OPINIONE

Anë e kënd në botë

Shkruan, Ksenofon Dilo

Dje fola me gruan e një miku tim që tani kanë shkuar në Amerikë , Kanë dy javë që shkuan dhe prisja të më fliste për përshtypjet . Ishte e ftohtë dhe fliste me fraza të shkurtra thua se ishte e lodhur e se po priste me padurim të mbyllte telefonin . Meqenëse këtë kuptova, i thashë shpejt e shpejt mirupafshim dhe mbylla telefonin.

Nuk kishin kaluar as tre minuta dhe pashë se po më thërriste në telefon. Si duket, do ketë ardhur shoku im, mendova dhe me një ndjenjë pakënaqësie thashë një Alo- që mezi e dëgjova edhe vetë. Ishte përsëri ajo . Pse u ndërpremë? Pyetje e saj mu duk pak e çuditshme se, me sa duket nuk qëndronte, përderisa unë para se ta mbyllja, e përshëndeta. Por nuk fola, Dëgjova të më fliste pa pushim thua se kishte vënë një kasetë e më tregoi për udhëtimin, për mbërritjen në Amerikë, për çdo që që i kishte bërë përshtypje por në fund kishte ruajtur të më thoshte diçka, që e filloi me pyetjen:
-A e di sa shumë u çudita dje? Ku ta dija pse ishte çuditur . nuk fola për t’i dhënë të kuptoja se prisja të dëgjoja çudinë e saj e mbase do të çuditesha edhe unë. Dje kisha dalë në qendër- filloi- hyra në një dyqan dhe papritur ngriva. Përballë meje një grua po fliste në telefon, më dëgjon..Po ç’gjë ka këtu të çuditshme , thashë me mendje dhe shtova –Po pastaj? – Gruaja po fliste shqip.E beson? Në një qytet kaq të madh në dyqanin e parë që hyra dëgjova të flitej shqip. ..Ajo heshti. Nuk e di pse i kishte bërë kaq përshtypje kjo gjë por ndërsa e dëgjova , padashur mendja më shpuri në kohën kur brenda disa muajve u boshatis Shqipëria .Thua se kishte rënë një sëmundje që duhet t’i largoheshin dhe shkonin ku sytë këmbët. Disa e përgatitnin ikjen , kishin mundësi , por kam dëgjuar se familje të tëra u shpërngulë dhe dolën jashtë kufijve e nuk kishin asnjë dysh në xhep. Ikën si të deshën të shpëtojnë prej një ankthi që i kishte shtypur për gjithë jetën .Të shumtët ishin njerëz të ndershëm që punuan e që bënë prokopi por pati edhe nga ata që nuk ju eci e filluan të kërkojnë të tjera vende të shkojnë drejt perëndimit , të shpërndahen nëpër botë duke shitur forcën e krahut, duke u robtuar në punë prej lindjes së diellit deri në perëndim të tij. Prapa , Shqipëria e mplakur kishte mbetur si qyqe e nuk mund të ngrinte kokë. Dukej se vajtonte. Ata që kishin shkuar , a do të ktheheshin ndonjëherë vallë?

Kur ndonjëri vinte e ndërtonte një shtëpi për prindër me ndonjë dyqan . ajo dukej sikur kishte mbirë brenda natës e ishte si një stoli e papritur. Këto stoli filluan të shtoheshin e Shqipëria ngjante me atë gruan e moshuar që nuk kishte më rini , por që kishte filluar të nxirrte kozmima e ti varte në qafë , në duart e rreshkura në gishtat me arthra të shtrembëruara prej pleqërisë Të vinte keq ta shikoje. Por kështu kishte katandisur . Të rinjtë që vinin nuk rrinin më në Shqipëri.

Si të kishin frikë se mos rijetonin atë të tmerrshmin komunizëm që e kishte shndërruar Shqipërinë në një kafaz me tela me gjemba. Ata shesin krahun e tyre, rininë e tyre në tregun e botës që i shfrytëzonte dhe ajo pa mëshirë por të paktën nuk ka më triska e frikë burgu, kush është i ndershëm , punon por jeton. Veç le ta dimë të gjithë Shqipëria lëngon !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *