HISTORIA

70- Vjetori i rënies heroike të Mefailit vogël

Nga BAJRAM ÇELIKU – BALI

Për ta shkruajtur këtë tekst, më nxiti një këngë e thurur nga një rapsod nga fshati Zajaz i Kërçovës, me titull: “Gjashtë shkurt 1946”. Pasi e kisha dëgjuar e lexuar edhe më parë tekstin e kësaj kënge, e lexova edhe disa herë radhazi. Thashë me vete: Vallë, a nuk meriton, ky trim sy patrembur që për të si burrë i pushkës, të thuhen sot disa fjalë, për rënien e tij si dëshmor i kombit, duke udhëhequr Ballin Kombëtar të anës së Kërçovës në luftë kundër forcave partizane sllave të përbëra nga serb, malazez e maqedonas. Duke menduar për meritat e tija si luftëtar, vendosa që me pak fjalë të nderoj fytyrën e tij patriotike, kontributin e tij që dha për Çështjen kombëtare – shqiptare, për idealin e tij për Shqipëri Etnike. Këtë vit po mbushen 70 – vjet nga vdekja e tij heroike te lufta në Zallë (lum), të fshatit Kollarë, aty te “Shpella e Gurit”, apo te “Shpella e Rrapit”, siç tregonte gjyshi im Emin Çeliku.

Gjyshi më tregonte se aty afër Zallit (lumit), gjendej një lis i madh shekullor, me një trashësi shumë të madhe që as edhe shtatë vetë nuk mund ta mbërthenin me duar, dhe shumë i gjatë, gati me degët në qiell. Lisi nga përmbrenda ka qenë i zbrazët (garroç), përmes hapsirës të të cilit është përcjellë në mes Dimrit Madh tymi i zjarrit në qiell, për të mos u rënë në gjurmë armiqtë. Poashtu, edhe Zalli (lumi) ua ka fshehur gjurmët për në shpellë. Ballistët nëpër Zall (lum) kanë hyrë e dalë nga shpella, sa që në brendinë e saj strehonte një numër të madh kaçakësh.

Maja e këtij druri gjigant, në majë ka qenë i hapur (oxhak), kjo i ka mundësuar Mefailit të Vogël me shokë, që të ndezë zjarrin për tu ngrohur gjatë ditëve të ftohta të Dimrit Madh e të mos i bienin në gjurmë partizanët. Shpella ndodhej në mes të bjeshkës dhe ishte vështirë që të hetohej tymi që dilte nga maja e lisit, rrëfente gjyshi. Prandaj, Mefaili Vogël e kishte zgjedhur si vend – strehim të tij dhe shokëve bashkë-luftar. Gjurmët e kaçakëve vinin deri te lumi, pastaj humbnin mes dy brigjeve, nuk dihej se ku përfundonin mes maleve. Shteg i atyre burrave të pushkës, që për gjatë kohë nuk u zbuluan nga tradhtarët, përderisa nuk i zbuluan shokët.

Lufta e dytë botërore, tregonte gjyshi veç më ishte shpallë si e përfunduar, por trimi legjendar nga Zajazi, nuk e kishte ndër mend që t’i dorëzojë armët. Pushteti komunist i vendosur kudo me zyra vendi e me stacione policore e kërkonte kudo nën tokë e mbi tokë, por kurrë nuk arrinte t’i bie në gjurmë. Sipas bashkëluftarëve në popull, atë e tradhtuan disa shqiptarë, vendas nga fshati Zajaz, e disa të tjerë. Përmendin një fshatar nga Zajazi me emrin Nefrus Lika. Si që thuhet edhe në këngë. Nefrus Lika për çdo ditë në mes të Dimrit Madh me një kalë me sajë, shkonte në mal kinëse të bajë dru, dhe sa herë që shkonte çonte bukë te shpella, që të furnizojë me ushqim Mefailin e Vogël me shokët që e shoqëronin në Shpellë. Thuhet se, ka qenë shumë i kujdesëshëm përderisa e kryente këtë punë atdhetare, duke patur kujdes që të mos hetohet nga policia e vendosur në fshatin Zajaz. Një ditë, atë dikush e spiunon dhe kapet i gjallë në vepër nga policia, prej nga dërgohet në zyrën e policisë në Zajaz që të trgojë se ku strehohet Mefaili i Vogël, por ai nuk tregon asnjë fjalë për Mefailin. Ndaj tij përdoret forca dhe tortura, por ai përsëri nuk tregon asnjë fjalë për Mefailin.

Gati një javë (nga 2 shkurti – 6 shkurt), tregonte gjyshi: policija e ndjek deri te vendi ku strehohej Mefaili me shokë. Pas një kohe, e zbulojnë se ku gjendet vend-strehimi. Pushteti komunist përgatitet dhe e rrethon shpellën. Policët dërgojnë një ish luftar të tij që të lus Mefailin të dorëzohet, dhe duke ia bërë me dije se, është i rrethuar nga të katër anët dhe nuk ka shpëtim. Mefaili i Vogël, kërcen në këmbë dhe i drejtohet tradhëtarit me këto fjalë: A, edhe këtu mi solle ore qen?! Nxjerrë revolen që e mbante në brez, dhe qëllon tradhëtarin në lule të ballit duke e përcjellur në atë botë. Trimërisht del nga shpella me shokë dhe kur sheh se është i rrethuar nga katër anët, u thërret shokëve të vet që ishin në numër të vogël por trima mbi trima që rrallë i lind nëna: Me dorë shokë, se nuk dorëzohet Mefail Zajazi! Dhe, nis luftën e pabarabartë me armikun që e pat rrethuar pas shpine.

Sipas rrëfimit të një Maqedonasi nga fshati Reshtan i Kërçovës me të cilin shpesh bisedonim për ngjarje nga lufta partizane, nga goja e tij dëgjova se, edhe ai kishte marrë pjesë në rrethimin e Shpellës. Ai tregonte dhe thoshte, sesi Mefaili kurrë nuk kishte pa më trim në këto anë. Isha në afërsi të shpellës së rrethuar, tregonte ai, kur Mefaili pasi vrau tradhëtarin shqiptar, me mitrolez në dorë doli nga shpella duke kositur si me kosë ushtarët që e patën rrethuar. Në dorë mbaja pushkën, tregonte ai të drejtuar në drejtim të tij, por kur pashë sesi bënte kërdi mbi ushtarët tanë, pushka më ra nga dora, mu këputën këmbët dhe rashë në gjunjë përtoke. Momente, që pritësha të më kapi plumbi, mendova se jeta ime mbaroi këtu mes maleve. Lufta vazhdonte e unë vetëm dëgjoja krismat e armëve dhe nuk lëvizesha nga vendi. Në radhët tona tregonte ai, kishte edhe shumë shqiptarë nga Struga, Dibra e vise të tjera. Ata e plagosën rëndë Mefailin, por ai nuk dorëzohej i gjallë bashkë me shokë.

Pas një kohe pushkët pushuan. Morrëm vesh se kemi mbi 200 të vrarë dhe shumë të plagosur. Si që tregohet edhe në këngë, trupin e plagosur të Mefailit me kalin me sajë në mes të Dimrit Madh me borë e zbresin deri në hyrje të Zajasit ose mbi Zajas si që thuhet, ku ai ndjen etje për ujë, dhe i lutë ata që t’i japin pak ujë, por ato në fillim nuk i japin që të mos vdesë. Njeri nga të pranishmit aty u thotë atyre që t’i japin ujë, sepse do të ishte më mirë i vdekur sesa i gjallë në duar të shkaut. Pasi pi ujë, trimi sypatrembur ndërron jetë syhapur për Shqipëri Etnike.

Kështu, me 6 shkurt të vitit 1946 trimi mbi trima Mefaili i Vogël ndërron jetë. Ideali i tij për një Shtet Etnik shqiptar qe një ëndërr, që sa qe gjallë ajo nuk u realizua, por porosia e tij mbeti në popull, që secili, kush e ndjen veten shqipëtar të luftojë deri në arritjen e këtij qëllimi mbarëkombëtarë: Bashkimin e Trojeve Etnike Shqiptare!

Gjyshi më rrëfente se, pasi ai ndërron jetë ia arritën forcat partizane, me trupin e pajetë të Mefailit Vogël të ngarkuar në sajë që e tërhiqte kali, e sjellin në Kërçovë, ku shkie e shkina pështynin trupin e pajetë. Sipas rrëfimit të gjyshit tim Emin Çeliku, në radhët e partizanëve kishte edhe disa shqiptarë të cilët lutën komandantin që mos lejojnë një veprim të tillë jocivilizues. Ashtu edhe ndodhi, komandanti ndërpreu këtë veprim johuman duke u thënë atyre se, pse nuk e pështynit kur ishte gjallë? Pas këtij akti tregonte gjyshi, partizanët marrin trupin e pajetë të Mefailit dhe se ku u varros trupi i tij edhe sot e kësaj dite mbetet enigmë historike.

Trimëria e tij do të këndohet nga shumë rapsodë të vendit (Kërçovës), por edhe më larg. Si shembull të gjallë do t’ju prezantoj tekstin e këngës – Gjashtë shkurt 1946.

GJASHTË SHKURT 1946
Dyzet e gjashta, dy shkurt ditë e hënë,
Nefrus Likën e kanë zënë,
Atë në udbë e kanë çou,
E kanë rrah e kanë maltretou,
Aj nuk mundi me çindrou,
Për Mefailin ka dëftou.
Me gjashtë shkurt për gjymës dimni,
Se ke shpella u bo rrethimi,
Krisi pushka,-o, në atë përrou,
Disa të vra e shumë të plagu,
Kur bërtejti Xhema e Mefaili,
U krejs pushka si bylbyli,
Rexha i Metës-o, po bërtet,
Hajni shokë-o, boni gajret,
Medi Xeku-o, thotë nji fjalë,
Gajret shokë-o, mos dorëzohemi të gjallë,
Në zalle të vogël-o, mun ke Rrasa,
Bon gajret-o, Neshyt Kasa,
Bojmë gajret e bojmë kjametin,
Dy Ramazënat i kimi me veti,
Kur bërtejti Mefmet Ollomëni,
Mël më mël-o, na i vente zëni,
Mël më mël-o, kep më kep,
Komunistët-o, zunë me hik,
Mefaili rënë ishte plagu,
Baki Ramizi në Zajas e prou,
Përmi Zajas-o, në atë përrou,
Mefaili-o, jetë ka nërrou,
Atë në udbët-o, e kanë çou,
Atë në udbët-o, e kanë çou,
S`dihet vorrin-o, ku ja kanë bo…

3 thoughts on “70- Vjetori i rënies heroike të Mefailit vogël”

  1. Lavdi dhe respekt per keta trima deshmor te pavarsise kombtare ! Deshmia dhe provat te reja vertetojn se UNC Shqiiptare ka bere nje lufte civile kunder populit shqiptar .Ushtria Shqiptare per te vrare shqiptaret nacionalist ka bashkpunuar me ushtrin e marshallit Tito .

  2. Pershendetje Z.Ymer, bejeni kete koment ne postimin e keti shkrimi ne fbok,asht mese e vertete kjo qe e keni shkruar ktu, ashte mese evertet ajo qe thuani ka ndodhe dhe shum gjera tjera, e kan fye dhe shqiptar partizan komuniste!

  3. Para nja 30 vjete me ka treguar nje kosovar qe kishte qen partizan ne Kerqove dhe diten qe eshte vra Mufaili i vogel e kishin ndertue ne Kerqove nje bin dhe e kishin lidh te vdekur Mufailin per nje shtylle qe te shtinin tmerr te popullsia shqiptare. Vinin njerez per ta shique dhe ne ate moment vjen nji plak me dy djem te vegjel per dore. Ne tha u habitem kur plaka ju tha dy nipave: qe bijt e nanes ky eshte baba i juaj dhe kushtu vdesin shqiptaret. Ajo kishte qen nana e Mufailit. Te njejten dit me 2 shkurt 1946 ne Vrac te gryka e Muzdaqes eshte vra edhe shoku dhe bashkeluftari i Mufailit nipi im Hamez Regjepi nga Bicja e Lumes. Pasi e vran ia pren koken dhe e qiten ne tepsi dhe diten e tregut e shetisnin neper Gostivar. Por ky e pagoi veten sepse ne ate betej te pa barabart vran 115 ushtar sllavo maqedon. Prandaj Lavdi ju qoft qe te dy trimave sepse vertet keshtu vdesin shqiptaret trima.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *