HISTORIA

Lufta pa Maska

HOMAZH I USHTARIT

Para varrit të dëshmorit të kombit!
Para fëmijës së palindur!
Para nënës shtatzënë!
Para rinisë!
Para prindërve dhe gjyshërve!
Para Jush, që thyet Robërinë!
Para Jush, luftëtarë!
Para Jush, Komandantë!
Përkulem, unë biri i Juaj!
Ju, roje e përjetshme e Atdheut!
Përkulem, unë biri i Juaj

Gani Geci

DRENICË 1991 – 1999

PARATHËNJE

Shqiptarët, si popull dhe si komb, gjatë gjithë historisë së tyre të gjatë, u kacafytën me rreziqe të mëdha. Përjetuan rënie dhe ngritje, suksese dhe dështime. Qenë shumëherë në buzë të greminës, gati për t’u zhdukur nga faqja e dheut nga çakajtë e gadishullit, të ndihmuar nga ujqërit euro-aziatikë. Vetëm mëshira dhe ndihma e të madhit Zot e shpëtoi këtë popull të lashtë dhe fisnik nga më e keqja, duke krijuar kushtet dhe rrethanat për ndërhyrje të fuqive më të mëdha botërore në hapësirën ballkanike në momentet më kritike, kur shqiptarëve u kanosej vet qenja e tyre kombëtare.

Shkatërrimi i Perandorisë Bizantine nga Perandoria Osmane ndali procesin e asimilimit të shqiptarëve, që bëhej me mjete të dhunës nga kisha serbe dhe ajo greke. Shkatërrimi i Perandorisë Serbo-Kroato-Sllovene nga Gjermania, e pamundësoi realizimin e marrëveshjes mes Turqisë dhe Mbretërisë SKS për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Dhe së fundi, intervenimi i NATO-së në Kosovë, serbëve ua dogji planet dhe skenarët që kishin thurur për pastrimin etnik të Kosovës dhe solli çlirimin e saj nga kthetrat serbe.

Fatkeqësisht, në të gjitha periudhat e rëndësishme historike kur vendosej për fatet e shqiptarëve dhe të trojeve të tyre, nga radha e parisë shqiptare dilnin individë e grupe individësh, të cilët, me veprimet e tyre, dëmtonin rëndë interesat kombëtare të shqiptarëve dhe ndihmonin synimet e armiqve tanë. Individë të tillë kishte në udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit, në Udhëheqjen e Kryengritjeve të mëdha të Kosovës të vitit 1908-12, në periudhën e krijimit dhe të konsolidimit të Shtetit Shqiptar në atë gjysmë Shqipërinë e cunguar. Me krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë nga Popoviçët dhe Mugoshët dhe vasalët e tyre shqipfolës, linja antikombëtare tek shqiptarët bëhet legale.

Pasojat dihen, anulimi i Marrëveshjes së Mukjes nga Milladin Popoviçi e Enver Hoxha, vrasja me tradhëti e nacionalistëve shqiptarë, Vrasja pas shpine e komandantëve ushtarakë dhe atdhetarëve trima partizanë, që nuk pranonin diktatin serbo-jugosllav. Bëhet Masakra e Tivarit. Shtypet me gjak kryengritja e Drenicës e udhëhequr nga Shaban Polluzha dhe ajo e Ana Moravës e udhëhequr nga Mulla Idriz Gjilani. Të njejtin fat e përjeton edhe kryengritja e Postribës në Shkodër.

Kosova mbetet nën sundimin e Serbisë e të Jugosllavisë. Shqipëria bëhet “kopësht i socializmit”, “shteti ateist i vetëm në botë”, krijohet “njeriu i ri socialist” ndërsa sigurimi i shtetit shqiptar, i formuar nga OZN-a Jugosllave, bëhet “arma e partisë” për ekzekutimin pa gjygj të kundërshtarëve politikë të pushtetmbajtësëve stalinistë të Shqipërisë. Shqiptarëve në të dy anët e kufirit u shkonte thika në asht. Në Kosovë shqiptarët nuk u pajtuan me pushtetin e shkijeve, as në Shqipëri me regjimin e veglës së shkijeve.

Në këtë parathënie nuk është vendi të bëhet historiku i plotë i rezistencës së kombit shqiptar në këtë gjysmë shekulli. Veç kur procesi i përgjakshëm i shpërbërjes së Jugosllavisë, në fillim të dekadës së fundit të shekullit të 20-të, u bë i pandalshëm, homogjenizimi kriminal i serbëve solli homogjenizimin e natyrshëm të shqiptarëve. Në Kosovë u bë pajtimi i familjeve të gjakësuara. U formua LDK-ja dhe parti tjera më të vogla. Lëvizja kombëtare e shqiptarëve të robëruar nga serbo-jugosllavët bëri një hop shumë cilësor përpara, duke kaluar nga ilegaliteti i thellë në legalitet të plotë.

U mbajtën zgjedhjet Parlamentare dhe Presidenciale të pavarura prej Beogradit. Parlamenti i Kosovës shpalli Deklaratën Kushtetuese. U aprovua Kushtetuta e Kaçanikut. Formohen institucionet e para shtetërore të Republikës së Kosovës. Shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre nën Maqedoni e shpallën Iliridën, ndërsa shqiptarët e Kosovës Lindore bënë referendumin për bashkim me Kosovën. Në Drenicë, Llap dhe Dukagjin u formuan bërthamat e para të UÇK-së, që drejtoheshin nga Adem e Hamëz Jashari, Salih Çeku dhe Zahir Pajaziti me bashkëveprimtarët e tyre.

Udhëheqja e Republikës së Kosovës dhe udhëheqjet e subjekteve politike shqiptare treguan vetëdije të lartë politike, kur botërisht shpallën se me mjete paqësore do t’i realizojnë synimet politike dhe kombëtare, qëllimi i të cilëve ishte ta shtynin për një kohë betejen përfundimtare me shkiet (pasi që ne nuk kemi qenë të përgatitur për t’i bërë ballë makinerisë ushtarake të Jugosllavisë), duke shpresuar se kundërthëniet që ishin thelluar në mes serbëve në njërën anë, kroatëve dhe sllovenëve në anën tjetër, do të sillnin momentin e volitshëm kur shqiptarët do të këpusnin përfundimisht prangat e robërisë.

Ky veprim i parisë shqiptare i vuri në pozitë të palakmueshme serbët, pasi që nuk kishin kurrfarë shkaku të drejtepërdrejtë për të intervenuar ushtarakisht kundër Kosovës. Shovinizmi sërb, edhe pse ishte përgatitur të shfryhej mbi shqiptarët, u detyrua të ndërrojë drejtim. Pasi humbën tri luftëra, serbët dhe aleatët e tyre, grekët, realizuan veç një fitore, atë të mbështetjes së komunistëve të Shqipërisë, në vitin 1997, me anë të së cilës rrëzuan demokracinë e brishtë.

Beteja e dytë që përgatitej nga serbët dhe grekët kundër shqiptarëve kishte për qëllim zhdukjen e faktorit shqiptar nga gadishulli Ilirik. Me skenarët, planet dhe marrëveshtjet serbo-greke Kosova duhej të bëhej tokë serbe me tapitë e një konference ndërkombëtare.

Shqipëria do t’i mbetej livadh i butë Greqisë, ndërsa shqiptarët e robëruar do të bëheheshin material ndërtimor për fuqizimin e shteteve dhe popujve të tyre. Për realizimin e këtij plani u vunë në dispozicion edhe spiunët dhe vasalët e serbo-grekëve me në krye Nanosin dhe Qosjen. Siç dihet, Nanosi u dha detyra konkrete pararojës staliniste të LPK-së për t’i përvetësuar njësitë guerile që vepronin në Kosovë e që paraqisnin rrezik për Serbinë dhe Greqinë, po qe se riorganizoheshin dhe bëheshin Ushtri Kombëtare të Republikës së Kosovës, ndërsa Qosja dhe Hyseni nga Nanosi morën për detyrë që të shkatërronin me themel LDK-në.

Fatkeqësisht, pararoja staliniste e LPK-së arriti sukses të plotë në sajë të ndihmës së pakursyer të Qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit Bujar Bukoshit, i cili hyri në aleancë të fshehtë me Rexhep Qosjen dhe Ibrahim Kelmendin në momentet më të vështira të Kosovës, kur Serbia bënte përgatitjet ushtarake dhe diplomatike për ta zgjdhur çështjen e Kosovës siç e donin interesat e saj. Pararoja staliniste e LPK-së, duke qenë në dijeni për gjendjen e vështirë financiare të njësive guerile që vepronin në Kosovë, vuri kontakte me udhëheqësit e tyre duke u premtuar mjete të nevojshme ushtarake dhe financiare. Njësitë guerile, që komandoheshin nga Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti kishin nevoja të mëdha për mjete ushtarake.

Pasi Qeveria e Bukoshit qe e shurdhët ndaj kërkesave të tyre, ata u detyruan të pranojnë bashkëpunimin me përfaqësuesit e LPK-së, edhe pse ndihmat, këta i kushtëzonin duke kërkuar që njerëzit e tyre të jenë përgjegjës për mjetet financiare dhe ushtarake. Kur Zahir Pajaziti dhe Adem Jashari pranuan takimet me përfaqësuesit e LPK-së, ata pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre luajtën rolin e “ndrikullës”, njësitë e tyre u pagëzuan UÇK, ndërsa ata që kurrë nuk kishin luftuar e shpallën veten “Shtab Qendror” dhe dolën në opinion me komunikata se “ekziston UÇK-ja dhe Shtabi Qendror i saj”.

Meqënëse Adem e Hamëz Jashari dhe Zahir Pajaziti u bënë vërejtje serioze argatëve të Xhavit Halitit se “vendimet për çdo gjë duhet t’i marrin ata që po luftojnë në Kosovë e jo zotëritë e LPK-së nga Perëndimi”, pararoja staliniste e LPK-së përgatit planin për t’i larguar nga njësitë e tyre këto figura emblematike të rezistencës së armatosur, për në Evropën Perendimore, me arsyetimin se “janë të rrezikuar nga policia serbe”.

Me kundërshtimin e tyre të prerë se “kurrësesi nuk do ta lëshojmë Kosovën” prishet plani i parë i pehlivanave të Nanosit për përvetësimin e njësive guerile që vepronin në Kosovë. Atëherë paraqesin planin tjetër, shumë më të poshtër: Nait Hasanin dhe ca studentë i dekonspiruan në policinë serbe me qëllim që nëpërmjet tyre të dekonspirohet edhe Zahir Pajaziti.

Edhepse argatët e Xhavit Halitit dinin për burgosjen e Nait Hasanit, ata e mbanin të fshehtë burgosjen e tij, me qëllim që Zahir Pajaziti të bie në kurthën e policisë serbe pasi që e dinin se ai ishte duke e ngarë veturën e Naitit. Ishte 31 janari i vitit 1997, kur Zahir Pajaziti kishte pasur një takim në Vushtrri. Në rrugë e sipër afër ushtrisë, bie në pritën e policisë serbe Zahir Pajaziti së bashku me bashkëveprimtarët e tij Haki Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën. Siç dihet pas një qëndrese heroike të tretë ranë në fushën e nderit.

Ishte në radhë Drenica, epiqendra e kryengritjeve shqiptare, e cila, siç dihet, luajti rol me rëndësi në të gjitha periudhat e rëndësishme të historisë sonë kombëtare për ruajtjen e qenjes shqiptare. Mu për atë, Drenica ishte gjithmonë në shënjestër të Serbisë, se ajo lindi burra të penës dhe të pushkës, rriti udhëheqës ushtarakë e burra shteti, pleqnarë, dijetarë dhe trima në zë.

Lufta e Kosovës pa Milosh Kopiliqin nuk do të bëhej ngjarje e rëndësishme botërore. Kryengritjet e Kosovës të vitit 1908/12 pa Hasan Prishtinën dhe drenicasit e tij nuk do të bëheshin aq të mëdha dhe aq të fuqishme, luftëra që sollën lindjen e shtetit shqiptar. Lufta e kaçakëve pa Azem Bejtën dhe Shote Galicën nuk do të arrinte të bëhej lëvizje kombëtare kundër robërisë serbo-sllave me synime të qarta të çlirimit dhe bashkimit kombtar.

Trashëgimia jonë kulturore nuk do të ishte aq e pasur pa odat dhe pleqnarët e saj. Besa, mikëpritja, trimëria dhe krenaria shqiptare askund nuk është ruajtur më mirë se sa në Drenicën kryengritëse të Hasan Prishtinës e të Ahmet Delisë, të Azem Bejtës dhe Shote Galicës. Në asnjë pjesë të truallit shqiptar nuk është derdhur më tepër gjak për shqiptari se sa në Drenicën e Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës e të Bajraktarit të Llaushës. Ku është ruajtur i ndezur zjarri i rezistencës sonë kombëtare kundër robërisë serbo-slave më mirë se sa në Drenicën shpresëdhënëse të Fazli Grajçefcit, Tahir Mehës, Shaban Murat Jasharit dhe të bijve të tij Rifatit, Hamzës dhe Ademit, që u treguan shqiptarëve se si luftohet shkau dhe si fitohet liria.

Sigurimi i fshehtë serb ishte në dijeni për veprimtarinë ushtarake të Adem e Hamëz Jasharit dhe njësive të tyre guerile që vepronin në Kosovë, sepse në njësitë e tyre, ishte futur me kohë, me detyra të posaçme, Rexhep Selimi, një argat i shkathët i LPK-së i cili merrte urdhëra dhe detyra nga Xhavit Haliti, Hashim Thaçi dhe të tjerë.

Rexhep Selimi, kjo dhelpër e shkathët e pararojës staliniste të LPK-së ishte i ngarkuar të kryente shumë detyra, por njëra ndër më kryesoret, ishte të bënte përçarjen në mes Adem Jasharit që ishte komandant i njësive guerile që vepronin në Drenicë dhe udhëheqësve ushtarakë të njësive guerile, që ishin nën komandën e tij. Sigurimi i Shqipërisë dhe UDB-ja jugosllave i kishin përfaqësuesit e tyre në udhëheqjen e ngushtë të LPK-së, prandaj edhe Nanosi, që ishte vënë në krye të Qeverisë së Shqipërisë nga bandat greke, stalinistët, rrugaçët e hajnat shqiptarë, e kishte të qartë se kush është më i përshtatshëmi për t’i kryer urdhërat e tij.

Ai i dinte aftësitë e Rexhep Qosjes dhe Hydajet Hysenit si përçarës dhe mjeshtra intrigash. Argatët e Nanos e shpallën Drenicën “të çliruar” dhe kështu e ndihmuan propagandën dhe diplomacinë serbe për ta sulmuar familjen e Shaban Murat Jasharit, që ishte halë në sytë e okupatorit. Ademi dhe Hamza i kuptuan lojërat e ndyra që luheshin në dëm të Kosovës dhe të familjes së tyre, kur morën përgjigje negative nga udhëheqja e LPK-së por edhe nga Bujar Bukoshi e Xhafer Shatri lidhur me plotësimin e kërkesave të tyre për mbështetje finaciare për blerjen e armatimit të porositur për një mijë ushtarë. Vëllai i tyre Rifati, që punonte në Gjermani bëri ç’mos t’ua siguronte mjetet e duhura për blerjen e armatimit ushtarak, por pa sukses.

Pas kësaj tradhtie të rëndë nuk vonoi shumë u rrethua kulla e Shaban Murat Jasharit nga hordhitë serbe dhe për tri ditë rresht Mixha Shaban, Hamza, Ademi, me të gjithë anëtarët e familjes të aftë për ta mbajtur pushkën si dhe daja i tyre Osman Geci, qëndruan trimërisht, deri sa patën municion. Skenari serb i ndihmuar nga pararoja staliniste e LPK-së dhe i ndihmuar nga Qeveria e Bukoshit përfundoi me një tragjedi të rëndë kombëtare dhe familjare, por ata ia arritën qëllimit: Familja Jashari u eleminua, një pengesë e madhe në marshin e tyre të turpshëm drejt uzurpimit të Kosovës.

Me zhdukjen fizike të Hamëz dhe Adem Jasharit dhe dajës së tyre Osmanit, pehlivanat e Nanos përfundimisht përvetësuan UÇK-në, përvetësuan mundin dhe luftën 8-vjeçare të njësive guerile që komandoheshin nga Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Salih Çeku. Deri sa serbët bënin masakra në popullsinë e Drenicës, argatët e Nanos prishën marrëveshjen e arritur në mes Adem Demaçit, që përfaqësonte UÇK-në dhe Kolonel Ahmet Krasniqit, që përfaqësonte Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, për bashkimin e këtyre subjekteve ushtarake në një të vetme, që do të quhej FARK – Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës.

Këta djaj të Nanos nuk lejuan të forcohet UÇK-ja me mjete moderne luftarake dhe as të plotësohej me kuadro të afta ushtarake. Pasojat dihen. Popullsia e paarmatosur u masakrua, shqiptarët u përzunë nga Kosova për në Shqipëri dhe Maqedoni ndërsa “Gjarprinjtë”, “Hardhucat”, “Dhelprat”, “Ujqërit” dhe “Lepurushët” u strehuan nëpër hotelet e Tiranës.

Me ndihmën e të Madhit Zot, Amerika me aleatët e saj i asgjesoi planet dhe skenarët e Serbisë, Greqisë, Rusisë dhe të Nanos me kompani, duke e detyruar Serbinë të kapitullojë, t’i largojë forcat e krimit dhe të gjenocidit nga Kosova. Kosova u çlirua, shqiptarët i prenë prangat e robërisë, dhe opinioni ynë e kuptoi saktësisht se kush luftoi për çlirimin e Kosovës, kush punoi për të fituar pushtet mbi shqiptarët dhe kush luftoi për përfitime materiale.

Tani për shumicën dërrmuese të popullsisë së Kosovës është bërë e qartë se shkijet, pa ndihmën e drejtpërdrejtë të pehlivanave të Nanos dhe pa ndihmën tërthorazi të shumë “patriotëve’’, ’’veprimtarëve’’ dhe partiakëve të shtirë të subjekteve politike të Kosovës, nuk do të arrinin t’i sillnin Kosovës aq shumë humbje njerëzore dhe aq shumë dëme materiale.

Shumë fakte dëshmojnë se krime në Kosovë nuk kanë bërë vetëm serbët, por kanë bërë edhe pehlivanat dhe argatët e Nanos. Një pjesë e tyre janë të pazbuluara për opinionin shqiptarë për shkak se drejtësia shqiptare në këto momente nuk është në gjendje t’i arrestojë kriminelët, t’i gjykojë dhe t’u japë dënimin e merituar. Shumë kryefamiljarë, gra të veja, vajza dhe gra të dhunuara do të dëshmojnë një ditë për krimet e argatëve të Nanos, ndërsa këta do të tregojnë se kush i udhëzoi dhe urdhëroi prej rangjeve të larta të LPK-së e LBDK-së, t’i bëjnë ato krime!

Gani Geci2. Libri i Gani Gecit: “Lufta pa maska” pasqyron në mënyrën më besnike ngjarjet që u zhvilluan në Drenicë në periudhën 1990-1999. Ai flet për ato ngjarje që aq shumë ndikuan në rrjedhat e përgjithshme të historisë sonë më të re, siç janë: Formimi i njësive guerile nga Adem Jashari dhe aksionet e armatosura të njësive që i komandonte ai, qëndresa heroike e Familjes së Shaban Murat Jasharit, përvetësimi i njësive guerile nga pehlivanat e Nanos dhe keqpërdorimet që i bënë ata në emër të UÇK-së etj. Gani Geci dëshmon për ato ngjarje që i ka përjetuar vetë, për ato ngjarje që ishin sa tragjike po aq edhe heroike. Në librin e tij gjenden përgjigje të sakta rreth shumë ngjarjeve, për të cilat opinioni ynë ka ditur fare pak, apo nuk ka ditur fare.

Ai, me fakte të pamohueshme, dëshmon edhe për një luftë të ashpër që u zhvillua në Drenicë, siç u zhvillua edhe në pjesët tjera të Kosovës, në mes linjës kombëtare që në Drenicë përfaqësohej nga shtatë vëllezërit Geci, shokët dhe bashkëveprimtarët e tyre, që të vetmin synim kishin çlirimin e Kosovës dhe të vetmin armik kishin shkaun, dhe linjës antikombëtare që përfaqësohej nga argatët e argatëve të Nanos në krye me Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Sabit Gecin etj., që synim kishin marrjen e pushtetit me çdo mënyrë dhe armik kryesor kishin LDK-në dhe aktivistët e saj, Kryetarin e Republikës së Kosovës zotëri Ibrahim Rugovën, dhe veprimtarët që i njihnin institicionet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Kemi pra një dëshmi jo të një vëzhguesi që i ka vëzhguar ngjarjet nga larg, por një dëshmi të një luftëtari, të bashkëluftëtarit të Adem e Hamëz Jasharit, i cili për dhjetë vite me radhë luftoi me armë në dorë kundër robërisë serbo-jugosllave. Ai ishte ndër luftëtarët e parë të njësisë së parë guerile që e formoi Adem Jashari në Llaushë.

Gani Geci ishte njëri ndër tre luftëtarët, që kryen aksionin e parë luftarak kundër policisë serbe me urdhrin e Komandantit legjendar Adem Jasharit. Është pra njeriu më i informuar për të gjitha ngjarjet që u zhvilluan në Drenicë duke përfshirë edhe ngjarjet që kanë të bëjnë me tri rrethimet e Kullës së Shaban Murat Jasharit dhe qëndresën e djemëve, nipave dhe mbesave të tij për ta mbrojtur pragun e shtëpisë, nderin e familjes, për ta mbrojtur Drenicën, Kosovën, Shqiptarinë dhe Krenarinë Kombëtare.

Pjesëmarrja e shtatë vëllezërve Geci në UÇK, dhe kontributi i tyre në luftën për çlirim, duke vënë në shërbim të saj shtëpitë, lokalet afariste, pasurinë dhe jetërat e tyre, bënë pjesë në traditën luftarake dhe liridashëse të familjes së Bajraktarit të Llaushës, që ata i përkasin. Siç dihet kjo familje Drenicës dhe kombit i ka dhënë burra të shquar si udhëheqës ushtarakë, dijetarë dhe luftëtarë të çështjes kombëtare.

Veçmas, angazhimi me përkushtim i Halilit, Fadilit, Haxhiut dhe Ganiut në rrjedhat kryesore të ngjarjeve të Lëvizjes tonë kombëtare të dhjetvjetshit të fundit të shekullit XX është një nderë për gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre: Adem Bajraktarin, Zeqir Kurt Bajraktarin, Miftar Bajraktarin, Halil Bajraktarin dhe Rexhep Bajraktarin, të cilët ranë në fushën e nderit duke luftuar me hordhitë serbe për t’i mbrojtur tokat shqiptare të Sanxhakut të Nishit, të Toplicës, të Tregut të Ri me Peshterin dhe të Drenicës.

Vetëm luftëtarët trima, me një traditë shekullore të atdhedashurisë, me ndjenjen e theksuar të drejtësisë, siç qenë shtatë vëllezërit Geci, të ndihmuar nga shokët dhe bashkëveprimtarët e tyre, mund ta përballonin një luftë të pabarabartë, një luftë me shkijet që i kishin përballë, dhe një luftë tinzare me gënjeshtra dhe plot shpifje që u vinte pas shpine, nga argatët e argatëve të Nanos.

Me siguri që ky libër do të jetë një bazë e vlefshme për historianët dhe studiuesit e lëmive të ndryshme për të dhënë një vlerësim të saktë dhe shkencor për luftën e fundit serbo-shqiptare, për UÇK-në, për subjektet dhe individët në zë, që e penguan apo ndihmuan çlirimin e Kosovës. Nga ana tjetër, sinqeriteti i rrëfimit, përshkrimi gati filmik edhe i detajeve më të imta, intensiteti i emocioneve, humori dhe rrjedhshmëria, e bëjnë këtë libër një vepër të dashur për lexuesin, një vëllim të domosdoshëm.

Gani Geci, me këtë libër, njëherësh, i bën një shërbim shumë të vyeshëm të vërtetës së luftës së njëmendtë, përkundër “luftës” së salloneve e të tabloideve, luftës së brrylave dhe eliminimeve të turpëshme brendashqiptare. Në fund të fundit ky libër për luftën, i kontribon jashtëzakonisht shumë edhe paqes, paqes, e cila nuk mund të ndërtohet mbi themele dhe heronj të rrejshëm.

3. Disa fragmente të këtij libri janë botuar më parë në të përditshmen kombëtare “Bota Sot”. Është ky një rast i mirë për të falenderuar drejtorin Xhevdet Mazrekaj dhe stafin redaktues të kësaj gazete, por njëherësh për të shpjeguar se libri ka disa ndryshime, edhe pse shumë të vogla, qartësime, shkurtime madje edhe shtesa.

Disa tituj dhe nëntituj kanë ndryshuar, por pa prekur përmbajtjen e librit. Kjo gjë është bërë e domosdoshme nga vërejtjet dashamirëse të lexuesve, nga kritikat racionale dhe nga faktet e reja, me të cilat autori është ballafaquar në ndërkohë. Në fund të fundit ky është një libër i hapur, i cili mund të përmirësohet në çdo ribotim, siç ndodh me të gjithë librat, autorët e të cilëve ndjejnë përgjegjësi për lexuesit e tyre të respektuar.

Shefqet Jashari-Strofci
Zvicër, janar 2001

NJË LIBËR I NDERSHËM DHE I PAMËSHIRSHËM

Në librin “Lufta pa Maska” lexuesi gjen të ndërthurura me natyrshmërinë më të thellë kurajon e ushtarit të atdheut dhe përgjegjësinë e njeriut që do të dëshmojë për të vërtetën. Si njëra si tjetra janë të rëndësishme për luftën dhe për paqen. Gani Geci ka përdorur vetëm dy dimensione të karakterit të tij për ta bërë këtë libër të dashur dhe të vyeshëm për lexuesin: trimërinë dhe sinqeritetin.

“Lufta pa Maska” është libër unik nga kjo pikpamje ndaj edhe i domosdoshëm, është një libër i pamëshirshëm, e sot, plagët e shumta të atdheut tonë nuk kërkojnë as mëshirë as hipokrizi!
Arbër Ahmetaj

DISA PREJ HERONJVE KRYESORË TË KËTIJ LIBRI

Mos t’a lëmë malin me dushk,
Të na ndryshkë allti e pushk’.

– Fjalë të shkruara në murin e kullës legjendare –

BURRAT E MËDHENJ TË PREKAZIT, DRENICËS DHE GJITHË KOSOVËS

Për të njohur Adem Jasharin, duhet të njihemi së pari me Rifatin, Hamzën dhe Mixhën Shaban.

Adem JashariMixha Shaban ka qenë një burrë i rrallë, me virtyte të larta dhe i dalluar në trevën e Drenicës. Ai shquhej si njeri i mençur e mendjehollë. Atij i drejtoheshin të gjithë me lloj-lloj problemesh; me të janë konsultuar edhe për pleqëri të ndryshme. Mixha Shaban Jashari, ka qenë një burrë të cilit i ka zënë vend fjala në çdo odë, por ai ka qenë edhe shumë i vetëdijshëm për rreziqet me të cilat përballej familja e tij.
Mixha Shaban pati tre djem: Rifatin, Hamzën dhe Ademin, nipa të Osman Gecit nga Llausha.

Rifati është djali i madh i Mixhës Shaban, i cili tërë qenien e tij ia ka kushtuar familjes. Ai prej vitesh qëndroi në Gjermani i punësuar përkohësisht dhe përmes punës së tij, familja e Mixhës Shaban kishte arritur një standard mesatar të jetës. Së bashku e kanë ndërtuar shtëpinë e madhe të familjes dhe Kullën për mysafir, që quhej «Kulla e Shaban Murat Jasharit», e cila më vonë u bë e njohur si «kulla e trimit dhe Komandantit legjendar – Adem Jasharit».

Hamëz Jashari ishte djali i dytë i Mixhës Shaban dhe njohës i mirë i rrethanave politike dhe ushtarake në anët tona. Ai ka qenë politikisht një ndër njerëzit më të ngritur, mund të themi lirisht edhe në gjithë komunën e Skënderajt.

Hamza ka ndejtur gjithnjë në odë. Aty i ka shkuar i gjithë shtypi, dhe ka qenë gjithnjë i informuar mirë deri në detaje, nga radio si Europa e Lirë, Deutsche Welle, Zëri i Amerikës, apo edhe nga çdo burim tjetër lajmesh, ngado që të gjendej. Kishte cilësi të intelektualit të matur. Hamza ka punuar shumë vite në Fabrikën e Municionit në Skënderaj. Prej vitit 1981 e tutje, ai ishte munduar që gjithherë t’u tregonte gjeneratave të reja se për Kosovën nuk duhej kursyer as jeta. Policia serbe e arreston dhe e liron Hamzën disa herë, duke u munduar që ta shuajë aktivitetin e tij politik (Hamza është arrestuar dy-tri herë në fillim të vitit 1991).

Ademi është i biri i Mixhës Shaban Jashari, djali më i ri i tij, i lindur më 28 nëntor të vitit 1955. Ai edhe si i ri, është munduar që gjithmonë ta nxjerrë në pah drejtësinë, qoftë edhe me anë të forcës. Për ta përshkruar fëmijërinë e Ademit nuk di, sepse ishte shumë më i vjetër se unë. Ai ka qenë gjeneratë e Bacit Lilë, prej të cilit gjatë një bisede kam dëgjuar se Ademi, qysh kur ka qenë nxënës në shkollën e mesme, i ka pasur pasion armët. Edhe si nxënës i shkollës së mesme ai ka bartur armë.Adem Jasahri me LDK

Personalisht, Adem Jasharin e kam njohur andej nga vitet 1988 – 1989. Në vitin 1989 në Kosovë bëheshin demonstrata në të gjitha komunat e Kosovës për ta mbrojtur dhe për të penguar Serbinë në ndyshimin e Kushtetutës së vitit 1974.

Me këtë rast, në komunën tonë u organizuan grupe të ndryshme për të mbrojtur qenjen tonë edhe me armë. Në këto demonstrata, për herë të parë u dëgjuan të shtëna armësh mbi pjesëmarrësit nga ndërhyrjet e policisë, e cila kishte arrestuar disa të rinj si pjesëmarrës. Mirëpo Ademi, bashkë me disa të tjerë i kishin shpëtuar arrestimit. Disa nga ne, kurrësesi nuk pranonim që të arrestoheshim e i pari ndër ata qe Adem Jashari.

Prandaj ekzistonte rreziku se mund të kishte edhe të vrarë. Këto tubime në komunën tonë gjithnjë fillonin nga Mali i Prekazit, ku Adem Jashari qëndronte me një pallto të gjatë dhe gjithmonë i armatosur. Mjaftonte që një grup të rinjsh të zbriste nga ky mal për të defiluar në rrugë, e pas disa minutash turma rritej nga gjithë banorët, punëtorët, nxënësit e të tjerët, përveç atyre që punonin në komunë. Ademi zinte gjithmonë vend në ballë të demonstruesve. Ai ka pasur mustaqe të gjata, gjë që e kishte trashëgim si nga familja e tij, ashtu edhe nga dajallarët. Me këto mustaqe dhe me trupin e tij të papërkulur dukej sikur turmës i ishte vënë në krye vetë Mic Sokoli.

Pas pak kohe, gjendja në Skënderaj sikur u përmirësua në dukje, por në esencë ajo vetëm sa ishte keqësuar, sepse policia shqiptare, së cilës i kërcënoheshin se duhej ta njihte Serbinë si shtet të vetin, kishte filluar ta lëshonte punën. Ademi, nga ana tjetër, duke pasur parasysh regjimin e Beogradit, që kurrësesi nuk do të pranonte që Kosovën ta lëshonte pa dhunë, dëshironte më tepër që problemi të zgjidhej me mjete ushtarake, sesa me mjete paqësore.

OSMAN GECI – DAJA I MADH QË U VRA NË FRONT ME NIPAT

Osman Geci ishte i biri i Shaban Gecit, daja i Adem Jasharit. Ai lindi në fshatin Llaushë, komuna e Skënderajt. Osmanin e kam patur kushëri të afërt. Ai i qëndroi besnik luftës për liri, si dhe nipave të vet, që nga dita kur nipat e tij Rifat, Hamëz dhe Adem Jashari ia kthyen pushkën Serbisë. Ishte burrë i vendosur dhe kurrë nuk lëshoi pe në qëndrimet e veta. Ishte njohës i mirë i historisë së popullit shqiptar, historisë së luftrave të kaçakve si dhe, si fetar i madh që ishte, edhe i historisë së Pejgamerëve.

Osmani vinte shpesh te ne. Në më të shumtën e rasteve vinte bashkë me nipat e tij të tjerë: Rrustemin dhe Hetemin. Ishte një kënaqësi e veçantë ta dëgjoje tek fliste për Kosovën, për historinë, për luftën e djemve trima kundër shkijeve e bashkëpunëtorëve të tyre. Në fakt, prej vitit 1991 e këtej, në çdo odë, kudo ku ka qenë i pranishëm Osman Geci, bisedë kryesore ka qenë lufta kundër Serbisë.

Gjatë gjithë kohës sa ka qenë në mal, Osmani ka qëndruar burrërisht. Pjesën dërrmuese të kohës ai e ka kaluar te nipat e vet në Prekaz. Aty kishte edhe të motrën, dadën Zahë, siç i thonim edhe ne të tjerët nga Llausha. Ditën e fundit të jetës së tij, ai u nis së bashku me Ademin nga fshati Ticë për në Prekaz. Në kullat e Jasharajve, më 5 Mars 1998, bashkë me dhëndrin Mixhën Shaban, me nipat Hamzë e Adem Jashari dhe anëtarët e tjerë të familjes Jasharaj, ra heroikisht, për t’u bërë legjendë.
Osman Geci do të mbetet për jetë e mot hero i atdheut.

ILAZ KODRA – BURRË I FJALËS E I PUSHKËS

Ilaz Kodra ishte nga fshati Prekaz, komuna e Skënderajt. Ka qenë njëri shumë i urtë dhe besnik, shok i pandarë i Adem Jasharit, njëherazi edhe luftëtari më i shkëlqyer për aksione guerile. Ka qenë burrë i fjalës dhe i pushkës. Nuk duronte padrejtësi dhe mbronte gjithmonë të vërtetën.

Që nga viti 1991 ka qenë bashkë me Adem Jasharin, në stërvitje ushtarake në Shqipëri, dhe që prej asaj kohe nuk e ka lëshuar pushkën nga dora. Ilazi e ka kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar ilegalisht disa herë. Një kohë të shkurtër qëndroi edhe në Gjermani, në Mynih, ku kam patur rastin ta takoj disa herë, madje edhe në banesën e Rifat Jasharit. Ka patur qëndrim ushtaraku dhe ishte një burrë, të cilit fjala i zinte vend.

Ilaz Kodra ka qenë luftëtar dhe komandant i Brigadës 114. Ai ka gëzuar respektin e të gjithëve, si të ushtarëve ashtu edhe të popullit. Ilazi ka qenë pjesmarrës i të gjitha luftrave në Drenicë dhe rrethinë. Ra në fushën e nderit ballë për ballë me armikun, gjatë ofensives sërbe në fshatin Shtuticë.

BEKIM BERISHA – ABEJA, AI QË KA VENDOSUR RREGULLIN E PARË USHTARAK NË UCK-së

Bekim Berisha – Abeja ka qenë luftëtari më profesionist që kam njohur ndonjëherë. Me të u njoftova në prill të vitit 1997, në fshatin Açarevë, ku qëndroi disa ditë për të na mësuar artin e luftës. Abeja ka qenë neutral, absolutisht neutral. Me Abejen e kemi bërë mbrojtjen e çeliktë të Açarevës duke përdorur kanalet e punkteve mbrojtëse të mbuluara me dhe, që deri në atë kohë nuk i kishim bërë kurrë. Ai e ka vendosur rregullin e parë ushtarak, si dhe ushtrimet, të cilat janë zhvilluar në luginën e fshatit Açarevë. Të gjithë kemi patur një simpati të madhe për Abenë si luftëtar e si njeri të ditur.

Veprimi i parë ushtarak që organizoi Abeja, është ai i vendosjes së eksplozivëve nëpër ato pika serbe ku ata nuk qëndronin çdoherë. Bombat i vendosi gjatë kohës që serbët ishin duke bërë vezhgimin. Kur ata janë kthyer, kanë rënë në to dhe janë vrarë, në kodrën e Brojës. Këto kurdisje të bombave i ka bërë vetë.

Abeja e vëzhgonte çdo gjest të njësiteve tona dhe vazhdimisht thoshte se duhej të mbanim rregull, e jo më si deri atëherë. Në Llaushë ishte ai që na bëri rreshtimin e parë ushtarak. Prej tij kisha dëgjuar për herë të parë këto fjalë:
– Duhet të kemi hierarkinë ushtarake vertikale dhe atë horizontale, të komandohemi nga lart-poshtë dhe të komunikojmë horizontalisht!
Ky luftëtar ka bërë shumë për Drenicën dhe Kosovën. Abeja vritet heroikisht në frontin e Junikut!

RIFAT FAZLI MËZIU – MËSUESI QË LA DITARIN DHE VESHI UNIFORMËN E UCK-së

Rifat Fazli Mëziu, u lind në vitin 1967, në fshatin Morinë, të komunës së Skënderajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Skënderaj. Për disa provime mbeti pa diplomuar në Fakultetin e Fizikës në Prishtinë.

Me Rifatin jam takuar për herë të parë gjatë vitit shkollor 1984-1985. Ishim të dy së bashku në vitin e tretë – drejtimi i kimisë, në shkollën e mesme QAMO «Ramiz Sadiku» në Skënderaj. Kishim mendime të përbashkëta, jo vetëm gjatë kohës kur ishim shokë klase por edhe më vonë kur u bëmë shokë të pandarë. Në vitin 1998 u bëmë edhe shokë lufte.

M’u kujtua rasti, kur në nëntor të vitit 1985, në klasën tonë u thye fotografia e Titos. Të nesërmen kishte ardhur në shkollë policia, e cila na mori bashkë me Rifatin e disa të tjerë, ku na maltretuan për disa orë, duke na quajtur me emra të ndryshëm. Mirëpo, falë kujdestarit dhe drejtorit të shkollës ne i shpëtuam burgut dhe përjashtimit nga shkolla.

Nota mesatare në klasën tonë ishte 4. 2 dhe kjo ishte ndoshta një prej arsyeve që të gjithë na ndihmuan. Uniteti i tërë klasës për të mos treguar personin që e kishte thyer fotografinë kishte befasuar edhe policinë. Pas përfundimit të shkollës së mesme, me sukses të shkëlqyeshëm, Rifati regjistrohet në Fakultetin e Fizikës e unë në atë të Kimisë. Pas vitit 1981, për të gjithë studentët shqiptarë kishte filluar një etapë e re, ajo e historisë së Kosovës, prandaj edhe gjenerata jonë u përball me shumë peripeci, jo vetëm të jetës studentore, por edhe të çështjeve kombëtare.

Rifati ia kushtoi tërë qenien e vet çështjes kombëtare. Ishte organizator dhe pjesëmarrës i të gjitha protestave e demonstratave, që u mbajtën atëherë. Për mbrojtjen e Kosovës qëndroi plotë tetë ditë në grevën e studentëve dhe minatorëve në sallën e Sporteve në Prishtinë, prej 20 deri më 28 shkurt të vitit 1989, dhe dha kontributin e tij për pajtimin e gjaqeve.

Më vonë Rifati filloi të punonte si profesor i fizikës në shkollën e Mesme të Drenasit. Ka pasur shumë raste kur ai ka ecur në këmbë nga fshati Morinë deri në Drenas, përtej 15 kilometra, për të mos e humbur orën e mësimit, sepse për ta paguar biletën e autobusit nuk kishte të holla.

Ishim shokë të pandarë dhe bisedonim për shumëçka, dinim çdo gjë për njëri-tjetrin. Shumë aktivitete, përkujtime, orë letrare, aktivitete kulturore, politike e sportive, u munduam t’i organizojmë së bashku për të gjallëruar sado pak jetën në komunën tonë. Bashkë me Adem Dërgutin, Rifat Mëziun dhe disa shokë të tjerë, formuam këshillin iniciativ për themelimin e Forumit Rinor – Dega në Skënderaj.

Që nga viti 1991, Rifati insistoi të kyçej drejtpërsëdrejti në luftën për liri. Mirëpo ka qenë insistimi im, që Rifati të qëndronte pranë nxënësve. Ai i qëndroi besnik ditarit dhe profesionit të edukatorit deri në vitin 1997. Pas vrasjes së mësuesit Halit Geci, më 26 nëntor 1997 Rifati kishte vendosur t’i bashkëngjitej me gjithë qenien e tij luftës, pra Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një ditë kishte ardhur në fshatin Llaushë për t’më takuar mua dhe shokët e tjerë për t’iu bashkuar përfundimisht ushtrisë. Që nga ajo natë, Rifati pajiset me armë dhe deri në frymën e fundit luftoi për liri.

Sa herë që takoheshim me Rifatin në malin që ndante fshatrat tona, bisedonim për lirinë dhe organizimin e luftës sonë. Ëndërronim të kishim një ushtri moderne, të aftë dhe të gatshme për të përballuar të gjitha sfidat që mund t’i dilnin përpara.

Në mesin e verës së vitit 1998 Rifatit i lindi një djalë. Ai i ftoi shokët për gëzimin që kishte për lindjen e ushtarit të ri. Ne u bashkuam në odën e Ilaz Dërgutit. Të pranishëm ishin shumë shokë, në mesin e tyre edhe Imer Alishani, shok i yni, i cili kishte kaluar disa vite në burg për shkak të veprimtarisë së tij prej luftëtari. Atë mbrëmje ishte i pranishëm edhe Sami Lushtaku dhe shumë luftëtarë të tjerë, (ekziston edhe inçizimi me kamerë). Kemi kënduar deri në orët e vona, duke dashur të tregojmë se kënga është pjesë e luftës.

Rifat Mëziu ka qëndruar i pathyeshëm në idealet e veta prej luftëtari dhe ka ndjekur rrugën e Adem Jasharit, duke luftuar deri në vdekje, pa marrë parasysh pengesat e shumta. Vendosmëria e tij është shfaqur në të gjitha frontet. Për këtë burrë do të flitet e shkruhet shumë më vonë. Rifati u vra së bashku me shumë luftëtarë të tjerë, si Mujë Krasniqin, Komandant Brigade dhe luftëtarë të tjerë të saj në kufirin shqiptaro-shqiptar.

Humbja e Rifatit është një humbje e madhe si për shkollën ashtu edhe për ushtrinë tonë. Por Rifati do të jetojë në zemrat e gjeneratave që ai i ka mësuar dhe të gjithë shokëve të luftës.

IMER ALUSHANI – LIS I FORTË ME RRËNJË NË TOKËN E KOSOVËS

Të përmendësh Imerin dhe të mos tregosh se ka qenë një lis, është e pamundur, lis të cilin s’kanë mundur ta lëkundin erërat dhe fortunat e ndryshme. Të gjithë ata që e kanë njohur e dinë se ai ka qenë një burrë që vështirë mund të lind më. Me Imerin njiheshim që nga viti 1990, ku së bashku me të shkonim te një njeri, të cilin e njihte ai, për të blerë pushk-mitralozin që e kam ende.

Para se të aktivizohej në UÇK, Imeri i kishte mbajtur pesë vite burg në burgjet e Sërbisë dhe ishte liruar në vitin 1997. Ishte burgosur për shkak se policia ia kishte zënë një pushkë-mitraloz dhe dy automatikë kallashnikov. Menjëherë pas daljes nga burgu aktivizohet në ushtri.

Imer Alushani u vra në fushën e betejës në Grykën e Llapushnikut, ku kishte luftuar si luan. Gjatë verës së vitit 1998, në Ofensiven e Dytë të Llapushnikut kishte luftuar deri në vdekje dhe nuk i kishte lëshuar pozicionet e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Ai kishte shkuar dhe kishte liruar disa të burgosur shqiptarë që gjendeshin në një burg të UÇK-së. Njëri nga të burgosurit i kishte thënë Imerit se unë do të luftoj me ju deri në vdekje, sepse më kanë burgosur pa faj, gjë që ishte e vërtetë.

Kur qëllon granata afër Imerit atij personi që nuk ja dij emrin, kam dëgjuar që gjendet në Suedi, ajo ia kishte këputur dorën.

FEHMI LLADROVCI – AI QË PËR SË GJALLI NUK U LARGUA NGA ISTIKAMI

Fehmiu ishte nga fshati Nikaj (Gllanasellë), me të cilin jam njohur relativisht vonë, tek pas ardhjes së tij nga Gjermania, në prill të vitit 1998. Fehmi Lladrovci në fillim ka qëndruar në Obri si ushtarak, derisa më vonë ka kaluar në fshatin e vet Nikaj, ku ka formuar Njesitë Ushtarake të UÇK-së. Fehmiu ishte një burrë i gjatë, me mustaqe dhe pamja e tij dëshmonte për pamjen e një burri të pjekur. Fahmiu ka luftuar prej prillit 1998 pandërprerë kundër çetnikëve serbë. Ai ka marrë pjesë në luftë së bashku me gruan e tij, Xhevë Lladrovci, me të cilën është vrarë të njejtën ditë në fshatin Nikaj. Xhevë Lladrovci i ka ushtruar ushtaret e para të UÇK-së në Likoc.

Fehmiu ishte një trim, që deri sa dha jetën luftoi për liri. Ai ishte edhe pjesëmarrës në luftërat në Kroaci, së bashku me shumë shqiptarë tjerë. Shpesh i përdorte fjalët: armiku i armikut tim është miku im.

MUJË KRASNIQI – AI QË PËR HERË TË PARË BËRI PUBLIKE DALJEN NË SKENË TË UCK-së

Muja ishte nga fshati Qabiq, komunë e Klinës, të cilin e kam njohur në dhjetor të vitit 1997. Ishte një burrë që rrallë i gjendej shoku. Muja ka qenë edhe këngëtar i mrekullueshëm dhe guximtar i madh. Ai ishte prezent diten kur UÇK-ja doli në skenë. Muja ka qenë njëri prej tre personave, që së bashku me Rexhep Selimin dhe Daut Haradinaj e bënë publike për herë të parë UÇK-në para mase, gjatë varrimit të mësuesit të mirënjohur Halit Geci, më 28 nëntor të vitit 1997. Muja ka qenë disa herë i plagosur nga armiku. Ai shumë herë e thyente monotoninë e luftës me çiftelinë e tij dhe këngën që i kishte hije. U vra në kufirin shqiptaro-shqiptar së bashku me Rifat Mëziun dhe 34 ushtarë të tjerë, duke luftuar deri në fishekun e fundit.

Ky burrë fliste pak dhe punonte shumë për lirinë e Kosovës.

MALUSH AHMETI – “EDHE NËSE VDESIM TË GJITHË PËR LIRI, PËRSËRI ËSHTË PAK”

Malush Ahmeti ishte nga fshati Rezallë, komuna e Skënderajt, dhe njëherazi luftëtari më trim dhe më i palodhur në Rezallë. Ai ka qenë shumë i respektuar nga të gjithë dhe poashtu i ka respektuar shumë të tjerët. Gjatë betejave, ku mori pjesë, Malushi ka treguar guxim e shkathtësi të pashoqe. Është për t’u përmendur me këtë rast trimëria dhe burrëria e rrallë e shfaqur në betejën e Morinës, në shtator të vitit 1998. Kur iu vranë dy fëmijët, të cilët i varrosi me duar të veta, tha:

– Edhe nëse vdesim të gjithë për liri, është përsëri pak!

Malushi është vrarë në betejen e fundit në Rezallë, gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, pas ofensivave më të mëdha të ndërmarra nga Serbia kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullatës së pafajshme. Malushi ka pasur rast që ka luftuar edhe në afërsi prej 30 metrash në Malet e Rezallës ballë për ballë me barbarët serbë. Asnjëherë nuk u pendua se e ka mbrojtur Shtetin e Kosovës.

SADIK HAZIRAJ – LUFTËTARI MË I DËGJUESHËM I LLAUSHËS

Ishte luftëtari më i sjellshëm dhe më i dëgjueshëm që ka patur fshati Llaushë. Sadiku nuk përtonte t’i vizitonte pikat e fshatit Llaushë, as natën e as ditën, as në borë e as në shi. Ishte udhëheqës i togës dhe u vra gjatë ofensivës së dytë në Llaushë në vjeshtë të vitit 1998. Sadiku dhe familja Haziraj dhanë birin e tyre më të mirë për lirinë e Kosovës.

Edhe djali i tij i mitur, është plagosur gjatë luftës. Vëllai i tij, Naimi, është zënë në vjeshtë të vitit 1998 dhe është dënuar në vitin 2000 me 12 vjet burgim. Me sa e di, ai gjendet në burgun e Nishit dhe është dënuar për pjesëmarrje në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Atë ditë kur është vrarë Sadik Haziraj, ushtria serbe kishte ndërmarrë një ofensivë nga Përroi i Keq në drejtim të Llaushës dhe nga Kodra e Kuajve mbi fshatin Klinë, pozicion nga ku duket fshati Llaushë shumë mirë. Shkijet nga këto pozicione shtinin në drejtim të fshatit me topa e minahedhësa.

Një nga predhat e minahedhësit kishte goditur pozicionet e Togut të Sadik Hazirajt, të cilit i printe ai dhe një pjesë e minahedhësit e kishte goditur Sadikun për vdekje. Aty është plagosur edhe një ushtar i Togut nga Klina e Ulët.

Përpos tij, në fushën e nderit ranë dëshmorë edhe këta luftëtarë të fshatit Llaushë: Osman Geci, Miftar Rreci, Sadik Kaçkini, Nuhi Geci, Naser Lani.

NE SHTATË VËLLEZËRIT GECI NGA LLAUSHA

VELLEZERIT GECIUnë kam lindur më 20 janar 1968, në fshatin Llaushë, komuna e Skënderajt. Jam i biri i Ademit dhe Rabës (nga fshati Izbicë – komunë e Skënderajt). Babai im, Ademi ka qenë biri i Halil Bajraktarit nga Llausha, vëlla i Miftar Bajraktarit. Rrjedhim nga një familje fshatare dhe jemi shtatë vëllezër. I madhi është Halili (Baci Lilë), i dyti Fadili, i treti Haxhiu, unë jam i katërti, e pas meje vijnë Nebihi, Nehati dhe Esati. Im atë, Ademi, ka lindur në vitin 1936. Si fëmijë, ai ka përjetuar shumë tmerre. Kur të gjithë moshatarët e tij shkonin në shkollë, atij nuk iu lejua shkollimi dhe gjyshja tregonte se sa herë që ai shihte shokët e tij duke shkuar në shkollë, qante. Shkrim e lexim kishte mësuar në ushtri.

Pas kryerjes së sherbimit ushtarak shkoi në Slloveni për të punuar si punëtor krahu. Në vitin 1970 kthehet në Kosovë dhe punësohet në ndërtimtari, në ndërmarrjen e atëhershme «Izgradnja» të Pejës. Por edhe aty i lindin probleme, sepse me kaçavidë e kishte therrur kryeshkaun e ndërmarrjes ku punonte, Jova Kovaçeviçin, në vitin 1975. Pas kësaj ngjarjeje, babai merr me vete Bacin Lilë dhe shkojnë te shtëpia e Jovës. I trokasin në derë. Del Jova dhe baba i thotë:
– E kam sjell djalin vetëm që ta mësojë se ku e ke shtëpinë!

Gjatë demonstratave të vitit 1981, babai im organizon punëtorët e «Izgradnjes» së Pejës, që punonin në Prishtinë dhe punëtorët e «Ramiz Sadikut» që t’u shkojnë në ndihmë studentëve, të cilët policia serbe i mbante të rrethuar para Komitetit Krahinor të atëhershëm. Ai, së bashku me punëtorët tjerë, është përleshur me policë. Siç tregojnë deshmitarët, i ka prerë policët shkije me sakicë. Po atë vit, babai vritet nga një familje tjeter, sepse Serbia investonte pandërprerë në ngatërrimin mes veti të familjeve të forta shqiptare. Me këtë Serbia arrinte qëllim të dyfishtë: hiqte nga qafa aktivitetin politik të familjeve nacionaliste dhe nxiste vëllavrasjen.

Ne mbetëm shtatë djem të rinj e për shkak të kushteve të vështira ekonomike, më të moshuarit u detyruan të shkojnë për të punuar në Kroaci. Gjatë viteve 1982 / 1983, unë personalisht e kam mbajtur familjen duke shitur dru me një kalë. Në Kroaci, punën e udhëhiqte Baci Lilë. Atje kemi punuar në ndërtimtari, si punëtorë krahu. Gjatë pushimeve të verës, shkonim në Kroaci për të punuar të gjithë. Ka ndodhur që për një ditë të shkarkonim edhe nga 25 kamiona çimento me nga 25 tonelata.

Kur është fjala tek gjeneza e familjes sime do të flas edhe si për ato që i kam lexuar ashtu edhe për ato që kam dëgjuar. Stërgjyshi im Adem Bajraktari, është vrarë në luftërat ruso-turke në afërsi të Nishit, ndërsa Zeqir Kurti – Bajraktari i Llaushës është vrarë diku në Prokuple, në luftërat kundër shkijeve, ku e ka lënë amanet të jetë varri i Bajraktarit të Llaushes duke shtuar:

– Edhe kjo është tokë e jonë shqiptare dhe këtu dua të varrosem!

Ndërsa Rexhep Bajraktari është prerë në Vushtrri kur janë prerë Paria e Drenicës në vitin 1912. Dihet mirëfilli se problemi i Kosovës është i vjetër, por që nga viti 1912, ky problem u theksua edhe më tepër, sepse u coptuan tokat shqiptare dhe më tepër se gjysma mbeten nën okupimin serbo-sllavo-grek. Gjeneratat të tëra, secila në formën e vet, kanë punuar për ta zgjidhur këtë problem mbarëshqiptar.

Perëndimi duhet ta kupton se populli shqiptar jeton në trojet e veta dhe lufton për mirëqenje, paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe në Gadishullin Ilirik. Bota duhet ta dijë se ne nuk luftojmë as për një Shqipëri të Madhe as për një Shqipëri të Vogël, por vetëm për një Shqipëri Natyrore, ku do të mund të jetojnë shqiptarët e ku shumica janë shqiptarë.

Edhe Drenica, asnjëherë nuk është pajtuar të jetojë nën zgjedhën e huaj. Burrat e kësaj treve janë munduar vazhdimisht që lufta për liri të vazhdojë brez pas brezi, derisa Kosova të çlirohet dhe t’i bashkohet tokës mëmë, Shqipërisë.

MBI VARRIN E GJYSHIT DHE TË BABËS SHKRUAM: “JEMI KRENARË QË JU PATËM”

Në vitin 1991, policia serbe e ka burgosur vëllain tonë Fadilin, për shkak se në vitin 1987 i kishim ngritur pllakat përkujtimore për gjyshin dhe babain tonë në varrezat e fshatit dhe ku kishim shkruar fjalët: «Jemi krenarë që ju patëm».

Qysh në vitin 1987, të gjithëve, përpos atyre të miturve, na kishin dënuar për kundërvajtje, pasiqë të gjithë kishim marrë pjesë në ngritjen e lapidarit të babës e të gjyshit tonë «armiqve shekullor të pushtetit» (Lapidar i thoshin ata pllakës përkujtimore që vendosëm mbi varret e tyre. Prej asaj kohe, deri në vitet 1990, procedura ka qenë e hapur). Me rastin e burgosjes së Fadilit, policia kishte ardhur me bagerë për t’i prishur varret e ngritura në vitin 1987. Në atë kohë Fadili i kundërshtoi disa policë serbë duke u grushtuar me ta. Ata nuk patën mundësi ta marrin në burg.

Pas rënies së komunizmit, punët ndryshuan shumë, edhe në Shqipëri u rrëzua diktatura enveriste, ndërkohë që Jugosllavia hyri në rrugën e shpërbërjes së përgjakshme. Lidhja Demokratike e Kosovës, në krye me Presidentin Ibrahim Rugova, filloi organizimin e një sistemi paralel të qeverisjes në të gjitha sferat e jetës që qe e mundur. Demonstratat që u organizuan atëherë u shuan me gjak duke vrarë e plagosur shumë shqiptarë, duke helmuar nxënës shkollash dhe duke ia pamundësuar jetën popullit të Kosovës.

Pas mbajtjes së Referendumit për Pavarsinë e Kosovës, në Kosovë u shtuan zërat që bënin thirrje se Pavarësia dhe Republika e Kosovës duheshin mbrojtur edhe me gjak. Shkijet duhej ta kuptonin se në Kosovë ishin dhe do të jenë edhe në të ardhmen të padëshiruar, ushtria serbe qe ushtri okupatore.

SHËNIM PËR KOSOVËN DHE DRENICËN

Për të shënuar gjërat më të rëndësishme në trevat tona është punë shumë e vështirë, sepse duhen bërë analiza të shumanëshme për të nxjerrë në shesh të vërtetën, që, kur bëhet fjalë për historinë e lavdishme të të parëve tanë, është shtrembëruar jo rrallë. Lufta me sopata e Ahmet Delisë kundër hordhive serbe, që ia kishin sulmuar familjen në Prekaz, dëshmon më së miri se Drenica në vazhdimësi ka luftuar kundër çdo okupatori. Pas luftërave me xhonturqit, në vitet 1908 – 1912, Hasan Prishtina, nga Polaci, organizoi kryengritjet e mëdha të Kosovës. Mirëpo, fatkeqësisht shumë prej këtyre ndeshjeve të armatosura kanë pasur karakter lokal dhe pikërisht për këtë arsye kanë përfunduar pa sukses.

Që nga viti 1912 deri në vitin 1924, ishin Azem Bejtë Galica së bashku me të shoqen Shote Galica dhe të tjerë patriotë të këtyre anëve që kanë luftuar për lirinë e këtij trolli. Azemi ka mbajtur më së gjati zjarrin të ndezur kundër okupatorit serb (12 vjet). Ai ishte bërë tmerr për xhandarët serbë në Kosovë dhe Serbia disa herë ështe detyruar të ulet në bisedime me Azem Galicën. Por, qëndresa e Shaban Polluzhës, ka qenë lufta më e organizuar kundër pushtuesit serb deri në ditët e sotme. Mirëpo, rreshtimi i shtetit shqiptar përkrah sllavizmit dhe sistemit socialist, bëri që ajo vepër monumentale të shuhej, të humbiste, pasi në radhë të parë, nuk e kishte përkrahjen e shtetit amë. Aletatët perëndimorë nuk kishin mundësi ta përkrahin Kosovën kur Shqipëria kishte përqafuar sistemin socialist (stalinist, marksisit-leninist). I tërë përfundimi i kësaj lufte ishte me viktima, djegie, masakra, shpërngulje, pa e ditur askush se çka po ndodhte në Kosovë e aq më pak në Drenicë.

Luftërat lokale kanë bërë që Kosovës t’i zgjatet robëria deri në qershor të vitit 1999. Por, gjatë luftës së fundit, djemtë dhe vajzat e Drenicës kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të koordinuar veprimet e tyre, përpjekje, që për fat të keq u sabotuan nga ata që donin të kontrollonin lirinë e Kosovës, nga ata që më të shenjtë e kishin ideologjinë e tyre politike se sa lirinë e Atdheut tonë.
Drenica ka qenë dhe do të mbetet simbol i rezistencës kundër pushtuesve turq dhe sllav.

NGA ZGAFELLAT E MINIERAVE TË TREPCES, U NGRIT ZËRI QË THËRRISTE “LIRI”

Pushteti komunist i ish-Jugosllavisë vazhdoi ndjekjen e atdhetarëve në mënyra të ndryshme. Me gjithë përpjekjet e Serbisë dhe të Jugosllavisë, që shqiptarëve t’u pamundësohet lufta për liri, ajo përsëri vazhdoi edhe përkundër shtypjes e terrorit që i bëhej popullit tonë.

Fryma e erërave demokratike, që kishte përfshirë Evropën Lindore, përfshiu edhe Kosovën. (Ç’është e vërteta, Kosova ka qenë ndër të parat që ia filloi lëvizjes së gjërave). Serbia, duke e parë rrezikun (e humbjes së privilegjeve në mbarë territorin e Jugosllavisë dhe humbjes së kolonisë së saj, Kosovës) përgatiti terrenin për të ndryshuar Kushtetutën e Kosovës, të miratuar në vitin 1974.

Reagimet kundër këtyre ndryshimeve erdhën së pari, nga minatorët e ngujuar në zgafelle, të cilët, shumë shpejtë u përkrahën nga i tërë populli i Kosovës. Mbështetjen më të madhe e dhanë studentët, të cilët u solidarizuan me kërkesat e tyre dhe u ngujuan në sallën e sporteve ku qëndruan tetë ditë me radhë. Aty kam qenë edhe unë i pranishëm, së bashku me studentë të tjerë. Grupi i studentëve nga Drenica nuk i besonte lajmit, se tre të përmendurit e udhëheqjes së Kosovës (Rrahman Morina, Hysamedin Azemi dhe Ali Shukriu), do të jepnin dorëheqje.

Shumë shpejtë, ne nga Drenica, shkruam shkresën dhe e shpërndamë në sallë, ku kërkuam nga studentët që të mos e lëshojnë sallen dhe të qëndrojnë të pathyeshëm deri në realizimin e plotë të kërkesave të parashtruara, sepse të lartpërmendurit gënjenin popullin duke thënë se do të tërhiqeshin nga postet e tyre. Përkundër lajmeve, se minatorët kishin dalë, ne nuk donim ta lëshonim sallën, sepse ato qenë vetëm mashtrime.

Më 28 shkurt 1989, rreth orës 23.00, në sallë hynë tre minatorë për të na bindur ne, studentëve, të lëmë grevën pasi që ajo “ia kishte arritur qëllimit”. Para studentëve foli një minator, të cilit nuk ia di emrin. Pas diskutimit të tij, një pjesë e madhe filluan ta lëshojnë sallën, kurse pjesa veriore e sallës, ku ishim edhe ne, nuk dëshironte të dilte, pasi konsideronim që ishim tradhtuar dhe se kërkesat tona nuk do të realizoheshin. Ky veprim u bë falë ndikimit të grupit tonë. Në sallë mbetën rreth 3’000 studentë, të cilët në asnjë mënyrë nuk donin të lëshonin sallën.

Herët në mëngjes, mbi sallën e sportit, ku ende qëndronin vetëm disa studentë nga Drenica, fluturuan ulët, papritur, disa aeroplanë të Ushtrisë Jugosllave. Më vonë u muar vesh se minatorët, studentët dhe i gjithë populli qenë tradhtuar, me të vetmin qëllim që të ndërprisnin grevën dhe protestën gjithëpopullore, e cila kishte paralizuar tërë Kosovën.

Të njëjtën ditë, pas përfundimit të grevës, ushtria dhe policia serbe ia mësynë Kosovës dhe bllokuan popullin për të demonstruar kundër ndryshimeve kushtetuese. Në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës shumica e deputetëve ishin shqiptarë, kurse vetëm një numër i vogël i tyre, gjithsej 11 veta, kundërshtuan ndryshimin e Kushtetutës. Të tjerët ngritën gishtin për të vrarë vetveten dhe popullin e tyre! Për këtë vetëvrasje, kontribut dhanë edhe disa profesorë të Fakultetit Juridik, të cilët propagandonin se me ato ndryshime «Kosova nuk do të humbë asgjë», njëri prej tyre ishte profesor Syrja Pupovci.

Megjithatë, demonstratat nuk kishin të ndalur në tërë Kosovën. Ndër më të rrezikshmet që kanë ndodhur në Kosovë, ishin ato që zhvilloheshin në komunën e Skënderajt, ku çdo mbrëmje dëgjoheshin krisma armësh nga të gjitha anët. Nga këto manifestime doli se në Drenicë kishte djem, që për Kosovën ishin të vendosur të jepnin edhe jetën. Ata niseshin gjithmonë nga mali i fshatit Prekaz, afër fabrikës së municionit, në të cilin qëndronte Adem Jashari së bashku me disa djem trima.

KUSH E HODHI SHISHEN ME BENZINË KUNDËR POLICISË SERBE NË DEMONSTRATAT E VITIT 1990 NË SKENDERAJ

Gjatë protestave, që zhvilloheshin nëpër Kosovë, policia serbe vrau shumë studentë, nxënës e arsimtarë. Tre pjesëmarrës të protestave në komunen e Drenasit u vranë nga policia te hekurudha, në mes të ditës, më 3 shkurt të vitit 1990, Sahit Shala nga fshati Krajkovë dhe dy djem me mbiemrin Morina nga Çikatova e Vjetër. Me atë rast, ne u tërhoqëm në malet e fshatit Prekaz, të shoqëruar edhe nga shumë pjesëmarrës të protestave.

Disa fëmijë të lagjes nr. 3 të Skënderajt, ishin lënduar nga gazrat lotsjellëse. Në ballë të protestave kishte mbetur vetëm Adem Jashari, Sahit Jashari dhe Sulejman Aliu nga Klina e Ulët e Skëndrajt ata që kishin maska kundër gazit lotësjellës e që në duar mbanin kokteje Molotov për t’i djegur autoblindat serbe. Shishja e parë me benzinë hidhet nga këta burra në udhëkryqin Mitrovicë, Drenas dhe Skënderaj, ku policia tërhiqet, duke gjuajtur nga autoblinda.

Të nesërmen i arrestuan dy vëllezërit e mi, Bacin Lilë dhe Nebihin dhe i dërguan së bashku me shumë shqiptarë, në vuajtje të dënimit prej 30 deri në 60 ditë burg nga Gjykata për Kundërvajtje në Skënderaj, nën kryesimin e gjyqit Sadik Topalli. Shkaku: «Pjesëmarrje në demonstrata armiqësore». Baci Lilë dërgohet në vuajtje të dënimit 60 ditë edhe për shkak të kundërvajtjes së mëhershme të 30 ditëve, që ishte dënuar në vitin 1988 nga po e njejta gjykatë dhe nga po i njejti gjyqtar, për shkak të ngritjes së lapidareve gjyshit dhe babait.

Për protestuesit, paraqiteshin si të rrezikshëm një numër i vogël i policëve dhe udbashëve shqipfolës, të cilët punonin për policinë e atëhershme. Disa prej tyre silleshin shumë keq me të arrestuarit, duke i rrahur, sharë, fyer e torturuar në mënyra të ndryshme, kurse disa të tjerë na trimëronin, na jepnin kurajo për të mos u frikësuar nga policia e shkijeve, duke na i treguar armët dhe municionin e tyre si dhe duke shtuar se «do të luftojmë kundër tyre, në qoftë se ata do të shtijnë mbi ju!».

Gjatë demonstratave të studentëve në Mitrovicë, më 20 mars 1990, vritet Selman Vojvoda, i biri i Nezir Vojvodës, me flamur kombëtar në dorë, te Ura e Gjakut, siç e quajnë tani këtë urë pas vrasjes së tij. Nga qyteti vinin lajmet se aty janë vrarë dhe plagosur edhe disa studentë. Baca Nezir, na tha me atë rast:
– Vallahi, m’u paska vra djali!

Më kot e kundërshtonim ne parandjenjën e tij prindërore. Atij sikur i kishte treguar Zoti se, pikërisht djali i tij, me Flamur në dorë ishte qëlluar nga policia serbe dhe kishte vdekur.

Kjo vrasje ishte ndër më të rëndat në komunën e Skenderajt, pasi që masa u revoltua tej mase. Në varrimin e Selman Vojvodes kanë marrë pjesë më se 300’000 vetë nga të gjitha viset shqiptare.

Në këtë mënyrë, me dhunë, policia serbe mendoi se i shuajti demonstratat. Mirëpo, nacionalistët nga Drenica nuk u tërhoqën nga kërkesa e tyre për Republikën e Kosovës.

Në fund të vitit 1989, më saktësisht me 23 dhjetor formohet Lidhja Demokratike e Kosovës, nga disa profesorë në Prishtinë. Edhe në Skënderaj pas një jave formohet Këshilli Inicues i Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Skënderaj, në të cilin morën pjesë: Hamëz Jashari, Idriz Rreci, Sejdi Koca, Xhafer Murtezi, Fadil Geci (vëllau i im) dhe disa të tjerë. Këta ishin personat që thyen (që e shkapërderdhën) Lidhjen Komuniste të Kosovës në Skënderaj, pastaj shkuan nga fshati në fshat dhe formuan Nëndegë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Zyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin hapur në qendër të Skënderajt, në lokalet e ndërmarrjes sonë tregtare private «Shtatë vëllezërit». Tërë kapitalin tonë, që e kishim grumbulluar falë punës së rëndë në Kroaci, telefonin, faksin, automjetet, si dhe shpirtin tonë liridashës, të gjitha këto i vumë në dispozicion të Lidhjes Demokratike të Kosovës, më mirë të themi të Lëvizjes për LIRI, pasi që ajo u konsiderua nga të gjithë si një lëvizje gjithëpopullore.

Me angazhimin e anëtarëve të kryesisë dhe të gjithë popullit, arrihet që për një kohë Serbia të mos mund të ushtrojë pushtetin e saj në komunën e Skënderajt.

Pak më vonë Policia e Kosovës largohet dhunshëm nga vendet e tyre të punës, nxënësit nga shkollat, punëtorët nga fabrikat, zyrtarët nga administrata, mjekët nga spitalet. Ditë më vonë helmohen nxënësit e shkollave dhe çdo gjë shqiptare fillon të pushojë së vepruari. Përballë tërë këtij represioni të paparë, ne sërish qëndruam dhe u organizuam në mënyrë paralele aty ku kishte mundësi.

Arritëm të mbajmë Referendumin për Pavarësinë e Kosovës. I mbajtëm zgjedhjet e lira, nën okupim si dhe shpallëm Deklaratën Kushtetuese, më dy korrik të vitit 1990. Më 7 shtator 1990 u shpall Kushtetuta e Republikës së Kosovës në Kaçanik.

ISHIM TË BINDUR SE LIRIA NUK FITOHET PA GJAK

Një grup nacionalistësh, të prirë nga Adem Jashari dhe disa djem të tjerë nga Prekazi, si Fadil e Ilaz Kodra, Besim Rama, Nuradin Lushtaku, Jakup Nura, Adem Dërguti, Xhevahir, Jetullah, Osman, Rrustem, Sejdi e Halil Geci (Baci Lilë), Sami Lushtaku e të tjerë, mendonim se Kosovës po i kanosej rreziku i luftës, dhe se ajo nuk do të mund të shpëtonte nga Serbia kurrë pa luftë. Ishim të bindur se asnjë populli nuk i kishte ndodhur që ta fitonte lirinë pa gjak.

Me Sami Lushtakun shpeshë herë planifikonim të ndërmerrnim ndonjë aksion të armatosur gjatë vitit ’90 dhe ’91. Mirëpo, me formimin e Ministrisë së Mbrojtjes ne menduam se gjithçka do të shkonte përmes organizimit dhe hierarkisë vertikale, nga lart – poshtë.

Gjatë vitit 1991 kishte lëvizur diçka në këtë drejtim. Adem Jasharaj e Adem Dërguti, së bashku me disa djem të tjerë nga Perëndimi kishin shkuar në Shqipëri për stërvitje ushtarake, në vjeshtë të vitit 1991 dhe ishin kthyer në dimër. Nga Grupi i Drenicës ishin këta djem: Adem Jashari, Adem Dërguti, Sahit Jashari, Ilaz Kodra, Fadil Kodra, Jakup Nura, Avni Zymeri.

Si deshi të organizojë “Grushtshtet Partiak” Hashim Thaçi në Kryesinë e Forumit Rinor të LDK-së në Skenderaj

Adem Dërguti ishte kryetar i Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Skënderaj. Para se të shkonin në Shqipëri, kemi bërë ushtrimet e para të gjuajtjeve në malin e fshatit tonë – Llaushë, të organizuar nga Adem Dërguti, ku kanë marrë pjesë Sahit Jashari, Ramush Thaqi dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Qëndror të Forumit të LDK-së. Mirëpo, menjëherë pas shkuarjes së tyre në Shqipëri, kishin filluar shantazhet për ta larguar Adem Dërgutin nga pozita e tij – kryetar i Forumit Rinor i LDK-së në Skënderaj.

Gjatë asaj kohe kur Ademi (Dërguti) ishte në Shqipëri, në një mbledhje të Forumit Rinor, në tetor – nëntor të vitit 1991, ku kishte marrë pjesë edhe Hashim Thaçi, me disa anëtarë tjerë të forumit, si Gani Koci, anëtar i kooptuar në Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Skënderaj, dhe Hilmi Zeka. Këta të tre e kishin «shkarkuar» Adem Dërgutin, pa Kuvend, nga posti i Kryetarit të Forumit Rinor dhe në vend të tij ishte «emruar» Hashim Thaçin, me pretekstin se Adem Dërguti e kishte lëshuar Kosovën dhe kishte ikur në Perëndim.

Kjo të jep të kuptosh se të përmendurit nuk e dinin fare se ku gjendeshin Adem Jashari dhe Adem Dërguti. Në mbledhjen tjetër, në lokalet e LDK-së në Skënderaj, në muajin tetor të vitit 1991, ku merrte pjesë i tërë Këshilli Qëndror dhe Kryesia e Forumit, në të cilën isha edhe unë, njëzëri kundërshtuam Hashim Thaçin dhe dy të tjerët për veprimin e tyre duke theksuar se «Adem Dërgutin ka të drejtë ta shkarkojë vetëm Kuvendi i Forumit Rinor. Dhe ky Kuvend i mbajtur disa kohë më parë – Dega e LDK-së në Skënderaj Turiçevc, ku kishin marrë pjesë delegatët e 52 fshatrave të komunës së Skënderjat kishte vendosur ndërkohë për këtë përbërje të Kryesisë: Adem Dërguti – kryetar, Afrim Kabashi, Hanife Kerolli, Sabit Rreci, Bahtir Kastrati, Ramë Rreci, Rafet Ismajli, Rifat Mëziu, Muharrem Zabeli, Pajazit Isufi, Avdyl Imeri, Ismet Veseli dhe unë (anëtarë kryesie).

E tregova këtë ngjarje për të thënë se udhëheqësi i ardhshëm i UÇK-së, i emëruari apo i vetëemëruari, Hashim Thaçi, as nuk kishte lidhje se ekzistonin përpjekje për të krijuar ushtrinë e ardhshme të Kosovës.

Në vazhdim po e botoj pjesërisht letrën e Adem Dërgutit, të dërguar në muajin shkrut të vitit 2001.

FAXIMILI

I nderuari zotëri Gani Geci,

Duke të dëshiruar shëndet dhe të mira në jetë, me respekt të posaqëm të përshëndes në realizimin e librit “Lufta pa Maska”. Shpreh simpatinë time të thellë me aktivitetin tuaj të guximshëm, në luftë dhe pas luftës.

Pa hyrë në detaje, kam admirim në ty dhe pse jo, më gëzon fakti që një kohë u njohëm, bëmë pak aktivitet së bashku dhe mund të them se po bëhesh trashëgimtar i mirëfilltë i familjes që i takon dhe i një populli që duhet ta meriton.

Këto organizime, si në Shqipëri, Maqedoni dhe Zvicër bëhëshin me përgjegjësi të Imer Berishës dhe vëllezërve të tij, ose lidhjeve që ai i kishte me njerëz të besuar.

Prandaj e ndaj mendimin se Imer Berisha (atëherë banonte në periferi të Zürich-ut), pikërisht në banesen e tij bëheshin organizimet. Aty për herë të parë janë takuar në shtator të vitit 1991, musafirë së bashku, Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari. Ky takim i “rastësishëm” do të jetë shumë vendimtar që më vonë Adem Jashari të përkushtohet me forcë në realizimin e lirisë së Kosovës deri në fund. Këto gjëra i di më mirë Imer Berisha dhe vëllau i tij Zymeri.

Ndërsa zotëri Salih çeku, (respekt për zotëri Çekun), do të realizojë hyrjen dhe futjen e armëve në Kosovë, i pari në formën e organizuar.
E tërë ngjarja ndodhë prej 1 ose 2 nëntori të vitit 1991.

Nga Mitrovica kanë qenë këta djem:

Ramadan Begu,
Ilmi Peci,
Lutfi Jonuzi,
Nazmi Bajrami,
Ymer Ymeri,
Zejnullah Voca,
Ejup Murseli,
Shaim Behrami
dhe Beqir (nuk ja dij mbiemrin).

Ndërsa nga Skënderaj ishin këta djem:

Adem Jashari,
Murat Jashari,
Sahit Jashari,
Ilaz Kodra,
Fadil Kodra,
Avni Zymeri,
Avni Behrami,
Shaqir (nuk ja dij mbiemrin),
Jakup Nura
dhe unë Adem Dërguti.

NUK E LËSHOJ KOSOVËN PËR SË GJALLI THOSHTE ADEM JASHARI

Pasi u kthyen në Kosovë Adem Jashari, Adem Dërguti, Sahit Jashari, Fadil e Ilaz Kodra, Jakup Nura, dhe një pjesë e grupit nga Deçani, Salih Çeku e tjerë, vetëm pas disa kohe, policia serbe u bie në gjurmë.

Pas ardhjes së tyre nga Shqipëria, gjatë dimrit të vitit 1991 / 1992, me personat në fjalë takoheshim gati çdo ditë në kafeterinë «Zana» në Skënderaj me Sami Lushtakun, Fadil e Ilaz Kodrën, Xhevahir Gecin.

Më 31 dhjetor të vitit 1991, policia sërbe kishte rrethuar shtëpinë e Adem Jasharit dhe atë të Sahit Jasharit, (këtë na e ka dëshmuar babai i Sahitit Jasharit – Hamiti më vonë). «Atë natë, thotë Hamiti, ndejtëm deri vonë. Djemtë e mij Jashari, Sahiti e Musa, gjendeshin në odë, ndërsa unë në shtëpi. Herët në mëngjes dëgjohet zhurmë e madhe automjetesh. Dola në ballkon për të parë se çfarë po ndodhte. Pashë dritat e automjeteve policore e ushtarake sërbe, që ishin nisur për në Prekaz. Zbrita shpejtë në odë dhe u thashë djemve: «siç duket, po vjen policia».

Sahiti, Musa dhe Jashari i morën armët shumë shpejt, dolën në livadhet e Prekazit dhe u nisën në malin e afërt të Kodralive. Kur policia arriti te Kryqi i Prekazit, për të shkuar te shtëpia e Ademit, një pjesë e tyre ndalet te shtëpia jonë, ndërsa pjesa tjetër vazhdon drejtë te shtëpia e Adem Jasharit. Sahiti me vëllezërit e tij shtiu në drejtim të policisë.

Adem Jashari me vëllezër i kishin dëgjuar të shtënat dhe menjëherë i kishin marrë armët në duar për të luftuar kundër shkijeve. Pak më vonë Rifat Jashari duke dalë nga oborri në mal, prapa kashte, takohet me policinë e shkijeve. Ata i kishin bërtitur Rifatit: Ndal! (në gjuhën serbe), por Rifati i kishte qëlluar me automatik. Siç tregon më vonë Rifat Jasharaj: “I kam dëgjuar në mal duke bërtitur, Joj!” Që të tre (Rifati, Hamza dhe Ademi), kishin arritur ta kalonin rrethimin duke luftuar dhe kishin dalë në malin e Prekazit!.

Ishte ditë e ftohtë janari me dëborë dhe pushkët dëgjoheshin në gjithë Drenicën. Krisma e pushkës mbytej nga të ftohtit, por jo edhe aq sa për të mos e dëgjuar e gjithë Drenica dhe Kosova.

DITËN KUR KRISI PUSHKA E PARË NË DRENICË TE JASHARAJT

Pushka që kishte filluar atë mëngjes janari, qe pushka e parë e cila dha kushtrimin për liri.

Ku? Ku? Ku?
Ku po kërset pushka?
(pyesnin njerëzit).
Ku tjetër pos në Prekaz.
Në Prekazin e Ahmet Delisë.
Në Prekazin e Lushtakëve,
Që kishin djegur shtabin e partizanëve.
Në Prekazin e Tahir Mehës.
E tani, në kullën e Adem Jasharit.
Mu në zemër të Drenicës,
Kërset pushka
Për LIRINË E KOSOVËS.

Në dyert tona thërret Osman Geci, daja i Ademit. Ishte rreth orës 06.00, unë u zgjova. Në korridor takova nënën e cila më tha se dikush thërriste te dera dhe shtoi:
– O bir, diku po luftojnë! Po më duket në Prekaz, si atëherë kur ka luftuar Tahiri! (Tahir Meha).

Dola te dyert e oborrit të shihja se kush ishte. Aty pash Osmanin, me nipin e vet, Hetemin, djalin e Sokolit. Me gjysmë frymë më tha:
– Nipat po luftojnë! Por neve nuk na kanë qëlluar armë të gjata, e di se ju keni. A do të na i jepni, se domë me u shkue në ndihmë!

Me që e kisha armën time në dorë ia dhashë menjëherë Osmanit me gjithë pesë karikatorë të mbushura. Pastaj i thashë:
– Për një orë do të vij edhe unë në Prekaz!

Së bashku me vëllezërit i kishim fshehur armët në kulmin e xhamisë së fshatit. Këtë e dinte edhe Brahim Bajraktari, i cili na e kishte dhënë një kopje të çelësit të xhamisë. Kjo bënte të mundur që armët t’i merrnim kur t’na nevojiteshin dhe t’i vendosnim prapë aty.

Këto veprime kryheshin vetëm natën, sepse ditën mund të na shihte ndokush. Atë moment ishte ditë, e ditën ishte vështirë t’i tërhiqnim armët nga tavani i xhamisë. Prandaj vendosa të shkoj për fshatin Polac, ku Baci Lilë e kishte lënë një pushkë M 48 te Sejdi Koca (këtë pushkë me disa bomba dore ai i kishte blerë nga Syl Shala i Leqinës). I rashë nga mali i Deviçit, pasi rrugës ekzistonte mundësia të lëviznin policia. Në Polac dëgjoheshin krismat edhe më shumë. Djemtë e Sejdi Kocës kishin qenë duke e pastruar pushkën.
– I kam premtuar Osmanit se pas një ore do të shihemi në Prekaz, ma jepni këtë pushkë! E kam njetë me shkue në Prekaz! – u thashë atyre.

Ata ma dhanë pushkën dhe u nisa për në Prekaz. Rrugës takova Ilmi Zekën, i cili po shkonte në drejtim të Morinës. Më pas takova edhe Gani Kocin, i cili kishte qenë duke shkuar në Skënderaj, me të cilin ende kishim marrëdhënie të mira. Atë e kam edhe dajë të babait.
– A ke ndonjë armë Gani?,- e pyeta.
– Jo!, – m’u përgjigj.

Aty ishte edhe Fadil Hoti nga Polaci. E nxora revolën time dhe ia dhash Ganiut, i cili ende nuk dinte të përdorte armët. Gjatë rrugës e mësova se si duhet përdorur ajo revole në rast rreziku. Rreth orës shtatë të mëngjesit, arritëm në Prekaz.

Aty u takuam me luftëtarët të cilët ia kishin kthyer pushkën Serbisë njëherë e përgjithmonë, Adem Jasharin, Rifat Jasharin, Hamëz Jasharin, Sahit Jasharin, Fadil Kodrën, Ilaz Kodrën, Jakup Nurën dhe disa fshatarë të tjerë të Prekazit, të cilët me armët që posedonin i kishin ardhur Prekazit (familjes së Shaban Murat Jasharit) në ndihmë. Nga Llausha ishim Osman, Jetullah, Hetem e Sejdi Geci dhe unë. Aty na tregoi Rifat Jashari se si kishte ndodhur puna me policinë pas kashte. Çdo moment shtoheshin luftëtarët, të cilët kishin ardhur nga të gjitha anët e Drenicës. Helikopteri sillej mbi malet e fshatit dhe vështronte se si shtohej numri i njerëzve, që vinin për të ndihmuar.

Diku rreth orës 12.00 helikopteri akoma nuk ishte larguar nga ajo zonë, sigurisht për të bërë identifikimin e njerëzve në mal. Aty gjendej edhe Gani Kabashi nga Polaci, me të cilin vendosëm të shtinim në drejtim të helikopterit, që pa pushim sillej mbi ne, por nuk gjuante. Pasi gjuajtëm helikopterin, ai nuk u duk më aty ku gjendeshim ne. Gjatë ditës bisedonim se në mbrëmje do t’i sulmojmë policinë e cila kishte bllokuar një pjesë të madhe të popullsisë së Lagjës së Jasharajve. Na shqetësonte fakti i bllokimit të kësaj Lagjeje, por Hamëz Jashari na jipte gajret:

– Darsëm pa mish nuk ka! E pra, as Liri pa Gjak nuk ka me pasë kurrë! Kush e ka vdekjen, ka me vdekë, ai që e ka jeten, ka me jetue! Por, ma mirë është me vdekë, se sa me jetue në robëri!
Koha kalonte e mbrëmja po afrohej. Ademi na u kthye me këto fjalë:

– Gjatë gjitha luftërave, more Dajë, neve më shumë na janë vrarë gra dhe fëmijë, se sa luftëtarë! I kemi pasur armiqtë e ligj. Ata gjithnjë janë përpjekur që në këtë mënyrë të na shfarosin, duke i vrarë gratë, fëmijët e pleqtë. Por kur e do LIRINË i gjithë populli, s’ka kush që të mund ta ndalë.

Me insistimin e Gani Kocës të gjithë shkuam në shtëpinë e tij, për t’u çlodhur dhe për t’u marrë vesh se si do të vepronim në rast se policia sërbe nuk tërhiqej nga Prekazi. Me Sejdi Gecin e Llaushës, dajën e Ademit, shkuam për të marrë armatimin që e kishim të fshehur në xhami. Kur shkova në shtëpi e pash që armatimin e kishin marrë vëllezërit e mi, të cilët prisnin të niseshin për në Polac e prej andej për në Prekaz. Njerëzit e tjerë të fshatit nuk posedonin armë. Po t’i kishin, çdonjëri që e ndiente veten shqiptar, nuk do ta mbante armën në shtëpi e të mos i shkonte në ndihmë Prekazit.

Kjo gjë më bindi edhe më shumë se ishim të papërgatitur për luftë. Nga Skënderaj erdhi njoftimi se Lidhja Demokratike e Kosovës në Skënderaj kishte alarmuar Kryesinë e vet në Prishtinë, për ngjarjen e Prekazit, dhe këta të fundit, kishin alarmuar botën për mundësinë e fillimit të luftës në Kosovë. Në Prekaz kishin arritur Profesor Fehmi Agani, me ekipin e tij, për të tentuar me ndonjë ndërmjetësim pranë policisë sërbe, me qëllim të lirimit të popullsisë dhe për të ndaluar aksionin e nisur.

Në mbrëmje, policia kishte tërhequr mjetet e blinduara dhe personelin e vet, duke e lënë Prekazin nën ethet e luftës. Shumë veta ishin arrestuar dhe dërguar në Mitrovicë, të cilët më pas i kanë maltretuar deri në alivanosje, me metoda nga më çnjerëzoret. Në burg kishin dërguar edhe Mixhën, Shaban Jashari, të cilin, po ashtu, e kishin rrahur e maltretuar për djemtë e shokët e tyre. Gjatë kësaj lufte u plagos Vesel Selimi, axha i Sulejman Selimit “Sulltanit”, nga Açareva, të cilin, pasi e kishin arrestuar, e kishin dërguar në spitalin e Prishtinës, për ta shëruar. Por, me intervenimin e disa personave dhe me ndihmen e punëtorëve shqiptarë të spitalit, u organizua ikja e

Vesel Selimit nga spitali. Për këtë ikje ishte angazhuar edhe vëllai im, Fadili.
Veseli, para se të largohej nga Kosova, ka qëndruar rreth një muaj në Açarevë, nën kujdesin dhe mbrojtjen e vendasve.

MIXHA SHABAN GJITHMONË THOSHTE: “PA LIRI, NUK KA FE!”

Që nga lufta në Prekaz, çdo fshat i Drenicës në vendkalimet më të rrahura, kishte organizuar Rojet e Fshatit. Mobilizimi kishte arritur shkallë të lartë, por çfarë mund të bënim kur na mungonte armatimi? Populli ishte organizuar në mënyrë solide, përcillte pa pushim lëvizjen dhe veprimet e policisë dhe ushtrisë sërbe. Në fshatin tonë, udhëheqës i Rojës ishte Sylë Geci, punëtor i mbrojtjes territoriale në komunen e Skënderajt, bashkë me djalin e vet Hysen Gecin, i cili i kishte kryer dy vite të shkollës së mesme Ushtarake në Beograd.

Duke i marrë parasysh mjetet që posedonim, organizimi ishte shumë i mirë. Ne kishim shtatë Roje komanduese. Çdonjëri prej tyre i kishte nga dhjetë ushtarë, të cilët bënin roje deri në mëngjes në pikat që i kishim caktuar më parë. Udhëheqësit e Rojës, së bashku me njerëzit e tyre, kryenin shërbimin një herë në javë. Çdo ditë ndërroheshin rojet. Kishim mjaft njerëz në dispozicion. Kontrolli ishte rigoroz dhe të gjithë e kishim kuptuar seriozisht domosdoshmërinë e luftës. Prandaj mundoheshim që të organizoheshim sa më mirë, natyrisht brenda mundësive.

Në fshat, kishim montuar edhe sistemin e alarmit, një sirenë të zëshme, e cila aktivizohej me rrymë, po në rast mungese të rrymes, sirena furnizohej me akumulatorë. Gjatë viteve 1992-1993, sistemi i Rojes kishte kryer detyrën e vet pa probleme, kurse më vonë u shëndrrua në barrë vetëm të atyre, që ishin të rrezikuar nga policia sërbe.

Ne ishim pothuajse të vetmit në fshat, që posedonim armë, të cilat i kishim sjellur nga Kroacia. Shumica qenë të prodhimit hungarez, ndërsa disa të tjera i kishte blerë Baci Lilë në Zvicër. Për t’i sjellë ato armë në Kosovë, Bacit Lilë i kishte ndihmuar Florije Ndreshaj, vajza e Brahim Ndreshajt, i arratisur nga Shqipëria, si kundërshtar i sistemit komunist, i cili qe njeri i mençur dhe i respektuar në Drenicë. I tërë viti 1992, gjatë gjithë kohës dërrmuese, ishte vit i Rojës për mua, sepse, pothuajse tërë kohën e kaloja në Roje të Fshatit tim me Xhevahir dhe Agim Gecin.

Shpeshherë shkonim edhe në kullën e Mixhës Shaban Jashari, i cili ishte fetar i devotshëm dhe besonte pa hile në Perendinë dhe që gjithmonë përsëriste se: “Pa LIRI nuk ka FE!”.

Kullën e Mixhës Shaban e kanë vizituar burra të ndryshëm, politikanë, profesorë, doktorë shkencash. Aty janë mbajtur shpesh herë mbledhjet politike me rëndësi të veçantë.

Aplikimi që nga viti 1991 i sistemit të rojes në fshatin Prekaz, si dhe kontrolli i herëpashershëm i kalimtarëve, e shëndrroi fshatin në tokë të pashkelur nga policia sërbe. Për çdo veprim këshilloheshim me Adem Jasharin. Shpeshherë kanë ardhur në Kullë edhe njerëz, të cilëve edhe vetë Ademi nuk u besonte. Në të tilla raste, ata rrinin me Mixhën Shaban, kurse Hamza me Ademin shkonin me shokët e vet në dhomën tjetër.

Hamza na këshillonte të kemi kujdes, të mos rrezikojmë jetën dhe familjen nga moskujdesi, sepse armiku është i rrezikshëm. Në Skënderaj, pushteti kishte kaluar krejtësisht në duart e sërbëve. Armiku, së pari, suspendoi mbrojtjen territoriale të komunës, pastaj filloi largimin e dhunshëm të tërë personelit administrativ.

Organizimi i jetës filloi në mënyrë paralele, mirëpo, sa ishte e mundur kjo, kur të gjitha lëmitë e jetës kishin kaluar në duart e sërbëve? Rinia e Kosovës filloi ta lëshonte Kosovën me të madhe. Perspektiva e tyre vështirësohej nga dita në ditë. Një numër i madh i tyre që gjendeshin në shërbim ushtarak të Jugosllavisë kishin dezertuar. Një pjesë e vogël luftonte për popujt e tjerë të Jugosllavisë.

Shumë nga këta të rinj janë vrarë në fronte të huaja, për toka të huaja. Megjithatë, jeta vazhdonte. Të paktë ishin ata që mendonin se duhej luftuar edhe me armë kundër pushtetit serb, i cili kishte pushtuar çdo pore të jetës. Ademi me shokët e vet vepronin për t’iu kundërvënë Serbisë me armë. Në komunën tonë, i tërë organizimi i jetës kishte kaluar në duart e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo parti, me gjithë fuqitë e saj, mundohej ta organizonte popullin në mënyrë paralele, mirëpo sukses kishte vetëm aty ku nuk pengonte pushteti serb.

PROFESOR AGANI PREFERONTE BASHKIMIN NË NJË ORGANIZIM TË MIRËFILLTË KUNDËR SERBISË, MADJE EDHE ME AKCIONE GUERILE

Gjatë një tubim të Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Skënderaj, në vitin 1992, në të cilën ishte i pranishëm edhe profesor Fehmi Agani, shumë të pranishëm pyesnin profesorin e nderuar për mënyrën si të veprohej në të ardhmen.

Ne e pyesnim për çdo gjë, ndërsa ai na përgjigjei. Dikush nga të pranishmi e pyeti për shkollat dhe mundësinë e qëndresës para tyre duke thënë: – Më mirë është të vdesim para shkollave sesa t’i lëshojmë ato! Profesori i qe përgjigjur: – Kur të vendosim të vdesim për shkolla, duhet të hymë në to, sepse egziston mundësia edhe të vdesim dhe mos të hyjmë në shkolla. Prandaj duhet gjetur kohën dhe mënyrën si të veprojmë!

Pasi i tërë organizimi bëhej në lokalet tona private, shumë gjëra mund t’i dëgjoja edhe unë, edhe pse nuk isha anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Profesor Agani preferonte bashkimin në një organizim të mirëfilltë kundër Serbisë, madje edhe me aksione guerile, për t’i treguar policisë serbe për lëvizjet tona nëpër Kosovë. Në fshatin tonë, bashkë me Hysen dhe Xhevahir Gecin ushtronim të rinjtë për përdorimin e armëve, kallashnikovit e revoles.

Hyseni mbante orë mësimi teorik për mbrojtje me rininë e fshatit tonë. Ne që ishim më radikalë, kishim nganjëherë probleme me fshatarët pasi armatimi ynë ishte i dobët. Ata ishin të vetëdijshëm për këtë dobësi, dhe nga ne kërkonin syçeltësi dhe maturi në veprime. Pas asaj që kishte ndodhur në Prekaz, policia ishte tërbuar dhe maltretonte njerëzit e pafajshëm. Shumë të këqija i ndodhën popullit tonë. Më tepër se shtatë mijë nxënës të shkollave u helmuan në tërë Kosovën. Këto skena ishin rrënqethëse kur i shihje rininë të helmuar nga helmet e panjohura që kishin përdorur serbët kundër rinisë së Kosovës.

Nga shkollat i përjashtuan të gjithë arsimtarët që nuk pranuan plan-programet serbe.

Pikërisht më 30 prill 992, ditë e enjte, rreth orës 10.00 në qendër të Skënderajt, policia serbe vrau Sami Babajn, të birin e Ramë Babajt, nga Llausha, vetëm për shkak se ishte banor i Kroacisë. Policia e qëlloi prapa shpine, kur ai po ikte nga frika për të treguar letërnjoftimin kroat, që posedonte. Atë ditë unë gjendesha në Mitrovicë. Kur mora vesh rreth ngjarjes, u ktheva në Skënderaj. Në vendin e ngjarjes ishin vendosur autoblindat serbe, nën udhëheqjen e Zoran Pantiqit, i cili ishte më agresivi gjatë tërë atyre viteve në Skënderaj. Shumë vështirë ishte të përmbahej njeriu në raste të tilla.

Në varrimin e Samiut, më 1 maj 1992, morën pjesë me mijëra njerëz dhe qarkullonin fjalët se dhunës duhet t’i kundërvihemi me dhunë. Pas vrasjes së Samiut, si te unë ashtu edhe te Njësiti i Llaushës, u ngulit ndjenja e hakmarrjes ndaj policisë serbe, mirëpo duhej pritur çasti i volitshëm. Kishim biseduar edhe me Adem Jasharin se si duhej vepruar në të ardhmen. Por, Ademi kërkonte maturi. Ai mendonte se veprimet ushtarake duhet të përputhen me ato politike. Pas vrasjes së Samiut, policia u bë edhe më e rrezikshme, sepse dëshironte gjunjëzimin total të shqiptarëve.

Në ndërkohë ne vazhdonim të punonim në firmën tonë private. Çdo ditë kishim kundërshtime me policinë dhe inspektorët, tatim-mbledhësit dhe gjithë mekanizmin komunal serb. Në lokalet tona, ku ishin të vendosura zyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pushteti serb kundërshtohej politikisht. Kurse nga njësitet guerile, pushteti serb kundërshtohej me armë, pra, ushtarakisht.

Kur flas për njësite guerile kam parasysh Njësitin e Llaushës dhe të Prekazit të udhëhequra Adem Jashari. Përveç këtyre dy Njësive, në Drenicë, nuk kishte tjetër. Çdo ditë e më shumë po humbiste durimi, rreziku shtohej. Inspektorët serbë mund të vinin në lokalin tonë vetëm të shoqëruar nga policia, pra me anë të forcës, përndryshe ne i largonim vetë, me dhunë nga lokalet tona. Gjatë çdo kontrolli ata shoqëroheshin nga policia, fillimisht duke e rrethuar lokalin, pastaj vepronin me anë të forcës.

Në maj të vitit 1992, vëllezërit e mi, Fadili e Haxhiu bashkë me Ismet Çitakun, ishin nisur për të shkuar në Mitrovicë me automjetin e tyre. Në Klinë të Epërme i kishte ndaluar policia serbe dhe i kishin pyetur se nga vinin. Përndryshe, Fadili ishte edhe anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai u ishte përgjigjur:

– Vijmë nga Skënderaj.
– Ku gjendet Skënderaj?, – e kishin pyetur ata.
– Këtu është Skënderaj!, – ua kishte kthyer Fadili.
– Jo këtu është Srbicë!, – i kishin thënë ata.
– Këtu është Skënderaj e jo Srbica! – ishte përgjegjur Fadili.

Kriminelët, të tërbuar nga kjo përgjigje, kishin filluar t’i maltretonin. Fadili u ka rezistuar dhe aty kishte filluar rrahja. Fadili dhe Haxhiu (vëllezërit e mij) ua kishin kthyer të rënat policëve. Gjatë njëzet minutave kishin qëndruar duke sjellë me shqelma e grushta, duke i përgjakur shkijet, por ishin përgjakur edhe vetë. Pas asaj rrëmuje kishin mbërritur përforcime të mëdha policore dhe i kishin dërguan me dhunë, të dy, në stacionin e tyre në Skënderaj. Kordoni i gjakpirësve ishte rradhitur që nga rruga e deri në ndërtesen e tyre dhe nga të dy anët u binin me kondakë të pushkëve dy të rinjëve të lidhur.

Policia kishte vazhduar maltretimin dy ditë rresht, derisa ua kishte ndërruar pamjen e jashtme nga të enjturat e trupit dhe fytyrës. Që të dy i kishin dënuar me procedurë të shpejtë me nga 60 ditë burg. Po atë ditë na njoftuan se policia serbe i kishte burgosur dy vëllezërit tonë. Kishte edhe informata se i kanë vrarë.

Ndërkohë ne e patëm zënë një shka në fshatin Llaushë, elektricistin e Skënderajt. Pasi e zumë, e detyruam që të vie me ne në servisin e Abedin Rrecit. Insistova që shkau t’i telefonojë policisë në Skënderaj dhe t’ju tregojë se është kapur si peng nga vëllezërit Geci, dhe se nuk do ta lëshonim derisa të liroheshin vëllezërit tanë (Fadili dhe Haxhiu). Mirëpo në servis kishte qëlluar edhe Idriz Rreci, kryetar i Lidhjes Demokratike i Skënderajt, i cili na e mbushi mendjen që ta lironim atë shka, sepse nuk ishte e drejtë të krahasoheshin vëllezërit tanë me një shka të keq.

Me gjithë rrahjet e maltretimet, shkijet nuk kishin arritur që Fadilit dhe Haxhiut t’ua ndërronin bindjen se «Skënderaj» është «Srbica», sipas emërimit serb. Kjo ngjarje ka ndodhur në maj të vitit 1992.

Ky qe një ndër shkaqet që t’i drejtoheshim personalisht Adem Jasharit me kërkesën për të kryer ndonjë aksion gueril me qëllim hakmarrjeje. Ademi na u përgjigj të presim një rast më të volitshëm. Kështu, në mbrëmjen e 6 korrikut të vitit 1992, kryhet aksioni i parë nga Njësiti Gueril i Llaushës, nga Xhevahir dhe Agim Geci, bashkë me mua. Adem Jasharin e kishim njoftuar përmes djalit të tij, Lulzimit.

Për ne kjo ishte një ditë e veçantë, se Komandanti na kishte dhënë leje për të bërë diçka, që përfundimisht do t’na inkuadronte në luftën e armatosur për çlirimin e trojeve të të parëve tanë.

SI U KRYE AKSIONI I PARË NË DRENICË MË 7 KORRIK TË VITIT 1992 ME URDHËR TË ADEM JASHARIT

Aksioni i parë në Drenicë është bërë nga Njësiti ynë i Llaushës, me 7 korrik 1992,. Në këtë aksion kam marrë pjesë unë me Xhevahir dhe Agim Gecin. Veprimi ushtarak është bërë në qendër të Skënderajt, midis dy shkollave. Aty gjenden edhe sot gjurmët e plumbave në një shtyllë metalike të rrethojës së shkollës.

Me urdhër të Adem Jasharit, aksioni është kryer rreth orës 01.15 të natës. Gjatë asaj kohe policia kriminele bënte në mbrëmje stërvitje, në brekë duke vrapuar. E ndjenin veten shumë të sigurtë, sikur të ishin diku në qendër të Beogradit apo mes pyjeve me thi të Shumadies! Ademi urdhëroi Njësitin e Llaushës që shkieve t’u jepej një mësim i mirë, aq sa për ta kuptuar se ndodheshin në tokë të tjetërkujt.

Ne e kryem këtë aksion me sukses, gjatë së cilit vritet një polic dhe plagosen dy të tjerë.

Pas përfundimit të aksionit, u takuam në oborrin e shkollës, ia dhamë dorën njëri-tjetrit dhe morëm rrugën për në Llaushë nga ana e Lumit të Hanit, me qëllim të shlyerjes së gjurmëve tona. Ecëm lumit përpjetë, deri në anën tjetër të fshatit, duke kaluar më pas nëpër lumin e Zhevarit dhe u kthyem në Llaushë. Këta janë dy lumenjë të vegjel të fshatit tonë që bashkohen me lumin Klina.

Fadilin, vëllain tim, e njoftova që të mos dilte në Skënderaj, sepse «dikush» e kishte vrarë policin serb. Fadili këtë gjë ia kishte treguar Bacit Lilë, i cili kishte mbetur në mes dy rrugëve: në rast se ne mbylleshim në shtëpinë tonë, policia do të dyshonte dhe do të ndërmerrte ndonjë veprim ndaj nesh, sepse ne kishim lokalet tregtare në qendër të Skënderajt, dhe po të ishin të mbyllura lokalet, i gjithë dyshimi për vrasjen e plagosjen e policëve serbë do të binte mbi ne vëllezërit.

Baci Lilë mori vendimin të dilte në qytet dhe i kishte thënë Fadilit se, në rast se do të më arrestojnë unë nuk do të pranoj asgjë. Po që se ju arrestojnë juve, ata mund t’ju gënjejnë se unë kam pranuar, por pa më ballafaquar me ju mos pranoni asgjë. Me të parë Bacin Lilë, policia serbe e kishte arrestuar menjëherë, dhe e dërguan në postën e policisë.

E kishin pyetur për mënyrën si i kishte likuiduar policinë, një natë më parë. Ky iu ishte përgjigjur: – Unë nuk e dij se kush i ka vrarë policët, por ju gjejini autorët, të cilët jam i gatshëm t’i vras me dorën time. Në këtë mënyrë ua kishte mbushur mendjen se ne «nuk kishim kurrfarë lidhjeje» me atë aksion. Ata e kishin pyetur se çfarë po flitet në popull rreth këtij rasti. Baci Lilë kishte shtuar:

– Ne kemi president Ibrahim Rugovën, dhe po të na thërriste ai të hyjmë në luftë vetëm me sopata, ne do ta dëgjonim, por ai ka zgjedhur rrugën paqësore, e ne po i shkojmë pas. Nuk kam lidhje me ato punë, as nuk di kush, as nuk di qysh! Pastaj kishte shtuar: – Kam dëgjuar se policia e Arkanit po i vret policët e Sheshelit, ose këta të Sheshelit po e vrasin policinë e Arkanit.

Kjo ishte një lloj propagande speciale e jona. Bacin Lilë e kishin pyetur se ku i ka vëllezërit. Për mua u kishte thënë se nuk ndodhem në Kosovë ndërsa të tjerët janë duke punuar në lokale.

Një muaj më parë, vetë Baci Lilë kishte qëlluar mbi policinë serbe, te shtëpia e Deli Dobranit në Skënderaj, por nuk i kishte treguar askujt. Ne, që kishim kryer aksionin, dolëm në male mes fshatrave Llaushë dhe Rakinicë. Helikopteri i policisë ishte ngritur në kërkim të autorëve të rastit, por me që ishte vera, dushku i malit mbyllte çdo pore dhe ne lehtë fshiheshim pas tyre. Afër dy javë i kemi kaluar në malet e Llaushës.

Atëherë e pyetëm Ademin se si të vepronim më tej. Ai na këshilloi që përkohësisht të kalonim në Shqipëri, gjë që edhe e bëmë. Shkuam në këmbë deri në Maqedoni dhe vazhduam në mënyrë ilegale deri në Shqipëri. Me ne ishte edhe Baci Lilë dhe Florije Ndreshaj. Pas tri javësh qëndrimi në Shqipëri, Xhevahir Gecin e lajmërojnë se e kishte djalin shumë të sëmurë dhe ai kthehet në Kosovë.

Ne qemë larguar pa pasoja. Atëherë kemi qenë pa maska, por për maskat do të flasim edhe më vonë. Për këtë veprim, Ademi as ne, nuk i kemi treguar askujt. Më vonë e ka marrë vesh edhe Sami Lushtaku, i cili e kishte pyetur Adem Jasharin për kryesit e veprimit ushtarak. Për këtë aksion nuk e kanë ditur as Avni Nura, as Besim Rama, (të cilët u burgosën më vonë).

Përveç Ademit, nga familja e tij duhet ta kenë ditur edhe i biri Lulzimi si dhe Hamëz Jasharaj, vëllau i tij, i cili ka qenë gjithnjë së bashku me Ademin.

Ne kaluam në Shqipëri, në fund të korrikut të vitit 1992.

KUSH PO MBILLTE NË SHQIPËRI FARËN E URREJTJES NDËRSHQIPTARE

Në Shqipëri kemi qëndruar te familja e Agim Puros, në rrugën Ali Demi, tek Uzina e Traktorëve. Familja Puro na ka pritur për mrekulli. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, kemi takuar Sejdi Ramë Babajn, të cilit i kemi ndihmuar disa ditë me të holla dhe e kemi marrë në banesën tonë. Kemi takuar edhe Haki Hajdarin, nga Klina, të cilit ia kemi huazuar disa lekë, pasi që kishte mbetur pa to.

Edhe Hakiu kishte ikur në Shqipëri për shkak të telasheve të njejta si ne, mirëpo, ne nuk guxonim t’i shpreheshim njëri-tjetrit, sepse në atë kohë mungonte besimi te çdonjëri, pasi nuk njiheshim mirë me njëri-tjetrin. Haki Hajdari kishte qëlluar mbi policinë serbe, së bashku me Sylejman Aliun nga Klina. Kjo ishte arsyeja e ikjes së tij.

Në Shqipëri ishte krijuar një ndjenjë kundër shqiptarëve të Kosovës. Madje një ditë kemi përjetuar një provokim të madh ndaj nesh nga goja e një durrësaku. Që nga ajo ditë na është dashur të bëjmë kujdes nga këto provokime, të cilat ishin shumë të rrezikshme. Kishte mundësi që të na dilnin probleme me grupe të ndryshme hajdutësh e vagabondësh.

Gjatë asaj kohe flitej se Sali Berisha «i kishte sjellë në Tiranë dhe qytete tjera kosovarët dhe malokët!?” Kjo propagandë e poshtër thurrej nga komunistët, grekofilët dhe serbofilët. Ka ndodhur shpesh që shqiptarë nga Kosova të plaçkiten, maltretohen, ndoshta edhe të vriten.

Atëbotë bëhej dallim i madh mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. Ishte e pamundur t’ua spjegonim se “ne jemi një popull, por të ndarë në dy apo më shumë shtete”, se “shqiptarët nga Kosova, Shqipërinë e njohin si Nënën e tyre, ndërsa Serbinë si pushtuese, kundër së cilës kemi luftuar dhe do ta luftojmë deri sa të çlirohemi!”.

Ishte gjë e vështirë për t’ua spjeguar, pasi që gjatë periudhës komuniste në Shqipëri kishte munguar informimi, se jashtë Shqipërisë zyrtare gjendet edhe një territor me po kaq shqiptarë sa në Shqipëri dhe se në ato territore flitej dhe mësohej gjuha shqipe.

Më është dashur të flas me orë të tëra për Prishtinën, u kam thënë se është përafërsisht sa Tirana, dhe se aty mbi nëntëdhjetë përqind e popullsisë, janë shqiptarë. U spjegonim se kishim edhe Universitetin e Prishtinës. Të gjitha këto na bënin të kuptonim se shqiptarët e Shqipërisë e njihnin shumë pak historinë e kombit tonë. Disa herë kemi patur probleme në rrugë, sepse ne dalloheshim nga dialekti që ishim shqipëtarë nga Kosova.

Gjatë asaj kohe në Shqipëri, nga Kosova, kishin kaluar edhe disa grupe marksist-leniniste, të cilët e propagandonin enverizmin dhe marksizëm-stalinizmin si ideologji shpëtimtare për shqiptarët! (Zoti i marroftë!! ) Atje gjendej edhe Elmi Zeka, disa herë ka qenë edhe Hashim Thaçi e shumë e shumë të tjerë, të cilët unë nuk i njihja. Në banesat ku ata rrinin, shihej qartë se kush banonte aty, se ishin të mbushura me grafite e parulla socialisto-komunisto-staliniste.

Qysh atëherë mund të vërehej se këto grupe punonin kundër sistemit demokratik të Shqipërisë, duke propaganduar e duke lavdëruar Fatos Nanon dhe kliken e tij. Nëpër gazetat ditore të Tiranës lexonim kritikat që Rexhep Qosja ia bënte Rugovës, se kinse «ai po pika duhan Marlboro dhe makiato!».

Pas dy muajsh qëndrimi në Shqipëri, ne kaluam në Gjermani përmes Maqedonisë, Bullgarisë e Hungarisë. Në Austri u zumë nga ushtria austriake. Agimi i kishte dokumentet e mia personale, ndërsa unë kisha pasaportën fallso të mikut tim Naser Goranit nga Pokleku i Drenasit. Për fat, policia dhe ushtria austriake nuk e kuptuan këtë dhe na kthyen në Hungari. Edhe aty pata probleme për shkak të pasaportës, por unë këmbëngula se isha Naseri, e pas pak kohe ata më liruan.

Më vonë kaluam nga Hungaria në Çekosllovaki, dhe prej aty me taksi në Gjermani. Në kufirin Gjermano-Çek, për fat, nuk na ndalën fare dhe shkuam në Mynih. Prej aty kemi shkuar në qytetin e Heilbronit, ku takuam Hysni Rrahim Gecin, i cili na ka ndihmuar deri sa jemi vendosur. Aty morëm vesh se afër Heilbronnit, ndodhej fshati Untergruppenbach, ku vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, qenë vrarë nga UDB-ja e Jugosllavisë.

Kërkesën për azil politik e bëmë në Karlsruhe.

Pas disa muajsh qëndrimi në Gjermani, sërish u ktheva ilegalisht në Kosovë dhe ndërrimin e moteve 1992 / 1993 e kalova në shtëpinë tonë, dhe vazhduam aksionet tona. Gjatë një kohe relativisht të gjatë nuk kam dalur asnjëherë në qytet, ndërsa dikur, sa filloi të harrohei aksioni, dola nga gjysmë-ilegaliteti im.

NE JEMI POLICIA E DR. IBRAHIM RUGOVËS

Ishte një e enjte, e vitit 1993, muaji nuk më kujtohet, por e di se ishte ditë e enjte. Në Skënderaj kishte ardhur Çun Muharremi nga Drenasi, i cili kishte deklaruar në Televizionin e Novi Sadit, se e dinte se kush i kishte vrarë policët në Skënderaj dhe në Drenas te stacioni i autobusëve. Unë nuk e njihja atë, por Baci Lilë më tregoi se Çuni kishte mustaqe dhe se kishte shtat të gjatë. Morëm vesh se punonte në postën e Drenasit dhe se ishte spiun shumë i rrezikshëm. Madje ai kishte filluar të krijonte edhe rrethin e vet të bashkëpunëtorëve në Drenas.

Unë shkova në Prekaz dhe u tregova Sami Lushtakut, Fadil e Ilaz Kodrës, se ky laper gjendet në Skënderaj. Së bashku jemi nisur për në Skënderaj për ta gjetur atë, por ai kishte shkuar në Drenas. Kështu që, me automobilin e Bacit Lilë morëm rrugën për në Drenas. Xhavahiri i jepte makinës, kurse ne të tjerët ishim të armatosur me revole dhe bomba. Në hyrje të qytetit kishte gjithnjë kontrollime në post-bllokun policor, por ne vendosëm ta kalojmë ndalesën ashtu të armatosur. Në rast se do të na ndalnin kishim vendosur që të qëllonim mbi policinë. Detyrat ishin të ndara, çdonjëri nga ne duhej të godiste nga një kriminel. Por fati e deshi që policia e kishte braktisur postin para se të kalonim ne.

Ne hymë në qytetin e Drenasit ndërkohë që automjetin e kishim parkuar në hyrje të qytetit. U ndamë dy nga dy dhe i ramë në këmbë qendrës së qytetit, me të vetmin qëllim për të takuar atë laper. I pyetem disa njerëz e ata na treguan se ai kishte marrë drejtimin e Ferronikelit, i shoqëruar nga një pylltar. Vrapuam derisa para nesh pamë spiunin e pylltarin. Me Fadil Kodrën shpejtuam hapat për ti zënë. Kur u takuam e pyetëm:

– A je ti Çun Muharremi?
– Po!, – u përgjigj.
– Na trego letërnjoftimin për t’u siguruar!, – ia kthyem ne. Ai na dha letërnjoftimin.
– Të ulemi për disa minuta për të biseduar për diçka!, vazhduam ne. U ul edhe pylltari.
– A ke dhënë kohët e fundit ndonjë intervistë në televizionin e Beogradit?, e pyetëm.
– Jo të Beogradit, por të Novi Sadit!, – na u përgjigj ai.
– Prej nga i ke të gjitha ato informacione?, – e pyetëm.

Në atë moment i pamë duke ardhur nga ana e poshtme e malit Sami Lushtakun, Xhevahir Gecin e Ilaz Kodrën.

– Çka po e pyesni këtë spiun?, – na pyeti Samiu. Pastaj i dhamë «një mësim shumë të mirë» aq sa mbi kokën e tij m’u thye edhe gishti.

– Kush jeni ju, more burra?, – na pyeti pylltari.

– Jemi policia e Rugovës!, – iu përgjigjëm.

Në atë kohë edhe ne dëshironim të fshiheshim prapa rrugës paqësore. Disa të rëna i mori edhe pylltari, të cilit ia tërhoqëm vërejtjen të mos rrinte me spiunë, sepse rrezikonte të përjetonte fatin e tyre. U kthyem trup arave dhe dolëm në Gllobar afër Tërstenikut, kurse Xhevahir Geci u kthye në qytet për ta marrë automobilin dhe për t’u kthyer në Skënderaj. Ne dolëm në rrugen kryesore afër Tërstenikut ku erdhi edhe Xhevahiri me automobil dhe na mori. Pastaj vazhduam rrugën për në Skënderaj.

Policia kishte filluar të bënte bashkëpunëtorë në fshatra e qytete, kërkonte armë çdokund, ku kishte informata se mund t’i gjente ato. Herë pas herë shkonim te Ademi, ku këshilloheshim si të vepronim në të ardhmen.

Aksioni tjetër kryhet nga njësiti i Prekazit, konkretisht nga Sami Lushtaku dhe Ilaz Kodra.

Hashim Thaçi nuk ka qenë i pranishëm. E vërteta është se ai ka qenë nja dy javë para se të kryhej ky veprim, me Avni Nurën dhe Besim Ramën, deri tek rruga e trenit në Drenas. Aty kanë pritur rreth 45 minuta me shpresë së mos vinte ndonjë mjet i policisë. Por, meqenëse nuk kishte kaluar asnjë automjet, ata ishin larguar. Pas këtij «rasti heroik» Hashimi u dënua me dhjetë vjet burg në mungesë. Të paktën kështu kanë dëshmuar dy shokët e tij që ranë në burg. Deklaratat e tyre na janë bërë të njohura përmes shtypit tonë.

Pas aksionit të Sami Lushtakut dhe Ilaz Kodrës, policia ndërmori masa të rrepta dhe arrestoi shumë njerëz. Ne ishim të ndërgjegjshëm që për shkak të veprimeve tona dikush do ta pësonte, por nuk kishte rrugë tjetër. Masa filloi të na kuptonte dhe efekti i atyre aksioneve ka qenë i madh.

Njerëzit u bindën se me policinë serbe jo vetëm që nuk duhej bashkëpunuar, por duhej luftuar kundër saj. Nga ana tjetër as ata nuk guxonin të ndërmerrnin vepra kundër shqiptarëve haptas, sepse frikësoheshin se mund t’i gjente i njëjti fat si i kolegëve të tyre.

Më vonë Sami Lushtaku e Ilaz Kodra kishin kaluar në Gjermani, ku kishin rënë në kontakt me Ibrahim Kelmendin dhe Fehmi Lladrovcin. Të dy këta ishin inkuadruar atje në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Edhe kërkesat për azil i kishin bërë si anëtarë të LPK-së. Ibrahim Kelmendi, një eksponent i Lëvizjes Popullore, marksist-leninist i regjur, por për çudi edhe njeri i njëqind ngjyrave kur e kërkonte nevoja, kishte arritur të infektonte edhe djem të tjerë të Drenicës, gjyshërit e të cilëve kishin qenë ballistë e luftëtarë të Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës.

Hashim Thaçi kaloi në Zvicër.

Ndërsa Adem Jashari nuk pranoi ta lëshonte asnjëherë Kosovën, as Hamza, as nipat, Luli etj.

OSMAN GECI: “DO T’A SHES TOKËN ME E BLE NJË PUSHKË!”

Në vitin 1994, policia vjen në fshatin tonë dhe i lë fletë-arrestet për Osman Gecin, dajën e Ademit, prej të cilit e kanë kërkuar një revole, Halil Brahim Gecin, daja tjetër i Ademit. Ata arrestuan Sylë Gecin dhe nga ky kërkuan mënyren e organizimit të deri atëhershëm, dhe të gjitha llojet e armëve. Poashtu ia sjellin edhe Bacit Lilë fletë-arrestin. Ne u morëm vesh me Osmanin e me Bacin Lilë e me gjithë fshatin që të mos u përgjigjeshim fletë-arresteve të Sërbisë.

Në atë kohë vijnë në kullën tonë Adem e Sahit Jashari me Sulejman Selimin «Sulltanin», i cili ka qenë i angazhuar në mënyrë indirekte. Sulejmani ishte sportist, djalë trim, dhe ka qenë i angazhuar me Adem dhe Musë Jasharin, vëllain e Sahitit.

Kur është rrethuar Ademi, në vitin 1991, Sulltani ka qenë i shtruar në spital, shkaku i një djegie. Ai ka kryer punë shumë herë, e ka patur një automjet-kombi, shpesh e ka marrë Ademin dhe e ka çuar në vende të caktuara natën. Sulltani ka gëzuar besim të madh prej të gjithëve, kemi pasur besim të shkonim tek ai ditë e natë. Ai ka pasur armatim, të cilin e kishte blerë vetë. Atëherë kur tentuan të arrestojnë Osman Gecin, duhet thënë se në kullën tonë shkuam me Adem e Sahit Jasharajn, Sylejman Selimin, Xhevahir e Rrustem Gecin e Bacin Lilë. Aty morëm vendim që shtëpinë e Osman Gecit të mbronim me armë. Fëmijët përcillnin situatën dhe vinin në odë e na tregonin rreth çdo hapi të policisë.

Shtëpia e Osmanit ishte në krahun e majtë të rrugës, Skënderaj – Klinë, përballë saj ishte kodra Zheginë, prej nga dukej oborri i shtëpisë. Osmani i kishte tërhequr fëmijët nga shtëpia. Fëmijët na treguan se policia kishte shkuar me pinzgauer në lagjen e Vojvodëve. Shumë shpejtë dolëm nga kulla jonë dhe zumë pozicionet përbri shtëpisë, në anën e epërme, në kodren Zheginë, e cila ishte në një largësi prej 200 metrash nga shtëpia.

Adem Jashari, Xhevahir Geci dhe Osmani hynë në shtëpi. Sahit Jashari, Baci Lilë, Rrustem Geci, Sulejman Selimi e unë i zumë pozicionet për luftë përjashta. Në rast se policia do të ndalonte para shtëpisë, ajo do të sulmohej nga të gjitha anët me urdhërin e Komandantit, i cili ishte brenda në shtëpi. Ishim marrë vesh që i pari do të qëllonte Ademi. Pa u dëgjuar pushka e tij, asnjëri nga ne nuk duhej të qëllonim. Për fat të mirë, policia, e cila ndoshta edhe kishte hetuar parapërgatitjet tona dhe mundësinë e një lufte, nuk u ndal te shtëpia e Osman Gecit, por kaloi andejpari dhe shkoi rrugës për në Skënderaj. Pas largimit të tyre hymë në shtëpi e Ademi tha:

– Siç duket, kur policia po e kuptoka se e kemi përnjëmend, nuk po ia niskan zullumit!

Nga ajo ditë Osman Geci vendosi që të shiste tokën për të blerë një kallashnikov.

Kontaktet tona me Ademin kanë qenë të shpeshta. Ai ka ardhur në fshatin tonë, me Sahit Jasharin, kemi gjuajtur shenjë, kemi bërë përgatitje. Legjenda ka ndejtur kryesisht te dajallarët e tij në Llaushë por dhe nëpër njerëz te të cilët kishte besim. Mjaft kohë ka ndenjur edhe tek Rrecët në Llaushë, me të cilët kishte lidhje miqësie.

Ademi e Sahiti kanë qenë të pandarë, por edhe Fadil Kodra ka qenë një prej shoqëruesve të tij, si dhe Besim Rama, nga Prekazi i Epërm, i cili nuk ka qenë në Shqipëri, por i cili iu ka bashkëngjitur Komandantit me gjithë qenien e tij gjatë luftës për liri. Besimit i ka pasë ndodhur një rast me policinë serbe gjatë të cilit ai ka treguar trimëri të madhe.

Kur çetnikët së bashku me një pylltar kishin insistuar që t’ia merrnin drutë në Tërnavc, Besimi kishte vendosut të mos ua jipte. Menjëherë e kishte tërhequr siguresën e bombës dhe policia ishin detyruar që të strukeshin.

Që nga ajo ditë ai mbeti në arrati.

SI E DINTE POLICIA SERBE SE NE NË SHTËPINË TONË KISHIM ARMË

Në vitin 1993, në një ditë të hënë, ditë pazari, policia kishin tentuar të arrestonin Besimin. Ai kishte qenë i shoqëruar nga djali i vëllait të tij, Rafet Rama, i cili në moment kishte nxjerrë revolën dhe duke e mbajtur në shënjestër Ilia Trajkoviqin dhe dy policë të tjerë e kishte shpëtuar Besimin nga duart e tyre, edhe pse ata ia kishin vënë prangat në duar.

Një mbrëmje, së bashku me Xhevahir Gecin, u takuam me Musa Jasharin dhe Sylejman Selimin, që po shkonin për në Açarevë me automobilin e këtij të fundit. Edhe ne shkuam me ta. Me qëllim që mos të ndesheshim me policë i ramë rrugës që kalonte sipër stacionit të tyre. Por ata i kishin përcjellur lëvizjet e automjetit tonë dhe përpara na doli Zoran Pantiqi, çetniku numër një në Skënderaj, i cili na ndaloi. Na njihte të gjithëve. Shkau kërkoi që Musa të dilte nga automjeti dhe bashkë me të u larguan disa metra. Meqenëse situata ishte e tillë që nuk të linte kohë të mendoheshe gjatë, dola nga vetura dhe iu drejtova Zoranit:
– Po që se e merr Musën, duhet ta dish se do të kesh probleme personalisht!

Ai e liroi Musën, sigurisht jo nga burrnia, por nga frika. Hymë në automjet dhe vazhduam rrugën për Llaushë. U ndalem tek Xhevahiri. Aty Sulltani mori një pushkë automatike prej tij dhe e futi në bagazh. Na lutën të shkojmë atë natë me ta, por nuk shkuam. Të nesërmën në mëngjes policia kishte rrethuar shtëpinë e Sylejman Selimit dhe kishte arrestuar Musa Jasharin bashkë me të. Xhevahiri ishte zgjuar herët atë mëngjes dhe kishte dalë në rrugë, ku i kishte parë, Sulltanin e Musën, në veturën e policisë duke kaluar aty pari. Xhevahiri erdhi menjëherë dhe më tregoi se si qëndronte puna. Ne nuk e dinim se për çfarë arsyeje ishin arrestuar ata. Shkuam menjëherë në Açarevë për të kuptuar se për çfarë ishte fjala. E pyetëm nënën e Sulltanit:

– A mos e kanë kontrolluar automjetin?
– Po!, na u përgjigj ajo.
– A mos kanë gjetur diçka në bagazh të veturës?, pyetëm ne të shqetësuar duke ditur se aty ndodhej një armë.
– Nuk e di. E di vetëm se dje kanë qenë dy elektricistë te ne. Ata janë interesuar për Sylejmanin dhe e kanë kontrolluar tërë shtëpinë e u bindëm se atyre ua kishin gjetur automatikun dhe se nuk do t’i lironin aq lehtë. U kthyem së bashku me Xhevahirin dhe i biseduam të gjitha me Bacin Lilë. Ademi ndërkohë na kishte dërguar fjalë të takoheshim me të. Të tre së bashku shkuam tek Ademi diku rreth orës 13.00.

Ishim shumë mirë të armatosur, me kallash e snajperë, bomba e revole. Aty kemi shkuar me automobil, rrugës së vjetër, me qëllim të ikjes nga ndonjë kurth i mundshëm. Kemi hyrë në kullën e Mixhës Shaban ku kemi vendosur për të dalë në Vojtesh për ti zënë pritë automjeteve të policisë, të cilat do t’i dërgonin dy të burgosurit për në Mitrovicë. Plani ishte që rrugën ta bllokonim me një rimorkio të tërhequr nga një traktor, të cilit do t’ia shponim njërën rrotë për ta pasur si justifikim për bllokimin e rrugës. Në atë mënyrë do ta kryenim aksionin.

Për fat të mirë, Sulltani dhe Musa u liruan andej nga ora 14.00. Musa me atë rrugë vjen tek Ademi, për të treguar se qenë liruar, dhe për të lajmëruar se kallashnikovi, të cilin e kishte marrë nga Xhevahiri, kishte shpëtuar, pasi që po atë natë e kishte çuar në një vend tjetër. Sulltanit ia kishin marrë pushkën e gjuetisë, të cilën babai i tij e kishte pasur me leje. Nga mbrëmja u kthyem në shtëpi, por gjithnjë duke patur kujdes, që të mos ndesheshim gjëkundi me policinë.

Gjatë vitit 1994 policia serbe kërkoi nga Baci Lilë një kallashnikov, duke i thënë:
– Kallashnikovin ta ka shitur Ramadan Bajra nga Runiku!

Ramadani, i cili, në të vërtetë ishte tregtar i armëve, kishte ikur në Gjermani. Gjatë kohës për të cilën po flasim, Fadili, vëllai im, kishte ikur nga burgu, dhe edhe ai ishte larguar për në Gjermani. Atje e kishte takuar personalisht Ramadan Bajrën, të cilin e kishte pyetur se mos për një mend i kishte treguar policisë që ia kishte shitur Bacit Lilë automatikun. Ramadani i kishte thënë Fadilit se nuk i kishte treguar kurrë askujt, dhe pastaj e kishte thërritur në telefon Ilia Trajkoviqin dhe i kishte thënë:

– Unë nuk i kam shitur kurrë automatik Halil Gecit, e ti me rrenat tua Ilija, po do me shkaktu vëllavrasje mes nesh!

Pas pak ditësh, Ilia i thotë Bacit Lilë:

– Me që Ramadani nuk është këtu, po thotë se nuk ta ka shitur armën!

Baci Lilë kishte kërkuar prej tij t’ia sillte gjithësesi përpara, të ballafaqohej me dëshmitarin që gjoja e paska parë me kallash, përndryshe «ajo qe një rrenë e sajuar për të më burgosur».

Gjatë kësaj kohe policia kishte kërkuar edhe prej Xhevahir Gecit një revole «TT», ngjyrë të bardhë, dhe i kishte thënë atij se ai paska shtënë me të në dasmën e një tezakut të vet. Xhevahiri kishte gjuajtur në fakt me revolen e Sami Lushtakut, e cila ishte me të vërtetë e bardhë, si rrjedhojë, atij i qe mbushur mendja se çetnikët kishin më të vërtetë informacione të sakta! Samiu kishte shkuar në Gjermani, kishte marrë me vete edhe revolen e bardhë, një të tillë e kishte edhe Adem Jashari. Xhevahiri më pat thënë të shkojmë te Ademi dhe t’ia kërkojmë atë, me qëllim dorëzimi për të ndërprerë procedurën, për të mos shkuar puna më gjatë. Shkuam te Adem Jashari dhe i treguam se si qëndronte puna. Mixha Shaban i tha:

– Xhevahir, ti je djalë i hasretit dhe nuk ke mundësi të merresh me këto punë. Të organizosh luftë kundër Serbisë është punë e vështirë!, duke e llogaritur se Xhevahiri ishte i vetmi djalë, Ademi u ndërlidh:
– Unë po ta jap revolen time me e dorëzue, edhe pse jam betuar se armë e jemja nuk ka me ra në dorë të shkaut pa më vra! Pas Ademit i thashë:
– Mos e ço revolen se do ta kërkojnë edhe automatikun shumë shpejt. Sa të jemi bashkë, le të ndodhë çka të ndodhë!
– Baba nuk e di se merrem me këto punë – u përgjigj Xhevahiri – e ndoshta, policia nuk kërkon më shumë! Më mirë po e dorëzoj këtë revole.

Xhevahiri ia dha revolen dhe një sasi markash Lah Tushiles, i cili në atë kohë ishte njëfarë ndërmjetësuesi, që i shpëtonte njerëzit nga druri me para. Ilia e mori revolen dhe për disa muaj rresht nuk u ndje më.

Pas disa kohe, policia kërkoi prej Xhevahirit automatikun. Filllimisht ai ishte përpjekur që këtë punë ta rregullonte përmes Shefkijes nga Klina. Më vonë e mora vesh se ajo madje kishte organizuar edhe një takim mes Xhevahirit dhe shefit të policisë Brko Jerediqit, në mënyrë që ky i fundit të mos ia kërkonte automatikun, pasi s’kishte. Ata e kishin liruar Xhevahirin për një kohë, me qëllim përcjelljeje të lëvizjeve të tij. Disa ditë më pas, policia e arrestojnë Xhevahirin, babain e tij dhe Hysni Rrahim Gecin, djalin e axhës së tij, të cilët ishin duke shkuar në Mitrovicë. Pas burgosjes i kishin kthyer në Skënderaj. I ati i kishte thënë të birit se nëse kishte automatik, ta dorëzonte, se për para nuk është mirë që ai të maltretohet. Xhevahiri u kishte premtuar se nëse ia lëshojnë babain do të rregullojnte disi këtë punë.

Ata e kishin kuptuar se Xhevahiri posedonte automatikun dhe nuk e liruan asnjërin prej të burgosurve pa e dorëzuar ai armën.

Policia e kishte shoqëruar Xhevahirin deri në shtëpinë e tij në Llaushë. Pastaj ai i kishte mashtruar policët dhe i kishte shëtitur nëpër fshat, sa për ta parë dikush nga fshatarët se Xhevahiri është i arrestuar, me qëllim që ai dikushi, kushdoqoftë nga lagja, të vinte tek unë dhe do të më njoftonte se Xhevahiri është zënë nga policia. Unë e dija menjëherë detyren time, d. m. th. duhej që sa më shpejtë t’i largoja armët e fshehura.

Ishte kohë e vështirë dhe çdo lëvizje e policisë përcillej nga fshatarët, madje edhe nga fëmijet. Mbesa e Osman Gecit e ka njoftuar Osmanin për ardhjen e Xhevahirit me polici në fshat. Ky e kishte dërguar nipin e vet për të na njoftuar për këtë ngjarje, por asnjëri nga ne nuk ndodheshim në atë moment në shtëpi. Nga ana tjetër, Osmani e ka marrë me mend arsyen e ardhjes së policisë me Xhevahirin, por nuk e ka ditur vendin ku gjendëshin armët.

Më në fund, Xhevahiri, duke mos parë asnjë rrugëdalje, detyrohet që policinë t’i dërgojë te vendi ku ishin fshehur armët. Kallashët kanë qenë të fshehur në gomë të brendshme të traktorit, nën një grumbull gurësh, në arën e Lah Gecit. Policia e kishte marrë gomën me vete dhe pasi e kishin hapur në stacionin e tyre kishin gjetur aty dy kallashë dhe 7 karikatorë me municion. Me atë rast ata i kishin thënë Xhevahirit se «kërkuam një dhe na dolën dy».

Pasi i kishin verifikuar mirë armët, policët kishin folur diçka në mes vete se «këta qenkan fishekë të njëjtë me ata që kanë shpuar metalin te shkolla» dhe menjëherë Xhevahirit i ka shkuar mendja se tani do të zbulohej edhe aksioni i 7 korrikut, për të cilin kemi folur pak më sipër. Meqë unë nuk isha i burgosur dhe meqenëse policia do ta kishin të vështirë t’më arrestonin, Xhevahiri kishte pranuar se njëri automatik është i Ganiut dhe se i kisha fshehur armët nën grumbullin e gurëve. Ndërsa për fishekët, të cilët na rrezikonin seriozisht, Xhevahiri kishte thënë se nuk dinte asgjë rreth tyre. Policia e kishin liruar atë, duke i thënë që të nesërmen të paraqitej në rajon, së bashku me Ganiun (d. m. th. me mua).

Për ngjarjen mora vesh tek pas orës 13.00. Menjëherë shkova te gurët, në arën e Lah Gecit, ku nga fëmijët u njoftova se Xhevahiri kishte qenë aty i shoqëruar nga policia. Fëmijët shtuan se policia kishte gjetur një thes të cilin e kishin marrë me vete. Shkova te Rrustem Geci. Të marakosur siç ishim, prisnim që të merrnim ndonjë lajm të ri mbi Xhevahirin. Duke pritur, aty kur rreth orës 16.00, Xhevahiri erdhi nga policia dhe filloi të na tregonte se si kishte vajtur puna. Ai tha se i kishte treguar policisë se njëri kallash ishte i imi. Duke dalur nga oda i thashë:
– E paske bâ bërllog!

Në mbrëmje, erdhi në odën tonë Xhevahiri, bashkë me Halil Brahim Gecin dhe me Rrustem Gecin për të biseduar. Me atë rast i thashë Xhevahirit:

– Dëgjo këtu! Ti e di se, qysh kur ta kanë lypur revolen, të kam pas thënë të mos e dorëzosh, se do të qëndrojmë së bashku deri sa të vdesim». Prezent ka qenë edhe Lulëzimi, djali i Adem Jasharit. Pastaj shtova: – Edhe tani po të them, blej dy kallashë me paratë që ke dhe nisemi të dy për në mal, tek Ademi, dhe nuk po dukemi më kurrë në qytet!
– Kam vendosur t’i lë këto punë, më tha, se s’ka asgjë prej tyre!, dhe shkoi.

Të nesërmen në ora 09.00 të mëngjesit më duhej të shkoja në polici me Xhevahirin, por unë preferova më mirë të ikja për në Shqipëri.

Deri në kufi kam shkuar i shoqëruar nga Florije Ndreshaj dhe Baci Lilë. Në Shqipëri kam dalur ilegalisht, përmes Malit të Zi. Prej aty kam shkuar me pasaportë fallso për në Itali, Francë, dhe nga Franca në Gjermani. Ishte viti 1995, dhe nuk shihej ndonjë organizim i mirëfilltë kundër Serbisë në një të ardhme të afërt.

ARRESTIMI I LULIT, DJALIT TË MADH TË ADEM JASHARIT

Në vitin 1995 arrestohet Luli në Vushtrri duke shkuar me të shoqen e Rifatit te dajallarët. Policia serbe, Ilia Trajkoviqi e Moma Perleviq thërrasin në telefon në shtëpinë e Mixhës Shaban dhe i thonë:
Ata: Ta kemi zënë nipin tënd bashkë renë! Hajde merre renë!

Mixha Shaban: Pasi që i keni zënë, vrani krejt, se nuk e kam ndër mend të vij. Ju e dini se çka më keni bâ të parën herë në 91, më keni maltretuar! Vrajini dhe gjuajini në rrugë, se unë nuk vij me u paraqitë të ju.

Aty Luli e bën një trik.

Ata: A ke armë?

Luli: I kam do.

Ata; Ku është babai?

Luli: Nuk e di!, dhe shton: – Kurse armët i kam fshehur në një vend. Lëshomëni e unë do t’ua sjell armët!

Sipas tregimit të Lulit, Moma i kishte thënë:

– Mos e lëshoni se nuk u vjen më!

Ata i telefonojnë mixhës Shaban dhe i thonë që djali ka pranuar se ka armë.
Mixha Shaban: – Le të vie e le t’i marrë n’i pastë!

Ata e lëshojnë. Ademi përgatitet t’i vrasë edhe djalin edhe policinë, nëse i biri i tij kishte treguar për armë, duke thënë:

– Unë gjallë, e ata të hyjnë më në shtëpinë time, jo! Pastaj i zë pritat me shokë te fabrika e municionit. Fati e deshi që Luli të vinte vetëm, Ademi e kap për qafe djalin e vet dhe ia jap një pushkë, Luli ua shpjegon ngjarjen. Policia sërbe i telefonojnë Mixhës Shaban dhe e pyesin:

Ata: A t’ka ardhë nipi?

Mixha Shaban: Nipin e ka zënë baba i vet, e ka rrahur, e ka bërë kërsh. Edhe ai ka ikur e nuk e di se ku kanë shkuar.

Ata: A kemi besë për të ardhur te ti?

Ilia ishte një prej provokatorëve më të mëdhenj në Skënderaj, ka qenë njëri prej policëve më të poshtër. Ai ka ndejtur me njerëz për t’ua humbur besimin tek të tjerët, i ka futur në makinë të vet me qëllim për t’i pyetur, por vetëm sa për t’i parë njerëzit nëpër qendër. Ai ka ditur të përdorë taktika shumë të liga kundër shqiptarëve.

Mixha Shaban: Po, ejani!

Dy inspektorë kanë shkuar në kullën e Shaban Jasharit, një shqiptar, një serb. Mixha Shaban i ka pritur.
Ata: Nipi nuk i ka dorëzuar sot armët!
Mixha Shaban: Për Zotin nipi paska ikur!
Ata: Ku janë djemtë?
Mixha Shaban: Ata gjënden në mal!
Ata: A kanë armë?
Mixha Shaban: Po valla, kanë!
Ata: Ç’farë armësh kanë!
Mixha Shaban: Çka t’a sheh syri. Çka mund të çon njeriu me krah ata i kanë.
Ata: A kanë shokë?
Mixha Shaban: Po vallahi, boll. Dy, tre qind, a katërqind!
(ne faktikisht nuk ishim aq shumë).
Ata: A vijnë në shtëpi?
Mixha Shaban: Po vijnë, por kush nuk u bjen në fije kur vijnë. Ata vijnë në shtëpi të vet. . . Herë vijnë e herë nuk vijnë!
Ata: Mirë pra, me ndejtë këtu a kemi besë?
Mixha Shaban: Po, veç deri sa të terrohet. Në çdo moment djemtë mund të vijnë, e qejf me ju zënë këtu nuk kam… Më nuk keni besë… Më mirë ecni!

Pa u bërë ora pesë pasdite, ata largohen. Kishte shumë gjëra për të cilat Ademi ishte në sy të Serbisë, i rrezikuar me familje qysh nga viti 1991, e gjithmonë, këto ishin shkaqet që e tërë familja Jashari ishte e rrezikuar, për shkak të gjitha gjërave që ndodhnin. Edhe unë në qoftë se kisha rast të bëja ndonjë aksion aty-këtu, nuk e bëja, sepse ishte vetëm familja Jasharaj që binte në sy, e për këtë arsye duhej që aksionet të bëheshin nëpër vende të tjera, të mos rrezikohej drejtpërdrejtë vetëm ajo familje.

Pas kësaj kohe Lulzim Jashari, i biri i Komandantit Legjendar, kalon ilegalisht në Shqipëri. Në Tiranë u takuam me Lulin. Ai shkoi në München te axha i vet Rifati, ndërsa unë në Heilbronn.

NE NË DRENICË TITISTËT I KEMI VRARË, NDËRSA MARKSISTË-LENINISTËVE UA KEMI PRERË VESHËT

Në Heilbron, gjatë një takimi me bashkatdhetarë, në dhjetor 1995, mori pjesë edhe Adem Demaçi, i cili në atë kohë insistonte për formimin e bashkësisë shqiptare. E pranishme ishte edhe një anëtare e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Prishtina, që kishte ardhur për të vizituar djalin që e kishte në Gjermani. Në takim merrnin pjesë edhe Rahim Beka, nga Kllodernica e Skënderajt, Begzat Gashi, aktivist i LPK-së, Mehdi Bytyçi, si dhe shumë të tjerë. Nga ana e Lëvizjes Popullore të Kosovës, konkretisht nga Begzat Gashi kritikohej rëndë Sali Berisha dhe Qeveria e Shqipërisë. Më kujtohet shumë mirë kur iu drejtua Adem Demaçi me këto fjalë:

– Partia Socialiste e Shqipërisë është bërllogu i Shqipërisë!
– Po më vjen keq, se kam pasur respekt për Ju baca Adem! ia ktheu Begzati.
– Mos e shani Qeverinë Demokratike të Shqipërisë, se e shani veten! shtoi Baci Adem.

Disa individë të Lëvizjes Popullore të Kosovës kërkonin «luftë», mirëpo kur unë kërkova vullnetarë për të shkuar dhe për t’iu bashkëngjitur luftës e u tregova se atje në Kosovë kishte luftëtarë, të cilët prej vitesh qëndrojnë në mal, pa e përmendur emrin e Komandantit Legjendar, ata u tërhoqën menjëherë dhe filluan t’i akuzojnë të tjerët si titista. Sërish m’u desh t’u tregoj se «tek ne në Drenicë, titistët i kemi vrarë, kurse marksist-leninistëve shqiptarë ua kemi prerë vetëm veshtë», fjala ishte për Mehmet Gradicën në 45-tën. Ky tubim përfundoi pa kurrfarë suksesi. Për këtë takim ekziston edhe inqizimi me kamerë, që është bërë në shtëpinë e Sadik Ukës nga Gjakova.

Në fund të vitit 1996 shkova në Shqipëri, e prej aty në Kosovë, në mënyrë ilegale. Para se të shkoja në Kosovë u takova me Rifat Jasharin në Gjermani, i cili m’i dha 1000 DM, të cilat ia kam kthyer më vonë, sepse atëherë isha i pa punë dhe nuk kisha të holla. Para se të nisesha u takova edhe me Ilaz Kodrën dhe Ramiz Lladrovcin, të cilëve u premtova se luftëtarëve të Lirisë do t’ua çoj dy qingja të pjekur në mal dhe do ti hanim së bashku me Ademin dhe shokët. Ata më përcollën deri në aeroportin e München-it dhe fluturova në Tiranë. Prej meje kërkohej dërgimi i armatimit nga Perëndimi në Shqipëri. Këtë detyrë e pranova dhe isha i gatshëm të pranoja çdo detyrë që do të më jepej për çlirimin e Kosovës.

Kur mbërrita në shtëpi, erdhën Adem e Hamëz Jashari, Zenun e Fadil Kodra dhe Nuradin Lushtaku, i sapo kyçur në luftë. Së bashku shkuam te Osman Geci, i cili vetëm sa e kishte ndërtuar odën e re me ndihmën edhe të nipit të tij Hamëz Jashari. Atë natë e mobiluam odën dhe hymë për herë të parë në të. E mbajta fjalën që kisha dhënë për qingjat.

U thashë se kishin shumë të fala nga Gjermania, prej Samiut e prej të tjerëve dhe se ata qenë të interesuar të dërgonin disa armë-snajper, përmes Shqipërisë. Edhe unë, si një mundësi tjetër zgjidhjeje, u propozova transportin e armëve një mikun tim nga Turqia, i cili kalonte mallra tranzit nëpër Kosovë. Kjo ishte një rrugë shumë e mirë. Mbeti të merremi vesh me Sami Lushtakun, Ilaz Kodrën dhe ata të tjerët se kur e qysh, pasi ata i kishin mjetet në vende të caktuara ku mund t’i merrnin.

Ishte viti 1996. Unë për komandant njihja vetëm Adem Jasharin, nuk njihja të tjerët. Me Ademin u takuam te Daja, ose te personi, i cili tash kishte blerë kallashnikov duke shitur tokë. Disa herë e takova aty Hamzën, i cili i ndihmonte Dajës për ta ndrequr odën e burrave. Kemi ngrënë dhe kemi pirë deri rreth orës 03.00. Unë ua poqa dy qingja, kurse Osmani i kishte përgatitur dy qurana. Aty gjendeshin: Adem Jashari, Hamëz Jashari, Osman Geci – Daja, Fadil Kodra, Zenun Kodra, Nuradin Lushtaku, Rrustem Geci dhe Xhevahir Geci. Biseduam se çka duhej bërë në të ardhmen. Ademi më tha të shkoj në Gjermani dhe në qoftë se do të kishte mundësi t’i sillja armët që m’i kishin premtuar Ilaz Kodra dhe Ramiz Lladrovci.

– Do t’i gjejmë mënyrat t’i sjellim nga Shqipëria në Kosovë, më thanë ata.
Pas disa ditësh policia erdhi menjëherë të kërkonte Fadilin (vëllaun tim) dhe mua. Fadili u ndal në Kosovë, ndërsa unë kalova ilegalisht, sërish, në Shqipëri dhe prej andej në Gjermani, kjo ishte në vitin 1996. Sami Lushtakut dhe Ilaz Kodrës u tregova se kam kontaktuar me Ademin, i cili kërkonte ndihmë, në çfarëdo mënyre, si financiare ashtu edhe ushtarake.
U thash të më njoftojnë kurdo që të niseshin për Kosovë, sepse qeshë i gatshëm për çdo aksion.

FAMILJA JASHARAJ I KA NJOHUR INSTITUCIONET E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Prapë u takova me Samiun. Gjatë kësaj periudhe bëhen ndryshime rrënjësore në organizimin e luftës në Kosovë dhe në Drenicë. Kanë qenë të paktë luftëtarët e njësiteve tona që kanë pasur njohuri për ekzistencën e njësiteve tjera në Llap dhe në Dukagjin. Ato i ka ditur vetëm Ademi. Ne të tjerët as që kemi pasur nevojë t’i dijmë. Sekreti dhe hierarkia ushtarake e kërkonin një gjë të tillë.

Mirëpo njohja e Ademit me Zahir Pajazitin dhe Salih Çekun është diçka e pakontestueshme, kanë qenë së bashku në ushtrime në Shqipëri. Ademi e ka kaluar kufirin nga Shqipëria për në Kosovë për herë të parë me Salih Çekun. Këtë e di edhe Rifat Jashari. Veprimet e Njësiteve të Dukagjinit dhe të Njësiteve të Llapit, kanë qenë të lidhura ngushtë me Njësitin e Drenicës. Zahir Pajaziti ka qenë në Prekaz, ndërsa Ademi ka shkuar në Llap dhe shpeshherë edhe në Deçan, sepse prej andej ka kaluar për në Shqipëri.

Një argument tjetër për këtë është edhe fotografia e Adem Jasharit dhe e disa të tjerëve në vitin 1993, në aeroportin e Rinasit, Tiranë, me presidentin Rugova. Një kopje të asaj fotografie e kam parë edhe unë me sytë e mi, në albumin e fotografive të Ademit. Ky është fakt që nuk mund të kundërshtohet nga askush, madje as nga familja Jasharaj nuk kundërshtohen këto gjëra. Një kohë të gjatë në odën e Jasharave ka qenë e varur fotografia e Rugovës. Gjatë bombardimit të shtëpisë së Jasharajve është gjetur fotografia e Rugovës me thikë të ngulur në të.

Familja Jashari i ka njohur institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës. Rifat Jashari ka qenë nënkryetar i Lidhjes Demokratike në Mynih (në Gjermani). Gjatë periudhave të shkuarjes dhe ardhjes së Adem Jasharit, në Shqipëri e në Kosovë, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka lënë të vetmuar. Të gjitha përpjekjet dhe aksionet kanë qenë të mbështetura tërësisht në fuqitë tona.
Nuk kemi marrë asnjë metelik prej askujt, asnjë fishek, kurrfarë ndihme, as financiare, as materiale, as fizike, absolutisht asgjë. Të gjitha gjërat janë bërë me mjete tona e me shpirtin tonë.

LUFTA E MRIZEVE NË LLAUSHËN E RE

Për “Aksionin e mrizeve” është rënë dakort në Açarevë. Abedin Rexha e ka kthyer njësinë e shkieve që kishte synuar të depërtonte në fshat me 25 nëntor 1997. Ata kanë shkuar atje si elektricistë, mirëpo në fakt kanë qenë policë. Abedini e ka plagosur njërin prej tyre dhe ata detyruar të kthehen. Më vonë u shkojnë në ndihmë dy autoblinda dhe dy Niva, por edhe ato kthehen.

Pas kësaj, Adem Jashari, Sylejman Selimi, Sejdi, Xhevahir, Osman, Jetullah dhe Haxhi Geci e Rexhep Selimi së pari shkojnë në Vojnik dhe marrin vesh se pas atyre luftimeve nuk qe vrarë askush nga ana jonë. Pastaj shkuan në Açarevë, pasi sipas mendimit të tyre, të nesërmen, policia mund ta sulmonte përsëri Vojnikun. Aty bisedojnë dhe vendosin se ku do t’i dilnin shkaut në mejdan për t’ia ndalur turrin. Komandanti thotë se vendi më i mirë për të zënë pozicionet ishte vendi i quajtur Kryqe të Popit, sepse terreni është i përshtatshëm dhe me pak ushtarë do të arrinin t’i ndalnin. Dhe ashtu kanë bërë. Në agim, Ademi me shokë i kishin zënë pritat te Kryqat e Popit.

Policia serbe arriti aty nga ora nëntë apo dhjetë dhe lufta filloi. Aty kanë marrë pjesë: Adem Jashari, Nuradin Lushtaku, Ilaz Kodra dhe nga Llausha; Jetullah, Sejdi, Xhevahir, Liman, Hetem, Osman, Musli, Shemsedin e Rrustem Geci dhe Rrahim Hoxha, nga Açareva: Sylejman Selimi, Avni Haxha, nga Vojniku: Abedin Rexha me disa djem tjerë. Kurse prita tjetër ka qenë përgjatë rrugës deri në Skenderaj, ku ishin edhe vëllezërit e mi. Njësiti i ynë, është pozicionuar te mali i Kaçkinve e deri tek stacioni i policisë në Skenderaj.

Filloi luftë e vërtetë. Shkijet qëllonin jo vetëm nga autoblindat, por edhe nga helikopteri. Këtu si më të shkathët tregohen Rahim Hoxha dhe një tjetër me një pushkë-mitroloz të Adem Jasharit dhe do murtaja dore. Armatime më të forta në këtë kohë nuk kemi pasur. Megjithatë policia detyrohet të zmbrapset, sepse nuk qe përgatitur për një rezistencë të atillë. Në të kthyer nga beteja e Rezallës së Re apo nga beteja e Mrizeve, njësitet që i përmenda më parë, ku bënin pjesë Fadil, Haxhi, Shani, Bashkim dhe Nezir Geci, policinë e shkieve e kanë përcjellë me të shtëna të pandërprera deri në stacionin e Skenderajt. Te shkolla vritet Halit Geci, mësuesi i fshatit Llaushë.

SI E PRITI POPULLI DALJEN NË SKENË TË UCK-së

Haliti vdiq në spitalin e Mitrovicës nga plagët e marra. Me 28 nëntor bëhet varrimi i tij. Gjatë ceremonisë së varrimit del në skenë UÇK-ja. Për këtë paraqitje më të informuarit kanë qenë Jetullah Geci, Haxhi Geci – vëllau im, Nuredin Lushtaku, i cili ka qenë me Ademin dhe Hamzën atë ditë, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi e të tjerë. Unë atëherë nuk kam qenë aty dhe nuk dua të ngatërroj gjërat. Ademi është lajmëruar nga vëllau im Esati, të ngjitet në Kodër të Sylës mbi vorret e Gecëve.

Në varrim ishin afro 20’000 njerëz. Dalja në skenë e UÇK-së u përcoll me brohoritje. Populli e dëshironte lirinë, dhe, meqë ata ishin të maskuar dhe të armatosur mirë me armë këmbësorie, mendohej se këta djem janë të përgaditur nga NATO-ja për të luftuar me Serbinë.

Siç thashë, unë isha në Gjermani ku organizova tubimin në Heilbron, me bashkatdhetarë dhe kërkova që të aprovohet propozimi që të gjithë shqiptarët të dalim në protesta në Gjermani dhe t’i falënderojmë gjermanët që na kanë mbajtur deri tani, dhe të kthehemi në mënyrë vullnetare të gjithë me letra e pa letra, me qëllim që të mbrojmë Kosovën. Ky mendim u përkrah nga të gjithë, ditën e parë, ndërsa mbeti që të tubohemi të shtunën për të marrë vendimin përfundimtar.

Të shtunën e thirra edhe Sami Lushtakun, i cili ishte dënuar më 20 vjet burg në mungesë, nga policia serbe dhe kërkuam që të paraqiten vullnetarët. Tubimi dështoi, sepse filluan grindjet në mes Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. LPK-ja mbronte Nanon dhe fyente Rugovën dhe nuk paraqiste emrin e asnjë vullnetari. LDK-ja mbronte Rugovën dhe fyente Nanon. Së bashku me Samiun shkuam në Sindelfingen, te vëllau i tij, e pastaj te Samiu, ku e kaluam natën deri vonë pa fjetur duke biseduar për shumë probleme e sidomos për të majtën dhe të djathtën tonë politike. Ilaz Kodra kishte shkuar, por mua nuk më kishte njoftuar.

Unë qëndrova në Gjermani deri në dhjetor të vitit 1997. Sami Lushtakut i tregova se do të shkoja në Kosovë, gjithashtu i tregova se kam biseduar me Afrim Gecin me telefon i cili më ka folur pikë për pikë se si shkonin punët me UÇK-në. Vendosa të kthehem. Samiu më tha se do të vinte më vonë. Me aeroplanin e parë shkova në Tiranë. Me vete e kisha pashaportën e Nebihut, vëllaut më të vogël, i cili nuk ndiqej nga policia, pasi që kishte me vite të tëra që ndodhej në Gjermani. Në Kosovë hyra ilegalisht i shoqëruar nga Baci Lilë, ndërsa pashaportën që e kisha, atë të Nebihut, vëllaut tim, ia dhashë Bajram Kaçkinit, për t’ia kthyer Nebihut, dhe qysh ditën e parë u inkuadrova në luftë kundër Serbisë.

PSE ADEM JASHARI KUNDËRSHTONTE KYQJEN E SABIT GECIT NË UCK

Shkova te Sylejman Selimi në Açarevë, ku mora vesh se çka po veprohej. Gjërat kishin ndryshuar nga një vit më parë. Njësitet Guerile ishin rritur në fshatin tonë. Në luftë ishte inkuadruar edhe Sabit Geci, me një të kaluar shumë të dyshimtë. Sabiti kishte qëndruar në burg për shkak se i kishte shkelur me automjet tre persona për vdekje (gruan me dy vajza të Selim Sylkës nga Obria), të cilit ditën tragjike iu kishte plaçkitur edhe shtëpia. Sabiti ka qenë i shoqëruar me një prostitutë nga Bulgaria, e cila punonte në kafeterinë e tij “Drita” në Skënderaj. Komandanti e kishte kundërshtuar rreptësisht kyçjen e Sabitit në UÇK, pasi ky i fundit rrinte shumë shpesh me Ilia Trajkoviçin, komandant i policisë serbe.

Ademi i kishte thënë Sabitit se së pari duhet të kyçesh në aksione e pastaj në UÇK. Sabiti e kishte bërë shok Rexhep Selimin, njeriun e LPK-së, i cili ishte i lidhur drejtpërsëdrejti me Hashim Thaçin dhe Xhavit Halitin në Zvicër. Rexhep Selimi kishte insistuar që shokët e Komandantit Legjendar t’i përçante në të gjitha fshatrat e Drenicës, që nga Prekazi, Llausha, Açareva e Vojniku. Ai ishte përpjekur t’ia ndante Ademit, Nuradin Lushtakun dhe Lagjen e Lushtakëve; kishte arritur ta marrë Musa Jasharin dhe t’a dërgon në Obri, kurse Fadil, Ilaz dhe Zenun Kodra e kishin refuzuar ofertën e Rexhep Selimit, të cilit i ndihmonin Sabit Geci, Abedin Rexha dhe «Maxhupi» i Shtabit të Jabllanicës.

Rexhep Selimi kishte arritur të krijonte kanalin për të futur armë nga Deçani deri në Jabllanicë, e nga Jabllanica deri në Drenicë. Ai, përmes Hashim Thaçit kontrollonte paratë e mbledhura të LPK-së dhe me këto para manipulonte me njerëz. Në këtë mënyrë mundohej të manipulonte edhe me shokët e ngushtë të Ademit.

Edhe pse, kur kishte shkuar për herë të parë në fshatin Prekaz Mixhës Shaban (Jashari) i kishte thënë: – Ti i ke tre djem e unë do të bëhëm djali i katërt i yti, deri në vdekje. Mirëpo ky premtim, kjo Besë, të cilën e kishte dhënë Rexhepi kishte zgjatur vetëm disa muaj deri sa e kishte njohur mirë Prekazin, Llaushën dhe fshatrat tjera, pastaj ua kishte kthyer shpinën Mixhës Shaban dhe Legjendës duke i shpërndarë armët në rrethe tjera e jo në Prekaz e Llaushë, dy fshatra këto, që në atë kohë ishin nga më të rrezikuarat në tërë Kosovën.

Rexhepi ishte strehuar disa muaj në shtëpinë e Mixhës Shaban. Ky i fundit për të forcuar miqësinë dhe lidhjen e tyre, kishte dhënë vajzen e Rifat Jasharit për vëllaun e Rexhepit, Asllanin, i cili ishte student në Mitrovicë. Edhe përkundër miqësisë familjare, Rexhepi kishte vazhduar me direktiva nga LPK-ja, që Adem Jasharit t’i mbeteshin sa më pak shokë dhe e gjithë komanda e UÇK-së të mbetej në duart e tij, sikurse kishte mbetur financimi.

PSE BUJAR BUKOSHI NUK ISHTE PËRGJIGJUR KËRKESËS SË ADEM JASHARIT PËR NDIHMË NË ARMATIM DHE PSE ADEM JASHARI NUK ISHTE TAKUAR ME HASHIM THACIN PAS KTHIMIT TË TIJ ILEGAL NË KOSOVË

Gjatë kësaj kohe Komandanti kishte kërkuar nga Bujar Bukoshi 600’000 DM për armatim, mirëpo Kryeministri i atëhershëm, edhe përkundër premtimeve, nuk i kishte ndihmuar Ademit, i cili kishte mbetur pa mjete e pa armë. Kurse Rexhep Selimi dhe shokët e tij kishin mjete financiare dhe ngapak armatim. Dihet mirëfilli se luftë pa mjete nuk ka. Adem Jashari është injoruar shumë nga këta njerëz.
Në Gjermani gjendej Sami Lushtaku, kurse në Suedi, Sahit Jashari. Në Kosovë kishin filluar të bëheshin shumicë njerëzit e Rexhep Selimit, prej kufirit me Shqipëri e deri në Drenicë, kurse Legjenda kishte mbetur vetëm me dajallarët dhe Prekazin, pa Musa Jasharin i cili kishte kaluar në Obri dhe rrallë vinte në Prekaz.

Gjatë asaj kohe kishte ardhur ilegalisht në Kosovë Hashim Thaçi – Gjarpëri, me Jakup Nurën, mirëpo nuk ishin takuar me Ademin dhe sërish ishin kthyer në Shqipëri e prej aty në Zvicër.

Ademi na tregoi se në Kosovë kishte ardhur “Gjarpëri”, i cili kishte ikur pa u takuar me të. Arsyeja e vetme për këtë shmangie duhet të ketë qenë fakti se Legjenda do t’i kërkonte llogari Hashim Thaçit për paratë dhe premtimet. Komandantin e kishin tradhëtuar edhe Bujar Bukoshi edhe Hashim Thaçi, ky i fundit i kishte bërë njerëzit për vete përmes tij, ndërsa Bukoshi nuk ia kishte dhënë mjetet e premtuara. Ademi mundohej ta mbante Drenicën gjallë me pak armë që kishte nga fillimi dhe me ato që i grabiteshin policisë e ushtrisë serbe. Të gjitha mjetet nga mërgata, si nga LPK-ja ashtu edhe nga Qeveria tuboheshin në emër të luftës, ndërsa lufta me ato para fare pak ndihmohej.

Një ditë, së bashku me Sejdi, Xhevahir dhe Safet Gecin, shkuam te Legjenda. Hamza më tregoi se si po shkonin punët në Drenicë, duke më thënë:

– I kemi punët shumë keq, sepse luftën tonë po e kontrollon Fatos Nano dhe LPK-ja, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk po do të inkuadrohet dhe t’i marrë punët në dorë. Ne kemi biseduar përmes Rifatit me kryeministrin, por ai nuk është përgjegjur dhe nëse vazhdon kështu shumë keq i kemi punët. Rexhep Selimi nuk po vjen më te ne, ka bërë njerëz tjerë. Më se gjashtë muaj kanë kaluar dhe ai nuk ka qenë te ne. Baba me Ademin, janë irrituar shumë në këtë njeri, sepse i kishte mashtruar. Madje as nuk ia ndien më për ne. Ai ka bërë pare dhe po i paguan njerëzit për aksione, ndërsa me Ademin nuk flet më.

Hamza m’i shpjegoi të gjitha këto fërkime, të cilat nuk i kisha ditur më parë.

Më vonë ia morëm këngës së Zhujë Selmanit, derisa erdhi Komandanti, i cili kishte dalë me Xhevahirin dhe Sejdinë. Atë ditë mësova shumë gjëra, për të gjitha e njoftova Jetullah Gecin, komandant i fshatit tonë. Që nga ajo ditë fillova të bëhesha gjithnjë e më i kujdesshëm, sepse Rexhepi kishte premtuar armë për Llaushën, ndërsa këto armë i merrte Sabit Geci, e jo Jetullah Geci, i cili ishte përgjegjës për Llaushë.

Rruga që kalonte përmes Llaushës, deri sa isha unë në Kosovë, ishte e mbikçyrur nga forcat e Llaushës, hyrja në fshat kontrollohej nga ushtarët tanë dhe kontrolli bëhej edhe gjatë ditës.

EDHE NJË SULM KUNDËR FAMILJES JASHARI

Disa ditë më vonë u bë një aksion – sulmi në familjen Jasharaj, rreth datës 22 janar 1998. Ademi ka qenë atë ditë në Llaushë, kur i kemi dëgjuar pushkët kemi dalë t’i zëmë pozicionet tona dhe kemi shkuar në ndihmë familjes Jasharaj, si edhe njerëz prej të gjitha anëve. Policia nuk ka qenë fort e përgatitur. Ishte Ramazan në atë kohë. Hamza më thotë se nuk e kishte marrë gjumi ende dhe se «kanë ardhë policia». Ai ka patur bomba, Mixha Shaban, Bashkimi e të tjerët fatbardhësisht, të gjithë së bashku i kanë ndjekur policët, pa viktima nga ana jonë.

Ademi vendosi se prej asaj dite nuk do të flinte më jashtë shtëpisë së tij.

Atë ditë është vrarë Hysen Manxholli prej Mikushnice te Fabrika e Municionit.

Të njëjtën ditë Njësiti i Llaushës hakmirret me urdhërin e Legjendës.

Ademi më thotë se duhet t’u ikim rasteve të sulmeve në Skënderaj, pasiqë ne nuk ishim të rrezikuar, sepse nuk njiheshim.
Ishte e vërtetë ajo se ne nuk njiheshim, në Skënderaj, as Rexhep Selimi, as unë dhe asnjë njëri tjetër. Ne nuk ishim të njohur si familje që mund të ndërrmerrnim aksione të armatosura kundër forcave serbe. Një namë të tillë në atë kohë e gëzonte veç familja e Shaban Jasharit.

ADEM JASHARI: NE JEMI USHTRI E RE DHE E VOGËL, POR JO BANDË PLACKITËSE DHE TERRORISTE!

Ishte viti 1997, muaji dhjetor. Policia ishte vendosur në Klinë të Epërme dhe në disa punkte lëvizëse, ku kontrollonte ditën e tërhiqej natën. Përgjatë rrugës që shkonte për Llaushë deri në Klinë të Begut, çetnikët kontrollonin vetëm në Jashanicë. Të dymbëdhjetë shtëpitë e shkijeve shërbenin si stacione policore, ndërkohë që gjendej edhe një punkt i tillë në Komoran të Drenasit. Në fshatin tonë kishim 36 kallashnikovë, gjithësej dy murtaja, një snajperkë dhe një pushko-mitraloz «Gulinov» 16 mm. Prej këtyre armëve ne shtatë vëllezërit i kishim 6 kallashnikovë, snajperkën, pushko-mitralozin zvicëran, dhjetë bomba dore dhe revole për secilin prej nesh.

Fshati ynë kishte shumë pak armë për ndonjë luftë frontale, mirëpo punkti i ushtarëve tanë ishte larg me atë të policisë, rreth 500 metra. Na ndante Kodra e Spahijëve. Njësitë tona nganjëherë kontrollonin edhe rrugët tjera si Skënderaj-Drenas dhe Mitrovicë-Pejë. Ushtarët tanë kujdeseshin edhe për mbarëvajtjen e shkollave në Polac, Çubrel, Turiçevc dhe Klinë e Epërme. Gjatë një aksioni të njësive tona për t’i dëbuar huliganët, në Polac, njësiti im i përbërë nga tre veta e pastroi shkollën e Polacit nga ata për njëzet minuta. I ndaluam automjetet e keqbërësve dhe ua tërhoqëm vërejtjen për mospengim të mësimit, herave tjera, disa nga rrugaçët edhe u goditën me shufra gome duarve për mosdëgjueshmëri. Aksioni tjetër u krye në fshatin Çubrel, nga njësiti ynë prej tre personave.

Gjatë kontrollit ndaluam autobusin e serbëve që qarkullonte nga Skënderaj për në Banjë. Të gjithë ishin punëtorë në komunë, ata që i kishin zënë vendet e punës së shqiptarëve të përzënë me dhunë. Gati të gjithë shkijet ishin të armatosur me revole. I çarmatosëm një nga një dhe i zbritëm nga autobusi të gjithë meshkujt, të cilëve u kërkuam sqarime rreth armëve. Kërkuam prej tyre ta ngrinin zërin kundër regjimit të Millosheviçit, ta pranonin Shtetin e Kosovës si shtet të tyrin, po që se dëshironin të jetonin në Kosovë, të hiqnin dorë nga maltretimi i shqiptarëve, dhe t’i ktheheshin jetës së tyre në vendet e tyre të punës, jo në komunë, por aty ku kishin punuar para viteve të 90-ta.

Disa nga ata edhe qanin. Meqë ishin civilë të gjithë i liruam. Ata shkuan për t’i treguar policisë në Runik se UÇK-ja i kishte kontrolluar dhe ua kishte marrë armët. Duke u kthyer te Përroi i Keq kemi ndalur një automjet me dy serbë. Njëri prej tyre kishte patur revole. Me mua ka qenë Abit Haziri dhe Sabit Geci. Meqë ishin civilë iu thash t’i lëshojmë se mund të na i vrasin një qind shqiptarë për një shka të keq, sepse ne atëherë kontrollonim vetëm disa pjesë të vogla të territorit, ndërsa serbët kontrollonin të gjitha qytetet, si në Drenicë, ashtu edhe në Kosovë. Mundësitë e tyre për të vrarë shqiptar ishin shumë të mëdha.

Të gjithë serbët që ndaloheshin kishin revole me vete, kuptohet, të gjithëve ua kemi marrë ato armë. Nuk donim t’i vrisnim civilët dhe e kishim të ndaluar t’u merrnim gjë tjetër përpos armëve. Legjenda kishte urdhëruar të mos i vrasim civilët serbë. Sa herë që i kemi ndaluar në rrugë, i kemi detyruar që t’i numëronin paratë para dhe pas kontrollit, gjithashtu edhe gjërat me vlerë që posedonin duhej t’i nënshtroheshin kontrollit, para se të liroheshin, sepse ne dëshironim t’i tregonim botës se qemë ushtri, vërtet e re dhe jo bandë plaçkitëse dhe terroristë.

Këto ishin fjalët dhe rregullat që na kishte mësuar Adem Jashari, e ne ushtarët duhej t’u përmbaheshim. Ato ditë pritej që në rrugën tonë të kalonin njësitë speciale kriminele, të udhëhequra nga Arkani. Një kamion me dy çetnik, të cilët vinin nga drejtimi i Klinës në fshatin Rakinicë, kishte marrë një udhëtar shqiptar, i cili ua kishte qitur dorën rastësisht, duke menduar se qenë shqiptarë. Në postobllokun tonë, shkijet, kishin dashur ta shkelin ushtarin që bënte kontrollin. Ushtarët tanë shtinë në drejtim të kamionit. Serbët me revole e kishin vrarë shqiptarin të cilin e kishin marrë me vete. Të nesërmën shkuam në varrimin e tij, ku morën pjesë edhe shumë banorë nga Skënderaj e fshatrat për rreth. Një ditë më parë Komandanti kishte qëlluar të ishte në LLaushë por askush nuk i kishte treguar se në varrimin e të vrarit nga Rakinica do të merrte pjesë edhe UÇK-ja. Ai ishte kthyer në Prekaz, kurse gjatë ceremonisë së varrimit u shfaqem dhjetë ushtarë të maskuar. Rexhep Selimi mori këtë vendim dhe ne u paraqitëm në këtë varrim.

Rexhep Selimi erdhi dhe më pyeti mua se çfarë duhet të flisnim para masës së tubuar. Unë iu përgjigja se duhej vetëm shkurt t’i përshëndesnim, të mos e zgjasim, sepse ende nuk ishin të qarta rrethanat e vrasjes, prandaj më mirë ishte të heshtim. Me të kthyer, Shani Geci, nipi i Bajraktarit të Llaushës, më tha se duhej të kishim kujdes, të tregoheshim syçelë dhe të pjekur, sepse luftërat i qesin në pah të gjithë njerëzit si të mirët ashtu edhe të këqijtë, kurse hajnat dhe plaçkitësit i presin këto ditë.

Gjatë kësaj kohe e gjithë Drenica kërkonte armatime për t’u mbrojtur nga policia vrasëse. Kishte njerëz që tërë natën rrinin në Llaushë vetëm për t’u inkuadruar në UÇK. Disa njësi të mbikçyrura nga Adem Jashari, kontollonin rrugën Skënderaj – Drenas, të udhëhequra nga Ilaz Dërguti, djali i axhës së Adem Dërgutit. Ilazi ishte një djalë i urtë dhe të gjitha punët në fshatin Rezallë i kryente në ilegalitet të thellë, sepse aty kishte njerëz që punonin me regjimin e Serbisë dhe punëtorët e sigurimit serb, ende shkonin tek këta persona të Rankoviçit, siç ishte Rexhë Haxha, bashkëpunëtor i vjetër i regjimit të Rankoviçit. Prandaj Ilazi kishte shumë kujdes në veprime.

KUVENDI I FUNDIT I LDK-së NË REZALLË

Në Kuvendin e Forumit Rinor të LDK-së në Skënderaj që u mbajt në Polac, në janar të vitit 1998, me vota të fshehta u zgjodha kryetar i tij. Kjo më jepte të drejtë të mirrja pjesë në mbledhjet e Kryesisë së Degës së LDK-së. Në atë kryesi dominonte pararoja staliniste në krye me Gani Kocin, marksist-leninist i përbetuar dhe shok i Hydajet Hysenit, që me çdo kusht insistonin ta shkatërronin këtë parti.

Zyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin të vendosura në pjesën e epërme të Skënderajt ngjitur me fshatin Llaushë dhe në çdo mbledhje isha me roje, të cilat rrinin tek spitali për të vëzhguar. Po të vinte policia e shkijeve, mua më duhej të largohesha pasi që do t’i rrezikoja të gjithë anëtarët e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryesia punonte në terren për ta mbajtur Kuvendin e saj për komunën e Skënderajt.

Anëtarët e Kryesisë ishin Idriz Rreci (kryetar), Gani Koci – anëtar marksist, Murat Dauti – marksist (i biri i Smajl Dautit që kishte pasur kontakte me serbët e Bajës dhe kishte pasur probleme me Mehmet Gradicën), Murat Musliu, Shukrije Deliu, Emin Halimi (gjyshi i tij kishte raporte shumë të mira me shkije të Kralicave), Ajnishahe Halimi (gruaja e Eminit), Bedri Deliu nga fshati Rezallë, i burgosur politik i familjes së mirë dhe vetë djalë i mirë, Bedri Tahiri nga Klina e Epërme dhe Sejdi Koca nga Polaci.

Për përgatitjen e Kuvendit ishte angazhuar e tërë Kryesia e LDK-së. Zgjidheshin delegatë nga të gjitha bashkësitë lokale dhe fshatrat e Drenicës. Meqenëse aty ku nuk kishin fituar argatët e Murat Dautit dhe të Gani Kocës, zgjedhjet anuloheshin si të parregullta dhe përsëritëshin ato. Këtë e bënin Gani Koca dhe Murat Dauti me shokët e tyre të LPK-së, të cilët ishin në kryesi të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në këtë kryesi ishin nëntë anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe çdo vendim merrej me shumicë votash. Propozimet e të tjerëve nuk kalonin, sepse shumica ishte e LPK-së dhe e Hydajet Hysenit. Gani Koci kishte fituar në fshatin e vendlindjes së vet, në Polac, vetëm 6 vota, dhe nuk kishte arritur të zgjidhej delegat nga Polaci. Meqë nga fshati i tij nuk kishte marrë vota, ai kishte shkuar në Skënderaj dhe në lagjen numër 2 kishte insistuar të merrte votëbesimin.

Mirëpo lagja në fjalë nuk kishte pranuar që të kandidohej ai, sepse ishte nga Polaci, ku kishte humbur dhe nuk kishte të drejtë, në bazë të statutit, të kandidohej prapë. Këtë trik të Ganiut e kishte kuptuar lagja nr. 2 e Skënderajt dhe kishte kërkuar prej tij që ta lëshonte mbledhjen. Meqë ai kishte mbetur pa kandidaturë, atë e fton Murat Dauti në Runikë që ta merrte «bazën» për Kuvendin e LDK-së. Edhe pse me statusin e saj nuk kishte të drejtë, ai u bë delegat i Kuvendit nga Bashkësia lokale e Runikut.

Në mbledhjen e fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku duhej të vendosej vendi për mbajtjen e Kuvendit, marksist-leninistët kërkonin që Kuvendi të mbahej ose në Runikë, ku kontrollohej çdo kalimtar nga shkijet ose në fshatin Klinë e Epërme, ku gjindej punkti më i madh i policisë çetnike në Drenicë. Insistimi që Kuvendi i LDK-së të mbahej në këto fshatra kishte si qëllim që shumë delegatë nga fshatrat ku ishte prezent UÇK-ja nuk do të kishin mundësi të merrnin pjesë, sepse tani ishin ushtarë të saj, dhe për të shkuar në Runikë ose në Klinë do të rrezikoheshin.

Për shembull përfaqësuesit e fshatit Açarevë, të gjithë ishin ushtarë, si Hysni Shabani, arsimtar i fshatit dhe të gjithë të tjerët. Po ashtu edhe të gjithë delegatët e bashkësisë lokale të Turiçevcit, edhe ata ishin pjesëtarë të ushtrisë, sepse u takonin fshatrave Vojnik, Izbicë, Kopiliq, Kllodërnicë, ku ishte prezent UÇK-ja.

Gjithashtu të gjithë delegatët e fshatit Llaushë ishin ushtarë, si Sejdi Geci (Daja i Adem Jasharit), Fadil Geci, Musli Hoxha, Shaban Zyhrani, Abit Haziri, Zymer Vojvoda e Baci Lilë. Edhe ata të fshatit Rezallë ishin delegatë-ushtarë të UÇK-së dhe të gjithë këta ishin kundërshtarë të Gani Kocës dhe të Murat Dautit.

Pavarësisht nga kjo Ganiu dhe Murati vendosën që Kuvendi të mbahet në fshatin Klinë. Duke e parë rrezikun, ushtarët-delegatë detyrohen të intervenojnë te Kryetari i Lidhjes Demokratike dhe të kërkojnë nga ai që Kuvendi mos të mbahet as në Runik, as në Klinë, por në fshatrat e kontrolluara nga UÇK-ja. Intervenimi bëhet dy ditë para Kuvendit dhe kryetari i Degës në Skënderaj, zotëri Idriz Rreci, këtë ndërhyrje «të njerëzve me maska», siç na quanin ata, e paraqet në Kryesi ku isha edhe unë prezent.

Ganiu (Koca) kërkoi sqarime nga Idrizi, i cili na shpjegoi: – Mbrëmë në shtëpinë time kanë qenë tre ushtarë të UÇK-së, me uniforma dhe automatikë, me shenja në krah, të cilët janë sjellur shumë mirë dhe kanë kërkuar nga unë që Kuvendi mos të mbahet në fshatrat ku rrezikohen delegatët, sepse kemi shumë përfaqësues që janë tani në uniformë, kaq më këshilluan dhe u larguan. Meqë atëherë disa nuk besonin se kishte UÇK, si puna e Gani Kocës me të tjerë, heshtën dhe nuk folën asnjë fjalë.

Në këtë mbledhje u vendos që Kuvendi të mbahej në Rezallë, gjë që do t’u lejonte të gjithë përfaqësuesve-luftëtarë të merrnin pjesë. Në Rezallë shkuan edhe delegatët e fshatit tonë. Nga Prishtina, nga Kryesia Qendrore, kishin ardhur dy apo tre përfaqësues, e di se ka qenë Hydajet Hyseni, i dashuri i idealit të Gani Kocës, të tjerët nuk më kujtohen. Mirëpo problemi kryesor qëndronte në verifikimin e mandatit të tyre, para se të fillonte Kuvendi. Ganiu, parashutisti nga Runiku, sipas rregullorës së LDK-së, nuk kishte të drejtë të merrte pjesë në Kuvend.

Përkundër asaj ai kishte marrë me vete djemtë e axhallarëve dhe vëllezërit e vet për të sjellë probleme në Kuvend. Kryesia Qëndrore dhe Kryesia e LDK-së, mbajtën mbledhje me dyer të mbyllura, por nuk kishin mundësi të vendosin për pranimin e Ganiut në Kuvend, sepse në bazë të dokumenteve ai nuk e kishte fituar bazën në fshatin e vet. Mirëpo Hydajeti e dinte se punëtorët e Ganiut dhe të Muratit kishin vepruar në ato vende, ku nuk kishte pjesëtarë të UÇK-së dhe delegatët ishin shumica të tyre. Aty ku nuk kishin mundësi të zgjedhin të vetët, siç përmendëm, kishin anuluar zgjedhjet dhe i kishin ndryshuar përfaqësuesit.

Më në fund vendoset që Kuvendi të fillojë dhe problemi i Gani Kocës t’i kalojë Kuvendit për votim. Zgjidhet kryesia e punës. Në këtë kryesi zgjidhen: Idriz Rreci, Fadil Geci dhe Gani Koci. Në votimin e fshehtë, në pyetjen se a duhet të marr pjesë Gani Koci apo jo në këtë Kuvend, u vendos që Ganiu të marrë pjesë në Kuvend, madje edhe të zgjidhet anëtar i Kryesisë për Degën e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Skënderaj. Idriz Rreci zgjidhet me aklamacion kryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës për Skënderaj, ndërsa për anëtarë Kryesie zgjidhen dy të rinj Fadil Geci dhe Xhafer Murtezi. Është e një rëndësie të veçantë se në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hydajet Hyseni kishte rolin kryesor dhe insistimi i tij ishte që Gani Koci, gjithësesi të mbetet në Kryesi dhe të thehet statusi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Këta lloj njerëzish i duheshin Hydajetit që t’i kishte në kryesinë e LDK-së në Skënderaj, pasi që këta në atë kohë nuk kishin mundësi të formonin parti të re, sepse nuk i bashkëngjitej askush. Prandaj edhe insistonin që të mbeteshin me çdo çmim në LDK për ta shkatërruar atë më vonë nga brenda.

Sa shumë qemë gëzuar, kur të lartpërmendurit u liruan nga burgjet! Më duhet të përmend se Gani Kocës, kur është liruar nga burgu, unë ia kam dhuruar orën time të dorës dhe e kam respektuar si ta kisha vëlla më të madh, por mjerisht, i kisha bërë respekt një komunisti stalinist, i cili për nderë të partisë së tij e vret babën, vëllain e të gjithë ata që nuk janë me të. Shënimet e Kuvendit i ka edhe «Zëri i Rinisë» dhe Mufail Limani, i cili ishte prezent si gazetar.

Gani Koci i kishte sjellë axhallarët dhe vëllezërit, të cilët provokonin masën nga qoshi i portës edhe pse nuk ishin përfaqësues. Atë ditë, afër shkollës në Rezallë kishte kaluar edhe Adem Jashari, duke shkuar tek Ilaz Dërguti. Pas përfundimit pa probleme të mbledhjes shkova deri te Ilaz Dërguti për të ngrënë drekë, bashkë me delegatët e Llaushës, e morëm do bukë me vete për Hysni Shabanin, tani komandant i Brigadës «Mujë Krasniqi». Emërtimi i Brigadës është bërë pas vrasjes së Mujë Krasniqit, së bashku me 35 ushtarë të tjerë në kufirin shqiptaro-shqiptar. Pas përfundimit të këtij Kuvendi gjithçka doli në pah, haptas u panë animet, kush ishte me fytyrë e zemër nga Lindja e kush nga Perëndimi.

ANKESAT E LAH GECIT (BALIT LAH) NDAJ AGJENCISË INFORMATIVE REUTERS

Meqë çdo ditë e më tepër afrohei lufta, fshatin tonë Llaushën e vizitonin gazetarë të ndryshëm të mediave botërore, të cilët interesoheshin për rrjedhat në fshat dhe më gjerë, për daljen në skenë të UÇK-së, për vendqëndrimet e luftëtarëve, kush qëndronte prapa skenës politike të saj dhe nga kush udhëhiqej, e pyetje të tjera. Meqë ishte dilema se a ekzistonim ne si Ushtri Çlirimtare e Kosovës apo jo, populli përgjigjej se UÇK jemi të gjithë, prej fëmijëve e deri te pleqtë, sepse nuk durohet më Serbia. Vlen të përmendet përgjigja e Lah Gecit, që i kishte 70 vjet dhe i cili thoshte në një intervistë me Rojters-in:

Serbia na ka bërë çdo gjë ne shqiptarëve!

1. Na kanë vrarë qe njëqind vjetë e këndej.
2. Na kanë përzënë nga tokat tona, 300 fshatra na i kanë djegur në Toplicë (sot i kemi Muhagjerët).
3. Na kanë vrarë në vitin 1912 deri në vitin 1924, sa ka luftuar Azem Galica.
4. Na kanë vrarë në vitin 1945 (tregonte për luftën e Shaban Polluzhës, në të cilën kishte qenë pjesëmarrës si i ri në moshën 17-vjeçare.
5. Na kanë dërguar burgjeve prej vitit 1945 e deri sot, pa ndërprerë.
6. Sa u bëmë për t’i marrë pak këmbët me do shkolla prapë na i mbyllën.
7. E vrajtën Tahir Mehen, në shtëpi të vet.
8. Na e ndërruan Kushtetutën.
9. Me dhunë na i përzunë prej policie djemtë tanë.
10. Na i helmuan më se 7000 fëmijë.
11. Na i mbyllën shkollat, spitalet, fabrikat, na kanë vrarë nëpër demonstrata.
12. Deshën ta ndezin luftën së pari te ne, e ato tjera Republika të ndahen pa therrë në këmbë, por djemtë e shkolluar, djemtë e mençur nuk e lanë të ndezët lufta së pari te ne.
13. Shkijet e ndezën luftën në Slloveni, Kroaci e Bosnje, edhe bota tash e ka marr vesh se kush janë ata.
14. Po mundohen edhe neve me na farue, por kanë dalë djemtë tanë maleve dhe po dojnë me i mbrojtë tokat me pushkë, se nuk kemi ku të shkojmë prej shtëpive tona.

Bali Lah fliste edhe për luftën e Drenicës, në të cilën ka qenë pjesëmarrës.

Këto ishin fjalët e Balit Lah, këto katërmbëdhjetë pika që i parashtroi para gazetarëve të Rojters-it e mediave të ndryshme. Meqë ishte fillimi, gjatë ditës ishim pa uniformë, edhe ne u tregonim këtyre gazetarëve se:

– UÇK jemi të gjithë, pa dallim. UÇK janë ata që kanë ardhur nga vendet e veta, këtu te ne, e UÇK jemi ne kur shkojmë atje si në Deçan, Llap e vendet tjera. Pyetjeve direkte u iknim, sepse duhej të kishim kujdes edhe nga gjithëfarë gazetarësh.

DRENICA GJITHMONË KA DERDHË GJAK PËR LIRI

Qysh në kohën e Mbretit Zog, vëllezërit Miftar dhe Halil Bajraktari shkojnë në Shqipëri dhe nga atje sjellin Mehmet Gradicën në Drenicë. Mehmeti ishte i vetmi që kishte mbaruar shkollën ushtarake në Itali dhe emrohet kryeshef i policisë për Drenicë. Në atë kohë formohen edhe brigadat (çetat, si u kanë thënë atëherë) e Vullnetarëve Shqiptarë pë ruajtjen e kufirit me Serbi. Në kullën e Bajraktarëve të Llaushës merret vendimi për formimin e këtyre brigadave. Ato vepronin nga Peja deri te Molla e Kuqe, duke përfshirë edhe Drenicën, Artakollin, Shalën, Llapin dhe një pjesë të Rrafshit të Kosovës. Në Pejë, emërohet komandant Shaban Polluzha, ndërsa komandant i vullnetarëve në Kollashin ka qenë gjyshi im Halil Bajraktari, i cili kishte gradën major.

Bajraktari i Llaushës-Miftari ishte bajraktar i shtatë bajraqeve dhe Kryetar i Këshillit të Pajtimeve (Islihatit) që shtrinte influencën e vet deri në Shqipëri. Miftar Bajraktari ka qenë njeri i mençur dhe i respektuar. Ata që e kanë njohur, Behram Bajraktari si Tafë Beka, e përshkruajnë atë si një njeri shumë të afërt me njerëzit. Ndërkohë ndodhi thyerja e Shaban Polluzhës me Mehmet Gradicën. Puna arrin deri aty sa Mehmet Gradica e rrethon Shaban Polluzhën në shtëpinë e tij në Polluzhë me 30 xhandarrë shqiptarë. Daja im, Sefer Uka i cili ishte xhandar i Mehmet Gradicës, me rekomandimin e Miftar Bajraktarit, e lajmëron nënën e Shabanit, që t’i thoshte të birit të largohej nga shtëpia si dhe i kishte treguar se në cilën anë të rrethimit gjendej ai. Kështu Shabani kalon rrethimin pa problem.

Mehmeti i revoltuar i burgos 15 xhandarë për shkak të dështimit të aksionit për kapjen e Shabanit. Në burg kishte futur edhe Sefer Ukën, dajën tim, në cilësinë e udhëheqësit të grupit. Pa vonuar intervenon Miftar Bajraktari dhe kërkon nga Mehmeti që Sefer Ukën t’ia sjellë në zyrë, të cilin e pyesin:

– Pse e ke lejua Shaban Polluzhën të dalë prej rrethimi? Seferi përgjigjet:

– Gjatë luftës në Kollashin, Shaban Polluzha ka luftuar në këmbë, pa iu trembur syri, e unë nuk kam mundur ta kryej urdhërin pasi që kam patur respekt të jashtzakonshëm ndaj tij! I gjendur në këtë situatë, Mehmet Gradica i liron të gjithë të burgosurit.

Me një fjalë, gjatë luftës 1941-1944 kjo pjesë e Kosovës administrohej nga shqiptarët. Kryetar i Skenderajt ishte Sefer Haxhia i Llaushës. Gjatë viteve 1944-1945 në Shqipëri forcohet krahu komunist i ndihmuar nga Dushan Mugosha dhe Milladin Popoviçi. Kështu brigadat partizane të Shqipërisë arrijnë në Kosovë e së bashku me ato të Jugosllavisë, në të cilat kishte edhe shqiptarë të Kosovës, fillojnë luftën kundër brigadave nacionaliste shqiptare për ta shkatërruar pushtetin e tyre në Drenicë dhe më gjerë. Nacionalistët duke parë rrezikun e vëllavrasjes vendosin ta formojnë brigadën e Shaban Polluzhës për t’i bashkuar të gjithë.

Përseri, për formimin e kësaj brigade vendimi është marrë në kullën e Miftar Bajraktarit. Vendoset që komandant të jetë vetë Shaban Polluzha. Pastaj pason marrëveshja e Shaban Polluzhës me Fadil Hoxhën që të mos luftojnë mes vete. Qysh pas vitit 1941, kur Gjermania kishte sulmuar Jugosllavinë e vjetër, shqiptarët e Kosovës i gjeti të pushtuar dhe detyrimisht, prej dy të këqijave ata do të zgjidhnin atë më të voglën, pra e zgjodhën Gjermaninë edhe pse ajo ishte po ashtu okupatore.

Megjithatë dihet se në Kosovë, ditët e Gjermanisë dhe të Italisë njihen si ditët e Bashkimit Kombëtar, sepse në një formë shqiptarët ishin liruar nga sundimi i Serbisë edhe pse të pushtuar, qenë të bashkuar dhe ndjeheshin shumë më të lirë. Marrëveshja komuniste shqiptaro-jugosllave për ta luftuar pushtuesin e ashtuquajtur nazifashist, krijoi në fakt mosmarrëveshje shumë të mëdha, pasojat e të cilave u paguan shumë shtrenjtë. Në Kosovë, ideja komuniste nuk përfaqësohej nga masat e gjëra, sepse qe dhe mbetet një ide sllave, bolshevike, e lindur në Rusi dhe nuk do t’i sillte asnjë të mirë popullit shqiptar. Fill pas përfundimit të Luftës së Dytë, si edhe gjatë saj, ushtria çetnike serbosllave kishte në plan që tokat shqiptare t’i boshatiste dhe t’i popullonte me serbë e malazez, duke vrarë dhe duke prerë sa ma shumë shqiptarë që të ishte e mundur.

Mixha Tafë dhe Behram Bajraktari tregonin se si Brigada e Shaban Polluzhës ishte nisur nga Drenica për në Podujevë e nga këtu për të shkuar në Srem. Shkijeve u përshtatej që shqiptarët të hynin me çdo kusht në trena pa armë, duke u thënë se armët do t’i merrnin kur të zbrisnin. Miftari ka reaguar dhe kërkuar që shqiptarët të ktheheshin. Ishte i bindur se ai marshim do të përfundonte si ai i Tivarit. Në atë grup njerëzish ka pasur edhe nga ata që i kishin shpëtuar masakrës së Tivarit, tregonte mixha Tafë. Nga Drenica ata kishin dëgjuar lajme rrënqethëse. Në lumin Klina qenë masakruar 28 burrat më të mirë të Drenicës, në mesin e të cilëve ishte edhe Halil Bajraktari – vëllau i Miftar Bajraktarit.

Forcat çetniko-partizane kishin filluar operacionet e tyre në Drenicë, prandaj Miftar Bajraktari kundërshtoi shkuarjen në Srem duke u thënë luftëtarëve:

– Më mirë është të kthehemi dhe t’i lëmë eshtrat në Drenicë, se sa të shkojmë në Srem dhe të na e bëjnë më zi se në Tivar.

E gjithë brigada vendos të kthehet në Drenicë për t’i mbrojtur familjet e veta. Pas kthimit të kësaj brigade në Skenderaj, çetniko-partizanët detyrohen t’i lirojnë të burgosurit e mbetur, të tjerët i kishin pushkatuar më parë, pa gjygj. Ekzekutimi i tyre ka një ngjashmëri të frikshme edhe me disa ekzekutime të luftës së fundit shqiptaro-serbe, pasi viktimat e lidhura kriminelët i vrisnin me mjete mizore si çekiç, sopatë, kazma e thika. Dihet se çfarë dhembjesh torturuese shkaktojnë këto mjete. Për të mbuluar sadopak klithmat e dhimbjeve, serbët kishin organizuar orkestra me magjupë të cilët këndonin në kupë të qiellit.

Sipas kallzimeve, edhe atëherë romët vendas të udhëhequr nga çetniko-partizanët, si Ali Shukriu, kanë marrë pjesë me hatër a me zor në ekzekutimin e shqiptarëve. Për shkak të këtyre torturave dhe vrasjeve mbahet një protestë në Skenderaj. Pjesëmarrësit kërkojnë një takim me Fadil Hoxhen për thyerjen e marrëveshjes në mes tij dhe Shaban Polluzhës. Të gjithë ata që kanë folur para masës në protestë, më vonë, çetniko-partizanët i kanë pushkatuar, madje edhe disa shokë të vet partizanë, që kishin kundërshtuar masakrën e Drenicës.

Në atë kohë, Mehmet Gradica dhe Shaban Polluzha prapë konsideroheshin kundërshtarë me njëri-tjetrin, për shkak të bindjeve politike. Mehmet Gradica gjendej në Shalë, nga të gjithë njihej si nacionalist dhe antikomunist i përbetuar dhe strateg i shkëlqyeshëm ushtarak, për këtë arsye edhe i duhej brigadës së Shaban Polluzhës. Për pajtimin e Shabanit dhe të Mehmetit rolin kryesor e ka luajtur Miftar Bajraktari.

Me ardhjen e Mehmetit në brigadë, sipas tregimeve të pleqve, shumë çka kishte ndryshuar. Mehmeti e kishte ditur se luftën e kishin humbur nacionalistët, ngase kundërshtare e kësaj lufte ishte Shqipëria, brigadat e së cilës silleshin nëpër Kosovë dhe kryenin po të njejtat punë që kryenin çetniko-partizanët shkie. Mehmet Gradica u kishte thënë ushtarëve të vet:

– Kush nuk ka vra shkije, haptas mund të kthehet në shtëpi, sepse nacionalistët nuk e kanë përkrahjen e shtetit amë Shqipërisë! Disa partizanë të brigadave nga Shqipëria, rastësisht e kishin gabuar rrugën dhe hyjnë në Shtabin e Brigadës së Shaban Polluzhës duke bërtitur:

– Vdekje fashizmit! Mehmeti i pyet për shkiet, ata përgjigjen: – Serbët, ashtu si ne, janë komunistë! Mehmeti urdhëron t’u pritet nga një vesh, pasi që ishin shqiptarë. Ky fakt dëshmon se lufta e Mehmet Gradicës ishte luftë antikomuniste e antiserbe jo antishqiptare.

Histori të ngjashme tregonte edhe Mixha Shaban (Jashari). Lufta e Shaban Polluzhës ka qenë lufta më e organizuar dhe më masive kundër sllavokomunistëve, por përkrahje nuk ka pasur, sepse Shqipëria ishte rreshtuar në vijën komuniste sllave. Në mbarim të luftës, apo më mirë të themi në ripushtimin e Kosovës nga sllavo-komunistët, të ndihmuar nga bashkëmendimtarët idelogjikë shqiptarë, me gjashtë mars të vitit 1945 vritet Halili, Miftari tri javë pas Halilit, gjithashtu vriten edhe tre meshkuj tjerë, Cena, Rexha dhe Hasani, djali i Miftarit. Nga kjo familje numerikisht e madhe mbeten vetëm fëmijët e Halil Bajraktarit, babai im Ademi (nëntë vjeçar) dhe tre djemtë e Miftarit (Muja i zënë rob nga gjermanët), Zeqa 16 vjeçar, i cili ishte në luftë me babën e vet dhe Mala 9 vjeçar. Në mal kishte mbetur Behrami (djali i Rexhes) deri në vitin 1947 dhe Brahimi djali i Cenës 15 vjeçar.

Sipas tregimeve të gjyshes sime, Emines, bijë e Kocëve të Polacit, pas vrasjes së meshkujve nga çetniko-partizanët, këta të fundit vijnë për të djegur shtëpitë dhe kullat e Bajraktarëve. Fëmijët e Halilit i kanë futur nën shkallë për t’i djegur të gjallë. Ndërkohë kishte ardhur një njeri me kalë të bardhë dhe kishte pyetur se të kujt ishin ata fëmijë? Gjyshja i tregon se ishin të Halil Bajraktarit. Ky pastaj i pyet se kush i kishte futur aty? Ajo nuk përgjigjet, por vetëm i rrudh krahët. Pastaj po ai person enigmatik i urdhëron të dilnin nga nën-shkallët dhe t’i bashkoheshin pjestarëve të tjerë të familjes, për t’u strehuar diku tjetër në fshat. Ndërkohë shtëpive të bajraktarëve u kishte dalë flaka. Gjyshja më vonë ka thënë se ai njeriu me kalë të bardhë ka qenë Brahim Ternafci, të cilin e kishin shpëtuar Miftari dhe Halili në Kollashin nga pushkatimi i sigurtë si komunist.

Ajo tregonte se kur e kishin shpëtuar Brahim Ternafcin, Miftarin dhe Halilin i kishin burgosur. Mirëpo Mehmet Gradica kishte ndërhyrë për lirimin e tyre. Mehmeti ka shkuar në Prizren dhe ka kërkuar lirimin e tyre pakusht. Me këtë rast u kishte siguruar edhe një pajton nga burgu i Pejës deri në Prizren. Pastaj bashkë me Mehmetin ishin kthyer në Drenicë. Përveç djegies së shtëpive, me ardhjen e komunistëve në pushtet, familjes së Bajraktarit i konfiskohet edhe pasuria e patundëshme.

Në vitin 1956 fillon aksioni për mbledhjen e armëve. Ky aksion organizohet në tërë Kosovën por me aksent të veçant në Drenicë dhe fshatrat rreth saj. Kështu që të gjithë meshkujt e familjes Bajraktari burgosen dhe maltretohen si: Behrami, Brahimi, Muja, Zeqa dhe babai im Ademi. Të gjithë i kanë lidhur dhe zbathur i kanë lënë në borë në oborrin e shkollës së Llaushës. Çetniko-komunistët e Rankoviqit kërkonin prej tyre armatimet e prindërve. Përkundër asaj që prindërit i kanë pasur armët me veti kur janë vrarë, këta maltretoheshin prapë për armë që s’i kishin. Madje edhe kur e kishin sjellë kufomën e Miftar Bajtaktarit në Llaushë nga Krasmirofci ku kishte vdekur, djalin e tij Zeqën e kishin dënuar me 60 ditë burg. Babait tim, Ademit, ia kishin ngarkuar të gjitha pushkët që kishin zënë në fshat dhe e kishin detyruar t’i dërgonte në Skënderaj.

Gjyshja na ka treguar se Ademin e kanë marrë të lidhur pas kalit duke e tërhequr zvarrë deri tek Lantë e Llaushës. Kur baba i dërgon pushkët në Skenderaj, një polic shka i kishte thënë:
– Hajde i biri i Bajraktarit, se sa i ke sjellë në shpinë, dy herë më shumë ke në shtëpi!

Në vitin 1968 fillon një etapë e re në historinë e Kosovës. Fitohet e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar, me të cilin shqiptarët kishin luftuar gjatë gjitha luftrave të tyre. Hidhen themelet e Universitetit të Kosovës, por Kosovës nuk i akordohet statusi Republikës. Pra, demonstratat e asaj kohe sjellin disa ndryshime në të mirë të shqiptarëve, por ato ndryshime qenë shumë të vogla në krahasim me kërkesat e popullit tonë. Mu për këtë, lufta për liri vazhdoi në forma të ndryshme deri në eskalimin e demonstratave të vitit 1981.

Shqiptarët e Kosovës arrijnë që në Universitetin e Prishtinës të përgatisin gjenerata studentore, magjistra e doktorë shkencash dhe akademikë, mirëpo liria ishte ende larg. Gjeneratat studentore të vitit 1981-82 marrin një rol shumë të rëndësishëm në historinë e popullit tonë, sepse prapë fillon një tjetër etapë për Kosovën. Të gjithë studentët, punëtorët dhe mbarë populli bashkohen dhe fillojnë demonstrata për Republikën e Kosovës. Gjatë këtyre demonstratave derdhet gjaku i bijve dhe i bijave më të mirat të popullit. Dobësia e grupeve studentore të atëhershme qëndron në faktin se shumë lehtë pranuan se bënin pjesë në grupe të caktuara ideologjike, gjë që i dha mundësi shkieve t’i burgosin, shkatërrojnë e nga ana tjetër t’i paraqesin si armiq edhe të Europës Perëndimore, si grupe staliniste që kërkonin destabilizim.

Të gjitha bibliotekat e burgjeve serbe kanë qenë të mbushura me veprat e Marksit, Engelsit dhe të Leninit, e, edhe nëse studentët para burgosjes nuk kishin qenë marksist, pas lirimit ata dolën marksist e bolshevik të përbetuar, qoftë edhe si shkak i leximit të asaj literature. Në maj të vitit 1981 soldateska serbe sulmon fshatin Prekaz, konkretisht shtëpinë e Tahir dhe Nebi Mehës. Si gjithëherë fshati Prekaz, edhe kësaj radhe Tahir Meha, e pret armikun me barot duke i vrarë shumë shkije, mirëpo në këtë luftë vdesin edhe trimat Tahir dhe Nebih Meha. Ajo ngjarje ka pasur një jehonë të jashtëzakonshme pozitive në Kosovë.

DAJË, I KEMI PUNËT E PËSHTJELLUEME!

Në vitin 1996 gjërat ndryshuan shumë. Di se gjërat nuk kanë ndryshuar nga brenda. Këto ndryshime janë bërë nga Zvicra dhe nga Shqipëria. U bënë ndryshimet e raporteve në Shqipëri. Dihet shumë mirë se në ç’pozitë ra Shqipëria nga forcat paramilitare, apo militare greke, apo nga revolucioni i vonuar grek dhe armatimi ra në duar të tërë popullit dhe të fëmijëve. Nga kjo gjendje u përfitua nga rasti, që një pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës, që ishte në veprim në Zvicër dhe Gjermani, të marrin armatimin nga populli, për pak para. Përmes Ardian Krasniqit dhe disa djemve të tjerë të Drenicës armatimi ka hyrë në Kosovës. Në kullën e Adem Jasharit ka shkuar Rexhep Selimi. Të gjitha këto i kam marrë vesh nga Hamëz Jashari, një javë para se të ndodhte rasti i qëndresës së Jasharajve, i cili më pati thënë: – Dajë i kemi punët e pështjellueme!

Unë nuk kisha dijeni rreth përçarjeve për të cilat më foli Hamza. Periudha e vitit 1996 dhe deri në fund të 1997, për mua qe e panjohur, sepse unë kam qëndruar në Gjermani. Në vitin 1997 unë u ktheva në Kosovë. Do t’i kthehem edhe njëherë shkurtmisht atij tubimit në Heilbron (qytet afër Stuttgartit në Gjermani). Në atë kohë qe vrarë siç dihet mësuesi Halit Geci, të cilin e kemi pasur mësues të gjithë nxënësit e Llaushës dhe e kemi dashur, sepse ka qenë mësuesi më i mirë. Në këtë mbledhje i kam përmendur familjet e Besim Ramës dhe të Osman Gecit, të cilave duhej t’u ndihmohej, sepse ata po qëndronin maleve me pushkë në dorë, ndërsa në shtëpi nuk kishin bukë për të ngrënë.

Masa iu përgjigj kësaj thirrjeje, mirëpo nuk u arrit asgjë, sepse u krijua përçarja mes Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Rrahim Beka, i Kllodërnicës, komuna e Skënderajt, i mblodhi 3’300 DM, mua m’i ka dhënë 2’000 DM, se ku i ka dërguar 1’300 DM atë nuk e di. Ky fakt është i rëndësishëm të dalë në pah, se më vonë i kam dëgjuar disa fjalë, ndërkohë që unë i kam të gjitha me shkrim. Unë i kam dërguar 2’000 DM në Llaushë, 200 DM ia kam dhënë Osman Gecit, 300 DM ia kam dhënë familjes së Besim Ramës, të hollat tjera ia kam dhënë Jetullah Gecit, përgjegjësit të Llaushës, udhëheqësit të Njësive Mbrojtëse, dajës së Adem Jasharit.

Në UÇK ishin kyçur edhe disa njerëz me një të kaluar jo aq të pastër. Këta persona të kaluarën familjare e kishin fantastike, por kishte dobësi tek e kaluara e tyre individuale, me batica e zbatica, me disa hajni, megjithatë ata ishin kyçur drejtpërdrejtë në luftë. Aty ishte kyçur edhe Rexhep Selimi, sipas fjalëve të Hamëz Jasharit, «që nga viti 1996». Edhe Sulejman Selimi e disa djem të tjerë të fshatit tonë. Ishte kyçur edhe Abedin Rexha i Vojnikut.

Gjatë kësaj periudhe unë shkova te Adem Jashari. Shtabi mblidhej në shtëpinë e Shani Gecit, në Llaushë. Përse pikërisht në Llaushë, dhe përse janë marrë e shkepur të gjitha informacionet nga Llausha, shkaku ishte i thjeshtë, sepse në shtëpinë e Shani Gecit, te nipi (djalit të djalit) i Miftar Bajraktarit, ishte një telefon, të cilin ai na e la në përdorim. Këtë telefon e shfrytëzonte edhe Adem Jashari, sepse mendohej se aparati në shtëpinë e Adem Jasharit konsiderohej i përgjuar. Ky ishte telefoni 303, në të cilin kanë thirrur edhe nga Zvicra, edhe nga Amerika. Rexhep Selimi të gjitha marrëveshjet i ka bërë me Zvicër nga ky aparat. Në fillim nuk kemi patur ndasi. Të gjitha të hollat kanë kaluar përmes Rexhep Selimit, sepse ai ka patur lidhje të ngushta me Hashim Thaçin dhe Ibrahim Kelmendin.

Ndërsa Ademi nuk ka patur këso lidhjesh, Ademi ka patur lidhje me Sami Lushtakun, me vëllain e vet Rifat Jasharaj, me Fehmi Lladrovcin. Gjatë periudhës kur shkon Rexhep Selimi në familjen e Shaban Jasharit, këtë e kam dëgjuar nga Hamza, po ashtu nga Rifat Jasharaj, ai i kishte thënë Mixhës Shaban:

Ti i ke tre djem, e unë jam i katërti, unë do të vdes për djemtë, sikur me qenë biri yt.
Me Rexhep Selimin ka qenë edhe një person tjetër: e ka pasur pseudonimin «Luli». Gjatë tre muajve qëndrimi në shtëpinë e Adem Jasharit, askush nga familja Jasharaj nuk e ka ditur se kush është «LULI», këto m’i ka thënë Hamza, ndërkohë familja Jasharaj ia ka hapur dyert e shtëpisë, e ka mbajtur, i ka dhënë me ngrënë sikur të ishte anëtar i kësaj familjeje.
Këta kanë qenë në dijeni për çdokënd që ka ardhur në shtëpinë e Jasharajve, kurse Jasharajt nuk kanë qenë në dijeni se kush na qenka «LULI». Megjithatë, Hamëza më ka thënë:

– Unë e mora vesh, daj, se kush na është «LULI», por Rexhep Selimi këtë nuk ua kishte treguar kurrë. Kjo të jap automatikisht të kuptosh se kemi të bëjmë me një lëvizje komuniste, me fshehjen e realitetit tek një familje ku ha bukë, këtu është parë qëllimi. Pas disa kohe Rexhep Selimi i ndërpreu marrëdhëniet me Adem Jasharin, edhe pse ishin bërë miq, (Rifati ia kishte dhënë vajzën djalit të vëllait të Rexhep Selimit, Asllanit). Këto gjëra në masë nuk janë vërejtur. Unë iu drejtova Hamzës me atë rast:

– Përse Dajë po ndodhin këto?

Ai m’u përgjigj:

– Nuk e di Dajë, por punët janë keq!; dhe shtoi se u bënte apel atyre dhe neve, mos të vrisnim policë në Skënderaj, sepse «juve nuk ju njeh askush!» Këtë ua ka thënë atyre edhe neve. Kjo ka qenë realitet i pakontestueshëm.

Është me rëndësi të përmendet edhe njëherë se në atë periudhë, Llausha kishte vetëm 36 kallashnikovë, nga të cilët shtatë kallashnikovë, pushko-mitralozi, pushko-snajpere, dhe disa granata dore ishin pronë e jona, pronë e shtatë vëllezërve Geci. Ky ishte i tërë armatimi që posedonte Llausha. Kjo ka qenë në vitin 1998. Jo vetëm në Llaushë, por e tërë Drenica e kishte vetëm këtë pushko-mitraloz 12.7.

Llausha ishte një pikë e nxehtë, sepse aty u vra ai djali nga Rakinica, mandej u vranë dy policë serbë që gjendeshin në kamion, pastaj u vranë edhe dy policë tjerë shkije se nuk iu bindën urdhërave të Njësiteve të Llaushës. Këta dy të fundit u vranë konkretisht nga unë, ata gjendeshin në kamion. Aty kanë qenë Sulejman Selimi Jetullah Geci dhe ushtarët tjerë të Llaushës. Ne aty i prisnim njësitë speciale të Arkanit, të cilat duhej të kalonin nëpër Llaushë, d. m. th. ne i prisnim me grykë të pushkës. Disa ushtarë tanë e bënin kontrollimin e rrugës dhe na lajmëruan.

Vrasja e policëve në kamion u komunikua pastaj përmes mjeteve të informimit, ku supozohej se janë qëlluar në Llaushë dhe shtohej se njëri nga ata kishte arritur deri në Klinë. Të dytë kanë vdekur. Ata kishin ardhur prej Gjakove të bënin inspektimin me kamion duke u interesuar se si shkonte puna në Drenicë. Kjo ishte situata e tensionuar në Llaushë.

KUSH JEPTE URDHËRAT PËR VRASJET E INTELEKTUALËVE SHQIPTARË NË KOSOVË

Edhe një thyerje tjetër që e kemi patur ka qenë tek Abedin Rexha në janar apo shkurt të vitit 1998. Me faks kishte ardhur në Prishtinë kërcënimi në të cilën thuhej se ishin «dënuar me vdekje disa gazetarë e zëdhënës, kryeredaktorë të gazetave dhe vetë Rugova».

Ne ishim tek Abedin Rexha, me Ademin, Mujë Krasniqin, Rexhep dhe Sylejman Selimin dhe Jetullah Gecin – komandantin e Llaushës. Të gjithë e hapëm temën se si mund të ndodhte ajo punë? I pranishëm qe edhe Nuhi Geci, i cili tha:

– Në qoftë se është e vërtetë kjo, se iu kanë kërcënuar Rugovës e të gjithë këtyre njerëzve tjerë, unë sot po e lë pushkën, se nuk dua të vras shqiptarë!

Rexhep Selimi na tha se ishte hera e parë që po dëgjonte për këso rastesh. Mandej ne e kaluam atë temë, mirëpo tërthorazi kuptuam se ka shenja të kërcënimeve ndaj njerëzve publikë dhe redaktorëve të gazetave të ndryshme të Kosovës.

Për të argumentuar këtë më duhet të kthehem në vitin 1994. Në atë kohë më ka ardhur një ofertë, jo nga Adem Jashari sigurisht, por nga dikush tjetër, për të vrarë kryeredaktorin e gazetës erotike «Amori». Nuk më kujtohet emri i tij. Unë e kisha lexuar një numër të asaj gazete. Fatbardhësisht, kisha qenë në Gjermani dhe kisha parë me qindra gazeta erotike e pornografike, të cilat nuk e pengonin askënd, si rrjedhim nuk më shkoi fija e mendjes ta vrisja kryeredaktorin e saj. Në qoftë se niseshim nga arsyetime të tilla, atëherë do të na ishte dashur t’i vrasim gjithë redaktorët perëndimorë të gazetave të ngjashme.

– Jo, kjo punë, për të vrarë këtë redaktor nuk është asgjë, ai nuk po bën asgjë të keqe, me kurrfarë politike nuk po merret! qeshë shprehur, pasi mora atë «urdhër». Këtë ofertë-urdhër e kam marrë prej Rexhep Selimit, të cilin unë nuk e njihja në vitin 1994. Me këto që po them dua të vë në dukje ekzistencën e dy vijave, qysh atëherë, të cilat janë përpjekur të bashkëngjiten në vitin 1997.

Me urdhërin e Lëvizjes Popullore të Kosovës Rexhep Selimi shkon tek Adem Jashari. Rexhepi deklaron se kishte ardhur tek Adem Jasharaj me urdhërin e Shtabit të Përgjithshëm, për ekzisencën e të cilit ne nuk kemi ditur asgjë.

Këtë deklaratë Rexhep Selimi ia ka dhënë javorës «Zëri» pas luftës.

Unë personalisht e kam kërkuar Shtabin e Përgjithshëm dhe nuk e kam gjetur.
Ne, komandant e kemi pasur Adem Jasharin, e asnjë tjetër. Me rastin e bashkimit të këtyre dy vijave, ato janë bashkuar me qëllime të ndryshme. Ata e kanë patur qëllimin e vet, ndërsa Ademi me qëllim të përkrahjes së Shtetit të Republikës së Kosovës.

MASAKRAT SERBE NË LIKOSHAN DHE QIREZ

Në rastin e Likoshanit, sipas informatave që kam unë, ka qenë Musë Jasharaj. Musa ka qenë me Sabit Lladrovcin edhe me Rasim Kliqinën. Në këtë rast ata shkojnë me e marrë një pushkë gjuetie dikund. Në momentin kur takohen me policinë e shkieve, fillojnë të shtënat, te gjashtë lisat. Aty vriten dy-tre policë. Në ndihmë, këtyre të treve, u vijnë edhe shtëpia e Brahim Ajetit të Qirezit, vëllau i Brahim Ajetit dhe djali i tij, që të dy vriten me atë rast. Ne na njoftuan me radio-lidhje që po luftohet në Likoshan.

Njësiti i Llaushës ka marrë vesh përmes radio-lidhjes se po luftohet në Likoshan, ata shkojnë më herët për ta ndihmuar atë fshat. Ne kishim planiufikuar një aksion tjetër, mirëpo nuk mundëm ta kryejmë, sepse na u desh të niseshim për Likoshan. Së bashku me Sulltanin dhe disa djem tjerë detyrohemi që të ndalim një automjet kombi, t’i zbresim udhëtarët dhe me ushtarë të shkojmë në Qirez. Kjo ka ndodhur te betoni në fshatin Polac. Kur shkuam në Qirez ishte plagosur Sabit Lladrovci, Musa Jashari dhe një tjetër nga Llausha në dy këmbët nga helikopteri. Aty kishte luftuar edhe Rifat Mëziu, shok i imi i klasës.

Një civil i plagosur tërhiqet dhe shkon te familja Ahmeti, kjo gjë shërben si shkak për të masakruar familjen Ahmeti. Njësitë e Musës kalojnë. Musa ka qenë i plagosur në kokë, Sabit Lladrovci në këmbë, vetëm Rasim Kliqina ka shpëtuar pa plagë. Njësiti i Llaushës shkon për t’i ndihmuar, për të marrë të plagosurit, por njëri nga ata plagoset edhe vetë. Rifat Mëziu vret një polic në helikopter, i cili fluturonte ulët në ndjekje të veturës. Mjetet e informimit serb e japin lajmin e vrasjes së një polici serb në helikopter.

Ne kemi mbërritur me pak vonesë, pasi ata qenë plagosur, e tek Xhamia e Qirezit jemi takuar me Adem Jasharin. Ai na pyeti se kush prej nesh do të shkonte tek Prekazët për të parë se ç’ka ndodhur. Likoshani ishte në pjesën tjetër, në anën e majtë, Prekazët e Qirezit ishin në anën e djathtë, si në kodër. Ne nuk e njihnim edhe aq mirë atë terren. Vullnetarisht jemi deklaruar, Rifat Mëziu, Mujë Shabani nga Mikushnica, pastaj Xhafer Koca prej Polaci, Avni Haxha prej Açareve dhe unë, kështu u bëmë pesë.

Ka qenë data 28 shkurt 1998. Mujë Shabani i kishte tezakët e vet në atë fshat dhe e njihte terrenin më mirë se ne, ndaj edhe na priu. Kemi shkuar në pjesën e poshtme të shtëpive të Prekazëve të Qirezit. Autoblindat gjendeshin në kodër. Gjithçka ishte e zbuluar, mal nuk kishte aty, vetëm megja dhe ferra, terreni ishte shumë i papërshtatshëm. Meqë ishte errësuar, ne depërtuam deri afër shtëpive.

Te shtëpia e parë, u thashë atyre të katërve, se do të futesha në shtëpi, dhe nga kati i saj i tretë të vëzhgoja ndonjë dritë me anë të së cilës do të mund të identifikonim pozicionet e shkijeve. Vëllai i Brahim Ajetit dhe djali i tij i kishin vrarë tre policë, edhe Musa i kishte vrarë tre policë. Një qen që ndodhej tek dyert e hyrjes ka lehur. Mujë Shabani ishte «specialist» për këtë punë. I është afruar qenit dhe ia ka zgjidhur zinxhirët, ai iku pa bërë asgjë. Pastaj, ne e vërejtëm policinë në oborrin e Sheremet Prekazit, të cilit iu kishin vrarë katër djem.

Aty kishin qenë autoblindat, terreni është pak si në kodër ku gjendej njëra autoblindë, e pak më larg e dyta. Një tjetër u kishte mbetur në pleh, ata ulërinin. U thashë shokëve se nuk kishim çare pa i sulmuar, sepse dritat e mjeteve qenë të ndezura e ata nuk mund ta dinin se sa veta ishim, pesëdhjetë apo njëqind veta, vetëm duhej të zgjeroheshim pak dhe t’i sulmonim bash aty ku gjëndeshin autoblindat.

Ne ishim pak, ishte vështirë të merret vendim për të sulmuar tërë atë arsenal luftarak, kurse armatimi ynë ishin snajperkat, automatikë, granata dore. Aty për aty ramë dakort.

– A po i sulmojmë?, i kam pyetur e të gjithë u përgjigjën njëzëri:

– Po, po i sulmojmë!

Filluam sulmin. Sipas atyre që gjendeshin në kulm, menjëherë i kemi vrarë dy policë serbë. Ata filluan të organizojnë tërheqjen, e dija se ata do të tërhiqeshin, pasi nuk ia kishin idenë se sa luftëtarë i kishin rrethuar. Ne britnim:

– Ah prite, prite Adem Jasharin!

Ata u tërhoqën, në drejtim të Likoshanit. Pushkomitralozët e autoblindave gjuanin në drejtimin tonë dhe në drejtim të shtëpive të fshatit pa zgjedhur kurrfarë objektivi. Pastaj u tërhoqëm edhe ne në drejtim të xhamisë së Qirezit. Ka qenë rreth orës 23.00. Të gjithë ushtarët që gjendeshin me Ademin kanë menduar se jemi vrarë, se kemi rënë në pritë. Aty takuam Miftar Qerimin nga Açareva, të cilin Ademi e kishte lënë për të ndihmuar tërheqjen tonë. Ai e kishte pushko-mitralozin, i cili na kishte ndihmuar prej kodre me gjuajtje, e shkijet kishin menduar se ne jemi forcë e madhe.

Ne kemi hyrë në një shtëpi në Qirez, kemi ngrënë aty, dhe më vonë kemi marrë vesh se dikush nga ajo shtëpi ishte vrarë. Kemi ngrënë bukë me tâmël e me gjuveç, qemë të vdekur urie, tërë ditën pa ngrënë asgjë. Ne deshëm të dilnim sërish te shtëpitë e Qirezit, të shohim se ç’ka ndodhur, të shtënat nuk dëgjoheshin më.

Mendja ma thoshte se policia e shkijeve ishte tërhequr prej Prekazve, sepse ishte natë, dhe edhe nëse kanë patur të vrarë e të plagosur, ata gjithësesi janë tërhequr, sepse humbjeve ata u janë trembur dhe kanë ikur. Pastaj thashë se do të ishte mirë të ktheheshim për të parë se çfarë kishim bërë në atë sulm. Ne u bëmë gjashtë veta, bashkë me Miftarin u kthyem nga ana tjetër, jo nga ajo shtëpi që kishim ardhur, duke u ruajtur të mos binim në prita tjera. Kur shkuam te shtëpitë e para, u trokitëm njerëzve nëpër xhama, askush nuk dëgjohei. Nuk kishte drita, sikur të kishin vdekur të gjithë. Kam trokitur në xhamin e një shtëpie pa e ditur se e kujt ishte. Aty doli një plak dhe na tha:

– Te shtëpia e Sheremetit kanë luftuar, nuk e di se kush është vrarë, as çka është bërë, dimë veç se dikush ka luftuar!

Kemi shkuar ngadalë nga skaji i murit të shtëpisë, askush nuk e dinte nëse kishte apo jo policë aty. Kemi shkuar duke e ditur se edhe mund të vriteshim, vetëm për të parë nëse kishte dikush nevojë për ndihmën tonë. Mujë Shabani, i Mikushnicës, shkoi në shtëpinë e tezakëve të vet. Ne hymë në shtëpinë e Sheremetit. Kur hapa derën, gjeta gruan dhe renë e Sheremetit me dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Shkijet i kishin gjuajtur për toke të gjitha gjërat duke kontrolluar. Reja e Sheremetit ishte qenë bijë e jona, Shukrije Geci, vajza e Miran Gecit, të cilën e kam pasur në klasë gjatë tetë viteve. Kur më pa mua m’u gjuajt në qafë duke më thënë:

– Gani, a ti je, a?

Plaka më tha se iu kishin vrarë katër djemtë! Ne nuk dinim asgjë se ç’kishte ndodhur përjashta në oborr. Vetëm i pamë se i kishin duart me gjak, duke u përpjekur t’u ndihmojnë të vrarëve.

Unë ia prita se «nuk janë vrarë», ndërsa nëna më tha se i kishte parë me sytë e vet. Ajo e dinte shumë mirë se iu kishin vrarë të katër djemtë. Kemi dalë në oborr, nuk guxonim të ndiznim shkrepse për të parë diçka, sepse dukeshin dritat e dëgjohej zhurma e autoblindave dhe automjeteve. Aty në oborr i gjetëm dy djemtë nën kosh, i cili kishte qenë i rrotulluar, gjysma e ahurit qe e rrëzuar me tank, aty i gjetëm edhe dy tjerë, binjakë të vrarë, pastaj i mora me duart e mia dhe me ndihmën e shokëve i shtimë në odë.

I thirrëm banorët e lagjes së fshatit dhe u thamë se njëherë për njëherë nuk kishte polici aty, i porositëm të mos i ndiznin dritat, por ashtu në errësirë të shikonin për viktima të tjera më qëllim për t’i varrosur. Policia serbe do t’i kishte marrë këto kufoma, ashtu siç i ka marrë në Likoshan, por ne i kemi kursyer ato familje së paku nga ky trishtim. Të nesërmen nuk ka ardhur policia aty. Vetëm në Likoshan kanë shkuar. Një plak na tregoi se qenë vrarë shtatë veta. Katër djem të Sheremetit, djali dhe vëllai i Brahim Ajetit, një grua, e cila e kishte pasur të hequr gjysmën e kokës, në shtëpinë e parë, e kishte rrokur plumbi prej autoblindës përmes dritares.
Meqë ishte shumë larg, banorët na dhanë një automjet për të shkuar në Polac.

PSE ADEM JASHARI DYSHONTE TE REXHEP SELIMI

Dhe ne kemi shkuar deri në Prellovc, ku i kishim lënë më parë shokët tanë. Aty nuk gjetëm askënd, as Ademin e as të tjerët, ata i kishin marrë të plagosurit me qëllim për t’i shpëtuar. Për ne kanë menduar se ishim vrarë. Ishte rreth orës një të natës. Vazduam rrugën dhe u takuam me Adem Jasharin në fshatin Polac. Ai ka dalë nga vetura, ishte me Nuradin Lushtakun, ma hodhi dorën rreth krahut dhe m’u drejtua:

– Dajë, çka u bë, a shpëtuat?

– Po ne shpëtuam, Dajë, por aty janë vrarë shtatë a tetë veta. Siç u informuam – i thashë – janë vrarë katër vëllezër në një vend.

Pastaj ka ardhur Rexhep Selimi dhe ma futi dorën në krahun tjetër. Rexhep Selimi nuk ka folur asgjë me Adem Jasharin. Rexhepi më tërhoqi nga njëra anë, kurse Ademi nga ana tjetër. Ademi me atë rast iu drejtua Rexhep Selimit:

– Hup, se nëse mbetem gjallë prej kësaj lufte, do ta nxjerrë kapzerin! Hup! Hup prej këtu!

Këto fjalë i kanë dëgjuar Sulejman Selimi, Nuradin Lushtaku, Gani Koca etj. Nuk ishte kjo hera e parë që shkëmbeheshin llafe të tilla mes Ademit dhe Rexhep Selimit, i cili konsiderohej si krah i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ademi qe zemëruar me ta atëherë, kur në Drenicë pati ardhur Hashim Thaçi, «Gjarpëri» dhe Jakup Nura, e ata s’qenë takuar fare me Adem Jasharin, por kishin shkuar tek «Sandokani» dhe Rexhep Selimi, kishin qëndruar aty gjatë dy-tri ditëve, pastaj qenë kthyer në Zvicër. Ademi me atë rast më ka pasë thënë:

– Daj kishte ardhë ai lahperi! Kjo ishte një shprehje origjinale e Ademit. – Kanë ardhur ata, por nuk janë takuar me mua!

Ky ishte rasti i dytë ku unë mora vesh për thyerjet mes Ademit dhe përkrahësve të Lëvizjes Popullore të Kosovës, në radhët e UÇK-ës, përpos njoftimit të parë nga Hamëz Jashari. Të gjitha këto kanë ndodhur në Polac, më 1 mars 1998 rreth orës 01.00.

Në Polac u kuptua nga të gjithë se Adem Jashari dhe Rexhep Selimi nuk qëndronin mirë mes vete, mirëpo të tjerët nuk e dinin shkakun, përpos atyre që i kishin raportet e ngushta me ta. Kishin kaluar mbi gjashtë muaj prej nga kishte filluar thyerja mes tyre dhe këta prej asaj kohe nuk kanë folur më ndër vete. Me që ne i kishim disa të plagosr me vete mendonim se si t’i kalonim në anën tjetër të rrugës së asfaltuar dhe jemi nisur me urdhërin e Adem Jasharit për të kontrolluar rrugën për kalimin e të plagosurve. Me radio-lidhje na kanë njoftuar se rruga është e lirë dhe ne jemi nisur. Është dashur të kalojmë rrugën tek lisat e Xanit, të cilat gjendën në kryq, mes rrugës së Polacit dhe Drenasit. Ne duhej të kalonim andej, për t’i kaluar të plagosurit.

Ne nuk ishim të sigurtë se a ishte rruga e lirë, apo jo, sepse në mesditë, më 28 shkurt 1998, te vendi i quajtur “te betoni”, në rrugën Skënderaj – Drenas, kishte pasur luftime. Aty kishin luftuar Njësiti i Llaushës, Islam, Liman e Sejdi Geci. Një pjesë e konvojit të policisë së shkijeve, dyshohei se ka mbetur te Lisat e Xanit. Unë e pyeta Ademin: :

– Nipash çka po thua ti? A po nisemi a jo?

Ai m’u përgjigj: – Tash do të kalojmë këndej, kush do me ardhë me ne mund të vijë!

Ne dëgjuam Komandantin Legjendar, Adem Jasharin dhe u nisëm. Ademi, Sylejman Selimi, Musli Geci e Nuradin Lushtaku shkuan pjesës së poshtme, nën shtëpitë e Xanëve. Ndërsa ne grupi tjetër jemi nisur stomit tjetër me qëllim për ta kaluar rrugën. Edhepse Abedin Rexha na ka lajmëruar me radio-lidhje duke thënë se: – Rruga është e lirë! Faktikisht kishte qenë e kundërta, policia serbe kishte qenë në një shtëpi aty te Lisat e Xanit. Ai nuk e kishte ditur që policia kishte mbetur ende aty. Ai ka menduar se policia serbe ka shkuar në Drenas. Ndërsa ne u nisem duke menduar se rruga është e lirë dhe kemi rënë në pritë. Fati ishte se Ademi kishte shkuar pjesës së poshtme dhe ka shkelur në një tel. Menjëherë pas zhurmës së telit kanë pasuar të shtënat e policisë serbe në drejtimin tonë.

Fatbardhësisht, ne kemi qenë të gjithë nën stomin e rrugës, asnjë prej nesh nuk është qëlluar. Ademi ka filluar të shtijë në drejtim të tyre pastaj është kthyer, pushko-mitralozët serbë kanë filluar të përgjigjen, Rexhep Selimi ka qenë në rrugë, mbi asfalt, dhe u tërhoq prapa, vetëm Miftar Qerimi që e shoqëronte Rexhepin e kaloi pritën dhe fati e deshi të mos e rrokë asnjë plumb dhe shkoi në Llaushë.

Të gjithë të tjerët jemi kthyer mbrapa dhe kemi marrë një pendë kuajsh, për t’i transportuar të plagosurit. Ata që nuk kanë mundur të ecin i kemi dërguar në Morinë, prej Morine në Rrezallë e pastaj në Ticë, ku gjendei mjeku Fadil Beka, i cili në atë kohë ishte fillestar, fakultetin e kishte kryer në Shqipëri, mjek tjetër nuk kishte. Në odën e Fadil Bekës të plagosurit kanë qendruar disa ditë, Sabit Lladrovci, Musë Jasharaj dhe dy-tre veta tjerë.

RRETHIMI I FUNDIT – LEGJENDA E PËRJETËSISË

Më 4 mars në mbrëmje, policia e shkijeve, në krye me Ilia Trajkoviqin doli në kodrën e Skënderajit dhe vëzhgoi terrenin përgjatë kodrës, terrenin e Llaushës. Me të dëgjuar këtë dolem edhe ne, me qëllim të inspektimit të vendit.

Fshatarët na shpjeguan se aty kishte qenë Ilia me një pallto të gjatë, vetë i pesti, me skorpiona të vegjël në duar, dhe se kishin shkuar te Çetinat në Skënderaj, deri në kodër, tek shtyllat e betonit të rrymës, pastaj qenë kthyer poshtë, rreth orës 3 apo 4.

Të gjitha këto jepnin shenjë të kuptonim se kishte mundësi të ndodhte diçka të nesërmen. Këto i dinte edhe Rexhep Selimi, sepse edhe ai ka qenë me ne në kodër të Skënderajt atë ditë. Adem Jashari kishte shkuar atë natë t’i vizitonte të plagosurit në Ticë, ndërkohë do të merrte edhe pak municion tek Sylejman Selimi, ku rrinte edhe Rexhep Selimi, i cili e merr vesh nëpërmjet radiolidhjes se Ademi do të shkonte në Açarevë dhe Ticë, (duhet të shtoj se Adem Jasharaj gjatë tërë luftës nuk ka patur radio-lidhje), dhe Rexhepi nuk ka ndejtur aty për ta pritur.

Aty e ka pritur vetëm Sylejman Selimi, me të cilin kanë shkuar dhe i kanë vizituar të plagosurit, ku janë takuar edhe me Dajën Osë (Osman Gecin), i cili ka qenë me Hetem, Musli dhe Afrim Gecin. Me atë rast Ademi i drejtohet Osmanit:
– Dajë a po vjen sonte me ndejt në Prekaz?

– Po daj! i ka thënë Osmani. Aty ka qenë edhe Rrahman Rama prej Akrashticës së Vushtrrisë, miku i Adem Jasharit. Aty kishte qenë edhe komandant «Rremi», që personalisht unë nuk e njihja, i veshur civil, i shkurtër nga trupi, një revole e ka patur me vete, por mua nuk më ka lënë përshtypje se mund të ishte ndonjë ushtarak. Por, pavarësisht përshtypjeve të mia, gjatë luftës, Rremi ka luajtur një rol të rëndësishëm në Zonën Operative të Llapit.

Ademi me Osmanin kanë shkuar në Prekaz, ndërsa Rrahman Rama dhe Rremi kanë mbetur aty, të cilët të nesërmën janë përpjekur të dilnin nga Llausha për në Prekaz por nuk kanë mundur.

PËR HAJR NA QOFTË LUFTA, O DAJË!

Në mëngjes, herët, Shani Gecin e kanë thirrur në telefonin e tij me numër 303 prej Skënderajt, sepse aty përcillej situata, dhe e kanë lajmëruar se kishte lëvizje të mëdha të policisë dhe ushtrisë. Thirrja është bërë rreth orës 5 në mëngjes dhe i thojnë se fshati i tyre po rrethohej, pasi kishin parë në kodrën e Skënderajit policinë, këmbësorinë e snajperistat duke zënë pozicionet në mëngjes.

Fshati po rrethohej.

Shaniu, sipas sinjalit të alarmit me tri të shtëna pushke alarmon gjithë fshatin. Pastaj i telefonon Adem Jasharit:

– Nipash, për Zotin jemi rrethuar! Fshati jonë është rrethuar! Ademi përgjigjet:

– Për hajër na qoftë lufta, o dajë!, dhe nuk vazhdoi më bisedën, duke menduar se rrethimi është bërë për fshatin tonë, Llaushën, por ishte e kundërta, e tërë kjo përgatitje ishte bërë për fshatin Prekaz e jo për Llaushë, këtu u bë rrethimi, si muri, me qëllim që askush të mos mund t’i dilte në ndihmë Ademit nga ana e luftëtarëve të Llaushës.

Dolëm në pozicione. Atë mëngjes u vra Miftar Rreci, një trim i rrallë dhe besnik i madh, i fshatit Llaushë, me automatik në dorë, duke shkuar të vezhgojë tek shtylla e rrjetit të lartë elektrik, në kodër. Një natë më parë e kishte blerë automatikun. Miftari është plagosur, por meqë nuk kemi patur mundësi t’ia ndalnim gjakderdhjen, ai vdiq. Tërë natën ka qëndruar pranë tij gruaja e tij, e cila nuk kishte si t’i ndihmonte. Aty kanë qenë edhe vëllai i Miftarit dhe vëllai im Hagjiu, të cilët kanë ndejtur poashtu tërë natën. Atë e kanë varrosur pas dy ditëve, natën, vëllezërit e Miftarit e disa kusherinjë.

Ishte vështirë të merrnin pjesë njerëzit, sepse varrezat, te Xhamia, ishin shumë afër snajperistëve serbë, që i kishin zënë pozicionet mbi kodrat e Llaushës. Shaniu mundohet edhe njëherë t’i telefonjë Ademit për t’i thënë se policia po shkonte në Prekaz, pasi dikush e lajmëroi Shaniun nga Skënderajt, por në atë moment janë këputur lidhjet.

I tërë fshati kishte dalë në pozicione, siç i kishim të paraparë, te xhamia e fshatit Llaushë dhe te Malet e Deviçit, në pjesën tjetër, në anën e djathtë të fshatit. Me vete e kishim të vetmin pushko-mitraloz, 12.7, armën më të fortë, të vetmen që posedonte e tërë Drenica. Mirëpo kishim vetëm 370 copa fishekë. Kishim edhe dy murtaja 500 dhe një 150, me nga katër predha, dymbëdhjetë predha komplet, po ashtu edhe 35 apo 36 kallashnikovë secili me nga 50 apo 60 fishekë, njëqind më së shumti.

Armatimi ynë ka qenë aq i dobët sa që nuk mund të krahasohej me armët e armikut. Megjithatë ne jemi përpjekur. Filloi paniku, sepse deri atëherë ne nuk kishim menduar se armiku do të bëjë luftë me topa as me tanke. Ata i përdorën për herë të parë mjetet e rënda të blinduara, me minahedhësa dhe me topa.

Nuk dinim se çfarë të bënim. Dëgjonim zhurmën nga ana tjetër e kodrës, por nuk i shihnim. Baci Lilë e kishte marrë të vetmën snajperkë që e kishim dhe tha se do të dilte nga pjesa tjetër e fabrikës së tullave, nga ku mund të shihte më shumë. Ka dalë dhe i ka parë përgjatë rrugës Skënderaj – Polac duke i parkuar tanket e autobusët plotë polic të njësive speciale. Aty i ka gjuajtur, dhe i ka vrarë dy polic.

Shumë kohë më parë i kishte premtuar Ademit:

– Pasha Emnin e Zotit, o nipash, ndoshta unë pas teje gjithnjë nuk do të kem mundësi të rri, por, në qoftë se ndodh, pa e shprazur një plumb për ty nuk do ta lë!

Pastaj është kthyer. E pa mitralozin që kishim, pastaj i ka thënë Jetullahut:

– Jetullah lërma mua se e kam sot njetë t’i bâj nja dy argat për Ademin, e të tjerat, sa të jetë kismet!

Jetullahu i tregoi se nuk kishim shumë fishekë e se me ata që kishim do të luftonim e vdisnim të gjithë së bashku. Pastaj ka shkuar në lagjen e Vojvodaj, tash i thonë lagja Selmanaj, ka marrë një kalë me një qerre, mbi të e ka vënë mitralozin, e ka lidhur me armaturë për ta transportuar, sepse i kishte 95 apo 100 kilogramë. Kur e vendosëm në vendin e caktuar, kemi gjuajtur mbi shkie, ai me mitroloz e unë me snajper. Dikur serbët e hetuan pozicionin tonë e Baci Lilë më tha që të mos rrinim të dy bashkë. I thashë:
– Në qoftë shkruar për të vdekur le të vdesim bashkë!

Televizioni serb, ka lajmëruar se në atë vend janë vrarë katër e plagosur tre policë, pra në pjesën e Llaushës. A mund të ketë pasur më shumë, ne nuk e dimë. Objekti ynë kanë qenë autobusi dhe kamionat. Policia ka ikur nga aty, ka ndryshuar pozicione, ka rënë më poshtë buzë lumit Klina. Aty i kemi harxhuar rreth 170 copa fishekë, na kanë mbetur edhe 150-200 copa.

Unë i kam parë atë ditë dhe të nesërmen duke u rënë shtëpive të Ademit me gjyle topi dhe s’kemi pasur asnjë mundësi të bëjmë diçka më tepër. Llausha ka qenë komplet e rrethuar deri në Polac, andej kah qymyri i Polacit ka pasur këmbsori sikur duaj talle, kanë qenë të shtrirë edhe nga tetë orë në lavër pa lëvizur hiç. Të nesërmen ka vazhduar me të njëjtin intensitet, e ne kemi dalë të vëzhgojmë nga kodra, nuk kishim më me çka të gjuanim, nuk kishim armë për t’u lënë shenjë.
Edhe të nesërmen e kemi gjuajtur Fabrikën e Municionit.

Na erdhi lajmi se pas dy ditë e netë luftimeve, të pandërprera, Jasharajt ishin vrarë.

Trupat e tyre i mori policia e shkijeve, të cilat i solli pas disa ditëve pranë servisit të Lah Tushillës, me ç’rast u kishin thënë qyetetarëve në qoftë se nuk i marrin për t’i shtirë në dhé, do t’i fusnin ata me eskavator.

Në varrim kishte ardhur, duke kaluar pengesa të mëdha edhe atdhetari i shquar i çështjes kombëtare profesor Zekirja Cana. Kishte ardhur gjithashtu edhe fotoreporteri Ilaz Bylykbashi. Aty kishin ardhur edhe Shaban Shala, me një numër të vogël të qytetarëve të Skënderajt.

Ka shumë spekullime rreth kësaj pyetje, por unë mendoj se nga ai rrethim ka qenë e vështirë të dilej gjallë. Edhe sot shihet vrima ku e ka goditur gjylja e topit shtëpinë e Adem Jasharit, të gjithë ata që nuk kanë luftuar, që nuk kanë patur mundësi të luftojnë, gratë dhe fëmitë kanë qëndruar në një vend, e një gjyle topi ka patur mundësi t’i vrasë edhe dhjetë vetë përnjëherësh. Ndërsa Osmani e Ademi e ata të tjerët kanë luftuar deri sa kanë patur municion, i cili sigurisht u ka munguar.

Për këtë mangësi duhet të mbajë dikush përgjegjësi. Ky është problemi kryesor, se po të kishin pasur armatim, gjërat do të kishin ndryshuar shumë.

Ata luftuan, qëndruan dhe dhanë jetën duke hyrë në përjetësi.

Ai ka qenë një vendim që familja Jasharaj e kishte marrë prej vitesh, madhështia e qëndresës së tyre do ta nderojë kombin shqiptar në shekuj. Ndërsa ata që kanë dashur ta izolonin, ta linin të paarmatosur kanë për të dhënë llogari sot ose nesë.

KUSH E NDALONTE ARMATIMIN PËR NJËSITIN TONË NË LLAUSHË

Prej asaj dite municioni, mjetet luftarake e armatimi është ndaluar për fshatin Llaushë, d. m. th. gjatë gjashtë muajve nuk na kanë dhënë kurrfarë armatimi.

Asnjë njeri nuk na ka sjellë kurrë, asgjë.

Nuk jam i njoftuar për sasinë e armatimit që ka pasur në Shtabin e Ramush Haradinajt, por nga ai Shtab që thirrej i Dukagjinit nuk na ka ardhur asgjë. Ka pasë iniciativa dhe përpjekje për t’u armatosur ne individualisht, por të gjitha këto përpjekje janë penguar.

Pas dy javëve, nga dita e vrasjes së Adem Jasharit, bashkë me Bacin Lilë, kemi vazhduar të ndërmarrim aksione të përditshme, kemi vrarë çdo ditë shkije me snajperkë. Këtë punë e kemi ndërprerë veç për pak kohë se Baci Lilë u ftoh nga moti. Mon Dajaku ia ka dhënë nja 18 inxheksione kundër ftohjes.

Pasi u shërua pak, ka shkuar në Prishtinë me qëllim për t’u takuar me Dr. Ibrahim Rugovën. Arsyen përse nuk janë takuar nuk e di. Gjatë dy ditëve Baci Lilë e ka pritur duke u fshehur. Këtë e di Avni Spahiu, Zekë Geci dhe Haqif Mulliqi të cilët kanë bërë intervistë të fshehtë me të. Dr. Rugova ka thënë se do të takohet me të, por ç’ka ndodhur më tej, unë nuk e di, di vetëm se Baci Lilë nuk është takuar me të. Mandej është kthyer dhe ka thënë se e kishte ndërmend të shkonte në Shqipëri. Gjatë rrugës ka patur probleme, në Shqipëri ka dalë me Adem Ukëhaxhën, Saim Tahirin, Zenun Idrizin e disa të tjerë. Unë kam mbetur në Kosovë.

Kontaktet telefonike me Shqipëri kanë qenë gati të pamundura. Nuk e kemi ditur se çka po bëhet në Deçan, aty Bacit Lilë i kanë thënë:

– Ti qenke shka!, pasi kanë patur udhëzime nga Lëvizja Popullore e Kosovës që ne si vëllezër duhej të pengoheshim në çdo aktivitet ushtarak dhe politik. Janë dëshmitarët e gjallë që mund të konfirmojnë këtë, ndër ta edhe Brahim Ukëhaxhaj i Deçanit.

Se ç’ka ka ndodhur më vonë në Shqipëri unë nuk e di. Di se Baci Lilë është takuar me Kolonel Ahmet Krasniqin, me Salih Çekun dhe se është formuar Shtabi Suprem i Ministrisë së Mbrojtjes. Më vonë, kam dëgjuar se Sami Lushtaku ka patur një bisedë telefonike në atë kohë me ta. Ne kemi qenë në marrëveshje me Sami Lushtakun, Shaban Dragën e disa të tjerë, për të marrë armë në Shqipëri, por mua më ka penguar Rexhep Selimi.

Gjatë kësaj kohe sa kemi qenë të rrethuar ne fshati Llaushë, ne kemi patur gjithnjë probleme nga Serbia, e cila na gjuante me armë e me minahedhësa. Ne i largonim gratë e fëmijët, vetëm luftëtarët gjendeshin aty.

Pastaj u krijua edhe Këshili i Emergjencës në fshatin tonë. Në të bënte pjesë Fadili, vëllai im, dhe dy profesorë të gjuhës angleze Shaban Zyhranaj dhe Bajram Geci. Kjo u bë për shkak se gazetarët e huaj, nga bota e jashtme, vinin të na vizitonin dhe interesoheshin për fatin e civilëve, ushtarëve, në përgjithësi për luftën.

Ne ishim të interesuar të kishim njerëz me një ngritje intelektuale, me njohjen e gjuhëve, Shaban Zyhranaj i njihte dy-tri gjuhë. Në atë Shtab e kemi instaluar për herë të parë kompjuterin, në të cilin punonin Ymer Haziri dhe Shaban Zyhranaj, të cilët më vonë janë burgosur. Këta vendosën disiplinë dhe rregull ushtarak, kush e si duhej të bënte roje e shërbime të tjera. Më parë nuk kemi patur programe të tilla. Këtë punë e drejtonte Jetullah Geci, ai ka qenë komandanti ynë.

Ne e kemi dëgjuar Jetullahun, e prej tij kemi kërkuar urdhëra për të ndërmarrë aksione në Llaushë. Në çdo aksion që është ndërmarrë në Llaushë dhe në tërë Drenicën kemi qenë pjesëmarrës. Përmendim aksioni në Përronin e Keq, me Besim Dajakun, Afrim Gecin, Abit Hazirin, Liman dhe Islam Gecin, edhe unë. Më atë rast i kemi gjuajtur shtatë bomba, njëzet metra larg policisë, kemi plagosur rëndë e lehtë shtatë policë.

Një aksion tjetër e kemi ndëmarrë në fshatin Llaushë, me Besim Dajakun, Muhamet Lanin dhe Milaim Hazirin. Në kohën që policia serbe bënte ndërrimin e rojeve, në mbrëmje rreth orës 18.00, ne i sulmuam kur ata ishin grumbull, të dy grupet e ndërrimit, me snajpër dhe pushkë të gjata dhe sipas konfirmimeve të tyre janë plagosur rëndë tre, ndërsa një është plagosur lehtë.

Mandej aksionin tjetër që kishte ndërmarrë Milaim Haziri (Çeçeni) tek Mulliri, në Klinë të Epërme, ku sulmohet konvoji i policisë serbe dhe goditet me murtajë një autobus i tyre. Përsëri, sipas burimeve informative serbe, janë plagosur rëndë e lehtë njëzet policë serbë.

Luftë të hapur apo frontale nuk kemi mundur të bëjmë, sepse s’kishim armatimin e duhur.

Pastaj kemi bërë aksionin tjetër në Qubrel, me Jetullah Gecin, Besim Dajakun, vëllain tim Esatin, Hysen Gecin, Musa Musliun – nipi ynë dhe Sejdi Gecin. Në këtë aksion e kemi sulmuar një konvoj tjetër serb, të cilit i kemi shkatërruar një xhip të policisë.

KUSH ORGANIZONTE KOMPLOTIN KUNDËR SHTATË VËLLEZËRVE

Komploti kundër ne vëllezërve nuk e ka zanafillën në ditet e sodit, por edhe më herët, në forma të ndryshme janë bërë përpjekjet nga regjimi serb që ne të na burgosin, vrasin dhe maltretojnë, sepse Shtetin e Republikës së Kosovës e kemi mbrojtur haptas edhe para regjimit diktatorial serb. Ne kemi kërkuar që edhe gjatë luftës të luftojmë si SHTET i Kosovës kundër shtetit serb, sepse këtu kanë qenë edhe rregullat, me që ne kishim shpallë shtetin e Kosovës, atëherë ne duhej edhe ta mbronim atë, me që ne kishim përpiluar Kushtetuten e Republikës së Kosovës, aktin bazë të shtetit, dhe duke llogaritur në gjakun e dëshmorëve prej vitit 1912 e deri në luftën e Adem Jasharit. Mirëpo këto kërkesa tona kanë hasur në kundërshtim jo vetëm të shkijeve, por edhe të marksist-leninistët e Kosovës.

Pikërisht për këtë shkak në odën e Gani Kocës, është kërkuar e njejta gjë. Aty është «marrë vendimi» dhe është bërë marrëveshja që Këshilli i Emergjencës, me gjithë mallrat që gjendëshin në shtëpinë tonë të tërhiqeshin për shkak se ata konsideronin se ne ishim anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbrojtës të Institucioneve shtetërore, të SHTETIT të Republikës së Kosovës. I pranishëm ka qenë edhe Sabit Geci i cili e kishte marrë përsipër zbatimin e detyrave.

Nuk na kishte shkuar asnjëherë ndërmend se Sabiti mund ta bëjë një gjë tillë, sepse ishte megjithatë kushëri i yni. Por te komunistët detyrat janë detyra, madje për të qenë komunist i fortë, duhej të ishe në gjendje të spiunoje edhe babain, vëllanë, kushëririn. Vetëm atëherë komunistët e vërtetonin se je komunist i fortë. Më tej, nuk duhet të besosh as në Zot, të gjithë komunistët janë vëllezër, si kinezi, rusi, shkau, maqedoni, bugari, shqiptari komunist, të gjithë e kanë një detyrë dhe një ide.

Ne nuk kemi besuar se ky farë Sabiti do të pranojë këso detyrash, sepse për tre muaj me radhë ka ndejtur dhe ka fjetur në oden tonë. Çdo mëngjes fëmijët tanë ia kanë çuar ujin për të larë sytë në oborrin tonë, e mua nuk ma ka marrë mendja që ai mund të bëjë vepra të këqija kundër nesh. Baci Lilë ia ka dhënë revolen e vet Sabitit kur ky kishte një konflikt në Skënderaj, ndërsa ky këtë revole që ia kishte dhënë Baci Lilë në besë e kishte shitur.

Në fshatin tonë, Sabiti erdhi me detyra të marra nga lart dhe kërkonte mbledhjen e fshatit. U thirr mbledhja dhe u tubua i gjithë fshati Llaushë, me qëllim që të na hiqen të gjitha kompetencat në fshat dhe të hiqen të gjitha mallrat e Këshillit të Emergjencës nga lokali jonë.

Çështja kaloi në vota, dhe kur u votua, ata, komplotistët, humbën dhe sërish u vendos ashtu siç kishte qenë më parë, pra që Këshilli i Emergjencës të mbetej sërish në të njëjtin vend, si dhe lokali edhe njerëzit që ishin të ngarkuar me këto gjëra. Këshilli vetëm u plotësua me disa anëtarë të rinj. Përgjegjës i informimit mbeti Fadil Geci, d. m. th. vetëm çka u forcua ai organizim.
Mirëpo, prapë se prapë, ata nuk u pajtuan.

Këshilli i Emergjencës që gjendej në Prishtinë, prej nesh kërkoi t’i njoftojmë se çfarë ndihme na duhej prej tyre. Ne kishim nevojë për një telefon satelitor, ose ajror, që bënte lidhje me antena prej Skënderajt në fshat. Për ta sjellur telefonin dhe mjetet e tjera, ishte nisur Hamdi Gërvalla, kryetar i Emergjencës pranë Lidhjes Demokratike të Kosovës, së bashku me një gazetare të Gazetës Shqiptare. Rrugë janë takuar me Sabitin, i cili, sapo ka marrë vesh për mallrat ua ka konfiskuar të gjitha dhe ka arrestuar gazetaren, vetëm e vetëm se ishte femër. Më pas, këtë gazetare e kanë shetitur nëpër malet e Qyqavicës duke ia vënë edhe grykën e automatikut në kokë.

Ndërsa unë, kur jam takuar me Beqir Gecin i kam thënë se po ta kisha gjetur dikë duke ju sjellë mjete juve, të bijve të Sheremetit, unë nuk do t’ia kisha konfiskuar ato, përkundrazi do t’i kisha ndihmuar, duke ua sjellur deri te vendi ku ju do të ishit. Dhe këtë nuk ia thoja sa për të larë gojën, por në të vërtetë e kisha bërë, kur për t’ia shpëtuar këmbën vëllait të tij e angazhuam Sami Beqirin, mjekun nga Mitrovica. Mjeku ka ardhur prej Mitrovice, ka dalë në Qubrel dhe vëllai im ka dalur me traktor dhe e ka dërguar në Ticë. Dr. Fadili nuk kishte përvojë të madhe, sepse ishte mjek fillestar, megjithatë kur ia hapi këmbën të plagosurit dhe vërejti se ajo kishte rënë në shkallën e dytë të infektimit, ia pastroi atë dhe e mjekoi mirë. Gjatë asaj kohe kishim akoma raporte të mira me këtë njeri.

Mjeku ia ka ndihmuar dhe ia ka shëruar edhe këmbën tjetër që e ka patur të thyer prej një ndeshjeje. Unë e kam lajmëruar vëllain tim që gjendej në Gjermani t’ia sillte një shipkë prej ari, për t’ia shëruar këmbën.

LPK-ja ka patur dorë dhe e ka përgaditur këtë njëri për interesa të veta duke e bërë kundërshtar tonin.

Gjyshin tim Halil Bajraktarin dhe babain e Halit Gecit, Jusuf Gecin, (mësuesit që është vrarë), Serbia i ka vrarë të lidhur dorë për dore në vitin 1945. Halit Geci dhe Sheremet Geci janë fëmijë të dy vëllezërve. Ne kemi patur gjithnjë raporte të mira, mirëpo Lëvizja Popullore e Kosovës arriti t’a bëjë këtë përçarje në mes familjeve tona.

Edhe ky Sabiti ishte me ne në fillim, por këtë kundërshtar e bëri LPK-ja përmes Gani Kocit dhe njerëzve të tyre. Gani Koca ka qenë prej fillimit me LPK-në, ndërsa shtirej se ishte me LDK-në, ishte edhe anëtar i rrejshëm i kryesisë i Degës në Skënderaj.

Fronti i Prekazit ka qenë i përqëndruar në Llaushë, megjithatë Gani Koca thoshte se Llausha nuk është e rrezikuar, ka mjaft fshatra tjera, si Kopiliqi që ishte në mes, pastaj Açareva, Turiçevci e Vojniku e se të gjitha këto fshatrat janë më të rrezikuara se Llausha.

Mandej, kemi rastin tjetër me Çallakët e Izbicës, të cilët ne i kemi dajallarë. Ata kishin ardhur prej Peje për të rënë në kontakt me ne, por ishin penguar nga Abedin Rexha, i cili u kishte thënë se ne qenkëshim bashkëpunëtorë të UDB-së, dhe se nuk kishin se çfarë të kërkonin te ne. Nuk i kishin lënë ata as të na sillnin armë, as ndihma në Llaushë. Dikush intervenonte në mënyrë që të futej përçarja.

Pas kësaj periudhe nga Gjermania dhe Zvicra nisen disa luftëtarë vullnetarë për të na ndihmuar: Fehmi Lladrovci, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Bekim Berisha – Abeja, për të cilin kam konsideratë të jashtëzakonshme, me ta ishte edhe vëllau i Ramë Bujes, Shukri Buja me pseudonimin «Gazetari».

Këta vijnë në Likoc dhe prej aty shkojnë te nipi i Hashim Thaçit, Xhavit Nuraku, në Plluzhinë. Raportet tona ende nuk kanë qenë të thyera plotësisht. Rexhep Selimi më ka pritur aty, kur kam shkuar. Të gjithë janë ngritur në këmbë për të më përshëndetur në mënyrë ushtarake me dorë të shtrirë mbi ballë. Atë ditë kanë përshëndetur të gjithë me dorë të shtrirë dhe Rexhep Selimi më tha se këtë përshëndetje me dorë e kanë si Perëndimi.

Kështu ka qenë deri në vitin 1998. Kur erdhën këta nga jashtë sollën me vete si programin e LPK-së ashtu edhe përshëndetjet me grusht.

GANI GECI: TI JE KURKUSHI, O REXHEP SELIMI!

Gani Koci thoshte në mjetet e informimit se fshati Llaushë nuk ishte i rrezikuar.

Nënteksti i një qëndrimi të tillë ishte që fshati Llaushë të izolohej, se nuk ishte me rëndësi se çka ndodhte në atë fshat. Këto ai i thoshte në Prishtinë. Ganiu shkonte lehtësisht në Prishtinë, siç shkonin lehtësisht edhe të tjerët, si Shaban Shala, Jakup Krasniqi, i cili ishte kryetar i LDK-së në atë kohë. As Jakupi, as Ganiu, as Shaban Shala nuk kanë qenë ende të kyçur me luftën. Të gjithë këta kanë marrë pjesë në protesta në Drenas. Haptas morën pjesë në varrimin e Adem Jasharit. Lidhjet i kanë pasur me Hydajet Hysenin dhe Rexhep Qosjen.

Kur Ganiu erdhi në Likoc, aty isha me një mik tonin, me Besim Dajakun. Aty më vonë vendoset Shtabi i UÇK-ës, pasi që disa anëtarë të këtij «Shtabi» vijnë prej Gjermanie.

Kur kanë ardhur nga Gjermania Sami Lushtaku dhe Sahit Jashari unë i kam shoqëruar për herë të parë për në Prekaz. Ata s’kishin qenë kohë të gjatë në Prekaz. Së bashku me Afrim dhe Musli Gecin, kemi shkuar përmes fshatit Kryshec, kemi kaluar rrugën te Lisat e Xanit dhe kemi dalur në Prekaz. Kjo që po rrëfej është me shumë rëndësi, sepse kur kemi shkuar në Prekaz te shtëpia e Sami Lushtakut, ka qenë i lidhur një qen, i cili nuk ishte zgjidhur dy tri ditë me rradhë. Fadil Kodra me ushtarët tjerë kishin qenë në pjesën e Kodralive, në odën e dikujt që nuk më kujtohet emri. Ka qenë natë, kur kemi hyrë në oborr. Samiu, kur ka hyrë nëpër dhoma nuk ka gjetë askënd, pastaj ka dalë në mes të oborrit e ka britë:

– Oj Serbi, eja se ka ardhë Sami Lushtaku, he nënën e nënës, se edhe vet e kam sos me vdekë!
Ajo ishte britma e dhimbjes së një njeriu që në oborrin e shtëpisë së vet nuk gjen askënd të gjallë. Atë natë kemi qëndruar të gjithë në Prekaz e të nesërmen jemi kthyer në Ticë. Samiu kishte mbetur në Prekaz për ta organizuar fshatin, pasi organizimi i tij ka qenë shumë i dëmtuar.

Fjala ishte te Gani Koca, i cili me çdo kusht donte të tërhiqte vëmendjen nga fshati ynë Llaushë. Aty u bë edhe një spital. Me rastin e plagosjes së Mujë Krasniqit, gjë të cilën nuk e kam ditur për një kohë të gjatë, kanë ardhur edhe disa mjekë nga Prishtina me Ganiun. Mujën e kam njohur shumë mirë, disa herë edhe kemi kënduar bashkë. Rexhep Selimi dhe Mujë Krasniqi kanë qenë dajë e nip. Njëherë, në shtëpinë e Mujë Krasniqit i kam thënë Gani Kocës të shkojmë t’i shohim pozicionet serbe në Llaushë, e pastaj mund të flasësh në se është e rrezikuar Llausha apo jo.

– A ke qenë ndonjëherë në Llaushë, këto kohë të fundit?, e kam pyetur.

Nuk kishte qenë gjatë dy-tre muajve të fundit e për Llaushën fliste nga Prishtina.
Gani Kocën e çova në Llaushë. I thashë se atë natë do të shkonim t’i sulmojnim punktet serbe që gjendeshin në Llaushë. Ia sqarova Rexhep Selimit, Hashim Thaçit e të tjerëve, se Ganiu kishte nevojë t’i shihte pozicionet serbe, kishte nevojë të rrinte një natë në Llaushë, që të mund të deklaronte pastaj lirshëm se «nuk kishte probleme në Llaushë». Mirëpo ata kishin ardhur me çdo kusht të merrnin Ganiun, duke thënë se nuk do ta linin me ne.

Unë sigurisht që kundërshtova. Atëherë Rexhep Selimi e pyeti Ganiun nëse e dinte se ku e kishte vendin? Aty ishte edhe Sami Lushtaku, në odën tonë. Fjala ishte për një pyetje që tingëllonte si një urdhër i prerë, duke aluduar se Gani Koca e kishte vendin në krahun e tyre. Rexhep Selimi mu drejtua me këto fjalë:

– A më njeh ti mua se kush jam unë? Ti Gani do të japësh përgjegjësi!

– Përse, kush je ti?, e pyeta.

– Jam udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare!, ma ktheu i nervozuar.

– Ti je kurrkushi!, i thashë. Ti je veç Rexhepi!

Meqë ishim në odën time unë u tërhoqa. Nuk më ka shkuar ndër mend se ata do të përpiqeshin të vendosnin autoritetin e tyre me forma të tilla. Rexhep Selimi shtoi:

– Këtu s’ka më vend për fjalë! Çohu Sami të shkojmë!
Sami Lushtaku u tha se nuk kishte ardhur aty me ta as që do të shkonte me ta.

– Ti shko vetëm, e unë do të shkoj kur të dua!

Më pas ka ardhur Sabit Geci i plagosur. Aty është folur se ishte plagosur Sabri Hamiti, dhe se e kishin rrahur për vdekje Zejnullah Rrahmanin, të cilit edhe i kanë përmjerrë në kokë. Këtë gjë e pohoi vetë Sabiti, duke thënë se aktin e kishin kryer shokët e tij, të cilët punonin në Prishtinë në emër të UÇK-së. Unë thashë me atë rast se nuk mund të rrihja profesorë universiteti. As vëllezërit e mi nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë. Si mund të rrihen njerëzit e mendjes, ata që për 20 vjet kishin nxjerrë gjenerata të tëra studentësh? Pastaj shtova se ne ishim që:

– Kosova të jetë shtet, që të ketë institucione, të ketë hierarki politike. Për ne nuk është me rëndësi kush duhet të jetë president, Rugova, Demaçi, a kushdo që të jetë. Me rëndësi është që të kemi një President, të kemi një Qeveri e një Ushtri, qoftë kjo Ushtri Çlirimtare, qoftë kjo Forca Mbrojtëse, sido që të ishin, qofshin edhe në formën e Trupave Mbrojtëse që u krijuan pas luftës.
– Gani Koca do të vijë me ne!, thanë ata, – Sepse po e presin mjekët të cilët duhet t’i kthejë në Prishtinë!

Unë e mora Gani Kocën dhe e çova në Likoc. Aty mora vesh mbi plagosjen e Mujë Krasniqit, dhe shkova në spital për ta vizituar. E kam patur shok dhe m’u dhimbs në shpirt. Ka qenë luftëtar dhe trim i madh. Kur e pashë gati sa nuk më ranë lotët dhe e mora për qafe. Duke u kthyer rrugës takova edhe njëherë Musë Jasharin, të cilit i kërkova falje për atë se nuk e kisha ditur që Muja ishte plagosur. Duke ecur tatpjetës takova Rexhep Selimin dhe disa të tjerë, që kishin dalë nga oda jonë, prej Llaushe. Këta i takova në malet e Rezallës. Edhe këtyre u kërkova falje dhe u thashë:

– Më falni burra, nuk e kam ditur se Muja qenka plagosur.

Ata më fyen, më folën shumë rëndë, por më së tepërmi Rexhepi. Sado që durova, Rexhepit ia ktheva:

– Pak më parë ishim në odën time dhe do të duroja edhe fjalë të rënda, por tani nuk ta duroj asnjë fjalë! Me mua ishin edhe Shani Geci e Besim Dajaku.

Ne kemi qenë të kyçur në rrjedha ushtarake gati në të njëjtën kohë, ishim të kyçur në Njësite Guerile. Ishim edhe shokë të mirë ndër vete dhe deri në atë kohë nuk kishim patur probleme të tilla, si p. sh. :«Unë jam komandant, jo po ai tjetri është». Ne të gjithë ishim shokë. Mirëpo aty u pa se ata po kërkonin një ndarje, një stopim të lëvizjeve tona si vëllezër. Ne qemë vërtetë në luftë, secili kryente detyrën e vet, por tashmë na kishin dalë disa që donin të shuanin institucionet, të hiqnin fotografinë e Rugovës, që qe e varur me krenari gati në çdo dhomë e shitore.

Pastaj erdhi në pyetje përshëndetja me grusht, gjë që më parë kjo nuk ishte shfaqur gjëkundi. Shaban Shala doli në një emision të Shqipërisë të përgatitur nga Nuhi Bytyçi, me përshëndetje me grusht në Llapushnik, ku kishte ndodhur edhe ndërhyrja e parë, gjatë së cilës ishte vrarë një djalë i Halilajve të Tërdevcit. Jakup Krasniqi mori fjalën gjatë ceremonisë mortore.

Për herë të parë pashë se Jakup Krasniqi qe me truproje. Hajde, hajde – thashë me vete – kush lufton e kush i rruan gradat!

URDHËR ARRESTI PËR HASHIM THACIN DHE REXHEP SELIMIN

Gjatë asaj ceremonie mortore vërejta se gjërat kishin ndryshuar. Mora vesh se do të vepronte një mekanizëm tjetër. Kur u ktheva në shtëpi, u thashë vëllezërve të mi. Më vonë erdhi në shtëpinë tonë Mehdi Bardhi i Drenasit, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në atë kohë. Mehdiu foli për situatën aktuale. Unë e ndërpreva Mehdiun dhe i thashë:

– Gjërat kanë ndërruar Mehdi. Ju duhet të organizoheni në luftë, në qoftë se nuk e bëni këtë, do të shkojnë gjërat mbrapsht, ata do të bëjnë çmos për t’ju larguar nga skena!

– Jo nuk ka problem! Nuk mund të ndodhë ajo punë! Ne jemi këtu!, ma ktheu.

– Mirë! Ani nuk ka problem! – i thashë Mehdiut, dhe shtova – Do të shohim se si do të shkojnë punët. Unë mendoj se ti personalisht do të kesh punë me ta. Duhet ta dish se ka filluar lufta dhe çdonjëri duhet të japë kontributin e vet në luftë dhe kur të çlirohemi, do ta japim kontributin në paqe!

Të njëjtën ditë e pashë Mehdiun me dy persona, asnjë njeri tjetër nuk i afrohej. E pashë ndryshimin, ata e kishin përgatitur terrenin e izolimit. Pastaj shkuan punët siç shkuan. Ne mbroheshim gjithnjë në Llaushë. Armatim kishim pak, na u kishte ndalur, ashtu si në Prekaz. Sami Lushtaku kërkonte armatim, ata nuk i jipnin.

Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Avni Haxha dhe një grup tjetër, që bënin pjesë në shtabin e Jetullah Gecit e kanë nënshkruar fletë-arrestin për Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin: “. . . Po qe se zihen në zonat e Drenicës të sillen në shtabin e Likocit, për shkak të ndarjes së armatimit, për shkak të malverzimeve që janë bërë me armatim!

. . . ” Armatimi po mbetej në Rrafshin e Dukagjinit. Të gjithë luftëtarët e Drenicës që shkonin për të tërhequr armatim, nga tri pushkë automatike që u takonin, vinin vetëm me nga një pushkë dhe me dy karikatorë, të tjerat ndaleshin atje.

Këto ishin probleme të mëdha. Mandej ndodhi sulmi i shkieve të fshatrave Grabc the Binq të komunes së Klines të Begut, të cilët sulmuan fshatrat Jashanicë dhe Osdrim. Njësiti i Llaushës u thirr për të shkuar atje. Aty udhëhiqnin Gani Thaçi, vëllai i Hashim Thaçit, dhe Abedin Rexha. Ne shkuam, njëmbëdhjetë vetë. Na dhanë një top pa dridhje 75 mm që e kishte sjellë Sylejman Selimi. Ne duhej të godisnim me të pozicionet serbe në Grabc e Blinq, që ndodheshin përballë.

Topi kishte vetëm katër predha dhe i mungonte shenjuesi optik dhe mekanik. Edhe sikur ne të ishim profesionistët më të mëdhenj me ato katër predha dhe me atë top në atë gjendje, do të kishte qenë tepër e vështirë të bënim ndonjë gjë. Unë nuk dija se si mund të shenjohej ndryshe me atë top veçse me përafërsi, përmes grykës së topit. Por përmes asaj gryke shiheshin të gjitha fshatrat. Pastaj e mori topin Sylejman Selimi, i cili u mundua t’ia qëllojë një shtëpie, por nuk mundi.

E rroku një dardhë, në një largësi prej dyqind metrash. Mandej gjuajta unë e thashë se «do t’i sakatoj! U mundova të godas duke e mbështetur topin për toke, me tahmin. Por predha ime shkoi edhe më tutje, 7 – 8 qind metra në livadh të shkijeve. Përmes radio-lidhjes i dëgjuam shkijet kur thonin:

– Po dëgjohet diçka më e fuqishme se tetëdhjetë! Ata e dinin se çfarë armësh kishim edhe në bazë të krismës. Mandej na erdhi një djalë tjetër, i cili tha se kishte shërbyer si topxhi në ushtri. Ne na mbetën dy predha. Njërën e humbi Sulltani, tjetrën unë. Një tjetër e humbi Hashim Ozdrimi, duke provuar, edhe ai e gjuajti më larg se unë. Pastaj jemi ulur pas një shtëpie. Sylejman Selimi gjuajti me revole në një shenjë në largësi prej 50 metrash dhe ia qëlloi, dhe thashë:
– Kqyre bre vëlla zanatin! Revolja po e rrokë për një herë! Kurse me top nuk po dijmë – pastaj shtova – Sulltan ne na duhen njerëz profesionalistë, njerëz ushtarak!

Gjatë kësaj kohe u formua Shtabi Suprem i Ministrisë së Mbrojtjes i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në Tiranë. Pastaj erdhën njësitë e para, oficierët e parë. Ne na erdhi Kemal Shaqiri, nga fshati Tushillë, të cilit ia kemi njohur babain e rrethin dhe kemi qenë miq ndër vete. Me gjithë dëshirë e prita Kemalin, po ashtu edhe Sylejman Selimi, duke marrë parasysh aftësitë e tij.

Mirëpo ishin dirigjime të tjetërkujt që të mos lejohej Kemali të shkonte në pozicione ushtarake, të mos përzihej në hierarkinë ushtarake. Kemali erdhi dhe i vëzhgoi pozicionet tona, ato që kishim bërë me Abenë, sepse pas një kohe Abesë i është dashur të tërhiqet në Junik për shkak të presioneve që iu bënë. Ai ka qenë luftëtar profesionist në bazë të përvojës ushtarake, mirëpo nuk ka qenë ushtarak, nuk kishte bërë shkollë ushtarake, por kishte luftuar në Somali, Kroaci dhe vatra tjera të luftës, dhe i dinte shtatë gjuhë të huaja. Kam patur rastin që këto gjëra t’i marr vesh nga ai, atëherë kur ka qenë me ne.

Pastaj erdhi edhe Shaban Draga. Këtij të fundit dhe Kemal Shaqirit fillimisht u caktohet vendi i shërbimit te ne. Ata na ndanë në njësi të reja, të cilave nuk ua dinim as emrat. Ata na ndanë në Njësi të Mëdha, në Brigada, në Kompani, deri te Njësitë më të Vogla Ushtarake, Njësitë e Këmbsorisë, Njësitë e Intervenimit të Shpejtë.

Ata e bënë ndarjen e të gjitha njësive dhe filluan të bëjnë rreshtim ushtarak.
Në Prekaz është bërë rreshtimi i parë i të gjitha njësive. Kemaili nuk u lejua të punonte më tutje. Unë shkova njëherë në Likoc i thirrur prej tij, por ai nuk guxoi të më priste. E kishin kërcënuar që të mos takohej me mua.

Mandej e thirra unë dhe e pyeta:

– Përse më ke thirrë?
– E kam takuar Halilin (Bacin Lilë) në Shqipëri, na ka ndihmuar shumë!

Me të kemi biseduar gjatë. Më shpjegoi se në ç’mënyrë i kishin instaluar kazermat me të gjitha gjërat e nevojshme. Mirëpo, se çka duhej bërë konkretisht nuk tregonte. Me atë rast e pyeta se si mund t’ia bënim me një top që na ishte prishur. Ai m’a ktheu:
– Ka qenë shumë e lehtë! Është dashur të merret peri e të lidhët në grykë dhe përmes tij të qëllohet shenja.
– Paska qenë vërtetë e lehtë!, shtova unë.

NUK KAM PLUMBA PËR SHQIPTARË, SEPSE I KAM HARXHUAR DUKE SHTËNË NË SHKIJE

Konflikti me Rexhep Selimin ka filluar kështu. Një djalë i Jabllanicës me nofkën «Magjupi» që në të vërtet kishte qenë Lahi Ibrahimi kishte ardhur me një «xhip patrol» në Drenicë. Në atë kohë na e kishin konfiskuar edhe armatimin që ishte nisur për Llaushë. Lahiun e pyeta se pse e keni konfiskuar armatimin që është i destinaur për ne, kur ju keni mjaft në Dukagjin? Ai filloi të fliste për gjëra që ne në Drenicë nuk i dinim ose i dinim shumë pak. Tha se: – Ai armatim ishte i FARK-ut dhe ne atë armatim nuk e lejojmë të depërtojë nëpër Zona Operative!

Në të vërtetë ne nuk dinim për marrëveshjen që ishte bërë në mes Kolonel Ahmet Krasniqit dhe Adem Demaçit. Mendoj që LPK-ja i ka manipuluar të dy për hesape të veta. Madje mua nuk më ka interesuar shumë puna e marrëveshjeve sepse unë një gjë dija ta bëja mirë, të luftoja Serbinë. Pas dy ditësh, nuk di se prej nga ku, vjen Rexhep Selimi. Në Likoc, nën hijen e një peme e kishin shtruar pijen Lahiu, Sylejman Selimi, Hashim Thaçi. Kur kalova aty pari më thirri Rexhep Selimi:

– O Gani Geci, eja more te ne pak! Unë isha me Besim dhe Xhevat Dajakun. Lakova rrugën dhe u afrova, ia zgjata dorën edhe pse nuk shkonim mirë. Më tha t’ia thoja një fjalë Lahiut nëse guxoja!

– Hajt, folja, folja!, më nxiste. Atëherë iu drejtova të pranishmëve me këto fjalë:

– O burra, a po e shihni këtë njeri që po kërkon bela me mua, po unë nuk po dua, se nuk po due të kemi punë mes veti ne shqiptarët. Jemi në luftë me Serbinë, e nëse doni ta dini Serbia është në Skenderaj. Ndërsa unë nuk kam plumba për shqiptarë se edhe ashtu më kanë mbetur pak se i kam harxhuar në shkije! Nuk isha i armatosur e ata m’u kërcënuan, më ofenduan e më thanë gjithçka.

Kuptova se punët po shkonin keq. Brofa dhe iu afrova xhipit tim, nxora automatikun dhe i nervozuar u thashë: – Për besë tash jemi të gjithë në rrezik! Hashim Thaçi u ngrit e më tha: – Ngadalë more burrë mos u ngut! I thashë Hashimit të ndalte njëherë njerëzit e tij që ia kishin filluar. Sylejman Selimi ma ngjiti për qafe e më tha ngadalë se nuk po merrte vesh asgjë! Situata ka qenë tepër e acaruar, për pak sa nuk ka krisur pushka mes nesh.

Prej asaj dite situata sa vinte e acarohej edhe më tepër.

PSE LDK-ja NUK LEJOHEJ TË MERR PJESË NË LUFTË!

Deri atëherë, edhe pse kishim ato diferenca, mundohesha t’i bashkoja punët. Mua shpesh më telefononin nga Gjermania njerëz, të cilët edhe pse ishin aq larg, frikësoheshin të zbulonin identitetin e vet. Nganjëherë thonin se qenë ushtarakë, por emrat e tyre nuk i tregonin. E kam pasur të vështirë ta merrja me mend se kush ishin ata. Më vonë mora vesh se kishte thirrë edhe Isa Mustafaj, edhe disa oficierë të tjerë, gjë që e kam marrë vesh pas lufte. Ata gjatë luftës më pysnin përmes telefonit nr. 303 nëse kishim nevojë për ndonjë gjë.

Unë iu përgjigjesha se kishim nevojë për çdo gjë, prej fisheku, këpucë, veshëmbathje, armatim, deri në topa, edhe për helikopterë e aeroplanë ne kemi nevojë, sepse s’kemi asgjë: – çdo gjë që do të sillni do të jetë ndihmë për ne! Qeveria e pagoi një «Jeep», atë na e sollën nga Istogu për Runik e më vonë në Llaushë. Kjo është bërë me shkrim: «Jeep-i është i destinuar për Gani Gecin, për nevoja të destinimit.

Pas përfundimit të destinimit i kthehet organeve përkatëse. Unë as që e kam ditur se e kishte dërguar Qeveria. Kjo për mua nuk kishte asnjë rëndësi, sepse me atë «Jeep» i kam dërguar shumë të plagosur në Likoc. Ai ka shërbyer edhe për nevoja luftarake, ndërsa propaganda bëhej se «Jeep-in» e ka Ganiu si mjet personal.

Naser Lanin, i cili u plagos në verë të 1998 dhe vdiq për mungesë pas shtatë-tetë ditëve, me duart e mia e kam vendosur në «Jeep» dhe e kam dërguar te mjeku në Likoc, por për fat të keq ai vdiq. Naseri ka qenë i plagosur në dorë dhe në shpatull të këmbes. Sikur të kishim mjek dhe mjete ai do të shpëtonte. Ne u bëmë thirrje mjekëve nga Prishtina, të na vinin në ndihmë në spitalin e Likocit.

Ata erdhën në Likoc, por «u ndoqën» nga aty prej atyre që thoshin për ne se «nuk kanë nevojë ata për mjekime». E kanë kthyer një mjeke, siç duket gruaja e Alush Gashit, si dhe dy mjekë tjerë. Ata nuk i kanë lënë të punojnë, i kanë kthyer. Ne nuk jemi ndalur, kemi punuar pa ndërprerë, kemi insistuar të bashkëpunojmë dhe të mos bëjmë përçarje. Fatbardhësisht në fshatin tonë ende nuk kishim përçarje, përveç Sabit Gecit, i cili erdhi dhe na tha në një tubim se:

– Lidhja Demokratike e Kosovës nuk bôn me marrë pjesë në luftë!

Për ne nuk kishte pikë rëndësie nëse një luftëtar ishte i LDK-së apo i LPK-së, mjafton që ai të luftonte kundër Serbisë. Mirëpo ata nuk e deshën një gjë të tillë.

U bë ofensiva e parë. Unë sërish i kisha shokë. Sylejman Selimin e kam pasë dhe e kam prapë shok. Shkova deri tek ai, atje ku ndodheshin edhe të tjerët dhe i thashë:

– Sulltan, vëlla, na jep ndonjë trohë armatim se s’po mujna me i ngul këmbët!

Një pjesë e armatimit kishte ardhur në Strellc, dikund andej nga rrethi i Deçanit. Fadili i kishte miqtë andej. Fadili, vëllau im, shkoi për ta marrë këtë armatim. Ndalen diku tek njësitë e Rexhep Selimit në Jabllanicë, të cilët i thonë Fadilit:

– Armatim është i Qeverisë, nuk bën me e çue ma andej! (Armatimin e ka patur Fadili në kerr të kuajve duke e sjellë për Drenicë).
– Kush është aty?, pyet Fadili.
– Është Abedin Rexha dhe Rexhep Selimi!
– Mirë qenka, se do të shkoj të bisedoj me ta!, thotë Fadili. Shkon Fadili të bisedojë me ta në Jabllanicë, e ata i thonë:
– Këto armë janë të Qeverisë!
– Të Qeverisë qenkan, a? Po këto i ka sjellë Halili!, ua pret Fadili.
– Lëri, ti, Fadil këto armë, se ne do të t’i sjellim më vonë!

Fadili ishte i shoqëruar nga Naser Çitaku. Ata e lanë armatimin me shpresë se do t’a sillnin shumë shpejtë. Ndërkaq, ne në Llaushë ishim shumë të rrezikuar. Ende nuk kishim marrë as edhe një copë fishek. Ata, Abedin Rexha e Rexhep Selimi i kishin konfiskuar ato armë, dhe i kishin ndarë nëpër disa fshatra. Llausha, për shkak të pozicionit të saj, gjendej në ballë. Skënderaji ishte nën kontrollin e shkijeve, ashtu si edhe rruga prej Mitrovice. Ishte vetëm një pjesë e rrugës së asfaltuar që kontrollohej nga Llausha jonë. Ne vërtetë ndjeheshim të rrezikuar, e ata nuk na linin as armatim, as municion, megjithatë, ne bëmë si bëmë dhe e kaluam disi. Ashtu kemi marrë pjesë edhe në aksionin për Morinë e Pantinë.

Njësiti i parë ushtarak që ka hyrë në Mitrovicë ka qenë njësiti që e kam drejtuar unë. Aty isha me Besim Dajakun dhe disa të tjerë. Populli na i ka marrë duart dhe na i ka puthur duke qarë. Me atë rast Besimi pati thënë me dhimbje:

– Shyqyr që nuk e dinë njerëzit se në çfarë gjendje na kanë çuar ne!
Megjithatë ne ishim pa maska dhe të gjithë me uniformë. Kjo gjë u bënte përshtypje pozitive njerëzve. Në fshatin e Vërnicës jemi takuar me tre civilë serbë. Në Jeep e kisha një murtajë, u ktheva nga njësiti dhe u thashë:

– Këta qenkan shkije!, ua pashë gazetën e tyre dhe i ndala.
– Prej nga jeni?, i pyeta.

– Iz Vërnice!, (nga Vërnica) ma kthyen ata.
– A keni armë? Më thanë që jo.

Ne i zbritëm nga vetura dhe gjatë kontrollit ua gjetem tri revole, të cilat ua morëm. I pyeta se ku punonin, ata u përgjigjën se ishin punëtorë të Ujësjellësit. Një herë më shkoi mendja t’i vras, por ndërhyri Besim Dajaku dhe më tha:

– Po i vramë këta tre shkije këtu, shkijet kanë mundësi në Shipol t’i vrasin treqind shqiptarë!

Ato fjalë ma mbushën mendjen dhe i lëshova. Armët ua mora, një TT, një nëntshe dhe një shtatshe. Ata shkuan. Të nesërmen janë larguar të gjithë shkijet e Vërnicës dhe kanë shkuar në Pantinë, aty ka qenë vetëm një shka, në fshatin Oshlan, në një shtëpi të vetmuar. Mora vesh se kishte marrë pjesë në luftë në Kroaci dhe se nuk kishte shka më të poshtër. I pyeta fshatarët, nuk isha prej atyre ushtarëve që bëja diçka pa i pyetur fshatarët se ç’farë mendimi kishin për të. Në qoftë se fshatarët do të mendonin se nuk duhej vrarë, megjithëse e dinin se ne qemë në luftë, mendoja se do të bëja më shumë keq se mirë. Ata më thanë:

– Mos, se nuk jena të përgatitur për luftë, as për mbrojtje e as për tërhjekje!

E lash atë shka, kishte qenë vetëm me një grua. Mandej kanë shkuar një grup tjetër, pas një kohe, por ai kishte pas fjetur në sanë, kur janë afruar ky grup, ai i ka gjuajtur prej sane, e mandej këta janë tërhequr. Aty kam pasur rast të shoh popullin se si është në gjendje të shkrihet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të japë edhe jetën e vet. Ishte hera e parë që pas njëqind vjetëve shihnin Ushtrinë e tyre, që fliste gjuhën shqipe.

Ky ishte një ndryshim shumë i madh. Propaganda ka qenë shumë e tmerrshme, jo ka, jo nuk ka Ushtri. Mirëpo, ata na kanë respektuar, na kanë ndihmuar, na kanë dhënë bukë. Por kanë kërkuar nga ne edhe disiplinë. Aty ku nuk kanë pasur mundësi të mbrohen, kanë kërkuar prej nesh që të mos i ngacmonim shkijet. Gjëra të logjikshme. Mos t’u jepnim pretekst shkijeve të shkaktonin tragjedi. Ne jemi kthyer në Llaushë, pastaj filloi Ofensiva e Parë, ne Likoc.

OFENSIVA E PARË E USHTRISË DHE POLICISË SERBE NË DRENICË

Ofensiva e parë ka filliuar më 10-11 gusht të vitit 1998, në Likoc. Shkijet përdorën arsenalin e tyre ushtarak më të rëndë dhe më të sofistikuar, krahasuar me atë që kishin përdorur tek Jasharajt dhe deri në këtë kohë në përgjithësi. Kanë përdorur raketat, minahedhësit prej 120 mm, me të cilët na granatonin që nga Mokna. Pra, nga Mokna granatohej edhe fshati Llaushë me raketa tokë-tokë, të cilat i tregonin qendrat e huaja televizive. Aty ku binin këto raketa shkaktonin kratere me diametër deri në gjashtë metra e thellësi gati dhjetë metra. Ka vende që ka dalur edhe ujë nga thellësia.

Përveç granatimeve kësaj radhe filluan të na sulmonin edhe me aeroplanë dhe helikopterë. Helikopterët për fat të mirë fluturonte lart duke menduar se neve kishim armatime të rënda kundër ajrore, por ne nuk kishim. E si ta kishim ne këtë armatim? Çdo gjë e kemi bartur me kuaj, gomarë apo me krahë. Veç kësaj as strategji nuk kishim. Ka ndodhur që të sillnim më shumë automatikë sesa municion, apo më shumë murtaja dore, sesa predha. Ka pasur raste kur sillnim tri murtaja me 15 predha apo të kundërtën.

Ekspertët ushtarakë e dijnë që edhe 15 predha për një murtajë kanë qenë pak. Ofensiva e parë filloi në gusht të vitit 1998 pra me sulme nga Mokna. Kështu sulmohet Radisheva, pastaj Kotorri. Kur u sulmua Kotorri, ne ishim te Barantë e Klinës prej nga na thirrën në ndihmë duke thënë se: – Po digjet flakë Kotorri! Vërtet digjeshin ca sanë dhe shtëpi. Unë, Jetullah Geci, Abit Haziri, Besim Dajaku, Afrim e Bashkim Geci që qëlluam në pikën e Baranëve të Klinës, i shkuam në ndihmë Kotorrit.

Këmbësoria e shkijeve ishte pozicionuar në malet e Kotorrit. Një njësit i Kotorrit kishte shkuar në vëzhgim të terrenit. Njësiti kishte pasur shtatë ushtarë dhe meqë kishin rënë në pritë, të shtatët ishin vrarë. Duke shkuar rrugës, një djalë i njërit nga të vrarët (kishin qenë dy nga Radisheva e tre nga Kotorri, baba me dy të bijtë me mbiemrin Hajrizi dhe dy të tjerë), na tregoi se në cilën anë kishte shkuar babai i tij. Kur arritëm në vendin ku na tregoi djaloshi na doli problemi i komunikimit, nuk mund të mirreshim vesh me njëri tjetrin.

Ka pasur rrezik që të luftojmë mes vete njësit me njësit. Pra të vriteshim shqiptarët mes veti. Duke vazhduar rrugën në një lëndinë, një shoku ynë vërejti rrëke gjaku. Preka gjakun, ai ishte ende i freskët. Ata që kishin dalur në atë lëndinë, shkijet i kishin vrarë nga mali. Ky ishte pra një kurth i tyre. Shkijet i kishin bartur kufomat pezull dhe i kishin gjuajtur në një gropë, pak më poshtë. Ne as që dinim se i kujt ishte ai gjak. U ulëm dhe morëm pozicione luftimi.

Paraprakisht e pyeta djaloshin se a kishte uniformë të UÇK-së babai i tij. Ai u përgjegj se babai dhe njëri vëlla jo, ndërsa vëllai tjetër po. Në këtë moment kaluan dy veta dhe na shpëtuan pa i gjuajtur. Nuk dinim se kush ishin. Ata kishin qenë shkije. Pastaj u tërhoqëm mbrapa, ndërsa Abit Haziri, që ishte me një njësit pak më larg, hasi në një kurth të ngjashëm dhe u dëgjuan rafale. Ne u shtrimë për tokë se nuk dinim se kush shtinte dhe siç thashë radiolidhje nuk kishim që të mund të merreshim vesh me njëri-tjetrin. Vendosëm të tërhiqeshim në pozicionin barkas. Nuk më mbeti tjetër gjë vetëm të thërras me zë: – O, Abit! Një djalë nga Kotorri që ishte me të m’u përgjigj:

– Fol se Abiti jam. Në bazë të zërit kuptova se nuk ishte Abiti dhe i thash se nuk je ti Abiti. Pastaj u përgjegj Abiti duke më pyetur: – A jeni gjallë? «Po! – i thashë, por ruajuni se këtu janë do pozicione shkijesh! Nga këtu ka filluar një ofensivë e tmerrshme dhe me shtrirje të gjerë duke filluar nga Radisheva, Rudniku, Qubreili, Vitaku deri në Rakinicë te Kryqet e Popit si i themi ne dhe kanë dalë te fshati i Ri (Ludoviq) ku është bërë edhe lufta e parë e Adem Jasharit. (Kjo ka ndodhur në gusht të 1998, ndërsa lufta e Adem Jasharit ka ndodhur në Ludoviq më 26 dhjetor të vitit 1997).

Pra shkijet me mjete të blinduara, tanke, topa dhe këmbësori i kanë hyrë Llaushës nga ana e epërme me daten 13 gusht 1998. Nga atje kanë gjuajtur edhe Kodrën e Deviçit, ku gjendet kisha. Gjuajtjet nga ato pozicione kanë qenë në mënyrë sistematike në formë harqesh duke djegur malin. Në çdo të tretën gjuajtje ka pasur predha që digjnin. Ne nuk kemi pasur as mundësi minimale që t’u kundërviheshim forcave serbe. Me një pushkë mitroloz që e kishim ka qëndruar Jetullah Geci dhe Rrahim Hoxha derisa kanë pasur municion. Unë kam qenë në malet e Deviçit. Fat është që në momentet e fundit i kam përcjellë familjet për Mitrovicë se deri në këtë moment edhe familja ime ishte komplet në fshat. Përndryshe më se 580 anëtarë të familjeve të Llaushës kishin mbetur të bllokuara nga forcat serbe. Këtë fakt e kanë dhënë të gjitha stacionet e huaja radio- televizive.

Ishte edhe një njësit tjetër, që ishte i pozicionuar nën Urën e Imerit ku ishte edhe Fadil Geci dhe të gjithë vëllezërit e mi. Pastaj ishte edhe njësiti i Musli Gecit. Minahedhësit gjuanin pandërprerë dhe nuk na linin kund vend. Ka qenë fat që lumi nuk kishte ujë dhe që ura na mbronte. I kemi pas hedhur edhe rërë, kështu që predhat së pari hasnin në të. Nga mali i Deviçit e humbëm pozicionin kryesor prej nga mund të mbrohej fshati. Me Lah Rrecin kemi depërtuar nëpër predha përmes një përroi të vogël dhe kemi shkuar te njësiti poshtë urës. Konstatuam se nga këto pozicione nuk mund të mbrohej fshati krahasuar me pozicionet serbe të Rakinicës. Me topa na sulmonin nga Fusha e Therrës.

Tash në pyetje ishin veç dy mundësi, tërheqje ose luftë deri në zhdukje. Vendosëm të tërhiqemi. I pari u tërhoq njësiti i Musli Gecit e në mbrëmje i fundit u tërhoq njësiti i Fadil Gecit me tërë municionin, ku isha edhe unë e Afrim Geci. Por njësia tjetër që ishte në brëndësi të fshatit Llaushë tek Barantë e Klinës, që lidhen me Kotorr, ishte ende në pozicione dhe lidhja me të na mungonte. Të merreshim vesh nëpërmjet korrierit ishte e pamundur. Një njësit tjetër ndodhej te kodra e Sylës. Kështu, ne s’e kontrollonim më fshatin. As serbët nuk kishin hyrë akoma. Megjithatë ato njësi ishin të rrezikuara përtej mase. Por kur e do fati, ato ishin tërhequr kah Rakinica dhe Kllodernica e në malin e Deviçit.

LUFTA E REZALLËS DHE MORINËS

Gjatë kësaj ofensive forcat serbe sulmuan Rezallën, rrugës së asfaltuar që shkonte nga Skënderaj për në Drenas. Ata kishin tentuar të hynin përmes fshatit Morinë në fshatin Rezallë, në të njejtën kohë kur e kishin sulmuar edhe Llaushën. Mirëpo, luftëtarët e Morinës, Rezallës dhe Makërmalit i kishin ndalur këto forca. Ata luftëtarë udhëhiqeshin nga Ilaz Dërguti, Rifat Mëziu, Ahmet Ahmeti, Malush Ahmeti e Avni Zabeli, bashkë me luftëtarë të tjerë, të cilëve nuk ua di emrat.

Në këtë luftë ka marrë pjesë edhe majori i këmbësorisë Kemal Shaqiri, i cili u kishte ndihmuar shumë me profesionalizmin e tij. Kishte ndodhur që këta të luftojnë edhe në afërsi prej 30 metrash me tanket serbe, ku edhe i kishin detyruar të kthehen prapa, pa luajtur nga pozicionet që kishin zënë. Këtu është vrarë Zenel Mëziu dhe janë plagosur disa luftëtarë tjerë.

Mirëpo forcat serbe, të cilat kishin ardhur nga pjesa e prapme e fshatit Llaushë, kishin depërtuar në pjesën e prapme të fshatit Rezallë përmes rrugës së vjetër të malit të Deviçit. Malush Ahmetit iu vra një fëmijë e një tjetër iu plagos. Ky luftëtar u vra më vonë në një betejë tjetër në fshatin Rezallë, në një nga ofensivat pasuese. Ishte luftëtari më trim që e kishte Rezalla. Ai është vrarë në vijën e frontit, kur shokët e tij në pjesën tjetër të fshatit luftonin dhëmbë për dhëmbë me këmbësorinë serbe.

Në një lëndinë të fshatit këmbësoria serbe po u afrohei shtëpive të Rezallës. Njësia që përmenda më parë i vrau të gjithë shkijet në atë vend. Ahmet Zabeli e Avni Zabeli hyjnë në mesin e shkijeve të vdekur për t’ua marrë armët. Ata marrin disa armë automatike e snajperë, por tanket dhe këmbësoria fillojnë të shtijnë në drejtim të tyre. Shokët e tyre që kishin zënë pozicione i shpëtojnë dhe ata arrijnë të marrin pjesë nga ai armatim armikut. Rezalla kishte mbetur pa municion të murtajave.

Prej fshatit Rakinicë dukeshin luftimet në Rezallë, me të parë këtë, Besim Dajaku, shkon në fshatin Rezallë, për t’u ndihmuar. Besimi kishte marrë me vete murtajën dhe sasi të konsiderueshme të predhave. Me këtë rast, me anë të tri predhave, shtyhet hyrja e forcave serbe në Rezallë për dy ditë. Pas përfundimit të municionit, ushtarët tanë detyrohen të tërhiqen.

Në këtë betejë u vra Malush Ahmeti, njëri prej luftëtarëve më të vendosur të kësaj ane.

ARRESTIMI I SEJDI KOCËS NGA POLICIA USHTARAKE E UCK-së

Pasi «u pajtuam» me Rexhep Selimin, edhe pse ai pas çdo pajtimi nuk e mbante fjalën e prapë gjente shkaqe për t’u konfliktuar, ata e arrestaun Sejdi Kocën nga Polaci, më 14 gusht 1998 dhe e mbajtën tetë ditë në podrumin e Tefik Haxhisë. Tefikun e njeh Mitrovica më mirë se unë. Sa e kanë mbajtur në podrum Sejdi Kocen e kanë pyetur për raportet në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe gjëra të tjera. Në këtë kohë duhet të dihet se Shtabi i UÇK-së i Zonës Operative të Drenicës ka qenë ende në Likoc.

Për ta liruar Sejdiun ka shkuar krejt Polaci me traktora dhe u kanë thënë se Sejdiun duhej ta lëshonin, sepse që nga 1968 ka qenë i ndjekur dhe në vazhdimësi ka qenë për Republikën e Kosovës. Ky njeri kurrë nuk e ka lëshuar rrugën e luftës dhe të përpjekjeve për çlirimin e Kosovës. Kështu pas tetë ditësh, Sejdi Koca lirohet. Sa e kanë mbajtur në burg për ato tetë ditë nuk e kanë rrahuar apo meltretuar fizikisht, por kishte pasur maltretime psiqike. Për këtë më së miri e di Sejdi Koca dhe ata që e kanë marrë dhe e kanë mbajtur aty, të gjithë janë gjallë mund të tregojnë.

PSE SABIT GECI ARRESTOI GRUPIN E PARLAMENTARËVE SHQIPTAR NË QIREZ

Kur e shohin situatën duke u keqësuar, Shtabi i Likocit tërhiqet dhe kalon në Qirez përpara se të afroheshin forcat serbe. Kur kam arritur në Likoc u takova me Sami Lushtakun e Sahit Jasharin. Duhet të përmendet se në burgun e Likocit mbetën disa shqiptarë që ishin burgosur për vepra të ndryshme. I pyeta të burgosurit se ç’kishin bërë? Njëri më tha asgjë, tjetri tha se gjendej aty veç pse ishte gjetur duke ndejtur në shtëpi. I thashë Samiut t’i lëshonte, nëse nuk kishin bërë vepra të rënda dhe i mora e i nxora nga ana tjetër e Qirezit.

Unë nuk i njihja dhe as sot nuk i njoh, madje as nuk ua di emrat. Më kujtohet se kanë qenë pesë a gjashtë djem. Duke biseduar me Samiun dhe Sahitin thashë: – Duhej të kishim organe civile të ndëshkimit për të burgosur dikënd. Në këto rrethana kur s’po mund ta mbrojmë vendin as veten, sa kuptim ka të mbajmë të burgosur? Të burgosurit më pyesnin – kah të shkojmë? – Ikni! – thashë, – unë s’po di kah të shkoj vetë e jo më për ju! Në atë kohë ka ndodhur edhe burgosja e parlamentarëve të Republikës së Kosovës. Pastaj erdhën Shaban Shala me shokë, që në TV përshëndeteshin me grusht dhe me këtë prishën imazhin e UÇK-së.

PËRSHËNDETJA ME GRUSHT E DËMTOI RËNDË UCK-në

Fëmijët, nga dashuria që kishin për ne, filluan edhe ata të përshëndesin rrugës me grushta. Po fëmijët nuk e dinin se kjo mund të ishte përshëndetje ruse, serbe apo thjesht sllave, e më së paku shqiptare. Mjetet e informimit te vendeve të huaja si «Zëri i Amerikës», «CNN», «BBC» etj. interesoheshin për këtë përshëndetje. Gazetari i Reutersit më ka pyetur nëse «ishte e vërtetë se njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosoves betoheshin në kultin e besnikërisë ndaj Enver Hoxhës?» Në këto rrethana të zënë ngushtë, duhej të shpjegonim se përshëndetja me grusht nuk simbolizonte kultin e Enverit, as Bolshevizmin, por unitetin e kombit për çlirimin e vendit.

Përveç kohës që na mirrte shpjegimi për këtë përshëndetje, kjo na shkaktoi dëm të madh, sepse Perendimi mendonte se ishim të dirigjuar nga Rusia. Më duhet të them se gazetari i BBC që u vra në Somali na ka ndihmuar shumë. Kam pasur kontakte të vazhdueshme me të. Ai më mundësonte të paraqitem në Zërin e Amerikës, CNN, BBC etj, për të shpjeguar qëllimin e luftës sonë çlirimtare. Edhe pse ekzistonte komisioni për informim, gazetarët e huaj kërkonin të bisedonin me ushtarë të thjeshtë që kishin uniformën dhe shenjën e UÇK-së.

Unë kam qenë komandant i vogël. Por ashtu siç shkuan punët kam mundur të jemë komandant shumë i madh, sikur në fillim të kisha dalë në mjetet e informimit e të deklarohesha se isha «Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës». Të gjithë do të më pranonin sepse, pas vrasjes së Adem Jasharit, askush nuk dinte se cili ishte komandanti i Pëgjithshëm i UÇK-së. Mbase ai edhe nuk ekzistonte. Por, për këtë, kurrë mendja nuk më ka shkuar, edhe pse me të gjithë që sot janë komandantë e gjeneralë kemi qenë shokë. Madje, unë kam filluar luftën shumë më herët nga disa prej tyre.

Por duke ditur përgatitjen time ushtarake, kam qenë i bindur se duhej të më udhëhiqte një ushtarak profesionist. Unë kam pasur mundësi të drejtoj 5 vetë apo 50, por jo edhe 5000 veta. Pastaj është buka që duhet siguruar, taktika, strategjia e luftës, strehimi i popullatës etj. Mu për këtë çdo ushtarak karriere, të vendosur, e kemi pritur si rrezen e diellit. Ne kishim informacione se shumë prej tyre edhe kishin shprehur gatishmërinë të na bashkëngjiten, por pengoheshin nga klane të ndryshme të LPK-së që kishin rrokur pushkën për përfitime personale e jo për çlirimin e atdheut.

Kjo u vertetua menjëherë pas luftës. Përveç asaj që u prishën mes veti dhe krijuan nga Lëvizja Popullore e Kosovës disa parti, ata uzurpuan edhe pasurinë shtetërore dhe shoqërore. Filluan me frikësime dhe shantazhe ndaj popullit të Kosovës. Është tragjike, por sot nga veprimet e tyre është fituar përshtypja se UÇK-ja ka luftuar vetëm për të mbushur xhepat e komandantëve të vet. Ky nuk ishte qëllimi i pushkës sonë të ngritur kundër okupatorit shka. Nga këto veprime të çoroditura të disa komandantëve të pandërgjegjshëm të UÇK-së, po vuan edhe TMK, po vuajnë shumë ish ushtarë, po vuajnë shumë familje të deshmorëve, po vuajnë invalidët e luftës etj.

Kështu të gjithë u tërhoqëm në Qirez. Aty kishin ardhur edhe disa parlamentarë të Republikës së Kosovës të shikojnë situatën, e këta i arrestojnë dhe i dërgojnë në shkollën e Baicës. Parlamentarët janë burgosur para ofensives së Qyqavicës. Unë në momentin e burgosjes nuk kam qenë aty. Dikush thotë se i kanë rrahur e maltretuar. Ata duhet të flasin pa frikë dhe të tregojnë të vërtetën. Por e di që Mehdi Bardhi ka qenë i lënduar, të cilit i ka ndihmuar Bajram Gashi.

Burgosja e parlamentarëve na shkaktoi dëme të mëdha dhe zbehu imazhin tonë, sepse shumë ushtarë nuk dëshironin të kenë punë me shqiptarë, mirëpo se si ka ndodhur burgosja e tyre më së miri e di njeriu me pseudonimin «Leopardi», emrin e të cilit nuk e di, por ai ishte udhëheqës i aksionit. Meqenëse ofensiva e fortë e forcave serbe na dezorientoi të gjithëve, edhe parlamentarët përfituan nga kjo dhe u liruan.

Në malet e Qyqavicës në atë periudhë gjenim plot armë të hedhura, pasi shumë luftëtarë dezertuan. Në të vërtetë erdhëm në një gjendje që luftën dhe armën e kanë mbajtur vetëm ushtarët më trima, ata që e kanë pasur përnjëmend çlirimin e Kosovës. Kështu tërë Qyqavica rrethohet nga forcat serbe. Përkundër kësaj gjendjeje të mjerueshme dhe dezorganizimi në radhët e UÇK-së, konfliktet në mes nesh nuk prânin.

UCK-ja ËSHTË USHTRI E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Më duhet të përmend një fakt të hidhur. Fjala është për një konflikt që më ndodhi me Idriz Mehmetin. Miftar Bajraktari ka dhënë shpirt në shtëpinë e hoxhës, babait të Idrizit nga Krasmirofci. Konflikti ishte për motive politike të më hershme dhe për dy grushtime. Bëhet problem i madh ushtarak. Kështu aktivizohet një njësi e më rrethon për të më arrestuar. Kur më rrethuan, kërkuan t’i dorëzoja armët. – Jo, – thashë, – armën nuk e dorëzoj, se nuk e kam rrokur për ta dorëzuar.

Po kush do të ma marrë, le të vijë! Kjo skenë ka ndodhur në qendër të Qirezit. Në atë njësi bënin pjesë do hajna që turreshin të çarmatosin ushtarët, ishin do krijesa të imëta që kanë bashkëpunuar me Serbinë pandërprerë, po pastaj morën pozita në UÇK. Ata ishin krejt njësiti i Prellofcit me Jakup Nurën në ballë. Kur dëgjoi fjalët e mia: – Pushkën mua s’ka as shqiptar, as shka që ma merr, se nuk e kam marrë për ta dorëzuar, pa u vrarë!, Jakupi e kuptoi situatën dhe më thotë: – Ani pra, po bisedojmë!, më thanë.

Kur dëgjojnë disa ushtarë të Oshlanit, të cilëve u kisha dhënë ndihmë në Oshlan, se këta më kanë rrethuar dhe se do luftojmë mes veti, vijnë dhe e rrethojnë njësitin e Prellofcit për të më dalë në ndihmë. Pastaj më kanë ardhur në ndihmë edhe fshati Llaushë. Ndërkohë vjen edhe Fehmi Lladrofci të cilin e kisha takuar në Ticë, por nuk njiheshim mirë. Ndërsa Ramizin, vëllain e tij e njihja më mirë, jemi njohur në Gjermani. Fehmiu ishte me Xheven dhe aty erdhi edhe Fehmi Nika nga Gllanasella. Fehmi Nika kishte thënë: – Për Zotin nuk kam mundur t’i ndihmoj Gani Gecit në luftë me shkije, por kësaj radhe do t’i ndihmoj! Shkuam në Rezallë për të biseduar, ndërkohë kishin ardhur për të më ndihmuar edhe Naim Geci, Habit Haziri, të shoqëruar nga shumë ushtarë të tjerë.

Më pyetën se ku preferoja të bisedojmë. Thashë shkojmë në Rezallë duke pasur parasysh se gjatë luftës së Shaban Polluzhës, Rezalla ka qenë nga fshatrat me të forta. Po edhe tash në këtë luftë Rezalla ka bërë shumë. Me përgjegjësi mund të them se ku kanë qenë njësitë e Rezallës dhe të Morines, jo vetëm që kanë rezistuar, por aty shkau nuk ka mundur të depërtojë. Vlen të thuhet se shkijeve u kanë shkaktuar humbje të mëdha dhe u kanë shkatërruar ty-tri tanke e disa autoblinda. Shkuam në Rezallë dhe hymë në një shtëpi. Fehmiu tha se ky do mbetet problem ushtarak dhe do ta çojmë deri në fund. I thashë Fehmiut, po ne jemi dy ushtarë të thjeshtë. Pra janë rrahur dy ushtarë dhe çka do që të ndërmerrni, mund të më jepni një dënim prej shtatë ditësh. Fehmiu tha, – këtë do ta çoj deri në Shtabin e Pëgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo ngjarje ka ndodhur në gusht të vitit 1998. Ne dinim se kemi pasur një komandant, që ishte Adem Jashari, më vonë për Drenicë ishte Sylejman Selimi dhe meqenëse komandantët e zonave, siç ka pohuar komandant Rremi, nuk e njihnin komandantin e Shtabit të UÇK-ës, atëherë del pohimi edhe i Ramush Hajredinit se Shtab të Përgjithshëm nuk kishte, e nuk kishte as Komandant të Përgjithshëm. Shtabi i Përgjithshëm ka lëshuar komunikata edhe sa ishte gjallë Adem Jashari. Atëhere këta që thirreshin në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së do duhej të na tregonin se sa komunikata i ka nënshkruar Komandanti legjendar Adem Jashari? Pra kishte vetëm komandantë zonash lufte pa hierarki vertikale të komandimit. Ndërkohë ka ardhur Sami Lushtaku dhe një oficier me emrin Agron dhe thanë se ai që del nga këtu pa u pajtuar do ta marrë barrën e Ushtrisë Çlirimtare në shpinë. Edhe pse ata nuk donin të pajtoheshim, unë thashë po, unë dua pajtimin.

Fehmiu tha: – Do t’i qërojmë hesapet deri në fund që nga dita e sotme! Unë thashë: – Nuk kam çka të qëroj hesape me askënd, se pushkë për shqiptarë nuk kam, por nëse dikush më del në rrugë do mbrohem! Nga unë kërkonin t’i dorëzoja armët dhe të më burgosnin, sipas një ushtari të Prellofcit (polic ushtarak) ma kishin caktuar edhe «burgun» në një kaçak të pulave. Pastaj i thashë Fehmiut se nuk doja të luftoja me vëllezër, sepse kishte mjaft forca serbe në Skenderaj, policë, ushtarë, paramilitarë etj. U propozova të shkonim e t’i sulmonim.

– Ejani – thashë – me mua kush të doni dhe e bëjmë një trimëri në Skenderaj. Kështu i shkaktojmë një dëm Serbisë po kryhet edhe puna jonë, se shkijet lehtë nuk na lëshojnë. Pra e bëjmë një punë patriotike kundër Serbisë e nuk na shan askush për vëllavrasje! U thashë se: -Nëse një shqiptar i afrohet tankut të shkaut njëqind metra, unë do t’i afrohem pesëdhjetë, e nëse dikush i afrohet pesëdhjetë metra, unë do t’i afrohem njëzet, po nëse dikush i afrohet tankut të shkaut dhjetë metra unë do ia ngjes shkaut për veshi! Kështu edhe kryhet puna me ne! Këtë ua përsërita dy herë. Këtë ia kam thënë edhe Rexhep Selimit edhe Fehmiut më herët në Likoc. Pastaj Sami Lushtaku insistoi dhe u pajtuam. Pas kësaj më pyet Fehmiu, se ushtar i kujt isha. I thashë se jam ushtar i Republikës së Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai e përsëriti pyetjen. Unë iu përgjegja përsëri:

– Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e Republikës së Kosovës!
– Jo! – tha – UÇK është vetëm UÇK!

– Prit, ngadalë! – i thashë – ta shpjegoj edhe unë qëndrimin tim: Unë njoh Ibrahim Rugovën për President të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshin kryeministër, Adem Demaçin përfaqësues të përgjithshëm të UÇK-ës, të cilin vetë ju e keni emëruar. Pra i njoh edhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ndërsa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e njoh se jam ushtar i saj dhe po e njeh tërë bota. UÇK-në e njoh se kam njohur si Komandant të saj Adem Jasharin, ushtar i të cilit kam qenë që nga viti 1991. Por nuk kam dëgjuar që ka kund në botë ushtri të rregullt pa qeveri dhe institucione! Atëherë Fehmiu tha:
– Ka puç ushtarak!?

– Po, nëse ka puç ushtarak, ndërrojini ata njerëz që përmenda! Ne dikush duhet të na prijë. Për mua s’ka shumë problem, se unë kam hyrë në luftë për të çliruar Kosovën e jo për të bërë puçe ushtarake! Mandej e pyeti vëllaun tim, pastaj iu drejtua Mehmet Gjelit: – Po ti ushtar i kujt je? – Jam ushtar i popullit tim! Pastaj i bërtiti; – A je ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? – Po more! – u përgjegj – dhe jam krenar për këtë! – Po ti? iu drejtua Haxhi Gecit, vëllaut tim i cili u përgjigj: – Jam ushtar i Republikës së Kosovës! I pyeti edhe të tjerët dhe përgjigjet ishin identike. Atëherë tha: – Do t’i shënoj këto gjëra dhe do t’i çoj në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së!

– Shënoj se nuk po flasim fshehtas! – i thashë – Fundja Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kam formuar edhe vetë, aksionet e para në Drenicë i kam bërë vetë! Jam nga luftëtarët e parë të Adem Jasharit dhe ku ka kërkuar ndihmë Drenica dhe Kosova i kam shkuar brenda mundësive. Prandaj shënimet tua për mua nuk kanë peshë! Ky rol i hetuesit, si i komisarëve politik nuk më ka pëlqyer tek Fehmi Lladrofci, përndryshe ka qenë një luftëtar trim dhe patriot e që për Kosovën dha edhe jetën, ra në fushën e nderit në fshatin Gllanasellë.
Por këta i komandonin nga Tirana njerëzit që nuk e kishin parë kurrë frontin me sy.

SI U PLAGOS VËLLAU IM ESAT GECI

Dy ditë me von dalin ca hajna në Vaganicë dhe e plagosin vëllain tim, Esatin. Në këtë plagosje marrin pjesë Tefik Haxhija dhe një djalë prej Plluzhine, i thonin «Gulinov», emri i të cilit nuk më kujtohet. Këtë e bëjnë me urdhërin e Sabit Gecit. Këtë plagosje do ta pasqyrojnë më mirë deklaratat e ushtarëve të cilat i disponoj edhe në origjinal!

(Vëllau im Esat Geci, ka qenë duke shkuar në Mitrovicë me nipin tonë Musa Musliun, në rrugë e sipër, në Vërnicë, e ka takuar Sabit Gecin, i cili ka qenë i ndalur me disa shokë. Esati e ka vazhduar rrugën e vet, e pastaj në Vaganicë, i ka parë edhe Xhevdet Fehmi Zenelin së bashku me Tefik Haxhiun dhe disa ushtarë tjerë. Me atë rast janë përshëndetur dhe kanë vazhduar rrugën për Mitrovicë, ka qenë rreth orës 17.00. pas dhjetë-pesëmbdhjetë minutash është kthyer Esati me nipin tonë Musën. Siç duket, në ndërkohë, Sabit Geci është takuar me Xhevdet Fehmi Zenelin dhe e ka urdhëruar t’i arrestojë Esatin dhe Musën pa kurrfarë arsyeje).

Se ç’ka ka ndodhur në të vërtetë unë nuk e dij, por këtë më së miri e sqaron deklarata e Xhevdet Fehmi Zenelit, sa vijon:

DEKLARATË

Ora 20.30, Oshlan 19 gusht 1998

I akuzuari Xhevdet Fehmi Zeneli, nga Pluzhina e Skënderajt. I akuzuari, ushtar i Njësitit të Komandos të Sabit Gecit, rasti ndodhi në mes ushtarëve të lartë përmendur në relacionin Drenicë-Mitrovicë, në fshatin Vaganicë, me ushtarët e shtatë Vëllezërve, ndodhi plagosja e ushtarit (Esat Geci). I lart-përmenduri ka përcjellur një shok deri në fshatin Pirq, duke u kthyer u takua me Sabitin dhe ka urdhëruar që Musën dhe kolegun e tij (Esat Gecin) që ishin bashkë, me i arrestue edhe pse kisha folur me ta para 10 minutash.

Shkova dhe e mora Tefikun dhe dy shokë tjerë dhe dolëm te lagja e Haxhiovitëve. Dolën shokët dhe i ndalën. Ata thanë se ishin duke shkuar për të marrë vëllanë (Gani Gecin) dhe se do të kthehen menjëherë. Vëllai gjendei te shkolla e Vernicës. Xhevdet Zeneli dhe Tefiku i kanë përcjellur me kerr deri te shkolla e Vërnicës. (Esat dhe Musa nuk janë ndalur aty, sepse Ganiu nuk gjendei aty). (Diku afër shkollës, në një largësi afro 5 metra Xhevdeti dhe Tefiku i kanë blinduar Esatit dhe Musës, të cilët ngisnin veturën para tyre) por ata nuk janë ndalur. Esati iu ka bërë shenjë me dorë, dhe kanë vazhduar rrugën në drejtim të Oshlanit. Gjatë kësaj rruge, duke i ndjekur Tefiku i ka thënë Xhevdetit: – Po shtij në ajër! (me qëllim frikësimi), dhe ka shtënë nga automjeti (prej veture në veturën tjetër).

Esati dhe Musa ndaluan veturën dhe dolën shpejtë nga vetura. Edhe ata iu kanë përgjegjur të shtënave në ajër). Plumbat e tyre na kanë ardhë mbi kokë, prej Muse apo Esatit. Tefiku ka mbetë në këmbë dhe ka shti për toke kurse Xhevdeti ka qenë i shtrirë për toke. Esati ka bërtit: – Mos u afroni se ju vras!, ndërsa koleugu i tij Musa i ka thënë Esatit: – Eja ma naltë se të mbroj unë! Atëherë, kur Esati ka filluar të tërhiqet, Xhevdeti ka shti me automatik dhe e ka rrokë në këmbë. Esati e ka thirrë Musën: – Merri armët e mia, (mos tm’i marrin këta)! Xhevdeti e ka urdhëruar: – Duart lartë dhe dorëzohu!

(Ndërkohë Esati është alivanosur nga gjakderdhja, pas disa qastesh i ka ardhur vetëdija). Esati i ka fyer Xhevdetin dhe Sabitin. I plagosuri ka kërkuar ndihmë, të cilën ia kanë dhënë dy ushtarë të cilët i njeh Tefiku. Njeri ka ndejt me Tefikun dhe tjetri i ka ndihmue me Xhevdetin, i plagosuri i ka larguar armët sipas urdhërit të Xhevdetit dhe ka pyet: – Ku është Musa? I ka thënë se ka ikur. Atëherë e kam marrë me të shpejt dhe e kam dërgue në Oshlanë. Duke ardhur rrugës na ka ofenduar personalisht shokun Sabit Geci. Xhevdeti ndihet shumë i prekur dhe ndihmen ia ka ba shumë shpejtë.

Deklaratën e mori: Agim Zeka
Deklaratën e dha: Xhevdet Zeneli

(Këtë deklaratë e kam marrë në Shtabin e Zonës Operative të Shalës në Oshlan, ku ishte prezent zëvendës Komandanti i Zonës Mensur Kosumi, në prani të dhjetë a pesëmbdhjetë ushtarëve. Me që nuk kishim fotokopje, deklaratën e kam përshkruar nga origjinali që e posedonte Shtabi. Këtë deklaratë e kam marrë dy ditë pas plagosjes së vëllaut tim Esatit).

Por, pas plagosjes, njësiti i Oshlanit e arreston ushtarin, i cili e kishte bërë plagosjen. Ndërkohë vijnë disa ushtarë të Vaganicës në Qirez dhe më lajmërojnë për plagosjen e Esatit. Sabiti kishte dhënë urdhër për ta arrestuar Esatin, Esati nuk ishte ndalur dhe ata kishin gjuajtur në të. Askush nuk e dinte se çfarë pozite kishte Sabiti në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës? Ai thoshte se ishte «Inspektor i policisë sekrete të UÇK-së!» Këtë ma ka konfirmuar edhe Sylejman Selimi, ndërsa Rexhep Selimi thoshte se qe «inspektor gjeneral i policisë sekrete të UÇK-së!» Pra, tituj e poste me të cilët qëndisnin veten pa i emëruar kërkush, me të cilat i jepnin të drejtë vetvetes të arrestonin, maltretonin, madje edhe të vrisnin.

Fshati Oshlan edhe më parë ka pasur trima, si Gjakalitë dhe Shutët. Edhe kësaj radhe, të dy këto familje janë treguar luftëtarë dhe kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për luftën. Njëri prej luftëtarëve të mëdhenj të këtij fshati ka qenë edhe Komandanti i Njësisë Speciale, Bekim Shuti, i cili është plagosur disa here. Bekimi është plagosur edhe ditën kur është vrarë Bekim Jashari, por atëherë me një fotoaparat në dorë, duke u munduar të fotografonte rastin. Ka edhe shumë luftëtarë të tjerë të fshatit Oshlan, por të cilëve unë, për fat të keq, nuk ua di emrat të gjithëve. Për të gjithë ata, si edhe për shumë ushtarë të tjerë, unë ruaj një respekt të jashtzakonshëm.

SI RAPORTONIN GAZETARËT NGA LUFTA

Në fillim nga Llausha ka raportuar Fadil Geci, ndërsa nga Likoci Murat Musliu. Po shpesh ka raportuar edhe kush ka mundur, e shumë herë me hamendje. Tahir Desku raportonte nga një telefon me të cilin komunikoja me vëllezërit. Por ka pasur që kanë raportuar edhe në gjendje të dehur. Për besë nuk di as ku e gjenin atë alkool se ne na mungonte gjithçka! Me kujtohet një rast me Tahir Deskun, kur ai po raportonte për aksionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që zhvilloheshin në Likoc. Po ç’është e vërteta Likoci nga Izbica ishte 15 kilometra larg, ndërsa Tahirin e kisha parë tri ditë rresht në Izbicë. Ai me vete nuk kishte as radiolidhje, as telefon. Rrjedhimisht për luftimet në Likoc ishim të informuar në mënyrë të njëjtë, nuk dinim asgjë, as ai, as unë.

Eshtë e vërtetë e pakontestueshme se Njësia Speciale e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës në Likoc ka bërë luftime të rrepta kundër forcave serbe në çdo kohë. Nuk munda të rri pa i thënë: – Po ku po i sheh more Tahir ato aksione e ato luftime? Unë e kuptoja se propaganda për luftën dhe të mirën e saj duhej bërë, por shpesh na krijonin edhe situata të pavolitshme para popullit. Kur raportohej se në këtë vend apo atë vend kishte luftime e fryhej tej mase realiteti, njerëzit pyesnin, pse more po flisni kështu? Prandaj fryrjet e dëmtonin tepër imazhin i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në popull.

Në të vërtetë kjo propagandë orkestrohej nga njerëzit që rrinin në vilën e Enver Hoxhës në Tiranë dhe ishte e destinuar për shqiptarët e Zvicrës dhe të Gjermanisë që të jepnin franga e marka. Këto raporte të fryera neve nuk na bënin përshtypje fare, sepse e dinim fuqinë tonë dhe të shkaut. Ne u kemi përballuar shkijeve dhe kemi bërë të pamundurën. Shumë herë e kemi tejkaluar edhe vetëveten, por forcat e shkijeve veç përparësisë që kishin në teknikën luftarake, qenë polici dhe ushtri e organizuar nën një komandë. Ndërsa ne kishim moralin dhe deshirën e flaktë për çlirimin e Atdheut. Kjo ishte njëra ndër epërsitë e pakta që kishim mbi ta, epërsi që na jepte kurajo dhe na gjallëronte.

KONTRIBUTI I RRECËVE TË LLAUSHËS

Idriz Rreci personalisht ka vizituar çdo pikë, çdo vendqendrim të forcave tona, ka kontaktuar me luftëtarët dhe i ka ndihmuar, me sa ka pasur fuqi, luftës për çlirim. Rrectë e Llaushës janë shembull shumë i mirë se si luftohet për çlirimin e Atdheut. Pra Idrizi e ka përkrahur luftën, por të tjerët nuk e kanë përkrahur Idrizin, prandaj edhe ka rënë viktimë e tyre. Për ilustrim po përmend një mbledhje të mbajtur në Polac.

Me këtë rast, kur Fehmi Lladrofci dhe Gani Koca i thonë Idrizit se qenë «më trima se ai». Ky u thotë: – për trimëri mos u qofsha fal, unë gjithmonë kam luftuar kundër Serbisë, pastaj babë e babëgjysh kanë luftuar kundër shkaut! Idrizin e kanë injoruar dhe prej tij kërkonin ta shuante Lidhjen Demokratike të Kosovës në Skënderaj. Në fillim, Idrizi pranoi për hirë të luftës dhe kundërthënieve brenda rradhëve të luftëtarëve të UÇK-së. Këte e di edhe Sami Lushtaku. Por ndërkohë merr instruksione nga Prishtina dhe nuk e shuan degën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, veç tërhiqet e vendoset në Skenderaj.

Aty e arrestojnë forcat serbe, e dërgojnë në Mitrovicë ku e dërmojnë së rrahuri dhe e lëshojnë. Kthehet nga Mitrovica dhe dy javë ditë rri në Rahovë. Me Adem Ademin dhe me Farukun tentojnë të dalin në Mal të Zi. Gjatë kësaj rruge kapet nga shkiet dhe zhduket pa gjurmë. Me një fjalë Idriz Rreci ka qenë shtyllë e fortë politike, e cila i ndihmonte edhe UÇK-së, por është injoruar nga të tjerët. Fundja ai ka qëndruar në mal tërë kohën me ne. Edhe Rrectë e kanë ndihmuar luftën me bukë, me ujë e me pushkë. Në luftë kanë marrë pjesë edhe Hajrullah Rreci, Skënder Rreci, mësuesi i fshatit, e shumë ushtarë tjerë. Siq e thash edhe më parë, të njejtën ditë kur u vra Legjenda Adem Jashari, atë mëngjes u plagos për vdekje edhe Miftar Rreci.

KUSH I PRANON NË SHTËPI VËLLEZËRIT GECI, DO T’JA GJUAJ SHTËPINË ME TOP!

Meqenëse i përkrahja institucionet e Republikës së Kosovës, mua dhe vllezërit e mi donin të na largonin nga skena politike dhe ushtarake. Mu për këte kishin përgatitur likuidimin tim. Kam qenë i bindur se të gjithë ne do të duhej t’i përkrahnim ato institucione, sepse ato përbënin bërthamën e shtetit që donim të ndërtonim në të ardhmen. Përndryshe do të hiqja dorë, sikur ta dija se do të vinte puna deri aty sa të shkatërronim atë qe e kishim krijuar. Por edhe njerëz nga institucionet kanë pasur faj, sepse jepnin deklarata pa mbulesë, gjoja se kishin numër te madh ushtarësh, të cilët nuk i kishin kërkund. Në atë kohë më qe rritur përgjegjësia edhe për shkak të vëllait të plagosur në të dy këmbët.

Njësitet e Oshlanit e kishin shpëtuar sepse edhe të plagosur hajnat e Vaganicës kishin insistuar ta merrnin. Njësitet e Oshlanit kundërshtuan duke thënë se «pa u shëruar dhe pa ardhë Gani Geci në Shtabin e Oshlanit, këtë djalë nuk e japim!» I kishin caktuar edhe rojën për ta ruajtur deri sa të shkoja unë. Sabiti me kompaninë e tij kishin shkuar të arrestonin personin që e kishte ndihmuar vëllaun tim, një djalë që e ka emrin Avni, dhe gjatë luftës thirrej me pseudonimin «Hundpremi».

Po ky Avni, kishte luftuar në ndihmë të Adem Jasharit në luftimet e 5 marsit 1998. Kishte ardhur këmbë nga Vushtrria në Prekaz për t’iu ndihmuar Jasharajve! Qëndrimi i tij trimëror dhe ndërhyrja e Sami Lushtakut e kishin shpëtuar këtë trim pa rënë në duart e Sabit Gecit. Në Oshlan më pritën mirë. Me vete mora edhe vëllain e Sabit Gecit, Beqirin edhe pse Sabiti kishte dhënë urdhër të më vrisnin. Më parë në Qirez takova Nuhiun, vëllain tjeter të Sabitit të cilin e arrestova. Isha sikur i çmendur. Nuhiut iu drejtova:

– Nëse Sabiti ma ka vrarë vëllain, do t’i kemi punët shumë keq edhe pse të kam vëlla e s’kam ku të çoj! Nëna ime ishte në Izbicë e ne shkuam atje me Nuhiun. Ajo nuk e dinte se djali iu kishte plagosur. Na solli bukë dhe u përshëndet me Nuhiun njerëzishëm dhe pyeti për gjendjen shëndetsësore të Sabitit. Ky ia ktheu: – Mos ma përmend Sabitin! Nënës as që i kishim treguar se si ishte gjendja. Shkova të shikoj se a kishte bërë më mirë Esati. Rrugës takohem në Sabit Gecin dhe më thotë: – Unë në Qirez kam dhënë urdhër me të vra ty Gani, e jo Esatin dhe nëse jam i gjallë kam me të vra.

Përndryshe do ta bëj punën që të më vrasësh ti mua! – Jo, Sabit, unë nuk të vras, jemi vllezër, eja me mua të shkojme ta vizitojmë Esatin. Nëse vëllai më ka bërë më mirë do t’i rregullojmë lehtë këto punë! Me sa më kujtohet, në Oshlan kishte qenë mjek Ismet Shaqiri dhe i kishte bërë një mjekim adekuat vëllait. Në odë ku e kishin vendosur Esatin, nuk lejonin të hynte askush. Më thanë se mund të hyja unë dhe një njeri që do të zgjidhja unë. Hyra me Beqir Gecin që e kisha me veti. Beqirit i thash, «kjo është turp për ne”. Me ne ishte edhe Shani Geci. Esati i plagosur ka qëndruar edhe disa ditë në Balincë të Vushtrrisë te kryetari i Lidhjes Demokratike. Na kanë pritur përzemërsisht, ai dhe familja e tij, po ashtu edhe i gjithë fshati, për çka i falënderoj thellësisht nga zemra.

Ofensiva e shkijeve nëpër Qyqavicë bënte plojë. Në ato kushte të rënda m’u shtua edhe barra e vëllait të cilin e hypa në xhip dhe me Njësitin tim, trup Qyqavicës nëpër terr, shkuam në Prekaz. Me mua kanë qenë edhe Sami Lushtaku e Jetullah Geci. Desha të vinte me ne edhe Sulejman Selimi, por, si duket, nuk e lejuan. Meqenëse vëllai ishte më mirë dhe kishim punë më të madhe me Serbi, vendosa që këtë rast ta lë, «ta harroj».

E mora Esatin e nisa për Skenderaj dhe u ndalëm te Ilaz Kodra, ndër lagjen e Lushtakëve. Pasi ia shpjegova rastin Ilazit ai tha: – Vendoseni Esatin në lagjen e parë të Lushtakëve, apo në shtëpinë e parë afër Lushtakëve. Ne jemi këtu për çdo eventualitet. Do ta mbrojmë edhe po qe se duhet të luftojmë. Nga këtu nuk kemi ku të shkojmë! Shkova te Lushtakët dhe u takova me Samiun. Edhe Samiu më propozoi që Esatin ta vendosja në lagjen e parë afër Lushtakëve. Ilazi ishte vetë i treti, ndërsa Samiu vetë i katërti, të gjithë luftëtarët tjerë kishin shkuar në luftime në Qyqavicë.

Ishte koha kur deklarohei, me papërgjegjësinë më të madhe se gjoja ne «ishim gati të hynim dhe ta çlironim së shpejti Prishtinën!» Ne u pozicionuam në mal e Esatin e vendosëm në një shtëpi të pa meremetuar. Qytetarët nga qyteti i Skenderajt na mbanin me bukë. Tri ditë na ka dhënë bukë Gani Begani i Brojës, i cili, po ashtu, ishte ushtar. Ne shkonim natën edhe në qytet. Kushtet na u vështirësuan, xhipin e lash tek Samiu, se edhe ashtu nuk kishim naftë. Natën e kemi tërhequr vëllain nga ajo shtëpi dhe në këmbë e duar e kemi kaluar rrugën kryesore, në mes të dy punkteve të policisë.

Në këtë mënyrë kemi kaluar në malet e Deviçit. Kemi ndejt atje me Ramadan Gecin e jemi vedosur te Selim Llazicani. Ky kishte mbetur vetëm me një plakë. Të nesërmen kemi dalë në Tushilë e prej aty në Izbicë. Aty e kishim të vendosur edhe familjen. Ushtarët vinin e kontaktonin me Fadilin, por shpesh edhe i rrihnin pse kontaktonin me ne. Abedin Rexha i kishte thënë një bashkëfshatari se: – Kush i pranon në shtëpi vëllezërit Geci do të ia gjuaj shtëpinë me top!

Ky njeri vjen e na tregon. Të nesermen takohem me Abedinin, e rroka për qafe dhe e pyeta: – Pse more po u kërcënohesh njerëzve se kush i pranon vëllezërit Geci do t’ia rrëzosh shtëpinë me top? Abedini tha: – Ne e kemi vrarë Ahmet Krasniqin, e kemi goditur për vdekje Sabri Hamitin dhe do t’i likuidojmë të gjithë përkrahësit e tyre! Këto ishin presione psikologjike të forta. Ai e kishte revolen e unë automatikun. Abedini e çoi dorën te revolja. Unë i kam bërtitur: – Po ma përmende emrin dikund, do të keshë punë me mua. Nëse ta përmendi unë ty, të kam hak! Ne jemi në luftë me shka njëherë, prandaj ti rrugës tende unë times! Në praninë e më se pesëdhjetë burrave e ka çuar dorën në revole. Unë shtiva me dy plumba në tokë dhe i thashë: – Ik, mos ti shoh sytë!

Kjo ka nodhur në Kllodernicë. Abedini hypi në veturën e vet dhe shkoi në drejtim të Turiçecit duke thënë: – Kush është ushtar me armë mos hypni se e vras! Unë me Avni Haxhën, Besim Dajakun, Bashkim dhe Afrim Gecin edhe pse qemë nisur të shkonim në Kastriot, pasi qënduam aty afër pesë minutave u kthyem. Abedini ka qenë me Hamit Binakun dhe Mujë Skenderin, i cili është vra.

Por fatmirësisht Skënderi ka lënë edhe deklaratë me shkrim se si është vrarë Abedin Rexha. Njëherë e kanë detyruar të jepte një deklaratë të rrejshme. Por, për ta pastruar ndërgjegjen e vet, një natë, vet i treti vjen në odën tonë dhe jep një deklaratë tjetër. Ishte me mikun e vet prej Rezallës së Re. Miku i tij prej Ludoviqi është gjallë, quhet Sokol Zabeli. Kur e pyetëm Mujën se pse po e ndërronte deklaratën, ai u përgjegj se: – Është luftë dhe dua ta them realitetin. Për këtë rast ka edhe shumë deklarata të ushtarëve, të cilët kanë qenë të pranishëm në atë rast.

DEKLARATË

(e Skënder Mujë Skënderit)
25 tetor 1998

Unë Skënder Mujë Skënderi, i lindur më 3 korrik 1954 në fshatin Vojnik deklaroj: Më 8 tetor 1998 e kam dhënë një deklaratë, por kam qenë nën presion të rastit që ka ndodhur, prandaj ka mundur të ketë lëshime në atë deklaratë, gjithashtu ka qenë vonë dhe pa rrymë. Dikush tjetër e ka shkruar për mua, sepse unë kam qenë në gjendje shumë të keqe atë mbrëmje, prandaj kjo deklaratë që po e jap tani është realiteti i asaj dite pra, 8 tetor 1998.

Kam qenë tek mjeshtri i kerreve në Kastriot, aty më ka thirrë Abedin Rexha me radio-lidhje dhe më ka thënë me e pritë aty. Pas pak kohe ka ardhur Abedini me Hamitin dhe kanë kërkuar që t’i shoqëroj për të shkuar deri në shtëpi. Kemi marrë rrugën në drejtim të Tyriçevcit. Te shitorja e Smajl Sahitit e kemi parë kerrin e Gani Gecit, të ndalur. Ganiu ia ka bërë me dorë dhe Abedini është ndalur. Ganiu ia ka vënë dorën në krah dhe i ka thënë: – A bënë për disa minuta të pyes diçka? Janë larguar prej njerëzve nja 10 – 15 apo 20 metra, pastaj kanë vazhduar bisedën.

E kam dëgjuar Abedinin kur i ka thënë Ganiut se – Kena me ua bâ më zi se Ahmet Krasniqit dhe Sabri Hamitit!, pastaj janë dëgjuar dy të shtëna, në ajër apo në tokë. Ganiu i ka thënë: – Emrin tim nuk dua ta përmendësh askund! Kanë ndërhyrë njerëzit edhe unë kam shkuar në drejtimin e tyre, mirëpo ata u ndanë pa ndonjë eksces të madh. Abedini është kërcënuar duke u ngjitur në veturë, dhe ka thënë: – Ma q… nënën Nazife që e kam prej Obrije, prej ditës së sotit kam me të vra ku të shoh! Shokëve u ka thënë se «kush është ushtarë me armë mos hipni në kerr se do ta vras». Ne kemi shkuar teposhtë, në drejtimin e Turiçefcit.

Duke shkuar rrugës kemi takuar Gani Bekën. Abedini e ka ndalë kerrin dhe i ka thënë Ganisë: – Merri shokët e shkoni me sulmue punktin në Vitak! Gani Beka, (komandant i fshatit Kllodërnicë), iu ka përgjigjur: – Kam pirë birra e nuk e ndiej vetën mirë. Pastaj i ka thënë Abedini: – Ti në daç mos shko! Ganiu iu ka përgjigjur: – Nuk mund t’i lë shokët vetëm!

Ne kemi vazhduar rrugën në drejtim të Tyriçefcit. Muzika ka qenë me ton të lartë, se çka kanë biseduar Abedini me Hamitin, të cilët kanë qenë të ulur në karriget e para, nuk dëgjohej, për shkak të muzikës. Duke shkuar në drejtim të Tyriçefcit e ka kthyer veturën te shtëpia e Xhevat Zeqes. Hamiti e ka pyetur: – Ku po shkon Abedin? Hajde shkojmë e marrim municionin e ua çojmë shokëve nëpër pika, e lëri këto punë! Ai ia ka pritë: – Nëse tutesh, zbrit!, dhe i ka dhënë kerrit me shpejtësi të madhe, deri te servisi dhe jemi takue me komandantin e Kllodërnicës Gani Bekën.

Abedini ka dalë prej kerri dhe ia ka marrë Ganisë automatikun dhe gjyksoren e ia ka çuar fishekun në tytë. Nuk e dij se (çfarë kanë biseduar! ) se kam qenë brenda në kerr, ka hyrë në kerr dhe armën e ka pas pranë dorës së djathtë. Nuk ka folur asgjë më, vetëm e kam parë se është zbehur në fytyrë. I kena thënë shumë herë – Ngadalë Abedin, mos u ngut! Te shtëpia e mjeshtrit e kemi parë një traktor në anën e djathtë dhe xhipin duke e tejkaluar traktorin.

Abedini e ka ndalë kerrin dhe ka dalë me gjithë Hamitin, unë kam mbetur brenda në kerr. Abedini ka dalë para kerri në anën e djathtë, duke shtirë, i kam dëgjuar disa rafale. Jam munduar të dal prej kerri, kishte shumë krisma. Pastaj kam gjuajtur nga brenda në mënyrë të pakontrolluar. Disi kam dalë prej kerri dhe kam shkuar prapa kerrit te Hamiti në drejtim të Abedinit. Ka pasur shumë të shtëna, duke e tërhjekur si duket ai kishte qenë i plagosur dhe pas pak ka vdekur (fjala është për Abedinin). Krismat kishin pushuar, pastaj kam piskatë: – Mos gjuni se jena shqiptarë! Ka ardhur Musa Dërvishi dhe Njësiti i Kastriotit dhe e kemi shti kufomën në kerr të Musës. Ky është realiteti i kësaj dite tragjike.

Vojnik, më 25 tetor 1998 Deklaroi:
(nënshkrimi i Skënderit)
P. S.
Kur e ka sjellur Skënderi deklaratën ka qenë me të edhe miku i tij nga Rezalla e Re (ish Lludeviqi) dhe një person tjetër, që të dy janë gjallë.

DEKLARATË

Unë Gani Haxhi Bekaj, i lindur më 3. 07. 1961 në Kllodernicë, komuna e Skënderajt, deklaroj se me datën 8. 10. 1998 kam qenë në punëtorinë time duke punuar një traktor të Halim Osmanit. Rreth orës 16. 35 ka ardhur Shaban Latifi me veturë te unë dhe më ka thënë: – Ngutu e bëhu gati se në orën 17.00 e kemi një takim me ushtarë! Unë e kam lënë punën dhe jam bërë gati për të ardhur. Së bashku me Halimin jemi nis me «Askonë» të Halimit për në servis të Shtabi tonë. Pa u ndalur te servisi jemi takuar me Abedin Rexhën, Skënderin dhe Hamidin me BMW. Unë i kam thënë: – Abedin çka u bë kaq vonë? Abedini m’u drejtua pa zbritur nga BMW dhe më tha: – Gani merri shokët dhe shkoni në drejtim të Vitakut për ta sulmuar punktin policor. Unë i kam thënë: – Çfarë sulmi sonte që kemi pirë birra!

Abedini ka vazhduar rrugën në drejtim të Turiçevcit, e unë e Halimi e kemi parkuar veturën para servisit në rrugë. Disa shokë ishin duke na pritur e disa nuk ishin ardhur ende. Pas dy-tre minutash kanë ardhur Osman Leqina, Rrahman Hajdari e Ymer Shala dhe janë ndaluar te shokët e Kllodernicës. Kemi biseduar nja 5 minuta te servisi në këmbë. Në atë kohë është kthyer Abedini në shpejtësi nga kishte shkuar më parë. Ka dalë nga BMW dhe me zë të madh më është drejtuar: – Ma jep automatikun tënd se do të shkoj në drejtim të Kastriotit për të sulmuar! Unë i kam thënë: – Abedin, unë çka të bëj? -Ti ndaç shko e ndaç mos shko! Ymer Shala i ka thënë Abedinit se është një punkt (i policë serbe) te Çitakët për ta sulmuar. Abedini m’u ka drejtuar në mënyrë ultimative dhe ma ka marrrë automatikun dhe gjyksoren e më ka thënë: – Gani, a e ka fishekun në tytë?, dhe është futur në BMW. Me shpejtësi është larguar në drejtim të Kastriotit. Unë jam nisur në drejtim të Vitakut. Vlen të theksohet se kur e kam marrë automatikun më kanë munguar 24 predha blindshpues dhe i kam ndërruar dy karikatorë.

Deklaratën e dha Gani Haxhi Bekaj

DEKLARATË

më 3. 11. 1998, Kllodernicë

Unë Avni Haxha, i lindur më datën 5 nëntor 1975, në Açarevë, komuna e Skënderajt, deklaroj me përgjegjësi të plotë, se do të tregoj të vërtetën e asaj dite të datës 8 tetor 1998. Kemi qenë duke shkuar në Kastriot, unë me katër shokë, me Gani Gecin, Besim Dajakun, Bashkim Gecin dhe Afrim Gecin. Te shitorja në Kllodernicë jemi ndalur me bisedue me disa shokë. Abedini ka trupue me Skënder Dragën e Hamit Binakun. Ganiu e ka ndalë Abedinin dhe e ka pyetur për një problem të vetin. Pas 2 – 3 minutave janë dëgjuar dy të shtëna për tokë, sepse kam qenë ma larg.

Në atë moment kam ngarë e kam kap Abedinin si shok e, e kam shti në kerr. Abedini ka dalë prej kerri e ka thënë: – Pasha nanën, që e kam nga Obria, kam me të vra! Janë përshëndet me Skënder Dragën dhe kanë marrë rrugën teposhtë. Vlen të theksohet se para nisjes së tij teposhtë ka shtuar se: «Kush është shok me armë mos shkoni me Ganiun se kam me e vra». Ne kena fillue të shkojmë në drejtim të punës sonë. Mbasi kemi krye punën në Kastriot jemi kthyer teposhtë, papritmas kemi hasur në kerrin e Abedinit, e kam parë se e kishte ndalur në mes të rrugës, pak si tërthorazi, në anën e poshtme i kanë hapur dyert e kerrit dhe janë dalë dy të parët dhe kanë fillue me shti në kerrin tonë. Unë kam thënë me të madhe: Na u lujt nëna!
Avni Haxha

DEKLARATË

Pjestar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jam i betuar t’i mbrojë interesat kombëtare, ashtu si i ka hije një ushtari të disiplinuar dhe me rrethana të pastërta familjare. Më 8 tetor, në ora 16.00 ishim duke qëndruar në rrugë afër shitorës «Kastrioti» në Kllodërnicë, me një grup njerëzish. Në ato momente u takuan Abedin Rexha me shokë dhe Gani Geci, gjithashtu me shokë. Ata u ndalën dhe u përshëndetën, si dhe u ndanë nga masa në një distancë prej 20 metra.

Biseduan diçka, por ne nuk i dëgjuam, pastaj u dëgjuan të shtëna në ajër apo në tokë. Ne nuk i diktuam, prandaj kemi vrapuar dhe kemi ndërhyrë ku fatmirësisht u ndërpritën (ndanë) pa ekscese. Në të shpërndarë, Abedin Rexhën e dëgjuam duke i thënë Ganiut: – Ma ladrofsh nënën se këtë punë nuk do ta lë!, këtë mund ta dëshmojnë edhe shokët. U shpërndanë në drejtime të kundërta. Abedini në drejtim të Turiçefcit, kurse Ganiu në drejtim të fshatit Kastriot. Pas 30 – 40 minutash u kthye Abedini me shokë, ku fatkeqësisht ndodhi tragjedia, në fshatin Kastriot. Ju falënderoj për mirëkuptim.
Sahit Abazi (nënshkrimi).

DEKLARATË

Ditën kur ka ndodhur ngjarja kam hasur rastësisht në rrugë pranë shitores së Smajl Abazit. Kam parë kur janë takuar personat Gani Geci dhe Abedin Binaku. Pas pak janë ndarë nga masa me një largësi prej 15-20 metra dhe diçka kanë biseduar. Nuk e kam dëgjuar bisedën e tyre vetëm pas pak janë dëgjuar dy krisma në tokë apo në ajër nuk e di. Pas këtyre krismave janë ndarë ndërmjet vete. Janë shpërndarë në drejtime të kundërta.
Deklaratën e dha Fetah Mulaj
Kllodernicë

DEKLARATË

Kastriot, më 18 tetor 1998

Veturen BMW nuk e kam parë, ndërsa xhipin e Ganisë, kur ka frenuar e kam parë. E kam parë kur ia kanë thyer xhamat me rafal, i kam parë ata kur kanë rënë brenda në xhip. Pastaj e kam parë Ganiun kur e ka vënë automatikun mbi timon dhe ka gjuajtur, pastaj unë kam ikur në katin e dytë dhe nuk di se çka ka ndodhur më vonë.
Imer Kadri Haliti

DEKLARATË

20 tetor 1998

Unë nuk e kam parë BMW-në a është ndalur apo jo, veç e kam parë xhipin kur ka frenuar, dhe është dëgjuar rafali i automatikut, atëherë e kam parë Ganiun kur e ka qitur automatikun mbi volan, pastaj i kam parë të gjithë kur kanë dalë prej xhipit.
Alush Demush Ahmetaj
nënshkrimi

DEKLARATË

Unë Bashkim Ferat Geci, i lindur më 26 tetor 1974 në fshatin Llaushë, komuna e Skënderajt, deklaroj: Më 8 tetor 1998 rreth orës 16.00 kemi qenë duke shkuar në fshatin Kastriot, unë, Gani Geci, Avni Haxha, Afrim Geci dhe Besim Dajaku. Në fshatin Kllodernicë jam takuar me Bajram Galan Gecin dhe disa fshatarë të tjerë, duke hipur në veturë, me qëllim shkuarje në Kastriot. Në atë moment ka ardhur një BMW, Ganiu ia ka bërë me dorë dhe vetura u ndal.

Pastaj janë larguar nja 10 – 15 metra dhe kanë biseduar diçka. Pastaj e kam dëgjuar Abedinin duke thënë: – E kam vrarë Ahmet Krasniqin! Nuk e di mirë se çka thonin, pastaj i kam dëgjuar dy krisma në tokë, pastaj kanë ndërhyrë disa njerëz që e kanë shtyrë Ganiun përpjetë. Skënderi e ka patur automatikun në dorë dhe ka fillu të shkojë në drejtim të Ganiut, i kam dalë përpara dhe e kam ndalur. Abedini ka sharë duke thënë:

– Ma q… nanën (me emër), prej Obrije se kam me të vra!, dhe ka thanë: – Kush është shokë me armë mos hypni në kerr!, dhe kemi shkuar përpjetë e ai ka shkuar teposhtë. Ne kemi shkuar deri në Kastriot, pas 10 minutave jemi kthyer teposhtë, e kam parë BMW-në të ndalur për së trup, një traktor ka qenë para nesh. Kur e kanë parë kerrin tonë, dy të parët kanë dalë prej kerrit dhe kanë shti në drejtimin tonë. Dikush në kerr ka piskatë: – Na u q… nana, na vrajtën! Unë kam qenë në mes, nuk kam mundur të dal, nga njëra anë ka qenë Besimi, nga tjetra Afrimi. Di se Afrimi e ka çel derën, duke u munduar të dalë, iu kanë përthurë këmbët dhe ka rënë me krye teposhtë në tokë.

Kam menduar se atë e kanë marrë plumbat, e kam shtyrë me këmbë e vet kam rënë me shpinë për tokë. Kam dal diqysh pas veture, e pash Ganiun pas kerri, unë kam ikur në anën e epërme të rrugës mbrapa shtëpisë. Avniun e kam parë duke folur me Skënder Dragën. Kam dashur të gjuaj, ai e kishte pasur automatikun në drejtimin tonë, por Avniu ka thënë: – Mos gjuni se jemi shqiptarë!, unë dhe Afrimi jemi larguar përpjetë, edhe Avniu ka ardhur me ne, unë nuk e dij se çka është bërë më. Avniu ka shtuar se: – Më duket se është plagosur Ganiu, më nuk di asgjë.

Deklaron: Bashkim F. Geci
(nënshkrimi) Më, 15 tetor 1998

DEKLARATË

Unë, Besim Hasan Dajaku, i lindur më 19 dhjetor 1969, në fshatin Rakinicë, komuna e Skënderajt ; deklaroj: Më 8 tetor 1998 rreth orës 14.00 jam takuar rastësisht me shokun tim Gani Gecin në fshatin Kllodërnicë. Ganiu më ka thënë: – Hajde të shkojmë deri në Izbicë për të ngrënë drekë. Ne kemi shkuar në Izbicë. Te lumi, në Izbicë, kemi mbetur me xhip në lloç. Rreth orës 15.30 Ganiu më ka thënë: – Ngjitnu ju e hani drekë, se unë kam me shkue me Avniun deri në fshatin Kastriot».

Në ora 17.00 unë i kam thënë se po vij edhe unë me ju. Dhe jemi nisur. Kur kemi shkuar në Kllodërnicë jemi ndalur te shitorja me disa shokë. Ka ardhur Abedini me BMW-në, me Hamit Binakun e Skënder Dragën. Ganiu e ka ndalë Abedinin për ta pyetur për disa punë të veta. Janë larguar nja 15 – 20 metra për të biseduar.

Nuk janë dëgjuar se çka flisnin ndër vete. Pastaj e kam dëgjuar Abedinin kur ka thënë: – Tanve kena me ju vra, pastaj janë dëgjuar të shtëna për toke. Kanë ndërhyrë njerëzit, pastaj janë ndarë. Abedini i tha Ganiut: – Ti më vrave, Zoti nuk më ka vrarë! – pastaj ka shtuar – Ma q… nanën (me emër prej Obrije), se kam me ti shpërblyer këta plumba! Pastaj ka dalë prej kerri dhe ka thënë: – Kush është shok me armë, mos shkoni me ta se kam m’i vra!

Ne jemi ngjitur në veturë dhe kena shkuar deri në Kastriot, pas pak jemi kthyer te poshtë. Papritmas kemi hasur në BMW-në e Abedinit, të ndalur në mes të rrugës pak si tërthorazi. Dy të parët kanë dalë si e kanë parë kerrin tonë dhe papritmas filluan të shtijnë në xhipin tonë. Dikush briti: – Na vrajtën! Shokët që kanë qenë me mua janë mundue me dalë prej kerri, por nuk kanë mundur prej plumbave. Nuk e dij se si kanë dalë, vetëm unë kam rënë nën karriga deri sa kanë pushuar krismat.

Pastaj kam dëgjuar gruan në traktor duke piskatë: – O, ma vratë djalin! Kam dalë prej kerri dhe kam shkuar e kam marrë djalin dhe e kam qitë në traktor. Djali kishte qenë i fshehur pas traktorit në anën e kerrit tonë. I kam dhënë traktorit përpara, me gruan, djalin dhe një vajzë, dhe i çova deri në Kllodërnicë. Kur jam ngjitur në traktor e kam parë Hamitin në pozicion pas BMW-së, pastaj nuk e dij se çka është bërë.

Besim Dajaku (nënshkrimi)
Rakinicë, më 9 nëntor 1998

DEKLARATË

Unë, Gani Geci, i lindur më 20 janar 1968 në fshatin Llaushë, komuna e Skënderajt deklaroj se: Rreth orës 16. °° kam qenë duke shkuar deri në Kastriot. Në Kllodërnicë te shitorja jam takuar me Bajram Gecin si dhe disa fshatarë të tjerë të Kllodërnicës. Kemi biseduar, si jeni, si po kaloni dhe a po mërziten. Duke shkuar tek kerri ka ardhur Abedini me Hamitin e Skënderin.

Ua kam bërë me dorë dhe janë ndalur. Jemi larguar nja 10 – 15 metra larg prej njerëzve, për të biseduar. Pastaj i thashë: «Pse bre Abedin po ju thue njerëzve se, «nëse rrini me Fadilin dhe vëllezërit e tij do t’ua gjuaj shtëpitë me top? Ai më ka thënë se: – Ne e kena vrarë Ahmet Krasniqin dhe Sabri Hamitin, edhe juve kena me ju vra të gjithëve, kush është me ta!, dhe e ka çuar dorën te revolja. Unë jam nervozuar dhe i kam zbrazur dy fishekë në tokë.

Njerëzit ndërhynë, Abedini shau dhe tha: – Ti më vrave, por Zoti nuk më ka vrarë! Unë nuk kam dashur ta vras Abedinin se me pas dashur e kisha vrarë aty. Ka pasur shumë dëshmitarë të cilëve nuk ua di emrat. Ai ka shtuar: – Sot do të vras!, pastaj ka vazhduar rrugën teposhtë. Unë kam shkuar përpjetë deri në Kastriot, të kryej disa punë. Pas kryerjes së punëve jam kthyer.

Arsyen përse kam qenë në Kastriot e di Kadri Haliti e të gjithë ushtarët e Kastriotit bashkë me komandantin e tyre. Në kerr kam qenë bashkë me Avni Haxhën, Besim Dajakun, Bashkim Gecin dhe Afrim Gecin. Duke u kthyer te shtëpia e mjeshtrit të kerreve e kemi parë BMW-në e ndalur tërthor. Në momentin kur e kanë parë kerrin tonë kanë dalë dy të parët dhe i kanë nxjerrë automatikët mbi dyer.

Menjëherë filluan të shtijnë. Shokët kanë bërtitur: – Na vranë! dhe kanë fillue me ikë. Unë e kam pasë automatikun në prehër, jam përkulur dhe nën timon e kam hapur derën. Automatikun e kam ngritur dhe kam shti në drejtim të tyre. Mandej kam dal jashtë. Kam ikur prapa kerrit dhe kam shkuar në drejtim të një shtëpie në anën e poshtme të rrugës.

Të shtëna janë dëgjuar nga shumë drejtime. Kam pasur gjak në fytyrë nga spirrat e xhamave. I kam larë sytë dhe jam kthye për të parë se çka është bërë. Te kerri e kam takuar Skënderin, e kam pyetur se kush është vrarë, dhe a janë vrarë ata që kanë qenë me mua? Ai m’u ka përgjigj se: – Është vrarë Abedini. Skënderit i kam thënë se duhet ta tregonte realitetin. Vlen të theksohet se diku nja 5 – 6 metra, në anën e djathtë ka qenë një traktor me disa fëmijë e gra. Ata e dinë rastin shumë mirë. Kur jam kthyer te kerri BMW, kerri im nuk ishte më aty, e kishin marrë disa djem dhe e kishin dërguar dikund.

Deklaraten e jep Gani Geci
(nënshkrimi) me 10 tetor, 1998

DEKLARATË

e pesë dëshmitarëve

Më 7 tetor 1998 jemi takuar te mjeshtri i kerreve me Imer Kadri Halitin, në fshatin Kastriot, me Gani Gecin, Avni Haxhen, Afrim Gecin dhe Bashkim Gecin. Aty kemi biseduar rreth situatës së përgjithshme dhe problemeve të cilat na mundonin të gjithëve, rreth disa plaçkitjeve që i bënte policia serbe, pothuajse çdo ditë në lagjen Topallaj si dhe lagjet tjera. Me Ganiun dhe Avniun biseduam për mungesë të disa armëve me durbi (snajperka).

Ganiu dhe Avniu na premtuan se «kur të doni ua sjellim». Më në fund vendosëm për të nesërmen, më 8 tetor 1998, diku rreth orës 12.00. Të nesërmen Ganiu dhe Avniu, të shoqëruar me Afrimin dhe Bashkimin na i sollën 3 snajperka. Pasi që ishte koha e drekës ne hëngrëm së bashku të gjithë. Ata deshën të na shoqërojnë në një aksion, mirëpo ne propozuam që aksionin ta kryejmë vetë. Ata na thanë: – Si të doni, ne nuk përtojmë as nuk ua imponojmë, vendosni vetë.

Ne vendosëm që aksionin ta kryejmë vetë pa personat në fjalë. Me Ganiun, Avniun, Bashkimin e Afrimin u përshëndetëm dhe iu tham të ktheheshin rreth orës 17.00 dhe t’i marrin armët e veta. Ne e kryem punën tonë dhe u tërhoqëm pak para orës 17.00. Ganiu, Avniu, Besimi, Afrimi dhe Bashkimi pas pak kohe arritën për t’i marrë armët e veta. Personat në fjalë vazhduan rrugën, i falënderuam dhe u përshëndetëm. Pas 5 – 10 minuta u dëgjuan disa rafale të gjata automatiku.

Ne menduam se në fshat hyri policia serbe. Dolëm në oborr dhe dëgjuam se nga po shtihet. Vrapuam në drejtim të të shtënave. Rrugës morëm vesh se dikush në mes veti. Po sa arritëm në vendin e ngjarjes, pamë xhipin me të gjithë xhamat e thyer, vetura ishte në kontakt. Më poshtë pamë një BMW, të ndalur tërthorazi, në anën e majtë. Aty pamë, mbi BMW-në, karikatorin e zbrazur. Aty afër 4 – 5 metra, pamë kufomën e Abedinit, pranë saj e pamë Skënder Dragën. (Skënder Mujë Skënderin). Mbi gjoksin e së cilës (kufomës) ishte një automatik me dy karikatore.

Vërtetuan: 1. nënshkrim (Rushit Haliti)
2. nënshkrim (Sadik Halili)
3. nënshkrim
4. nënshkrim
5. nënshkrim

DEKLARATË

e dy dëshmitarëve

Deklarojmë me përgjegjësi të plotë se më 8 tetor të vitit 1998, rreth orës 17.00 e kemi parë Abedinin dhe dy persona tjerë: Hamit Binakun dhe Skënder Dragën, te servisi janë takuar me Gani Bekën. Abedini kishte qenë shumë nervoz. I a ka marrë Ganiut automatikun dhe gjyksorën dhe menjëherë ia ka çu në tyt plumbin, pastaj i ka dhënë shllajf rrotëve të BMW-së dhe ka marrë rrugën përpjetë.
Dëshmitarët që e kanë parë janë:
1. Xhevat Selimi (nënshkrimi)
2. Bekim Shala (nënshkrimi)

DEKLARATË

e dëshmitarit Refki Abazi

Kur ka qenë rasti mes Gani Gecit dhe Abedinit, kam qenë aty prezent. Fillimisht isha duke ndejtur me disa shokë, kur ka ardhur Ganiu me kerr me disa shokë të vet. Kur e pa kushëririn e vet, u ndal dhe bisedoi me neve dhe u afruan edhe disa të tjerë. Ka ndejtur kështu me neve rreth disa minuta, duke bërë llaf dhe muhabet. Pastaj u përshëndet me neve dhe tha: «Më falni se jam pa kohë, më duhet të shkoj deri te i biri i Kadri Monit për me kqyrë një kerr se nuk po më punon mirë».

Duke hyrë në veturë, në atë moment ka ardhur rastësisht Abedini dhe e ka ndalur veturën, ka folur diçka me Ganiun. Pastaj kanë zbritur nga veturat dhe janë larguar disa metra, rreth 30 metra. Se çka kanë biseduar mes vete nuk e di, ne e kemi vazhduar muhabetin, unë fola me Bajramin, vetëm e kam ni kur kanë ndërhyrë disa të tjerë në mes tyre dhe i kanë ndarë. Kur u afrua e kemi dëgjuar Abedinin duke thënë se «me m’ja bâ nënës kështu e ashtu se me mua s’ki me u nda mirë». Pastaj Abedini hipi në veturë dhe u nis në drejtim të Tyriçefcit. Pas 10 minutash u kthye me shpejtësi dhe në hymje të Kastriotit janë dëgjuar disa të shtëna, dhe pastaj nuk di asgjë.

QËNDROJ PRANË DEKLARATAVE TË MIJA SE ABEDIN REXHA KA DALË TË MË VRASË MUA, E JO UNË ATË

Abedin Rexha i ka marrë për vrasjen time 40’000 Franga zvicerane në Kopiliq. Për këte më ka thënë Sejdi Reka, sepse këto para Abedinit iu kanë ofruar në shtëpinë e tij. Më vonë është vrarë Sejdiu. Vrasje tjetër në Drenicë është edhe vrasja e komandant «Korbit», i cili është vrarë në shkollën e Cerovikut, nëse nuk gaboj. Kjo vrasje është, po ashtu, enigmatike, por ka edhe indikacione se është vrarë nga disa djem, që sot kanë pozicione të larta në TMK.

Komandant Korbi ka qenë luftëtar me përvojë të madhe, ishte regjur edhe në frotet kroate. Ata nuk u mjaftuan me vetëshkatërrim, prandaj rrethuan Izbicën, duke menduar se gjindesha aty. Por unë kam qenë në Llaushë.

Me atë rast nuk u kursyen aspak, por përkundrazi ma ofenduan nënën, me gjithëfarë fjalësh, dhe e kërcënuan se do ta djegin shtëpinë. Ka shkuar puna deri tek këmbimi i zjarrit në mes tyre dhe djemve të Bacit Lilë.

– Qitjani flakën nga larg, sikur shkijet, se për Besë, nëse vini lart, do të ndaheni keq!, – u pat thënë nëna ime.

Me atë rast, ishte krijuar rrëmujë e madhe, por intervenoi Sylejman Selimi dhe ata u tërhoqën. Të nesërmen vjen tek ne Jetullah Geci. Nëna ia sqaron rastin. E tërë kjo propagandë, kundër familjes sime, bëhej si në Kosovë ashtu edhe në Perëndim, por pa sukses: vetëm për shkak se ne, vëllezërit Geci, përkrahnim Institucionet e Republikës së Kosovës dhe UÇK-së. Po të kisha pasur qëndrim tjetër ndaj UÇK-së, nuk do të kisha marrë pjesë në më se tridhjetë aksione luftarake.

Pasi përfunduan ofensivat e shkijeve, këta persona tërhiqen dhe vendosem në malet e Berishës, vetëm atëherë u ndal propaganda ndaj meje dhe familjes sime. Akuzat e tyre për vrasjen, të bërë nga unë, nuk kishin vend, sepse prej shqiptarëve, pa u konsultuar me askënd, kam menduar ta vras vetëm Basri Pllanën.

Ndryshe, unë gjithmonë kam konsideruar se këto çështje u takojnë gjyqeve civile apo ushtarake.

BOTA SOT, reviale 15 nëntor 1998

Reagim i Komandës së UÇK-së në Llaushë dhe ZO të Drenicës ndaj Komunikatës nr. 59 të SHP të UÇK-së

AKUZAT NUK KANË BAZË

Komanda e UÇK-së në Llaushë dhe disa ushtarë të UÇK- së kanë bërë një reagim me shkrim në mjetet e informimit ndaj një komunikate të Shtabit të Përgjithshëm (SHP) të UÇK-së.

Në reagim thuhet:

Ne, ushtarët e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës në fshatin Llaushë, reagojmë ashpër ndaj komunikatës nr. 59 të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës të datës 31 tetor 1998, botuar në gazetën “Bota e Re”.

Në këtë komunikatë të Shtabit të Përgjithshëm thuhet: “Abedin Rexha u vra nga kolaboracionisti me damkë Gani Geci, i lindur në Llaushë, i cili edhe më herët e edhe gjatë ofensivës së fundit serbe, është parë i maskuar duke i prirë policisë serbe në masakrat që u kryen mbi popullin civil të Drenicës”.

Të gjithë ushtarët e fshatit Llaushë reagojnë njëzëri dhe thëniet e komunikatës nr. 59 i hedhin poshtë si krejtësisht të pavërteta, tendencioze e qëllimkëqia, duke dalë nga një klan dhe që kanë për qëllim njollosjen e luftëtarëve të devotshëm, siç është Gani Geci që nga fillimi i luftës dhe më parë.

Këtij reagimi i bashkëngjiten, duke e shprehur pezmin e tyre, edhe ushtarët e të gjitha fshatrave përreth, si të atyre në Prekaz, Rezallë e fshatrave të tjera. Ne ushtarët e këtij rrethi e njohim shumë mirë Gani Gecin si ushtar që nga viti 1991, kur policia famëkeqe serbe ia mësyu Prekazit dhe konkretisht familjes së Adem Jasharit. Gjithashtu edhe gjatë viteve në vazhdim e dimë fort mirë veprimtarinë e tij.

Gjatë të gjitha ofensivave, Gani Geci ka qenë në mesin tonë, ndërsa në atë të fundit ai ndodhej gjatë tërë kohës në Prekaz, dhe këtë e dëshmojnë komandantët Sami Lushtaku, Ilaz Kodra dhe Nuredin Lushtaku. Andaj, thëniet në këtë komunikatë, e çka është edhe më skandaloze, të lëshuar në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, se “Ganiu i ka pri ofensivës serbe me maskë”, janë një trillim dhe përpjekje për njollosjen e ushtarit tonë më aktiv në luftë kundër okupatorit serb. Gjithashtu, kjo është një njollosje edhe për tërë fshatin tonë. Këto akuza nuk kanë kurrfarë baz, andaj në këtë reagim bashkëngjitet edhe komanda e fshatit Prekaz.

Ushtarët tanë ndjejnë dhembje për humbjen e Abedin Rexhës, komandant në fshatin Vojnik, dhe familjes së tij i shprehim ngushëllime të thella për humbjen e birit të tyre. Vrasja e Abedinit na ka indinjuar të gjithëve, por për publikimin e një komunikate të tillë, Shtabi i Përgjithshëm është dashur të konsultohet me të gjithë, e edhe me komandën e fshatit tonë dhe fshatrat tjera, e jo si e tillë komunikata të shkruhet pa konsultime edhe të vetë anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Në bazë të të dhënave të dëshmitarëve, që kanë qenë prezentë në datën kritike në fshatin Klladërnicë, rasti qëndron ndryshe nga thëniet në komunikatë, dhe se për të gjitha këto ekzistojnë dëshmitë e gjalla se Ganiu këtu vetëm është mbrojtur.

Dëshirojmë që reagimi ynë, të paktën për hirë të së vërtetës, të gjejë vend në gazetën tuaj.

Reagimin e bën Komanda e fshatit Llaushë si dhe të gjithë ushtarët”, thuhet në reagimin e nënshkruar nga Sami Lushtaku, Ilaz Kadriu, Nuradin Lushtaku, Bashkim Jashari, Jetullah Geci, Musli Geci, Sokol Zabeli e tjerë. (QIK).

LETËR E HAPUR DREJTUAR QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, SHTATOR 1998

Në rrethanat e tanishme politike e ushtarake, populli i Kosovës është katandisur në një katrahurë dhe nuk di se kë duhet dëgjuar dhe në cilën hierarki duhet të rreshtohet. Në njërën anë është Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, përfaqësuesi politik i saj dhe në anën tjetër qëndron Qeveria e Republikës së Kosovës me kryeministrin e saj në ekzil, të cilët janë të dhëna pas fjalëve, letrave dhe komunikatave të ndryshme. Në Kosovë këto letra dhe komunikata priten si shtetërore e në fakt të shkruash e të flasësh nga Boni, Gjeneva e ndoshta edhe nga Tirana, tani për tani është sikur të hipësh në Hënë dhe ta vështrosh Tokën.

Nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është e aftë dhe e guximshme që ta marrë përgjegjësinë për këtë popull, atëherë, ministrat e saj duhet t’i tregojnë haptas këtij populli se vendet që i kanë në institucionet shtetërore nuk janë të aftë t’i mbajnë, prandaj këto vende t’i lirojnë, mos t’i pengojnë të tjerët që me projektet e veta, çfarëdo qofshin ato, ta formojnë shtetin.

Me ne po çuditet e tërë bota, e cila na sygjeron të bashkohemi dhe të dalim me një qëndrim të përbashkët me qëllim të zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare, ndërsa ne, kurrsesi ta bëjmë këtë. Nëse nuk keni guxim të ballafaqoheni me problemet që po dalin këtu, brenda dhe jashtë Kosovës, atëherë kredibilitetin si Qeveri për ta qeverisur këtë popull mund ta humbisni dhe përgjegjësia do të bjerë mbi ju, pavarësisht se si do të rrjedhin situatat me këtë popull. Nëse nuk keni mundësi t’i mënjanoni nga skena politike njerëzit jo kompetentë, siç po i quani ju këta njerëz, atëherë këta «njerëz jo kompetent» do t’ju largojnë juve nga skena politike.

Në rrethanat e tanishme, ta kritikosh Presidentin është shumë më keq se sa ta kritikosh Qeverinë, sepse Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbledhur oficierë rreth vetes, i paguan ata që të qëndrojnë në Tiranë apo diku tjetër dhe e vështrojnë Kosovën në kanalet televizive evropiane dhe kurrsesi nuk e marrin guximin të vijnë këtu e të ballafaqohen me problemet në terren. Tani Kosovës i duhen njerëzit guximtarë të cilët me mund e sakrifica do të arrijnë diçka. Ne nuk na duhen ministra frikacakë, që frikësohen nga hija, se mund të ndodhë kjo apo ajo e keqe, që më e arësyeshme u duket të rrinë e të vështrojnë.

Të gjithë ju që pretendoni t’i zini vendet në kolltuqe, pa kurrfarë rrezikimi, ta dini se do të hasni në kundërshtime të rrepta të një pjese të njerëzve që ndoshta janë joprofesionistë për pozitat që i kanë tani. Por nëse ju vonoheni dhe nuk vini, kur Kosovës i duheni dhe kur në Kosovë vriten për një ditë nga 12 persona, 36, dhe në masakren e fundit edhe 52 civilë e ushtarë të këtij populli, përgjegjësinë për këtë do ta marrë dikush, e, nëse ju pretendoni se nuk jeni përgjegjës për këto ngjarje, unë mendoj se ju nuk mund të mos ta ndieni vetën përgjegjës, sepse populli do ta kërkojë përgjegjësinë edhe nga Ju, dhe gabimet nuk do t’ua falë.

Me punën tuaj, në letra dhe pa rezultate janë thelluar përçarjet, aq sa Serbisë nuk i mbetet gjë tjetër vetëm ta veshë uniformën civile dhe të dalë nëpër qytete, gjëra që edhe po i bën, të vrasë njerëz nga njëri krah politik e ushtarak, të kthehet prapë të vrasë nga krahu tjetër dhe para botës të na prezentojë si vrasës të njëri- tjetrit. Unë mendoj se përgjegjësia për mosunitet do t’i takojë secilit nga ju. Edhe nga Ushtria Çlirimtare një ditë do të kërkohet përgjegjësia, sepse ky popull një ditë do të ngopet me të gjitha e të gjithëve do t’ju thotë «stop», se kështu nuk bën. Po dëgjohen zëra që thonë se «Ne që gjoja kemi kërkuar luftë edhe e kemi gjetur luftën!. Dhe ata që nuk e deshën luftën po qëndrojnë diku në Shqipëri dhe po kritikojnë për mospunë apo për mosprofesionalizëm.

Duhet ta dijmë se tani është luftë dhe për mosprofesionalizimin e UÇK-së përgjegjësinë e mbani Ju. Nëse Ju mendoni se Kosova çlirohet nga Tirana, atëherë duhet ta dini se Tirana është e çliruar dhe Kosova është këtu dhe e pushtuar nga serbët. Të gjithë po e kërkojnë institucionalizimin e jetës këtu në Kosovë dhe ndoshta edhe dikush mund të vritet, pse po e kërkon këtë gjë. Me luftën tuaj për pushtet po rrezikohen jetëra njerëzish nga të dy krahët politik e disa, tani mund të quhen me lloj-lloj emrash. Por ta dini se guximi për të rënë në sprova të mëdha për këtë popull është virtyti më i lartë për njeriun.

Këtu në Kosovë njerëzit po kërkojnë e po kërkojnë institucione, po kërkojnë veprime shtetërore, përfaqësimin shtetëror, por përveç Presidentit dhe disa mbledhjeve të fundit të Parlamentit, mbledhje kryesisht në letra, nuk kemi ndonjë përfaqësim tjetër shtetëror. Ta dini se ne armë për t’u vrarë me njëri tjetrin kemi mjaftë dhe, edhe për fajet Tuaja mund të ndodhë kjo.

Mos harroni se dy fonde për një shtet mund të shkaktojnë vëllavrasje, sepse që të dy fondet thonë se janë shtetërore dhe liri sjellëse e për harxhimet e këtyre fondeve nuk di askush. Ne këtu shumë njerëzve po ua shohim xhepat me plotë para të këtij populli e dikush akuzohet se «ka marrë para nga fondi Juaj» pa e marrë asnjë metelik. Ne po kërkojmë nga Ju, që të vini këtu dhe të punoni për këtë popull në këto ditë të vështira.

Më duhet t’i citoj fjalët e një oficieri që kishte ardhur në Drenicë dhe kishte kërkuar që aftësitë e tij profesionale t’i tregojë në luftë me armikun (kjo ka ndodhur në maj të vitit të kaluar) dhe një nga komandantët e Drenicës i kishte thënë se «je vonuar», mirëpo ai i a ktheu: «Unë jam vonuar për familjet Jashari, për Adem Jasharin, ndërsa për juve që jeni gjallë kam ardhur më kohë! Ky oficier tani është komandant diku në zonat e Kosovës dhe të gjitha aftësitë e tij po i tregon në luftë me armikun. Nëse Ju nuk vini, lironi vendet që ne ta dimë të paktën që nuk kemi Qeveri dhe kush është i zoti ta formojë Qeverinë, le ta formojë.

Deri sa të dalim në zgjedhje të reja ta dimë se kush na përfaqëson, dhe kushdo që të na përfaqësojë, ta marrë barrën mbi supe për të gjitha të mirat apo të këqijat që do të na ndodhin, të veçojmë dhe akuzojmë vetëm atë që bën keq.

Gani Geci

TË GJITHA “MISTERET” E “KOMUNIKATËS 59” TË SHP TË UCK-së

Shtabi i Përgjithshëm lëshoi «Komunikatën numër 59», sipas së cilës akuzohem për vepra që, jo vetëm që nuk i kisha bërë, por as që i kisha parë në ëndërr. Kundër atij shkrimi kanë reaguar Shtabi i Prekazit, i Llaushës dhe ai i Drenicës. Bashkim Jashari dëshmon se në atë kohë unë isha në Prekaz. Në «Zërin e Kosovës» filloi një fushatë neveritëse kundër familjes sime dhe meje. Mehmet Bislimi shkruante me pseudonimin Bali Katravella, duke menduar se ne vëllezërit Geci nuk e dinim se kush e ka shkruar atë artikull.

Aty shihej se imagjinata dhe mënyra e fyerjeve të tyre ashtu si edhe shantazhet, ishin tipike staliniste. Më duhet të shtoj se, pasi ka dalë ajo komunikatë, kam qenë nervoz tej mase, por edhe më mirë u bë që nuk i takova ata individë që e kishin përpiluar e shkruar atë shkarravinë, e jo Shtabi i Përgjithshëm, sepse po të ishte vepër e Shtabit të Përgjithshëm, aty do të duhej të ishin prezent edhe përfaqësuesit e Shtabit të Drenicës. Prandaj, ajo shkresë është hedhur poshtë nga tërë Drenica. Me të janë marrë të gjitha gazetat.

FAMILJES SË TIJ I PËRGJIGJEM SIPAS KANUNIT, NDËRSA SHTETIT SIPAS LIGJIT

Kam kërkuar që me familjen e Abedin Rexhes të merremi vesh, qoftë me Kanun, qoftë me drejtësi ligjore, me anë të gjyqit civil apo ushtarak, para Shtabit të Përgjithshëm, nëse ka pasur fare Shtab. Kërkesa ime mbetet ende në fuqi. Për t’i vërtetuar misteriet e komunikatës 59, si argument kam marrë edhe shkrimin e Maxhun Ismajlit të botuar në «Eurozëri», në të cilën shtjellohet në një farë mënyre edhe komunikata 59. Maxhun Ismajli ka qenë reporter i luftës fillimisht në Rrafshin e Dukagjinit, e më vonë ka ardhur në Drenicë.
Shkrimet e tij i konsideroj të bazuara edhe pse gjatë luftës këtë person nuk e kam takuar as që e kam njohur më parë.

SHPESHËHERË NJERIU KA MË SHUMË FRIKË NGA E VËRTETA SE SA NGA VDEKJA

Në Drenicë, herë pas herë, kam shkuar nga muaji janar i ‘98-tës. Sa herë që shkoja, sikur merrja shpirtë e forcë për t’i përballuar të gjitha vështirësitë që më paraqitëshin gjatë lëvizjeve të mia nëpër zonat e luftës. Por, shpesh më krijohej përshtypja se drenicasit janë njerëz të egër, jo vetëm për armikun, por edhe për shqiptarin, edhe për vëllezërit e të afërmit e tyre. Të shumta janë ato familje që i kishin vrarë njëri-tjetrin nga një, dy e më shumë anëtarë të familjes, me motive primitive që vërtetë nuk kishin arsye.

Por, gjatë luftës, ishin përkrah njëri tjetrit. Kështu kishin vepruar edhe shtatë vëllezërit, babain e të cilëve ua kishin vrarë fqinjtë e tyre, kurse gjakun ua kishte falur Drenica në kohën e pajtimit të gjaqeve. Gani Geci kishte shkuar dhe i kishte ftuar që të dalin përkrah njëri tjetrit, si vëllezër të një nëne në luftë kundër shkaut. Çmimi i një «kallashi» sillej prej 1300 – 1500 DM. Ishte fshati Llaushë që për pesë muaj pas luftës së shenjtë të Jasharajve në Prekaz e barti barrën më të rëndë të luftës në Drenicë. Ky fshat sulmohej çdo ditë, kurse armatimi i mungonte.

Më një mungesë të madhe të armatimit ishte përballur edhe Adem Jashari, i cili duke qenë i vetëdijshëm se ç’farë po përgatiste Serbia për familjën e tij dhe Drenicën, ka kërkuar një ndihmë prej 600 mijë markash nga Bujar Bukoshi, i cili nuk ia kishte dhënë. Ademi kishte kërkuar ndihmë edhe nga LPK-ja, por kot. E kotë ishte edhe perpjekja e Rifatit (vëllait të madh të Ademit), për të grumbulluar mjete nga shqiptarët në Gjermani, sepse i duhej kohë e gjatë, e atë nuk ia mundësuan forcat e armikut, që sulmuan Prekazin, pikërisht familjën e Jasharajve, të cilët arritën t’i mposhtin pas dy ditë luftimesh, ku Adem Jashari, bashkë me familjën e tij të gjërë, përfundoi pasi u kishte mbaruar municioni, gjëra për të cilat do të jap dikush, dikur edhe përgjegjësi.

Hamit Krasniqi, ish-kryetar i Komisionit për informim pranë LDK-së, dhe anëtarë i kryesisë së LDK-së, dega në Klinë, njëherësh edhe fytyra më e ndritur e kësaj komune, tani dëshmor i kombit, ishte në kontakte të vazhdueshme me pjestarët e UÇK-së në Drenicë, qysh para luftës së Lludeviçit në nëntor të ‘97-tës, në Rezallë të Re. Menjëherë pas vdekjës së Adem Jasharit, jam ngarkuar unë (Maxhun Smajli) nga Hamit Krasniqi të takohëm me Fadil Gecin, i cili bashkë me disa trima të tjerë e kishin marrë barrën e mobilizimit të ushtarëve të Llaushës dhe kishin nevojë për sigurimin e korridorit për në fshatrat e Dushkajës së Gjakovës.

Përmes disa rrugicave arrita në Llaushë, ku u ndalova nga disa pjestarë të UÇK-së, të cilët në fillim u sollën keq. Nxorën një listë me emra dhe kërkuan emrin tim, i cili për fat nuk kishte qenë i shënuar. Më gjasë as nuk kishin dëgjuar për emrin tim. Pasi mësuan për misionin tim, më erdhi afër një ushtar i gjatë, me një mjekërr të zezë dhe më tha: «Fadili ka shkuar diku me detyrë dhe porosinë do t’ia përcjellim».

Fadili kishte arritur ta marrë armatimin në një fshat të Dukagjinit, me shokët e vet, por derisa ishte kthyer përmes fshatit Jabllanicë e Gjakovës, ishte ndaluar nga ushtarët e UÇK-së, me të cilët gati sa nuk ishte vrarë, kur ata kishin kërkuar që armatimi të mbetet në Shtabin e Jabllanicës. Ngjashëm me grupin e Fadil Gecit është vepruar edhe ndaj të tjerëve, të cilët kanë qenë të detyruar ta lënë armatimin. Një gjë e tillë në shtabin e Likocit ishte vepruar edhe ndaj komandantit të kompanisë së UÇK-së në Tërnavc. Bekim Haxhiut, i njohur me nofkën «Kamishi», i cili nuk kishte pranuar ta jap armatimin pa luftë.

Është i vetmi Bekim Haxhiu, me trimat e tij, i cili nga fshatrat e afërta në kufi me Shqipërinë, kishte arritur ta sjellë armatimin në Tërnavc pa e lënë askund. Por, më vonë ky trim ka pasur pasoja. Disa herë e kam takuar në Oshlan, tek Bekim Shyti, duke kërkuar municion hua, për t’ua kthyer pasi ta marrin nga forcat serbe në aksionet që do t’i kryenin.

Do theksuar se, shpeshë ushtarët e UÇK-së kanë marrë aksione vetëm për armë dhe municion, ku ka ndodhur edhe të vriteshin, kurse armatimi dhe municioni që ndalëshin nëpër shtabe ka ndodhur edhe të shitej, ku çmimi i një «kallashi» është sjellë nga 1300-1500 DM. Kuptohet, me këtë zeje nuk ka mundur çdo kush të merrej. Me këtë gjë mirreshin vetëm ata përmes të cilëve edhe kalonte armatimi. Prandaj, edhe disa persona, ish pjestarë të UÇK-së në funksion, dolën nga lufta të pasur, me miliona marka e dollarë nëpër xhepa.

Në Drenicë gjithmonë ka pasur trima. Ishte muaji korrik i ‘98-tës, derisa kaloja nëpër Lubovec për në Galicë, aty tek çesmja e këtij fshati takova Shaban Feratin, një plak i gjatë dhe pedant, rreth të tetëdhjetave.

– Prej të cilit vend të patëm, o djalë! më tha plaku. – Jam nga një fshat i Klinës së Begut ; iu përgjigja. – Po çfarë e mire të solli këndej? vazhdoi plaku. – Kam ardhur t’i shoh si luftojnë trimat e Drenicës. I thash si në shaka. – Eh, more djalë! dhe filloi të rrëfej për luftërat dhe trimat e Drenicës gjatë të gjitha kohërave. Edhe për luftën e Azem Bejtës. – Më datën 17, të këtij muaji, të vitit 1924, në luftë me shkaun, më janë vrarë 19 mashkuj. Komplet mashkujt e familjës së Xheladin dhe Halit Bajramit, të cilët këndohen në këngë. Në Drenicë ka pasur trima gjithmonë: Ahmet Delia, Emin Latifi, familja e Shaban Muratit, tash po i thonë Shaban Jashari… që edhe tash e treguan veten. Aferim ju qoftë!…

Pastaj ka qenë edhe familja e Bajraktarit të Llaushës, e cila kurrë s’e ka ndalë pushkën kundër shkaut. Më 1878 deri në Prokuple kanë luftuar. Atje e ka varrin Zeqir Kurti, Bajraktar i Llaushës, i cili vetë kishte pranuar me u varros atje duke thënë: – Është tokë shqiptare edhe këtu! Më 1903, Adem Bajraktari është vrarë në luftërat ruso-turke.

Të fortë kanë qenë edhe djemtë e Ademit, Miftari e Halili. Ishin prijësa të luftës së Shaban Polluzhës. Më 1945 janë vrarë këta dy me gjithë tre mashkuj tjerë të kësaj shtëpie… Qe besa, fjalë të mira po dëgjoj edhe për nipat e tyre. Nuk kanë çare pa dalë të mirë mashkujt e Bajraktarit. Shpi hon e donë ka qenë dera e tyre! më tha mes tjerash ky plak i mençur, të cilin do të dëshiroja ta takoja prapë, nëse është gjallë.

KUSH JANË NIPAT E BAJRAKTARIT TË LLAUSHËS?

Nipat e Bajraktarit të Llaushës janë shtatë vëllezërit Geci, për të cilët kudo dhe kahdo që kam shkuar kam dëgjuar fjalë të mira, si nga populli ashtu edhe nga ushtarët e UÇK-së. Në krejtë Drenicë lavdërohen këta shtatë vëllezër. – Ata kurrë nuk plaçkitën kënd, e as që i kanë rënë në qafë pa hak ndokujt, nga lufta nuk janë ndarë kurrë. Çdo gjë e bëjnë në shpenzime të veta. Kanë shpenzuar me mijëra marka për ushtri e për popull, besa, edhe të shkolluar janë! -dëgjohei të flitej në popull. Këtë gjë ma kanë thënë edhe shumë pjestarë të UÇK-së, po ashtu edhe civilë, kudo që kam shkuar, si në Kllodernicë, Rakinicë, Burojë, Açarevë, Vojnik, Izbicë, Tërnavc e vende të tjera.

Drenica ka obligim moral e kombëtar t’i pajtojë familjet Binaku dhe Bajraktari. Në luftë është e mundur të ndodhë çdo gjë. Edhe të vriten trimat mes vete. Azem Bejta e ka vrarë Zefin e Vogël. Edhe Gani Geci ta vrasë Abedin Rexhen-Sandokanin. Çdo gjë pa paramendim dhe pa prapavijë. Çdo gjë rastësisht. Nuk thonë kot se rasti është nëna e botës.

Prandaj është turp i madh për Drenicën dhe Kosovën të mbesin të hasmuara edhe më tej këto familje bujare, të cilat ishin miq ndër vete. Abedin Rexha-Sandokani, ishte një trim.

Për armikun ishte tmerr edhe Gani Geci, që ka kryer aksione të shumëta me Sami Lushtakun, Ilaz Kodrën, Fadil Kodrën etj. Më 2 korrik të vitit 1992, në Skënderaj, Gani Geci me Xhevahir Gecin e me shokë, me urdhër të Adem Jasharit, sulmojnë dhe vrajnë disa policë serb. Ky ishte sulmi i parë në Drenicë. Prandaj, që të dy janë trima, patriotë që i nevojitën shumë atdheut. Për njerëz të tillë duhet të flet populli e jo familjarët e tyre, sepse zëri i popullit është zëri i vet Zotit. Edhe Abedin Rexha – Sandokani, ka luftuar për popull e jo për familjen e tij.

Për këtë arsye i drejtohem popullit trim të Drenicës me lutje të bëjnë çdo gjë për të pajtuar këto dy familje. Kjo çështje mbetet barrë edhe për moralin e tërë Drenicës. Mjaftë u derdh gjak në Drenicë. Populli shqiptar, gjithmonë e ka patur dhe do ta ketë të Shenjtë Drenicën dhe banorët e saj, e cila gjithmonë i priu popullit shqiptar me trimëri, qëndresë dhe bujari.

Drenica me banorët e saj duhet t’i prijë popullit shqiptar drejtë tolerancës dhe durimit mes njëri-tjetrit, duke krijuar unitet mes vete, gjë që do të bëhet themel i Pavarësisë së Kosovës, për të cilën u flijuan aq shumë jetëra. Përndryshe ky problem do të shfrytëzohet për qëllime të caktuara politike dhe antikombëtare nga individë, të cilët veprimet e tyre i shohin vetëm me Drenicën e përçarë dhe të hasmuar mes vete. Do të jenë disa, të cilëve do t’u shkojnë për shtati pasojat në rast se kërset pushka në Drenicë. Këtë e them, sepse e njoh mirë problemin dhe mentalitetin e drenicakëve.

Të tilla raste sikur po shpeshtohen në Drenicë. Profesor Haki Ymeri u vra. U keqtrajtua profesor Ismet Veliçi, u plagos kryetari i LDK-së për komunën e Skënderajt, zotëri Sejdi Koca. Duhet theksuar se para dy viteve është arrestuar Sejdi Koca, nga disa persona që thirrën në emër të UÇK-së, i cili është mbajtur tetë ditë në bodrumin e shtëpisë së Tefik Haxhiut në Vaganicë, më atë rast e kanë marrë në pyetje rreth veprimtarisë dhe mardhënieve brenda LDK-së. Zotëri Sejdi Koca ka qenë i izoluar, bashkë me 400 intelektualë të tjerë shqiptarë, gjatë tre muajve, në vitin 1989, të cilit policia serbe ia kishte thyer edhe disa brinjë. Mandej, janë sulmuar shtatë vëllezërit Geci, Mehmet çerkini u plagos, ka edhe raste të tjera.

KOMUNIKATA 59 “MOLLË SHERRI” PËR TËRË DRENICËN

Me Salih Çekun kemi pasur lidhje më të hershme. Fadili ka pasur lidhje me të që nga viti 1994. Me të jam takuar në Gjermani në vitin 1995, i kam folur për disa gjëra, por Salihu ka pasur qëndrim ushtarak dhe nuk është lëshuar në biseda. Salihu ka pasur lidhje më të ngushta me Adem Jasharin dhe më tepër ka biseduar me Fadilin, vëllain tim. Madje, me insistimin e Salih Çekut, Fadili për çështje ushtarake, ka shkuar nga Gjermania në Shqipëri. Me mburrje mund të them se që nga vitet e ‘90-ta, policisë serbe i kemi bërë rezistencë aktive në Drenicë, e sidomos në Skënderaj. Në Klinë, Fadili me një vëlla tjetër janë rrahur haptas me policinë serbe. Me një fjalë kemi kundërshtuar çdo gjë që ka qenë serbe…
I kemi kundërshtuar edhe ata që kanë ndejtur me policë shkie.

. . .

Kurse me Ramush Haradinajn nuk jemi takuar kurrë, ndërsa me vëllain e tij Dautin, jemi takuar në Malishevë. Gjatë atij takimi kam qenë me Sylejman Selimin.

Pastaj jemi takuar edhe në përvjetorin e luftës së Koshares në Gjakovë. Pavarësisht se çka shkruhet për Ramushin dhe Dautin, unë kam pasur respekt për luftën e tyre kundër shkaut.

. . .

Vlen të theksoj se, propagandën e rrezikshme e bënte radiostacioni «Kosova e Lirë» dhe agjencia «Kosovapress», të cilat u themeluan një ditë pasi u vra Enver Maloku. Kosova e Lirë ka emetuar programin e vet, gjatë një kohe, në qerre kuajsh, nëpër Qyqavicë, ndërsa tash, ata po i tregojnë disa shtëpi, se gjoja aty kanë filluar emetimin e programeve të veta, për herë të parë.

. . .

Dua të përmend rastin e vëllait të Hashim Thaçit, Gani Thaçit, i cili ka pasur lokalin «Dardania» në Skenderaj. Në këtë lokal ka ndejtur tërë kohën policia serbe dhe aty, shqiptarët e denuar nga policia e paguanin «haraçin» si pije, dreka, darka etj. Kjo ka zgjatur deri në vitin 1996. Pastaj Gani Thaçi arrestohet dhe i mban tre muaj burg. Sa del nga burgu, në vitin 1997, e lajmërova Adem Jasharin dhe shkuam ta vizitojmë Ganiun në shtëpi të vet. Atë ditë kanë ardhur edhe gazetarë. Pastaj Gani Thaçi ka kërkuar të takohet me të gjithë luftëtarët në odën time, me secilin prej nesh veç e veç. Gjatë bisedës Ganiu më thotë: – Gani ruaju, se për ty policia po dijshin çdo gjë. Po dijshin se ti i ke vrarë policët në vitin 1992. Nëse të zënë ose kanë me të vra ose kanë me të denue 20 vjet burg. Për të gjitha po dijshin por edhe për të gjithë më kanë pyetur!

Të pranishëm në këtë takim kanë qenë këta persona përveç meje, Adem Jashari, Abedin Rexha, Sylejman Selimi. Për ne ishte pak e çuditshme se si mund të lëshohet nga burgu vëllau i njeriut të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si i thoshte vetes Hashim Thaçi. Pse nuk u lirua edhe Asllan Selimi, vëllau i Rexhep Selimit? Ne e pyetëm Ganiun në se donte të kyçej me ne në luftë.
– Tash nuk mundem, ndoshta më vonë, do të shikoj!, – na u përgjigj.

Për një kohë të gjatë Gani Thaçi ka lëvizur lirisht dhe, kur ka dashur, ka shkuar në Skënderaj. Pasi është vrarë Adem Jashari dhe ka ardhur Hashimi nga Zvicra është kyçur edhe Ganiu në luftë. Duhet të theksoj se pasi pëlciti lufta e hapur, Llausha dhe Prekazi kanë pasur raporte shumë të mira, gjatë tërë kohës sa ka zgjatur lufta. Raporte të mira kemi pasur edhe para luftës.

Kjo dëshmohet me vrasjen e Ilaz Kodrës në Shtuticë nga shkijet që në atë anë të Drenicës kishin ndërmarrë disa ofensiva. Atëherë kam shkuar në Prekaz dhe i kam thënë vëllait dhe axhës së Ilazit, «nëse dikush vjen me mua, unë shkoj dhe e marrë kufomen e Ilazit». Për fat shkiet nuk e kishin marrë hala kufomën e Ilazit.

Po përmendi edhe një rast kur është vra një djalë prej Kopiliqi, më 23 mars të vitit 1999. Babai i tij vjen në Llaushë dhe lutet që të bëjmë diçka për ta tërhequr kufomën e djalit të tij të vrarë tek shtëpia e Smajl Gjinocit. I them plakut të na jepte 20 minuta afat. Nisem vetë i katërti, me Afrim Gecin, një djalë tjetër dhe Qerim Zejnullahun. Kufoma ishte afër 70 metra nga post-blloku i policisë serbe. Rrezikojmë jetën dhe e tërheqim kufomën, e cila u varros në Kopiliq. Të nesërmen në Prekaz në odën e Emin Latit kishin qenë edhe Mujë Shabani, Nagipi e Murati nga Prellofci si dhe Sabiti nga Prekazët e Qirezit dhe bisedonim sesi në Prellofc policët serbë po shkonin kur ua kishte qejfi dhe silleshin si në shtëpinë e vet.

– Këtë punë, thashë, do t’a ndreqim nesër. Kush po vjen me mua deri në Oshlan? Nisem për Oshlan me Sabitin e Prekazëve të Qirezit dhe kërkoj nga Bekim Shyti një murtajë dore. Bekimi na dha murtajën 150 metërshe me dy predha, i premtova se pas dy ditësh do t’ia ktheja, por pa predha. Bekimi ishte një luftëtar trim, drejtues i njësisë Speciale të Oshlanit. Të nesermen në orën 12.00 kemi shkuar në Mikushnicë. Së bashku me luftëtarët që i përmenda më lartë, rreth orës 14.00 kemi zënë pritë te Gojfilet e Prelofcit. Kaluan disa kamionë, por nuk i gjuajtëm sepse nuk e dinim çka kishin brenda. Pastaj erdhi një «kombi» i mbushur me policë. Pasi u sigurova se ishin policë, ndeza murtajën dhe i godita në mes të «kombit», i cili filloj të digjej.

Të gjithë së bashku i zbrazëm karikatorët e automatikëve duke qëlluar në drejtim të tyre. «Kombi» u rrokullis dhe mbeti në vend. Mujë Shabani e Nagipi shtinin në ta nga një largësi prej tri katër metrash. Digjeshin edhe policët në të, të cilëve u shkonin britmat deri në qiell duke kërkuar ndihmë. Në këtë aksion gueril i kemi vrarë tetë policë shkije dhe i kemi plagosur dy, policë nga ata që kallnin pamëshirshëm shtëpitë e Drenicës. Këtë e kanë konfirmuar edhe mjekët shqiptarë të cilët punonin ende në Skenderaj. Kjo ka ndodhur vetëm dy javë ditë pa hyrë në Kosovë forcat e KFOR-it.

PRISHTINA PAS HYRJES SË NATO-s

Kur kanë hyrë forcat e NATO-s në Kosovë, të nesërmen me Njësitin tim kam shkuar në Prishtinë, por jo për të zënë banesa. Ato ditë u kemi trokitur në derë të gjithë kolonistëve serbë që e kishin uzurpuar Universitetin e Kosovës. U kemi kërkuar dokumentacionin, se prej kur kishin ardhur në Kosovë, duke u shpjeguar se kolonistët duhej të iknin sa më parë. Kundër shkijeve vendas nuk kemi ndërmarrë kurgjë.

Kështu e kemi bërë regjistrimin e çdo njërit. Ne u tregonim se ata që nuk kishin gisht në masakrat ndaj shqiptarëve nuk do të kishin pasoja. Fakeqësisht, pothuajse të gjithë shkiet e moshës madhore i kanë duart e përlyera me gjakun e shqiptarëve. Në hotel «Grand» jam takuar me njësitet paramilitare të Arkanit, të cilët mendonin të qëndronin ende në Kosovë. Kam biseduar me ta në praninë e gazetarëve të huaj. Njërin e pyeta: – Prej nga je ti?

– Prej Nishit!

– Po a është normal ti të vish prej Nishit e t’i lësh eshtrat këtu?

Pastaj kanë intervenuar ushtarët e KFOR-it duke i urdhëruar shkijet të ikin. Në banakun e hotelit Grand kishin filluar punën ushtarët e Brigadës Atllantiku, njërit prej tyre, Baci Lilë ia dha një revole, të cilin e kishte njohur prej kohës së ushtrimeve ushtarake në Shqipëri. Por duke ditur se hotel «Grandi» është pronë e shtetit nuk më ka shkuar mendja ta uzurpoj. Pompat e benzinës, të cilat nuk kanë qenë private, janë pronë e Republikës së Kosovës. Tokat e shkieve që i kemi blerë disa herë, janë prona të shqiptarëve. Pastaj grabitja e fëmijëve, vajzave shqiptare, dhunimet, vjedhjet, plaçkitjet, vrasjet që po vazhdojnë ende, të gjitha këto gjëra, kanë ndodhur edhe gjatë atyre ditëve në Kosovë.

EDHE PAS LUFTE REXHEP SELIMI VAZHDONTE AVAZIN E VJETËR

Edhe pas përfundimit të luftës Rexhep Selimi nuk ndalej me shantazhe dhe marifete të tij kundër meje duke shpifur në adresën time, nëpër intervista dhe emisione radiofonike. Njëra nga intervistat e tij është edhe ajo e 30 tetorit 1999, dhënë gazetës javore “Zëri”, të cilës iu kanë përgjigjur luftëtarët e Drenicës me këtë:

REAGIM

Ndaj një pjese të intervistes së Rexhep Selimit, ministër i rendit në “QPK“ të Kosovës dhënë revistes „Zëri“ të datës 30 tetor 99 me titull: „Kur populli i Kosovës e kuptoi se është i robëruar atëherë u çlirua“.

Ne udhëheqësit e luftës në „Drenicë“ reagojmë ndaj pjesës së fundit të intervistes së Rexhep Selimit, ku përmendet rasti i vrasjes së Abedin Rexhes „Sandokanit“ dhe ku njolloset luftëtari Gani Geci nga fshati Llaushë si „Tradhtar“.

Dëshirojmë që ky rast, ashtu si rastet tjera të sqarohen përmes organeve kompetente gjyqësore se si ka ndodhur në të vërtetë vrasja e Abedin Rexhës, sepse ngjarja ka ndodhur ditën në prezencën e shumë dëshmitarëve.

Dëshirojmë që edhe një herë t’ia bëjmë me dije opinionit shqiptar se Gani Geci nuk është tradhtar dhe dëshirojmë që me raste të tilla të merren organet kompetente gjyqësore të Kosovës e jo të njollosen njerëzit pa argumente nga idnividë të ndryshëm.

Hidhet poshtë Komunikata nr. 59, si dhe shkrimi i saj!

Nënshkrimet:
Skënderaj, më 31 tetor 1999
Komandanti i Gardës së Kosovës

1. Sylejman Selimi
2. Sami Lushtaku
3. Nuradin Lushtaku
4. Jetullah Geci
5. Skënder Rrecaj
6. Zenel Hoxha
7. Kamber Kamberaj
8. Hysen Geci
9. Sokol Zabelaj
10. nënshkrimi i palexueshëm
11. Skënder Prokshi.
12. Sahit Jashari
13. Fadil Kodra
14. Zenun Kodra

LETËR E HAPUR ZOTIT KUSHNER DHE PARTIVE POLITIKE

Të nderuar zotërinj, meqë e keni në dorë timonin e lejeve ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, ne populli dhe partitë e vogla, nuk po kuptojmë se çfarë po ndodh tani në Kosovë. Ju zotëri Kouchner tregoni se jeni përgjegjës, për sigurinë në Kosovë, unë kisha dashur t’ju pyes se mos rastësisht ju ose policia juaj (UNMIK-u) e dinë se kush janë vrasësit e Xhafer Behramit dhe birit e vëllaut të tij, nga Kotorri i Drenicës?

Dëshirojmë që të ndriçohet ky dhe rastet tjera ku të vrarët janë shqiptarë. Ju lutem zotëri, na tregoni se kush po ushtron dhunë në Kosovë, kush po i rrah njerëzit, kush po i rrëmben vajzat (motrat tona), kush po na vret nëpër malet tona, kush po na vret mbrapa shpine, kush janë njerëzit me maska, kush po i kontribuon dhunës, e kush paqes, cilat mjete të informimit po e thonë të vërtetën, dhe cilat po merren me thashetheme pa fakte? Na tregoni se cilat sigurime të shteteve të huaja gjenden në Kosovë? Na tregoni se kush po punon me KGB-në e kush me UDB-ën, e kush për shërbimin grek?

Meqë jeni përgjegjës për siguri në Kosovë, besoj se e dini se cilat nga shtetet Lindore apo edhe shteti juaj po i përzien punët në Kosovë. Meqë së fundi po nënshkruani marrëveshje me ata njerëz që për 100 vjetë më radhë masakruan, dëbuan e dhunuan popullin shqiptar pa asnjë shkas, kishte me qenë mirë që për të gjitha këto ta njoftoni popullin shqiptar që ishte dhe është mbi 90% në Kosovë, e në shumë vendbanime edhe 100%.

Mirëpo nëse ju zotëri Kouchner keni ndërmend t’i kontriboni ndarjes së Kosovës, në kantone, apo komuna etnike serbe, që më parë kurrë nuk kanë qenë të tilla, por të banuara gjithmonë me shumicë shqiptare, atëherë ju dhe bashkësia do të ballafaqoheni prapë me katastrofën humanitare, si para dy viteve. E them këtë sepse populli nuk do të tolerojë ndarjen e Mitrovicës, nuk do t’i tolerojë serbët që prapë edhe në këto rrethana të na vrasin, apo edhe të inskenojnë rastet e ndryshme për hesape të tyre. Nuk do të tolerohet që udhëtimi nëpër fshatra serbe më shumë pak banorë ta sjellë prapë UDB-në dhe njerëzit që duhet të shkojnë në Hagë të lëvizin para syve të atyre që ua vranë babanë, vëllanë, apo motrën.

Pse askush nuk po e ngrit zërin për shqiptarët në Kosovën Lindore, edhe pse numërikisht janë baraz me shkijet në Kosovë, ndërsa që ata nuk kanë të drejtë shkollimi etj. Vetëm te ne ndodh që popat t’i bëjmë politikanë edhe pse në bazë të letrave fetare ata janë udhërrëfyes të rrugës së Zotit e jo të dreqit siç po ndodh në Kosovë. Ndërsa ju zotërinjë që rrinin ulur afër Kouchnerit, dikush flet në emër të gjakut e dikush në emër të 150 njerëzve e dikush në emër të votës por pa dalë në vota pas luftës. Ju lus zotërinjë që t’i spjegoni edhe ju popullit për këto që i cekëm më lartë.

Boll keni bërë kompromis, e shuat UÇK-në e bëtë TMK, e shuat qeverinë dhe e bëtë shoqatë humanitare, nuk e njohët as qeverinë e dalë nga lufta, nga qeveria e luftës u bënë tri parti politike, e shuat parlamentin e shtetit të Kosovës, e zhvleftësuat kushtetutën, e larguat edhe presidentin dhe tani me duar në xhepa po shkoni në mbledhjet e Kouchnerit pa baza elementare për shtet. Duhet dhënë «mirënjohje» atyre që dhanë kontribute me të mëdha për ta rrënuar institucionin e Kosovës.

Edhe pse rezoluta 1244 nuk lejon ndarjen e Kosovës, ju zotërinj qëndroni në Prishtinë dhe asnjëri prej jush nuk vajti në Mitrovicë, në pjesën veriore apo në shkritoret e Trepçës. Po ju pyes zotërinj, argatë të zotëri Kouchnerit, se çfarë keni bërë për një vit lirie që tani në zgjedhjet e ardhshme populli t’ua japë votën atyre që punuan më shumë për udhëheqje në vitet e ardhshme, e mos të flasim për vitet sa ishim në robëri, sepse tani të gjithë po e dinë se kush punoi më shumë e kush më pak, dhe kush për çka kishte luftuar dhe tani flasin në emër të të vdekurve.

Rruga e tanishme që solli lirinë që me vite e kemi pritur u arrit në emër të gjakut dhe falë atyre që timonin e drejtuan nga SHBA-të. Nuk e dij se deri kur kuth ë do të zgjasë që shqiptarët të jetojnë nga lëmosha, por e dij se deri sa të zgjatë pasiguria, investime në Kosovë nuk do të ketë, sepse askush nuk është i çmendur të investojë në vende të pasigurta dhe ta humbë investimin që ka punuar me vite. Gjithmonë ku nuk ka siguri, ka probleme ekonomike, politike e sociale, në secilin vend ku njeriu mundohet të përfitojë me dhunë, rrezikon sigurinë e vetë dhe të dikujt tjetër dhe mandej krijohen përçarje të rrezikshme për ne shqiptarët në përgjithësi.

Gani Geci

PASTHËNIE

Me këtë libër, Gani Geci na dëshmon për gjendjen e mjerë, në të cilën na kishte katandisur robëria. Dhe në fakt, të gjithë u bëmë, në një mënyrë a tjetër, personazhe të lojrave që lindnin prej saj; vuajtjes, mjerimit, përçarjes e zhgënjimit, të cilat, në fakt na kishin ndjekur shekuj me radhë, por që kësaj herë ishin më tragjike, më makabre. Robëria nuk kishte kursyer askënd, as fëmijën në barkun e nënës. Të gjithë ishin të prekur, të gjithë ishin të goditur nga kjo marrëzi.

Por, megjithatë, rrezet e shpresës nuk u shuan kurrë. Kjo jo se ushqeheshim me idealizëm utopik mbi një të ardhme të lirë e të lumtur, por sepse, djemtë e vajzat e Kosovës, të cilët vendosën që robërinë ta flaknin tej me anë të pushkës, na dhanë shpresën e shumëpritur që edhe ne, si gjithë popujt e tjerë të gëzonim të mirat e të qenit të lirë.

E ndër ata që fuqishëm trokitën qysh herët në Portën e Lirisë, ishin edhe shtatë vëllezërit Geci. Nën urdhrat e drejtpërdrejta të Komandantit Legjendar, Adem Jasharit, ata ia kthyen pushkën pushtuesit sërb, atëherë kur shumica e atyre, që sot e mbajnë veten për atdhetarë e politikanë të regjur, përpëliteshin nën jorganë të purpurt e të ngrohtë. Nën urdhrat e Kryetrimit e me mundin e sakrificën sublime personale e familjare, ata dëshmuan para Zotit dhe para gjithë kombit se kishte akoma djem shqiptarë, të cilëve nuk u dhimbsej jeta për Liri.

Vëllezërit Geci i mbështollën ëndrrat e tyre rinore dhe mbi krahë vunë armën më të mirë: guximin, të cilin e kishin trashëguar nga shekujt e robërisë, që rënduan pa mëshirë mbi paraardhësit e tyre. Pastaj i hynë tunelit të vdekjes, nga i cili dolën krejtë rastësisht. Ata kanë qenë gjithnjë të bindur, se edhe nëse ndonjërin prej tyre do t’a merrte vdekja, ashtu siç mori shumë prej bashkëluftëtarëve të tyre, kjo do të kthehej në krenari për të tjerët. Prandaj dhe vendosën, që të besatuar, të lënë shembull për të mirë, edhe pse u detyruan të ballafaqohen me mundime titanike, me të vetmin qëllim që të mos shahej apo pështyhej varri i të parëve të tyre.

Dhe vëllezërit Geci kanë përse të jenë krenarë. Duhet të jenë krenarë, sepse ishin ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që prej ditëve të para. Duhet të jenë kokëlartë, sepse nga kjo luftë dolën me urdhrin më të çmuar, atë të bashkëluftëtarit të ngushtë të Kryetrimit, Adem Jasharit. Duhet të jenë krenarë, se me kontributin e tyre i afruan ditët e lirisë në Kosovë, duke i dhënë shpresë rritjes së një gjenerate të re në kushte që gjithë brezat e mëparshëm nuk i kishin pasur. Dhe, së fundi, duhet të jenë krenarë, sepse lufta që ata bënë, ka hyrë ndërkohë në librat e historisë sonë të re kombëtare.

Pra, libri i Gani Gecit, jo vetëm që na jep një përshkrim të ngjarjeve që ndodhën në dhjetë vitet e fundit në Kosovë, e veçanërisht në Drenicë, por përmes tij na jepet mundësia të njihemi edhe me këtë familje të madhe, e cila nuk kurseu as gjënë më sublime, jetën, për t’ia lehtësuar sadopak plagët Kosovës martire.
Avdyl Gërvalla
Zvicër, shkurt 2001

INDEKSI I EMRAVE

A
Abedin Rreci – nga fshati Llaushë, komuna e Skënderajt.
Abit Haziri – nga fshati Llaushë, ushtar i shkathët.
Adem Bajraktari – stërgjyshi im, (babai i Halil Bajraktarit), i vrarë në luftërat ruso-turke, më 1903.
Adem Demaçi – ish i burgosur politik dhe simbol i rezistencës shqiptare në Kosovë. Ish-kryetar i Partisë Parlamentare dhe më pas përfaqësues politik i UÇK-së.
Adem Dërguti – kryetari i parë i Forumit Rinor – Dega e LDK-së në Skënderaj dhe personi që kishte shkuar në ushtrime ushtarake me Adem Jasharin në vitin 1991 në Shqipëri.
Adem Halil Geci – babai im.
Adem Jashari – komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Adem Ukëhaxha – ushtarak i lartë nga Dukagjini.
Afrim Geci – nip i Bajraktarit të Llaushës, luftëtar, gardist i Presidencës së Dr. Ibrahim Rugovës.
Afrim Kabashi – anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor – Dega e LDK-së në Skënderaj.
Agim Geci – pjesëmarrës në aksionin e parë kundër policisë në Drenicë.
Agim Puro – me prejardhje nga Kosova dhe banim në Tiranë. I zoti i shtëpisë ku kam qëndruar gjatë kohës që kam qenë në Shqipëri.
Agim Zeka – ushtar pranë Zonës Operative të Shalës.
Agron – oficier i UÇK-së nga Mitrovica.
Ahmet Delia – figurë patriotike e mirënjohur nga Prekazi, i cili i ndihmon me sopatë kusheririt të tij Halilit në luftën e tmerrshme kundër shkijeve.
Ahmet Krasniqi – Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, i vrarë në Shqipëri, në shtator 1998.
Ahmet Ahmeti – familja Ahmeti nga Likoshani. Dhjetë burra të kësaj familje janë masakruar nga forcat policore sërbe, më 28 shkurt 1998.
Ajnishahe Halimi – e shoqja e Emin Halimit, anëtare e Forumit të Gruas të LDK-së në Skënderaj.
Ali Shukriu – bashkëpunëtor i Serbisë, në vitin 1945 prokuror në gjyqin ushtarak të Kosovës, anëtar i Kryesisë së Federatës Jugosllave, ka gëzuar pozicione të larta në hierarkinë komuniste.
Alush Demush Ahmetaj – nga fshati Rezallë, komuna e Skënderajt.
Alush Gashi – këshilltar për mardhënje ndërkombëtare i LDK-së.
Ardian Krasniqi – ushtar i UÇK-së, i vrarë gjatë një aksioni në vitin 1997.
Asllan Selimi – nga fshati Açarevë, vëllai i Rexhep Selimit. I dënuar me 10 vjet burgim, gjendet diku në burgjet e Sërbisë.
Avdyl Imeri – anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor – Dega e LDK-së në Skënderaj, tani anëtar i kryesisë së PDK-së në Skënderaj.
Avni Haxha – nga fshati Açarevë, luftar prej ditëve të para.
Avni Nura – vëllai i Jakup Nurës, nga Prellovci i Skënderajt.
Avni Spahiu – nga fshati Vitak, komuna e Skënderajt. Gazetar i njohur i Kosovës dhe këshilltar i Dr. Ibrahim Rugovës.
Avni Zabeli – ushtar nga fshati Rezallë, tani polic i SHPK-së.
Avni Zymeri – ka marrë pjesë në stërvitjet ushtarake në Shqipëri.
Azem Bejtë Galica – ndër figuarat më eminente të historisë së Kosovës, nga Galica – komuna e Skënderajt. Kryengritës dhe udhëqës i luftrave të Kaçakëve, nga 1912 – 1924.

B
Bahtir Kastrati – anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor – Dega e LDK-së në Skënderaj.
Bajram Gashi – doktor në shtëpinë e Shëndetit në Skënderaj, nga fshati Kryshefc, komuna e Skënderajt.
Bajram Kaçkini – nga fshati Llaushë, punon dhe jeton në Gjermani.
Bardhosh Gërvalla – i vëllai i Jusuf Gërvallës. I vrarë, së bashku me të vëllanë nga UDB-ja në Gjermani, më 17 janar 1982.
Bashkim Geci – nip i Bajraktarit të Llaushës, ushtar, gardist i Presidencës së Dr. Ibrahim Rugovës.
Bashkim Jashari – djali i Rifat Jasharit nga Prekazi, komuna e Skënderjat.
Basri Pllana – spiun i Serbisë, anëtar i Partisë Socialiste Serbe.
Bedri Deliu – ish i burgosur politik, nga Rezalla, komuna e Skënderajt.
Bedri Tahiri – ish i burgosur politik nga Klina e Epërme, komuna e Skënderajt.
Begzat Gashi – aktivist i LPK-së.
Behram Bajraktari – i biri i Rexhë Bajraktarit nga Llausha.
Bekim Berisha “Abeja” – ushtar i UÇK-së nga rrethi i Pejës, njohës i mirë i artit luftarak, i vrarë në Junik.
Bekim Shala – ushtar i UÇK-së, nga Açareva, komuna e Skënderjat.
Bekim Shuti – ushtar i UÇK-së, nga fshati Oshlan, komandant i Njësisë Speciale në fshatin Oshlan, komuna e Vushtrrisë.
Beqir Geci – nga fshati Llaushë.
Bernard Kouchner – ish-administrator i Kosovës, kryetar i UNMIK-ut. Ministër i Shëndetësisë së Francës dhe themelues i Organizatës humanitare ndërkombëtare “Mjekët pa kufinjë”.
Besim Dajaku – shok i ngushtë i imi, luftëtar nga Rakinica e Skënderajt, gardist i Presidencës së Dr. Ibrahim Rugovës.
Besim Rama – bashkëluftëtar i Adem Jasharit, i burgosur dhe i dënuar më 20 vjet burg. Gjendet diku në burgjet e Sërbisë.
Brahim Ajeti – nga fshati Qirez.
Brahim Bajraktari – djali i Cenë Bajraktarit, kushëri i yni.
Brahim Ndreshaj – emigrant nga Shqipëria, i vendosur në Skënderaj. Antikomunist i përbetuar.
Brahim Tërnavci – nga Tërnavci i Skënderjat, komunist i LKJ-së, më vonë i dënuar me 20 vjetë burg. Babai i Halit Tërnavcit, spiun i Serbisë.
Bujar Bukoshi – ish Kryeministër i Republikës së Kosovës.

C
“CD-ja” – ushtar.

Ç
Çun Muharremi – bashkëpunëtor dhe spiun i Serbisë.

D
Dada Zahë – bijë e Gecëve të Llaushës, motra e Osman Gecit dhe e shoqja e Mixhës Shaban
Daut Haradinaj – ushtar nga Rrafshi i Dukagjinit, vëllai i Ramush Haradinajt.

E
Emin Halimi – anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike – Dega në Skënderaj. Tani anëtar i kryesisë së PDK-së – Dega në Skënderaj.
Emin Lati – gjyshi i Tahir Mehës.
Emin Meha (Lati) – nip i Emin Latit nga Prekazi – ushtar i UÇK-së.
Emine Geci – bijë e Kocve të Polacit, gjyshja jonë, nëna e babait tonë.
Enver Hoxha – diktator komunist, Sekretar i Parë i PPSH. Drejtoi Shqipërinë me dorë të hekurt nga 1945 deri sa vdiq, më 1985.
Enver Maloku – shef i Qendrës Informative të Kosovës, i vrarë nga persona të panjohur në Prishtinë.
Esat Geci – vëllau im i shtatë, ushtar nga Llausha, gardist i Dr. Ibrahim Rugovës.

F
Fadil Beka – nga fshati Ticë, komuna e Skënderajt. Mjek, kirurg i diplomuar në Shqipëri.
Fadil Geci – vëllau im i dytë, nënkryetar i LDK-së – Dega në Skënderaj.
Fadil Hoti – nga fshati Polac, komuna e Skënderajt. Profesor në shkollën e mesme në Skënderaj.
Fadil Hoxha – nga Gjakova. Komunist i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe drejtues i Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore.
Fadil Kodra – bashkëluftëtari më i ngushtë i Adem Jasharit, komandant i shërbimit në UÇK.
Fatos Nano – kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Fehmi Agani – Profesor pranë Universitetit të Kosovës dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ideolog i luftës për liri, i vrarë në prill të vitit 1999 nga forcat sërbe.
Fehmi Lladrovci – komandant i brigadës 114, nga fshati Nikaj – komunë e Drenasit
Fehmi Nika – nga fshati Nikaj, komuna e Drenasit, ushtar i UÇK-së.
Fetah Mulaj – ushtar nga fshati Kllodërnicë, komuna e Skënderajt.
Florie Ndreshaj – e bija e Brahim Ndreshajt.

G
Gani Beka – komandant i fshatit Kllodërnicë, komuna e Skënderjat.
Gani Koca – nga fshati Polac, komuna e Skënderjat. I burgosur politik në vitin 1981.

H
Haki Hajdari – ushtar nga Klina e Ulët, komuna e Skënderajt. I dënuar 7 vjet në mungesë.
Haki Ymeri – profesor i gjuhes angleze nga Vojniku, komuna e Skënderjat. I vrarë pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.
Halil Bajraktari – gjyshi im, Komandant i Çetave Vullnetare në Kollashin 1941 – 1945, me graden Major.
Halil Brahim Geci – kushëri nga fshati Llaushë.
Halil Geci (Baci Lilë) – vëllau im më i vjetër, anëtar i Këshillit Qëndror i LDK-së.
Halim Osmani – nga fshati Kllodërnicë, komuna e Skënderajt.
Halit Bajrami – shok i Azem Bejtë Galicës, i vrarë gjatë luftrave kundër shkijeve.
Halit Geci – mësues në fshatin Llaushë. I vrarë nga forcat sërbe më 26 nëntor 1997, në Llaushë.
Hamdi Gërvalla – nga Podujeva, ish i burgosur politik dhe kryetar i Këshillit të Solidaritetit pranë LDK-së në Prishtinë.
Hamëz Jashari – djali i dytë i Mixhës Shaban Jashari, anëtar i këshillit nismëtar për formimin e LDK-së – Dega në Skënderaj. Kryetar i Partisë Republikane – Dega në Skënderaj. Teknik me përgatitje të lartë profesionale, udhëheqës sektori në Fabrikën e Municionit në Skënderaj. Ushtar i UÇK-së që nga viti 1991. U vra më 5 mars 1998.
Hamit Binaku – nga fshati Vojnik.
Hamit Jashari – babai i Sahit Jasharit, i vrarë më 5 mars 1998 në Prekaz.
Hanife Kerolli – anëtare i Kryesisë së Forumit Rinor – Dega e LDK-së në Skënderaj.
Haqif Mulliqi – gazetar nga Prishtina.
Hasan Prishtina – nga Polaci, komuna e Skënderajt. Ndër figurat më eminente të historisë së Kosovës, deputet në Parlamentin Turk dhe udhëheqës i Kryengritjes së Kosovës kundër Turqisë dhe Sërbisë, 1010-1912.
Hashim Thaqi – drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së, kryetar i PDK-së.
Haxhi Geci – vëllau im i tretë, ushtar nga Llausha.
Hetem Geci – djali i vëllait të Osman Gecit, daja i Adem Jasharit.
Hilmi Zeka – i burgosur politik, nga fshati Obri – komuna e Skënderajt
Husamedin Azemi – bashkëpunëtor i Serbisë, ka gëzuar pozita të ndryshme nën regjimin serb.
Hydajet Hyseni – ish i burgosur politik nga Gjilani.
Hysen Geci – i biri i Sylë Gecit, me përgatitje të mesme ushtarake në Beograd. Luftëtar, ushtar i UÇK-së.
Hysen Manxholli – nga fshati Mikushnicë, i vrarë më 22 janar 1998 te fabrika e Municionit në Skënderaj.
Hysni Rrahim Geci – nga fshati Llaushë, komuna e Skënderajt.
Hysni Shabani – nga fshati Açarevë, arsimtar. Luftëtar dhe komandant Brigade.

I
Ibrahim Kelmendi – veprimtar politik, udhëheqës i Frontit të Kuq, kryetar i LPK-së në diasporë.
Ibrahim Rugova, Dr. – Kryetar i LDK-së që nga viti 1989 dhe Presidenti i Parë i Republikës së Kosovës.
Idriz Rreci – kryetar i Lidhjes Demokratike – Dega në Skënderaj, i zhdukur.
Ilaz Bylykbashi – fotoreporter nga Prishtina.
Ilaz Dërguti – ushtar nga Rezalla, njëri prej ushtarëve të parë të Adem Jasharit.
Ilaz Kodra – Komandant i Brigadës 114, bashkëluftëtari i parë i Adem Jasharit
Imer Alishani – ushtar nga fshati Komaran – komunë e Drenasit
Imer Kadri Halili – nga fshati Kastriot, komuna e Skënderjat.
Isa Mustafaj – Ministër i Financave pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Islam Geci – kushëri i yni, ushtar i UÇK-së, nga fshati Llaushë.
Ismet Çitaku – nga fshati Çitak, komuna e Skënderajt.
Ismet Shaqiri – mjek, kirurg, nga Oshlani i Vushtrrisë.
Ismet Veliqi – profesor i edukatës fizike në Skënderaj.
Ismet Veseli – anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor – Dega e LDK-së në Skënderaj.

J
Jakup Krasniqi – ish i burgosur politik, ish kryetar i LDK-së në Drenas, zëdhënës i UÇK-së, dhe së fundi anëtar i Kryesisë së PDK-së.
Jakup Nura – bashkëluftëtar i Adem Jasharit, ka qenë në Shqipëri në ushtrime ushtarake në vitin 1991.
Jashar Jashari – vëllai i Sahit Jasharit.
Jetullah Geci – bashkëluftëtar dhe daja i Adem Jasharit; komandant i brigadës 112.
Jusuf Gërvalla – nga Duboviku i Deçanit. Atdhetar dhe ideolog i shquar i lëvizjes kombëtare në Kosovë. I vrarë nga UDB-ja në Gjermani, më 17 janar 1982.

K
Kadri Haliti – ushtar nga fshati Kastriot, komuna e Skënderjat.
Kadri Zeka – nga Gjilani. Veprimtar politik, i vrarë me vëllezërit Gërvalla në Gjermani.
Kemajl Shaqiri – oficier i lartë pranë Ministrisë së Mbrojtjes i Republikës së Kosovës.
Kurt Shork – gazetar i Reuteurs-it, i vrarë në Somali në vitin 2000.

L
Lah Geci (Bali Lah) – kushëri nga fshati Llaushë, njëri i urtë dhe i nderuar.
Lah Rreci – ushtar nga Llausha.
Lah Tushila – nga fshati Tushilë, komuna e Skënderajt, ndërmjetësues mes popullatës dhe policisë.
Liman Geci – kusheri i yni, ushtar i UÇK-së, nga fshati Llaushë.
“Luli” – personi që ka qëndruar gjatë tre muajve, bashkë me Rexhep Selimin, në familjen e Adem Jasharit.
Lulzim Jashari – djali i Adem Jasharit, komandantit Legjendar të UÇK-së.

M
Malë Bajraktari – djali i Miftar Bajraktarit.
Malush Ahmeti – ushtar nga fshati Rezallë – komuna e Skënderajt.
Maxhun Ismajli – reporter lufte nga një fshat i Klinës.
Maxhupi – Lahi Ibrahimi – nga fshati Jabllanicë, komuna e Gjakovës.
Mehdi Bardhi – kryetar i LDK-së në Drenas.
Mehdi Bytyqi – nga Theranda. Aktivist i dalluar në Heilbronn, Gjermani.
Mehmet Bislimi – ish i burgosur politik, nga Prekazi, komuna e Skënderjat.
Mehmet Gjeli – ushtar nga fshati Likoshan, komuna e Drenasit.
Mehmet Gradica – njëri ndër figuarat më eminente të historisë së Kosovës, antikomunist i përbetuar, udhëheqës i policisë në komunën e Skënderajt, major i shkolluar në Itali, i vrarë në janar të vitit 1945.
Mensur Kosumi – zëvendës komandant i Zonës Operative të Shalës.
Miftar Bajraktari – vëllai i gjyshit tim. Ka qenë zëvendës komandant i Brigadës së Shaban Polluzhës, dhe kryetar i Islihatit (Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve 1941 – 1945).
Miftar Qerimi – nga fshati Açarevë, ushtar i ditëve të para.
Miftar Rreci – ushtar nga fshati Llaushë, i plagosur më 5 mars 1998. Vdes pas dy ditësh nga plagët e marra.
Milaim Haziri “Çeçeni” – ushtar i shkathët nga Llausha.
Mixha Shaban Murat Jashari – babai i Rifat, Hamëz dhe Adem Jasharit, i cili ra heroikisht më 5 mars 1998, me njëzet anëtarë të familjës së vet.
Mufail Limani – gazetar i Zërit.
Muhamet Lani – ushtar nga Llausha.
Muharrem Zabeli – anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor – Dega e LDK-së në Skënderaj.
Mujë Bajraktari – djali i Miftar Bajraktarit.
Mujë Krasniqi – komandant brigade, nga fshati Qabiq – komuna e Klinës.
Mujë Shabani – nga Mikushnica, luftëtar.
Murat Dauti – ish i burgosur politik nga Runiku.
Murat Musliu – ish i burgosur politik, kryetar i KLMDNJ-së në Skënderaj.
Musa Jashari – vëllau i Sahit Jasharit, ushtar i hershëm i UÇK-së.
Musa Musliu – nga fshati Likoc, nip i familjes sonë, ushtar.
Musli Geci – kushëri i yni, nip i Miftar Bajraktarit, ushtar.
Musli Hoxha – nga fshati Llaushë, arsimtar i historisë në fshatin Polac.

N
Naim Geci – kushëri i imi, nga fshati Llaushë.
Naim Haziraj – i vëllai i Sadik Hazirajt. Ushtar nga fshati Llaushë – komuna e Skënderajt, i burgosur në burgjet e Serbisë
Naser Gorani – nga Pokleku i Drenasit, mik i imi.
Naser Lani – ushtar nga Llausha, i vrarë në fshatin Llaushë, në verë të 1998.
Nebih Geci – vëllau im i pestë, ushtar i UÇK-së nga Llausha.
Nebih Meha – babai i Tahir Mehës, nga Prekazi, i vrarë në luftë me shkije, me gjithë të birin, në maj të vitit 1981.
Nehat Geci – vëllau im i gjashtë.
Nezir Geci – kushëri i imi.
Nezir Vojvoda – babai i Selman Vojvodës, pjestar i demonstratave në Skënderaj dhe anëtar i Këshillit për Pajtimeve të Gjaqeve në Drenicë.
Nuhi Bytyqi – gazetar i RTSH-së, dhe RTK-së. Tani anëtar i PDK-së.
Nuhi Geci – ushtar nga fshati Llaushë, i zënë nga forcat serbe dhe i ekzekutuar.
Nuradin Lushtaku – bashkëluftëtar i ngushtë i Adem Jasharit, komandant i Gardës së TMK-së.

O
Osman Geci – daja i Adem Jasharit, bashkëluftëtar i pandashëm i tij. I vrarë më 5 mars 1998 nga çetnikët shkije, në kullën e dhëndrrit të vet, Mixhës Shaban Jashari.
Osman Leqina – nga fshati Leqinë, komuna e Skënderjat, ushtar.

P
Pajazit Isufi – kryetar i Forumit Rinor – Dega e LDK-së në Skënderaj, pas Adem Dërgutit.

R
Raba Ukaj – Geci – nëna ime, bijë e Izbicës, komunë e Skënderajt.
Rafet Rama – nga Prekazi. Ushtar i dalluar, i plagosur rëndë, në verë të vitit 1997, në kufirin shqiptaro-shqiptar.
Ramadan Bajra – nga Skënderaj, tregtar i armëve.
Ramadan Geci – kushëri, nga fshati Llaushë.
Ramë Babaj – babai i Sami Babës, nga Llausha, komandant në Brigadën e Shaban Polluzhës (1945).
Ramë Buja – ish i burgosur politik, zëdhënës politik i UÇK-së.
Ramë Rreci – anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor – Dega e LDK-së në Skënderaj.
Ramiz Lladrovci – vëllai i Fehmi Lladrovcit.
Ramush Haradinaj – ish komandant i Dukagjinit, kryetar i AAK-së.
Ramush Thaqi – ushtar nga Buroja – komuna e Skënderajt.
Rasim Kliqina – ushtar nga fshati Baicë, komuna e Drenasit.
Refki Abazi – ushtar, nga Kllodërnica, komuna e Skënderjat.
Rexhë Haxha – nga fshati Rezallë.
Rexhep Bajraktari – djali i vëllait i Miftar Bajraktarit, i biri i Cenë Bajraktarit. I vrarë më 1912 në Vushtrri me rastin e vrasjes së Parisë së Drenicës.
Rexhep Mejdani – President i Republikës së Shqipërisë.
Rexhep Qosja – kritik letrar dhe kryetar i LBD-së.
Rexhep Selimi – inspektor gjeneral i UÇK-së (sipas tij), nga fshati Açarevë – komuna e Skënderajt.
Rifat Fazli Mëziu – ushtar nga fshati Morinë – komune e Skënderajt, profesor i fizikës në Drenas.
Rifati Jashari – djali i madh i Mixhës Shaban Jasharit, personi që për herë të parë plagosi dy shkije në vitin 1991 në oborrin e shtëpisë së vet.
Rrahim Beka – nga Kllodërnica e Skënderajt, pjesëmarrës në luftën e Kosharës.
Rrahim Hoxha – ushtar nga fshati Llaushë.
Rrahman Hajdari – ushtar, nga Kllodërnica, komuna e Skënderajt.
Rrahman Morina – bashkëpunëtor i Serbisë, shef i UDB-së, ministër i punëve të Brendshme të Kosovës.
Rrahman Rama – Komandant i Zonës Operative të Shalës, mik i Adem Jasharit.
Rrustem Geci – djali i vëllait të Osman Gecit, daja i Adem Jasharit
Rrustem Mustafa Remi – Komandant Zone në Llap.
Rushit Haliti – komandant në fshatin Kastriot, komuna e Skënderjat, profesor i matematikës, drejtor gjimnazi në Skënderaj.

S
Sabit Geci – nga fshati Llaushë.
Sabit Lladrovci – ushtar që nga fillimi.
Sabit Rreci – anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor – Dega e LDK-së në Skënderaj.
Sabri Hamiti – shkrimtar, kritk letrar dhe profesor i Universitetit të Prishtinës.
Sadik Halili – ushtar, nga fshati Kastriot, komuna e Skënderjat.
Sadik Haziraj – ushtar nga fshati Llaushë – komuna e Skënderajt
Sadik Kaçkini – ushtar nga fshati Llaushë, i vrarë më 5 mars 1998.
Sadik Topalli – gjygjtar pranë Gjykatës Komunale në Skënderaj dhe pranë Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, gjatë masave të dhunshme të Sërbisë.
Sahit Abazi – ushtar i Kllodërnicës, komuna e Skënderajt.
Sahit Jasharaj – kushëri dhe bashkëluftëtar i afërt i Adem Jasharit; ka qenë pjesëmarrës në stërvitjet ushtarake në Shqipëri, në vitin 1991.
Sahit Shala – student, nga fshati Krajkovë, komuna e Drenasit. I vrarë gjatë demonstratave në Drenas, në vitin 1990.
Saim Tahiraj – bashkëluftëtar i Salih Çekut nga Dukagjini.
Sali Kaçkini – nga fshati Llaushë, punon në Gjermani, shok i Rifat Jasharit.
Salih Berisha – ish president i Shqipërisë.
Salih Çeku – nënkryetar i LDK-së për Gjermani, deputet i Republikës së Kosovës, kryetar i komunës së Deçanit. Bashkëluftëtar i Adem Jasharit dhe Zahir Pajazitit, komandant për moral pranë UÇK-së, i vrarë në Koshare në vitin 1999.
Sami Babaj – nga fshati Llaushë. I vrarë nga policia sërbe më 30 prill të vitit 1992.
Sami Beqiri – mjek, kirurg me përvojë shumëvjeçare, nga Mitrovica.
Sami Lushtaku – komandant i ZO të Drenicës, bashkëluftëtar i Adem Jasharit
“Sandokani” Abedin Rexha – udhëheqës i UÇK-së në fshatin Vojnik.
Sefer Haxhia – nga fshati Llaushë. Kryetar komune në Skënderaj në vitin 1944, më vonë i pushkatuar nga forcat çetnike.
Sefer Uka – nga fshati Izbicë, dajë i yni. Xhandar i Mehmet Gradicës, antikomunist i përbetuar.
Sejdi Geci – bashkëluftëtar dhe dajë i Adem Jasharit.
Sejdi Koca – i ndjekur dhe i burgosur politik që nga viti 1968. Kryetar i kryesisë së LDK-së në Skënderaj.
Sejdi Ramë Babaj – nga fshati Llaushë, komuna e Skënderajt.
Selaman Vojvoda – nga fshati Llaushë, komuna e Skënderajt. I vrarë në ballë të demonstratave në vitin 1990 në Mitrovicë, student i Fakultetit Metalurgjik në Mitrovicë.
Selim Llazicani – nga fshati Llaushë.
Selim Sylka – nga fshati Obri, komuna e Drenasit.
Shaban Draga – oficier i lartë pranë Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.
Shaban Ferati – nga fshati Lubavec, komuna e Skënderjat. Plak i urtë dhe i mençur, ish i burgosur politik pas vitit 1945. Gjatë luftës së Azem Bejtë Galicës, iu kanë vrarë 19 meshkuj të familjes së tij.
Shaban Geci – babai i Osman Gecit.
Shaban Latifi – nga fshati Kllodërnicë, komuna e Skënderajt.
Shaban Polluzha – ndër figuarat më eminente të historisë së Kosovës, komandant i Brigadës së Drenicës.
Shaban Shala – ish i burgosur politik, kryetar i këshillit të KMLDNJ-së në Drenas, komandant Zone në TMK-në.
Shaban Zyhrani – nga fshati Llaushë, profesor i gjuhes angleze në Skënderaj.
Shani Geci – kushëri i yni, nipi i Miftar Bajraktarit (djali i Zeqës), bashkëluftëtar i orëve të para.
Shefkije – ndërmjetësuese mes shkijeve dhe shqiptarëve.
Sheremet Sejdiu – babai i katër djemve të vrarë nga fshati Qirez.
Shote Ahmet Galica – e shoqja e Azem Galicës, bashkëluftëtare e Azemit, nga Radisheva – komunë e Skënderajt.
Shukri Buja “Gazetari” – ushtar i UÇK-së.
Shukrije Deliu – anëtare e Kryesisë së LDK-së.
Shukrije Geci – Sejdiu – bijë e jona e martuar në Qirez.
Skënder Mujë Skënderi – nga fshati Vojnik, komuna e Skënderajt, ushtar i UÇK-së, i vrarë nga forcat serbe në vjeshtë të vitit 1998.
Smajl Dauti – babai i Murat Dautit nga Runiku, komuna e Skënderajt.
Smajl Sahit – nga fshati Kllodërnicë, komuna e Skënderajt.
Sokol Zabeli – ushtar, nga fshati Rezalla e Re, komuna e Skënderajt.
Sulejman Aliu – ushtar nga Klina e ulët. I ka mbajtur 6 vite burg për shkak se në vitin 1992 kishte qëlluar mbi policinë e shkijeve.
Sulejman Selimi “Sulltani” – Komandanti i parë publik i UÇK-së.
Sylë Geci – nga fshati Llaushë, punëtor në mbrojtjen territoriale të Kosovës para vitit 1991.
Sylë Shala – i fshatit Leqinë, komuna e Skënderajt, arsimtar i matematikës në Skënderaj.
Syrja Popovci – profesor i drejtësisë në Universitetin e Prishtinës.

T
Tafë Bekë Geci – kushëri, plak i mençur i fshatit Llaushë.
Tahir Desku – reporter lufte nga Drenica, kryetar i shoqatës së shkrimtarëve.
Tahir Meha – nga Prekazi, i vrarë në maj të vitit 1981, në luftë kundër çetnikëve serbë me babain e vet Nebih Mehën.
Tefik Haxhia – nga fshati Vaganicë, komuna e Mitrovicës.

V
Vesel Selimi – luftëtar, mixha i Sulejman Selimit “Sulltanit” dhe i Rexhep Selimit, nga Açareva e Skënderajt.

Xh
Xhafer Behrami – nga Kotorri, komuna e Skënderjat, i vrarë në malet e Kotorrit, nga persona të panjohur së bashku me një djalë.
Xhafer Koca – nga fshati Polac, luftëtar.
Xhafer Murtezi – anëtar i kryesisë së LDK-së – Dega në Skënderaj.
Xhavit Haliti – aktivist i LPK-së në Perendim.
Xhavit Nuraku – nga Plluzhina, komuna e Skënderajt, gardist i Hashim Thaqit.
Xheladin Bajrami – shok i Azem Bejtë Galicës, i vrarë gjatë luftrave kundër shkijeve.
Xhevahir Geci – bashkëluftëtar dhe dajë i Adem Jasharit.
Xhevat Dajaku – vëllai i Besim Dajakut, komandant i UÇK-së në Rakinicë.
Xhevat Selimi – ushtar, nga Açareva, komuna e Skënderjat.
Xhevat Zeqa – ushtar nga fshati Kllodërnicë.
Xhevdet Fehmi Zeneli “Gulinovi” – ushtar i Sabit Gecit.
Xheve Lladrovci – e shoqja e Fehmi Lladrovcit

Y
Ymer Haziri – nga fshati Llaushë, i zënë nga forcat serbe dhe i liruar pas një viti e gjysëm burgim.
Ymer Shala – nga fshati Padalishtë, komuna e Skënderajt.

Z
Zahir Pajaziti – ushtar i ditëve të para, nga Llapi. Shok i Adem Jasharit, u vra në afërsi të Vushtrrisë nga policia serbe.
Zejnullah Rrahmani – shkrimtar dhe profesor në Prishtinë.
Zekë Geci – kushëri, gazetar i Bujkut.
Zekirja Cana – profesor në Universitetin e Kosovës, aktivist i dalluar, historian, ushtar i çështjes kombëtare dhe antikomunist.
Zenel Mëziu – ushtar i vrarë në Betejen e Rezallës, nga fshati Morinë, komunë e Skënderajt.
Zenun Idrizi – bashkëluftëtar i Salih Çekut nga Dukagjini.
Zenun Kodra – ushtar nga fshati Prekaz, bashkëluftëtar i Adem Jasharit.
Zeqë Bajraktari – djali i Miftar Bajraktarit.
Zeqir Kurti (Bajraktar i Parë i Llaushës) – i vrarë në Prokuple, më 1875, ku është edhe i varrosur.
Zymer Vojvoda – nga fshati Llaushë, arsimtar në fshatin Llaushë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *