HISTORIA

Shekujt lëkundin historinë shtatshekullore të Kapidanëve të Mirditës

Mirdita, emër nderi dhe mikpritje, historie e Republike, besnikërie dhe dashurie për lavdinë e vet. Ajo është toka e katedralëve, e cila, me stoicizem e dinjitet, devocion e krenari, ruajti pastërtinë e vlerave të përbotshme, fenë e të parëve të krishterë. Sot, unë, afrohem në rrënojat e kështjellave të kullave legjendare të historisë së Kapidanëve dhe dëgjoj sërish tingëllimën e shpatave, që janë larë me gjak princësh të Oroshit. Ajo, është vendlindja e kalasë së pamposhtur të Dinastisë së Kapidanëve, burimi i jetës e mbijetesës së banorëve kreshnik, që qysh në djep, nënat sokolesha i mëkuan dashurinë për tokën dhe zakonet e moçme arbërore, mikpritjen, trimërinë, zgjuarësinë e falur nga Zoti e natyra. Aty lindën princa dhe heronj luftrash të pamposhtur, ninullat, zanat e shtojzovallet, azganët me armë ngjeshur, trimat e maleve, ose shkurt, lindi historia vetë me virtyeive e atdhedashurisë. Ashtu sikurse qyteti i lashtë i Gentit e Teutës  (Scodra), krenohet për identitetin historik që mbetet kështjella e saj legjendare, Mirdita ilire ka Oroshin, zërin dhe historinë e së vërtetës, këtë kështjellë të mrekullueshme të natyrës, bedenë e hershme qëndrese e mbijetese, përballë furtunave të egra të ushtrive pushtuese qysh nga lashtësia deri në natën e zezë të viteve të komunizmit satanik. E ti Mirdita ime, je sërish dashuria e përjetshme e zemres time. Emrin tend me dinjitetet e mbajnë shumë nipa e mbesa, që morën qumështin e krahinës, genin e pastër arbëror, historinë e shkruar mbi gurët e mallit të Oroshit, dhe i futën thellë në zemrat e përjetësisë në të gjithë udhët e botës. E sot sërish, unë nipi yt, provoj bujarinë tënde, me mallin e zhuritur të shekujve, kur të parët e mi u larguan nga trojet që janë historia vetë. E koha e Kapedanëve ka ardhë. Këtë e dëshmoni ju, me pjesëmarrjën në tubimin e nacionalistëve, nipave dhe mbesave të atyre, që janë krenar se ju kanë ruajtur të patretur mallin për Oroshin, luftrat, patriotizmin në sofrat tuaja, që sëbashku përbëjnë atdhedashurinë ndër shekuj. Nuk do të kishte kuptim, mbajtja e tubimeve shkencore dhe përkujtimore në nderim të fytyrave të ndritshme të nacionalizmit të kulluar shqiptar, pa Oroshin apo Mirditën sinonim të njëra tjetrës. Ne, sot të gjithë së bashku, po vendosim qirinj drite, nderi dhe lavdie mbi shumë heronj të vërtetë të kombit tonë që janë mbledhur sot këtu, kanë mbledhur më së fundi kockat e shpërndara të nacionalizmit dhe kërkojnë t’i prehin pranë lapidarit të përjetësisë që është Oroshi i Derës së kapidanëve të Mirditës. 

Sa herë jam i lodhur ndjehem i çlodhur, sa herë jam i etur më shuhet etja si me magji, sa herë jam larg ndjehem afër në mishërim me historinë e popullit tim, kur marr në dorë “Lahuten e Malcis”, çerpiku ma tret gjumin, peshë më ngrihet qënia, zemra më ndizet flakë dhe syri më kthjellon dritën, kur endem mes vargjeve homerike të Lahutës, tek ndalem të marr vesh në një majë mali, në Orosh të Mirditës, në Sarajet e Kapidanit, kur lexoi trinitetin Nacion – Kanun – Kishë Katolike.

Mitet dhe lëgjendat zgjohen prej honeve të bjeshkëve dhe si shtojzovalle zbresin me ujëvaret e krenarisë së kullave me sytë e shqipes roje në frëngji dhe poeti i madh Fishta, nis të këndoj vargjet:

Prenk Bibë Doda, djalë zotni:

Për kah mosha, mjaft i ri,

Por i vjetër për pleqni,

Kur të dojë me folë urti:

Aj asht, Zanë, njaj Kapidani,

Kapidani prej Mirditet,

Per të cillin larg perflitet,

Larg perflitet, larg kallzohet,

Zi edhe bardh per te shartohet

                 At Gjergj Fishta O. F. M.

(“Lahuta e Malcis”, Romë 1958, fq. 148)

Makina ime ecën me shpejtësi sa herë që unë i jap drejtimin në qytetin e njohur Queens të Ney York-ut, për t’i bërë vizitë të zakonshme mikut tim të nderuar Kapidanit të Mirditës Ndue Gjon Marku. Sapo afrohesh pak metra pranë shtëpisë së Kapidanit, të del përpara një burrë i gjatë, i veshur hijshëm dhe me elegancë, me një ecje krenarie si lisat e bjeshkëve të maleve tona kreshnike, që me vështrimin si shqiponja të fton pranë hyrjes kryesore të shtëpisë. Kur e takon çlirohesh nga ndonjë emocion i çastit dhe ndihesh si në shtëpinë tënde, për vetë thjeshtësinë e të komunikuarit me të gjithë njerëzit njësoj.

Në mjediset e shtëpisë spikat sfondi shumëngjyrësh i librave dhe dokumentave origjinale të shekullit XX, korrespondencë, me bashkëatdhetarë që kanë qenë përsonalitete të jetës politike, shoqërore dhe kulturore, me studiues të huaj, shokët e universitetit dhe miqtë e shumtë nga Europa dhe Amerika.

Je përpara një mirditori, të mbrujtur me visarin e traditës së vendlindjes dhe i formuar në shkollimin e mesëm e të lartë në Shkodër, Itali e Austri, i qytetëruar me vlerat e përparimit perëndimor, i cili ia del mbanë të realizojë misionin e tij, në saj të kurajos të jashtëzakonshme, vullnetit të hekurt, dijës së thellë, pragmatizmit dhe zgjuarësisë për të realizuar nisma të guximshme në vendlindje, Itali dhe ShBA, të cilat, së bashku plotësojnë figurën e madhe të tij në të gjitha pikëvështrimet, për të cilat do të shkruaj më poshtë.

Sipas traditës së moçme shqiptare të mikpritjes, në shtëpinë e tij ruhen ende zakonet e të parëve nga Oroshi i Mirditës. Gjuha e tij shqipe në gegnisht është shumë e pastër dhe e pasur me fjalë autoktone shqiptare, që do ta kishin zili edhe studiuesit bashkëkohorë në vendlindje dhe në trojet e tjera etnike shqiptare. Me një buzëqeshje dhe fjalët: “Mir se t’ka prue Zoti”, “Mirë se ke ardh në Shtëpinë e Zotit dhe të miqve!”, më ofron paketën e cigareve dhe kafe, të cilët sikurse thotë ai i konsumon shumë.

Biri i Oroshit, ka një shtat të lartë me një prezencë, njësoj sikurse burrat e shquar diplomatë apo artistë europianë e amerikanë. Pamja e tij të kujton artistët e kinematografisë, ku spikat portreti i fytyrës së tij me tipare të pastra antropologjike të genit shqiptar dhe malësive tona. Ka një kulturë të gjërë dhe të thellë dhe respekton me mall zakonet e të parëve të trashëguar nga kullat kreshnike dhe të respektuar në të gjithë Shqipërinë.

Mes shtëllungave të tymit të duhanit të fortë amerikan  (që i kujton duhanin e Sheldisë në Shkodër), pasi mendohet mirë, flet saktë dhe qetë njësoj sikur ngjarjet kanë ndodhur pesë minuta më parë… Kapidani me shumë respekt ngrihet shpejt nga kolltuku dhe për të treguar se është i fortë si më parë, kërkon të më ofrojë ndonjë dokument origjinal historik dhe me një humor të mprehtë mirditori, nis të buzëqesh me gjithë zemër…

Me një mikpritje të sinqertë thotë, se “me pak meze me raki rrushi Shqipnie asht mir me kuvendue s’bashku” dhe me elegancë mbushë gotat me raki, duke thënë: “Kjoft levdue Kreshti  (Krishti)” e “Mir se ke ardh!”. E shoh me kujdes Kapidanin, që matet shumë dhe flet pak e saktë, ku çdo rrëfim ka peshën e argumentit dhe logjikën e shëndoshë për kohën dhe moshën e tij 92 – vjecare. Ai ka një diksion e timber të ëmbël në të folur, me një muzikalitet, që vjen nga gjuha e ëmbël gegë e trevave të pasura të Veriut, me të cilën u shkruajtën librat e parë në gjuhën shqipe. Çdo fjalë e tij, ka një gegnishte të përpunueme dhe me nuanca të pellgut të Mirditës, duke shprehur edhe fjalë të moçme shqipe, të ruajtur me fanatizëm gjatë shekujve në tërë krahinën e njohur të Mirditës.

Tek fliste Kapidani për ngjarjet historike dhe bashkëmoshatarët në vendilindje  (Orosh), periudhën e udhëheqjes së Mirditës, sipas ligjeve të Kanunit të Dukagjinit  (të cilat i kushtohen Derës së Dinastisë të Kapidanëve të Mirditës), unë tresja shikimin tim nëpër fotot e shumta origjinale, që ishin të ekspozuara në faqet e mureve në shtëpinë e tij.

Familja dhe njeri pas tjetrit Kapidanët e Mirditës dhe deri tek vëllezërit e tij në shekullin XX, ishin ruajtur me shumë kujdes në shtëpinë arkiv në New York. Dhe nuk ka se si të ndodhte ndryshe, mbasi Kapidani i Mirditës vinte nga Mirdita “…tokë katedralesh, siç të kanë quajtur, liman i madh, ku u thyhen si kërthinja tallazet balozezinj. Galun i pathyeshëm, ku ka hedhur spirancën anija e krishtërë, e cila me bashin e çeliktë prodhim i rrënjëve të saj i ka përballuar rrëbesheve e fortunave të historisë edhe kur mbi krye i ka ndejë shpata e “Demokleut” të Osmanlisë, edhe kur komunizmi i ngriti kurthe e pusi, edhe kur fqinjët shovinistë iu afruan kullës së lashtë prej guri të verbuar nga prushi i lisit në vatër e nga plisi i bardhë në krye. Mirditë, tokë që e përpinë hordhinë, tokë kristalesh bilur në vezullimin ku reflekton vetëm një dritë, Drita e Krishtit përmbi Dhe…”  (Zef Përgega, “Vigan në Krisht e në Vatan” Libër kushtuar Mons. Zef Oroshit, prelat i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York, Detroit 2003, fq. 19).

Këtu e kanë zanafillën kryengritjet për liri kundër Portës së Lartë, që kurrë nuk i ra nga dora flamuri nacional, ku zënë fill shumë mite e legjenda historike, ku fjala bujare shqiptare e përshëndetjes  (Mirdita) ruan të gjithë simbolikën e saj ndër shekuj, duke mbetur deri më sot pengu i shpirtit të Kapidanit të saj Ndue Gjon Marku.

Një foto e Oroshit, e vendosur përballë hyrjes kryesore në shtëpi të Kapidanit Ndue Gjon Marku, i sjellë shumë herë kujtime të freskëta, për kohën e viteve të shkuara, trojet që ruajnë themelet e hershme të gurit të parë shtatëshekullor, pikërisht të kullës që mizorisht u rrënua nga fitili i dinamitit të drejtuar nga gjenerali komunist Petrit Dume. Por sadizmi, nuk mundi të zhgulë nga rrënjët themelet e historisë dhe as imazhin e jehonës së thellë të shpëndarë ndër shekuj dhe në të gjithë vendin për Derën më të pamposhtur nga çdo hordhi dje dhe në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Miku im nga Mirdita, studiuesi e gazetari Zef Pergega, mes mallit e dashurisë për trojet e veta, nga Detroiti  (Michigan), i kushton Oroshit një hyrje tek flet për Mons. Dr. Zef Oroshin  (1912-1989), ku ndër të tjera vlerëson Derën e famshme të Kapidanëve të Mirditës, tek fton çdo visitor që të shkoj në Orosh, se atje mund ta etiketojë shkatërrimin e kullës, ku dëgjoheshin tingujt e violinës e të pianos si një mbetje të një kalaje të lashtë të jeshiluar nga myshqet. Muret e saj vende-vende lartohen deri në katër metra dhe syri të zë gurë të latuar dhe të gdhendur nga mjeshtri popullor me ide arkitektonike. Nëse dikush vendos të gërmojë mund të zbulojë planimetrinë e vendosjes së Sarajeve dhe mund të dallohet oda e miqve, ku darkonin shpesh burra nga të gjitha krahinat e Veriut, apo miq të huaj, përmes një debati të kujdesshëm. Porta kryesore që shikonte nga Veriu, ka patur të gdhendur një shqiponjë dhe emrat e djemve të Gjomarkut, si: Mark, Ndue, Llesh, Ded dhe Nikoll, të këtij fisi. Shtëpia e Kapidanit të Mirditës dhe Abacia e Oroshit, janë dy nga vlerat më të mëdha në historinë nacionale për Liri e Pavarësi, për organizimin e rezistencës antiosmane, për ta rikthyer Shqipërinë në dritën e Gjergj Kastriotit, apel që kanë firmosur 13 krahina të vendit.

As unë nuk e di, se si vitet kanë kaluar, duke sistemuar thellë në kujtesën time të freskët ngjarje, përsonalitete, kontribute, episode interesante, që lidhen me jetën dhe veprën e fytyrave të ndritshme të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ato lanë emër shumë të mirë, duke mbetur të nderuar dhe respektuar për bashkëkohësit, bashkëluftëtarët e idealeve të pastra nacionaliste dhe antikomuniste, atdhetarë të mirë, që zemra e tyre gufoi vetëm për simbolet nacionale, traditat, doket, zakonet, kujtimin e të parëve në trojet amtare, ruajtjen dhe ushtrimin e gjuhës nën emigracion, zemergjerësinë dhe frymën e thellë të humanizmit për të gjithë njerëzit në nevojë, fisnikërinë e shpirtit, që vjen nga tradita e hershme familjare e tyre, e shumë virtyte të tjera pozitive, që i zotërojnë edhe sot ndonëse në moshë të thyer.

I tillë ishte dhe është edhe sot përsonaliteti i madh i botës shqiptaro – amerikane prej shumë dekadash, burrë i urtë deri në madhështi, fisniku dhe erudisti i thellë në kulturë, emërmiri dhe zemërmiri Kapidani i Mirditës Ndue Gjon Marku.

Në Orosh të Mirditës para 92 vjetëve, lind  (më 29 shtator 1914) Ndue Gjon Marku, që i shton gëzimin prindërve të vet dhe vëllait të parë Markut. Krismat e pushkëve lajmërojnë gëzimin e papërmbajtur të lindjes së djalit, jehona e së cilës përhapet me shpejtësi në të gjithë krahinën. Kjo familje e madhe oroshase, do të ketë 10 fëmijë, pesë djem dhe pesë vajza. Aty lindën fëmijët njëri mbas tjetrit, duke filluar me Markun, që është fëmija i parë dhe më pas u lind Ndoja, Lleshi  (Aleksandri), Deda, Nikolla dhe motrat: Dava, Gjela, Marta, Dila dhe Bardha. Kapidani Ndue Gjon Marku, nga nëna ishte nipi i Bajraktarit të Kurbinit i Gjok Pjetër Pervizi, një përsonalitet i njohur asokohe për besë, burrëri, zakone e tradita të hershme e bashkëkohore shqiptare.

Babai Gjoni, përkujdeset që djemtë të ndjekin shkollën fillore, ku midis tyre edhe Ndue Gjomarku vijon 5 vitet e para fillore dhe gjimnazin pranë shkollave private katolike të Fretenve Françeskanë e Jezuitve në vitin 1934 në qytetin e lashtë Shkodër, në kohën kur Ministër i Arsimit në Qeverinë e Mbretit Ahmet Zogu ishte Dr. Mirash Ivanaj. I prirur pas botës së librave dhe kulturës civilizuese perëndimore, adoleshenti Ndue niset në vitin 1937 për studime të larta së bashku me vëllaun Lleshin në Universitetin  (College) në Terezianum të Vjenës në Austri. Pas disa vitesh kthehet në Shqipëri dhe pas disa muajsh shkon në Universitetin e Firences  (Itali) për të ndjekur studimet e larta në Jurisprudencë  (Drejtësi).Ai për asnjë çast nuk e shkëputi lidhjen me vendlindjen, miqte e huaj dhe vendas, të cilët e donin dhe respektonin, mbasi gjithnjë Dera e Kapidanit të Mirditës ka respektuar popullin e Mirditës dhe krahinat të tjera të Atdheut. Me anije pasagjerësh, i riu Gjomarkaj në vitin 1943 kthehet në Shqipëri. Jeta studentore, miqtë e rinj dhe shokët në vendlindje bëjnë që ai të zgjerojë rrethin e të njohurve. Kështu, sikurse kujtojnë disa bashkëkohës, që ende jetojnë sot në qytetin e Shkodrës dhe në Orosh të Mirditës, familja e ai vetë ka pasur nderin, fatin, privilegjin dhe kënaqësinë të marrë pjesë në shumë ngjarje dhe evenimente atdhetare, fetare e kulturore në qytetin e njohur të Shkodrës dhe qytetet e tjera, duke kuvenduar me krerët, parinë e qytetit, prelat të lartë katolikë, konsuj e udhëtarë të huaj, që vinin shpesh në Shqipëri dhe në veçanti në trevën e Veriut. Gjatë bisedave të lira e pyes Kapidanin, se a kishte përjetuar ndonjëherë në jetën e tij, një çast e cila i ka mbetur thellë në kujtesë. Ai me një buzëqeshje fisniku m’u përgjigj: “Isha shum i ri, rreth 16-17-vjeçar e m’kujtohet çasti kur n’Shkoder po pergaditej nga Kleri Katolik shugurimi i Ipeshkvit t’qytetit e Primat i Shqipnis Imzot Gaspër Thaçi  (1882-1946). Paria e Shkodres, vjen në shpin time e me thon t’ju prij në ket rast ceremonie të randsishme për qytetin e besimtart e devotshëm katolik. U thash se baba gjindet n’Mirdit. Ata me than, që ju mund ta zavendsoni Kapidan Gjonin. Un me shum kënaqsi mora pjesë n’shugurimin e Ipeshkvit. Paria e qytetit, ku banin pjes krent e familjeve ma të njohuna të qytetit, si: Çoba, Muzhani, Pistulli, etj. , ku mua ma caktuan vendin n’krye të sofres n’mesin e dy konsujve. Isha shum i ri me marr pjesë n’at rreth të madh, n’mesin e atyne figurave t’nderueme të qytetit, por e kalova mir proven e parë, mbasi në Kullën e Oroshit kishim mësue t’dëgjonim e jo t’flasim…”.

Edhe studiuesi i njohur në diasporën shqiptaro-amerikane Idriz Lamaj, në shënimet biografike për Kapidanin Ndue Gjon Marku shkruan, se: “…Ndojt i paraqitën raste me pritë e përcjellë përsonalitete të shqueme shqiptare dhe të hueja dhe me perfaqsue oxhakun e tij të njoftun…Por simbas tij, në Mirditë në kontakt me popull e krenë, dhe të krahinave të ndryshme, formohet në pikpamje tradicionale e kanunore. Të gjitha këto kontakte e formojnë moralisht e politikisht me kuptue realitetin e gjendjes të ndërlikueme të kohës”.  (Idriz Lamaj, “Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” 1949-1956”, New York, USA, 2000, fq. 101).

Në bisedë e sipër e pyes me interes Kapidanin, se si e kalojshe kohën në ato male të pashkëluna të Mirditës. Ai si zakonisht me një buzëqeshje fisnike më përgjigjet: “Mirdita për mue asht vendi ma i bukur në botë e ma i dashtuni. Populli fisnik i krahines së Mirdites na ka dasht e respektue edhe ma shum. Na nuk kena prit asnjiher qi populli me na përshendet ne, por na i kena përshendet përpara të gjithë, pavarsisht se a kan ken të rij apo ma të vjetër se ne. Na kena shkue shum mirë me popull dhe kena ken tamam si nji familje e madhe. E prandaj Oroshi e tan krahina e Mirditës asht gjithçka për mue e Deren ton”.

Më kujtohet, një ditë tjetër më kishte ra në dorë një libër nëpërmjet një miku, që ishte e shkruar nga z. Pal Doçi, e që fliste për Mirditen e Deren e Kapidanit. Gjatë leximit vura re se z. Pal fillim e mbarim kishte nxjerrë vrer ndaj Derës së Kapidanit të Mirditës. Mbasi e pashë edhe një herë librin, u nisa për t’ia dërguar Kapidanit që ta lexoj edhe ai. Kapidani, me gjakftohtësi sapo e pa titullin e librit dhe emrin e autorit, ma riktheu librin, duke më thënë këto fjalë: “Për Palin e shokë si ky Mirdita ka me e than nji dit fjalën e vet”.

Kapidani Ndue Gjon Marku – ishte Alfa dhe Omega në luftën kundër komunizmit

E gjithë treva e Veriut dhe qarqet diplomatike e shoqërore të komunitetit shqiptar në atdhe, asokohe e kanë njohur e vlerësuar lart figurën e madhe të Kapidan Gjon Marka Gjoni dhe të birit të tij të madh Dr. Mark Gjon Marku  (Ministër i Brendshëm), kanë qenë shumë aktiv dhe janë marrë përherë me politikë, kurse Ndue-ja, sikurse e thotë edhe vetë ka pas më shumë kënaqësi në jetën private e familjare.

At e bir, duke nuhatur afrimin e furtunës së tërbuar komuniste, që kishte bërë kërdi në Europën Lindore dhe kryesisht në Rusi, fillojnë të përgatisin terrenin për të rizgjuar ndërgjegjën e forcave nacionaliste, që t’i bëjnë ballë komunizmit, që ishte një ideologji e shkatërrimit, moral, material, filozofik, ateist dhe pa atdhe të njerëzve që jetojnë historikisht në trojet stërgjyshore autoktone. Koha kërkonte, që bijtë e shqipes më shumë se kurrë të tregojnë atdhetashurinë, për të ruajtur vlerat e lënë trashëgim nga të parët, dinjitetin e shqiptarit, fenë, pasuritë private të individit, pluralizmin e mendimeve, përparimin ekonomik dhe lidhjen shpirtërore, ekonomike dhe politike me vendet e Europës Perëndimore.

Për të bërë një politikë më të konsoliduar Kapidan Gjoni, në pranverë  (mars) të vitit 1944 i jep jetë themelimit të “Grupit Nacional Indipendent”, ndërsa i biri Dr. Marku, duke gjetur përkrahje dhe mbështetje në nismen e vet krijon “Lidhjen e Shkodrës”, duke mbledhur rreth vetës të gjithë eksponentët kryesorë antikomunistë, që ishin rreshtuar në organizatat e mirënjohura nacionaliste “Legaliteti”, “Balli Kombëtar” dhe “Grupi Nacional Indipendent”.

Jo rastësisht, por interesat e larta patriotike, e bëjnë Ndojën që të përfshihet menjeherë në politikë dhe sapo merr veshë se forcat e ashtëquajtura partizane po i afrohen vendlindjes së tij të dashur Mirditës, lajmëron vëllain e vet në Tiranë, se krahina dhe e gjithë Shqipëria e Veriut po sulmohet nga bisha e kuqe, që për fat të keq kishte emër e gjak shqiptari. Ai ndër të tjera kërkon të lëshoj kushtrimin e qëndresës me vullnetarët e vendosur antikomunist. Menjëherë i vjen përgjigjja pozitive dhe inkurajuese e vendosmërisë nga i vëllai i tij Dr. Marku, që ishte shumë i shqetësuar për fatet e brishta të vendit. Ai, sikurse kujton Kapidani Ndue Gjon Marku dhe shkruan edhe studiuesi i mirënjohur Idriz Lamaj për këtë çështje i thotë se: “Ndue i dashtun, sot fillon nji kthesë e re në historinë e Derës sonë, të Mirditës e Shqipnisë mbarë. Mbledh sa më shumë vullnetar e fillo qëndresën kundër brigadave komuniste. S’kemi rrugë tjetër”.  (Idriz Lamaj, Vep. e cit. , fq. 102).

Organizimi i forcave politike dhe luftëtarëve nacionalistë bënë që një ditë Ndoja të takohet me përfaqësuesit më të lartë të grupimeve nacionaliste të “Legalitetit” dhe “Ballit Kombëtar”, të cilët gjatë përleshjeve të tyre të mëparshme kishin pësuar humbje në forca, por që nuk iu dorëzuan komunistëve. Ata tashmë kishin arritur në Veri të Shqipërisë. Udhëheqësi i Organizatës “Balli Kombëtar” patrioti Mit’hat Frashëri dhe drejtuesi i “Legalitetit” nacionalisti Abaz Kupi, kishin mbërritur në shtëpinë e Gjon Fushës në Bulger të Mirditës. Mit’hat Frashëri, që mbetet në Mirditë, së bashku me ballistët e tjerë shkojnë në Sh’Pal, ku i pret Ndue Gjomarku atë natë dhe të nesërmen i përcjellë me besnikët e tij për në Shkodër. Me shërbestarin e kombit Mit’hat Frashërin  (i biri i patriotit të flaktë të Rilindjes Kombëtare Abdyl Frashërit), Ndoja do të ketë edhe takime të tjera dhe bashkëpunime të frytshme në luftën e rezistencës kundër komunizmit në Shqipëri, Europë dhe ShBA.

Ngjarjet asokohe zhvilloheshin me shpejtësi. Si gjithnjë truri dhe kryet e lëvizjes antikomuniste mbetën në Veri të Shqipërisë me seli në Mirditë. Nga ana e tjetër Dr. Mark Gjonmarkaj, me të gjithë forcat vullnetare që kishte nën kontroll, duke mos u demoralizuar më 26 nëntor 1944 len qytetin e Shkodrës dhe merr rrugën drejt malëve të Veriut. Tashmë Ndoj me bashkëluftëtarët e tij për pesë muaj në shi e dëborë, luftojnë pa u mposhtur me të gjithë brigadat partizane të drejtuara nga Mehmet Shehu me urdhër direkt të gjeneralit e komandantit asokohe Enver Hoxha. Forcat e brigadave komuniste, duke pasë ushtri të madhe në numër dhe të armatosur mirë pushtojnë krahinën e Lumes dhe Lurën, duke iu afruar shumë pranë trevave të Mirditës. Forcat nacionaliste, të drejtuar nga Ndue Gjon Marku gjenden para një rrethimi shumë të vështirë, kur brigadat komuniste sulmojnë në tre drejtime menjëherë, pa i dhënë mundësi nacionalistëve që të organizohen mirë. Në këtë situatë të rëndë të krijuar, sikurse kujton Kapidan Ndoj, asokohe nuk i mbeti asgjë tjetër veçse të ngujohet në Sh’Pal. Nis një luftë e ashpër midis komunistëve, që kërkonin të gjunjëzonin e pushtoin me dhunë krenarinë e historisë së lavdishme të Mirditës dhe nacionalistëve, që kërkonin të mbronin vlerat demokratike dhe lirinë e popullit nga një robëri e internacionalistëve proletarë, që ishin për një botë pa Zot dhe robëri, nata e zezë e së cilës filloi më 28 nëntor 1944 në tërë Shqipërinë.

Megjithë rezistëncën e madhe për tre ditë me radhë, duke parë edhe humbjet e mëdha në radhët e forcave nacionaliste Ndue Gjomarkaj jep urdhër për tërheqje në drejtim të Shkodrës, një qendër e madhe e rezistencës antikomuniste. Kapidan Gjoni, Dr. Marku e Ndoj takohen dhe zhvillojnë bisedën e fundit për planin e ri që kishte menduar Dr. Marku. Kështu, ai kishte vendosur sipas logjikës së tij të shëndoshë, që i ati Gjon Marka Gjoni dhe vëllai i tij i dytë Ndoja, duhet të largoheshin nga Atdheu, me arsyetimin, se nuk duhet të shuhet dera e tyre nga përpjekjet që do të bëhen me komunistët. Vërtetë e dhimbshme, por e domosdoshme kjo zgjidhje e menduar shumë mirë nga Dr. Marku, të cilën pas 9 dekadave mbi supe Kapidani Ndue Gjon Marku e kujton me dhimbje, kur flet për momentin e ndarjes me antarët e tjerë të familjes. Ka qenë pikërisht Kisha e Kastratit në Malësi të Madhe, kur Ndoj ka shtrënguar dorën për herë të fundit me Dr. Markun.

At e bir nisën prej Kastratit në Tuz, Kolashin, Vishegrad, Sarajevë, Zagreb, në Vjenë, Linz dhe në Insbruk, në një dimër të ashpër dhe nën breshërinë e bombardimeve të shpeshta nga forcat e aleatëve. Nga qëndrimi për disa ditë në Insbruk me një makinë udhëtojnë drejt Italisë, duke kaluar në “Passo di Resia” afër kufirit të Zvicrës. Për pesë muaj ata qëndruan në Merano deri në gusht të vitit 1945 dhe më pas morën drejtimin drejt Romës, që mbetet edhe stacioni i fundit i tij. Me të mbërritur në Perëndim  (Itali), Kapidani Ndue mendoi për të bashkuar forcat nacionaliste dhe antikomuniste, për të hedhë bazat e krijimit të një organizate të mirëfilltë politike kundër rregjimit të kuq të Tiranës zyrtare, që po e zhyste popullin në mjerim. Fryt i këtyre përpjekjeve është edhe krijimi i partisë politike me emrin “Bloku Kombëtar Indipendent” në vitin 1946 e cila do të ketë jetëgjatësi deri me përmbysjen e komunizmit në Shqipëri më 13 dhjetor të vitit 1990, duke qëndruar me dinjitet deri në fund.

Gjatë vitit 1948 në bashkëpunim me aleatët perëndimore anglo-amerikan, Kapidan Ndojt i paraqitet rasti për të dërguar vullnetar për të përmbysur komunizmin në Shqipëri, duke krijuar në këtë mënyrë Komitetin Kombëtar “Shqipnia e Lirë”, ku bënin pjesë shumë antarë të Blokut. Në lidhje me këtë mision Kapidani kujton: “Në pikëpamje morale ishem kryenalt, tue marrë në konsiderim luftën kundër rregjimit komunist, vendosa me ftue dy luftarë besnikë të cilët pranuen pa kurrfarë kundërshtimi. Kështu filloi ndërmarrja e jonë kundër rregjimit komunist në Shqipni”.

Bloku bëri hapin e parë dhe ruajti linjën e përpjekjeve qëllim mirë për të bërë bashkimin e të gjithë forcave antikomuniste shqiptare në mërgatë, që ishin ndarë dysh në Komitet dhe jashtë Komitetit. Kjo inisiativë synonte afrimin e grupeve të ndryshme dhe harmonizimin më të plotë e të qartë të veprimtarisë së tyre në dobi të atdheut dhe në një front të përbashkët kundër komunizmit. Mirëpo rruga e nisur nuk ishte e kollajt mbasi fillojnë polemikat dhe pengesat ndaj inisiatorit të saj mirditor.

Përpjekjet e Kapidanit Ndue Gjon Markut hasin në pengesë për mospranimin e tij në Komitetin e parë nga ana e përfaqësuesve të organizatës Balli Kombëtar, që zotëronte asokohe të gjitha postet e organizatave. Ndërhyrja energjike e diplomacisë angleze dhe amerikane  (ku përfaqësuesit amerikanë këmbëngulën që Kapidani të pranohet pa kushte), bëri të mundur që të zgjidhet ky problem dhe kështu Kapidani i Mirditës bëhet një ndër drejtuesit e Komitetit, falë kulturës së shëndoshë perëndimore, vizionit largpamës për të ardhmen, origjinës me emër shumë të mirë të familjes nga ai vinte, kontributi me armë në dorë që kishte dhënë drejtpërdrejtë kundër komunizmit etj. Ndoj do të ketë takime të rëndësishme në Itali, me ushtarakë të lartë italianë, sikurse ishte admirali i marinës italiane zotin Talarigo dhe të misionit anglo – amerikan, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Jashtme Italiane. Takime të tjera ka pasur edhe me z. Herbert, një përsonalitet i njohur britanik për çështjen shqiptare, amerikanin z. Mc Lean etj. Gjithashtu Ndoj këmbënguli, që në këtë Komitet duhet të përfshihet patjetër edhe intelektuali i shquar ing. Xhafer Deva, mbasi ai ishte një njeri me influencë të madhe në Kosovë dhe në malësitë e Shqipërisë politike. Kapidan Ndoj, ka organizuar hedhjen e parashutistëve të grupit të ing. Xhafer Devës në Shqipëri.

Kapidani kishte dhe ruan ende sot një respekt të veçantë për atdhetarin e flaktë Mit’hat Frashëri. Për figurën dhe veprën e tij Kapidani flet me një admirim të veçantë, për arsye sikurse thotë se “ishte nji njeri me nji prestigj të naltë kombtar dhe pinjoll i nji familje me merita të mëdha atdhetare”. Duhet venë në dukje se gjithnjë shqiptarët në mërgatë nuk kanë gjetur gjuhën e bashkëpunimit të përhershëm me njeri tjetrin dhe grupin apo partinë ku bënin pjesë, çka ka sjellë për pasojë edhe mungesë serioziteti dhe besueshmeri nga ana e qeverive perëndimore dhe asaj amerikane për krijimin pse jo më pas të një qeverie paralele në ekzil që me përmbysjen e komunizmit në Shqipëri do të kishin marrë frenat e pushtetit në dorë. Kështu është vepruar shpesh herë me shtetet e tjera ish – komuniste apo diktatoriale asokohe. Kjo shpjegon edhe një nga arsyet pse komunizmi u rrëzua i fundit në Shqipëri dhe se populli duhet t’i besonte e mbështeste më shumë forcat nacionaliste se sa fjalët e bukura të ideologjisë ateisto – komuniste mbi kurrizin e së cilit ra shtypja, varfëria, mjerimi, që zgjati për 50 vjet me radhë.

Në vitin 1956 Kapidani Ndue Gjon Marku hap familje të re, duke u martuar me zonjushën romane Maria Teresa Agustini, një vajzë e diplomuar në gjuhët frëngjisht dhe anglisht në Universitetin Internacional “PRO DEO” në Romë. Çifti i ri do të gëzohet me lindjen e tre vajzave Kristina, Bardha, Aleksandra dhe Gjoni djali i vetëm, që ruan emrin e gjyshit të vet shumë të mirënjohurit Kapidanit Gjon Marka Gjonit. Kapidan Ndue u interesua qysh në fillim që të shkollojë fëmijët në të gjitha nivelet. Kështu vajzat dhe djali mbasi përfundojnë shkollën e mesme, ndjekin dhe përfundojnë me rezultate shumë të larta kolegjet më të njohura në ShBA.

Me vdekjen e prindërve të gruas së Kapedanit dhe të babait të tij Kapidanit Gjon Marka Gjoni, në vitin 1966, familja e tij emigrojnë në ShBA. Edhe këtu fillon një etapë e re e lëvizjes antikomuniste, ku aktiviteti i tij zgjerohet dhe respekti për kontributin e tij rritet edhe më shumë kur zgjidhet si Kryetar i Blokut dhe për vetë faktin tjetër, se ai tashmë është trashëgimtar i Derës si Kapidan i Mirditës, krenari dhe nder të cilën e mban edhe sot në moshën 92 -vjeçare.

Në New York Kapidani humb bashkëshorten, dhimbje e cila, nuk e mposht në luftën kundër komunizmit. Veprimtaria e Kapidanit është shumë e madhe me shkrime publicistike në organet zyrtare të Blokut, gazetat: “L’Albanie Libre” dhe “Lajmëtari i të Mërguemit”, që asokohe botoheshin në New York dhe Rom.

Familja do të ruajë marrëdhënie shumë të mira me klerikët katolikë shqiptarë në emigracion, një traditë e trashëguar edhe nga të parët e kësaj Dere brez pas brezi dhe shekuj pas shekujve në Mirditë. Kështu qysh në Itali, ruajti lidhje të ngushta me atdhetarët e antikomunistët konseguentë, studiesin e meshtarin e palodhur në “Fe-Atdhe e Përparim” At Daniel Gjeçaj O. F. M. dhe bashkëvendasin e bashkë emigrantin, klerikun e nderuar në të gjithë komunitetin shqiptaro – amerikan, nacionalistin e madh, që luftoi me pushkë e pendë, themeluesin e Kishës së parë shqiptare në ShBA, të nderuarin e të respektuarin Mons. Dr. Zef Oroshin. 

Gjatë këtyre viteve, ai po merret me saktësimin e disa interpretimeve të gabuara, që janë bërë gjatë kohëve të ndryshme veprës së At Shtjefen Kryeziu Gjeçovit me titull: “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, të cilin e ka në dorëshkrim dhe shumë dorëshkrime të tjera që priten së shpejti të dalin në botim. Fryt i këtyre hulumtimeve serioze është edhe botimi në vitin 2002 në New York të veprës së parë me titull kuptimplotë: “Mirdita Dera e Gjomarkut Kanuni”, për të cilin mund të lexoni më poshtë.

Ajo që më nxiti si shtysë, qysh në fillim edhe të vetë titullit të shkrimit tim: “Mirdita krenaria dhe lavdia e dinastisë së Derës të Kapidanit”, është vetë historia e pasur e Mirditës dhe Derës së Kapidanit bijtë e nderuar të së cilës njeri pas tjetrit bënë një epokë të lavdishme gjatë shekujve. Ata së bashku plotësojnë njera tjetrën dhe janë dy anë të së njëjtës medalje të çmuar në xherdanin e pasur të historisë së popullit shqiptar.

Mirdita krenaria dhe

lavdia e Dinastisë së Derës të Kapidanit

Gjithnjë në jetën time në vendlindje dhe New York, më ka shqetësuar origjina e hershme e zhvendosjeve apo shpërnguljeve të të parëve të mi nga Mirdita dhe vendosja në pjesën perëndimore të Kosovës. Kështu gjatë shekujve të historisë, kemi përqendrimin e banorëve katolikë në Kosovë me prejardhje jo shumë të largët nga Mirdita, të cilët quhen Fandë. Mbi këto banorë ardhacakë të së njëjtës kombësi, gjuhe, zakone e tradita, por të larguar për arsye ekonomike apo gjakmarrjeje do të shkruajnë, udhëtarë të huaj, kronistë, klerikë katolikë të shkolluar,  albanologë, studiues e diplomatë të ditur të kohës. Një ndër autorët, që trajton si përsonazh real banorët e Fandës, është edhe gjeniu me origjinë mirditor “poeti kombëtar” at Gjergj Fishta  (1870-1940). Disa vargje poeti ua përkushton banorëve të njohur të Fandës në kryeveprën e mirënjohur “Lahuta e Malcis”.

Mirdita, gjatë shekujve të kaluar ka nxjerrë burra të shquar që me jetën dhe veprën e lavdishme kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare dhe më së shumti në Shqipërinë e Veriut. Shpesh herë njerëzit kanë qenë të interesuar të njohin nga afër ecurinë interesante të Derës së Madhe të Gjomarkut të mirënjohur si Dera e Kapidanit të Mirditës, që nga zanafilla  (shek. XV) e deri më sot, duke u mbështetur nga të dhënat historike, gojëdhëna popullore dhe literatura e pasur sot. Dera e Kapidanit të Mirditës me vullnesën e popullit kanë udhëheqë Mirditën, me urti, maturi, politikë e jetë normale për komunitetin shqiptar, me sjellje të denjë burrërore dhe një guxim të madh në mbrojtje të interesave të popullit, duke punuar me përkushtim për bashkimin e fiseve, vëllazërimin dhe bashkëpunimin reciprok të familjeve, nxitjen dhe përkrahjen e idealeve kombëtare, kundër pushtuesve të huaj, që gjatë shekujve kanë shkelur trojet shqiptare.

Në këtë udhë pozitive, në të mirë të krahinës zëmadhe të Mirditës, ka udhëheqë Dera e Kapidanit që nga shekulli XV. Gjomarku I-rë, i ftuar nga populli, për t’i udhëhequr si kryeprijës i tyre, u është shprehur hapur dhe në mënyrë demokratike Mirditës se: “Nëse më pranoni për udhëhjeksë, un dhe pasardhësit e mijë do ta sundojmë e do ta drejtojmë popullin e Mirditës pa kurrfarë të drejte të dhetash, taksash, gjobash, xhelep, etj. , por vetëm në bazë të së drejtës kanunore dhe do të respektojmë të drejtën familjare e prones private të caktueme me gurë e kufi. Ju premtoj gjithashtu se kam me vuejtë, me sakrifikue, me u djegë, me luftue e me dekë për Mirditë e bashkë me mirditas

Gjatë viteve gjithnjë më ka shqetësuar seria e pyetjeve enigme, se cila është prejardhja e Principatës apo Derës së Gjomarkut, a kanë ato lidhje me Derën e Dukagjinve, qysh nga periudha e lavdishme e Gjergj Kastriotit të kohës së Arbërit, si paraqitet shtrirja gjeografike e tyre, cila është ecuria e qendresës kundër Portës së Lartë Otomane gjatë shekujve të sundimit turk në Arberi, jeta dhe sundimi i Kanunit të maleve kreshnike, pse respektoheshin këto kode më së shumti në Shqipërinë e Veriut, luftrat e njëpasnjëshme që kanë zhvilluar Mirditorët për të ruajtur Autonominë e saj, lufta titanike kundër komunizmit dhe sherbetorëve të saj, organizimi i rezistencës së armatosur nëpër malet e Veriut të Shqipërisë, aktiviteti i pasur patriotik i Kapidanit të Mirditës në diasporën Evropiane, aktiviteti i Kapidanit të Mirdites Ndue Gjon Marku dhe drejtimi i “Blokut Indipendent” në ShBA etj. , etj. ?!

Këtyre pyetjeve dhe shumë të tjera, që i përkasin gjashtë shekujve të fundit të mijëvjeçarit të dytë  (shek. XX), u jep përgjigje objektive juristi i mprehtë, aktivisti e patrioti i palodhur shqiptar Kapidani i Mirditës Ndue Gjon Marku, përmes librit jetëshkrimor me titull: “Mirdita, Dera e Gjomarkut, Kanuni”, botuar në New York në vitin 2002.

Me Palin dhe më pas me Lekë Dukagjinin vijon vargu i djemve, që zë fill me djalin Gjon Mark Kolë Pali  (Marku i parë) me të cilin u bart dhe merr emrin Dera e mirënjohur e Gjomarkut. Kështu djemtë bëhen trungu, ndera dhe zemra e Mirditës. Pema e familjes së Principatës së Mirditës si Dera e Gjomarkajve ose Kapidani i Mirditës, vijon me Marka Gjoni I-rë, që është djali i Gjon Markut II-të të vrarë prej turqve, duke i lënë vendin barkut të parë të pasardhësve që zë fill me Preng Lleshin I-rë. Më pas vijnë Dodë Prenga, Bibë Doda. Përveç këtij të fundit që ka lënë trashëgimtarë, Principata e Mirditës – japin drejtim dhe zhvillim pemës së Derës të Gjomarkut. Dhe më pas vijon brezi i meshkujve që vijnë nga barku II-të dhe III-të, duke ruajtur e trashëguar më tej nderen e fisme dhe emrin e mirë të Derës së Gjomarkut ose Kapidanit të Mirditës brez pas brezi. Respekti dhe autoriteti trashëgohet dhe përcillet me mirënjohje nga të gjithë banorët autoktonë të Mirditës, jehona e famës së Principatës së Mirditës pasurohet me përvojë dhe histori të lavdishme, që ruhet e regjistruar thellë në kujtesën e historisë së krahinës me merita të shumanshme burrërie, trimërie, bujarie, besnikërie, të ushqyer nga tradita e hershme e Kanunit të Maleve të Lekë Dukagjinit.

E parë në planin e mbijetesës origjinale me të gjithë elementët e ruajtjes të pastër të traditës të mirëfilltë shqiptare, kjo Dinasti, ka mundur të mbijetojë ndaj furtunës së egër të pushtuesve barbarë turq, serbo-malazezë dhe regjimit antishqiptar e ateist komunist.

Autorë të ndryshëm, si: albanologë, udhëtarë e vizitorë të huaj, francezë, italianë, anglezë, austriakë, hungarezë,  malazezë, grekë, maqedonas, kroatë, sllovenë etj. , kanë cekur në fletët e historisë, duke lënë të shkruar përshkrime udhëtimi, relacione derguar Vatikanit, takime me banorë mirditorë, historitë e dioqezeve dhe jetën e aktivitetin baritor të udhëheqësve të devotshëm shpirtëror të kishës katolike, historinë dhe traditën e Principatës së Mirditës – Dera e Gjomarkajve – Kapidani, marrëdheniet ekonomiko-sociale dhe urëlidhjet kulturore e zakonore të krahinës me simotrat e tjera brenda territorit të Arberit, lëvizjet mekanike të popullsisë në drejtim të qendrave të reja të banimit dhe shpërnguljet në drejtim të zonave më pjellore e të përshtatshme për ekonominë bujqësore, blektorale dhe artizanate, të cilat kanë qenë ushtruar si traditë në tërë krahinat shqiptare, etj. Nëse do të citonim disa nga autorët më të njohur asokohe, mund të shtonim se shumë të rëndësishme kanë mbetur shënimet dhe vlerësimet shumë domethënëse të shkruar nga albanologu i mirënjohur asokohe francezi Amy Bue, i cili në veprën “La Turque d’Europa”  (Paris, 1880), ndër të tjera thotë se krahina, ka përfaqësues të denjë që njihen dhe respektohen nga të gjithë dhe ajo është Dera e njohur e Dinastisë së Kapedanëve të Mirditës. Principata ka gëzuar dhe gëzon respekt e autoritet, mbasi përdor me përpikmëri burimet e traditës vendase që mbështetet tek ligjet e njohura ndër brezni të Kanunit të Lekë Dukagjinit, që rregullon jetën e mbrendshme të banorëve me shtrirje në të gjithë Shqipërinë e Veriut e deri në Kosovë. Meshtari që njihte shumë mirë doket e zakonet shqiptare dhe jetën e Kapidanit, ka qenë Don Stefano Gaspari, një prift katolik shqiptar, i dërguar prej Vatikanit  (Selia e Shenjtë) në Shqipëri në vitin 1671, ku në shënimet e tij përshkruan me hollësi gjendjen e mjerë të klerit katolik në krahinë. Kleriku midis të tjerave cekë edhe marrëveshjen me pesë pika, të nënshkruar midis Perandorisë pushtuese Turke me përfaqësuesin e Principatës së Mirditës pinjollin e denjë të Derës së Gjomarkut – Kapidanin Gjon Marku I-rë. Sipas shumë burimeve arkivore të hulumtuara deri në ditët tona, del se marrëveshja në fjalë ka qendruar në fuqi për afro 3 shekuj, duke respektuar me besnikëri çdo pikë të rëndësishme të saj.

Ndërsa më vonë historiani Freng Poqeville  (albanolog), Konsull i Napoleonit I-rë në Janinë  (1806-1816) përmend për herë të parë, se: “Mirdita në vjetin 1550 ka zgjedhë Dinastin princore në përsonin e Gjon Marku I. . . ”, e cila ka mbërritur 82 vjet mbas vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit.

Historikisht Dera e Gjomarkut, mundi që të trajtojë me mjeshtëri të rrallë gjithçka që ishte me ligjin tradicional të Kanunit, ku siguroi paqen, bashkimin, vëllazërimin dhe nivelin e admirueshëm të mirëkuptimit të popullit të Mirditës. Edhe albanologu tjetër Dometrio Camarda, në veprën e vet të titulluar: “Gramatologia Comparata”  (1866), shkruan se malësorët qendruan të bashkuar përballë pushtimit otoman, duke respektuar gjithnjë Princin e Mirditës me seli në Orosh, duke mos e ulë kurrë Bajrakun dhe Fenë e të parëve. Gjomarkajt kanë qenë shumë të kujdeshëm dhe të përpiktë në të gjitha lidhjet martesore që kanë bërë, duke mos u martuar asnjëherë me tre bajraqet e fisit, që gjithnjë konsideroheshin si vëllezër, si: Orosh, Spaç e Kushne, duke krijuar një Dinasti në pastërtinë e gjakut dhe forcuar e zgjeruar edhe më shumë influencën e prestigjin e saj zëmadh edhe në krahina të tjera të Shqipërisë Veriore.

Mirdita dhe Principata e Derës së Gjomarkut ishte pararoja e qendresës kundër Portës së Lartë Turke asokohe, rrugë në të cilën vijuan edhe Dukagjini dhe Kelmendi në Malësi të Madhe, si një dritë e pashuar në të mirën e të drejtave kombëtare. Ajo ishte e përgatitur për sifida të reja. Dera e Kapidanit të Midritës, kishte një fuqi të fortë ushtarake në përbërje të të cilit bënin pjesë mbi 1500 luftëtarë shumë të zot dhe besnikë të Kanunit dhe Derës që përfaqësonin, duke iu përgjigjur çdo thirrje me armë në dorë. Respektin ndaj Kapidanit e kanë shpreh gjithnjë në kuvende burrash, delegacione shqiptarësh për çështje të ndryshme sociale dhe kombëtare, apo kur ka qenë çeshtja e paris së maleve në Shqipërinë e Veriut. Midis shumë përsonaliteteve që kanë lënë emër të mirë në historinë e popullit shqiptar janë edhe figura të njohura të atdhedashurisë, sikurse është trimi i maleve Dedë Gjo’ Luli etj.

Një shembull klasik i besnikërisë ndaj Principatës së Mirditës – Dera e Gjomarkut – Kapidani, ka mbetur historia e lavdishme dhe e rëndësishme e skalitur në figurën e paharruar të Lleshit të Zi, një pinjoll i përkushtuar i Dinastisë së Derës së Gjomarkut. Trimëria e tij veçohet më së shumti në planin e thekshëm atdhetar. Nga burimet historike dhe përmes veprës së Kapidanit të Mirditës Ndue Gjon Marku me titull: “Mirdita Dera e Gjomarkut, Kanuni”  (New York, 2002), ndër të tjera mësojmë, se ishte koha kur Turqia kërkonte që të dorëzoheshin të gjithë luftëtarët mirditorë, që kishin marrë pjesë aktive më armë në dorë e ndërgjegje atdhetare në Luftën e Kalasë  (Rozafa) së Shkodrës ose në të kundërten do të fillonte ndëshkimin fizik me ekspedita ushtarake në të gjithë krahinën, duke vrarë, djegur shtëpi, sipas zakonit të përhershëm si pushtues në shekuj. Mirëpo Lleshi i Zi falë zgjuarësisë së trashëguar e kuptoi veprimin dinak të çallmave të Bosforit, që nga çasti në çast po i kërcenohej Mirditës, prandaj lajmëroi Stambollin se: “pergjegjjesia ishte e tij, se vetëm ai  (Lleshi i Zi) duhej të dorëzohej, me kusht që Mirdita të mos prekej”.

Nga ana e tjetër Perandoria Otomane, nuk e njihte mirë Lleshin e Zi, emrin dhe burrërinë e madhe të tij. Turqia e befasuar nga trimëria dhe përgjegjësia për të marrë mbi vete të gjithë barrën e rëndë të sakrificës deri në flijim që po bënte Lleshi i Zi, pranoi kushtet, i vuri prangat Lleshit të Zi dhe e plandosi për 9 vjet me radhë në burg dhe surgjerime të njohura të Janinës. E vlerësuar sot pas shumë shekujve, Mirdita i është shumë mirënjohëse përpara historisë birit të saj të flaktë për gjestin e sakrificës që mori përsipër, ku me burrëri të pashoq u vetësakrifikua në emër të gjithë krahinës që e donte si dritën e syve të ballit. Por nga ana e tjetër Zoti i gjithpushtetshëm me mrekullinë e tij e ruajti me përkujdesje Kapidanin e Mirditës dhe dëshminë historike për brezat që do të vijnë si shembull pozitiv.

Pas shumë kalvareve e peripecive që iu desht të kalonte nëpër burgjet e ftohta anadollake, Lleshi i Zi u rikthye nga internimi. Një fatkeqësi kishte pllakosur Derën e Principatës së Gjomarkajve. Vrasja e tre djemve të tij nga nipi i vet  (djali i vëllait), i nxitur drejtpërdrejtë nga djallëzitë e pushtuesve turq përmes politikes “përça e sundo” e ligshtoi në zemër humbja e djemve, por nuk e mposhti urrejtjen ndaj pushtuesve që jo vetëm e surgjinosën, por i futën në shtëpi vrasjen brenda gjakut. Ky akt e lëndoi rëndë Mirditën dhe Lleshin e Zi, të cilin Turqia e liroi nga burgu, për të “pajtuar” gjakrat nga konfliktet e të cilave ishin vrarë 22 vetë vetëm prej dy lagjeve. Kjo mbetet tragjedia më e madhe e gjakmarrjes së kobshme në Derën e Gjomarkut e shkaktuar nga fitilat e pushtuesve turq. Në këtë mënyrë, pushtuesi mundi të jetë më në brëndësi të të gjithë intrigave që gatuante vetë, për të dobësuar dhe çoroditur sa të jetë e mundur Derën më me influencë të Kapidanit të Mirditës në Orosh. Politika e intrigave të kurdisur e luajtur me një skenar të parapërgatitur shumë mirë kishte mundur të depërtonte dhe të shkaktonte plagë të rënda në Derën e Madhe të Principatës në fjalë. Megjithë këtë fatkeqësi, gjatë kohës së sundimit të Lleshit të Zi, ai mundi të rishëronte plagët e thella, zgjeroi dhe shtriu emrin, respektin dhe prestigjin e Derës së Gjomarkut dhe tek njerëzit me influencë në Shqipërinë e Veriut dhe Jugut. I tillë ka qenë Ali Pashë Tepelena.

Në arenën e politikës shqiptare kishin filluar dhe mbajtur gjithnjë të ndezura kryengritjet e njëpasnjëshme antiosmane. Lëvizjet çlirimtare kundër pushtuesve të huaj shumë shekullorë u nxitën dhe përkrahën nga grupi i patriotëve katolikë shkodranë, të cilët e kishin përqendruar të gjithë përkujdesin në krahun e lëvizjes kombëtare të Mirditës dhe përpiqej t’i jepte asaj rëndësi të veçantë politike, përmes synimeve konkrete të paracaktuar për dobësimin dhe gradualisht largimin nga toka arbërore një herë e mirë të pushtuesve barbar turq.

Dera e Gjomarkut, gjithnjë kërkonte që të reflektonte kuptimin politik të kryengritjes së Mirditës dhe në të gjithë Shqipërinë e Veriut, të stimuluar drejtpërdrejtë nga Dera e Gjomarkut. Ata krijuan ITIFAKU-n  (Lidhja e Besës) në verë të vitit 1876, ku u bashkuan në Shën Pal krerët e 12 bajrakve të Mirditës. Më pas këtë shembull pozitiv e ndoqi edhe Puka, Dibra, Krasniqja, Mati etj. Preng Bibë Doda, më 15 qershor 1877, i dërgoi një telegram Kongresit të Berlinit, duke e lajmëruar se Mirdita, kërkon të ruaj Statusin e vet dhe se bajrakët nuk pranojnë kurrëfarë zgjidhjeje tjetër përveç atyre që do të kenë për bazë respektimin e Autonomisë së Mirditës. Një fakt të tillë e përsërisin në një letër të dytë, ku nënshkruajnë krerët e 15 bajrakëve të Mirditës, të cilat shtriheshin prej lumit Mat deri thellë në Kosovë, ku bënin pjesë 11 bajrakë.

Në këto ngjarje historike që kanë përfshirë Derën e Gjomarkut bën pjesë edhe figura e prelatit të lartë të kishës katolike në Orosh Abatit të Mirditës imzot Preng Doçi, i cili gjatë sundimit shpirtëror apostolik në famullitë e tij në Mirditë tregoi pjekuri dhe aftësi për të ruajtur të bashkuar të gjithë besimtarët shqiptarë dhe respektuar gjithnjë Derën e Kapidanit të Mirditës. Abacia e Mirditës përbehej nga 13 famulli, që në qendër të aktivitetit baritor kishte ruajtjen e besimit në fenë e Jezu Krishtit, traditat më të mira të Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe respektimit si përherë të Principatës së Mirditës – Dera e Gjomarkajve – Kapidani. Deri asokohe kishat dhe kleri ishin në gjendje të mjerueshme. Figura e prelatit të lartë Imzot Doçi u rrit edhe më shumë falë respektit që ai gëzonte për Principatën e Derës së Gjomarkajve, që i ndihmuar nga këto të fundit nisi të bëj menjëherë rigjallërimin e ripërtëritjes së traditës fetare në popull, organizimi kishtar, meremetimi dhe rindërtimi i kishave të reja bëri që të sheshoheshin disa mosmarrëveshje të vogla midis klerikëve, lartësoi deri në nivelin e Abacisë dhe krijoi selinë administrative apostolike.

Turqia duke përfituar nga mosha jo e madhe e Kapidanit Gjon Mar Lleshit dhe nga mungesa e përkrahjes së tij asokohe, mundi me dredhi që të penetrojë në Mirditë, ndonëse krahina me luftë rezistoj për të ruajtur Autonominë e saj. Edhe gjatë luftës kundër turqisë në vitet 1872 – 1873 mirditasit u përfshinë në lëvizjet antiturke, ku spikati Llesh Gjoni, si një prijës i pashoq, me virtyte burrërie dhe drejtues i aftë e trim. Ai mbeti i vrarë si trimat dhe shmbulli i tij përmendet me respekt në vendlindje. 3 vjet më vonë më 1876, dhe në vitet që pasojnë 1877, 1878, Mirdita, përsëri ngrihet me armë në dorë kundër Portës së Lartë, duke u bërë arenë e përleshjeve dhe filloi në këtë mënyrë serinë e pandërprerë të luftrave liridashëse të prirë si gjithnjë nga Dera e madhe e Kapidanit brez pas brezi. Nuk ka ngjarje historike të Mirditës ku të mos ndihej prania dhe autoriteti i Derës së Kapidanit, mençuria, aftësia e shkathtësia e zgjidhjeve me pushkë e mend të të gjithë problemeve kundër pushtuesve shumë shekullorë turq.

Në lidhje me “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” të vitit 1878 ka pasur shumë keqinterpretime nga historianët para dhe pas diktaturës komuniste në Shqipëqri dhe në kohën e sundimit të serbve në Kosovë. Për këtë ngjarje është anashkaluar roli dhe kontributi që ka luajtur krahina e mirënjohur e Mirditës dhe qytetarët e nderuar shkodranë. Ndryshe e ka analizuar dhe trajtuar këtë ngjarje Kapidani i Mirditës Ndue Gjon Marku, i mbështetur tërësisht nga burimet historike autentike shqiptare dhe joturke sikurse shpesh është referuar e ashtëquajtura historiografia komuniste në Tiranë e Prishtinë. Duke shfletuar me kujdes librin e juristit dhe Kapidanit të Mirditës Ndue Gjon Marku në veprën e vet, ku, ndër të tjera lexojmë një realitet shumë të vërtetë historik se: “Shqiptarët i shpejtuen kontaktet dhe në fillim të qershorit 1878, gjithë parija e Shqipnis u mblodh në Prizren. Aty u vu Itifaku  (Lidhja e Beses) simbas Kanunit të Lek Dukagjinit dhe krijoi  (lidhjen shqiptare për mbrojtjen e tokave komtare) e që ma vonë u quajt “Lidhja e Prizrenit”. Me 13 qershuer 1878, Lidhja e Prizrenit dergoi nji Memorandum Kongresit të Berlinit me pika të caktueme mbi të drejtat e popullsis shqiptare. Në Shqipni të Veriut moren pjesë edhe katolikët dhe Shkodra u ba qendra e rezistencës prej së cilës doli Komiteti shkodranë i Lidhjes i përbamë prej 12 antarë katolik e 12 musliman. . . Tue marrë parasysh zgjimin kombtar për mbrojtjen e tokave shqiptare prej Malit të Zi, Preng Bibë Doda, pa ngurrim u vu në dispozicion të Lidhjes. Në krye të 10. 000 luftarve, ra në Tuz e aty bani qendren e komandës. Mjerisht gjendja u turbullue me qendrimin antikomtar te Abdullah Drenit i cili, megjithse ishte antar i Lidhjes e aj vetë bestar i Intifakut përbujti Mehmet Ali Pash Maxharrin të cilin Lidhja e konsideronte anmik të Shqipnis. . . ”  (f. 27-28).

Veprimtaria antiturke vijon dhe zgjerohet nga viti në vit. Në fillim të shekullit XX  (viti 1903) tarafi i Gjomarkut si gjithnjë i ripërtërirë nën kryesinë e Kapidanit të Mirditës Marka Gjoni merret shumë me çështjen kombëtare, duke ngritur në këmbë ndërgjegjen atdhetare të mirditorëve. Falë respektit dhe autoritetit që gëzonte prijësi i parisë së Derës së Kapidanit Marka Gjoni Mirditës i bashkangjiten edhe trimat e Pukës, të cilët përmes disa aksioneve antiturke në një mbledhje të përbashkët i dërgojnë një Memorandum Valiut të Shkodrës dhe Konsujve të Fuqive të Mëdha me rezidencë në Shkodër, duke i kërkuar kthimin e Preng Bibë Dodës. Dhe Memorandumin e përpiluar nga Abati i Mirditës imzot Preng Doçi dhe për herë të parë e zbardhë në librin e vet Kapidani Ndue Gjon Marku, që në mbyllje ka këto fjalë: “Sulltani nuk do të njifet kurr Prijsi ynë; flamuri i hanës nuk do të valvitet ma në malet tona, na duem të jemi të lirë, duem qi kombsija e jonë të njifet si kombsija e popujve tjerë. Tash e mbrapa Flamuri ynë do të jetë ai i Gjergj Kastriotit Skanderbegut, i cili ka fillue tue fluturue n’eren e Liris. ”

Është e rëndësishme të dihet nga historiografia shqiptare dje dhe sot, se përveç 6 Prillit 1911, ku trimat e Dedë Gjo’ Lulit përmes një luftë të lavdishme ngritën Flamurin e Gjergj Kastriotit dhe më 28 nëntor 1912 Ismail Bej Qemali në Vlorë ngriti Flamurin kuq e zi, edhe më përpara datave të sipërcituar në Mirditë dhe më saktë në katundin Vinjollë, prej patriotit Ndue Gjoni që është vëllai i Kapidanit Marka Gjonit, më 25 prill 1902 është ngritur Flamuri i Shqipërisë në Ditën e Shën Markut. Memorandumi pati një rëndësi të madhe se për herë të parë tronditi në themel rrënjët e kalbura të Perandorisë së “pathyeshme” turke, e cila mendonte se pas kryengritësve të prirë nga mirditorët e Kapidanit, fshihej Austro-Hungaria.

Edhe ardhja e xhonturqve nuk solli ndonjë ndryshim në strategjinë të ashtëquajtur liberale të turqve të rinj të cilët ishin më fanatik dhe konservator se etërit e tyre. Ata nuk morën asnjë hap për të qetësuar zemërimin e banorëve të Mirditës të udhëhequr nga Marka Gjoni, kërkonin lirimin pa asnjë kusht të prijësit të tyre Preng Bibë Dodës. Në situatën e re të krijuar dhe pasi filloi t’i çjerret maska xhonturqve të rinj që erdhën në pushtet, për të treguar se janë “liberalë” u detyruan të lirojnë Preng Bibë Dodën, i cili u prit në qytetin bregdetar të Shën Gjinit me një pritje shumë të madhe nga popullsia e Mirditës, Këthellës, Malësisë së Lezhës dhe Zadrimës.  (fq. 39). Ardhja e Preng Bibë Dodës në vendlindje solli një ripërtëritje të re të krahinës dhe rriti edhe më shumë moralin dhe shtrëngimin e radhëve rreth Derës së Kapidanit të Mirditës. Ky përsonalitet ndërmori një sërë masash të domosdoshme, falë eksperincës politike, kulturore dhe frymës së shëndoshë fetare e atdhetare që kishte gëzuar nga të parët e tij të Principatës së Derës së Gjomarkut – Kapidani.

Edhe vitet 1910 – 1911 janë vite të mbarsura me ngjarje dhe episode interesante historike që në mënyrë të një anshme dhe me shumë tendenciozitet janë trajtuar pa asnjë frymë reale historike nga studiuesit e vjetër dhe për fat të keq edhe ndonjë i ri i painformuar dhe i paliruar nga kompleksiteti i historiografisë së kaluar që ka marrë si bazë “faktet” historike. Më së miri “historianëve” u jep përgjigje Kapidani i Mirditës Ndue Gjon Marku kur thotë se: “Kush thotë se Dedë Gjo’Lulin e kan pre Kapidani i Mirditës e Mirdita, aj asht anti kombtar, komunist e malazias me qëllim me mbajtë gjallë shkëndin e dasisë në mes Mirditës e Malsisë, me cenue nderin e prestigjin e Kapidanit të Mirditës e me ligshtue krahinën katolike ma të fortën e Shqipnis. Ket pohim temin e përforcon fakti se ata që përgatisin përkujtimin e Dedë Gjo’ Lulit ftojnë historiqenin e rastit nji ndër ma të korruptuemin komunist të Enver Hoxhës, me qëllim me përforcue tezën e tyne përkundrejt Kapidanit të Mirditës e, ky asht Pal Doçi. vëllau i famkeqit Mhill Doçi, i cili ka ngarkue vedit e shpis vet 14 gjaqe pse, në Qafë Valmerit, mu bash aty ku asht vra komunisti Bardhok Biba, Mehmet Shehu ka ekzekutue për hakmarrje të Bardhok Bibës 14 burra të pafajshëm. . . ”  (f. 43).

“Dera e Gjomarkut në kohët e vonshme”, përbën pjesën tjetër interesante të librit të shkruar nga Kapidani i Mirditës Ndue Gjon Marku. Periudha më e zezë dhe më e rëndë që ka kaluar Dera e Gjomarkut është ajo e komunizmit, ku liritë dhe të drejtat e njeriut nuk kishin asnjë vlerë përballë bishës së egër të hurit dhe litarit me të cilën sundoi për 50 vjet sistemi komunist i diktatorit antishqiptar Enver Hoxha. Mirditës e Derës së Kapidanit i vëhet nofka “qendër e reaksionit”, “trathtarë”, “agjentë të CIA-s, Vatikanit” etj. , fjalë të denja vetëm për hartuesit e kuzhinës së sistemit që i lindi dhe i rriti shërbetorët servilë të komunizmit.

Dr. Mark Gjomarku, është një ndër përfaqësuesit më të denjë të Derës së Kapidanit të Mirditës, që iu kundërvu me armë në dorë me bashkëluftëtarët e tjerë antikomunistë regjimit të Enver Hoxhës. Ai dallohej për cilësi të spikatura në fushën politike, duke qenë Ministër i Punëve të Brendshëm në kohën kur Kryeministër ishte z. Mustafa Kruja gjatë vitit 1942-1943, e pas tij mbajti të njëjtën detyrë. Më 10 qershor 1944 Dr. Mark Gjomarku i dërgon një letër të vëllaut të vet Ndue Gjomarku, që ndodhej asokohe në Shkodër në lidhje me dhunën që po përdorin komunistët, duke i bërë thirrje që të bashkojë mirditorët në luftë kundër komunistëve. Ai ndër të tjera i shkruan: “Ndue, që me sot fillon kthesa e re politike, jo vetëm për vendin tonë  (Mirditën) por për tanë Shqipnin. Fuqija përdhunuese komuniste na kërcenon. Ajo poshtëron, dhunon, njollosë gjithçka të shejtë që ka shqiptari: ndjenjat e njeriut të thjeshtë, emrin e tij, vetitë e tija, virtytet e pastra morale, familjen, besën, burrërinë e Zotin e Madh nuk e njeh për Zot e, ne s’na mbetet tjetër veçse me e kundërshtue me ato fuqina që kemi në dispozicjon. Del në Mirditë i pari e filloja rezistencës. Në ty, sot mbështetet fillimi i luftës për liri e ardhmeni. Tu priftë e mbara!”  (f. 66).

Dhe Ndue Gjomarku shkon në Mirditë dhe jep kushtrimin për rrezikun që e pret krahinën nga të pafetë, që do të rrënojnë çdo gjë shqiptare. Menjëherë trimat rrokin armët dhe marrin malet për t’u organizuar. Edhe partitë nacionaliste si Balli Kombëtar dhe Legaliteti i bashkohen thirrjes së atdhetarëve që në bashkëpunim me Kapidanin e Mirditës. Shqipëria e Veriut me në krye Mirditën e njohur për sa e sa luftra kundër pushtuesve turq zgjohet dhe është e gatshme për të flijuar jetën për idealet e pastra shqiptare dhe lirinë nga pushtuesit e rinj komunist, që po vinin në pushtet përmes një ideologjie mashtruese, duke i hedhur “trutë e gomarit” naivëve të rinj. Nga ana e tjetër Princi i Derës së Gjomarkut Kapidani i Mirditës Dr. Mark Gjomarku i bindur në besimin e tyre u mbështetë në vendosmërinë e luftarëve besnikë, që ishin gati me shpirtin e sakrificës për të bërë gjithçka, për Kapidanin e tyne, nuk ngurroi që të fillojë aktivitetin politik e ushtarak  (luftarak) kundër regjimit komunist që kishte filluar të shkallmojë në themel ndërtesën kombëtare  (f. 72). Libri i shkruar nga Kapidani i Mirditës Ndue Gjon Marku, mbetet një vepër e rëndësishme në ndriçimin e historisë së Mirditës, krahinë me një rrugë të lavdishme në historinë e popullit shqiptar. Kjo krenari e respekt për këtë popull është shprehur në të gjithë faqet e librit jetëshkrimor të autorit shumë të mirënjohur në Shqipëri dhe ShBA, përsonalitetit dhe burrit me besë e mençuri, urti e traditë të hershme të Principatës së Mirditës – Dera e Gjomarkut, një pinjoll i së cilës Kapidani Ndue Gjon Marku mbeti deri në ditët tona. Autori me një shpirt fisniku dhe gjuhë të pastër shqipe të mësuar në trojet e të parëve në Orosh, ndonëse ka kaluar 92 vite mbi supe, ai është i freskët dhe krenar për historinë e popullit të Mirditës gjatë shekujve të historisë dhe me një modesti të trashëguar nga Dera e Gjomarkut autori thotë se i lashë popullit tim, vendit tim dhe të parëve të mi këtë vepër, nëpër të cilën kaloi Dera e Kapidanit, duke gdhendur thellë në kujtesën popullore historinë e vërtetë pa pasione e emocione politike, por me gjuhën e fakteve historike, sikurse dëshmon historia e vërtet .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *