HISTORIA

KUSH E PËRGATITI PLANIN ITALIAN PËR BASHKIMIN E SHQIPËRISË ME KOSOVËN DHE ÇAMËRINË

7 prilli 1939 e ndau disa pjesësh opinionin shqiptar e madje dhe mënyrën e paraqitjes së tij në historiografi. Është shkruar e folur shumë për këtë ngjarje ogurzezë, për pasojat që pati në historinë e Shqipërisë. Propaganda komuniste vazhdon edhe sot të shkruajë se Mbreti Zog ia shiti Shqipërinë Italisë, po ashtu sikurse akuzohet mërgata politike shqiptare për të njëjtin veprim. Por, asnjë shqiptar, i çfarëdo bindjeje politike, nuk e ka dashur pushtimin, nuk ka punuar për të e po ashtu nuk ka pasur mundësi ta shmangë. Fatkeqësisht, edhe sot besohet propaganda komuniste.

Shqipëria u pushtua më këtë datë. Mbreti kishte ikur e vendi ishte nën pushtim. Shqipërisë iu kursyen dëmet e luftës që, në pjesën më të madhe të tyre bien mbi popullin e thjeshtë. Që në fillim u morën masat për të fuqizuar e shtuar institutet shëndetësore me mjekë italianë e shqiptarë, edhe jashtë qyteteve. U bë një luftë e vendosur kundër malaries e rezultatet qenë të kënaqshme. Veçanërisht e rëndësishme qe Shtëpia e Nanës dhe Fëmijës në Tiranë. Po kështu, një punë e mirë u bë për kurimin e tuberkulozit, ku pacientë në gjendje të rëndë çoheshin në spitalet italiane.

U bënë projekte të vlefshme, nga specialistë të njohur italianë, për furnizimin e Vendit me energji elektrike që sipas llogarive mund të arrinte në 10 milion kw/orë në vit. Sipas këtyre specialistëve, të gjithë lumenjtë e Shqipërisë mund të shfrytëzoheshin për hidrocentrale. Ende sot, mbas 70 vjetësh, nuk është arritur të vihen në zbatim ata studime. Parashihej një uzinë siderurgjike në Elbasan, ku u bë në fakt Kombinati Metalurgjik.

Në fushën financiare u bë barazimi i frangut shqiptar me 6,25 lira italiane. Frangu, që ishte bazuar në arin, tani duhej të bazohej në liretën pasi monedha shqiptare nuk mund të vazhdonte kursin e saj në gjendjen e re të krijuar. Bankat u shtuan dhe shtuan vëllimin e kredive. Kështu p.sh. Banka e Napolit, që kishte përfshirë dhe Bankën Bujqësore, shtoi shumat që i jepeshin si kredi bujqësisë shqiptare, nga 500.000 fr. në 1939 në 30 milionë në 1942. Banka e Punës, që i u shtua panoramës së Instituteve të kreditit, këto të fundit i shtoi nga një 1,5 milion më 1939 në 15 milionë në 1942, ndërsa depozitat e saj nga më pak se një milion arritën në 20 milionë.

Një hov morën dhe ndërtimet, sidomos në Tiranë. Qendra me ministritë dhe hotel Dajti janë punime të asaj periudhe. Popullsia e Tiranës nga tridhjetëmijë vetë më 1939 arriti në rreth njëqindmijë më 1942. U hartuan projektet për bonifikimin e vendit, nën drejtimin e inxhinierit senator Prampolinit, autorit të bonifikimit të Kënetës Pontine në Itali. U llogarit që në dhjetë vjet të përfundonte gjithë tharja e kënetave shqiptare.

Krahas arritjeve në fushën ekonomike, duhet theksuar edhe një përparim në fushën e kulturës. Ky ishte i lidhur edhe me krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare, që filloi të merrej me çështjet më të rëndësishme, si gjuha letrare kombëtare. Në këtë Institut bënin pjesë personalitetet më të njohura të jetës kulturore shqiptare, arbëreshe e mjaft studiues italianë.

Por, sukseset më të mëdha të Qeverive nacionaliste ishin të lidhura me hapjen e shkollave shqipe në trevat e bashkuara, kryesisht në Kosovë. Buxheti i qeverisë së Mustafa Krujës për arsimin pothuajse u dyfishua: nga 7.978.380 franga kishte kaluar në 13.950.000 fr. Rilindja kosovare mobilizoi gjithë inteligjencën atdhetare dhe rininë nacionaliste shqiptare që në figurën gjithmonë të respektuar të mësuesit u dyndën në “tokat e lirueme” për të hapur shkollat shqipe, edhe të mesme, të cilat vazhduan të funksionojnë edhe mbas ribashkimit me Jugosllavinë. Në gjithë këtë entuziazëm kombëtar për Kosovën, vetëm komunistët mungonin, sepse për ta, ashtu si dikur për funksionarët otomanë, shkollat shqipe nuk ishin të dobishme. Në gjithë këtë punë të madhe duhet veçuar roli i shkëlqyer i dy ministrave të Arsimit në dy Qeveritë e para, të intelektualëve të rrallë Ernest Koliqi dhe Xhevat Korça, që iu kushtuan çështjes me një zell të jashtëzakonshëm, duke bërë të pamundurën jo vetëm për ndërtimin dhe hapjen e shkollave, por edhe për plotësimin e tyre me kuadrin e nevojshëm mësimdhënës.

Të gjitha këto veprimtari shkonin në dobi të zhvillimit të Shqipërisë e të afrimit me Evropën. Edhe se italianët shikonin së pari interesat e tyre, kur ata përkonin me interesat shqiptare, përsëri shqiptarët ishin të fituar. Në atë kohë vetëm tri vende ishin të lira në Evropë: Anglia, Zvicra dhe Spanja e dalë nga lufta civile. Në këtë kuadër, një pushtim i tillë, me një Qeveri shqiptare që çdo ditë ngulte këmbë për plotësimin e interesave të saj kombëtare, herë-herë me rezultate mjaft të kënaqshme, nacionalizmi shqiptar e shihte me optimizëm rrugën e tij.

Faik Konica, ish ministër i Shqipërisë në Washington, ishte madje i gatshëm të jepte pëlqimin e tij për regjimin e ri, kur ai të vërtetonte se donte të bashkonte të gjithë shqiptarët në një shtet. Sepse, çështja kombëtare ishte bërë ajo kryesore e politikës shqiptare, por në të njëjtën kohë dhe një problem me shumë rëndësi për Italinë dhe marrëdhëniet e saj me shtetet e Ballkanit. Francesko Jakomoni mëton, në kujtimet e tij, të paraqesë anën pozitive të problemit çam. Në të duket se italianët e ngrinin këtë për të plotësuar premtimin kundrejt nacionalizmit shqiptar.

“22 maj 1940. Shqiptarët janë hedhur në rrugën e ndërhyrjes: duan Kosovën e Çamërinë! Për ne është e lehtë ta rritim popullaritetin tonë, duke u bërë eksponentë të nacionalizmit shqiptar”

Edhe Konti Çiano, si Jakomoni kalëron çështjen e shqiptarëve. Instrumentalizimi i vrasjes së Daut Hoxhës kishte për synim bindjen e opinionit publik shqiptar, se ishte ky shkaku i një lufte të mundshme me Greqinë. E vërteta ishte se i mëshohej atij argumenti për të fshehur motivin e vërtetë të një sulmi të paracaktuar kundër Greqisë, që ishte element kryesor i strategjisë italiane për Ballkanin.

Por, le të shohim se çfarë shkruan Çiano në ditarin e tij:

“Viti 1940. 17 gusht. Alfieri ka patur një takim interesant me Ribbentropin. Rezulton: 1) Qeveria gjermane nuk dëshiron një afrim të ri, shumë të theksuar midis nesh e Rusisë; 2) Duhet të lihet mënjanë çfarëdo projekt sulmi mbi Jugosllavinë; 3) Një aksion eventual kundra Greqisë nuk është i mirëpritur në Berlin. Ky është një bllokim i plotë në të gjithë linjën. Sipas Ribentropit ‘çdo përpjekje duhet të përqendrohet kundër Britanisë së madhe, sepse ajo – dhe vetëm ajo – është çështje jete a vdekje’. Duçja e redaktoi vetë përgjigjen: natyrisht pranojmë pikëpamjen berlineze! Edhe përsa i përket Greqisë: e futim në kasafortë notën që tashmë ishte gati.

12 tetor. Duçja është i indinjuar mbi të gjitha për pushtimin gjerman të Rumanisë. Thotë se kjo ka bërë përshtypje të thellë e të keqe në opinionin publik italian, sepse nga arbitrati i Vjenës, askush s’e priste këtë rezultat. ‘Hitleri më vë gjithmonë përballë faktit të kryer. Këtë herë do ta shpërblej me të njëjtën monedhë: do ta mësojë nga gazetat që kam pushtuar Greqinë’. Kështu do të rivendoset ekuilibri.

14 tetor. Musolini më flet sërish për aksionin në Greqi dhe fikson ditën e 26 tetorit. Jakomoni jep informacione shumë të favorshme, veçanërisht për gjendjen shpirtërore të popullsisë çame që është në favorin tonë”.

Cilido që nuk ka yzengji në tru e kupton se nuk mund të ketë asnjë lloj veprimi që ngarkon me përgjegjësi Qeverinë shqiptare në atë rast. Dihet se si rrodhën ngjarjet në luftën italo-greke. Humbja e italianëve qe i pari dështim i Boshtit në fushën ushtarake, në Luftën e Dytë Botërore. Por, thyerja e italianëve në Epir u pasua me sulmin gjerman në Ballkan dhe baraspeshat e Versajës u rrëzuan më 18 dhe 27 prill, me hyrjen e gjermanëve në Beograd e në Athinë. Këto veprime luftarake ndryshuan edhe hartën e Ballkanit, me krijimin e shteteve të Kroacisë e të Malit të Zi, me zgjerimin nga lindja e jugu të Bullgarisë e me bashkimin me Shqipërinë të Kosovës, Dibrës, zonës së Liqenjve e, më vonë të Plavës e të Gucisë. Mbetën jashtë kufijve ende Çamëria, Pindi dhe zona e Janinës, Artës e Prevezës.

Nacionalizmi shqiptar vazhdoi gjithmonë të shpresojë se dhe ato treva do t’i bashkoheshin Atdheut, por ajo mbeti vetëm një ëndërr. Arsyeja e kësaj mungese nuk gjendet as në Ditarin e Çianos dhe as në librin e Jakomonit. Na ndriçon këtë pikëpyetje diplomati Karlo Umiltà, në veprën e tij “Jugosllavia e Shqipëria”. Duke qenë emëruar Komisar i Lartë i Qeverisë italiane për krahinat e bashkëngjitura Shqipërisë, ai bën një udhëtim me një grup pune në të gjitha ato treva e, më së fundi, i dërgon një relacion Ministrisë së Jashtme që, siç thotë ai, u muar për bazë prej asaj, për sa i përket Çamërisë e zonave të tjera të Epirit. Por, qëndrimet e tij ishin antishqiptare.

“Sapo mbarova këtë detyrë, ndërsa Komisari i Lartë, Alizoti, kishte shkuar të merrte në dorëzim zyrën e tij në Kosovë e Dibër, Ministria e Jashtme më ngarkoi për të kryer një rreth vëzhgimesh në krahinën që quhej Çamëri e që duhej t’i bashkëngjitej më vonë Shqipërisë, nën Komisariatin e Lartë të Xhemil Dinos…

Territori i ri paraqitej i varfër e i shkretë e në qytetin e Kosturit pata shpejt përshtypjen se nuk kishte as hije shqiptarësh…

Ata ishin maqedonas dhe donin të bënin pjesë në shtetin maqedon, që do të mund të formohej me popullsi të tjera maqedone deri në Follorinë, Monastir e Shkup. Nëse në fund të luftës shteti maqedon nuk mund të krijohej, ata dëshironin të vazhdonin të bënin pjesë në Shtetin grek. Nëse dhe ajo nuk do të ishte e mundur, do të kishin mbetur me qejf nën administrimin dhe mbrojtjen italiane, por në asnjë rast nuk do t’i përshtateshin bashkimit me Shqipërinë, madje kundër një bashkimi të tillë, ishin gati për një kryengritje të përgjithshme…

Nga Kosturi u drejtuam për në Gravenè, një qytet i vogël, i banuar në shumicë nga maqedonë e grekë. Asnjë këmbë shqiptari. Dëshirat e tyre ishin të njëjta me ato të Kosturit… Asnjë nuk donte të dëgjohej të flitej për Shqipërinë….

Mbas Grevenès morëm një lloj rruge sapo të hapur që na çoi rrëzë Pindit e prej andej… deri në Mecovo, qyteti më i rëndësishëm i gjithë territorit. Edhe këtu popullsia është e përzierë prej arumunësh dhe grekësh e më shumë se për bujq bëhet fjalë për barinj e pylltarë. Nëpërmjet ushtarakëve tanë, munda të flas me shumëkryepleq fshatrash e me ndonjë kryetar bashkie. Aspiratat e tyre ishin të mbeteshin të bashkuar me Greqinë, mbasi të mbaronte lufta dhe pushtimi ynë ushtarak, për të cilin folën shumë mirë.

Për Shqipërinë as që bëhej fjalë, sepse ata e quanin një vend të prapambetur e pa të ardhme.”

Duke vazhduar udhëtimin e tij në Janinë, Prevezë e Artë dhe në Çamëri, diplomati italian përsërit gjithmonë të njëjtat pohime. Arrin deri aty saqë edhe në Delvinë e Sarandë “të gjithë ishin të një mendimi, të përjashtonin si të papërshtatshëm zmadhimin e Shqipërisë drejt jugut, me bashkimin e territoreve të tjera, të banuara, pothuajse krejtësisht nga grekët. Edhe shqiptarët myslimanë ishin kundër bashkimit me çamët e racës dhe besimit të tyre. Nga ajo anë kufijtë shqiptarë ishin mirë ashtu siç ishin.

Megjithë ankesat e Xhemil Dinos dhe të atyre si ai që ishin të interesuar për projektin e rrezikshëm të Çamërisë, Qeveria jonë miratoi plotësisht përfundimet e mija dhe u arrit të bindej dhe Qeveria shqiptare për mungesën e leverdisë për të mbajtur në Shqipëri e jashtë saj një shqetësim në dobi të bashkimit, që tashmë nuk mund të sendërtohej në kundërshtim me opinionin e pothuaj gjithë popullsisë, që do të bëhej viktimë, pa dobi për askënd.

Për Çamërinë nuk u fol më dhe vetë Xhemil Dino u kthye nga Tirana në Romë pa bezdisur më Qeverinë tonë”.

Këto ishin disa nga konsideratat e diplomatit Umiltà, që nuk shquhet për simpati karshi shqiptarëve dhe përfaqësuesve të tyre politikë, sidomos për Mustafa Krujën dhe Eqerem Vlorën, “ish diplomat turk e nacionalist i zjarrtë, jo më pak se kryeministri i tij Kruja”

Diplomati Umiltà që nuk më duket shumë bindës dhe objektiv në përfundimet e tij, në sajë të mungesës së personave të lartpërmendur në Qeverinë shqiptare, arriti ta varrosë çështjen çame, duke menduar se i ka bërë mirë atyre popullsive. Ai, së bashku me një pjesë të mirë të ushtarakëve italianë, shquheshin për qëndrimin kundër shqiptar gjatë luftës, në territoret ku ishte vendosur ushtria italiane. Kjo ndodhte, sipas tij, sepse pakicat serbe e maqedonase ishin më të “emancipuara”, në kuptimin e botës femërore, se sa shqiptaret myslimane të Kosovës apo Dibrës. Kuptohet qartë se pse ushtarakët italianë, në sytë e Komisarit Umiltà, tjetërsonin dhe opinionet e popullsisë, duke e çuar atë në përfundime të gabuara e me aq pasoja të hidhura për çështjen tonë kombëtare.

“Ajo që ka dëmtuar më shumë forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve qe politika jashtëzakonisht autoritare e Qeverisë shqiptare që, fatkeqësisht u përpoq vazhdimisht të kundërshtonte këshillat e matura e të arsyeshme që vinin nga Roma. Kur u formua Qeveria Libohova, e keqja ishte bërë dhe maturia arriti shumë vonë”.

Ky ishte përfundimi i përfundimeve të analizës së diplomatit Umiltà, një akuzë e fortë kundrejt Qeverisë Kruja, që kishte në qendrën e veprimtarisë së saj çështjen kombëtare, në të gjitha shfaqjet dhe problemet e saj, një Qeveri që propaganda komuniste e kohës dhe historiografia, deri në ditët tona, vazhdon ta quajë “bashkëpun[tore”, “tradhtare” e “vegël” e pushtuesit italian. Ajo Qeveri erdhi në fuqi më 3 dhjetor 1941 e pati një jetë prej 13 muajsh deri më 4 janar 1943.

“Ministrat shqiptarë shëmbëllejnë me njëri-tjetrin. Janë të gjithë të rinj, nuk them si moshë, por si shërbim. Janë të gjithë të veshur thjesht, pak të ashpër, të përgatitur mirë teorikisht. E shkuara e tyre është pothuajse e njëjtë: kanë vuajtur për vendin e tyre. Idetë e tyre janë të lidhura me disa dogma themelore: bashkimi i Shqipërisë, autonomi e brendshme, mbrojtje e racës dhe pasurisë së saj kulturore, bashkëpunim me Italinë në bazën e të drejtave dhe detyrave të përbashkëta. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë…

Komandon ministri shqiptar që, teorikisht, mundet edhe të mos kërkojë kurrë këshillën e këshilltarit. Këshilltari pret të pyetet për të dhënë mendimin e tij. Mbasi e ka dhënë atë nuk e imponon; ministri vendos nëse është apo jo rasti për ta pranuar. Kështu thotë rendi juridik që rregullon marrëdhëniet mes ministrit e këshilltarit, pra, në praktikë marrëdhëniet mes Shqipërisë e Italisë.”

Kjo është fotografia e Qeverisë Kruja, e bërë nga njëri ndër më të mëdhenjtë e gazetarisë botërore, shkrimtari e historiani Indro Montaneli. Besoj se nuk ka nevojë për asnjë koment, ndoshta është kuadri ideal për çfarëdo Qeveri, në çdo vend të botës, në çdo kohë. Dhe ja portreti i kryetarit të Qeverisë, gjithnjë simbas Montanelit, në intervistën e botuar në “Corriere della Sera” të datës 21 maj 1942:

“Nuk e shihnja Merlika-Krujën prej dhjetë vjetësh dhe e gjeta pak të ndryshuar. Suksesi dhe nderimet kanë ndryshuar pak në karakterin dhe qëndrimet e jashtme të këtij njeriu. Ai ishte veshur pak a shumë si dhjetë vjet më parë e nuk nxjerr në pah rëndësinë e tij me poza e fjalë të mëdha. Vazhdon të flasë i matur e jep përshtypjen se çfarë thotë është e vërtetë…

Dua një Shqipëri të bashkuar brenda kufijve të saj natyrorë. Dua që kjo Shqipëri e bashkuar të zhvillojë jetën e saj në paqen e siguruar nga Roma. Ne jemi lidhur me Romën nga rrethana të pandryshueshme historike e gjeografike. Fakti që edhe ne jemi në luftë nuk rrjedh nga që kemi hequr dorë nga një politikë e jashtme e pavarur, por ngase Shqipëria për vetë pozitën e saj gjeografike është e lidhur me fatin e Italisë”.

Kjo është paraqitja e kryeministrit shqiptar në opinionin publik italian, por portretin e tij, në një nga këndvështrimet më të rëndësishme të figurës, e plotëson vetë Mëkëmbësi i Mbretit, Jakomoni:

“Një shfaqje nga ana e Mustafa Krujës të asaj që ishte ‘burrnia’ e tij, pra të aftësisë për të përballuar situata me guxim e zemërgjerësi, e pata pak mbas marrjes së funksionit si kryetar i Qeverisë. Kishte shkuar tek ai Konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë dhe i kishte paraqitur një notë gojore, me të cilën Qeveria naziste kërkonte dorëzimin e më shumë se treqind hebrenjve që, të ikur nga Jugosllavia, kishin gjetur strehë në Shqipëri. Komanda ushtarake gjermane e Beogradit i kishte dhënë lajme të sakta mbi emrat e tyre dhe vendet ku ishin strehuar në Kosovën shqiptare. Mustafa Kruja erdhi të më kërkojë lejen për t’i lënë të patrazuar në Shqipëri. Nuk kishte në të gjithë vendin ushtarë gjermanë që të mund t’i njihnin. E quajtëm me vend që hebrenjtë e ikur të shpërnguleshin në krahinën e Gjirokastrës, që kufizohej me zonën greke, të pushtuar nga trupat italiane. Ata do të ishin pajisur me një pasaportë shqiptare me emër të rremë e, aty ku do të kishte qenë e nevojshme, të ndihmoheshin materialisht. Këto masa do t’i premtonin Mustafa Krujës t’i përgjigjej, mbas pak ditësh, Konsullit të përgjithshëm të Gjermanisë, se të gjitha kërkimet e bëra në Kosovë, sa i përket emrave të shënuara, kishin dalë të kota.

Nuk u njoftua zyrtarisht Roma për këtë gjë, por u njoftua privatisht për të drejtori i përgjithshëm i çështjeve sekrete, ministri i plotfuqishëm Vidau. Ai ishte njeri me zemër dhe me të merrnim masa, nëpërmjet përfaqësive tona jashtë shtetit, të furnizonim hebrenjtë gjermanë, çekë, polakë, hungarezë e rumunë me pasaporta shqiptare. Ata mund t’i shpëtonin kështu përndjekjeve racore, duke shkuar në Shqipëri.”

Ky pohim i Mëkëmbësit të Mbretit italian në Shqipëri është një fletë nderi ndërkombëtare, jo vetëm për Krujën dhe Qeverinë e tij, por për gjithë Shqipërinë e banorët e saj. Me këto veprime Shqipëria vihet në e atyre pak Vendeve të Evropës së pushtuar nga nazifashistët, që nuk morën mbi vete turpin e një krimi, nga më të shëmtuarit e më mizorët në historinë e botës, atë të Holokaustit. Shqipëria e vogël, në sajë të bijve të saj fisnikë, vuri mbi krye një kurorë, të cilën nuk patën guximin e meritën ta kenë as popuj shumë më të mëdhenj, më të zhvilluar e më të fuqishëm. Ajo kurorë mbante emrin e humanizmit në shkallë eprore, e vlerave njerëzore të respektuara edhe në rrethanat më të errëta të historisë njerëzore. Në sajë të këtij gjesti, Shqipëria ballëlartë mes gërmadhave të përfundimit të luftës, kishte të drejtën e ligjshme të kërkonte vendin e saj të nderit, në renditjen e fituesve moralë të tragjedisë më të madhe që kishte kaluar njerëzimi.

Ja si na e përshkruan një nga studiuesit më të përgatitur të historisë sonë, Mërgim Korça, këtë episod të rrënjosur thellë në kujtesën e tij rinore:

“Atëherë Mustafa Merlika Kruja i tha babait (Dr. Xhevat Korça) se duhej të merrnin masa urgjente për t’u ardhur në ndihmë hebrenjve në Kosovë. I telefonuan ministrit të Punëve të Brëndshme Mark Gjomarkaj, si edhe sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Çoba, dhe e lanë të mblidheshin menjëherë në zyrën e Kryeministrit.

Mbas disa ditësh mësova se Mark Gjomarkaj kishte dërguar në krye të një ekipi të tërë prefektësh, nënprefektësh, si edhe nëpunësish të besuar të Ministrisë së Brendshme, duke mobilizuar edhe të gjithë autobusët e shoqërisë S.A.T.A., e Engjëll Çobën në Prishtinë si i plotfuqishëm të pajiste me dokumente shqiptare si edhe me emra shqiptarë sa më shumë hebrenj që t’ishte e mundur e t’i transferonte në Shqipëri…”!

Por, për shtatëdhjetë vjet, përfshirë këtu edhe njëzet prej tyre të demokracisë, kjo meritë e madhe e kombit, kjo meteorë e ndritshme në qiellin e historisë së tij, nuk u zu në gojë, nuk u bë e njohur. Njëzet vjetët e fundit ishin inercia e pesëdhjetë viteve të regjimit, që u mundua ta varrosë në katakombet e harresës këtë monument të krenarisë kombëtare, shpëtimin e hebrenjve. Kjo ndodhte vetëm e vetëm sepse ai lidhej me emra si Ahmet Zogu, Mustafa Kruja, Mark Gjomarkaj, Xhevat Korça, Engjëll Çoba, Maliq Bushati, Kolë Bib Mirakaj, at Anton Harapi, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Xhafer Deva, Fiqiri Dine, Ibrahim Biçaku e sa e sa qeveritarë të tjerë të Shqipërisë etnike, në të gjitha nivelet, që nderuan me veprën e tyre emrin e saj e i lanë brezave t’ardhshëm krenarinë e të qënit bir i një populli që dhunës i kundërvu humanizmin e vërtetë. (Artikull i botuar në të përditshmen BS)

One thought on “KUSH E PËRGATITI PLANIN ITALIAN PËR BASHKIMIN E SHQIPËRISË ME KOSOVËN DHE ÇAMËRINË”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *