HISTORIA

Heroina atdhetare Marije Shllaku

Shkruar nga Tomë Mrijaj, New York – USA

Pretenca e gjyqit komunist jugosllav dhe bolshevik shqiptar

Ndoshta si për të filluar për të folur për nacionalisten e shquar atdhetare Marije Shllaku, duhet thënë se figura e saj nuk mund të shihet e shkëputur nga atdhetarët e tjerë patriotë, si: atë Benard Llupi, Kolë Parubi, Gjergj Martini, Marsel Vuçaj e shumë të tjerë që përbëjnë numrin 27 të të dënuarve të akuzuar nga Partia Komuniste Jugosllave dhe bolshevikët shqiptarë të Shqipërisë, mbasi kishin krijuar organizatën patriotike me emrin kuptimplotë NDSH (Nacional Demokratike Shqiptare), duke vijuar për 13 ditë me radhë të vitit 1946, duke u dënuar me vdekje katër të parët dhe më 25 nëntor të vitit 1946 toga e zezë e vrastarëve të regjimit sllavo-komunist i privoi nga jeta, pikërisht në qytetin historik të Prizrenit, ku në vitin 1878 ishte bërë “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”. Dy bashkëautorët Ramiz Kelmendi dhe Viktor Gashi, si për të përkujtuar jetën dhe veprën e dëshmorëve të shquar të kombit shqiptar vendosën një qiri drite në përkujtim të figurës së madhe të Marije Shllakut dhe shokëve të idealeve antisllavokomuniste në ish-Jugosllavi. Preludi i kësaj lavdie historike do të shënohet me germa gjaku në librin e artë të historisë së popullit martir të Kosovës dhe nacionalistëve të vërtetë, të cilët me stoicizëm mbrojtën pa iu termbur syri flamurin nacional të Skënderbeut, Dedë Gjo Lulit, Isa Boletinit e shumë të tjerëve në shekullin XX, duke vijuar më pas pas shembullit të tyre edhe Adem Jashari e luftëtarë të tjerë të lirisë që luftuan bishën fashiste serbe e tradhëtarët komunistë shqiptarë që i shërbyen verbërisht regjimit shtypës antishqiptar. Viktor Gashi si bir i denjë i Pejës, duke gërmuar nga kujtesa e historisë, dorëshkrimet, kujtimet e bashkëkohësve dhe të tijat personale, falë edhe kulturës së shëndoshë juridike hodhi në kartën e bardhë përjetësimin e figurës nacionaliste të Marije Shllakut dhe bashkëpunëtorëve të saj të lirisë. Viktori duke e ndjerë vetë peshën e përndjekjeve të komunistëve sllavë, ka prekur në shumë të vërteta historike duke zbardhur dhe ngritur në krenari portretin e Marijes e lënë në harresë për 50 vjet me radhë nga antishqiptarët sllavokomunistë. Ai u largua nga studimet dhe fillon të marrë zanatin tradicional të të afërmve të tij zejtarinë e punimeve të argjendarisë, duke e mbajtur thellë në kujtesë çdo episod historik të luftëtarëve të lirisë që qysh në vitin e parë të pushtuesve serbë mbante shënime e kujtime të njerëzve, shfletonte dokumenta, duke punuar kështu në heshtje të madhe për të dhuruar më së fundi këtë libër dinjitoz dhe me vlera historike e shumë serioz. Tashmë Viktori njihet shumë mirë nga qarqet patriotike në Kosovë dhe diasporë për aktivitetin e tij të dendur në shumë fusha, e prej disa vjetësh është edhe anëtar dhe Kryetar i Shoqatës Mirëbërëse me emrin kuptimplotë të “Nënë Terezës” në qytetin e Pejës. Si një studiues i kujdesshëm është duke punuar për të dhuruar një libër mbi zejtarinë e argjendarisë në Kosovë. E tillë është edhe figura e bashkëautorit tjetër atdhetar e bashkëqytetar nga Kosova kreshnike e Ramiz Kelmendi si një njohës shumë i mirë i jetës dhe veprës së patriotes së flaktë Marije Shllaku me nacionalistë të tjerë.

Marije Shllaku me një histori të dhimbshme por krenare shqiptare

Marie ShllakuSot më shumë se kurrë studiuesit, analistët, historianët, monografët, krijuesit, kanë material dhe dëshmi të gjalla historike, sapo të rreken të gërmojnë mbi jetën dhe veprën e madhe të Marije Shllakut dhe shumë atdhetarëve të tjerë, që dhanë gjënë më të shtrenjtë edhe jetën për të mbrojtur gjuhën e nënës, trojet tona etnike shqiptare, dinjitetin shqiptar, kulturën e hershme të të parëve tanë, krenarinë e të qenurit autoktonë në trojet e stërgjyshërve, antikomunistë të vendosur dhe simbole të shqiponjave që duan të fluturojnë sa më lart të lira, të patrembur nga pushtuesit shekullorë sllavokomunistë serbë, që ndër shekuj kanë kryer masakra kundra bijve më të shquar të popullit martir kosovar.

Por ky emër i kësaj heroine është gdhendur thellë në memorien e popullit të Kosovës, ashtu sikurse kujtohen motrat dhe nënat trime suliote që pranuan të hidheshin nga shkëmbinjtë e thepisur vetëm e vetëm që të mos bijnë në dorë të pushtuesve turq. Ky emër autokton shqiptar kishte zënë rrënjë të thella në zemrën e atyre që e njohën nga afër dhe brezi më i ri që kishin dëgjuar për heroizmat e saj. Ajo krahas fjalës së gjuhës shqipe, doket e zakonet e të parëve të saj, guximin e trimërinë e Hodo Sokolit e Isa Boletinit, në odat e tymosura nga duhani i fortë i burrave të kuvendit mori edhe nektarin e dashurisë së trojeve shqiptare, si pasuri e shtrenjtë dhe e shenjtë për çdo shqiptar, në dimrat e gjatë të maleve në Kosovë, Marije Shllaku tashmë ishte rritur me flamurin nacional në kraharorin e saj duke e bërë të njohur për të gjithë brezat si një luftëtare sypatrembur. Për të mposhtur krenarinë dhe trimërinë e një vajze me të vërtetë kurajoze, pushtuesit dhe tradhëtarët e vendit kanë përdorur forma e metoda nga më të stërholluarat, por gjithnjë dështuan ashtu sikurse dështuan malazezët dhe serbët ndaj Shkurte Galicës. E Marije Shllaku isht enjë Norë e Kelmendit të Prekë Calit, një Shote Galicë e bjeshkëve shqiptare që luftonte krah për krah burrave të shquar të kombit kundra pushtuesve shekullorë serbë dhe komunistëve të regjimit të Beogradit.

Si bashkëatdhetarë e ndjeva si obligim përmes këtij shkrimi simbolik të vë një lule të freskët në fillimshekullin XXI për vajzën kreshnike të të gjithë Kosovës sonë, duke larguar pluhurin e madh të harresës ndaj kësaj kreshnike.

Marije Shllaku u përcoll gjatë bisedave në odat e ngrohta të vatrave shqiptare, u këndua përmes telave të çiftelisë nga rapsodët popullorë, që përjetuan kështu emrin e saj të madh, dashurinë që ruante dhe ruan Kosova dhe Shqipëria (Shkodra, vendlindja e saj) për këtë heroinë të pavdekshme në zemrat e historianëve të ditëve tona. Sado që të shkruhet sot për këtë heroinë, veçse hapet faqja e re e rivlerësimit të merituar ndaj kësaj kreshnike të denjë të nacionalizmit shqiptar.

Në moshë të re emrin e saj e përjetoi lahuta, duke zënë vend në gojën pavdekshme të rapsodëve, historisë gojore për të mbijetuar e freskët edhe në ditët tona. Me emrin e kësaj heroine, që në moshë të re u flijua për të mos u harruar nga brezat shqiptarë, në qytetin e Prizrenit, të asaj shtëpie të vogël dykatëshe që ruan thellë nga shekujt kujtimin e një ngjarje të madhe për popullin shqiptar, “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” ashtu sikurse ishte edhe lidhja për jetë a vdekje që Marije Shllaku bëri së bashku me shokët luftëtarë të idealeve nacionaliste që trevat tona kosovare të liroheshin nga pushtimi i egër serbo-sllavokomunist. Në Prizrenin historik rilindi nacionaliteti ynë, liria, krenaria nacionale, dashuria për gjithçka shqipe e të trashëguar nga ilirët tanë, krenaria e dardanëve bujarë, trima e të zgjuar.

Dhe historia për Marijen flet…

Nga sa kemi mundur të hulumtojmë me kujdes dhe në mënyrë vijuese rreth jetës e veprës heroike të Marije Shllakut, shënojmë se shkrimet e para për këtë vajzë 26 vjeçare u panë në shumë fejtone të gjata deri në 26 pjesë, ku shkroi shefi i UDB-së Gojko Medenica në gazetën e përditshm, pothuajse tërësisht bulevardeske të Beogradit me titull: “Veçernje Novosti” me titull në serbisht “Poraz pod Pastriko” (Disfata në Pashtrik). Për të hequr vëmendjen e popullit dhe të lexuesve të saj autori në fjalë e nisi fejtonin e tij kikometrik më 22 shkurt dhe e mbylli më 19 mars të vitit 1965. Si për të mos mjaftuar me kaq, por menjëherë do të vijnë fejtoni tjetër, por që për nga gjatësia ishte më i shkurtër se i pari dhe ka për autor Gojko Medenica edhe në gazetën shqiptare “Rilindja” për shtatë ditë me radhë nga 20 shkurti deri më 27 shkurt të vitit 1965, me titull: “Nata e Frorit”. Ajo që të bie në sy pasi i lexon dhe rilexon me kujdes çdo rresht e frazë të shkruar në tym, del se autorët denigrues kërkojnë të hedhin baltë mbi figurën e kreshnikes shqiptare Marije Shllaku, ku gjuha e djallëzisë dhe e anatemimit absolut është shumë i theksuar. Sigurisht që autorët janë vetëm zbatuesit e urdhërave të padronëve të tyre serbë, që i paguajnë për të bërë të tilla masakra përmes pendës shpifëse dhe trilluese, duke u nisur nga shprehja turke: “shpif, shpif se diçka do të mbijnë”. Këtu vërejmë dhelpëritë dhe poshtërsitë e OZN-së jugosllave që ishte mobilizuar për ta zënë me të gjitha mjetet një vajzë të re shqiptare, këtë trimëreshë të armatosur, që si sorkalle e shpejtë lëvizte nga një mal në tjetrin, nga një zonë në tjetrën për të bërë ndërgjegjësimin e popullit për t’u ngritur kundër pushtuesve barbarë serbë dhe komunistëve të pafe si në Jugosllavi dhe në Shqipëri. E rafinuar dhe shumë djallëzore ishte bashkëpunimi midis PKJ dhe PKSH, të cilët pasi kishin syrgjynosur popullin shqiptar në Shqipëri me ideologjinë e komunizmit shterpë, kërkonin që edhe në Kosovë të eleminonin çdo përpjekje të vërtetë nacionaliste, që ishte organizuar për t’i dhënë vlera patriotizmi popullit, duke çjerrë masën ideologjisë mashtruese komuniste që gjithnjë e më shumë po bënte kurbanë bij më të mirë të popullit tonë. Kështu atë ditë PKSH (bolshevike) ato ditë ksithe menduar të vepronte në këtë mënyrë duke dërguar në Kosovë për të folur me Marijen njeriun më të dashur të saj që ishte babai i saj Mark Simon Shllakun të ardhur nga qyteti i Shkodrës për t’u takuar. Por shqiponja e maleve kosovare Marije Shllaku duke e kuptuar veprimin djallëzor të komunistëve bolshevikë të Tiranës dhe Beogradit, nuk pranon të heq dorë nga qëllimet e saj fisnike, idealet më të pastra atdhetare e nacionaliste. Për fat të mirë takimi midis vajzës sokoleshë dhe babait të saj përfundoi pa sukses, dhe babai duke e parë se e bija e saj kishte vazhduar atë udhë që i kishte mëkuar ai, u bind se vjaza e tij trime nuk e kishte tradhëtuar, por si një trimëreshë fluturonte e lirë përkrah shqiponjës shqiptare pa yllin komunist të partizanëve. Ai u kthye në Shkodër i gëzuar për vajzën e vet, gëzim të cilin njerëzit ia lexonin në sytë e tij dhe asnjëherë nuk e tradhëtoi të bijën e vet që e donte aq shumë si sytë e ballit. Mark Simon Shllaku u kthye në Shkodër, duke thënë: “Nuk pati mundësi me taku Marijen”. Në të vërtetë, Marku e kishte parë Marijen tek fluturonte si një shqiponjë mali dhe me vështrimin e saj sypatrembur i përcillte mesazhe falenderimi babait të saj, se unë Marija, bija jote e dashur nuk të kam tradhëtuar ndonjëherë dhe përsëri jam ajo e pathyeshmja nga serbët dhe bolshevikët e Tiranës së kuqe. Por diktatura komuniste në Shqipëri, duke e pritur një fund të tillë të turpshëm (sepse komunistët kërkonin të shkatërronin zakonet e moçme shqiptare, ku shqiptari të presë në besë shqiptarin, për më tepër kur është baba e bijë, shënimi im T. Mrijaj) fillojnë menjëherë kalvarin e tmerrshëm të persekutimit të familjes Shllaku. Si bir i Shkodrës martire, që mbijetoi kalvarin e egër komunist gjatë 50 vjetëve familja Shllaku u detyrua të provonte të gjitha llojet e masakrimeve dhe presioneve psikologjike, fizike, ekonomike, internimet, për “fajin” e vetëm se Marija donte Shqipërinë dhe Kosovën të bashkuar pa sllavokomunistë në Kosovë e Shqipëri. Për të shpëtuar sa të jetë e mundur nga ajo që ka mbetur nga familja Shllaku (kujtojmë se mbiemri i familjes vjen nga emri i një zone me tradita patriotike, zakonesh, besimi dhe trimërie, ku ka lindur shkrimtari i madh prof. Martin Camaj, një antikomunist i vendosur) ndryshojnë mbiemrin nga Shllaku në Vercaku, mbasi diktatori Enver Hoxha kishte vendosur që t’i zhdukte të gjithë si familje.

Por vitet, do të kalojnë duke marrë me vete dhe shumë episode nga jeta dhe aktiviteti patriotik i Marije Shllakut. Ardhja e demokracisë në Shqipëri pas rrëzimit të murit të madh të hekurt që kishte mbërthyer Shqipërinë me Kosovën kishte filluar të binte. Njerëzit nisën të lëviznin me lehtësi nga një zonë në tjetrën për të takuar të afërmit e tyre, miqtë e vjetër, duke depërtuar në këtë mënyrë edhe episodet e historisë së dhimbshme të Marije Shllakut. Filluan të zgjohen kujtimet dhe historia të thotë fjalën e vet me vërtetësi, dokumente, dorëshkrime, fac-simile, fotografi që botohen për herë të parë, dëshmi rrënqethëse, qysh nga koha e izolimit të vendit të shqiponjave nga politika e Beogradit dhe Tiranës së kuqe zyrtare. Pluhuri i harresës filloi të largohet nga rrezet e diellit, të cilat kërkonin të depërtonin sa më thellë në labirinthet e vërtetësisë, duke zhdavaritur deformimet dhe zhgaravinat e historiografisë komuniste në Kosovë dhe në Shqipëri…

4 Martirët e Shqipnisë etnikeKështu më 28 shtator të vitit 1995 u botua libri i parë “Shqipëria e Marije Shllakut – katër martirët shkodranë”, me autor Ramiz Kelmendin dhe Viktor Gashi. Në ballinën e librit të bie në sy në pikturë e realizuar në akuarel e ruajtur me shumë kujdes për vite me radhë nga piktori i njohur Engjëll Berisha, me emrin Nora e që ishte vetë Marije Shllaku. Ky është ruajtur në fshehtësi nga piktori në mënyrë që të mos bie asnjëherë në dorë të agjentëve të policisë serbe, duke e ruajtur thellë në zemër dhe kujtesë këtë heroinë shqiptare. Libri në fjalë është një homazh respekti dhe nderimi të veçantë për patrioten Marije Shllaku dhe katër martirët e tjerë shkodranë, i shkruar me përkushtim nga të dy bashkëvuajtësit dhe bashkëgjykuarit në gjyqin. Kur e lexon këtë libër shumë prekës menjëherë rifutesh në këto ngjarje që të rrënqethin nga vetë mënyra se si autorët i kanë sjellë të freskëta sot për lexuesit mbarëshqiptar, të gjithë të “harruarit e paharrueshëm” që dhanë jetën në altarin e Atdheut.

Në shumë shkrime e kujtime të atyre që Marijen e njohën nga afër bashkëpunuan dhe luftuan për të njëjtat ideale të zjarrta të atdhedashurisë, sheh nga afër ato skena që asokohe ishin të kobshme për të gjithë të akuzuarit në bankën e dënimit, gjyq e cila ishte tërësisht e montuar për të eleminuar elementët nacionalistë. Mbi të gjitha heroina kryesore e librit, shquhet për qëndresën e saj të vendosur, ndonëse në moshë të re dha shumë përgjigje sikur të ishte një juriste e vërtetë, duke mbrojtur idealet e saja dhe të popullit të cilin e donte dhe për të cilin ishte e gatshme të flijonte gjithçka edhe të shtrenjtën për njeriun që është jeta. UDB-ja gjithnjë e më tepër inatosej kur Marija pa iu trembur syri hidhte poshtë çdo shpifje e trillim të gatuar nga kuzhina e Beogradit, duke mohuar çdo gjë që kishte shkruar e thënë më përpara nga presioni i torturave dhe në hetuesinë e egër të organizuar kundër një vajze trimëreshë, që me koshiencë e dinte se e priste vdekja e sigurtë.

Shkrimi fillon me autorin dhe profesorin shumë të nderuar Shefqet Kelmendin dhe që sot jeton në qytetin e Shkodrës, ku lindi dhe u edukua qysh në djep Marija e vogël. Shefqetin të gjithë e njohin në Shkodër, sikurse të birin e tij shkrimtarin e talentuar (fituesin e “Pendës së Argjendë” për librat e tij) Shpëtim Kelmendin. Si familje ata kaluan maltrajtime, duke i syrgjynosur në internime në Lushnje për arsye të bindjeve të tyre antikomuniste. E Shefqeti ka qenë bashkë me Marijen në burgun e egër sllavokomunist. Ai i qetë përshkon sot rrugët e Shkodrës dhe i gëzuar që emrin dhe vepra atdhetare e patriotes së flaktë Marije Shllaku filloi të zbardhet në ardhë të parë nga vetë bashkëvuajtësit në Kosovë e Shqipëri. Shefqeti vargjet e tij plot nota dhembshurie dhe respekti për motrën e idealeve antikomuniste dhe antiserbe Marijen i shkroi në burgun e Zejmenit, në Lezhë, në vitin 1986. Edhe në atë gjendje vuajtjeje dhe privacioni të lirisë, Shefqetit i bie ndër mend të kujtojë historinë e viteve të rinisë, e mbushur me luftë dhe ideale të pastra atdhedashurie dhe demokracie të vërtetë pa hienat komuniste që po bënin që shqiptarët të vuanin të rrethuar me tela me gjemba në këtë burg gjigand të shtetit të diktaturës së Enver Hoxhës.

Me të drejtë autori Kelmendi i ka vënë titullin poezisë së tij “Motrës” Marije Shllakut, ku ndër të tjera vargëzon: “Pranë një qyteti është një varr pa varr është një vajzë e re që prehet në qetësi, e varrin e saj askush sot s’e di… Nuk ia thau rininë dashuria e vrarë. Nuk ia shkimi dritën ndonjë e papritur. Hëna pesëmbëdhjetëshe e harroi vetveten. Theu pasqyrën e nusërisë. I dogji edhe studimet, se një zë nga brenda i thirri: “Bija ime, rininë tënde falma mua. Digje zemrën për mijëra zemra, që gufojnë sot anekënd!”.

Dhe shkodrania doli në ballë me flamurin e Skënderit.

Autori, i shqetësuar për fatin e zi të popullit të tij, pas ripushtimit të trojeve shqiptare nga ideologjia komuniste e krahason këtë errësirë me re të zeza dhe vendin se po e mbulon ky tym i zi, që do të sillte për shumë dekada veçse vdekje, maririzime, keqtrajtime, burgime, litar, gjyqe farse, pushkatime, dhunime, djegie shtëpie e pasurie. E për çfarë nuk do të shquhet toka e martirëve gjatë kësaj kohe që ndoshta edhe shekujt e ardhshëm nuk kanë për të mundur për të zbardhur krimet dhe malin e madh të të vrarëve atdhetarë dhe nacionalistat e vërtetë shqiptarë. Tema Shefqetit, është sokolesha Marije Shllaku. Ai ndër të tjera në vargjet e mëposhtme do të shkruajë me kujdes edhe këto vargje historike: “Sokolesha s’iku natën në dhé të huaj për të shpëtuar lëkurën.

Mali u bë çerdhe. Toka ujë i dha të pijë.

Po një ditë me mjegull shumë, pesëthepat të gjallë e zunë…

– Ti armike e popullit, – i thanë në një sallë, – fol për fajet e tua!

– Për tokat e të parëve luftova sa munda. Krevca veç detyrën.

– Po ti, a e di se për këto krime plumbi ty të pret?

– Nuk më trembet syri. Unë ia fala jetën Kosovës martire. Ndaj jam krenare, se mbi varrin tim lule do të sjellin të rinjtë e kësaj toke.”

Shefqeti duke qenë bir i Kosovës martire, e ndien se Kosova dhe vetë Prizreni do t’i jenë mirënjohës për gjithçka që ajo bëri për këto troje të larë me gjak trimash e trimëreshash. Ky mesazh nderimi dhe respekti i përhershëm si mirënjohje lexohet thekshëm edhe në vargëzimin e mëposhtëm të autorit Kelmendi, ku ndër të tjera vargëzon kështu: “- Kjo ka pak rëndësi. Emrin tim, zotëri, ju s’e zhdukni dot” e salla pikoi lot…

Brinjët ty t’i thyen, po nuk ta thyen zemrën…

Buzët t’i shkruamuan, po s’ta mbyllën gojën…

Sytë t’i shterruan, po në dritë u shndërruan…

Verë e vitit dyzetegjashtë…

Sot Prizreni në gji të vet.

Me xhelozi ruan një sekret.

Borxhlinj të jemi, motra jonë,

O Marije, o shqiponjë!”

Ndoshta në numrin e ardhshëm për bashkëqytetarët shkodranë dhe në veçanti për brezin më të ri do të sjellim fakte, dëshmi dhe heroizmin e kësaj shqiponje kreshnike, për të cilën komunistët shqiptarë dhe serbë hodhën baltë. Këtu në Amerikë dhe në Kosovë Marije Shllaku nderohet dhe respektohet me nderime të veçanta për tërë kontributin e madh të saj, për trimërinë dhe atdhedashurinë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *