HISTORIA

Rrno vetëm për me tregue…

Zef Pllumi (At Zef Pëllumbi) lindi në vitin 1924, më 28 gusht, në Malin e Rencit (Lorencit) (Shëngjin) nga një familje me origjinë nga Shkreli; meshtar françeskan, anëtar i Provincës Françeskane Shqiptare, i cili 26 vjet ka vuajtur nëpër burgjet e regjimit të Enver Hoxhës, e prapëseprapë mbijetoi me mendje të kthjellët – për t’u treguar gjeneratave të ardhshme se çfarë bishe e egër ishte komunizmi – vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli, Romë në Itali, kurse u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.

Siç edhe tregon tek libri autobiografik “Saga e fëmijnisë”, u lind nga e ama, Luke Mrija në një zabel. Data e lindjes i mbeti 7 prilli ngaqë pat një rivendosje nga gjykata civile mbasi doli për herë të parë nga burgu dhe nuk morën parasysh as datën e lindjes që pasqyrohej në regjistra shkollor, e as atë të shënuar në burg (që ishte tjetër).

Heret, në fëmijëri, kur familja e tij veronte në Qafë të Tëthores së Bogës, mes bjeshkëve të Shkrelit të Malcísë e atyre të Shalës së Dukagjinit. Atëherë, po vinte Át Gjergj Fishta, e Át Anton Harapi, të takonin t’axhën e Zef Pllumit, Pashko Tomën, që shquhej si burrë i mirë ndër male. Aty, sheh sytë e fuqishëm e plot shkëndija të Fishtës që e përkëdhelte tue e thirr “çiripup”, e axha u thotë fretënve se djaloçi kishte shpreh dëshirën me u ba frat (kjo që kur u takua për herë të parë me Át Bona Gjeçaj). Át Harapi i jep atij nji medaljon që kishte në qafë, të Shën Françeskut, e i thotë që ta ruante me shumë kujdes e kur të shkonte në Kolegjën Françeskane t’paraqesë atë medaljon.

Në vitin 1929, në moshën 5-vjeçare, bëhet nxënës i Alfons Trackit, misionarit gjerman në Velipojë të Shkodrës. Në vitin 1931 hyn në kolegjin françeskan të Shkodrës, kolegj në të cilin jepnin mësim personalitete të shquara të kulturës kombëtare si Át Gjergj Fishta, Padër Anton Harapi, kompozitorin Át Martin Gjoka, Át Gjon Shllaku etj., ku ndjek gjithë ciklin e arsimimit deri në vitin 1944 dhe merr formim klasik në filozofi, teologji, letërsi dhe përvetëson mjaft mirë gjuhët e huaja: latinisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht e greqishte e vjetër, nga mësuesi i tij Át Marin Sirdani merrte dhe libra historie e numizmatike, gjë që shquan edhe tek libr’i tij se i njihte perandorët romakë për nga ftyra, në monedha, pa pas nevojë me lexue ç’përmban monedha. Në vitet 1943 – 1944 Zef Pllumi ende xhakon, është një nga bashkëpunëtorët e revistës “Hylli i Dritës” dhe po ashtu sekretar personal i Padër Anton Harapit. Ky i fundit ishte Provincial i françeskanëve në Shqipëri (Shkalla më e lartë hierarkike). Gjatë kohës që ishte dhjak, Pader Antoni e vuri të rëndiste e ndihmonte në Arkivin Françeskan; aty has dokumente të hershme e ndër më të vlefshmet për historinë kombëtare. Ishte në moshën 22-vjeçare, kur në 1946, 14 dhjetor, arrestohet dhe dënohet me tre vjet burg, ky dënim u vuejt me Burgut të Madh të Shkodrës, e në kampet famëkeqe të Bedenit në Myzeqe, dhe Orman-Pojanit në Maliq. Pas kësaj, shkon herë në Shkodër e herë në Shëngjin, tek familja e tij, në vartësi të situatës. Shkak për arrestimin e tij, edhe pse ishte më i riu ndër të arrestuarit, pohon vetë at Zefi, ishte sepse duke qenë sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe nga ai mund të nxirrnin informatat e duhura. Por u gabuan rëndë. Kthehet në Kuvendin Françeskan kur negociatat mes Kishës e Qeverisë u “qetësuan”. Nga viti 1949 – 1951 merret me numizmatikë si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1956 shugurohet meshtar, caktohet në fillim si i besuar për me çue ndihmat priftave nepër kampet e ndryshme, dhe, më tej, për 12 vite shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku niset me dt. 14 shtator 1958 bashkë me provincialin, Át Augustin Ashikun. Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vjet vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme. 1967 – 1989, për 23 vjet rresht, burgoset përsëri dhe vuan dënimin në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Tiranë. Njeh gjatë burgut personazhe me ndikim si Gjin Marku, Kasëm Trebeshina, Zef Mala, Dashnor Mamaqi që e shihnin po prapë si një njeri ku me u rrëfye. Zef Mala i la porosi që Pater Zefi t’i gjente kujtimet që kishte lanë të shkruara, por që Pater Zefi nuk mundi t’i gjejë kurrë. Doli nga burgu me 11 prill dhe, Natën e Kshndellave fillon meshtarinë tek Kisha e Shn’Andout në Tiranë deri në vitin 1997. Njeh Nânë Terezen të cilen e përcjellë për në Shkodër ku u çua mesha e parë në Katedralen e Shën Shtjefnit. Prej atëherë nuk pushon dhe pasioni i dikurshëm për dijen dhe kulturën. Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën Hylli i Dritës, e cila pas një ndërprerjeje ka dalë dhe në vitin 2003. Janë gjithashtu këto vite kohë e një veprimtarie krijuese për Át Zefin. Ai shkruan dhe boton trilogjinë Rrno vetëm për me tregue, vëllimet Françeskanët e mëdhenj, Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo, Ut heri diçebamus-siç i thonim dje, ndërkohë, me gjithë moshën e thyer e vështirësitë e shikimit, i ndihmuar nga nxënësit e vet, po punon për libra të tjerë. Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave.

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 dekoroi At Zef Pllumin me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Presidenti Moisiu vlerësoi At Zefin “si përfaqësues të pasunisë kulturore e njerëzore, si nji institucion të vërtetë, që i rezistoi regjimeve dhe kohnave ma të vështira dhe si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane”. Nga ana e tij, At Zef Pllumi u shpreh se e pranon këtë nderim me dëshirë, si një shenjë që sot e mbrapa nuk do të ketë më censurë e dallime krahinore, fetare e ide, që e copëtojnë kulturën shqiptare dhe si një shenjë e unitetit të kësaj kulture gjatë shekujve.
Po në vitin 2006 At Zef Pllumi merr çmimin letrar Penda e Artë për trilogjinë e tij me kujtime Rrno vetëm për me tregue të akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë. Juria paska pranue edhe mendimin ndryshe, edhe mendimin e kundêrt, k’tu besoj âsht vlera që ka demokracia. Kjo âsht vlefta mâ e madhe që i bâhet librit t’em. Të tjerat janë për mue kunora që çohen në funerale që i vdekuni s’i sheh, ka thënë Zef Pllumi me rastin e pranimit të çmimit.

Titujt e veprave

Rrno vetëm për me tregue
Françeskanët e mëdhaj – kujtimet e Padres rreth Etënve duke rreshtue 12 prej tyne, si apostujt.
Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo – shkruem mbi bazën e një ditari të 1802 që Át Zefi ka lexue kur punonte në Arkivin Françeskan.
Histori kurrë e shkrueme – libër i botuem në formë përmbledhjeje, ku shkrimi i fundit që asht një intervistë që Arben Marku i ka ba Át Zef Pllumit i jep dhe titullin përmbledhjes.
Saga e fëmijnisë – libër i 2009 nën kujdesin e gjuhëtares Enkelejda Shamku-Shkreli që i ka qendisë dhe parathanjen. Trajton vitet e para të jetës së fratit deri në prag të regjimit komunist.

Mirënjohje

Urdhri “Nderi i Kombit”
Penda e Artë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *