Arbër Gashi, Artur Roshi dhe Zudi Xhelili
POLITIKA KOMBËTARE

PROGRAMI I BALLIT KOMBETAR DEMOKRAT

1. Organizata e Ballit Kombëtar Demokrat është një parti e djathtë, ose siç quhen ndryshe, parti konservatore. Parimet dhe synimet tona politike rrjedhin nga përvoja dhe shkrimet e parardhësve tanë. Organizata Balli Kombëtar Demokrat kërkon jetësimin e DEKALOGUT moral dhe politik, i shërben vlerave morale dhe politike të trashëguara nga Lidhja e Prizrenit dhe Blloku Kombëtar Independent. Organizata Balli Kombëtar Demokrat kërkon bashkimin kombëtar dhe inkuadrimin e vendit në NATO dhe BE.

2. Organizata Balli Kombëtar Demokrat beson në një rend moral të qëndrueshëm. Natyra njerëzore është e përjetshme, të vërtetat morale janë të përhershme. Një shoqëri e shëndoshë është ajo shoqëri ku qytetarët drejtohen nga besimi te një rend moral i qëndrueshëm, nga ndjeshmëria e fortë për të mirën dhe të keqen, nga bindja personale te drejtësia dhe nderi.

3. Organizata Balli Kombëtar Demokrat mbronë zakonet, traditën dhe vazhdimësinë. Shoqërinë e kanë ndihmuar të jetojë në paqe zakonet e vjetra. Tradita na ndihmon që të shmangim grindjet e vazhdueshme për të drejtat dhe detyrat. Vazhdimësia mundëson lidhjen e brezave, pa të jeta s’ka kuptim.

4. Organizata Balli Kombëtar Demokrat respekton parimin e urtësisë dhe maturisë. Për ne maturia është e parë mes virtyteve. Çdo veprim publik duhet të gjykohet nga pasojat afatgjata të tij, jo nga përfitimet e ditës ose popullariteti. Veprimet duhet të bëhen pas një reflektimi të mjaftueshëm, pasi të analizohen pasojat e tij. Komunizmi nuk i mori parasysh pasojat e veprimeve. Komunistët vepruan për momentin, deshën pushtetin dhe e morën duke zgjedhur rrugën më të shpejtë: dhunën. Ata s’e analizuan veprimin, pasojat shkatërrimtare të të cilit janë të dukshme në shoqërinë tonë edhe pas kaq shumë dekadash.

5. Organizata Balli Kombëtar Demokrat respekton parimin e shumëllojshmërisë. Sa më shumë ide të ndryshme të ketë brenda Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat, aq më i pasur është mendimi politik i saj.

6. Organizata Balli Kombëtar Demokrat beson se njeriu nuk është qenie e përkryer. Duke qenë se njeriu nuk është i përkryer, atëherë rendi shoqëror i përsosur nuk ekziston. Rendja pas utopive, përfundon në shkatërrim – komunizmi është ilustrimi më i mirë. Pritshmëria jonë është një shoqëri e lirë, e drejtë dhe e rregulluar në mënyrë të pranueshme, ku do të ketë edhe një numër vendimesh të padrejta, gjykimesh jo të shëndosha ose një masë vuajtjeje. Ky rend shoqëror i pranueshëm mund të përmirësohet me reforma të matura.

7. Liria e njeriut dhe prona private janë të lidhura ngushtë. Sa më e përhapur të jetë prona private, aq më e qëndrueshme dhe produktive është shoqëria. Qytetërimet e mëdha janë ngritur mbi pronën private. Prona private ka qenë një instrument i fuqishëm që e ka mësuar njeriun me përgjegjësinë, i ka dhënë motiv për integritet, e ka nxitur të mbrojë kulturën e përgjithshme, e ka ndihmuar të dalë nga skamja, i ka dhënë mundësi për kohë të lirë që të mendojë dhe liri për të vepruar.

8. Organizata Balli Kombëtar Demokrat respekton ndjenjën vullnetare të komunitetit, jo kolektivizmin e pavullnetshëm. Përmbushja e detyrimeve tona në komunitet na mëson urtësinë, efiçencën dhe bamirësinë. Vendimet që prekin më direkt jetën e qytetarëve merren në lokalitet dhe në mënyrë vullnetare. Disa nga këto vendime zbatohen nga institucionet politike lokale, të tjerat nga shoqatat private: për aq kohë sa ato ruajnë natyrën lokale, dhe kanë mirëkuptimin e të gjithë atyre që preken direkt nga vendimet, kjo mundëson një komunitet të shëndoshë. Një shtet nuk është më i fortë se komunitet e vogla që e përbëjnë atë.

9. Organizata Balli Kombëtar Demokrat pranon frenimin me maturi të pushtetit dhe pasioneve. Ne mendojmë se pushteti duhet të kufizohet dhe balancohet, duke parandaluar anarkinë ose tiraninë. Natyra njerëzore është përzierje e të mirës dhe të keqes, ne besojmë vetëm te dëshira e mirë e politikanëve. Ne besojmë te një shoqëri e pajisur me instrumentet e lirisë dhe rregullit: kufizimet kushtetuese, balanca dhe kontrollet politike, zbatimi i ligjit, rrjeti tradicional i kufizimeve të vullnetit dhe oreksit.

10. Organizata Balli Kombëtar Demokrat pranon qëndrueshmërinë dhe ndryshimin. Një shoqëri e shëndoshë ndikohet nga dy forca: Qëndrueshmëria dhe Progresi. Progresi në shoqëri është ai shpirt dhe grup talentesh që bën thirrje për reforma dhe përmirësim me maturi. Jemi kundër kultit të Progresit. Ne besojmë se shoqëria përparon në disa aspekte, por dështon në disa aspekte të tjera. Ne s’besojmë te Parajsa Tokësore. Ne besojmë te një mirëqenie e pranueshme në një shoqëri me rend moral të qëndrueshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *