OPINIONE

GJYKATA SPECIALE DO E PASTROJË LUFTËN E KOSOVËS PËR LIRI DHE PAVARËSI

SHKRUAR NGA NEHAT HYSENI 2015

Të gjitha dilemave rreth miratimit të amendamenteve për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, me të cilët do i hapej rruga formimit të Gjykatës Speciale për gjykimin e krimeve të kryera nga UÇK në vitet 1999-2000, u erdhi fundi me deklaratat e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, se do të votohet “pro” formimit të saj edhe nga pjesa e deputetëve që votuan “kundër” në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, të 26 qershorit 2015. Kjo shtyrje e deritanishme e miratimit të formimit të Gjykatës Speciale ndodhi me “fajin” e PDK. Madje, dyshohet se kjo gjë ndodhi me fajin e vet Hashim Thaçit, me qëllim të shitjes sa më të shtrenjtë dhe më të volitshëm të dhënies së “vizës” për formimin e saj. Sepse, shumica e deputetëve të PDK-së, por edhe të AAK-së, Nismës, madje edhe disa nga Lëvizja Vetëvendosje, dyshohet se do të gjykohen nga kjo Gjykatë.

Prandaj, është e kuptueshme, edhe pse është jo e arsyeshme, që ata ta kushtëzojnë votën e tyre “për”. Kuptohet, duke e arsyetuar këtë me patriotizma e populizma nga më të ndryshmit. Medemek, se këta “patriotë”, nuk votojnë për humbjen e sovranitetit gjyqësor të Kosovës, si dhe me një mori broçkullash e populizmash bajate të tyre, duke u vetëmashtruar se “ia hodhën” popullit të Kosovës dhe ndërkombëtarëve, dmth BE-së dhe SHBA-së. Kjo situatë i ngjanë shumë batutës kur dhelprës i ishte kallë bishti, ajo kishte menduar se “u kallë dynjaja”.

Prandaj, askush me mendje të shëndoshë sot nuk i beson dokrrave dhe marifeteve e mashtrimeve të frenuesve të formimit të Gjykatës Speciale, qofshin ata deputetë të Kuvendit të Kosovës, ose jo, sepse është e qartë se ata këtë po e bëjnë për ta shpëtuar veten nga “shpata e drejtësisë europiane”, me qëllim të fshehjes së krimeve të panumërta të tyre dhe krijimit të pasurisë milionëshe të arritur në mënyrë të paligjshme, mafioze e kriminale, duke e kapur shtetin e Republikës së Kosovës dhe institucionet e tij. Tragjedikomedia më e madhe e tyre qëndron në faktin se ata akoma mendojnë dhe veprojnë sikur Kosova janë ata vet dhe rrjedhimisht, poqese i “nderojmë dhe mbrojmë” ata, atëherë kemi “nderuar dhe mbrojtur tërë Kosovën”! Pra, askush nuk dyshon se të akuzuarit dhe “viktimat” e para të Gjykatës Speciale do jenë deputetët e përmendur të Kuvendit të Kosovës dhe shokët e tyre. Gjithashtu, shpresojmë se ata duhet ta kenë kuptuar tani se nuk ka nevojë fare që ata ta mbrojnë sovranitetin e Kosovës nga miqtë tanë ndërkombëtarë, nga ata që na sollën Lirinë dhe Pavarësinë. Përkundrazi, Kosova duhet mbrojtur e çliruar nga këta deputetë me shokët e tyre, të cilët u vetëquajtën “çlirimtarë”, e në emër të kësaj i dhanë vetes të drejtë që të kryejnë krime makabre, ta privatizojnë shtetin dhe të identifikohen me shtetin si pronë e tyre, që sipas tyre, legjitimohet me “meritat e luftës”.

Prandaj, nuk kemi iluzione se formimi i Gjykatës Speciale do t’i gjykoj e denojë të gjitha krimet në Kosovë, ashtu si këtë nuk e bëri UNMIK-u e as EULEX-i më parë.

Por, megjithatë na mban shpresa se diçka, sadopak, në funkcion të dënimit të krimit dhe vendosjes së drejtësisë, Gjykata Speciale do të votohet me shumicë të kualifikuar prej 2/3, dmth nga 81 deputetë, dhe do i hapë rrugën “spastrimit moral” të luftës së drejtë e patriotike, për liri e pavarësi të UÇK-së dhe mbarë popullit të Kosovës, duke hapur kështu mundësi dhe horizonte të reja drejtë avancimit dhe përparimit të Republikës së Kosovës, si dhe duke i hapur shtigjet e bashkëpunimit dhe bashkëngjitjes familjes së madhe të demokracisë dhe mirëqenies europiane.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *