

FLAGRANCA E MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO ‑ JUGOSLLAVE NË VITET 1944 ‑ 1948

Shkruar nga Kastriot Dervishi

1944-48: Nënshtrimi ndaj sllavëve – Agresioni komunist

Në marrëdhëniet shqiptaro ‑ jugosllave, një periudhë e veçantë me karakteristikat përkatëse, është edhe ajo në vitet 1941 ‑ 1948, periudhë që ndahet në dy etapa kohore, në atë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe atë të katër viteve të para të regjimit komunist. E gjithë kjo kohë paqyron zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro ‑ jugosllave nën ngjyrën komuniste, me flagrancën më të madhe të tyre. Themi kështu pasi në këtë periudhë ajo ç’ka quhej për vite me radhë si tradhëti kombëtare, u shit si diçka e zakonshme apo si vlerë e papërsëritshme. Në këtë hark kohor, lindi, u rrit dhe u konsolidua, klasa politike komuniste e Shqipërisë si vegël qorre e jugosllavëve. Në të gjitha treguesit e saj, flagranca shqiptaro ‑ jugosllave e viteve të sipërpërmendura, tregoi se pas lufte në Shqipëri ishte vendosur në kuptimin e vërtetë të fjalës një regjim amator kolaboracionist. Asnjëherë më parë në historinë e Shqipërisë nuk shihet me transparencë kaq të plotë një pushtet kolaboracionist kaq lolo në shërbim të jugosllavëve dhe me dëshirë të plotë kundër vendit të vet, sa në periudhën 1944 ‑ 1948.

Edhe pas prishjes së flagrancës së madhe, të imponuar nga kushtet jashtë Shqipërisë, nuk pati ndonjë ndryshim kryesor, pasi filloi periudha e flagrancës së madhe ia la vendit kamuflazhit të madh.

Shtrati i sigurt i agjenturës jugosllave: nga Stanoje Simiç tek Miladin Popoviç

Festa Komuniste pas gjenocidit në KosovëNë vitet 30‑të të shekullit të kaluar, konsull i Jugosllavisë në Korçë ka qenë Stanoje Simiç, njeri i cili në vitet e para të pasluftës, do të ishte ministër i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë. Në këtë kohë Simiç, ka njohur nga afër edhe udhëheqësin e ardhshëm komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha. Për agjenturën jugosllave, emri i Enver Hoxhës nuk do të ishte person i panjohur në momentin kur duhej ta përcaktonin përfundimisht si udhëheqës të Shqipërisë komuniste.

Që në fillimet e saj, lëvizja komuniste në Shqipëri, u vu nën ndikimin dhe nën kontrollin e plotë të agjenturës jugosllave. Elementët e pabindur apo të papërshtatshëm, u eliminuan në mënyra të ndryshme. Pas sulmit të 22 qershorit 1941 të Gjermanisë kundër Bashkimit Sovjetik, mori fund edhe pakti i ashtuquajtur Ribentrop ‑ Molotov. Pas kësaj kohe, në shtator 1941, njëri nga komunistët e parë në Shqipëri, Koço Tashko, kishte propozuar në Pejë pranë Komitetit Qarkor për Kosovë dhe Metohi të PKJ‑së, ndihmën e tyre për bashkimin e grupeve komuniste në Shqipëri. Partia Komuniste Jugosllave, i rekomandoi Tashkos se njeriu i saj në Shqipëri ishte Miladin Popoviç, i cili ndodhej i internuar në një shkollë të vjetër në qytetin e Peqinit, pasi ishte zënë rob nga forcat italiane në prill 1941 kur kapitulloi Jugosllavia. Në fundin e tetorit 1941, Vasil Shanto dhe Mustafa Gjinishi morën kontrakt me Miladin Popoviçin në Peqin, ku ai qëndronte i internuar bashkë me disa jugosllavë të tjerë. Pa ndonjë vështirësi, ata arritën ta veshin atë si fshatar dhe e nisën drejt Pezës. Pas disa ditësh me Miladin Popoviçin u bashkua Dushan Mugosha, i cili kishte ardhur në Shqipëri disa ditë më parë dhe kishte marrë takime me dy grupe kryesore komuniste. Mugosha kishte ardhur me kërkesë të Miladinit pasi ai “dinte shqip”.

Më 8 nëntor 1941, të dy jugosllavët mblodhën në Tiranë nga Grupi Puna e Korçës, Koço Tashkon, Enver Hoxhën, Pilo Peristerin, Koçi Xoxen, dhe Sotir Vullkanin; nga Grupi i “Të Rinjve”, Ramadan Çitakun, Anastas Lulën, Sadik Premten dhe “një shok kosovar”; nga Grupi i Shkodrës, Qemal Stafën, Vasil Shanton, Kristo Themelkon dhe Tuk Jakovën. Ndër detyrat më kryesore që i parashtroi vetes PKSH‑ja, ishte edhe kjo: “Të zhvillojmë dashurinë dhe bashkëpunimin luftarak me të gjithë popujt e Ballkanit, sidomos me popujt serb, grek, malazez e maqedonas, që luftojnë heroikisht për çlirimin e vet nacional” (shih “Rezolucionin” e grupeve komuniste në nëntor 1941, botuar në “PPSH dokumenta kryesore”, faqe 27).

Ndër direktivat më të rëndësishme të Enver Hoxhës, veçojmë edhe atë të datës 3 nëntor 1943, dërguar në emër të KQ të PKSH‑së, komiteteve qarkore, ku ndër të tjera thuhet: “Duhet të popullarizojmë luftën nacional‑çlirimtare dhe veçanërisht të jugosllavëve dhe grekëve. Duhet të shtrojmë haptazi dhe pa ndrojtje problemin e vëllazërimit tonë me popujt jugosllavë dhe grek. Të demaskojmë pa mëshirë reaksionin dhe shovinizmin që mundohet të na vërë në luftë me fqinjët, ta bindim popullin se interesi i lartë i atdheut kërkon që të jemi të vëllazëruar me popujt grek e jugosllavë, t`ia heqim maskën shovinizmit që mundohet të dalë si mbrojtës i Shqipërisë nga të huajt dhe t`i tregojmë botës se ne dhe vetëm ne e mbrojmë Shqipërinë nga okupatorët dhe nga imperializmat e huaja. Duhet ta bindim popullin se lëvizja nacional‑çlirimtare greke dhe jugosllave jo vetëm që nuk cënon indipendencën tonë, por ndihmon për ta fituar”.( shih “PPSH dokumenta kryesore”, vëllimi I, faqe221, Tiranë 1971).

Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha do të bëheshin themeluesit e PKSH‑së më 8 nëntor 1941. Ata do ta bënin këtë parti një bishtuk terrorist serb të gatshëm për çfarëdo lloj krimi që do të kishin nevojë. Qëllimi i tyre kryesor mbeti lufta civile dhe sjellja në pushtet e një klase që do t’i shërbente verbërisht interesave të Jugosllavisë. Për këtë qëllim ata panë tek Enver Hoxha personin e duhur që mund të realizonte planet e tyre. Pas dështimit të Organizatës së Fshehtë të Vlorës në vitin 1932, agjentura jugosllave do të arrinte suksesin më të madh të saj me krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë në 8 nëntor 1941, duke gjetur formën më të përshtatshme për të realizuar qëllimet e veta.

Në mënyrë të përmbledhur do të thonin që personat më influentë që u morën me përgatitjen e lidershipit komunist në Shqipëri kanë qenë:
‑Konsulli jugosllav në Vlorë në vitin 1932.
‑Stanoje Simiç ‑ konsull i Jugosllavisë në Korçë në vitet 30‑të të shekullit të kaluar.
‑Miladin Popoviç
‑Dushan Mugosha
‑Bllazho Jovanoviç ‑ i dërguar i PKJ‑së në Konferencën e Labinotit
‑Zvetovar Vukmanoviç (Tempo)
‑Velimir Stojniç
‑Savo Zllatiç

Kongresi i Përmetit si imitim i trashë i AVNOJ‑it jugosllav

Ngritja e një pushteti paralel përkrah atij legjitim, ishte një nga mjetet e përdoruara nga komunistët jugosllavë me në krye Titon gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk është ndonjë zbulim i madh të themi që i njejti mekanizëm u zbatua edhe në Shqipëri nga komunistët që ishin vegla të bindura të jugosllavëve. Si model për një gjë të tillë, shërbeu Mbledhja e Dytë e AVNOJ‑të që u mbajt në Jajce të Bosnjës në “datën historike” të 29 nëntorit 1943. Në këtë mbledhje u përcaktua forma federative popullore e Jugosllavisë së ardhshme, u zgjodh Këshilli Nacional Çlirimtar Jugosllav (në rolin e një trupi legjislativ), Kryesia e këtij Këshilli në rolin e një presidence dhe Komiteti në rolin e një qeverie. Ndër pikat e tjera të rëndësishme mund të rendisim vënien e gradave, ndalimin e kthimit në atdhe të famijles mbretërore jugosllave të Karagjergjoviçëve etj.

Të gjitha këto që përmenda më lart, janë zbatuar pikë për pikë në Kongresin komunist të Përmetit, i cili u zhvillua më 24 ‑ 28 maj 1944. Edhe data e mbajtjes së këtij kongresi ka një origjinë jugosllave, pasi më 25 maj (1892) ishte ditëlindja e mareshallit Tito dhe për këtë duhej patjetër që kongresi të kalonte në këtë datë. Në zbatim dhe në kopjim të Mbledhjes së Dytë të AVNOJ‑it, në Përmet u zgjodh Këshilli Nacional Çlirimtar (trupi legjislativ), Kryesia e këtij Këshilli (në rolin e një presidence), kryetar i së cilës ishte Omer Nishani e sekretar Koço Tashko, dhe Komiteti i KANÇ‑it (në rolin e një qeverie të pashpallur) në krye të së cilës u vu Enver Hoxha.

Gjithashtu kongresi vuri gradat për “ushtarakët” e vet si dhe ndaloi hyrjen e familjes mbretërore në Shqipëri. Kongresi u shpreh gjithashtu se ishte në favor të një modeli konfederativ ballkanik, vendosur kjo sipas kërkesës jugosllave. Gjithkush që i lexon këtë rreshta le ta bëjë vetë krahasimin se sa i trashë është imitimi i AVNOJ‑it 2 në kongresin e Përmetit. Kush nuk bindet për këtë le të shikojë edhe stemën e Republikës Federative Popullore (më vonë Socialiste) të Jugosllavisë, stemë e cila është kopjuar me të gjithë parametrat e saj edhe në stemën e Republikës Popullore (më vonë edhe Socialiste) të Shqipërisë. Në vendin ku shkruhej “29 nëntor 1943”, komunistët e Shqipërisë vendosën datën imituese “24 maj 1944” që konsiderohet prej tyre si “lindja e pushtetit popullor”.

Pse u quajt Haki Taha “shovinist shqiptar” nga Enver Hoxha

Tashmë dihet nga ndokush se njeriun që themeloi PKSH‑së, Miladin Popoviçin, e vrau arsimtari kosovar Haki Taha në Prishtinë në mars të vitit 1945. Në historiografinë komuniste dhe veçmas në atë PPSH‑së, është thënë vazhdimisht se kjo vrasje u krye nga UDB‑ja jugosllave, pa dhënë asnjëherë shpjegime të mëtejshme. Mirëpo në vitet e para të regjimit komunist në Shqipëri, ka qenë vetë Enver Hoxha që thotë të kundërtën.

Në librin voluminoz “PPSH dokumente kryesore” vëllimi i I‑rë, botuar në në Tiranë në vitin 1971, në faqen 507, botohet edhe një deklaratë e Komitetit Central të PKSH‑së si përgjigje ndaj deklaratës së 12 korrikut 1948 Komitetit Central të Partisë Komuniste të Maqedonisë, ku sulmohej PK e Bullgarisë dhe PK e Shqipërisë. Nga kjo deklaratë ‑ përgjigje, ndër të tjera veçojmë:

“Në Kongresin e 5‑të, Tito përmendi në mes të tjerash emrin e komunistit jugosllav Miladin Popoviç si një aktivist që ka ndihmuar Partinë tonë Komuniste. Miladin Popoviçi, anëtar i PKJ‑së, i kapur nga forcat fashiste italiane në Kosovë e Metohi, u çlirua nga kampet e përqëndrimit në Shqipëri prej guerriljeve shqiptare. Miladini vuri të gjitha forcat për të ndihmuar Partinë dhe popullin tonë dhe ky u rrit me luftën e Partisë sonë dhe popullit tonë… Miladin Popoviçi u vra tradhëtisht dhe në mënyrë misterioze në Kosovë e Metohi nga dora e një SHOVINISTI SHQIPTAR KOSOVAR (nënvizimi është yni). Partia jonë nuk u vu në korrent mbi këtë çështje nga Komiteti Central i Jugosllavisë, megjithëse ajo e konsideron Miladin Popoviçin si një pjestar heroik të saj dhe e nderon kujtimin e djalit të popullit të Malit të Zi dhe të Partisë Komuniste Jugosllave, si një komunist internacionalist që shërbeu në radhët e luftëtarëve më të shquar të popullit shqiptar”.

Po në këtë deklaratë, midis të tjerash, nxirret roli i madh që ka luajtur Miladin Popoviçi në “shtypjen pa mëshirë” të “fraksionit të Vlorës”.
Ndërsa në librin kujtimor “Kur lindi Partia”, në lidhje me vrasjen e Miladin Popoviçit, Enver Hoxha thotë: “..Jo shumë kohë pas çlirimit të Kosovës (lexo pushtimit nga serbët ‑ shënim), Miladin Popoviçin e vranë prapa krahëve njerëzit e UDB‑së, sepse ishte shprehur për të drejtën e popullsisë shqiptare të Kosovës për vetëvendosje (gënjeshtër e pastër ‑ shënim). Për këtë kemi bindje të plotë jo vetëm nga bisedat që bënim me Miladinin, kur ishte në Shqipëri por edhe në Arkivin e Komitetit Qendror të Partisë sonë kemi dokumente që flasin qartë për këto pikpamje të komunistit internacionalist, Miladin Popoviç. Pas kësaj njerëzit e Titos trumbetuan se vrasjen gjoja e paskësh bërë një shqiptar kosovar! Dhe ku? Mu në tavolinën e tij të punës, në shtëpinë që ruhej nga partizanë jugosllavë…”.

Po të krahasojmë këto dy materiale, duhet të shtrojmë disa pyetje. Në rast se Haki Taha ishte një “shovinist shqiptar”, siç e quan Enver Hoxha në vitin 1948, pse duhej të ishte ai ” i UDB‑së”. Një tjetër mashtrim i madh i Enver Hoxhës është edhe cilësimi “proshqiptar” i Miladin Popoviçit, sikur ai gjoja paska kërkuar zbatimin e parimit të vetëvendosjes për Kosovën. Pa dashur të merremi gjatë me një falsifimi të tillë do të kujtonim dy detaje:
Së pari Miladin Popoviçi ishte i pari që u ngrit kundër marrëveshjes së Mukjes, për shkak se në këtë marrëveshje flitej për problemin vetëvendosjes së popullit të Kosovës. Ai urdhëroi Enver Hoxhën që të pushkatoheshin si tradhëtarë, Mustafa Gjinishi dhe Ymer Dishnica. Ky i fundit nuk u ekzekutua pasi në gazetën “Bashkimi i Kombit”, u botua nga Xhelal Staravecka, proces ‑verbali i mbledhjes së Vithkuqit, në të cilin dënoheshin me vdekje nga Miladin Popoviçi personat e sipërpërmendur. Por ndërsa Gjinishin e vranë prapa krahëve, një gjë të tillë nuk mundën ta bëjnë me Dishnicën pasi do të demaskoheshin keqas.

Së dyti duhet thënë se Haki Taha e vrau Miladin Popoviçn në një lokal në Prishtinë në momentin kur ky i fundit i pat thënë se Kosova ishte e Jugosllavisë dhe vetëvendosje nuk kishte për të pasur. Pak kohë pas vrasjes së Miladinit, Haki Taha u vra, ndërsa shoqëruesi i tij Qazim Vula, pasi vuajti në burgjet e Jugosllavisë, u arratis në Shqipëri ku vuajti burgjet e tmerrshme të komunizmit këtu.

Në fakt, në deklarimet e mësipërme të Enver Hoxhës, ka një diçka të sinqertë nga ana e komunistëve të Shqipërisë. Ata kanë qenë gjithnjë antinacionalistë të tërbuar dhe në këtë linjë, nacionalizmi quhej rëndom si “shovinizëm” pavarësisht se nuk ka ekzistuar kurrë ndonjëherë një shovinizëm shqiptar. Por nuk është rastësi që “shovinistë” shpallen Gjergj Fishta, Haki Taha etj.

Nga ana tjetë duam të kujtojmë se njeriu që kontriboi më shumë se kushdo në ngritjes e Enver Hoxhës në pushtet, Miladin Popoviç, mban akoma “Urdhërin e Flamurit” dhe medaljen e “Kujtimit”, në bazë të vendimit nr 117, datë 5 shtator 1945 të Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar (shih “Gazeta Zyrtare” nr 46, 20 shtator 1945, faqe 5).

Ja pse 29 nëntori është dita e përbashkët e komunistëve të Shqipërisë dhe jugosllavëve

Personalisht për mua, nuk asnjë lloj rëndësie se kur ka kaluar kufirin e Shqipërisë londineze ushtari i fundit gjerman. Kjo për disa arsye.

‑Së pari, sepse kurrë Gjermania nuk i shpalli luftë Shqipërisë dhe as vuri në diskutim pavarësinë dhe sovranitetin e saj, pasi ushtria e saj nuk erdhi këtu si pushtuese.
‑Së dyti, ushtria gjermane u largua vetë pa ndonjë presion nga formacionet luftarake komuniste.
‑Së treti, çështja është se midis termave “çlirim” dhe “largim” nuk kurrfarë ngjashmërie.
‑Së katërti, nuk ka asnjë arsye që të justifikojë dhe ta paraqesë vendosjen e regjimit komunist nëpërmjet rrebelimit, si “çlirim të atdheut” në një kohë që vendi figuronte prej kohësh si i pavarur.
‑Së pesti, çështja e pushtetit e mpleksur në një vorbull të luftës civile ka qenë elementi kryesor që vihet re në fundin e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.
‑Së gjashti, emisarët jugosllavë arritën tre objektiva që i patën vënë vetes: themeluan PKSH‑në si agjenturë solide të tyren, futën vendin në një luftë civile dhe larguan nga pushteti elementin nacionalist shqiptar.

Nga ana tjetër duhet thënë se për komunistët e Shqipërisë nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe çështja e vendosjes së datës së regjimit të tyre, datë që në fillim të sundimit të tyre terrorist ishte 28 nëntori. Mirëpo, duke qenë një instrument në duart e jugosllavëve, PKSH‑ja pranoi të njihte si festë të përbashkët 29 nëntorin, për shkak se kjo ishte një datë historike për Jugosllavinë. Së pari ishte 29 nëntori i vitit 1943, Mbledhja e Dytë e AVNOJ‑it (Këshilli Nacional Çlirimtar Jugosllav), ku u përcaktua forma e shteti të ardhshëm jugosllav dhe ku u vendosën organet e pushtetit paralel. Së dyti ishte 29 nëntori i viti 1945, datë kur Asambleja Popullore kishte shpallur Republikën Federative Popullore (më vonë Socialiste) të Jugosllavisë.

Ishte e natyrshme pra që regjimi kolaboracionist i Tiranës, të zbatonte urdhërat e shefave të vet të Beogradit, të cilët që kërkonin një festë të përbashkët për shkak se Shqipëria do të shkonte gradualisht drejt humbjes totale të pavarësisë. Në një konferencë akademike të mbajtur në Tiranë më 29 nëntor 1947, për nderë të 2 vjetorit të shpalljes së RFPJ‑së, ministri pa portofol, Pandi Kristo, në fjalën e tij ndër të tjera do të theksonte : “Në këtë luftë ne gjetëm ndihmën direkte dhe eksperiencën e paçmueshme të popujve të Jugosllavisë heroike. Popujt tanë u vëllazëruan përjetë në zjarrin e derdhur në të njejtat llogore dhe kundër të njejtëve armiq. Lufta e popujve të Jugosllavisë me mareshallin Tito në krye, i dha dorë popullit tonë të çlirohet nga okupatorët dhe tradhëtarët e vendit. Rrethanat historike, bënë që populli ynë të festojë sot i lirë dhe sovran dy data të mëdha dhe shumë të rëndësishme për ekzistencën e tij të lumtur: ditën e madhe të çlirimit dhe shpalljen e RFPJ‑së, e cila për ne është një nga garancitë më të shëndosha për lirinë, indipendencën dhe sovranitietin kombëtar për të ardhmen e vendit tonë…..Rroftë aleanca dhe vëllazërimi i popullit tonë me popujt vëllezër të Jugosllavisë së re, dita e 29 nëntorit, dita e RFPJ‑së dhe e mareshallit Tito”.

Intermexo historike. Fjala e Hysni Kapos e mbajtur me rastin e përvjetorit të shpalljes së RFPJ‑së

Njëri prej udhëheqësve komunistë me lidhje edhe të mëparshme me agjenturën serbe nëpërmjet xhaxhait të tij Murat Tërbaçi, ishte edhe Hysni Kapo. Nga fillimi i vendosjes së regjimit komunist e deri më 27 shkurt 1947, ai do të ishte ministër (ambasador) i Shqipërisë në Beograd. Pas tij e deri më 6 shkurt 1948 ishte Tuk Jakova, e më pas Ramadan Çitaku. Ky i fundit u shkarkua pas “prishjes së madhe” dhe u shkarkua edhe si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Një rol të madh në forcimin e “miqësisë së madhe” luajti edhe Hysni Kapo. Gjatë mandatit të tij në Beograd u nënshkruan marrëveshjet skllavëruese me Jugosllavinë dhe u zhvillua vizita e kryeministrit Enver Hoxha në Jugosllavi.

Më 27 nëntor 1947, ai mbajti fjalën kryesore në mbrëmjen akademike në sallën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, kushtuar 4 vjetorit të Mbledhjes së Dytë të AVNOJ‑it dhe 2 vjetorit të shpalljes së Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë. Për të qenë sa më jugosllavofilë, mbrëmja akademike ishte organizuar në datën 27 nëntor 1947, me rastin e përvjetorit të parë të nënshkrimit të marrëveshjes që hoqi barrierat doganore, që parifikoi monedhat etj (për këtë shih më gjerësisht në vijim të dossier‑it).

Të pranishëm në këtë mbrëmje akademike ishin Enver Hoxha, Omer Nishani, Koçi Xoxe, Myslim Peza, Pandi Kristo, Gogo Nushi, etj si dhe i ngarkuari me punë i Jugosllavisë Drago Kosmerlj, i ngarkuari me punë i Bashkimit Sovjetik, Gagarinov etj. Nga fjala e sekretarit të Sekretariatit të Frontit Demokratik, Hysni Kapo veçojmë pjesën e mëposhtme:

“Popujt e Jugosllavisë festojnë për të tretin vit ditën e shpalljes së republikës, ditën e rilindjes kombëtare, 29 nëntorin. Kjo datë shënon dy evenimente me rëndësi historike për popujt e Jugosllavisë. Më 29 nëntor 1943, kur lufta e popujve të Jugosllavisë, në ballë të së cilës qëndroi pa u tundur partia e lavdishme komuniste me në krye mareshallin Tito, merrte përmasa të gjera dhe okupatorët fashistë po goditeshin pa mëshirë nga të gjithë frontet, kur tradhëtarët e popujve të Jugosllavisë e hoqën maskën dhe dualën më fytyrën e tyre të vërtetë, u mblodh për të dytën herë Këshilli Nacional Çlirimtar për të marrë vendime që kishin të bënin me fatin e popullit dhe të kombit. Në këtë datë u hodhën themelet e vëllazërimit dhe të barazimit të të drejtave të popujve, u hodhën themelet e pushtetit popullor dhe u krijuan bazat e reja të një rregulli shoqëror. Aty gjithë përfaqësuesit e popullit shprehën unanimisht vullnetin për kundra mbretit dhe monarkisë së Karagjergjoviçëve. Dy vjet më vonë, kur popujt e Jugosllavisë kanë realizuar fitoren mbi fashizmin dhe bashkëpunëtorët e tij, kur flamuri i tyre i fitores valon i lirë në Jugosllavinë e re, Asambleja Popullore shpalli Republikën Federative nën të cilën popujt e Jugosllavisë do të rrojnë të lumtur, do të gëzojnë për jetë të gjitha të drejtat dhe liritë demokratike… 29 nëntori kujton luftën, sakrificat dhe heroizmat që bënë popujt e Jugosllavisë për të fituar lirinë dhe pavarësinë. 29 nëntori është data që vërtetohet edhe një herë zyrtarisht dëshira e popullit përkundra regjimit shtypës dhe gjakpirës. Ajo simbolizon rrugën e drejtë që udhëhoqi popujt e Jugosllavisë gjatë luftës, rrugën që u shërben dhe sot për të vazhduar gjatë periudhës paqësore për ndërtimin e vendit. Fitoret e 29 nëntorit, në sajë të të cilit popujt e Jugosllavisë po ndërtojnë jetën e tyre të re, jo vetëm që siguruan baza të shëndosha në të cilat mbështetet pushteti popullor sot, por këto influencuan për ta forcuar edhe më tepër bashkimin dhe vëllazërimin midis popujve të Jugosllavisë, midis njëri ‑ tjetrit dhe midis fqinjëve të tyre… Jugosllavia sot nuk është vendi ku përgatiteshin planet imperialiste për intriga kundër popujve, sikurse ndodhte ndaj vendit tonë. Popujt e Jugosllavisë, me luftën e tyre heroike e varrosën thellë politikën serbo ‑ malazeze dhe janë bërë zot të vendit të tyre. Ata u treguan fqinjëve se ndjenjat që ushqenin për ta, nuk pajtoheshin kurrë me regjimet shtypëse. Lufta e drejtë që ata bënin nën udhëheqjen e shëndoshë të mareshallit Tito, politika e drejtë që ata ndoqën dhe kujdesi i madh që treguan për zhdukjen e mbeturinave të së kaluarës, e shtoi dashurinë dhe simpatinë tonë për popullin jugosllav. Jugosllavia Federative sot është transformuar në një qendrë të rëndësishme për gjithë vendet e Evropës Qendrore, aty ku përqendrohen problemet kulturale, ekonomike, politike, ushtarake të përbashkëta dhe marrin zgjidhjen më të drejtë. Mbas kryeqytetit të vendit të madh të socializmit, Moskës, sytë e popujve demokratikë dhe përparimtarë shikojnë me simpati dhe admirim Beogradin, qendrën ku rri udhëheqësi i madh ushtarak dhe politik i popujve të Jugosllavisë, miku më i shtrenjtë i popullit tonë, Mareshalli Tito. Fitoret e popujve të Jugosllavisë janë edhe fitoret tona, sepse ato janë në të mirën e gjithë popujve përparimdashës, në të mirë të demokracisë dhe paqes. Themi që fitoret e Jugosllavisë janë edhe fitoret tona, sepse populli jonë nuk ka se si t’i ndajë ato, sepse rruga e të dy popujve nuk ndryshon. Ai (populli shqiptar ‑ shënim) e provoi mirë se kush është Jugosllavia. Populli shqiptar do ta festojë me hare ditën e 29 nëntorit, se ajo është dita e rilindjes së miqve të shtrenjtë, do ta festojë se ajo është dita e rilindjes së miqve të shtrenjtë, do ta festojë ditën e 29 nëntorit se kujton luftën, sakrificat dhe vuajtjen e të dy popujve, se ajo kujton fitoren tonë mbi mbi fashizmin dhe bashkëpunëtorët e tij” (marrë me shkurtime nga gazeta “Bashkimi” e datës 28 nëntor 1947).

Emisarët jugosllavë si udhëheqës të PKSH‑së

Pas formimit të PKSH‑së, roli i emisarëve jugosllavë do të ishte parësor në strukturimin dhe ngritjen e njësive ushtarake komuniste, ose siç njihen ndryshe me emrin batalione apo brigada. Përveç kësaj në të gjitha forumet e mbajtuar të PKSH‑së, emisarët jugosllavë do të përbënin presidencën e tyre.

Kështu në Konferencës e Parë të PKSH‑së që u mbajt në Labinot më 17 ‑ 22 mars 1943, ku u zgjodh edhe Enver Hoxha sekretar i përgjithshëm i Partisë, rolin kryesor në të e kishte i dërguari i KQ të PKJ‑së, Bllazho Jovanoviç. Konferenca pohoi edhe një herë vijën terroriste dhe prosllave të Partisë Komuniste të Shqipërisë duke e konfirmuar edhe një herë qënien e saj si një shtojcë e PKJ‑së.

Në lidhje me një fakt të tillë, sekretari i PKSH‑së Tuk Jakova thotë në Kongresin e Parë të kësaj partie, në nëntor 1948 këto fjalë:
“..Konferenca caktoi vijën politike dhe organizative të Partisë për periudhën e ardhshme dhe zgjodhi Komitetin Qendror definitiv. Të gjitha punimet e konferencës u zhvilluan drejt, përveç procedurave të zgjedhjeve të Komitetit Qendror… Në këtë drejtim, për shkeljen e rregullave organizative, për zgjedhjen e KQ definitiv, ka influencuar i deleguari i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Bllazho Jovanoviç. Ne u mbështetëm në këshillat e Blazho Jovanoviçit, mbase ne vetë na mungonte eksperienca e nevojshme në çështjet organizative dhe besuam se pikpamjet e Bllazho Jovanoviçit do të ishin të drejta. Pas konferencës, Komiteti Qendror i ri, nuk u mblodh të zgjidhte Byronë Politike. Anëtarët e KQ‑ së u shpërndanë seicili në qarkun e tij të punës dhe në qendër mbeti shoku Enver Hoxha, i zgjedhur sekretar i përgjithshëm, me një numër anëtarësh të KQ, të cilët zgjodhën në unanimitet Byronë Politike”.

Në gusht 1943, erdhi në Shqipëri Svetovar Vukmanoviç (Tempo) me qëllimin e formimit të një “shtabi ballkanik” që do të udhëhiqej nga jugosllavët. Gjithashtu Tempo erdhi edhe dy herë të tjera në Shqipëri.

Emisarët komunistë jugosllavë luajtën një rol kryesor edhe pas marrëveshjes së Mukjes.

Konferenca e Dytë Nacional Çlirimtare (e para qe mbajtur në Pezë më 16 shtator 1942) që u mbajt më 4 ‑ 9 shtator 1943 në Labinot të Elbasanit, si qëllim kryesor të saj pati denoncimin e marrëveshjes së Mukjes, e cila dëmtonte seriozisht interesat sllave në Shqipëri. Kuptohet që rolin kryesor këtu e patën Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha.

Më 15 maj 1944, në Helmës të Skraparit u mbajt Pleniumi i Parë i PKSH‑së, në të cilin u pa plotësisht roli udhëheqës i emisarëve jugosllavë.
Në shtator 1944, pas largimit të Miladin Popoviçit nga Shqipëria, vendin e tij e zyri Velimir Stojniç, pasi emisarët jugosllavë kishin më tepër një pozicion mëkëmbësi në Shqipëri. Stojniç së bashku me Nijaz Dizdareviçin do të ishin dirigjuesit kryesorë të Pleniumit të Dytë që njihet “si i Beratit” (23 ‑ 27 nëntor 1944).

Pas lufte, emisari jugosllav më i rëndësishëm pas atij zyrtar që ishte ministri jugosllav në Tiranë, Josip Gjergjia e më pas Drago Kosmerlj, u bë Savo Zllatiç. Ky i fundit do të ndërhynte sa herë që t’i tekej në punët e Partisë Komuniste të Shqipërisë, që konsiderohej nga jugosllavët si një celulë e Partisë Komuniste të Jugosllavisë.

Terrorizmi komunisto ‑ partizan në Kosovë

Në prag të triumfit të plotë të rrebelimit komunist në mbarë Shqipërinë, forcat rrebele komuniste, përkatësisht Brigada e 5‑të e më pas Brigada e 3‑të, më 5 tetor 1944, kaluan kufirin e Shqipërisë londineze (që në atë kohë nuk ekzistonte) në ndihmë të homologëve të tyre jugosllavë me kërkesë të tyren për të nënshtruar plotësisht Kosovën dhe për t’ia dorëzuar atë pa probleme serbëve.

Ashtu si në mbarë jugun e veriun e Shqipërisë londineze, ashtu edhe në këtë pjesë të Shqipërisë lindore, formacionet rrebele komuniste ushtruan në mjaft raste terror mbi popullsinë shqiptare me justifikimin e goditjes së “reaksionarëve” . Të ashtuquajturit reaksionarë ishin elementët më të shquar antiserbë që nuk pranonin të viheshin në shërbim të komunistëve dhe që shikoheshin me dyshim nga ata.

Duke qenë se forcat gjermane po largoheshin gradualisht nga Ballkani, forcat jugosllave e kishin të vështirë të merrnin në kontroll Kosovën pa ndihmën e komunistëve të Shqipërisë, ndihmë që u pasqyrua me ardhjen e brigadave komuniste nga Shqipëria.

Në një udhëzim që komisari i Korpormatës së I‑rë, Hysni Kapo u dërgonte brigadave 3 dhe 5, më 20 shtator 1944, ndër të tjera theksonte:
“Të popullarizohet miqësia e popullit shqiptar me popujt e Jugosllavisë, të theksohet se lufta Mihajlloviç, Deva, e Mitrovica janë shkaktarë të përçarjeve midis popujve të Jugosllavisë dhe atij të Kosovës, të propagandohet lufta e përbashkët kundër okupatorit dhe nevoja e bashkëpunimit dhe e miqësisë midis popujve. Ne duhet të jemi të pamëshirshëm ndaj elementëve reaksionarë.”.

Formacionet rrebele komuniste më 23 tetor 1944 u futën në Junik dhe më 26 tetor në Deçan. Më 7 nëntor hynë në Gjakovë dhe më 16 e 17 nëntor në Prizren dhe Pejë.

Pas kontrollit të kësaj zonë të Kosovës, divizionet 5 dhe 6‑të komuniste, më 30 nëntor 1944 u bashkuan me forcat jugosllave dhe luftuan “kundër armikut të përbashkët” në Tuz, Podgoricë, Novi ‑ Varosh, Priepolje dhe Vishegrad.

Nga personat që drejtuan forcat rrebele komuniste kundër popullsisë shqiptare në Kosovë, mund të përmendim komandantin e Brigadës së 5‑të, kriminelin e njohur Shefqet Peçi, komisarin politik të Divizionit të V‑të (ku bënin pjesë brigadat me numur 3, 5 dhe 25) Ramiz Alia, dhe siç e thamë edhe më lart komisarin e Korparmatës së I‑rë, Hysni Kapo. Të tre këta individë kanë qenë persona influentë të agjenturës serbe në Shqipëri në vitet e regjimit komunist dhe për më tepër shumë vite më pas procesi i caktimit të Alisë si pasardhës i Hoxhës, kaloi nëpërmjet një skeme që pati angazhuar seriozisht shërbimin sekret jugosllav.

Jashtë vëmendjes nuk duhet lënë as fakti i bashkëpunimit luftarak midis forcave rebele komuniste të Shqipërisë (siç ishin brigadat 5 dhe 18) dhe atyre maqedonase siç ishte rasti i marrjes nën kontroll i qytetit të Dibrës më 2 shtator 1944.

Kalimi i formacioneve komuniste të Shqipërisë në Kosovë u bë me kërkesën e Shtabit Suprem të Ushtrisë Nacional Çlirimtare (rrebele) Jugosllave. Në verën e vitin 1944, në Shqipëri pati ardhur një mision ushtarak jugosllav i kryesuar nga Svetozar Vukmanoviç (Tempo). Sipas jugosllavëve, forcat komuniste shqiptare “do të pengonin konsolidimin e njësive armike (lexo “shqiptare” ‑ shënim)”. Të planifikuara për t’u dërguar në Kosovë kishin qenë formacionet komuniste të brigadave I dhe III. Mirëpo për shkak të pamundësisë së të parës për t’u dërguar atje, në Kosovë shkoi Brigada e 5‑të.
Formacionet komuniste nuk kursyen aspak terrorin ndaj elementëve nacionalistë. Ndër të tjera mund të përmendim konfrontimin me forcat e Mehmet Gradicës në Drenicë, etj.

Nga ana tjetër duhet theksuar se formacionet komuniste, humbjet më të mëdha i patën jashtë trojeve shqiptare si në Mal të Zi apo në Bosnjë. (Më 21 qershor 1946 erdhën nga këto treva eshtrat 350 partizanëve të vrarë në Mal të Zi dhe Bosnjë). Përgjithësisht popullsia shqiptare e Kosovës, ju shmang një konfrontimi të armatosur me forcat komuniste që vinin nga Shqipëria londineze, gjë që po të ndodhte, do të merrte përmasat e një lufte të pa parashikueshme civile.

Në lidhje me këtë, njëri nga ish pjestarët e Brigadës së 5‑të komuniste, më vonë edhe ministër në qeveritë komuniste, Zenel Hamiti, në gazetën “Bashkimi” ka botuar në disa numra kujtimet e tij në lidhje me historikun e këtij formacioni luftarak komunist në Kosovë. Në kujtimet e botuara më 18 mars 1945, ai ndër të tjera thotë në lidhje me luftimet e këtij formacioni në Kosovë:
“Më datën 14 nëntor 1944, të gjithë batalionet gjenden në luftime rreth Prizrenit. Kjo gjendje vazhdon deri në orën 6.00 të mëngjezit kur i gjithë qyteti bie në duart tona, i paprekur mbase armikut nuk iu dha rasti të digjte e të plaçkiste. KUFOMA NACIONALISTËSH (nënvizimi është yni) kishin mbuluar rrugën Prizren ‑ Kukës, depo materiali kapen si dhe fuqia më e madhe luftarake vendase që kish qenë në shërbim të armikut dorëzohet… Brigadës së 5‑të i duhej të luftonte edhe më ngushtë me forcat e mareshallit Tito në tokat e Jugosllavisë, pse kështu e kish kryer misionin e vet”.

One thought on “FLAGRANCA E MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO ‑ JUGOSLLAVE NË VITET 1944 ‑ 1948”

  1. Hulumtime serioze e mbi baza dokumentare, si ky i Kastriot Dervishit, mbi tradhёtinё e lartё kombёtare tё bandёs hoxhiste, me pasoja tragjike e tё pariparueshme ndaj kombit dhe interesave tё tij jetike, janё njё kotribut i vyerё, qё vlen tё njihet e propagandohet maksimalisht, si shkёndijё e fillimit tё zbulimit tё njё tё vёrtete tё madhe, tё tjetёrsuar e fshehur nga industria propagandistike e bandёs kriminale e antikombёtare hoxhiste dhe e pasuesёve tё saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *