HISTORIA

DY PUSHTUES MIZORË U RIKTHYEN NË TROJET SHQIPARE

Nga, Prof. Dr. Ramiz Abdyli

Stefan Dushani e gjyshi i tij Milutini, u rishfaqën në sheshin e Shkupit (2013) dhe të Graçanicës (2015), që t’ua përkujtojnë shqiptarëve se pushtimi serb në trojet e tyre është i amshueshëm. Këta sundues, të neveritshëm,e mizorë e të pashembullt,sikurse edhe pjesëtarë e tjerë të dinastisë Nemanjide pushtuan trojet shqiptare me “hekur e zjarr”, duke mbjell tmerr, lemeri e vuajtje të pafund. Milutini e Dushani ishin të pashembullt,midis tjerash ,sepse nuk kursyen mjete për t’i kthyer shqiptaret në fenë ortodokse serbe, pa dallim nëse këta ishin katolikë apo ortodoks. Ndërkaq “nemanjidët pushtuan tokat e huaja me krime dhe morën jo vetëm tituj, por edhe areola të shenjtorëve” (Radoslav Rotkovic). Mendësia e ushtrimit të dhunës e të terrorit vazhdoi edhe në Kohën e Re,nga pasardhësit e kësaj dinastie,e që kulmoi me S.Millosheviqin, me slloganin e tij të njohur “Serbia është deri atje ku është edhe një serb i vetëm”. Pasuesit e mendësisë së tij janë ideator të këtyre monumenteve. Ngjashëm me të foli edhe pasuesi i mendësisë së S.Milosheviq,A.Vuçiç,Kryeministër i Serbisë kohë më parë në Graçanicë, kur u promovua monumenti i Milutinit.

1. Cilët ishin Nemanjidët

Nemanjidët janë përfaqësues të dinastisë mesjetare serbe,e cila sundoi rreth 200 vjet (1168-1371).Fillimisht sundimi i përfaqësuesve të saj shtrihej në trevat historike të Rashës, në pjesën veriore te Sanxhakut, të Serbisë jugperëndimore dhe në Bosnjën Juglindore, e u quajt zyrtarisht mbretëri e Rashës. Rrjedhimisht ajo shtrihej në tokën e dardanëve e autariatëve ilirë. Themelues i kësaj dinastie ishte St.Nemanja (sundoi 1166-96), prej nga kjo dinasti mori emrin Nemanjide. Nga Nemanja deri tek Milutini II,sunduesit mesjetarë serb depërtuan herë pas herë në Kosovë,rrënuan e plaçkitën e u tërhoqën në Rashë,në djepin e kësaj mbretërie. Më pas përfaqësuesit e kësaj dinastie sunduan mbi njëqind vjet në Kosove dhe në trevat tjera shqiptare.

Pjesëtarët e dinastisë Nemanjide u shquan në tre rafshe:për pushtimin e tokave të huaja,për luftën e pashembullt për pushtet dhe për shfarosjen e shqiptarëve. Këto tri tipare dalluese të tyre u ndoqën si parim themelor, që nga themeluesi i dinastisë St.Nemanja deri tek St.Dushani. I pari, St.Nemanja luftoi pamëshirshëm për fron me vëllezërit: Tihomirin, Stracimirin dhe Miroslavin. Tihomiri ia doli ta mund Nemanjën e prangosi me zinxhirë këmbë e duar dhe hodhi në shpellë të gurtë në Rashkë. Por, Nemanja, më pas doli nga shpella mori fronin dhe i dëboi tre vëllezërit jashtë vendit, që kështu të ishte sundues i vetëm.

Nemanja u shqua edhe për pushtimet e rrënimet gjithandej në trojet shqiptare. Shfrytëzoi luftën civile në Perandorin Bizantine dhe,në aleancë me venedikasit e hungarezët ia doli t’i shkretojë e t’i rrafshojë për tokë disa qytete si: Nishin, Vrajën, Shkupin, Prizrenin, Pollogun, Gradecin. Më pas iu kthye tokave veriperëndimore shqiptare, si: Shkodrës, Danjit, Svaçit, Ulqinit, Tivarit si dhe Zetës. Këto “bëma” të St.Nemanjës i dëshmon vetë djali i tij Rastko (më pas Sava) në shkrimet e tij (Shin: Hiladanske povelje në: Stara srpska knjizevnost, Novi Sad-Beograd, 1966, 52-53,60-61). Dhe, për këto “merita” Nemanja u shpall pas vdekjes shenjtor me emrin e shenjt Sveti Simeon.

Djemtë Nemmanjës, Vukani dhe Stefani vijuan traditën e atit e të xhaxhallarëve-luftën për pushtet. Lufta midis tyre mori dimension të luftës së përgjakshme civile. Shkrimtari serb i asaj kohe Teodos Hilndari, ndonëse paguhej që të hyjnizonte sunduesit serb, megjithatë e tha se “(…) Stefani erdhi në pushtet me gjakderdhje të mëdha, kur vendin e kaploi edhe uria (…)”. Lufta përfundoi kur pushtetin e mori Stefani, i cili u kurorëzua mbret (i kurorëzuar i parë,1217). Edhe Stefani pas vdekjes, përkundër vëllavrasjes u shpall i shenjtë.

Lufta për pushtet, dhuna mbi shqiptarët, e shpallja e shenjtorëve vazhdoi më tej deri tek Lazari (1329-1389), vasal hungarez (u quajt edhe perandor), i cili bashkë me mbretin hungarez, Ludvikun e Madh, pushtuan dhe ndan tokat e sunduesit serb të Bosnjës N.Altomanoviqit.Por ra trimërisht në betejën e Kosovës(1389).Më pas pasuesit e dinastisë Nemanjide u ktheyn na vasalë osmanë.

2. Si ndodhi që Dushani të përjetësohet në Shkup e Milutini në Graçanicë

1. Në dhjetor 2013 u shfaq shtatorja e Stefan Dushanit në sheshin e Shkupit, në qytetin që dikur ky ishte vetëshpallur perandor i serbëve, grekëve, bullgarëve, madje për ironinë e gjërave edhe perandor i shqiptarëve (1346). Ky sundues në fakt për shqiptarët përbën njërin nga pushtuesit më mizorë, vrastarin më të urryer, sepse vrau shqiptarët që nuk pranuan të konvertoheshin në fenë ortodokse serbe. Dhe, për këto merita u rishfaq tashti si fantazmë para opinionit shqiptar të Shkupit e më gjerë. Mirëpo, në dallim nga koha kur u vetë kurorëzua në Shkup me plot pompozitet (1346), tashti hyri tinëzisht, natën, pa zhurmë e pa bujë. Sigurisht se kjo u bë nga frika se do të kontestohej nga shqiptarët.

2. Milutini, në dallim nga nipi i tij, St.Dushani, u rishfaq në tokën arbërore në pikë të ditës, me bujë e me bekimin e Kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç, të cilit, në çastet e përurimit të këtij monumenti,nuk mundi t’i përmbajë lotët e tha se tashti “nuk janë të nevojshme klithmat” (luftarake),se“më 1321 vdiq mbreti Miliutin,shekuj më vonë duhet të shohim çfarë kemi bërë(ne) e çfarë duhet të bëjëmë”. “se tashti” (në dallim nga Milutini) “Serbisë i duhet politikë e mençur, politikë e paqes, e cila do të sjell rezultate”, megjithatë i tha para masës së tubuar se Serbia nuk do të pushonte së vepruari “me mend e vendosmëri, si asnjëherë më parë” (“Blic”, 06.03.2015).

Zyrtarët shqiptarë në Maqedoni e në Kosovë nuk ngritën zërin, të paktën për të kundërshtuar ngritjen e këtyre shtatoreve. Ngritja e këtyre monumenteve të dy pushtuesve mizore serb u kundërshtua nga rinia shqiptare në Shkup e në Kosovë. Në Shkup pati përpjekje për rrënimin e monumentit të sunduesit mizor, Dushanit ndërsa disa të rijnë të Kosovës i dolën eskortës së Vuçiqit me flamuj kombëtarë shqiptarë, për t’ia përkujtuar atij se kjo tokë është shqiptare dhe jo e Serbisë.

3. Cili ishte Milutini i Shenjtë

Milutini II(Stefan Urosh II Milutin Nemaniç, sundoi 1282-1321) ishte djalë i Milutinit I, vëlla i Dragutinit (ky ishte”mbreti i Sremit”) dhe baba i Stevan Uroshit III (i mbiquajtur Deçanski).Milutini zgjeroi kufijtë e shtetit të Rashës në jug, duke pushtuar edhe Shqipërinë e Veriut, Pollogun e treva të tjera shqiptare;nuk zgjodhi mjete për pushtimin e tyre. Ndërkaq,për të shpëtuar kokën nga tatarët ua fali këtyre luftëtarëve të tmerrshëm djalin,Sfenain ,i cili me pas ia doli të arratisej e të kthehej në Rashë. Edhe Milutini ushtroi dhunë mbi shqiptarët, i persekutoi pamëshirshëm, sidomos katolikët (shqiptarë) për t’i kthyer në fenë ortodokse serbe. Milutini ngriti manastirin e Graçanicës, në vendbanimin, në të cilin deri atëherë nuk kishte asnjë serb të vetëm.

Milutini ishte i vrazhdë edhe ndaj djalit të tij Stefanit, të cilit ia nxori njërin sy,pse u rrebelua kundër tij,për t’ia marrë pushtetin; luftoi edhe me vëllaun, Dragutinin dhe kjo mori karakter të luftës qytetare (1301—1312).Nuk ia doli të konsolidojë pushtetin për shkak të “përbërjes heterogjene të shtetit të tij”. Rrjedhimisht, kjo ishte si rrjedhojë e kundërshtimit të fisnikërisë “shqiptare dhe të Zetës”,që i bënë pushtimeve të tij(St.Stanojevic).
Milutini kishte pesë gra, përfshi edhe Simonidën, të cilën e mori kur kishte vetëm 5 vjet (1299); zboi njërën nga gratë e tij, e veshur vetëm në këmishë e zbathur, e cila shkoi kështu deri në Konstantinopjë. Dhe, për këto “merita” u shpall Mbret i Shenjtë. Pas vdekjes së tij pasoi lufta e përgjakshme për pushtet midis djemve të tij, nga e cila doli fitues Stefani, dhe ky për këto “merita” u shpall i shenjtë. Për merita të ngjashme u shpallën të shenjtë edhe shtatë serbë të tjerë nga dinastia e Nemanjidëve. Dhe kjo dinasti shërbeu si bazë e mitit të Kosovës, i cili ka burimin tek predikimet kishtare, që “janë legjenda të huazuara nga mitologjia e lashtë hinduse” (Ilarrion Ruvarac).Miti i Kosovës rezultoi si i tillë në fund të shek. XIX,si pjesë e strategjisë hegjemoniste të Mbretërisë serbe për t’u zgjeruar drejt tokave që ishin nën sundimin osman.Sipas kësaj mitologjie shqiptarët fajësohen për disfatën në Fushë Kosovë(1389), ndonëse edhe ata morën pjesë në këtë betejë bashke me udhëheqësit e tyre dhe luftuan trimërisht.

4. Cili ishte në fakt Dushan “i fuqishmi”

Stefan Dushani (Stefan Urosh IV, sundoi 1308-1355) ishte djalë i Stefan Uorshit III,i njohur edhe si Stefan Denaçski,pasi vuri themelet e manastirit të Dençanit,duke uzurpuar qindra hektarë të fshatarëve shqiptarë për rreth. Si rrjedhojë e luftës gjithnjë për pushtet në dinastinë e Nemanjidëve,St. Dushani që në rini me urdhër të gjyshit Milutin II qe i detyruar të kalonte në internim, bashkë me të atin (1314-20) në kryeqytetin e Perandorisë Bizantine, në Konstantiopojë. Pas vdekjes së Milutinit (1321) shpërtheu sërish lufta për pushtet midis Uroshit III (Srefanit) dhe vëllait të tij, Konstantinit, mbret i Zetës. Kjo ishte për fajin e Milutinit (që ishte rrjedhojë e martesave të shumta,). Konstantini u vra nga xhaxhai i tij dhe shpalli Dushanin “mbret i ri” ( 1322), të cilin e emëroi qeveritar të Zetës (Duklës, sipas Diokleas). Por krahina e vogël e Zetës nuk përmbushte aspirtëtn e tij të madhe. Ai e donte gjithë territorin e mbretërisë, dhe jo vetëm kaq. Dhe, pas fitores së ushtrisë serbe mbi Bullgarët në betejën e Velbuzhdit (sot Qystendil në Bullgari, 1330), kur perandorit të zënë rob, Mihjalo Shishman III,ia preu kokën me një të rënë shpate (krah: Dusanov Zakonik, Grigor cambak). Aty duket se mori forcë për t’u rebeluar kundër të atit.Lufta midis birit e babës për fron, u kthye në luftë civile (1331). Pas disa përleshjeve ushtria e Dushanit fitoi mbi ushtrinë e të atit, të cilin e arrestoi, e më pas urdhëroi të ekzekutohej mizorisht në shtrat “Iu zu fryma me jastëk” (Niqifor Gregora). Ky mbret i verbuar nga i ati e i ekzekutuar nga i biri, u shpall i shenjet. Nderkaq, Dushani me këto dy trimëri pasi u vu ne fronin e Rashes (1331-1355), mori nofken “silni”.(i fuqishmi). Dushani u martua me një vajze të dajave të tij, princeshën Elenë (bullgare). Kjo mbase për të pas të sigurt prapashpinën nga sulmet e mundshme nga lindja (bullgarët), e për të jetësuar pushtimet në jug: tokat e Perandorisë Bizantine, që kështu të bëhej perandor i saj. Dushani sulmin drejt territoreve të kësaj perandorie për një kohë e anuloi, sepse i dolën telashe nga shqiptarët e veriut.Për nënshtrimin e plotë të Shqipërisë atij iu “deshën disa ekspedita të mëdha ushtarake dhe mezi ia doli ta shtrojë atë pas 17 vjet sundimi” (Johan Kantakuzen).

Përpjekjet për pushtimin e tokave Perandorisë Bizantine Dushani i filloi më 1334 dhe ato zgjatën po thuaj deri në fund të sundimit të tij. Këto pushtime i filloi pasi ia doli të sigurojë një fond parash (perperë) nga Raguza (Dubrovniku), me të cilat bëri për vete gjeneralin e shquar bizantin dhe sunduesin e Selanikut, Sirgian Paleologun. Ushtria serbe nën udhëheqjen e këtij gjenerali ia doli të depërtojë drejt jugut dhe të shtijë në dorë pa ndonjë vështirësi kështjellat e Ohrit, Prilepit, Kosturit, Strumicës, Manastirit e të Vodenës. Pasi kreu punën Dushani urdhëroi të vritej ky ushtarak fatkeq.

Dushani në përpjekjet e mëtejme për zgjerim territoresh pësoi disfatë nga ushtria bizantine e Andronikut III Paleolog (sundoi 1328-41),e u detyrua të heq dorë nga një pjesë e tokave të pushtuara, e u detyrua të lidhë paqe me të.Pushtimin e tokave të mëtejme në dëm të Perandorisë Bizantine ia doli ta arrijë në saje të luftës civile në atë perandori(1341-1349), si dhe sulmeve të ushtrisë osmane kundër kësaj perandorie nga Azia e Vogël dhe, jo me forcën e armëve të një ushtaraku, siç pretendohet.

Dushani në luftë me hungarezët pësoi një disfatë e shënoi një fitore ; luftoi pa sukses kundër Kotromaniqit II të Bosnjës (sundoi 1322-1353, të cilin historiografia serbe i nxjerr me origjinë serbe). Dhe, ai falë rrethanave të përmendura më sipër, e në mbështetje edhe te ushtrisë mercenare të krishterë, përfshi edhe ushtarët osmanë, ia doli të krijojë një mbretëri të madhe, e cila shtrihej nga Beogradi deri në Selanik e Korint të Greqisë.

5. Perandor i vetëshpallur

St.Dushani, përkundër pushtimeve të mëdha, dështoi me aspiratën për të marrë titullin e ëndërruar të perandorit, që kështu të zinte vendin e perandorit të Perandorisë Bizantine (Perandorisë Lindore Romake). Kjo për faktinse për të marrë këtë titull, nuk gjeti miratimin dhe bekimin e papatit, e as të Patrikanës së Konstantinopojës, dy institucione këto të ligjshme të kohës për të dhënë këtë titull. Fillimisht titullin e kërkoi nga papa, Klementi VI (Pierre Roger, qeverisi, 1342-52).Ai e refuzoi kërfkesën e tij ,me arsyetimin se kishte luftuar sunduesin katolik të Bosnjës ( St.Kotromanjiqin II). Më pas u përpoq ta bëjë këtë me bekimin e patrikut të Konstantinopojës, Johanit XV (1334-47). Por edhe ai e refuzoi.Megjithatë, ai Dishani doli mbanë në një mënyrë të pashembullt deri atëherë: u vetshpall perandor.Titullin ia dha patriku serb Joanakije, logoteti (kancelar) i tij i deridjeshëm.Atë më parë Dushini e vuri në postin e patrikut,në selinë e transferuar nga Zhica në Pejë (1446-63)..Dhe përfundimisht u shpall perandor me bujë të madhe në kalanë e Shkupit. Por titullin që e mori nga kancelari i tij mbeti i kontestuar nga Papati dhe Patrikana e Konstantinopojës.

6. Dhuna e paparë mbi shqiptarët

Mbreti serb i Rashës, që ia doli të pushtojë toka të huaja, më shumë se asnjë pushtues serb mesjetar, në politikën e tij brendshme kishte objektiv kryesor shfarosjen dhe asimilimin shqiptarëve , që do të rezultonte në kthimin e tokave të tyre në toka etnike serbe. Në këtë plan ai u shqua sidomos me projektin e konvertimit të dhunshëm të shqiptarëve, për t’i detyruar ata të kalonin nga feja e krishterë (katolike apo ortodokse) në fenë e “vërtetë”, që do të thoshte në fenë ortodokse serbe. Kjo dhunë e pazakontë dëshmohet edhe me disa nene të kodit të tij. Kjo vepër e shëmtuar e St.Dushanit ishte e panjohur deri atëherë në historinë e krishterimit në Ballkan e më gjerë. Për këtë krim njerëzor flasin qartë nenet 6,7,8,9,10 të Kodit të tij. Kështu p.sh. Neni 6 i këtij kodi përcaktonte në mënyrë të prerë “ndëshkimin e herezisë latine”( shqiptare), që autoritetet kishtare serbe do t’i kthenin këta besimtarë( shqiptarë )në besimin e vërtetë (ortodoks serb). Në vijim të këtij neni thuhet: “nëse një heretik (jo besimtarë dhe gjysmëbesimtarë, shqiptarë) nuk pranon të konvertohet në fenë e “vërtetë” (ortodokse serbe), ai “do të dënohet me vdekje”. Po në këtë nen i jepej e drejta perandorit Dushan që të “asgjësojë gjithë herezinë nga shteti i tij, e pasuria e atyre që e kundërshtojnë konvertimin do të konfiskohet; do të ndëshkohen pamëshirshëm priftërinjtë heretikë” (katolikë shqiptarë, gjysmëbesimtarë , ortododoks shqiptarë ),të cilët si ndëshkim do të “punojnë në miniera ose do të dëbohen nga vendi, ndërsa kishat heretike” (katolike e ortodoks shqiptare ) “do të shenjtërohen nga priftërinjtë serbë”. Neni 7 përcaktonte se në “krye të kishave të mëdha të jobesmitsarëve dhe gjysmëbesimtarëve (katolike dhe ortodokse) do të vihen kryepriftërinj serbë, që kanë detyrë t’i konvertojnë latinët (shqiptarët), kudo në qytete e në fshatra”. Në nenin 8 thuhej: “nëse do të zbulohet ndonjë prift latin (shqiptarë) “që do të përpiqet të konvertojë një të krishterë të vërtetë në besimin latin (katolik shqiptarë ), “ai do të dënohet me vdekje”.Neni 9 përcaktonte se “po të zbulohet një gjysmë besimtar (ortodoks shqiptarë), që është martuar fshehurazi më një grua të krishterë (pravosllave serbe ), ai do të pagëzohet sipas mënyrës së vetme të krishterë”(ortodokse serbe ); dhe, “në rast se ky nuk do të pranon të pagëzohet, ai privohet nga gruaja, nga fëmijët dhe nga shtëpia e tij”. Në nenin 10 thuhet: “nëse do të zbulohet një heretik (shqiptarë), “që jeton midis të krishterëve të vërtetë (ortodoksve serbë), ai do të njolloset me hekur të skuqur në fytyrë e do të dëbohet”. Po ky ndëshkim e priste edhe atë(serb) që do të kishte guximin të “fshihte një heretik (shqiptarë) në shtëpinë e tij”.
Nenet e mësipërme të Kodit të St. Dushanit, që u hartuan dhe u praktikuan kundër besimtarëve shqiptarë, për t’i kthyer ata në fenë e “vërtetë”, ishin lemeritëse dhe nuk duan koment. Del sheshit se prapavija politike e shtetit mesjetar serb të Stefan Dushanit, e cila dirigjohej nga kisha ortodokse serbe, synonte që me “hekur e zjarr” të luftohej kundër shqiptarëve, për të ndryshuar rrënjësisht përbërjen e strukturës etnike të tokave të tyre të pushtuara.

Le të shtojmë me këtë rast se popullata e cilësuar si “latine”, e cila shtrihej në harkun gjeografik nga Tivari Shkodra-Vranina, Shkupi, Kratova, Tetova, Prizreni, Mitrovica etj, ishte me shumicë shqiptare. Për gjendjen e rëndë e të padurueshme të shqiptarëve, nën sundimin e St. Dushanit, flet relacioni i kryepeshkopit francez të Tivarit, Gulielm Adae (1332), që ia dërgoi mbretit francez, Filipit V (sundoi 1328-1350). Në relacion murgu francez e informonte mbretin e tij për gjendjen e rëndë të kishës katolike dhe të shqiptarëve në Shqipërinë e Veriut nën pushtimin serb dhe kërkonte organizimin e një ekspedite ushtarake për “pushtimin e Mbretërisë serbe të Rashës”, sepse “shqiptarët, shpeshherë prangosen, fisnikët shpronësohen dhe mbahen rob , (…) klerikët poshtërohen e persekutohen (…)”etj. G.Adae e siguronte mbretin se sapo të dukeshin forcat franceze në tokat shqiptare, “(…) ky popull mund të nxjerrë 15.000 kalorës, burra të shëndetshëm, trima e luftëtarë të mirë, të aftë për çdo betejë”. Kardinali Guida da Padova në një letër që ia drejtonte mbretit të Hungarisë (1450), e vinte atë në dijeni për gjendjen e rëndë të katolikëve shqiptarë nga Mbretëria e Rashës, për t’i detyruar ata të kalonin në ritin ortodoks serb dhe të pagëzoheshin në kundërshtim me rregullat e kishës (contra roman eclesiae baptizari).Kjo përbënte një dhunë ta paparë ndaj njerëzimit. Ripagëzimin e katolikëve e “gjysmë besimtarëve” në Mbretërinë serbe e pohon edhe vet St. Dushani në një letër që ia dërgonte papës Inoçenti VI (1352 -1362. ). Miss Edith Durham, duke folur për Kodin e Dushanit, pohon “ (…) të krishterët latinë (…), duket se kanë qenë kryesisht shqiptarë, persekutimi nuk është thjesht fetar, por kombëtar dhe fakti që nevojitej një legjislacion i posaçëm kundër latinëve, si dhe udhëzimet e qarta se si duhej vepruar në kishat e tyre, tregon se edhe në kohën e lulëzimit më të madh serb kishte një numër të madh jo serbësh që duheshin konsideruar si rrezik për ta”.

Shqiptarëve gjatë sundimit të Dushanit, po edhe pararendësve të tij, u merrej toka, pyjet, kullosat e u dhurohej manastireve e kishave serbe si dhe fisnikëve serbë.Kjo synohej që të ishte në funksion të përhapjes se fesë ortodokse serbe dhe të asimilimit të shqiptarëve. Është për t’u vënë në dukje fakti se shqiptarët në shtetin e St.Dushanit ishin kthyer në skllevër (otrokë), si dhe pjesëtarët e tjerë të popullsive joserbe. Sipas dispozitave të kodit të tij mbi këtë shtresë të madhe skllevërish mund të veprohej sipas vullnetit të zotit të tyre-fisnikut (gospodarit) serb.

7. A mund t’i bëjë ballë krahasimi midis sundimit St.Dushanit dhe Vilhelm pushtuesit

Ka ndonjë historian që ka nxjerrë përfundime për ngjashmëritë midis pushtimit të Vilhem pushtuesit të Normandisë (jashtëmartesori, sundoi 1066—1087) me pushtimin e St.Dushanit. Sigurisht se ka ngjashmëri midis tyre, sepse që të dy pushtuan vende të huaja, ishin sundues mizorë, e ushtruan dhunë të paparë mbi popujt e pushtuar. Megjithatë, midis mënyrës së sundimit të tyre ka dallime të dukshme. Vilhem pushtuesi, përkundër dhunës që ushtroi mbi anglo-saksonët në Britani, adoptoi në legjislacion e tij institucionet anglo-saksone, u përpoq ta mësojë anglishten, që kjo të shërbente si një shembull për fisnikërinë e tij normane, hoqi skllavërinë dhe vazhdoi t’i zhvillojë marrëdhëniet ekonomike e sociale. Dushani, ndërkaq, mësoi një gjuhë të një populli që e pushtoi-greqishten, dhe e përdori atë edhe si gjuhë zyrtare, por këtë nuk e bëri për hir të respektimit të grekëve, por me prapavijë politike: synonte të bëhej perandor bizantin. Ndërkaq, ky sundues shpërfilli gjuhën dhe traditën shqiptarëve dhe, siç u vërejt më sipër, konvertoi ata me dhunë në fenë ortodokse serbe, shpronësoi ata dhe pronat e tyre ua kaloi manastireve e kishave etj. Pra, St.Dushani, mbetet i pashembullt në kujtesën historike të shqiptarëve.

8. Vdekja e Dushanit dhe shpartallimi i perandorisë

Dushani vdiq papritmas, në mënyrë të mistershme (1355), siç thuhet në ndonjë dokument të kohës. Vdekja e tij, sipas legjendës serbe,ndodhi si rrjedhojë e mallkimit të babës së tij: “Kur shkuan njerëzit e Dushanit ta vrisnin të atin, ai mallkoi djalin dhe pasardhësit e tij”. Ky mallkim, sipas legjendës, shkaktoi disfatën e ushtrisë serbe në Fushë Kosovë (1389). Dushanin, sipas ndonjë studiuesi, para vdekjes e kishte shtrënguar ankthi i ndërgjegjes për vrasjen e të atit dhe heqjen e kokës së perandorit bullgar,Shishman. Ndërkaq, perandoria e tij u shpërbë po me atë shpejtësi, sikurse u ngrit.

St. Dushani nuk u përpoq të bëhej digë e pushtimit osman, që rrezikonte Ballkanin dhe Evropën, por u dha pas pushtimit të tokave të huaja, intrigave për të marrë fronin e Perandorisë Bizantine, që ishte në shpërbërje e sipër, në vend që t’i mbështeste popujt e Ballkanit e t’i organizonte në luftë kundër këtij rreziku. Pretendimet e tij karrieriste për të pushtuar vende jashtë shtetit të Rashës, “jashtë djepit të saj”, historiani K.Jireçek i ka vlerësuar si “një përpjekje megalomane”.
Ndonëse Dushani vlerësohet nga historiografia serbe sunduesi më i madh serb, në kujtesën historike të shqiptarëve ai do të mbetët gjithnjë një sundues vrastar e mizor. Prandaj monumenti i tij në Shkup është i papranueshëm, sepse emri i tij ju përkujton shqiptarëve tmerret, lemeritë, sikurse edhe monumenti i gjyshit të tij në Graçanicë.

9. Një shembull absurd i projektit “Shkupi 2014”

Projekti “Shkupi 2014”, zbatues i të cilit është kryeministri i Maqedonisë së sotme, N.Gruevski, përbën një përpjekje megalomane të qeverisë aktuale maqedonase, e cila duket se është në kërkim të identitet të maqedonasve sllavë të jugut, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët më pjesën e Maqedonisë së antikitetit. Ndërsa Leka i Madh (sundoi,336–323 ) ,që është ngritur mbi të gjithë monumentet tjera në atë shesh, ju bën nderë shqiptarëve, sepse ishte djalë i Olimpisë, princeshë ilire(epirote),vajzë mbretit të famshëm Pirro (sundoi 297-271 p.e.r), siç e pohojnë autorët antikë helenë.
Dhe, përse në vend të përfaqësimit të denjë të personaliteteve të historisë së popullit shqiptar në atë Projekt,janë ngritur edhe bustet e dy intelektualëve shqiptarë, bashkëpunëtorë të Shërbimit Sekret Jugosllav: Adem Gajtani (“Gojko”) dhe Murteza Peza. Ngritja e busteve të tyre len të kuptohet se nuk përjashtohet mundësia që edhe ndonjë bashkëpunëtor i sotëm shqiptar (intelektual) pas vdekjes do t’i ngrihet monumenti në atë shesh!?

Në vend të përfundimit

Do të ishte me vend nisma për ngritjen e monumenteve të mbretërive dardanë(Longar,Bato,Monun etj.) në Nish ,ku shtrihej Mbretëria e Dardanëve, të parëve të shqiptarëve të Kosovës(siç kanë pohuar edhe studiues të antikitetit e ata të vendeve të Ballkanit:F.Papazoglu,P.Skok etj.). Për më tepër, kur dihet se mbretërit dardanë nuk kanë qenë pushtues e dhunues të serbëve, sepse këta atëherë shtriheshin tej Karpateve. Propozimi është i qëndrueshëm edhe për faktin se në Serbi sot jetojnë afërsisht sa jetojnë serb në Kosovë: pra është ne funksion te reciprocitetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *